12. SURETU-JUSUF
E zbritur në Meke, pas sures Hud, ajete: 111
Kjo është një prej kaptinave të zbritura në Meke, të cilat parashtrojnë ngjarjet rreth pejgamberëve. I tërë tregimi në këtë kaptinë i është kushtuar ndodhisë rreth Jusufit, birit të Jakubit, vështirësive që përjetoi ai dhe babai i tij, mundimet që pësoi prej vëllezërve në burg, në shtëpinë e zotërisë së Egjiptit, prej aventurës së grave etj., derisa e shpëtoi Zoti xh. sh. Edhe Muhamedi a.s. do ta gjejë shpëtimin dhe do të korrë sukses, anipse e refuzojnë edhe të afërmit edhe të largëtit.
Kaptina ka një trajtim të posaçëm të shprehjeve dhe të domethënieve të saj, sepse rrëfimi i ngjarjes në një mënyrë të butë e të dhimbshme depërton nëpër ndjenjat shpirtërore, si gjaku nëpër enë, dhe edhe pse është nga kaptinat mekase, të cilat në të shumtën e rasteve kanë natyrë kërcënimi e tërheqjeje të vërejtjes, kjo është e dalluar sepse ka një atmosferë mëshire, butësie e ledhatimi.
Edhe kjo sure është shpallur në atë kohë kur Muhamedi a.s. ballafaqohej me ato vështirësi të njëpasnjëshme, në atë kohë kur mbeti pa axhën dhe pa bashkëshorten, kur edhe vitin e quajti “amul huzni” - vit i pikëllimit.
Pikërisht në këtë periudhë kur i Dërguari i Zotit, dhe besimtarët ishin duke u konfrontuar me ato sjellje drastike e të egra të injorantëve kurejshitë, kur ishin izoluar prej bashkësisë mekase, ata ishin të vetmuar dhe të sulmuar në çdo pikëpamje i zbret kjo kaptinë, e cila ia lehtëson mundimet, i jep shpresë, se pas të gjitha vështirësive do të arrijë sukses dhe çlirim. I thuhet: shikoje Jusufin, vuajtjet e tij dhe mundimet, e më në fund edhe triumfin, por duhet të jesh i durueshëm, se ndihma e Zotit ju dhurohet gjithnjë të durueshmëve. Tregimi për Jusufin nuk është përsëritur në asnjë vend tjetër në Kuran, siç është rasti me tregimet e pejgamberëve të tjerë, të cilat edhe pse duket se përsëriten, përsëritja e tyre është në mënyra të tjera, me stil tjetërfare dhe me sinonime të llojllojta.
Gjatë këtij rrëfimi, në këtë kaptinë duhet kuptuar, se dëshira dhe përcaktimi i Zotit Fuqiplotë për një send, çështje a njeri do të realizohet në tërësi, edhe nëse e tërë bota ngrihet kundër. Kështu ishte rasti i Jusufit, të cilit Zoti i kishte dhuruar dhuntinë e vet qysh në vogëli, e përpjekjet e vëllezërve për ta zhvlerësuar atë dhunti, tentimi i grave për ta mashtruar e poshtëruar, nënçmimi duke e shitur si rob dhe gjykimi me burg pa kurrfarë gabimi, nuk patën sukses me atë, nuk arritën asgjë. Në fund ai u kurorëzua me atë të mirë, që ia kishte dhuruar Zoti, edhe si pejgamber, edhe si sundues, edhe i pranuar në mesin e më të mirëve në jetën e ardhshme!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Elif, Lam, Ra. Këto (ajete që t’u zbritën) janë ajetet e librit të qartë.
Ne e zbritëm atë Kuran arabisht, ashtu që ta kuptoni.
Ne me të shpallur të këtij Kurani po të rrëfejmë ty (Muhamed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.
(përkujto) Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im, unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin e hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!”
Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos ia trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”.
Ja, kështu Zoti yt të zgjedh ty, ta mëson interpretimin e ëndrrave, plotëson dhuntinë e Tij ndaj teje dhe familjes së Jakubit, sikurse e pat plotësuar atë më parë ndaj prindërve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Vërtet, Zoti yt është më i Dijshmi, më i Urti!”
Njëmend, për ata që pyesin (interesohen) për ndodhinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, pati fakte (mbi fuqinë e Zotit).
Kur ata (vëllezërit) thanë: “Vërtet, Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur te babai ynë se ne, ndërsa ne jemi grup (i fortë). Vërtet, babai ynë është në gabim sheshazi”.
Mbyteni Jusufin ose hidheni diku larg në një vend e babai juaj t’ju dojë juve e pas asaj (pendohuni), bëhuni njerëz të mirë.
Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin, e në qoftë se jeni për të bërë diçka lëshojeni atë në fund të bunarit, do ta marrë atë dikush prej udhëtarëve".[159]
[159] Para se t’i shpallej Muhammedit a.s. Kurani ai nuk dinte për ngjarje çfarëdo qofshin, pse ai nuk kishte mësuar nga ndonjë libër e mësues, edhe ky ishte një fakt kundër atyre, që u përpoqën të zhvlerësonin Kuranin Famëlartë, duke thënë se e shpiku vetë Muhamedi a.s. Zoti xh. sh. ia shpjegon këtë ngjarje Muhamedit a.s. dhe besimtarëve në mënyrën më të mirë, më të saktë dhe më të kuptueshme. Jusufi kishte parë në ëndërr sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i bënin sexhde, i përuleshin. Për këtë i tregoi babait të vet, Jakubit, por ai i tërhoqi vërejtjen, se ëndrrën nuk duhet t’ia tregojë vëllezërve, sepse mund t’i bëjnë ndonjë të keqe. Jusufi u habit, si mund t’i bëjnë keq vëllezërit? Por Jakubi i sprovuar i tha, se duhet ta dijë që shejtani është armik i përbetuar kundër njeriut, e mund t’i mashtrojë edhe vëllezërit e tij.
Jakubi e kuptoi, se Zoti do ta dërgojë Jusufin pejgamber, prandaj edhe e donte shumë. Nga zilia, pse Jakubi e donte Jusufin dhe vëllain e tij Beniaminin - këtë e kishte vëlla edhe prej nëne - djalli ua mbushi mendjen vëllezërve të tij që ta likuidojnë, e pastaj të pendohen e të bëhen njerëz të mirë. Si duket, djali më i madh i Jakubit, Jehudha propozoi një të keqe më të lehtë: ta humbin e mos ta vrasin.
Ata thanë: “O babai ynë, ç’ke që nuk na beson për Jusufm, e ne ia duam të mirën atij?
Dërgoje nesër atë me ne, le të hajë e të kënaqet dhe le të luajë, ne me siguri do ta ruajmë atë”.
Ai tha: “Unë mallëngjehem po të vijë me ju, dhe kam frikë, se do ta hajë ujku, kur mungon kujdesi juaj për të”.
Ata thanë: “Për Zotin, nëse e ha ujku, e duke qenë ne grup kaq i fortë, atëherë ne mos qofshim fare!”
Pasi që ata shkuan me të dhe vendosën ta vënë në fund të bunarit, Ne i shpallëm: “Ti do t’i njoftosh ata për këtë vepër të tyre, e duke mos ditur ata (do të vijë koha tju thuash për këtë vepër e ata nuk do të dinë se ti je Jusufi)”.
E në mbrëmje erdhën duke qarë te babai i tyre.
Thanë: “O babai ynë, ne shkuam të bëjmë gara, e Jusufin e lamë te rrobet tona dhe atë e kishte ngrënë ujku. Ti nuk do të na besosh neve, edhe po të jemi të vërtetë!”
E i sollën këmishën e tij me gjak të rrejshëm. Ai tha: “Jo (nuk e ka ngrënë ujku), por epshet tuaja ua hijeshuan punën. Halli im është: durim i mirë. Allahu është nga i cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju”.
Dhe atypari kaloi një grup udhëtarësh, e e dërguan ujëbartësin (për ujë), e ai e lëshoi kovën e vet (në bunar) dhe tha: “Myzhde! Ja një djalosh!” Ata e fshehën atë si mall tregtie. Po Allahu e dinte shumë mirë se ç’vepronin ata.
Dhe e shitën atë (Jusufin) për një çmim të vogël, për disa dirhemë (masë argjendi) të numëruar, sepse në mesin e tyre pati asish, që nuk lakmuan (për çmim më të lartë).
E ai që e bleu nga Misiri (Egjipti) i tha gruas së vet: “Bëni pritje të kënaqshme, se është shpresë t’ia shohim hajrin ose ta adoptojmë për fëmijë!” Ja, kështu (sikurse e shpëtuam nga bunari), Ne i bëmë vend Jusufit në tokë (në Egjipt), e që t’ia mësojmë atij shpjegimin për disa ëndrra. Allahu është Mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve).
E kur e arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë pushtet e dituri. E kështu Ne i shpërblejmë punëmirët.[160]
[160] Edhe pse Jakubi u tha bijve të vet, se nuk mund të rrijë pa Jusufin dhe se frikësohej nga ujku, ata iu betuan se e duan dhe do të kenë kujdes ashtu që e lejoi të shkojë me ta. Vëllezërit e hodhën Jusufin në bunar, por prezenca e Zotit ishte aty, i dërgoi Xhibrilin t’ia qetësojë shpirtin, t’ia largojë frikën e vetmisë dhe ta lajmërojë, se do të jetë i shpëtuar prej kësaj fatkeqësie. Ata për ta fshehur sado kudo turpësinë e tyre, pasi ra muzgu erdhën kinse duke qarë dhe me këmishë të përgjakur, por Jakubi e kuptoi çështjen dhe iu mbështet Zotit për ndihmë. Një grup tregtarësh kaloi atypari dhe e gjeti Jusufin, por nuk treguan se është i gjetur, po sikurse ishte rob i tyre dhe me të shpejtë e shitën, duke u frikësuar se po lajmërohet i zotëria i tij. Jusufin e bleu ministri i ekonomisë së Egjiptit, e gruas së vet i tha të ketë kujdes për vendosjen, ushqimin dhe veshmbathjen e tij, sepse do të kenë dobi prej tij, ose meqë nuk kishin fëmijë, ta përvetësojnë për djalë të vetin. Deri këtu Jusufi përjetoi dy sprovime të mëdha: hedhjen në bunar dhe shitjen si rob, por ndihma e Zotit nuk i mungoi në asnjërin rast.
E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: “Eja!”. Ai (Jusufi) tha: “Allahu më ruajtë, ai zotëria im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mund t’i bëj hile në familje)?”. S’ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.
Ajo e mësyu atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezantohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur.
Dhe që të dy ata u ngutën nga dera, e ajo ia grisi këmishën e tij nga mbrapa dhe pranë dere ata të dy e takuan burrin e saj, e ajo tha: “Çfarë mund të jetë ndëshkimi i atij që tenton të keqen në familjen tënde, përpos të burgoset, ose dënim të dhembshëm!?”
Ai (Jusufi) tha: “Ajo m’u vërsul mua!” Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: “Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të drejtën, kurse ai gënjen.
E nëse këmisha e tij është grisur prapa, atëherë gënjen ajo, kurse ai është i drejtë”.
E kur e pa ai (burri i saj) këmishën e tij të grisur prapa, tha: “Kjo është dredhi juaja, vërtet dredhia juaj është e madhe!”
“Jusuf, largohu nga kjo (mos ia përmend askujt)! E ti (gruas) kërko falje për mëkatin tënd, se vërtet ti qenke fajtore!”
Një grup nga gratë e qytetit thanë: “Gruaja e zotërisë (e ministrit) i vërsulet marrëzisht shërbëtorit të vet, atë e ka kapluar në shpirt dashuria, e ne jemi të bindura se ajo është në humbje të hapët.
E kur ajo dëgjoi për ato pëshpëritjet e tyre, dërgoi t’i thërrasë ato, u përgatiti vendmbështetje dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë e tha: “Dilu para atyre!” Kur e panë atë, ato u tronditën dhe i prenë duart e tyre e thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri, ky nuk është tjetër vetëm se ndonjë engjëll i lartë!”
Ajo tha: “Ja, ky është ai për të cilin më qortuat mua, e unë e mësyva atë, po ai u ruajt fort. Po qe se nuk bën çka e urdhëroj, ai gjithqysh do të burgoset dhe do të nënçmohet”.
Ai (Jusufi) tha: “O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që më ofrojnë ato mua dhe nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj tek ato e të bëhem injorant”.
E Zoti i tij ia pranoi lutjen atij dhe e largoi nga ai dredhinë e tyre. Vërtet, Ai është Përgjigjësi (i lutjes) dhe i Gjithëdijshmi.[161]
[161] Sprova e tretë për Jusufin ishte përpjekja e gruas së ministrit për ta çnderuar. S’ka dyshim, si pejgamber ai ishte i kursyer prej çdo gabimi, e edhe prej përpjekjes së saj. Se në çfarë mase ishte maturia e Jusufit, nuk ka nevojë për ndonjë interpretim të gojëdhënave, mjafton që Zoti thotë për të, se ishte prej të zgjedhurve.
Sigurisht gruan e ministrit e kishin përgojuar gratë e rrethit të shtresës më të lartë të qytetit, prandaj edhe përgatitja për tubimin e tyre në ndejë ishte e rangut të lartë, kur thuhet se u përgatiti fotele mbështetëse etj. Gruaja e ministrit u përpoq t’i iki realitetit përderisa edhe gratë e qytetit ranë nën një ndikim sikurse edhe ajo, e atëherë ajo u zbulua haptazi dhe iu kërcënua Jusufit. Jusufi, si pejgamber shprehu dëshirën për vuajtje në këtë botë dhe nuk e lejoi veten t’i nënshtrohet dëshirave fizike, e si njeri kërkoi ndihmën e Zotit, pse prirjet e epshit janë shumë agresive. Allahu e ndihmoi, e shpëtoi prej mëkatit të turpshëm dhe e bëri shembull të përjetshëm për të gjithë rininë, që përpiqet të jetë e ndershme. Për fatbardhësinë e kësaj rinie kemi hadithin e Pejgamberit a.s. kur thotë: “Shtatë kategori i merr Zoti në mbrojtjen e Vet, në atë ditë kur nuk ka mbrojtje tjetër pos mbrojtjes së Tij...”, e një prej atyre kategorive e numëron: “Personin (të riun), të cilin e thërret një grua e bukur dhe autoritative, e ai thotë: I frikësohem Allahut!” - ashtu sikurse tha Jusufi dhe si thonë përherë ata që janë të ndershëm.
Mandej, pasi u vërtetuan argumentet (e pastërtisë së Jusufit), atyre (ministrit dhe rrethit të tij) iu paraqit ideja që atë ta burgosin për një kohë (të caktuar).
Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre të dyve tha: “Unë e ëndërrova veten, se po shtrydh (rrush për) verë”. E tjetri tha: “Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët”. Na trego komentimin e tyre, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndrrave).
Tha: “Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos dijë t’ju përshkruaj atë para se t’ju vijë. Kjo është nga ajo çka më mësoi Zoti im (nuk është fall e as prognozë). Unë e kam braktisur fenë e një populli, që nuk e beson Allahun e as botën tjetër, e ata ishin jobesimtarë”.
Unë ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t’i përshkruajmë kurrë një send shok Allahut. Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën.
O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm ose Allahu, i Vetmi Ngadhënjimtar?”
Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që i pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju të dyve do t’i japë të pijë verë zotërisë të vet, e tjetri do të varet, dhe shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund (kështu).
E atij, për të cilin besonte se është i shpëtuar, i tha: “Më përkujto mua te zotëria yt”. Po djalli e vuri në harresë ta përkujtojë te zotëria i tij, e për këtë mbeti në burg disa vjet.[162]
[162] Sprova e katërt dhe e fundit për Jusufin ishte burgu. Paria e Egjiptit e vërtetoi se Jusufi ishte i pafajshëm, por për hir të autoritetit të gruas së ministrit, edhe pse pa të drejtë vendosi ta burgosë kinse si fajtor.
Ndodhi që bashkë me Jusufin të burgosen edhe dy të rinj, shërbëtorë të sundimtarit.Ata e kishin kuptuar, se Jusufi i interpreton ëndrrat, prandaj edhe e pyetën. Është karakteristike se Jusufi edhe në burg, edhe në momentin më të vështirë, nuk e harroi detyrën e shenjtë, thirrjen në besim të drejtë, prandaj para se t’ua shpjegojë ëndrrat e filloi shpjegimin rreth besimit të drejtë dhe rreth asgjësimit të besimeve të kota. Mandej u sqaroi edhe rrjedhimin e domethënies së ëndërrave. Thuhet se kur ua komentoi ëndrrat ata thanë, se nuk kemi parë farë ëndrre, e ai ju tha, keni parë s’keni parë, do t’ju ngjajë çfarë ju thashë. Këtu Jusufi bën një lëshim të vogël, por për të, si pejgamber ishte i madh. Atij për të cilin e dinte, se do të lirohej prej burgut i tha që t’ia sjellë ndërmend zotërisë së tij çështjen se si Jusufi mbeti në burg pa faj. Mirëpo ai harroi dhe Jusufi mbeti në burg shtatë vjet. Thuhet se paska thënë Xhibrili: Kush të shpëtoi prej mbytjes, kush të nxori nga bunari, kush të mbrojti prej punës së keqe, kush të largoi sherrin e grave? E, Jusufi në të gjitha këto është përgjegjur: Allahu! Atëherë Xhibrili i thotë: Përse pra u mbështete te njeriu, kur i the atij të të përmendi te zotëria? Jusufi tha: Gabova,- dhe e luti Zotin të mëshirojë. Xhibrili i tha: Zoti ta fali gabimin, por për një kohë do të mbetesh në burg.
E (kur u afrua lirimi i Jusufit) mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta, që i hanin ato (të dobëtat i gëlltitën ato të majmet), dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur frytin) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini ta interpretoni ëndrrën, më tregoni për ëndrrën time!”
Ata (paria) thanë: “Ëndrra të përziera, e ne nuk e dimë komentimin e ëndrrave të tilla”.
E ai prej atyre të dyve që shpëtoi (që i pat thënë Jusufi ta përmendë), e përkujtoi pas një periudhe e tha: “Unë ua tregoj kuptimin e saj. Pra më lejoni të shkoj (te Jusufi)”.
(E dërguan te burgu, e ai tha) O Jusuf, o ti i drejtë, na shpjego për shtatë lopë të dobëta, që i hajnë shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tharë, e ndoshta po kthehem te njerëzit (me përgjigje), ashtu që edhe ata ta kuptojnë (vlerën dhe dijen tënde)!
Ai (Jusufi) tha: “Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lereni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.
Pastaj, do të vijnë shtatë (vjet) të vështira (me skamje) që do ta hanë atë që keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që do ta ruani (në depo për farë).
Mandej, pas asaj vjen një vit (i begatshëm) në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të shtrydhin (fruta - vit i begatshëm në përgjithësi)”.
E mbreti tha: “Ma sillni mua atë (Jusufin)!” Dhe kur i shkoi atij (Jusufi) i dërguari (i mbretit), ai i tha: “Kthehu te zotëriu yt dhe pyete atë: Si është puna e grave që i prenë duart e tyre? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre”.
Ai (mbreti) tha: “Si ishte puna juaj kur ju vetë e dëshiruat (iu vërsulët) Jusufin?” Ato thanë: “Zoti na ruajt, ne nuk dimë ndaj tij asnjë të keqe!” Gruaja e ministrit tha: “Tashti doli në shesh e vërteta, e unë iu vërsula atij me dashuri, e ai është nga të drejtit!”
“Këtë (e bëra thotë Jusufi) për ta ditur ai (ministri), se unë nuk e tradhtova tinëzisht dhe se vërtet Allahu nuk e realizon dredhinë e tradhtarëve.
Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është Shumë falës dhe Mëshirues i madh.
Mbreti tha: “Ma sillni mua atë, thjesht ta veçoj për veten time!” (Ia sollën Jusufin) E pasi bisedoi me të tha: “Tashti ti ke te ne pozitë dhe je i besueshëm”.
Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm”.
Dhe kështu Ne i dhamë Jusufit pozitë në vend (në Egjipt), zinte vend aty ku dëshironte. Ne e pajisim me të mirat tona atë që duam, e Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve.
Por shpërblimi i botës tjetër, gjithsesi është shumë më i mirë për ata që besuan dhe ata që u frikësuan, dhe u ruajtën.[163]
[163] Mbreti që si duket quhej: Rejan bin Velid, e sheh ëndrrën dhe kërkon prej dijetarëve t’ia intepretojnë domethënien e saj, e derisa nuk qenë në gjendje t’ia shpjegojnë, ia zhvlerësuan edhe ëndrrën. Në atë kohë, e pas sa vitesh shërbëtori i mbretit, që kishte qenë me Jusufin në burg dhe ishte liruar, i përkujtohet Jusufi dhe porosia që i pat thënë: Më përkujto...,- i tha mbretit dhe parisë, nëse më lejoni të shkoj te një njeri, ai do të dijë ta shpjegojë. Burgu paska qenë jashtë qytetit, prandaj shërbëtori thotë: Më dërgoni... Shkon te Jusufi dhe ai ia shpjegon sinjalizimin e ëndërrës. Mirëpo, Jusufi i thotë atij të deleguarit të mbretit, që të kthehet dhe të shkojë te mbreti e ta pyesë: “A e di ai punën e atyre grave, a e di përse Jusufi qëndroi në burg pa gabim, a e di se gratë ishin shkaktare për burgosjen e tij? Jusufi nuk pranon të dalë nga burgu para se të pastrohej. Mbreti i tubon gratë, të cilat kishin qenë në ndejë te gruaja e ministrit Kitfir-azizit, te Zylejhaja dhe ndriçoi çështjen e Jusufit, derisa ato u deklaruan se Jusufi ishte i pafaj, e në fund edhe Zylejhaja e pranoi, se Jusufi ishte i ndershëm. “Nuk e çfajsoj epshin...”, nëse këtë e ka thënë Jusufi, ka pasur si qëllim të mos krenohet me veten, edhe pse ishte i pastër, e nëse e ka thënë Zylejhaja, atëherë ka thënë realitetin.
Pasi vërteton drejtësinë dhe maturinë e Jusufit mbreti e afron pranë vetes dhe i jep pozitë të madhe, duke e caktuar përgjegjës të depove të mbretërisë. Kjo ishte mëshirë e të madhit Allah, që ia dhuron atij që do, e dhurata më e madhe e Tij është ndihma ndaj njeriut që ai ta besojë, t’i respektojë urdhrat e Tij, e më në fund ta përjetojë shpërblimin e madh në jetën tjetër.
Dhe (pas një kohe) vijnë vëllezërit e Jusufit e hynë tek ai, e ai i njohu, ndërsa ata nuk e njihnin.
E pasi i furnizoi me të gjithë artikujt e nevojshëm (me barrë drithi për të cilin kishin ardhur etj), iu tha: “Më sillni një vëlla tuajin që e keni nga babai, a nuk e vëreni se unë vërtet po ua plotësoj barrën (peshoren) dhe se unë jam mikpritësi më i mirë!”
E nëse nuk ma sillni atë (vëllain), ju nuk do të merrni tek unë asnjë barrë drithi (për ushqim), e as mos iu afroni (vendit tim).
Ata thanë: “Ne do të përpiqemi për të (për ta marrë) te babai i tij dhe gjithsesi ne do ta bëjmë atë!”
Ai (Jusufi) i tha djelmoshave të tij shërbëtorë: “Vendoseni mallin e tyre (barrën që kishin sjellë për të blerë, drithin) në barrët e tyre, ashtu që kur të kthehen te familja e tyre (t’i hapin barrët) ta njohin, e ndoshta do të kthehen sërish te ne”.
E kur u kthyen te babai i tyre thanë “O baba ynë, po na ndalohet barra (drithi), lejoni të vijë me ne vëllai ynë (Beniamini), që të marrim ushqim, e ne do ta ruajmë atë (nga çdo e keqe)”.
Ai (Jakubi) tha: “A t’ju besoj për këtë, sikurse ju besova më parë për vëllain e tij (Jusufin), po Allahu është Mbrojtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi ndër mëshiruesit”.
E kur i hapën barrët e tyre, e gjetën mallin e tyre që iu ishte kthyer dhe thanë: “O ati ynë, çka duam më tepër, ja, ky është malli ynë që na u kthye, do ta furnizojmë me drith familjen tonë, do ta ruajmë vëllain tonë dhe do ta shtojmë një barrë deveje, e kjo është sasi e lehtë (për sundimtarin)”.
Ai (Jakubi) tha: “Unë kurrsesi nuk e dërgoj atë me ju, derisa të ma jepni besën (e fortë) në Allahun, se gjithsesi do të ma ktheni atë mua, përveç nëse ju diktojnë rrethanat e nuk mundeni”. E kur ata ia dhanë besën (u betuan) ai tha: “Allahu është garantues për këtë që thamë”.
Po ai (Jakubi) tha: “O bijt e mi, mos hyni (në Egjipt) për një derë, po hyni nëpër dyer të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i Allahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.
Dhe ata hynë ashtu si i porositi babai i tyre, po ajo nuk do t’i ndihmonte për asgjë nga caktimi i Allahut, përveç një dëshire të Jakubit, që e kishte në vete dhe e kreu. Po ai (Jakubi) ishte i dijshëm për të, sepse Ne e kemi mësuar për atë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.[164]
[164] Thuhet se vendin e Jakubit e kishte kapur një thatësi e madhe e skamje, prandaj ata shkojnë në Egjipt për të blerë ushqim. Jusufi i njeh ata, por nuk iu prezantohet e ata nuk e njihnin, sepse sipas një varianti kishin kaluar njëzet e dy vjet prej atij çasti, kur e kishin hedhur në bunar e deri atë ditë. Jusufi i pyeti, se prej nga ishin, kush ishin, mos ishin vëzhgues etj. Ata i thanë se ishin prej Kenanit-Palestinë, ishin bijtë e Pejgamberit Jakub, kishin qenë dymbëdhjetë vëllezër, por njëri ju kishte humbur në fushë, dhe atë e kishin dashur më shumë, e një vëlla i tij edhe prej nëne kishte mbetur te babai, që t’ia lehtësoje dhembjet babait për djalin e humbur. Ne dhjetë kemi ardhur për ushqim. Jusufi i priti mirë e iu dha drith për kokë të çdonjërit, por i porositi t'ia sjellin edhe atë vëllain e vogël, që t'u japë drith edhe për atë. Pa e ditur ata, ua ktheu mallin që kishin sjellë për kompensim me drithin, e me qëllim që të kthehen përsëri, sepse Jakubi nuk do të hante drithin që nuk ishte paguar, e do t'ia sillnin edhe vëllain. Sikur të mos ishte urdhri i Zotit, që Jusufi të veprojë ashtu mendja nuk do ta pranonte një sjellje të tillë, pse Jusufi nuk e lajmëron ende babain e pikëlluar për veten?!...
Pasi u betuan në Allahun, se nuk do t’i bëjnë ndonjë dredhi Jakubi ua dha djalin më të vogël, por ju tha mos hyni të gjithë për një derë, sepse mund t’ju shohë ndonjë qëllimkeq. Megjithatë Jakubi e dinte, se nuk mund t’u ndodhte asnjë send pa caktimin e Zotit, por i këshilloi djemtë e vet dhe ashtu ata shkuan sërish në Egjipt për të marrë drith.
E kur hynë te Jusufi, ai (Jusufi) e afroi pranë vetes vëllain e vet (Beniaminin) dhe i tha: “Unë jam vëllai yt, e ti mos u pikëllo për atë që ata vepruan!”
E kur i pajisi ata me pajimet e tyre, e vuri tasin (gotën) në barrën e vëllait të vet, e pastaj një thirrës thirri: “O ju devexhinj, ju jeni vjedhës!”
U kthyen (devexhinjtë) dhe thanë: “Çfarë keni humbur?”
(shërbëtorët e sundimtarit) Thanë: “Kemi humbur tasin e sunduesit, e kush e sjell atë (tasin), ka (shpërblim) një barrë deveje (drith). Unë vetë jam për këtë garantues!”
Ata (vëllezërit e Jusufit) thanë: “Betohemi në Allahun, ju e dini, se ne nuk kemi ardhur për të bërë shkatërrime në tokë dhe nuk jemi vjedhës!”
(shërbëtorët) Thanë: “Nëse jeni gënjeshtarë, çfarë duhet të jetë ndëshkimi i atij (që ka vjedhur)!”
(vëllezërit) Thanë: “Dënimi i tij është (të robërohet) vetë ai në barrën e të cilit gjendet. Kështu ne i dënojmë të padrejtit!”
Dhe filloi (kontrollimi) në barrët e tyrë, përpara barrës së vëllait të vet, e pastaj e nxori atë (tasin) nga barra e vëllait të vet. Kështu Ne e mësuam të planifikojë Jusufi. Sipas ligjit të mbretit atij (Jusufit) nuk i takonte ta ndalte (peng) vëllain e vet, përveç kur është dëshira e Allahut! Atë që duam Ne e lartësojmë shumë në dituri, e mbi secilin të dijshëm ka edhe më të dijshëm.
(vëllezërit) Thanë: “Në pastë vjedhur ky, ka pasë vjedhur më parë edhe një vëlla i tij. Jusufi këtë e mbajti të fshehtë në vetvete, e nuk ua zbuloi atyre dhe tha: “Ju jeni në pozitë më të keqe (këtë e tha me vetvete e jo atyre), Allahu e di më së miri për atë që trilloni.
Ata thanë: “O zotëri, ai ka një baba shumë të vjetër, pra, në vend të tij merr njërin prej nesh. Bëje këtë të mirë, se ti je prej atyre që bëjnë mirë!”
Ai (Jusufi) tha: “Allahu na ruajt, të marrim një tjetër pos atij tek i cili e kemi gjetur sendin tonë, ne atëherë do të jemi të padrejtë!”
E kur e humbën shpresën prej tij, u veçuan për t’u konsultuar. Më i madhi i tyre tha: “A nuk e dini që babai juaj ka marrë prej jush besën në Allahun, e më parë çfarë padrejtësisht keni bërë ndaj Jusufit?” Unë pra nuk ndahem kurrë prej kësaj toke (të Egjiptit) deri sa të më lejojë babai im, ose të vendosë Allahu (mirë) për mua, e Ai është Gjykatësi më i drejtë!”
Ju kthehuni te babai juaj dhe thuani: “O ati ynë, djali yt vodhi, ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë, e për të fshehtën ne nuk ishim roje!”
Ti dërgo e pyeti (banorët në) qytetin ku ishim ne, po ashtu edhe (ata me) karvanin me të cilin kemi ardhur. Ne jemi të drejtë (ç’të themi).
Ai (Jakubi) tha: “Jo, çështjen ua lehtësoi epshi juaj. (Mua nuk më ka mbetur tjetër) Durim i mirë, është shpresë që Allahu do të m’i sjellë të gjithë; Ai është më i Dijshmi, më i Urti!”
Dhe ua ktheu shpinën e tha: “O dëshpërimi im për Jusufin, dhe nga pikëllimi iu zbardhën të dy sytë, po i përmbajtur (nga pikëllimi).
Ata thanë: “Për Allahun ti vazhdimisht e përkujton Jusufin derisa do të sëmuresh rëndë, e të vdesësh”.
Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini”.[165]
[165] Kur hynë te Jusufi ai i vendosi nga dy veta në një dhomë si mysafirë, e pasi Beniamini mbeti vetëm, ai tha po e marr me vete në dhomën time. Aty i tregoi se ishte Jusufi, i tregoi për planin e vet dhe i tha të mos tronditet për rrjedhimin e ngjarjeve.
I urdhëroi shërbëtorët që kupën e vet të stolisur me diamante ta vënë në barrën e vëllait të vogël pa i hetuar kush. Pasi publikuan se dikush e ka marrë kupën e sunduesit, kërkuan mendim prej tyre për masën ndëshkuese që duhet të merrnin tek ai që gjendet. Jusufi e bëri këtë me qëllim, sepse sipas ligjit të Egjiptit hajduti rrihej dhe detyrohej ta paguajë dëmin, e jo të mbahej peng. E sipas ligjit të Jakubit, për të cilin Jusufi e dinte hajduti që vjedh mbetej rob i të zotit të sendit të vjedhur, e Jusufi këtë kishte si qëllim. Vëllezërit e Jusufit edhe në atë rast u shprehën keq kur thanë, se edhe vëllai i tij më parë ka pasë vjedhur, duke aluduar për Jusufin, por Jusufi nuk reagoi. Por edhe ata treguan sinqeritet, kur e lutën të mbajë njërin prej tyre në vend të Beniaminit, dhe shprehën dhimbje për babain plak.
Jusufi nuk pranoi që të mbante ndonjë tjetër në vend të tij. E kur ata i humbën të gjitha shpresat, u ndanë dhe u konsultuan mes vete. Më i vjetri prej tyre Jehuda, i qortoi vëllezërit dhe vendosi të mos shkojë i gjallë pa vëllain e vogël, e atyre iu tha të shkojnë dhe t’i tregojnë babait për ngjarjen. Kur i treguan Jakubit çështjen ai u pikëllua shumë dhe duke shprehur dëshpërimin e vet përmendi Jusufin, që gati ishte harruar, e bijve të tij ua zgjoi ndjenjën e dhimbshurisë ndaj babait, dhe i thanë të mos pikëllohet aq shumë, se kështu do ta shkatërrojë veten, por ai shfaqi shpresën se do t’i vijnë të gjithë djemtë e humbur.
(Jakubi iu tha të bijve të vet) “O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën tek Allahu”.
(shkuan) E kur hynë tek ai i thanë: “O ti zotëri, neve dhe familjen tonë na ka goditur skamje e vështirë, e kemi ardhur me një mall të vjetër, e ti pra na mbush masën (barrën) dhe na dhuro, Allahu i shpërblen ata që dhurojnë”.
Ai (Jusufi) tha: “A e dini çfarë keni bërë me Jusufin dhe vëllain e tij kur ishit injorantë?”
Ata thanë: “A ti je vetë Jusufi?” Ai tha: “Unë jam Jusufi, e ky është vëllai im, Allahu na dhuroi shpëtimin, pse ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim Allahu nuk e humb shpërblimin e punëmirëve”.
Ata thanë: “Për Allahun, është e vërtetë, se Allahu të ka lartësuar mbi ne, kurse ne vërtet ishim fajtorë!”
Ai tha: “Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve; Ai është më i Mëshirshmi ndër mëshiruesit!
Ju shkoni me këtë këmishën time, dhe hidhjani atë babait tim në fytyrë, e atij do t’i kthehet shikimi, e pastaj ejani tek unë me tërë familjen time”.
(u nisën) Dhe posa u ndanë devetë (prej qytetit), i ati i tyre tha: “Unë po e ndiej erën e Jusufit, mos më konsideroni të matufosur.” (këtë ia tha familjes së vet në Palestinë).
Ata (që ishin të pranishëm) thanë: “Për Allahun, ti vërtet qëmoti je në humbje”.[166]
[166] Jakubi u tha djemve të shkojnë sërish në Egjipt dhe të hulumtojnë edhe për Jusufin. Puna e Jusufit për të tjerët ishte si ndonjë ëndërr, sepse çdo gjurmë për të ishte zhdukur, mirëpo Jakubi e përmendte dhe e lidhte shpresën te Zoti.
Vajtën dhe hynë te Jusufi, e lutën t’u japë drith për një mall të dobët që kishin sjellë, i cili ishte për t’u hedhur poshtë. E lutën t’ua lirojë edhe vëllain. Pasi dëgjoi Jusufi për vështirësitë e familjes së tyre dhe për pikëllimin e verbimin e babait, ndjeu dhembje në shpirt dhe u prezantua. Vëllezërit u habitën, pse ishin dy vjet që silleshin kah ai dhe nuk e kishin njohur, prandaj i thanë: Vërtet, ti je Jusufi? Megjithëse ua përmendi gjestin e tyre të shëmtuar, nuk i qortoi, përkundrazi u lut që t’i falë Zoti. Ju tha të shkojnë dhe ta marrin tërë familjen e të kthehen në Egjipt. Ua dha me vete këmishën e vet dhe iu tha t’ia vendosin në fytyrë babait, se do t’i kthehet shikimi.
Vëllezërit u nisën dhe pasi kishin lëshuar territorin e Egjiptit, Jakubi iu kishte thënë atyre që ishin të pranishëm, e di se do të më thoni se jam çmendur, por unë po ndiej erën e Jusufit. Ata i thanë që moti je bërë matuf, prandaj nuk na habisin fjalët që thua.
E kur erdhi përgëzuesi, e ia vuri atë (këmishën) mbi fytyrën e tij, atij iu kthye shikimi dhe tha: “A nuk ju thashë, se unë di nga Allahu çka ju nuk dini?”
Ata thanë: “O babai ynë, lutu për neve të na falen mëkatet tona, se me të vërtetë ne kemi qenë fajtorë!”
“Më vonë do t’ia kërkoj Zotit tim faljen tuaj”, tha ai (Jakubi), se vërtet, Ai është Shumëfalës, Mëshirues i madh.
(e morën familjen dhe shkuan) E kur hynë te Jusufi ai i afroi afër vetes të dy prindërit e tij dhe tha: "Me dëshirën e Allahut hyni në Egjipt të sigurt!”
Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vetes), e ata iu përulën atij, e ai tha: “O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve ju solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im me mjeshtëri e butësi e realizon dëshirën e vet për çfarë don, vërtet Ai është i Gjithëdijshmi, më i Urti.
(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove mua komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në Dunja e në Ahiret, më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!”[167]
[167] Parashikimet e Jakubit u bënë realitet, myzhdexhiu, si duket ishte Jehudha, po ai që ia pat sjellë këmishën me gjak të rrejshëm, tashti i sjell këmishën, që i pat dhënë Jusufi dhe e lajmëron për të. Jakubit i erdhi shikimi, e djemtë e tij kërkuan të lutet për mëkatin e tyre, por ai ju premtoi për më vonë, sepse ishte ende i preokupuar me ato kujtime të hidhura.
U përgatit e tërë familja dhe vajtën në Egjipt. Ishin rreth tetëdhjetë veta. Jusufi me tërë suitën e vet doli përpara në pritje, e prindërit e vet i ngriti lart ku e kishte fronin e vet. Thuhet se në Egjipt Jakubi jetoi me Jusufin edhe njëzet e katër vjet, e kur ndërroi jetë, vetë Jusufi e dërgoi dhe e varrosi pranë babait të tij Is-hakut. Kështu kishte porositur Jakubi. Jusufi jetoi edhe njëzetë e tri vjet pas babait dhe kur e plotësoi dëshirën, vërejti se fuqia fizike i është dobësuar, prandaj iu lut Zotit, që në jetën tjetër ta bashkojë me prindërit e vet të dashur, Is-hakun e Ibrahimin. Pasardhësit e tij mbetën në Egjipt dhe aty shtohen, kur qenë të ndjekur prej faraonit u detyruan, që rreth gjashtëqind mijë veta ta braktisin Egjiptin.
Këto janë nga ato lajme të panjohura, e Ne po t’i shpallim ty (Muhamed), se ti nuk ke qenë pranë tyre kur ata vendosën çështjen e tyre (hedhjen e Jusufit në bunar etj.) dhe kur bënin dredhi.
Po ti, edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.
Megjithatë ti nuk kërkon prej tyre ndonjë shpërblim për të (për këshillë e udhëzim). Ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për mbarë njerëzit.
Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare.
Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (zota të tjerë).
A mos janë siguruar ata prej dënimit,që mund t'u vijë nga Allahu e t’i mbulojë,ose befas duke mos e hetuar fare t’u vijë katastrofa e përgjithshme.
Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.”
Ne nuk dërguam para teje vetëm se burra nga banuesit e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shihnin se si ishte përfundimi i atyre që ishin më parë? E s’ka dyshim, se jeta e botës së ardhshme është shumë më e dobishme për ata të cilët janë ruajtur; a nuk mendoni?
(nuk dërguam tjetër vetëm burra e ndihma u vonua) Derisa të dërguarit gati e humbnin shpresën (se do t’i besojë populli), dhe menduan se u përgënjeshtruan (pse ende nuk i kapi dënimi), atëherë ju erdhi atyre (të dërguarve) ndihma Jonë. Ne e shpëtuam atë që deshëm. E dënimi Ynë kundër popullit idhujtar nuk zmbrapset.
Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kurani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.[168]
[168] Rrëfimi në detaje i ngjarjes së Jusufit, babait dhe vëllezërve të tij, ishte një argument për Muhamedin a.s., i cili nuk dinte për asgjë më parë, se me të vërtetë është i Dërguar prej Zotit dhe se Kurani është fjalë e Zotit. Mirëpo, kur edhe pas një argumenti të tillë një pjesë e madhe e idhujtarëve nuk i besoi, Zoti i shpalli këtë pjesë të Kuranit, duke i thënë se lakmia dhe dëshira jote është tjetër, e kokëfortësia e tyre për të mos besuar është tjetër, pra ti mos u brengos, por kryeje detyrën tënde. Atyre ju vjen dënim si pasojë e kryeneçësisë. Të dërguarit gjithnjë ishin burra e jo gra, jo engjëj dhe jo exhinë, e po ashtu ishin edhe nga vendbanime të mëdha e jo nga fshatrat.
Gjithashtu, ky tregim për Jusufin ishte një përvojë e madhe për Muhamedin a.s., pse ai që pati fuqi ta shpëtojë prej bunarit, ta nxjerrë prej burgut, ta bëjë sundimtar të Egjiptit, pasi një herë ishte rob i tij, t’ia mundësojë bashkimin me prindërit e vëllezërit pas një periudhe, që ishin të ndarë dhe thuajse të humbur, po ai ka fuqi ta forcojë Muhamedin a.s., t’ia ngrejë lart famën, ta fuqizojë dhe ta përhapë fenë e tij, pra është një lajmërim për të ardhmen e Fesë Islame, është mrekulli për Muhamedin a.s.
Me ndihmën e Allahut, përfundoi përkthimi i kaptinës Jusuf.
13. SURETURR - RRA’DË
E zbritur në Medine, pas sures Muhamed, ajete: 43
Thuhet se si shkak i zbritjes së kësaj kaptine ishte: Pejgamberi a.s. kishte dërguar një nga shokët e vet për ta thirrur një arrogant nga paria arabe. I tha: “Shko e thirre le të vijë tek unë”,- e ai tha: -O i Dërguar i Zotit, ai është shumë i vrazhdë e do të më fyej.- Ai i tha: Shko e thirre.- Ai shkoi dhe i tha, se po të thërret i Dërguari i Zotit! Ai arroganti i tha: “Më trego për Zotin e Muhamedit, a është prej ari, prej argjendi apo prej remi (bakri)?” Ai u kthye e i tregoi Muhamedit a.s., se ç’kishte thënë ai, duke ia përsëritur se unë të thashë që ai është i vrazhdë. Pejgamberi a.s. i tha shko thirre edhe një herë. Ai shkoi përsëri dhe arroganti duke ia përsëritur thëniet e para rreth Zotit, Zoti e sjell një re me murmurimë e rrufe, e cila e godet arrogantin në majë të kresë, duke e lënë të vdekur. Ajeti i trembëdhjetë shënon këtë ngjarje.
Kjo kaptinë sjell argumente mbi njësinë e Zotit, për shpalljen, për ringjalljen dhe për shpërblimin a dënimin. Për argument të besimit në fuqinë e Zotit përmend qiejt, tokën, hënën, natën, ditën, bimët, pemët dhe krijesat e tjera. Bën një krahasim midis të vërtetës dhe të pavërtetës, se si pas shiut rritet shtrati i lumenjve e i përrenjve dhe gjatë rrjedhës së tyre ato bartin me vete mbeturina, të cilat ngrihen mbi ujë në formën e shkumës prej së cilës nuk ka kurrfarë dobie. Ashtu edhe gjatë shkrirjes së mineraleve dalin shkumë e mbeturina, e cila në fund hidhet si send i pavlefshëm. Kësaj shkume i përngjan veprimtaria e kotë e njerëzve, ndërsa ujit të nevojshëm dhe arit, argjendit apo metalit të vlefshëm i përngjan veprimi i njerëzve të orientuar në rrugën e drejtë.
Kaptina quhet me emrin RA ‘DË - murmurimë, ngase murmurima është një dukuri e çuditshme natyrore, e cila vërteton fuqinë e Zotit, sepse uji është mjet i domosdoshëm për jetë, e ai vjen prej reve. Në re janë bashkuar edhe e mira edhe e keqja, e mira sepse retë bartin shiun, kurse e keqja sepse bartin rrufenë. Shiu jep jetë, kurse rrufeja zhduk jetë, kjo është mrekulli e të madhit Zot.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Elif, Lam, Mim, Ra. Këto ajete të kësaj kaptine dhe e tërë ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt janë realitet, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë. Ju i shihni ato. Ai, pastaj u ngrit mbi Arshin dhe nënshtroi diellin e hënën, që çdonjëri udhëton deri në një afat të caktuar; Ai rregullon çështjen (e gjithësisë), sqaron argumentet, që të jeni të bindur për takimin (pas ringjalljes) me Zotin tuaj.
Dhe Ai është, i cili tokën e shtriu, dhe në të krijoi kodra e lumenj dhe prej secilit fryt bëri dy lloje (çift), bëri që nata ta mbulojë ditën. Vërtet, në gjithë këtë ka fakte për njerëzit që thellë mendojnë.
E në tokë, copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën, kopshte të hardhisë, të mbjella (të llojllojshme) dhe hurma (bimë këto), që janë të degëzuara në shumë trupa dhe jo të degëzuara (nga një filiz) e të gjitha ujiten nga një ujë, dhe Ne shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar njërën prej tjetrës. Edhe kjo dëshmon me argumente për njerëzit e mençur.
E nëse ti (Muhamed) çuditesh (përse të përgënjeshtrojnë), është edhe më e çuditshme thënia e tyre: “A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhe?” Këta janë ata që mohuan Zotin e tyre, ata do të ndëshkohen me pranga në qafë. Pra, këta janë banues të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
E ata prej teje kërkojnë ngutjen e zbatimit të së keqes para të mirës, edhe pse para tyre pati aso dënimesh (por nuk kanë marrë mësim). S’ka dyshim, se Zoti yt ua fal njerëzve mëkatet e tyre, por s’ka dyshim se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë.
Ata,që nuk besuan thonë:"Pse të mos i ketë zbritur atij (Muhamedit) ndonjë argument (mrekulli praktike) nga Zoti i tij?” Ti je vetëm qortues. Çdo popull pati udhëzues (pejgamber).
Allahu e di se ç’bart çdo grua, dhe (e di) çka pakësojnë e çka shtojnë mitrat. Tek Ai çdo send është me masë të caktuar.
Ai është që di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është i Madhëruari e i Lartësuari.
Për të është njësoj (në dijen e Tij), si ai që fsheh prej jush thënien, si ai që e shpreh haptazi, si ai që vepron fshehtas natën (në errësirë të natës), dhe si ai që vepron haptazi ditën.
Ai (njeri) ka përcjellës një pas një, para tij dhe prapa tij, që me urdhrin e Allahut e ruajnë atë. Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. Po, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zmbrapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij.[169]
[169] E tërë pjesa tjetër e Kuranit, që i kishte zbritur Pejgamberit a.s., si edhe pjesët e kësaj kaptine janë e vërtetë nga Zoti i Madhërishëm.
Njerëzit do të duhej të besonin, se ai Zot që i krijoi qiejt, që ne i shohim pa shtylla, që përcaktoi lëvizjen e diellit e të hënës, që rregulloi çdo çështje në gjithësi në mënyrë precize, është i Plotfuqishëm të ringjallë njerëzit dhe t’i marrë në përgjegjësi. Mjeshtria e përsosur e Zotit duket në çdo krijesë, siç është: toka e rrafshët, kodrat dhe luginat në të, llojet e frutave në shije dhe në pamje, edhe pse të gjitha i ushqejnë rrënjët prej një dheu dhe ujiten me të njëjtin ujë. Edhe pas të gjitha këtyre fakteve, disa njerëz nuk e kuptojnë fuqinë e Tij. Ka njerëz të tillë, që ringjallja iu duket e pabesueshme, duke u mbështetur në atë se njeriu bëhet dhe e pluhur, e nuk mendojnë se herën e parë ata u krijuan prej një pike uji. Këtë pyetje lidhur me ringjalljen e hasim të përsëritet nga ana e jobesimtarëve në njëmbëdhjetë vende e në nëntë kaptina: në këtë, dy herë, në Isra, në Mu'minun, në Neml, në Ankebut, në Sexhde, në Safat dy herë, në Vakia dhe në Naziat. Idhujtarët kërkonin prej Muhamedit a.s. ndonjë mrekulli praktike, siç ishte shkopi i Musait, shpezët e Isait etj. Ata nuk e dinin se mrekullitë i krijon Zoti, e jo Pejgamberi. Vetëm Allahu e di, se çfarë mban mitra e gruas, a është e plotë ose jo e plotë, do të lindë para kohe ose në kohë. Është e kotë çdo përpjekje, që të fshihet diçka prej Tij. Para Tij janë të njëjta si e fshehta si e hapta. Ai ia do të mirën njeriut, prandaj i ka caktuar përcjellës, që ta ruajnë atë nga të këqijat. Ata janë engjëj me ndërrime një ose dy herë gjatë ditës. Zoti nuk ia merr të mirat, që ia ka dhënë një populli, para se ai popull të bëhet përbuzës i të mirave të Tij, pra faji është i vetë popullit.
Ai është që u shfaq vetëtimën trishtuese (nga ndonjë fatkeqësi), por edhe shpresëdhënëse (për shi), dhe formulon re të dendura.
Ndërkaq, murmurima e madhëron (Zotin një) me falënderimin (që i takon) e Tij, (e madhërojnë) edhe engjëjt nga droja ndaj Tij. E Ai dërgon rrufetë dhe me ato godet kë të dojë. Ndërsa idhujtarët polemizojnë rreth Allahut, e Ai është Ndëshkues i rreptë.
Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij, e ata që i luten të tjerëve pos Tij, ata nuk u përgjigjen atyre asgjë tjetër, (gjendja e tyre është) vetëm si e atij që shtrin duart (prej së largu) nga uji, që ai (uji) t’i arrijë deri në gojën e tij, por (uji) nuk do t’i arrijë (sepse uji është send i vdekur e nuk kupton për etjen e tij). E lutja e jobesimtarëve (drejtuar pos Zotit) nuk është tjetër vetëm se dështim (kotësi).
Gjithçka që kanë qieje në tokë i bën sexhde vetëm Allahut me dëshirë ose me dhunë,(i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje.
Thuaj: “Kush është Zoti (Krijuesi) i qiejve e i tokës!”- Thuaj: “Allahu!”- Thuaj: “A keni pranuar pos Tij zota, që nuk kanë mundësi t'i sjellin, as dobi, e as dëm vetes?”- Thuaj: “A është i barabartë i verbëri me atë që sheh, ose, a janë të njëjta errësirat me dritën?” A mos i bënë Allahut shokë (idhuj) e edhe ata zota krijuan si krijoi Ai dhe atyre iu është bërë i ngjashëm (i paqartë) krijimi (e nuk po dinë, se cili është krijim i Zotit, e cili i idhujve)! Thuaj: “Allahu është Krijues i çdo sendi, Ai është i vetmi Ngadhënjyes!”[170]
[170] Lajmërimi i vetëtimës shkakton frikë ndër njerëzit, se mos po i godet ndonjë e keqe ose rrufeja, nga njëra anë, por ushqen edhe shpresën, se do të bjerë shi prej atyre reve të dëndura, nga ana tjetër. Murmurima shpreh madhërimin dhe lavdërimin ndaj Zotit, edhe pse ne nuk e kuptojmë atë. Se bubullima është forcë e madhe, e kuptojmë se edhe melaiket nga droja e madhërojnë Allahun, prandaj edhe besimtarët duhet ta përmendin e ta madhërojnë Zotin me shfaqjen e kësaj dukurie. Thuhet se rrufeja godet edhe besimtarin dhe jobesimtarin, por nuk e godet atë që është duke e përmendur Zotin. Në koleksionet e haditheve ka shumë shënime për shkakun e zbritjes së këtij ajeti dhe për lutjet që duhet të shprehim në këto raste. Ajeti i pesëmbëdhjetë është ajet i sexhdes.
Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përrocka, kurse vala bart mbi vete shkumë të fryrë lart. Shkumë e ngjashme është edhe ajo kur shkrihet (metali) në zjarr për të përfituar ndonjë stoli ose ndonjë mjet. Kështu, Allahu sqaron shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që iu sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë. Kësisoj i sjell Allahu shembujt.
Atyre që i janë përgjigjur Zotit të tyre u takon shpërblimi më i mirë, ndërsa ata që nuk iu përgjigjën Atij, ata do të jepnin si kompensim, sikur të ishte e tyre aq shumë sa e gjithë pasuria tokësore edhe një herë aq. Ata kanë llogarinë më të rëndë, vendstrehimi i tyre është xhehenemi, që është shtrat i keq.
A është njësoj ai që e di, se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm, që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.
Ata janë, që e zbatojnë besën e dhënë Allahut dhe nuk e thyejnë zotimin.
Dhe ata që e mbajnë lidhjen për të cilën Allahu ka urdhëruar të mbahet, që frikësohen nga Zoti i tyre dhe nga llogaria e rëndë e përgjegjësisë.
Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas, dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë:
xhenete të Adnit (vende të përjetshme), ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t'i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë.
(u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.
E ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi u patën zotuar, e këpusin atë për të cilën Allahu ka urdhëruar të jetë e pa këputur, bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe ata kanë përfundim të keq.
Allahu i ofron furnizim me bollëk atij që do dhe ia kufizon (atij që do). Po ata (jobesimtarët) janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim (i shkurtër).[171]
[171] Njëri ndër argumentet që japin të kuptosh për fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues është shiu i kohëpaskohshëm, i cili i jep jetë çdo sendi e gjallese. Prej shiut formohen ujërrjedhëse të mëdha ose të vogla dhe gjatë rrjedhjes së ujit me vrull formohet një shkumë, e cila qëndron mbi sipërfaqen e ujit dhe duket si një begati. Në të vërtetë, ajo është vetëm një mashtrim, pse pas pak kohe ajo, së bashku me mbeturinat skajohet buzëve të rrjedhës, e prej saj nuk ka kurrfarë dobie. I dobishëm ishte uji, të cilin e thithi toka, formoi lagështi të cilën e ruan për ushqimin e bimëve. E pavërteta, e kota në këtë jetë duket se po rritet, po përparon, e në realitet ajo nuk është asgjë, s’ka dobi prej saj dhe zhduket shumë shpejt. Ndërsa vepra e mirë, e drejtë dhe e vërtetë, është si uji që mbetet në tokë dhe ruhet për një nevojë më të madhe.
Njerëzit janë të urdhëruar ta mbajnë besën e dhënë Allahut: besimin në një Zot, besimin në të gjithë pejgamberët dhe shpalljet dhe ta ruajnë afërsinë e gjakut mes vete, të mbajnë lidhje me të afërmit dhe kurrsesi të mos e këpusin atë. Njerëzit që respektojnë porositë e Zotit do të shpërblehen me qendrën e xheneteve dhe për hir të asaj që ata në dynja ishin të durueshëm në zbatimin e detyrimeve dhe në shmangien e dëshirave të epshit ndaj veprave të këqija, melaiket do t’i përshëndesin, do t’ju urojnë kënaqësinë e përjetshme, e Zoti i Madhëruar do t’ua bashkojë atyre në xhenet, edhe prindërit, edhe bashkëshortet, edhe fëmijët, e për të mos i lënë me ndonjë brengë, kuptohet nëse edhe këta të fundit sado kudo kanë vepra të mira.
E ata që nuk besuan (idhujtarët mekas) thonë: “Përse nuk iu shpall (Muhamedit) ndonjë mrekulli nga Zoti i tij?”Thuaj: “(Iu shpall Kurani, por ju u verbuat) Allahu e le të humbur atë që do, kurse atë që pendohet nga të këqijat e shpie në rrugë të drejtë”.
Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.
Ata janë që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë të lumtur dhe kanë ardhmëri të mirë.
Kështu, Ne të dërguam te një popull, para të cilit kaluan shumë popuj, e që t’ju komunikosh atë, që Ne ta shpallëm ty, sepse ata janë duke e mohuar të Gjithmëshirshmin (Rrahmanin - Zotin). Thuaj: "Ai (Rrahmani) është Zoti im, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Atij. Vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm tek Ai është e ardhmja ime”.
Sikur të ishte ndonjë Kuran, që me të do të lëviznin malet, që me të do të plasej toka, që me të do të flisnin të vdekurit (do të ishte ky Kuran)?" Jo (ata nuk besojnë), se e tërë çështja i takon vetëm Allahut. A nuk e kanë të qartë ata që besuan, se sikur të donte Allahu do t’i drejtonte në rrugë të drejtë të gjithë njerëzit, por ata që nuk besuan e për shkak të asaj që bënë, do t’i godasë vazhdimisht fatkeqësia e kohës, ose do ta rrethojë (fatkeqësia) vendin e tyre, derisa të vijë urdhri i Allahut (e të triumfojë Islami). Allahu nuk e then premtimin.
Edhe me të dërguarit para teje kanë bërë tallje. Porse Unë atyre që nuk besuan u pata dhënë afat, pastaj i ndëshkova (me dënim), e çfarë ishte dënimi Im!
A është Ai, që përcjell secilin njeri se ç'vepron (sikur idhujt që nuk kuptojnë asgjë)? E ata i përshkruajnë Allahut shokë. Thuaj: “Përshkruani realitetin e tyre! A ju po e njoftoni Atë për atë (shok) kinse Ai nuk po ditka se ç’ka në tokë, apo vetëm po i emërtoni me fjalë (e ata as që ekzistojnë)? Jo, por ata që nuk besuan u duket e mirë dredhia e tyre, ndaj janë larguar nga rruga e drejtë, dhe atë që Allahu e le të humbur, për të nuk ka udhëzues.
Ata kanë dënim në jetën e kësaj bote, e s’ka dyshim, se dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë. Ata nuk ka kush t’i mbrojë prej ndëshkimit të Allahut.[172]
[172] Idhujtarët mekas i mbyllnin sytë para mrekullisë më të madhe të Muhamedit a.s., para Kuranit, e kërkonin ndonjë mrekulli tjetër. Përderisa nuk u orientuan sipas Kuranit, Zoti me fajin e tyre i la të humbur.
“Dhikri”, të përmendurit e Allahut largon nga njeriu tronditjet e zemrës dhe të shpirtit dhe i qetëson e i pushon ato. Lumturia më e madhe ju takon atyre, që besuan dhe bënë vepra të mira.
“Rrahman” është emër i veçantë i Zotit. Idhujtarët thonin, se ne nuk dimë se kush është dhe çka është Rrahmani, prandaj në marrëveshjen e shkruar me ta në Hudejbi, nuk pranuan të shkruhet “Bismil-lahi Rrahmani Rrahim”, nuk e duruan emrin Rrahman. E këtu Zoti e urdhëron Muhamedin a.s. t’u thotë haptazi, se Rrahmani është Zoti im, është i vetmi Zot, që duhet besuar. Idhujtarët pos Kuranit kërkonin ndonjë argument tjetër, e Zoti thotë: Sikur të shkuleshin kodrat, të copëtohej toka, të flisnin të vdekurit me shpalljen dhe leximin e ndonjë libri qiellor ajo do të ngjante me këtë Kuran, por Allahu nuk deshi të bëjë diçka ashtu, sepse Ai e dinte, që Ata nuk do ta besonin Rrahmanin dhe e dinte, se ata nuk ishin të përgatitur për rrugën e drejtë. Prandaj Ai vepron sipas dëshirës së vet. I la të jetojnë në Mekë, por të tronditur nga frika, se do t’i godasë ndonjë e keqe dhe vërtet i goditi, pse muslimanët e çliruan, gjurmët e tyre u zhdukën përjetë.
Shembulli (atributi) i xhenetit, që iu është premtuar të devotshëmve është: që nën (pallatet) të rrjedhin lumenj, që ushqimi në të dhe hija në të është e përhershme. Ai është përjetim i lumtur i atyre që ishin të ruajtur, e përfundimi i jobesimtarëve është zjarri.
Ata që Ne iu dhamë shpallje gëzohen me atë që t'u shpall ty, e ka prej grupacioneve (të besimeve të ndryshme) që e mohojnë një pjesë të tij (të Kuranit). Thuaj: “Unë jam urdhëruar, që ta adhuroj vetëm Allahun, e mos t’i bëj shok Atij. Unë vetëm tek Ai thërras (njerëzit) dhe vetëm tek Ai është kthimi im!”
Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kuranin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej Allahut, as ndihmë, as mbrojtje.
Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre ju mundësuam të kenë gra e fëmijë. Asnjë të dërguari nuk i takoi të sjellë ndonjë mrekulli vetëm me lejen e Allahut. Për secilin afat ekziston evidencë e caktuar.
Allahu shlyen (nga ajo evidencë) çka të dojë, edhe forcon (çka të dojë). Vetëm tek Ai është baza e librit (Levhi Mahfudhi).
Nëse ta bëjmë të mundshme të shohësh diçka nga (dënimi), që iu premtuam atyre (këtë do ta shohësh), po nëse ta marrim shpirtin ty (para kësaj, do ta shohësh dënimin e tyre në botën tjetër), obligim yti është vetëm kumtimi, kurse e Jona është llogaria.
A nuk shohin ata, se Ne i sjellim pakësimin e tokës (së tyre) nga të gjitha anët e saj. Allahu gjykon, e s’ka kush që mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij. Ai ndërmerr masa të shpejta.
Edhe ata (jobesimtarët) para tyre (idhujtarëve) bënë intriga, po e gjithë intriga i është nënshtruar dëshirës së Allahut, Ai e di se çfarë vepron çdo njeri, e mohuesit do ta kuptojnë, se kujt do t’i takojë ardhmëria e lumtur.
E ata që mohuan thonë: “Ti nuk je i dërguar!” Thuaj: “Mjafton që Allahu është Dëshmitar midis meje dhe midis jush dhe (është dëshmitar) ai që ka njohuri të librit (të shpalljeve)”.[173]
[173] Xheneti i caktuar dhe i përgatitur për njerëzit e mirë është i panjohur për ne, sepse nuk e kemi përjetuar diçka ashtu si është ai. Zoti xh. sh. na i sjell disa shembuj konkretë, të cilët ne i kemi përjetuar, në mënyrë që deri diku të mund ta kuptojmë modelin, cilësitë dhe veçoritë e xhenetit, por të mos harrojmë këta janë vetëm shembuj, sa për ta kuptuar deri diku, e në të vërtetë, ai është shumë më i përsosur, më i këndshëm dhe më i mirë se sa e mendojmë ne. Disa Ithtarë të Librit, të cilët ishin të sinqertë dhe besnikë të thënieve të librit të tyre dhe të cilët e kishin pranuar Muhamedin a.s. dhe Kuranin gëzoheshin me vazhdimin e shpalljeve, sepse vërtetohej ajo që kishin mësuar në librin e tyre. Por nga grupet e Ithtarëve të Librit, e edhe nga idhujtarët kishte asish që ishin bashkuar mes vete për t'iu kundërvënë mësimeve të Kuranit. Pati edhe të atillë, që ia shihnin si të metë Muhamedit a.s., pse ishte i martuar dhe kishte fëmijë, pse nuk ishte i dhënë vetëm për çështjet shpirtërore, pse përjetonte edhe të mirat e kësaj bote. Ky ajet refuzon thëniet e tyre duke sqaruar se Muhamedi a.s. nuk ishte risimtar i një jete të tillë, po ishin edhe pejgamberët e tjerë para tij.
Çdo gjë ndodh me caktimin e Zotit. Edhe mrekullitë e pejgamberëve shfaqen sipas dëshirës së Zotit, e edhe masa ndëshkuese kundër mohuesve pason në çastin e caktuar. Baza e të gjitha çështjeve dhe sendeve është në dijen e Zotit. Nuk është e drejtë jona të përpiqemi për të ditur se çka dhe si ekziston evidenca e caktimeve të Zotit, ajo është dije e pakufishme e Tij. Ne duhet të zbatojmë obligimet, e jo të dijmë edhe për vendimin e Zotit.
Pakësimi i sipërfaqes së territorit të tokës, mund të jetë qëllim i pakësimit të territorit të kundërshtarit, e të rritjes së asaj të muslimanëve. Sipas zbulimeve më të reja shkencore është konstatuar se trupat qiellorë në përgjithësi, e ndër ta edhe toka, janë duke u tkurrur, kurse hapësira është duke u zgjeruar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë për këtë dukuri Kurani ka paralajmëruar para katërmbëdhjetë shekujsh!”
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “Er Rra’du”. Falënderuar qoftë Allahu!
14. SURETU - IBRAHIM
E zbritur në Meke, pas sures Nuh, ajete: 52
Ndërsa kaptinat e shpallura në Meke rrahin gjithnjë çështjen e besimit, pse besimi i banorëve të saj ishte politeist, idhujtaria, e shpallja që iu kumtua Muhamedit a.s. thërriste për besimin e drejtë, besimin në një Zot, ashtu sikurse mësuan dhe udhëzuan edhe të gjithë pejgamberët para tij, edhe kjo kaptinë rreh çështjet më themelore të besimit: besimin në Zotin një, besimin ndaj botës tjetër, ku sipas meritës do të jepet shpërblimi dhe ndëshkimi, e edhe besimi ndaj shpalljes dhe të dërguarve. Prandaj në këtë kaptinë parashtrohet me një theks të veçantë çështja e etapave të shpalljes, thirrja në besim e pejgamberëve dhe detyrat e tyre. Të gjithë pejgamberët thirrën për besim në një Zot, prandaj thirrja e tyre dhe qëllimi i tyre ishte një, edhe pse në çështjet periferike pati ndryshime.
Këtu në këtë kaptinë paraqiten ngjarjet dhe dialogjet e disa pejgamberëve me popujt e tyre, si e Nuhut, popullit Themud, popullit Ad, e shkurtimisht edhe e Musait me popullin e vet.
Përshkruhet edhe një skenë nga skenat që do të prezantohen në botën tjetër. Xhehenemlinjtë e tubuar në të do të akuzojnë njëri-tjetrin për fajtorë kryesorë, përse janë katandisur në atë gjendje. Ata që ishin më të dobët në këtë dynja ua hedhin fajin parisë autoritative kinse ata i mashtruan, ndërsa ata arsyetohen, se nuk i kanë detyruar të shkojnë pas tyre, por vetë kanë zgjedhur. Edhe shejtani do t’ua hedhë fajin atyre që shkuan pas tij. Të gjitha ato polemika janë të kota, sepse ai pendim është i vonët dhe nuk ka kurrfarë dobie prej tij, që të gjithë së bashku me shejtanin mbesin në zjarr. Në këtë kaptinë Zoti xh. sh. sjell shembullin e fjalës së mirë, që është sikurse pema e mirë me fruta të pandërprera, me fjalën e mirë ka si qëllim besimin e drejtë, fjala e shehadetit. E fjala e keqe është si pema e keqe, që nuk jep fruta dhe nuk ka kurrfarë të mire nga ajo, e me të shprehet mosbesimi.
Kjo kaptinë quhet Ibrahim, sipas Pejgamberit Ibrahim, që konsiderohet si baba i pejgamberëve dhe që rrënoi në themel adhurimin ndaj statujave (idhujve) dhe ngriti flamurin e besimit në një Zot. Pra, ai ishte një ndër pejgamberët, që iu ndriçoi njerëzve rrugën e besimit të sinqertë, të pastër e të kulluar, e duke shembur çdo ideologji të besimeve të kota. Pasi e ndërtoi Qaben ai i drejtohet Zotit me lutje për shpëtimin e vet dhe të të gjithë besimtarëve.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrish njerëzit prej errësirave në dritë; (t’i nxjerrish prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit,
të Allahut, i të cilit është gjithë çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë. Është mjerim për mohuesit për dënimin e ashpër që i pret.
Ata që i japin përparësi jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër, pengojnë nga rruga e Allahut dhe kërkojnë shtrembërimin e saj. Të tillët qartas janë në humbje.
Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, në mënyrë që ai t'u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). E Allahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe përkujtoju atyre të mirat e Allahut (që iu dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.
(përkujto) Kur Musai i tha popullit të vet: “Përkujtojeni dhuntinë e Allahut ndaj jush, kur ju shpëtoi prej rrethit të faraonit, që ju shijonit dënimin më të shëmtuar, ju vrisnin bijtë tuaj, e i linin gratë tuaja të jetojnë. Në ato kishit sprovë të madhe nga Zoti juaj.”
Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”
E Musai tha: “Nëse ju, dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, Allahu është i Pavarur (nuk ka nevojë për falënderim), i Lavdishëm (nga vetvetiu)”.[174]
[174] Kurani nuk është shpikje e Muhamedit, por shpallje nga Zoti, që me ndihmën e Tij t’i largojë njerëzit prej rrugës së gabuar, e t’i shpie në rrugën e drejtë, në rrugën e besimit, në rrugën e ndritshme të Allahut. Të mjerë janë ata, të cilët nuk pranuan rrugën e Zotit, u përpoqën që edhe të tjerët t’i pengojnë, u përpoqën t’ia përshtatin epsheve të tyre fenë e shpallur prej Zotit, duke mos i dhënë rëndësi jetës së ardhshme, e cila është përgjithmonë, por e çmuan dhe e vlerësuan më shumë këtë jetë.
Zoti çdo populli i dërgoi pejgamber, që fliste gjuhën e atij populli, që ta kuptojnë më mirë qëllimin e shpalljes. Megjithatë pejgamberët kishin për detyrë vetëm komunikimin e jo edhe t’i çojnë, apo mos t’i çojnë në rrugën e drejtë, ajo është çështje që i takon vetëm Allahut.
Dallimi mes dërgimit të Musait edhe pejgamberëve të tjerë dhe dërgimit të Muhamedit
a.s. qëndron në atë se Muhamedit a.s. i thuhet: T’i nxjerrësh njerëzit..., e Musait: ta nxjerrësh popullin tënd. Pra kuptohet se Muhamedi a.s. nuk ishte i dërguar për një popull, por për të gjithë njerëzit. Falënderimi, mirënjohja e së mirës së dhuruar nga Zoti, është garanci e shtimit të asaj të mire, e përbuzja dhe refuzimi kanë për pasojë dënimin e xhehenemit, e Zotit nuk i nevojitet asgjë, pse Ai vetë është i Pavarur dhe i Lavdishëm.
A nuk jeni të njoftuar me lajmin (ndodhinë) e atyre që ishin para jush, si populli i Nuhut, i Adit, i Themudit e edhe i atyre që erdhën pas tyre, që nuk di kush për ta pos Allahut. Atyre iu patën ardhur të dërguarit e vet me argumente, ata i venin duart e tyre (në shenjë talljeje) në gojët e veta dhe thonin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe ne dyshojmë shumë në atë që ju na thërrisni”.
Të dërguarit e tyre iu thanë: “A mos keni dyshim për Allahun, Krijuesin e qiejve e të tokës? Ai ju thërret (në besim) për t’ju falur mëkatet dhe për t’ju vazhduar (jetën) deri në një afat të caktuar!” Ata thanë: “Ju nuk jeni tjetër pos njerëz siç jemi edhe ne, ju dëshironi të na pengoni nga ajo që adhuronin prindërit tanë, pra na sillni ndonjë argument të qartë!”
Të dërguarit e tyre ju thanë: “Ne nuk jemi tjetër vetëm se njerëz si edhe ju, por Allahu i jep dhuratë kujt të dojë nga robërit e vet. Ne nuk na takon t’ju sjellim ndonjë argument, vetëm me dëshirën e Allahut, pra besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut”.
E përse të mos i mbështetemi Allahut derisa Ai na udhëzoi në rrugën tonë (të drejtë). Për Zotin, ne gjithsesi do të durojmë e do t’i përballojmë mundimet që na bëni, e vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë iu mbështeten.
Ata që mohuan të dërguarit e vet thanë: “Gjithsesi ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë, ose ju domosdo do të ktheheni në fenë tonë!” E atyre (të dërguarve) Zoti iu shpalli: “Ne gjithqysh do t’i shkatërrojmë zullumqarët”.
Dhe pas tyre Ne do t’ju vendosim në atë tokë. E këtë (ndihmë) për atë që i frikësohet pranisë Sime dhe i frikësohet dënimit Tim.
Ata (të dërguarit) e kërkuan ndihmën, ndërsa çdo kryelart idhnak pësoi dështim.
E pas tij (kryelartit) është xhehenemi, në të cilin i jepet ujë i ndyrë (që rrjedh prej lëkurave të djegura);
përpiqet ta përbijë, por jo nuk mund ta gëlltisë atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret një dënim shumë i rëndë.
Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të realizojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështimi i madh.
A nuk e ke kuptuar ti, se Allahu krijoi qiejt dhe tokën me urtësi, e nëse Ai do juve ju zhduk e sjell krijim (popull) të ri.
E kjo nuk është e vështirë (e rëndë) për Allahun.
E të gjithë (njerëzit) sheshas i paraqiten Allahut. Ata të dobëtit (masa e nënshtruar) i thonë parisë (udhëheqëse): “Ne ishim pasuesit tuaj, prandaj a mund të na lehtësoni diçka nga dënimi i Allahut?”. Ata (paria) thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu, ne do t’ju udhëzonim juve. Për ne tashti është njësoj, u pikëlluam thellë ose duruam, për ne nuk ka ikje (shpëtim)”.
E pasi të kryhet çështja (të hyjnë ata të xhenetit dhe të xhehenemit në të, xhehenemlinjve) djalli (u mban ligjëratën e shëmtuar, dhe) iu thotë: “Vërtet, Allahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe, ja, nuk e zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t’ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m’u përgjigjët; atëherë pra mos më qortoni mua, po qortojeni veten. Unë nuk mund t’ju shpëtoj juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë e mohoj shoqërimin tuaj që ma bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)”. S’ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm.[175]
[175] Sipas shpjegimeve të Kuranit kuptohet, se të dërguarit e Zotit hasën gjithnjë në vështirësi. Për disa pejgamberë dhe për disa ndodhi të tyre na mësoi Kurani, por ka pasur edhe shumë të tjera për të cilat nuk di askush tjetër pos Allahut. Vënia e duarve të tyre në gojë ishte shenjë e talljes së tepërt, të përcjellë me qeshje të çuditshme. Të dërguarit e Zotit nuk prekeshin për veten e tyre pse kundërshtarët i nënçmonin dhe nuk iu besonin, por habiteshin prej tyre se si nuk donin ta besonin Zotin, Krijues të çdo sendi, Mëshirues i cili i thërriste në shpëtim!
Pejgamberët asnjë herë nuk pretenduan ndonjë privilegj më të madh, se atë që iu kishte dhënë Zoti, shpalljen, prandaj vërtetonin për vete se ishin njerëz, por të dërguar nga Zoti, e mrekullitë që kundërshtarët i kërkonin prej tyre ata ia mbështetnin Zotit e jo vetes.
Përmes shpjegimit të qëndrimit të kundërshtarëve kundër të dërguarve i jepet shenjë Muhamedit a.s., se Zoti do t’i shkatërrojë mizorët dhe në vend të tyre do të sjellë një popull që beson Zotin dhe Ditën e Gjykimit. Ashtu edhe ndodhi me idhujtarët mekas. Vuajtjet në xhehenem janë aq të tmerrshme, saqë është vështirë të përshkruhen. Një lloj përshkrimi e bën Kurani, me qëllim që njerëzit të largohen prej punëve të këqija, pasojë e të cilave është zjarri. Të kota janë të gjitha veprat, që nuk burojnë prej besimit të drejtë, ato nuk kanë peshë as sa ka pluhuri, të cilin e zhduk era. Pra duhet kuptuar, se Zoti nuk i krijoi qiej e tokë edhe njerëzit në të shkel e shko, pa ndonjë qëllim të caktuar. Njerëzit nuk duhet të jenë mendjelehtë e të mashtrohen pas çdo kënaqësie të kësaj jete dhe të imitojnë ata që nuk janë në rrugë të drejtë. Nuk duhet të imitojmë parinë për hir të pozitës, kur nuk janë vepërmirë e besnikë, pse para Zotit do të përgjigjet çdokush për punën e vet, dhe faji nuk mund t’i hidhet askujt tjetër. Shejtani do të mbajë një fjalim në mesin e xhehenemlinjve dhe do të arsyetohet, se nuk ka pasur kurrfarë fuqie fizike, e as argument bindës për intrigat që ka bërë në dynja, pra nuk i ka detyruar njerëzit ta ndjekin rrugën e gabuar. A sheh, edhe djalli do të ikë prej punëkeqit. Të gjitha këto duhet t’i kuptojmë sa jemi në këtë jetë dhe duhet të përmirësohemi.
E ata, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira me urdhrin e Zotit të tyre u vendosën në xhenete, nën pallatet e të cilëve rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Përshëndetja e tyre në të është “Selam” - paqe.
A nuk e ke kuptuar, se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart,
e që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu pra, iu parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë.
Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe, që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.
Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët Allahu i bën të humbur. Allahu punon çka të dojë.
A nuk i vërejte ata që dhuntinë e Allahut e ndërruan me mosbesim dhe popullin e vet e sollën në vendin e shkatërrimit,
në xhehenem. Në të e shijojnë djegien, e sa vend i keq është ai.
Ata i bënin (krahasonin) shokë Allahut për t’i shmangur (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Shfrytëzoni përjetimet, se e ardhmja e juaj është te zjarri!”
Robërve të Mi, të cilët besuan thuaju: “Ta falin rregullisht namazin dhe me atë që i furnizuam ata, të japin fshehtas e haptas, para se të vijë një ditë që në të nuk ka, as kompensim, as miqësi”.
Allahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj iu vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë.
Për ju i nënshtroi diellin dhe hënën, që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën.
Dhe Ai ju dha gjithë atë që kërkuat (që kërkoi nevoja juaj), dhe edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.[176]
[176] Pas rrëfimit për gjendjen e atyre të dënuarve me xhehenem dhe të shpërblyerve me xhenet, Zoti xh. sh. sjell shembull konkret për atë që beson dhe atë që nuk beson. Fjala e mirë është: La ilahe il-lAllah, sipas shumicës së komentatorëve, e sipas disa të tjerëve është çdo fjalë e mirë si: hamd, tesbih, istigfar, tevbe dhe këshillim për rrugën e drejtë. Fjala e mirë, në të vërtetë, personi i fjalës së mirë është si pema që kurrë nuk i ndërpren frutat, që është e qëndrueshme, e fortë, nuk luhatet e nuk shkulet nga rrënja. Ashtu duhet të jetë besimtari, gjithnjë i dobishëm, i vendosur. E ai që është i dobët i përngjan pemës me rrënjë të dobëta, që shkulet lehtë dhe vyshket.
Në ajetin 27 thuhet: Allahu forcon...,- fjala është se besimtari gjatë tërë jetës vazhdimisht është i vendosur në besimin e tij të drejtë, e me fjalën: Ahiret është qëllimi i forcimit me fjalën e drejtë, me shehadet në varr. Të këtij mendimi janë xhumhuri i mufesirinëve e të mbështetur në hadithin e Pejgamberit, të cilin e shënoi Buhariu, Muslimi etj., sipas të cilit Pejgamberi a.s. ka thënë:”Kur pyetet muslimani në varr dëshmon: La ilahe il lAllah Muhammedun resulullah”. Varri është marrë si rregull i përgjithshëm, sepse shumica e njerëzve varrosen, për ndryshe çdo njeri merret në pyetje pas vdekjes, pa marrë parasysh se është varrosur apo jo.
Allahu i lë të humbur vetëm zullumqarët, pse zullumqarët janë ata që çdo punë, sjellje, ide, e vejnë kundër qëllimit të saj të drejtë, pra të mirën e shndërrojnë në të keqe.
Në këto ajete të fundit Allahu hap faqet e librit të ekzistencës, në të cilat mund të lexohen begatitë që i krijoi Ai për të mirën e njerëzve, siç janë qielli e toka, shiu si burim jete, dielli me anën e të cilit i dallojmë stinët e vitit, hëna sipas së cilës numërojmë vitet, natën për pushim e ditën për veprim etj. Begatitë e Zotit nuk mund të numërohen as në përgjithësi, e të mos flasim për detajet e tyre, po megjithëkëtë njeriu fatzi nuk do t’i lexojë këto faqe dhe mbetet në errësirë dhe e dëmton veten deri në kulminacion.
(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh).
Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua ai është i imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.
Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty), që ta falin namazin, pra bëj që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe për të falënderuar me mirënjohje furnizoji ata me fruta.
Zoti ynë! S’ka dyshim se Ti e di çka fshehim dhe çka publikojmë, se Allahut nuk mund t’i fshihet asnjë send në tokë e as në qiell.
Falënderimi i qoftë Allahut, i cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes.
O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë!
Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua dhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.[177]
[177] Pasi përmendi Zoti xh. sh. nimetet e panumërta që ua dhuroi njerëzve, e përmend edhe këtë të mirë që ua dha kurejshitëve, që i bëri banorë të Mekës e pranë Qabes, por ata nuk ia ditën të mirën.
Ndoshta këtë rrëfim për Ibrahimin e përmendi si shembull të pemës së mirë që u përmend më parë.
Edhe në kaptinën Bekare është cekur lutja e Ibrahimit për qytetin Mekë, por atëherë ende nuk ishte vendbanim, pra lutja ishte: bëje qytet sigurie, e këtu në këtë kaptinë bëhet lutja pasi ishte themeluar si qytet, pra lutja është bërë qytet sigurie të banorëve të tij.
Ibrahimi nuk shpreh mllef kundër atyre që nuk pasojnë rrugën e tij, por lavdëron Zotin që fal shumë dhe është mëshirues.
Lugina në të cilën e lë djalin e tij Ismailin dhe bashkëshorten Haxhere ishte vendi ku është Meka. E kur thotë pranë shtëpisë Sate të shenjtë, kjo duhet kuptuar se ka ekzistuar aty më parë shtëpi, ose aty do të ekzistojnë më vonë. Ibrahimi lutet për veten, për prindërit dhe për të gjithë besimtarët.
E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata për një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur).
(atë ditë) Ata të ngutur e duke u ngritur kokat e tyre lart, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika).
Dhe ti tërhiqju vërejtjen njerëzve për ditën kur atyre do t’u vijë dënimi, e ata që ishin mizorë thonë: “Zoti ynë! Na jep afat për një kohë të shkurtër t’i përgjigjemi thirrjes Tënde (për besim) dhe t’i pasojmë të dërguarit!” A nuk u betuat ju më parë, se për ju nuk ka lëkundje (prej Dunjasë në botën tjetër)?
Dhe ju u vendosët në vendbanimet e atyre që e dëmtuan veten (e Ne i shkatërruam), dhe e kishit të qartë se si vepruam Ne me ta, dhe ju sollëm shembuj edhe juve.
(megjithatë) Ata përgatitën kurthin e tyre, por kurthi i tyre gjendet në duar të Allahut, qoftë ai kurthi i tyre që shkulen edhe kodrat nga ai.
E kurrsesi mos mendo se Allahu e shkel premtimin e vet, që ua dha të dërguarve të Tij. Allahu është Triumfues, që ndërmerr masa ndëshkuese.
(ndëshkon kundërshtarët) Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në të tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.
E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga.
Petkat e tyre janë nga katrani (pezhgveja - zifti), kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri.
(dalin para Zotit) Për ta shpërblyer Allahu secilin njeri me atë që e fitoi. Vërtet, Allahu është llogaritar i shpejtë.
Ky (Kurani) është kumtesë për njerëzit, që me të të këshillohen dhe të dinë, se Ai është vetëm një Zot, dhe që t’i këshillojë ata që kanë mend.[178]
[178] Zoti xh. sh. i thotë Muhamedit a.s.: mos mendo se Zoti është i kënaqur me punën që bëjnë mëkatarët, e as që i ka harruar ata, por është duke i lënë deri në atë ditë, kur të dalin para Zotit e nga frika do t’ju shtangen sytë, do t’u mbetet kryet lart, duke shikuar se çfarë po i gjen, saqë nuk lëvizin qerpikët e syve për të shikuar diçka tjetër, e zemrat e tyre do të jenë të pikëlluara.
Mëkatarët do të kërkojnë t’u jepet afat e të besojnë, po ata që betoheshin sa ishin në dynja, se nuk kanë për t’u ringjallur, edhe pse ishin mu në ato vende banorët e të cilëve ishin zhdukur nga ndëshkimet si mëkatarë. Megithatë ata bënin lloj-lloj dredhish, u përpoqën ta vrisnin Muhamedin a.s., por plani i Zotit i asgjësoi dredhitë e tyre.
Toka në të cilën jemi tashti dhe qiejt do të shndërrohen në tokë e qiej të tjerë. Çfarë do të jetë ajo e di vetëm Zoti. Sipas një hadithi të shënuar në Sahihajnët: Do të jetë tokë e bardhë e shkëlqyer si argjendi, tokë në të cilën nuk është bërë mëkat, as nuk është derdhur gjak...
Kurani është shpallur për të mirën e njerëzve, për të kuptuar se nuk ka Zot tjetër pos Allahut një dhe për t’u udhëzuar e gjetur rrugën e drejtë që është shpëtim për ta, por vetëm për ata që e angazhojnë sinqerisht mendjen e tyre.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Ibrahim.
15. SURETUL - HIXHËR
E zbritur në Meke, pas sures Jusuf, ajete: 99
Edhe kjo kaptinë shtron çështjen e themeleve kryesore të besimit, siç janë: besimi në Allahun një, besimi në ringjalljen pas vdekjes dhe besimi i përgjegjësisë për veprat e bëra në këtë jetë dhe besimi në shpallje.
Si pikë qëndrore e kësaj kaptine thuajse është çështja rreth ballafaqimit të pejgamberëve me kundërshtarët, të cilët iu kundërvunë mësimeve të tyre gjatë shekujve: prandaj edhe fillon me vërejtjen kërcënuese kur thuhet: ata që nuk besuan, shumë herë do të lakmojnë të kishin qenë edhe ata muslimanë.
Kjo kaptinë parashtron thirrjen e të dërguarve, shpjegon qëndrimin e kundërshtarëve ndaj të dërguarve, pse duke filluar prej Nuhut, pejgamberit më të vjetër, e deri në dërgimin e vulës së pejgamberëve, Muhamedit a.s., gjithnjë ata të humburit, ata që ishin jashtë rrugës, i përqeshën dhe u tallën me ta.
Në këtë kaptinë janë radhitur edhe disa argumente të qarta, të cilat mund të vështrohen në këtë ekzistencë, dhe të cilat flasin për gjurmët e dorës së shpikësit, të cilat dokumentojnë për madhërinë e Krijuesit të madh. Fillon me skenën e qiellit, pastaj të tokës, të erërave mbarësuese, të jetës e të vdekjes, të ringjalljes dhe të tubimit para Gjykatësit Suprem.
I bën një vështrim edhe asaj ngjarjes së madhe të njerëzimit, ngjarjes së krijimit të Ademit dhe armiqësisë së përbetuar të shejtanit, se si engjëjt iu përulën Ademit e shejtani, duke e mbajtur veten lart refuzoi urdhrin e Zotit dhe si u betua, dhe u kërcënua kundër pasardhësve të Ademit. Pastaj kalon në rrëfime për ngjarjet e pejgamberëve të tjerë: të Lutit, Shuajbit, Salihut a.s., e me qëllim të forcimit të zemrës së Pejgamberit Muhamed a.s., në mënyrë që talljet e popullit të tij, të mos kenë kurrfarë ndikimi të dëshpërimit. I përkujtohet nimeti i madh, mrekullia më e madhe, shpallja e Kuranit dhe e Fatihasë.
Kjo kaptinë quhet: “El Hixhru” sipas vendit ndërmjet Medinës dhe Shamit në të cilin banonte f isi Themud, populli i Salihut: Ai popull i shkathët kishte gdhendur kodrat dhe kishte rregulluar në to vendbanime, duke menduar se aty janë të sigurt prej çfarëdo fatkeqësie, por u mashtruan, pse edhe aty i kapi dënimi që merituan.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Elif, Lam, Ra. Këto janë ajetet e librit, të Kuranit të plotkuptueshëm.
Ata që nuk besuan shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë muslimanë.
Lëri (Muhamed) ata, të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë.
Ne nuk kemi shkatërruar asnjë fshat (vendbanim) ndryshe vetëm në afatin e tij të caktuar.
Asnjë popull nuk mund ta shpejtojë afatin e vet, e as ta shtyjë për më vonë.
Dhe ata thanë: “O ti që t’u shpall përkujtimi (Kurani), me të vërtetë ti je i çmendur!”
Përse nuk na erdhe me engjëj (që të vërtetojnë), nëse je i sinqertë?
Ne nuk i dërgojmë engjëjt (u përgjigjet Zoti) ndryshe vetëm kur duhet (kur e kërkon urtësia e Zotit), dhe atëherë ata nuk afatizohen.
Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.
Ne përpara teje kemi çuar të dërguar në grupet e popujve të hershëm.
E atyre nuk iu erdhi asnjë nga të dërguarit, e të mos talleshin me të.
Ja kështu e fusim atë në zemrat e kriminelëve (mosbesimin - talljen).
Ata nuk e besojnë atë (Kuranin). Po ligji (i dënimit) ndaj popujve më të hershëm tashmë është i provuar (se si i shkatërroi Zoti).
Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e t’i shihnin engjëjt e fshehtësitë),
ata gjithqysh do të thonin: “Neve na janë ndalur sytë (shikimi). Jo, ne jemi njerëz të magjepsur”.[179]
[179] Në këto ajete është përmendur emri: libër (kitab), dhikër (përkujtim), që ka si qëllim Kuranin.
Ata që mohuan të vërtetën e ardhur nga Zoti, që e mohuan Kuranin dhe Muhamedin a.s., do të pendohen në këtë botë dhe në botën tjetër, përse nuk e pranuan Fenë Islame. Idhujtarët mekas u penduan, kur e përjetuan triumfin e muslimanëve dhe lakmuan të kishin qenë edhe ata muslimanë. Por lakmia për të qenë musliman do të jetë më e madhe në momentin e vdekjes, kur iu zbulohet e vërteta dhe e shohin veten, se kanë qenë në iluzione, e sipas të gjitha gjasave, dëshira për të qenë musliman do të vijë në shprehje më të theksuar, kur disa besimtarë, mëkatarë të mëdhenj do të qëndrojnë për një kohë në xhehenem së bashku me mosbesimtarët dhe në shenjë talljeje atyre do t’u thuhet nga ana e jobesimtarëve: Ç’ju vlejti juve që ishit besimtarë, a shihni se edhe ju digjeni bashkë me ne në zjarr? Atëherë do të pasojë urdhri i Allahut: Kush pati një grimë besimi të nxirret prej xhehenemit e të dërgohet në xhenet. Atëherë jobesimtarët do të thonë: Ah, sikur të kishim qenë muslimanë...?! Muhamedit a.s. i thuhet, që të mos dëshpërohet, nëse ata tallen me të. Ata janë tallur edhe me të dërguarit e tjerë, pse të thonë je i çmendur, pse kërkojnë t’ju vijnë engjëj etj. Caktimi i dënimit të tyre është i paraparë dhe kur të vijë ai afat, nuk mund ta shtyjë askush. Zoti i dërgon engjëjt, kur Ai e sheh të nevojshme, e jo kur duan ata. Zemrat e tyre janë të prirura për mbrapsht, saqë edhe sikur t’u mundësohej atyre të hipnin në qiej, ti shihnin fshehtësitë e madhërisë së pakufizuar, ata nuk do ta pranonin të vërtetën, do të thonin na mashtroi diçka. Pas gjithë asaj kokëfortësie të tyre Zoti xh. sh. i garanton Muhamedit a.s. dhe besimtarëve, se Kuranin, parimet dhe mësimet e tij do të vazhdojnë të mbizotërojnë, sepse do ta ruajë nga ndryshimet, devijimet etj., vetë Madhëria e Tij. Prandaj edhe pse Kurani Famëlartë u shpall para katërmbëdhjetë shekujsh, në të nuk mund të ndryshohet asnjë shkronjë.
Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin) e kemi zbukuruar për ata, që e shikojnë me vëmendje.
Dhe atë (qiellin) e kemi ruajtur prej çdo djalli të mallkuar.
Përveç atij që vjedh (përgjon) çka dëgjohet, po edhe atë e kap ylli i zjarrtë (e djeg).
E tokën e kemi shtruar dhe në të kemi vënë kodra dhe kemi bërë, që në të të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve.
Dhe Ne ju krijuam juve në të jetesën (mjetet për jetë), e edhe atyre për të cilët ju nuk jeni furnizues.
E nuk ka asnjë send, që të mos e ketë burimin te Ne, po Ne nuk e japim atë ndryshe vetëm sipas një mase të caktuar (të nevojshme).
Ne i lëshojmë erërat mbarësuese, e nga qielli (retë) lëshojmë shi dhe atë ua japim ta pini, e ju nuk mund ta ruani atë.
Ne, vërtet jemi që japim jetë e vdekje dhe Ne jemi trashëgues (të qiejve e tokës).
S’ka dyshim, se Ne e dimë për ata që ishin para jush dhe edhe për ata që vijnë pas.
E Zoti yt është Ai që i tubon të gjithë ata (të kaluarit e të ardhshmit), vërtet Ai është shumë i Urtë, shumë i Dijshëm.
Ne krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe)! (të formuar-të trajtuar-mesnun).
E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.
Dhe (përkujto) kur Zoti yt iu tha engjëjve: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.
E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t'i jap atij shpirtin, që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde".
Të gjithë engjëjt tok, bënë sexhde.
Përpos Iblisit. Ai refuzoi të jetë me ata që bënë sexhde?
Ai (Allahu) tha: “O Iblis, ç’është ajo që ti të mos jesh me ata që bënë sexhde?”
Ai tha: “Nuk është për mua t’i bëj sexhde një njeriu, që e krijove nga balta e tharë, e zezë e me erë".
(Allahu) tha: “Dil pra prej aty, ti qofsh i mallkuar!”
Vërtet, mallkimi kundër teje qoftë deri në Ditën e Gjykimit”.
(Iblisi) Tha: “Zoti im, më jep pra afat, deri në ditën kur ata (njerëzit) të ringjallen!”
(Zoti) Tha: “Ti je prej të afatizuarve,
deri në kohën e ditës së caktuar”.
(Iblisi) Tha: “Zoti im, për shkak se më devijove, unë do t’ua zbukuroj (të këqijat) atyre sa të jenë në tokë (në këtë botë) dhe të gjithë ata do t’i largoj nga rruga e drejtë!”
Përveç robërve të Tu, të cilët i ke bërë të sinqertë.
(Madhëria e Tij) Tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë (e qartë)”.
Se ti ndaj robërve të Mi (të sinqerte) nuk ke kurrfarë force (as fizike, as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje.
E s’ka dyshim, se xhehenemi është vendpremtimi i të gjithë atyre.
Ai (xhehenemi) ka shtatë dyer, çdonjëri prej tyre ka shtegun (derën) e caktuar (nëpër të cilën do të hyjë).[180]
[180] Në këto disa ajete flitet për urtësinë dhe fuqinë e pakufishme të Zotit, që manifestohet në krijimin e gjithësisë, në krijimin e trupave qiellorë dhe në tokë. Përmendet brezi rrethor i dymbëdhjetë yjësisë, që është i mbrojtur, dhe çdo përpjekje e xhinëve për të depërtuar më thellë, goditet me yll të zjarrtë. Tokën ua kemi bërë të përshtatshme për jetë, duke mundësuar që në të të mbijnë lloje të ndryshme bimësh prej nga ushqehen. Furnizimi i çdo gjallese është prej Zotit, pse çdo send është i nxitur prej Tij, e në masë të nevojshme. Erërat janë bartëse të reve, të shiut dhe të bimëve, sepse ato i nxisin retë, i tubojnë, i shpërndajnë dhe prej tyre lëshohet shiu, e te bimët bartin pluhurin e luleve prej njërës në tjetrën dhe ashtu ato formojnë frutat. Madje ligjet e caktuara të Zotit kanë bërë të mundur, që një pjesë e ujit të ruhet në tokë e të përdoret sipas nevojës.
Njeriu është krijuar prej dheut të lagur, që është baltë, e pasi është terur balta ka marrë ngjyrë të errët dhe erë. Exhinët janë të krijuar prej zjarrit dhe janë para njeriut. Melaiket ishin urdhëruar t’i bëjnë sexhde Ademit menjëherë pasi Zoti e përsos atë në fizionomi dhe t’i japë shpirt. Lidhja gjenitive - idafeti, i shpirtit në Zotin, është për nderim e fisnikëri, vlerësim të shpirtit, e jo si pjesë e Zotit, por krijesë e posaçme e Zotit. Melaiket i bënë sexhde menjëherë, e shejtani që ishte në mesin e rreshtave të melaikeve, por jo edhe melek bëri mendjemadhësi dhe nuk iu përul urdhrit të Zotit, prandaj u përzu, u quajt iblis - i hedhur në mjerim.
Iblisi iu lut Zotit t’i japë jetë deri kur do të ringjallen njerëzit, e ashtu të shpëtojë, sepse pas ringjalljes nuk ka më vdekje, por Zoti i dha mundësi të jetojë deri në prag të Kijametit - katastrofes së përgjithshme, e jo deri pas saj.
Shejtani hoqi dorë prej atyre njerëzve, besimtarëve, të cilët i ka ndihmuar Zoti dhe kanë përvetësuar ndjenjën e sinqeritetit, atyre nuk mund t’u afrohet. Ata që e pasojnë shejtanin do të jenë së bashku me të në xhehenem, e secili do të jetë në atë nivel dënimi, të cilin e ka merituar me vepra të këqija.
E ata, të cilët iu ruajtën (mosbesimit dhe punëve të këqija) janë në xhenete e mes burimeve.
(u thuhet) Hyni në to, të shpëtuar (prej çdo të keqeje) të siguruar (nga vdekja).
Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar.
Ata nuk i godet aty kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.
Njoftoji robërit e Mi, se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe Mëshirues i madh.
Po (njoftoji), se edhe dënimi Im është ai dënim i dhembshëm.
E njoftoji edhe për mysafirët e Ibrahimit,
kur ata hynë tek ai dhe thanë: “Selamen - e përshëndetën, e ai (Ibrahimi) tha: “Ne po frikësohemi prej jush!”
Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne po të përgëzojmë me një djalë të zgjuar!”
Ai (Ibrahimi) tha: “A më përgëzoni kur më ka kapur mua pleqëria? Me çka po më përgëzoni ju?
Ata thanë: “Ne të përgëzuam me atë, që është e sigurt e ti mos u bëj i pashpresë!”
Tha: “Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”.
Tha: “E çka është pra çështja e juaj, o të dërguar?”
Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull i prishur!”
Me përjashtim të familjes së Lutit. Ata do t’i shpëtojmë, që të gjithë.
Përpos gruas së tij. Ne kemi vendosur ajo të mbetet me ata të dënuarit (Allahu ka vendosur).
E kur i erdhën familjes së Lutit të dërguarit,
ai (Luti) tha: “Ju jeni njerëz të panjohur (nuk ju njoh)!
Ata thanë: “Jo (nuk kemi qëllim të keq ndaj teje), të kemi ardhur ty me atë (dënim) që ata dyshonin.
Të kemi sjellë të vërtetën, e ne jemi të drejtë (në atë që themi).
Ti ec me familjen tënde pasi të kalojë një pjesë e natës dhe ti rri pas tyre (që të mos frikësohen), dhe asnjëri prej jush të mos kthejë mbrapa (për të shikuar), dhe shkoni andej nga urdhëroheni.
E Ne i kumtuam atij (Lutit) atë çështje, se zhdukja e tyre deri në më të fundit do të jetë në mëngjes.
E banuesit e qytetit (Sadum) erdhën të gëzuar duke e lajmëruar njëri-tjetrin.
Tha: (Luti): “Këta janë mysafirët e mi, e mos më turpëroni mua,
edhe kini frikë Allahun e mos më nënçmoni!”
Ata thanë: “A nuk të kemi ndaluar, që të mos na përzihesh në njerëzit (që ne i mësyjmë)!
Ai (Luti) tha: “Ja, këto (gratë) bijat e mia, nëse do të bëni (martohuni me to)!”
Për jetën tënde (Muhamed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre.
E në kohën e lindjes (së diellit) ata i përfshiu ushtima e tmerrshme.
Dhe duke e përmbysur anën e lartë të qytetit poshtë, Ne e përmbysëm dhe lëshuam mbi ta shi (të dheut të pjekur në xhehenem) si gurë.
Në atë (ngjarje), vërtet ka argumente për ata që mendojnë.
Dhe se ato (vendbanime të shkatërruara) ende janë të dukshme pranë rrugës.
Për ata që besojnë, ka fakte në të.[181]
[181] Pas përshkrimit të gjendjes së mëkatarëve e zullumqarëve në xhehenem, në këto ajete përshkruhet gjendja e fatbardhëve në xhenete plot burime e kënaqësi të tjera, e të pastruar prej veseve si: smirës, zilisë, ironisë etj., ata jetojnë pa brenga si vëllezër të dashur mes tyre. Përveç asaj, se ata nuk kanë përse të mundohen e të lodhen, nuk kanë as frikë se do të dalin prej aty, ose do të vdesin aty janë përjetë.
Populli i Lutit ishte një ndër popujt më të shëmtuar në sjellje. Kishin sjellje të vrazhdë e shtazarake. Thuhet se Luti u largua vetëm me dy bijat e veta, ndërsa të gjithë të tjerët u shkatërruan. Luti u urdhërua të ecë pas bijave, që ato të mos frikësohen prej ndonjë sulmi. U urdhëruan të shkojnë drejt Shamit e në vendin ku ishte Ibrahimi a.s.
Edhe populli i “Ejkës” ishin zullumqarë.
E Ne u hakmorëm kundër tyre (i shkatërruam), dhe që të dyja ato (vendi Sadum dhe Ejke) janë në rrugë, që duken.
Edhe populli i “Hixhres” i përgënjeshtroi të dërguarit.
Ne u patëm parashtruar atyre argumentet (mrekullitë) Tona, por ata i kundërshtonin ato.
Ata skalisnin shtëpia në kodra shkëmbore për të qenë të sigurt.
E ata në mëngjes i goditi gjëmimi i tmerrshëm e shkatërrues.
Dhe nuk iu ndihmoi atyre asgjë nga ajo që vepruan.
E Ne nuk i krijuam qiejt e tokën ndryshe vetëm me urtësi (të madhe). E s’ka dyshim, se momenti i fundit (Kijameti) do të vijë, e ti (Muhamed) sillu me njerëzishmëri.
Vërtet, Zoti yt është Krijuesi i përgjithshëm, i Gjithëdijshmi.
Ne të kemi dhënë ty shtatë (ajete) që përsëriten (Fatihaja përsëritet në çdo rekat të namazit), edhe Kuranin e Madhërueshëm.
E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve bëhu i përulur e i butë.
Dhe thuaj: “Unë jam qortues i hapët (për dënim nga Zoti për ata që kundërshtojnë).”
(U sjellim dënim) Sikurse u sollëm atyre që bënë ndarjen (e librave të mëparshëm).
Të cilët e bënë Kuranin të ndarë në pjesë.
Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi,
për atë se ç’vepruan.
Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqju idhujtarëve.
S’ka dyshim, se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen,
të cilët Allahut i kundërvejnë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavijën e tyre).
Ne e dimë mirë, se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata.
Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur).
Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të vijë ty e vërteta (vdekja).[182]
[182] Këtu përmendet shkurtimisht rrëfimi për Shuajbin e popullin e tij. “Ejke” quhet vendi ku banoi ai popull, e ishte vend plot pemë të shpeshta, gjithashtu edhe Medjeni ishte vend i tyre.
Si vendbanim i popullit Lut, ashtu edhe i atij të Shuajbit ishin pranë rrugës, ku kalonin karvanet e tregtisë prej Hixhazit për në Siri. Gërmadhat e atyre vendeve të shkatërruara ishin të dukshme, prandaj idhujtarëve u jepej shenjë që të fitojnë përvojë.“Hixhri” është një luginë mes Medinës e Shamit në të cilën ka banuar populli Themud, tek i cili ishte i dërguar Pejgamberi Salih. Ata për t’i ikur dënimit të mundshëm me të cilin iu kërcënohej Salihu, shponin kodrat dhe në to rregullonin shtëpitë e tyre, e mendonin se në to janë të sigurt, por nuk u doli ashtu, sepse u shkatërruan nga një tërmet me ushtimë të madhe shkatërruese. E tërë gjithësia dhe të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë në të, nuk janë të rastit. Ato janë të krijuara dhe të paralajmëruara sipas një urtësie të madhe të Zotit Krijues. Që të mos përhapej e keqja në tërë botën Zoti i dënoi disa popuj, por dënimi kryesor dhe i përjetshëm kundër fesatxhinjve do të jetë pas ringjalljes, që pa dyshim do të pasojë pas Kijametit.
Muhamedit a.s. i thuhet, se të është dhënë begatia më e madhe, ty të është shpallur kaptina Fatiha - Elhami, që sipas një hadithi është kaptina më e madhe në të tërë Kuranin, e që nuk ka qenë e shpallur, as në Tevrat, e as në Inxhil, prandaj i thuhet, ti mos u hidhëro, sillu mirë e butë, mos i ki lakmi disa nga idhujtarët, që kanë pasuri e fëmijë, hapi krahët përkdhelës për besimtarët, si shpendi ndaj zogjve të vet.
Muktesimin” d.m.th.: ndarës. Ndoshta është fjala për jehuditë e të krishterët, të cilët një pjesë të librit e besonin e tjetrën jo. Ndoshta ishte si qëllim ndarja e terrenit të Mekës nga ana e idhujtarëve për t’u folur atyre që vinin aty nga jashtë, se Muhamedi a.s. është i çmendur ose magjistar etj. E qëllimi mund të jetë edhe ndarja e Kuranit nga ana e idhujtarëve në: poezi, magji, fall dhe kategori të tjera, me qëllim rezistence kundër tij. Pejgamberi a.s. ua mësonte Kuranin njerëzve, duke i thirrur në Fenë Islame fshehtas derisa iu shpall ajeti 94; i kësaj kaptine, pastaj filloi t’u bëjë njerëzve thirrje haptas, që të përqafojnë Fenë Islame me të gjitha rregullat e saj. Më të dalluarit nga idhujtarët, të cilët e përqeshnin Kuranin dhe Muhamedin a.s. ishin nja pesë: Velid bin Mugire, As bin Vaili, Esved bin Abdi Jeguthi, Harith bin Talatil dhe Ebu Zuma. Allahu ia hoqi qafe të gjithë këta. Ajeti i fundit urdhëron adhurimin ndaj Zotit, sa të jetë njeriu gjallë, pra nuk ka njeri që mund të lirohet nga detyrimi me ibadet, përderisa nuk është liruar Pejgamberi a.s. Thashethemet se kur arrin njeriu ta kuptojë mirë të vërtetën lirohet prej detyrimeve fetare janë shpifje dhe mashtrim, prandaj nuk duhet t’ua vërë veshin atyre. Me ndihmën e Allahut, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “El Hixhru”. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!
16. SURETUN - NAHL
E zbritur në Meke, pas sures Kehf, ajete: 128
Edhe kjo kaptinë është zbritur në Meke, në vendin ku besimi i kotë ishte në kulm, po ashtu edhe tematika e saj në përgjithësi ka të bëjë me besimin, respektivisht me Zotin një, dhe me shpalljen.
Me qëllim që t’i ndihmojë njerëzit ta gjejnë rrugën e drejtë, Zoti xh. sh. sjell në këtë kaptinë shumë shembuj nga krijesat e Tij siç janë: qiejt, toka, detet, bjeshkët, luginat, ujërat, bimët, trupat qiellorë në hapësirë, shtazët etj., në bazë të të cilave njeriu, që do t'i vështrojë me vëmendje do të arrijë të konkludojë për Krijuesin e përsosur të tyre.
Përmendet çështja e shpalljes, mohimi i saj dhe tallja me të nga ana e idhujtarëve, mandej tallja me mundësinë e krijimit dhe të ringjalljes pas vdekjes, e përgjegjësisë për veprat etj.
Përshkruhet gjendja në momentin e vdekjes së atyre që mohuan, të cilët kur iu zbulohet e vërteta i dorëzohen Zotit, por atëherë është vonë. Mandej e atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, se si melaiket u marrin myzhde në çastin e vdekjes me xhenet dhe ua urojnë.
Në mënyrë të shkurtër përshkruhet edhe koha e injorancës, se si i urrenin vajzat e lindura, e disa prej tyre i varrosnin të gjalla.
Përshkruhet përsosmëria e krijesave të Zotit, në mesin e të cilave përshkruhen edhe qumështi i përfituar prej kafshëve, ushqimet e përfituara prej pemëve, mjalti i përfituar prej bletës.
U bëhet një krahasim idhujve të gdhendur nga vetë dora e njeriut, e pastaj të adhuruar prej tyre me shpresën, se ata do t’u sjellin ndonjë të mirë në këtë ose në jetën tjetër, me njeriun që është rob, është vegël në duart e tjetrit, ose me njeriun që është shurdhmemec, që nuk është i zoti as për vete. Të tillë janë idhujt, e megjithatë ata jobesimtarët ia bëjnë shokë Allahut.
I jepet shumë rëndësi besës së dhënë dhe betimeve, të cilat duhen ruajtur dhe zbatuar në mënyrë të sinqertë.
Përmendet edhe pasoja e përbuzjes së të mirave të Zotit në këtë jetë e edhe në jetën tjetër.
Kaptina përfundon me udhëzime për mënyrën e thirrjes në fe, e Pejgamberi a.s. këshillohet të jetë i durueshëm, se Zoti është gjithnjë në ndihmë të atyre që bëjnë durim.
Quhet: “En Nahlu” - bleta, sepse në këtë insekt të vogël shihet mrekullia e mjeshtërisë së Krijuesit, i cili duke i dhuruar asaj instinkt të fortë, ajo bën çudira.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kijameti), pra mos kërkoni ngutjen (ardhjen para kohës) e tij! E pastër dhe e lartë është madhëria e Tij, në krahasim me atë që ata i shoqërojnë (shokë).
Me urdhrin e Tij ia zbret engjëjt me shpallje atij, që Ai dëshiron nga robërit e vet (duke thënë) t'ua tërhiqni vërejtjen (t'i njoftoni), se nuk ka të adhuruar (zot) të vërtetë, pos Meje, pra të më keni frikën.
I krijoi qiejt e tokën me urtësi precize. I Lartë është Ai nga çka ata (idhujtarët) i shoqërojnë.
E krijoi njeriun nga një pikë (uji), kur ja ai (njeriu) kundërshtar i hapët.
Edhe kafshët Ai i krijoi dhe në saje të këtyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe prej tyre hani.
Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi (idili), kur në mbrëmje ato i ktheni (nga kullosa) dhe kur në mëngjes i lëshoni (për në kullosë).
Ato bartin barrën tuaj (të rëndë) në ndonjë vend (të largët), që ju do të arrinit atje me shumë vështirësi (me gjysmë shpirti). Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe shumë Mëshirues.
Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat, edhe gomarët për t'ju hipur atyre dhe si stoli, e Ai krijon (për hipje) çka ju (tashti) nuk e dini.
Udhëzimi për në rrugë të drejtë i takon Allahut e ka edhe rrugë që është e shtrembër. Po sikur të kishte dëshiruar Ai, do t’u kishte udhëzuar që të gjithëve.[183]
[183] Jobesimtarët i thoshin njëri-tjetrit: Muhamedi po mendon se Kijameti është afër, prandaj largohuni prej disa punëve, e të shohim se çfarë po ngjet. Kur kaluan shumë ditë i thanë: Ne s’po shohim gjë, ku është pra, le të vijë tashti Kijameti! Si shkak i zbritjes së këtij ajeti ishte ajo bisedë e jobesimtarëve. Allahu ju thotë: Erdhi, pse ajo që është caktuar prej Zotit është e domosdoshme të ngjajë, pra është aq e padyshimtë, sikurse të kishte ardhur edhe të ishte parë me sy. Kur i shpallët ky ajet Pejgamberi a.s. thotë: “Unë u dërgova afër me Kijametin si këta të dy”, dhe i barazoi dy gishta (sahihajn). Allahu ia dërgon shpalljen atij që do, e për t’u thënë njerëzve mos u ngutni ta kërkoni Kijametin para kohe, ai do t’ju vijë, por ju ruajuni e mos bëni punë të këqija. Ai Zot që krijoi qiej e tokë aq të përsosura, është i Plotfuqishëm, e s’ka nevojë për zota të tjerë që ia mendojnë. Është çudi e madhe pse njeriu nuk mendon për zanafillën e vet nga ajo pikëz e ujit të dobët, po i rritet mendja dhe kundërshton atë Zot, që vetëm Ai ka ditur dhe ka mundur ta krijojë. I krijoi kafshët për të mirën e njeriut, pse prej tyre vishet, ushqehet edhe ndien kënaqësi shpirtërore, kur i sheh ato në tufa e të ngopura kur kthehen në mbrëmje, si dhe kur i nxjerr për kullosë në mëngjes. Madje ato i shërbejnë njeriut edhe për bartjen e sendeve të rënda. I krijoi edhe kafshët e tjera për t’u hipur e edhe për dëfrime e kënaqësi të tjera. Krijon edhe çka ju nuk dini,- iu thotë Kurani atyre të asaj kohe, pra pati si qëllim t’i japë shenjë mendjes, se mjetet për hipje do të jenë edhe të tjera, sikurse po i shohim tashti mjetet transportuese dhe, të mos thotë ndokush: të parët e mi u shërbyen me kuaj, me gomarë etj., e edhe unë do të shërbehem me ta, e jo me mjetet e shpikura, sepse një qëndrim i tillë është kundër Kuranit. Rrugën që e caktoi Zoti, ajo të çon tek Ai, kurse të tjerat të humbin.
Ai është që për ju lëshoi nga (lart) qielli ujë, që prej tij të keni për të pirë dhe prej tij të keni bimë që në to do t’i kullotni (bagëtinë).
Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushnajat dhe nga të gjitha frutat (e pemëve). Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron.
Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.
Edhe për atë që ju krijoi në tokë lloje të ndryshme (bagëti, bimë, pemë, minerale etj.), ka fakte për një popull që di të marrë përvojë.
Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni), e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin).
Dhe Ai vuri kodra (të forta) në tokë, ashtu që ajo të mos lëkundet me ju, (bëri) edhe lumenj e rrugë që të mund të orientoheni.
Vuri edhe shenja të tjera (për orientim ditën), ndërsa (natën) ata orientohen me anën e yjeve.
Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj, sikurse ai që nuk krijon? A nuk po mendoni?
Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron.
Allahu e di atë që ju e fshihni dhe atë që e publikoni.
Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) pos Allahut, ata nuk krijojnë asnjë send, po vetë ata janë të krijuar.
Janë të vdekur e jo të gjallë, dhe ata nuk e dinë, se kur do të ringjallen (adhuruesit e tyre).[184]
[184] Megjithëse çështjet e fenomeneve natyrore siç janë shiu etj., i takojnë një studimi të posaçëm Kurani na mëson, se shiu që bie prej së larti, përveç që shuan etjen e gjallesave, mundëson edhe mbirjen e bimëve që janë kusht për jetën e njeriut sikurse janë të lashtat. Ndërkaq frutat e tjerë janë, edhe ushqyes, edhe freskues.
Në ajetet e sipërshënuara, të cilat flasin për të mirat që i krijoi Zoti xh. sh. njerëzit porositen: të mendojnë thellë (jetefekkerun), të kuptojnë (jakilun), të rikujtojnë (jetedhekkerun). Pa një të menduar të thellë nuk mund të kuptohen proceset e fenomeneve natyrore, e pas tij ato bëhen të kuptueshme, bëhen pronë e mendjes, por duhet rikujtuar gjithnjë, në mënyrë që të jenë të freskëta në kujtesën e njeriut, e ai të mos harrojë shprehjen e falënderimit. Përsa i përket vendosjes së kodrave nëpër pjesë të ndryshme të tokës, është detyrë e gjeologjisë ta shpjegojë, por sipas Kuranit kuptohet, se ato mbajnë drejt ekuilibrin e tokës.
Në ajetet e fundit, u hidhet një vështrim besimeve të kota, të cilët për njeriun e pajisur me mendje e të menduar, nuk do të duhej të gëzonin kurrfarë respekti, e nëse po, atëherë njeriu i tillë bie në një nivel shumë të ulët.
Zoti juaj (që meriton adhurim) është një Zot, e ata që nuk e besojnë botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese (të njësisë së Zotit) dhe ata janë kryelartë.
Është e vërtetë, se Allahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi, dhe se Ai nuk i do arrogantët.
Kur atyre iu thuhet (mohuesve): “Ç’është ajo që shpalli Zoti juaj?”, ata thonë: “Mite të popujve të hershëm!”
(E thonë atë shpifje) Sa për t’i bartur në Ditën e Gjykimit mëkatet e veta të plota dhe një pjesë të mëkateve të atyre, që pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën. Sa e keqe është ajo me çka ngarkohen.
Edhe ata që ishin para tyre vënë intriga. Po Allahu rrënoi në themel ndërtimet e tyre (intrigat) dhe kulmi u shemb mbi ta, dhe ashtu iu erdhi dënimi nga nuk e kujtuan.
Mandej në Ditën e Gjykimit Ai i turpëron ata dhe thotë: "Ku janë ata që m'i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre grindeshit?" E ata që ishin të zotët e dijes do të thonë: “Vërtet, sot turpësia dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët”.
Të cilët duke qenë mizorë të vetes së tyre engjëjt ua marrin shpirtin, e ata shprehin dorëzimin (në momentin e vdekjes, duke thënë): “Ne nuk ishim që bëmë ndonjë të keqe!”(u jipet përgjigjja). Po Allahu e di shumë mirë atë që e punuat ju.
Prandaj hyni në dyert e xhehenemit, aty do të jeni përjetë: sa vend i keq është ai i kryelartëve!”[185]
[185] Të gjitha lutjet, të gjitha adhurimet dhe të gjitha flijimet, të cilat i shprehen dikujt në emër të ndonjë madhërie e shenjtërie, pos Allahut, ato shkojnë huq, por ata që nuk besojnë botën tjetër, e mbajnë veten lart, nuk duan të pranojnë Zotin para të cilit do të përgjigjen. Mendjelartit nuk duan ta pranojnë Kuranin shpallje, që i erdhi Muhamedit a.s., por e quajnë mit, tregime të kahershme dhe me këtë, ata e ngarkojnë veten përveç me mëkatet e veta, edhe me mëkatet e atyre që i mashtruan, pse mashtruesit ishin pari. Rrënimi i ndërtimeve në themel ka si qëllim rrënimi i intrigave të jobesimtarëve, të cilët u përpoqën ta shuajnë dritën e shpalljes së Zotit. Ata pësuan disfatë në këtë botë, por disfata më e madhe do të jetë në Ditën e Gjykimit, kur të nënçmuar i fut Zoti në xhehenem dhe i thërret t’i sjellin ata zota që i adhuronin e le t’ju ndihmojnë. Ata qysh në çastin e vdekjes e shohin gabimin e tyre dhe dorëzohen, por është vonë, e vendi i mendjelartëve është xhehenemi.
Atyre që patën frikë nga (dënimi) Allahu, iu thuhet: “Ç’është ajo që shpalli Zoti juaj?” Ata thoshin: “Shpalli çdo të mirë!” Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë, por shpërblimi i tyre në botën tjetër është shumë më i mirë, e sa vend i mirë është ai i të devotshmëve.
Është Xheneti i Adn-it, ku do të hyjnë, nën të rrjedhin lumenj, aty kanë çka të dëshirojnë, ashtu i shpërblen Allahu të ruajturit,
të cilëve duke qenë të pastër engjëjt ua marrin shpirtin, duke iu thënë: “Selamun alejkum” - gjetët shpëtimin, hyni në xhenet, për hir të asaj që vepruat.
A mos presin ata (idhujtarët) diçka tjetër përveç t’u vijnë engjëjt (e t’ua marrin shpirtin), ose t’u vijë urdhri (dënimi) i Zotit tënd. Ashtu punonin ata që ishin para tyre, pra Allahu nuk iu bëri padrejtësi atyre, por ata ishin që i bënë padrejtësi vetes.
Prandaj ata i goditi dënimi i të këqijave që bënë, dhe i kaploi (i përfshiu ajo e keqe) ajo me të cilën ata talleshin.
Ata që i bënin shok Zotit (idhujtarët) thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, as ne, e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asnjë send pos Tij, dhe nuk do të ndalonim (nuk do ta konsideronim të ndaluar) asnjë send pos (ndalesave të) Tij. Kështu (këso gënjeshtrash) bënin edhe ata që ishin para tyre. Po, a mos kanë të dërguarit obligim tjetër, përveç që t’i njoftojnë qartazi?
Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve?
Nëse ti (Muhamed) përpiqesh për t’i vënë në rrugë të drejtë ata, (dije se) Allahu nuk e udhëzon atë që e ka humbur, dhe për ata nuk ka ndihmëtarë.
Ata u betuan në Allahun, me betimin e tyre të fortë, se “Allahu nuk e ringjall atë që vdes!” Po (i ringjall), ai është premtim i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk dinë.
I ringjall për t’ua sqaruar atyre atë për çka përçaheshin dhe për t'ua bërë me dije atyre që nuk besuan, se me të vërtetë ishin gënjeshtarë.
Ne kur dëshirojmë një send vetëm i themi atij: “Bëhu!”, ai menjëherë bëhet.[186]
[186] Pas përshkrimit të gjendjes së atyre, që i mohonin argumentet e Zotit, në këto ajete përshkruhet gjendja e atyre, që pranuan shpalljen, se si melaiket u marrin shpirtin, duke u garantuar shpëtim, hyrjen në xhenet, sepse sa ishin në këtë jetë bënë vepra të mira. Ndëshkimet që i goditën ata që nuk respektuan udhëzimet e Zotit, ishin meritë e tyre, e jo dhunë prej Zotit. E thënia e tyre, se sikur të dëshironte Zoti, ata nuk do të adhuronin idhujt, e as do të ndalonin ngrënien e disa kafshëve sikurse patën ndaluar, është thënie e pavend, pse për të mos adhuruar tjetër dhe për të mos marrë nëpër këmbë dispozitat e Zotit, Ai i dërgoi pejgamberët, të cilët u kumtuan njerëzve se çka pranon dhe çka pëlqen Zoti e çka jo, e njëkohësisht njerëzve iu mundësoi, që ata vetë të zgjedhin. Atëherë pas dërgimit të pejgamberëve dhe pas udhëzimeve të shpallura, përgjegjësia ju mbetet vetë njerëzve. Pejgamberit i thuhet, se edhe pas përpjekjeve të tua për t’i vënë njerëzit në rrugë të drejtë, disa prej tyre do të mbesin jashtë saj; këtë e ka ditur dhe e di Zoti, prandaj të mos brengoset aq shumë.
Ringjallja nuk është punë e rëndë për Zotin, pse atë që e dëshiron Ai, ajo bëhet menjëherë.
Ata që migruan për hir të Allahut, e pasi u torturuan, atyre gjithsesi do t’iu mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, por shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur njerëzit ta dinin (për atë shpërblim).
Janë ata që bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.
Ne as para teje nuk dërguam tjetër, përveç burra, të cilëve iu dhamë shpallje. Ju (idhujtarë) pyetni pra dijetarët (e Tevratit e tëlnxhilit) nëse ju nuk dini.
(I patëm dërguar) Me argumente e me libra të shenjtë. Ty ta zbritëm Kuranin, që t'u shpjegosh njerëzve atë që iu është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kuranin).
A mos janë të sigurt ata që përgatitën kurthe, se Allahu nuk do t’i trandë ata me tokën, ose nuk do t’u vijë atyre dënimi nga nuk e mendojnë?
Ose t’i rrëmbejë ata duke qenë në udhëtimet e tyre (për jetë e tregti), e ata nuk mund t’i shpëtojnë asaj.
Ose do t’i kapë ata duke qenë në panik nga frika. Po, s’ka dyshim se Zoti juaj është shumë i Butë e i Mëshirshëm (prandaj nuk ua ngut dënimin).
A nuk po shohin ata (keqbërësit), se çdo send që krijoi Allahu, e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas duke iu përulur Allahut (duke i bërë sexhde) dhe duke qenë respektues e përulës (e si e mbajnë veten lart disa njerëz).
Vetëm Allahut i bën sexhde çdo gjallesë, që është në qiej e që është në tokë, e edhe engjëjt, ata nuk bëjnë kryelartësi.
I frikësohen Zotit të tyre, që është mbi ta dhe i përmbahen me përpikëri asaj me çka urdhërohen.[187]
[187] Ai grup i vogël i muslimanëve në Meke u torturua dhe u mundua, saqë dy herë u detyruan të ikin e të shkojnë disa prej tyre në Habeshe (Abisini-Etiopi), por madhëria e Zotit u mundësoi më vonë vendosje të mirë e të sigurt në Medinë. Prandaj mundimet e tyre i shpërbleu edhe në dynja, vetëm se shpërblimet në jetën tjetër do të jenë shumë më të mira dhe të përjetshme. Sabri dhe mbështetja në Zotin gjithnjë përfundon me suskes. Për çështjet që nuk i njeh njeriu duhet të pyesi ata që i dinë ato, duhen pyetur dijetarët se çka ka thënë Zoti ose Pejgamberi a.s. përkitazi me ndonjë çështje. Burimi i çështjeve fetare është prej Zotit dhe prej Pejgamberit a.s., e nuk duhet të bazohemi e as të mbështetemi në atë, se çka thotë nga vetvetja dijetari. Mbështetja në thëniet ose në qëndrimet e kujtdo qoftë, përveç Zotit e Pejgamberit a.s. është taklid-imitim, e imitimi nuk është i lejuar. Imitimi i verbër i thënieve e sjelljeve të ndonjë personi kushdo qoftë, e pa u bazuar në argumente është shkak i besimeve të kota, është devijim i principeve fetare dhe është degjenerim i një mase të mashtruar. Kur thotë Zoti, se edhe para teje, para Muhamedit a.s. kemi dërguar njerëz, u thotë jobesimtarëve, urdhëroni dhe pyetni për këtë ata që e dinë Tevratin ose Inxhilin, pra urdhëroni e shikoni, se çka ka thënë Zoti në to. Zoti është Mëshirues, nuk i kap me dënim menjëherë kundërshtarët, iu jep afat të përmirësohen, e nëse nuk duan Ai i ka në Dorë, i dënon kur të dojë.
E Allahu tha: “Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është vetëm një Zot, pra vetëm Mua më kini drojen”.
Vetëm e Tij është çka ka në qiej e në tokë, dhe vetëm Atij i takon vazhdimisht adhurimi. A mos ia keni frikën dikujt tjetër pos Allahut?
Dhe çdo të mirë që e keni ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm tek Ai e ngreni zërin (me lutje).
Pastaj, kur Ai e largon prej jush dënimin, ja, një grup prej jush i përshkruajnë shok Zotit të tyre.
(I bëjnë shok) Dhe ashtu ata përbuzin atë, që Ne ua dhamë atyre, pra shfrytëzoni (për një kohë) se më vonë do ta kuptoni (rrjedhimin).
E nga ajo që Ne i furnizuam ata u ndajnë një pjesë atyre (zotave), që nuk kuptojnë asgjë. Për Allahun, patjetër do të merreni në përgjegjësi për atë që trillonit.
Ata i përshkruajnë Allahut vajza. I pastër është Ai nga ajo!, ndërsa vetes së tyre (i përshkruajnë) çka ua ka ënda (djemtë).
Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë fytyra e tij prishet dhe mbushet plot mllef.
Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit). Mandej (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykimi i tyre.
Shembulli i keq iu takon atyre, që nuk besojnë botën tjetër, ndërsa Allahut i takon shembulli më i lartë. Ai është Fuqiploti, i Urti.
Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit (zullumqarë), për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë, as ta ngutin.
E ato (vajzat) që i urrejnë për vete ia mveshin Allahut, gjuhët e tyre shpifin rrenën, se atyre do t’u takojë më e mira (xheneti), s’ka dyshim, i tyre është zjarri, dhe se ata janë të parët në të.
Për Allahun, Ne dërguam edhe para teje të dërguar ndër popuj, po veprat e tyre (të këqija) ua hijeshoi djalli, se ai është mik i tyre, e ata kanë një dënim të hidhët.
Ne nuk ta shpallëm ty për tjetër Kuranin, vetëm që t’u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, e (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë.[188]
[188] Zoti është Një, edhe adhurimi duhet t’ia drejtojmë vetëmAtij, pse s’ka fe tjetër vetëm atë që Ai e shpalli, pse s’ka sundues të qiejve e të tokës përpos Tij, pra atë duhet ta respektojmë, e jo tjetër.
Të gjitha të mirat që keni, i keni prej Zotit, këtë e dëshmoni edhe ju, pse kur keni ndonjë telash i drejtoheni Atij dhe me britmë të madhe kërkoni ndihmën e Tij. Mirëpo posa çliroheni disa prej jush bëhen përbuzës ndaj të mirave të Zotit, sepse i përshkruajnë shok. Madje atyre, idhujve që nuk dinë asgjë, sepse janë trupa të ngurtë iu ofrojnë flijime, e për këtë patjetër do të përgjigjen. Në kohën e xhahilijetit arabët i urrenin vajzat që ju lindnin, e ndienin veten fatzinj kur i lindte vajzë dhe hamendeshin: ta linin të gjallë apo ta varrosnin për së gjalli, e megjithatë për melaiket thoshin se janë vajzat e Zotit. Allahu është i pa të meta, Ai nuk ndien nevojë për fëmijë, të metat janë të atyre që shpifin gënjeshtra.
I lavdëruar qoftë Zoti, që nuk ndërmerr menjëherë masa ndëshkuese kundër zullumqarëve, përndryshe nuk do të mbetej kush i gjallë mbi tokë, por derisa Ai është Fuqiplotë i Pavarur atë masë ndëshkuese e merr kur të dojë, prandaj ka caktuar afatin prej të cilit nuk mund të iket.
Punët e këqija ua ka paraqitur si të mira shejtani edhe popujve të tjerë, e Zoti e dërgoi Muhamedin a.s., që t’u sqarojë njerëzve çështjet për të cilat ziheshin mes vete dhe t’i kënaq e t’i mëshirojë ata që ndjekin rrugën e drejtë.
Allahu lëshoi prej qiellit ujë (shi) dhe me të ngjalli tokën pas vdekjes së saj. Në këtë është një argument i fortë për ata që dëgjojnë me vëmendje (e kuptojnë).
Ju edhe në kafshët keni mësim (përvojë). Ne nga një pjesë e asaj që kanë në barqet e tyre mes ushqimit të tyre dhe gjakut, ju japim të pini qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë.
Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije dehëse dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim, se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.
Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet, që ata (njerëzit) i ndërtojnë.
Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.
Allahu ju krijoi, pastaj Ai ua merr shpirtin. E ka prej jush, që shtyhet deri në jetën më të vjetër, ashtu që të mos dijë asgjë nga çka ka ditur. Allahu është i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi.
Allahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që iu është dhënë përparësia (në furnizim), nuk pranojnë që t’i furnizojnë ata që posedojnë (robërit e tyre), e që të gjithë ata në të (furnizim) të jenë të barabartë. (E si po e barazojnë Allahun me krijesat e Tij?!) A mos duan të mohojnë dhuntinë e Allahut?
Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja - fëmijë e nipa dhe ju furrnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e Allahut i mohojnë?
Dhe pos Allahut adhurojnë çka nuk janë në gjendje t’u sjellin asnjë furnizim, as nga qiejt, as nga toka dhe as që kanë mundësi?
Pra, mos i përshkruani Allahut shembuj! Allahu i di të gjitha e ju nuk dini.[189]
[189] Fuqia e pakufishme e Zotit, e cila do t’i ringjallë njerëzit pas Kijametit, mund të vërtetohet edhe përmes shembujve praktikë, siç është ngjallja e bimëve në tokë pas shiut. Madje edhe në përsosmërinë e krijimit të organeve të kafshëve, siç është rasti me qumështin, i cili formohet mes ushqimit të tretur në lukth dhe të gjakut, por ekziston një cipë e hollë mes tyre, saqë nuk lejon depërtimin e ngjyrës, as të shijes, e as të erës prej njërës në tjetrën. Kështu ka mundur ta krijojë vetëm urtësia e pakufishme e Zotit. Përmenden edhe llojet e pijeve e ushqimeve, që përfitohen prej hurmave dhe prej rrushit. Pijet vetëm përmenden, e për llojet e tjera të lëngjeve, që mund të përfitohen prej tyre thuhet se janë ushqim i mirë - “rizkan hasenen”. Edhe pse lëngu që e bën të dehur njeriun ende ishte i lejuar në fund të ajetit thuhet, se këto janë mësime për njerëzit që kanë mend, pra ata që janë të zotët e mendjes nuk duhej ta përdornin. Dhe derisa mendja është më e vlefshmja te njeriu, për hir të ruajtjes së saj nga dehja, Zoti e bëri haram.
Për mjeshtërinë e përsosur të Zotit Fuqiplotë na shërben edhe një insekt i vogël i dobët, bleta, e cila e pajisur me një instinkt të çuditshëm, di të ndërtojë shtëpitë gjashtëkëndëshe, të mbledhë nektarin e lloj-lloj lulesh e bimësh, e ta shndërojë në mjaltë, e cila jo vetëm që është ushqyese, por është edhe shëruese. Ai Zot që bëri mrekullira të llojllojta në gjallesat e tjera, bën edhe te njeriu. Ai ju shkakton vdekjen njerëzve në etapa të ndryshme të jetës së tyre, ndonjërit i jep jetë deri në pleqëri aq të thellë, saqë ai bëhet si fëmijë. Ndokujt i jep përparësi në jetën materiale, prandaj ka të pasur e të varfër, ka me pozitë të lartë, të tjerë të shtypur. Një lloj ndryshimi te njerëzit e hasim edhe në lëmitë e tjera, pse ka të zhvilluar fizikisht e të dobët, të bukur e jo të bukur, të mençur e të marrë, të sjellshëm e të pasjellshëm. Të gjitha këto janë dukuri e një urtësie, të cilën nuk mund ta kuptojë mendja e njeriut, nuk mund t’i zbulojë shkaqet reale të tyre, prandaj duhet ta njohim dhe ta besojmë Krijuesin e pashoq.
Pasi përmenden shumë fakte dhe shumë të mira të dhuruara prej Zotit iu bëhet vërejtje serioze atyre, që nuk vështrojnë faktet, përbuzin të mirat, adhurojnë idhujt e vdekur.
Allahu sjell shembuj: një rob që është pronë e tjetrit, e që nuk ka në dorë asgjë, dhe atë që ne e kemi furnizuar me një furnizim të mirë, ai jep nga ai (furnizim) fshehtas e haptas. A janë pra ata të dy të barabartë? Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk dinë.
Allahu sjell shembull: dy njerëz, njëri prej atyre të dyve është memec, që nuk ka aftësi për asgjë (as për vete as për të tjerët) dhe vetë ai është barrë për kujdestarin e tij, pse kudo që ta orientojë ai nuk sjell ndonjë dobi. A është ai i barabartë me atë që udhëzon për drejtësi, e edhe vetë është në rrugën e drejtë?
Vetëm Allahut i takon (ta dijë) fshehtësia e qiejve dhe e tokës! Çështja e Katastrofës (Kijametit) është (në shpejtësi) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.
Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje), që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.
A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç Allahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.
Allahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë dhe nga lëkurat e kafshëve ju mundësoi të keni shtëpi, që i bartni lehtë kur udhëtoni, e edhe kur vendoseni, ndërsa nga leshi dhe nga qimet e tyre, nga leshi i egër i tyre, petka e shtroja dhe t’i shfrytëzoni për një kohë.
Allahu nga ajo që krijoi Ai ju bëri edhe hije, e në kodra vendstrehime, edhe petka që ju mbrojnë prej të nxehtit dhe petka që ju mbrojnë në luftë. Ashtu Allahu plotëson të mirat e Tij ndaj jush, në mënyrë që të dorëzoheni (besoni).
Po nëse ata prapësohen (prej besimit), atëherë detyrimi yt është komunikimi i qartë.
Ata i njohin të mirat e Allahut, pastaj i injorojnë, e shumica e tyre janë jobesimtarë.
E ditën kur prej secilit popull sjellim dëshmitarin, atyre që nuk besuan nuk iu jepet leje për arsyetim, e as që kërkohet prej tyre (të arsyetohen).
Dhe kur do ta shohin dënimin ata që ishin zullumqarë, atëherë as nuk do t’iu lehtësohet, as nuk do t’iu jepet afat.
Ata që ishin idhujtarë kur do t’i shohin idhujt e vet (zotat) thonë: “O Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilët ne i patëm adhuruar pos Teje!” Ata (idhujt) ua kthejnë fjalën: “Ju jeni rrenacakë!”
Dhe ata (idhujtarët) i dorëzohen Allahut, e ajo çka ata e trillonin iu asgjësohet.
Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut iu shtojmë dënim mbi dënim, për shkak se bënin shkatërrime.
Dhe (përkujtoju njerëzve) atë ditë, kur për çdo popull do të sjellim dëshmitar kundër tyre, e ty të sjellim dëshmitar kundër atyre. Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.
Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.[190]
[190] Allahu sjell dy shembuj: shembulli i parë ka të bëjë me Madhërinë e Zotit, që gjithçka ka në gjithësi është pronë e Tij, furnizon kë të dojë, si të dojë dhe kur të dojë, ndërsa idhujt janë robër dhe vegël e dikujt tjetër, e që nuk kanë asgjë në kompetencë. E si mashtrohen disa dhe i adhurojnë ato statuja, që puna e tyre nuk është asgjë dhe lënë anash adhurimin e Zotit?
Shembulli i dytë është idhulli, që nuk ka mend, nuk flet, nuk ka gjuhë dhe nuk ka kurrfarë dobie prej tij, sa prej shurdhmemecit dhe ai që flet, urdhëron për drejtësi dhe vetë është në rrugën e ndritshme. A mund të jenë të barabartë besimtari i udhëzuar prej dritës së Zotit, me jobesimtarin, i cili duke adhuruar sende të kota ka mbetur në errësirë? Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat. Ai ka caktuar momentin e Kijametit, që vjen shpejt sa çel e mshel sytë. Ai e pajisi njeriun me shqisa e të menduar, e bëri të aftë që të mund ta pranojë shpalljen prej Tij, të mund t’i sigurojë vetes jetë materiale, morale e shpirtërore.
Madhëria e Zotit manifestohet edhe në përgatitjen e shpezëve, që ato të mund të qëndrojnë në ajër, në krijimin e kafshëve prej të cilave, përveç ushqimit, përfitojmë edhe petka për veshje e për shtroje, siç është leshi i deleve, fijet e qimeve të deveve dhe leshi më i egër i dhive.
Në Ditën e Gjykimit do të dëshmojë çdo pejgamber për popullin të cilit ai ka qenë dërguar, e Muhamedi a.s. do të dëshmojë së pari për arabët, të cilët e refuzuan, e mandej për të gjithë popujt, sepse është i vetmi pejgamber i dërguar për mbarë njerëzimin dhe për një kohë të pakufizuar deri në Kijamet. Kurani është sqarues për çdo send që i nevojitet njeriut në fe, në sjellje, në jetë etj., por shpjegimet e Kuranit janë shpjegime në mënyrë të përgjithshme, e shpjegimet e çështjeve në detaje janë obligim i Pejgamberit: “Ve ma atakumur resulu fehudhu...”, i ixhmait: “Ve jetetebië gajre sebilil muminin...”, i kijasit -analogjisë: “Fa’tebiru ja ulil ebsar...” Këto udhëzime të Kuranit vërtetojnë për katër institucionet e sheriatit, prandaj nuk mbetet vend për thëniet e disave, të cilët thanë se meqë Kurani është sqarues për çdo send, nuk ka nevojë për Sunet, për Ixhma dhe për Kijas.
Ajeti i nëntëdhjetë në këtë kaptinë është ajeti me përmbledhje më të gjerë në tërë Kuranin, përsa i përket etikës së nevojshme e të domosdoshme për njeriun, sepse urdhëron për çdo të mirë e ndalon nga çdo e keqe. Për arsye të domethënies së tij aq të gjerë dijetarët islamë e panë të nevojshëm leximin e tij para publikut për çdo ditë të xhuma në fund të hytbes.
Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.
Mos u bëni (në çështjet e betimit) si ajo (grua) që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort, e t’i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri. Allahu vetëm ju sprovon me këtë, e në Ditën e Gjykimit Ai gjithsesi do t’ua sqarojë atë gjë rreth së cilës kundërshtoheshit.
Sikur të dëshironte Allahu do t’ju bënte pjesëtarë të një feje të vetme (islame), por (sipas dijes së Vet) Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon tjetrin që do, e patjetër do të përgjigjeni për atë që vepruat.
Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush, e të rrëshqitni pas forcimit, e ta shijoni të keqen (e dredhisë), për shkak se penguat (të tjerët) nga rruga e Allahut, e ju do të keni dënim të madh.
Mos e shitni besën e dhënë Allahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni tek Allahu është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.
Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetshme. E Ne do t’ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.
Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.
Kur të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut prej djallit të mallkuar.
Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.
Mbizotërimi i tij është vetëm mbi ata që e përkrahin atë dhe mbi ata, që për shkak të tij u bënë idhujtarë.
Kur një ajet e zëvendësojmë me një tjetër - e Allahu di më së miri se çka shpall - ata thonë: “Ti (Muhamed) je vetëm trillues”. Jo, por shumica e tyre nuk dinë.[191]
[191] Betimet e dhëna dhe të përforcuara me emër të Allahut, nuk bën të thyhen. Disa nga fiset arabe pasi kishin lidhur besën me një fis tjetër, e thyenin atë besë kur gjenin rast të lidhnin besën me një fis tjetër më të madh e më të fortë, pra e thyenin besën e dhënë muslimanëve pse ishin më pak, kurse e lidhnin me të tjerët që ishin më shumë. Paska qenë një grua e marrë në Meke, e cila tjerrin që e kishte dredhur gjatë tërë ditës e prishte në mbrëmje. Zoti i krahason ata që e thyejnë besën me atë grua të marrë.
Të humbur mbesin ata që nuk duan t’i pranojnë mësimet e Kuranit. Muslimanëve iu tërhiqet vërejtja për pasojat e thyerjes së betimit, të cilat do të ndikojnë në ftohje ndaj Islamit, nëse muslimani është i tillë, që nuk e mban besën. Pra kjo është ajo rrëshqitja në gabim.
Besën e dhënë Allahut dhe të Dërguarit të Tij nuk duhet ndërruar për ndonjë fitim të kësaj bote, sepse të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë të përkohshme, kurse të mirat në botën tjetër janë të përjetshme. Vepra e mirë, e atij që është besimtar është garanci për një jetë të kënaqur edhe gjatë kësaj jete. Para Zotit shpërblehet njësoj vepra e mashkullit dhe e femrës.
Vesvesja e shejtanit është ndikuese në zemrat e njerëzve, prandaj për të qenë zemra e atij që do të lexojë Kuran e mbrojtur prej vesveses duhet të kërkojë mbrojtjen e Zotit, duke thënë: Eudhu bil lahi minesh-shejtanir raxhim. Zëvendësimi ose ndërrimi i ndonjë ajeti me një ajet tjetër është çështje, e cila i ka preokupuar shumë dijetarët islamë. Thuhet se zëvendësimi i një dispozite me një tjetër është sikurse ndërrimi i barit, i ilaçit gjatë mjekimit të ndonjë sëmundjeje. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se pati abrogim - nes-hun, në Kuran.
Thuaj: “Atë (Kuranin) e solli “Ruhul Kudus” - shpirti i shenjtë - plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar edhe më ata që besuan, dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për muslimanët.
Ne e dimë shumë mirë, se ata thonë: “Atë (Muhamedin) është duke e mësuar një njeri!” Mirëpo gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kuranit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë.
S’ka dyshim, se ata që nuk i besojnë ajetet (e Kuranit) e Allahut, ata nuk i drejton Allahu në rrugën e drejtë dhe ata kanë një dënim të dhembshëm.
Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata, që nuk i besojnë argumentet e Allahut; të tillët janë ata gënjeshtarët.
Ai që pas besimit të tij e mohon Allahun, me përjashtim të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij është e bindur plotësisht me besim, por fjala është për atë që ia hap gjoksin mosbesimit, ata i ka kapur hidhërimi nga Allahu dhe ata kanë një dënim të madh.
Këtë (dënim të madh), sepse ata më tepër e deshën jetën e kësaj bote, se sa jetën e botës tjetër, e Allahu nuk i udhëzon njerëzit jobesimtarë.
Të tillët janë ata, që Allahu ua mbylli zemrat, dëgjimin dhe pamjen e tyre dhe të tillët janë ata naivët.
Është e vërtetë, se ata në botën tjetër, mu ata janë të dështuarit.
Pastaj Zoti yt, atyre që pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s’kadyshim se Zoti yt atyre do t’ua falë dhe do t’i mëshirojë (Ai është që fal, është Mëshirues i madh).[192]
[192] Për shkak të zëvendësimit të ndonjë ajeti me ndonjë tjetër, jobesimtarët shfrytëzuan rastin dhe i thanë Muhamedit a.s., se është duke i trilluar këto thënie, sepse nuk janë shpallje e Zotit. Për t’iu kundërvënë thënies së tyre Kurani vërteton, se këtë e sjell të sigurt e të ruajtur nga Zoti i Madhëruar, engjëlli më i madh, Xhibrili.
Rreth njeriut për të cilin supozonin idhujtarët, se është duke e mësuar Muhamedin a.s. ka shumë variante. Thoshin për një farë Xhibrilin një rob që kishte qenë i krishterë, e kishte pranuar islamizmin, megjithatë ai ishte analfabet dhe nuk ishte arab. Thoshin për njëfarë Ajishin, për një farë Bel’amin, për një farë Adasin, për Selman Farisiun etj. Të gjithë këta të përmendur nuk ishin arabë, madje nuk e dinin shkrim-leximin. Selmani madje nuk kishte qenë fare në Meke. Këto, pra, ishin shpifje e me qëllim zhvlerësimin e Kuranit, gjoja se nuk është i shpallur prej Zotit.
Të mbeturit në humbje janë ata, që nuk deshën ta pranojnë udhëzimin e Zotit të shpallur në Kuran, e pas këtij udhëzimi Allahu nuk i udhëzon më. Tradhtarët, murtedët janë njerëzit më të urrejtur, por nuk ka raste që besimtari musliman ta ndërrojë fenë, edhe pas shumë mundimeve të rënda. Kështu vepruan Sumeja dhe bashkëshorti i saj Jasiri, dëshmorët e parë të Fesë Islame. U torturuan, u munduan dhe më në fund edhe u vranë për hir të fesë. Djalin e tyre e zunë idhujtarët mekas dhe e munduan në mënyra të ndryshme deri sa ai prej mundimeve të padurueshme pohoi me gojë mosbesimin. Njerëzit dëgjuan dhe filluan të flasin, se Amari e ndërroi fenë, dëgjoi edhe Pejgamberi a.s., por tha: "Amari është plot iman prej majës së kresë e deri në këmbë, imani i tij i është bashkuar me mish e me gjak". Amari erdhi te Pejgamberi a.s. duke qarë, i tregoi rastin, e Pejgamberi a.s. e pyeti: "Si e kishe zemrën?" Ai tha: "Plot iman". Pejgamberi i tha: "Shko, nëse të ndodh, ti prapë vepro ashtu...” Ky ajet ka zbritur rreth Amarit.
(Përkujto) Ditën që vjen kur çdo njeri do të përpiqet për vetveten dhe çdo njeriu do t’i plotësohet ajo që e meriton, e nuk u bëhet padrejtësi.
Allahu sjell si shembull një fshat (vendbanim), që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Allahu, për shkak të sjelljes së tyre ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës.
Atyre u patardhuri dërguari nga mesi i tyre,e ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i kapi dënimi, se ishin zullumqarë.
E ju (besimtarë), hani pra nga të mirat që ua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e Allahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Tij.
Ai ua ndaloi juve vetëm të ngordhurën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të Allahut. E kush detyrohet (t’i hajë), duke mos qenë dhunues dhe duke mos e tepruar (në ngrënie), Allahu fal dhe është Mëshirues i madh.
Mos i thuani asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall, e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim.
Kanë një përjetim të vogël (në këtë jetë), e do të kenë dënim të padurueshëm.
E atyre që ishin jehudi (çifutë) u patëm ndaluar atë që të kemi treguar më parë, po Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata i patën bërë vetes padrejtësi.
Pastaj Zoti yt për ata që nga mosdija bënë punë të këqija, e pastaj u penduan dhe bënë mirë, s’ka dyshim se Zoti yt është Shumë falës dhe Mëshirues i madh.[193]
[193] Në Ditën e Gjykimit çdo njeri do të jetë i angazhuar vetëm me çështjen e vet, e nuk i bie ndërmend për askënd tjetër. Nëse njerëzit nuk ua dinë vlerën të mirave që ua ka dhuruar Allahu, por i keqpërdorin, i përbuzin, ata do të mbeten pa to, do t’u shndërrohet gjendja e mirë në të keqe, siç ka ngjarë me popullin e atij vendi për të cilin na tregon ajeti. Allahu caktoi ushqimet e lejuara dhe ato të ndaluara, prandaj nuk ka nevojë të përdoren të ndaluarat kur janë të lejuarat. Allahu ua fal mëkatin atyre, që nga ndonjë arsye e drejtë detyrohen të hanë atë të ndaluarën sa për të shpëtuar jetën, por nuk ua fal mëkatin atyre, që nga vetvetja shpallin ndonjë ushqim të lejuar ose të ndaluar dhe ia mveshin gjoja se është prej Zotit.
“Ma uhil-le li gajril-lahi” ka si qëllim publikimin e therjes së ndonjë kafshe për diçka tjetër, e jo për Allahun. Shpirti i gjallesës nuk bën të flijohet për ndonjë tjetër, pos për Krijuesin e atij shpirti, për Zotin. Ky ajet është paraqitur në katër vende në Kuran.
Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.
(ishte) Falënderues për të mirat e Tij. Ai (Allahu) e zgjodhi atë (për pejgamber) dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë.
Atë Ne e pajisëm me të mira në këtë botë, e në botën tjetër ai është me më të mirët.
Pastaj ty të shpallëm: “Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit, se ai nuk ka qenë nga idhujtarët (as jehudi, as i krishterë).
E shtuna (festimi ose belaja e saj) iu është përcaktuar vetëm atyre, që u kundërshtuan rreth saj. E Zoti yt do të gjykojë mes tyre në Ditën e Gjykimit për atë që ata kundërshtoheshin.
Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai, që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.
Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë.
Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Ti mos u pikëllo për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata!
S’ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave), dhe me ata që janë bamirës.[194]
[194] Ibrahimi ishte një “ummet,, - një popull; sepse të gjitha virtytet e mira e të dobishme ishin të grumbulluara tek ai; sepse në atë kohë nuk pati besimtarë të drejtë pos tij, prandaj ai përfaqësonte një popull me besim të drejtë, siç ka thënë Pejgamberi a.s. për Zejd bin Amir bin Noufel: “Allahu do ta ringjallë vetëm atë, një popull”; pse vetëm ai ishte larguar prej injorantëve, ngaqë ishte dijetari dhe mësuesi më i madh i fesë së drejtë. Belaja e të shtunës ndodhi në kohën e Davudit, kur të padëgjueshmit i shndërroi Zoti në majmunë.
Festa e së shtunës nuk ishte ndonjë kremte fetare, por u përcaktua si masë ndëshkuese kundër jehudive, që kundërshtoheshin rreth çështjeve fetare, prandaj u ndaluan të gjuajnë peshq të shtunën.
Urdhri i Zotit drejtuar Muhamedit a.s., e përmes tij edhe të gjithë besimtarëve, që t’i thërrasë njerëzit në fe me urtësi, mençuri, me butësi dhe të zhvillojë dialog me kundërshtarët në mënyrën më të mirë, me argumente të qarta e me fjalë të buta është argumenti më i fortë, se Feja Islame nuk e ka për parim dhunën, siç përpiqen disa injorantë edhe tendenciozë t’ia shpifin atë. Hakmarrja e përmendur në këtë ajet, sipas mendimit të komentatorëve të Kuranit ka pasur të bëjë rreth hakmarrjes për dëshmorin më të madh, rreth Hamzës. Pejgamberi a.s. ka qenë shumë i prekur për masakrimin që i bënë kufomës së Hamzës, ndoshta i shkoi mendja të hakmerret shumëfish, por Zoti e orientoi, duke i thënë: Nuk bën të kalohet masa, edhe më mirë është të falet fajtori. Me ndihmën e Zotit xh. sh., përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “En Nahlu”. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!
17. SURETUL-ISRA’Ë
E zbritur në Meke, pas sures El Kasas, ajete: 111
Edhe kjo kaptinë është e shpallur në Meke, prandaj edhe tematika e saj, sikurse edhe e kaptinave të tjera të shpallura në Meke përqendrohet në bazat themelore të besimit, por si element më i pranishëm në këtë kaptinë është personaliteti i Muhamedit a.s. dhe mrekullitë, të cilat dokumentojnë për vërtetësinë e gradës së tij Pejgamber.
Parashtron mrekullinë e Israsë - udhëtimit të Muhamedit a.s., me ndihmën e Zotit prej Mekes në Jerusalem dhe kjo brenda një pjese të kohës së natës. Në këtë mrekulli manifestohet nderimi i Madhërisë ndaj vulës së të dërguarve dhe fuqia e pakufishme e Tij në shfaqjen e çudirave të jashtëzakonshme.
Bëhet fjalë për Beni Israilët dhe për fatin e tyre, se si për shkak të qëndrimeve të tyre arrogante iu vjen puna të shkatërrohen me themel.
Përmenden disa dukuri të kësaj ekzistence, të cilat duke iu përmbajtur në mënyrë precize detyrës së vet argumentojnë për Madhërinë e Krijuesit, Zotit një.
Në këtë kaptinë janë theksuar edhe disa virtyte të moralit të lartë njerëzor, të cilat duhen kultivuar dhe me të cilat duhet të stolisë çdo njeri veten, siç janë: sjellja ndaj prindërve, ndaj të afërmve etj.
Vihen në pah edhe iluzionet e idhujtarëve, të cilët i urrenin vetë vajzat e tyre që ju lindnin, e në anën tjetër i përshkruanin Zotit fëmijë, sidomos vajza.
Bëhet fjalë edhe rreth dialogut për ringjalljen, për tubimin dhe prezantimin para Gjykatësit Suprem, për shpërblim apo ndëshkim.
Pasi flitet për Kuranin Famëmadh si mrekulli e përjetshme e Muhamedit a.s., përmenden edhe kërkesat dhe propozimet e jobesimtarëve për ndonjë mrekulli tjetër pos Kuranit, si burime lumenjsh, shndërrimin e tokës së Mekes në kopshte, vreshta etj. Muhamedi a.s. gjithnjë iu përgjigjet, duke ju thënë se unë jam njeri, i dërguar prej Zotit, e nuk janë në duart e mia mrekullitë, ato i krijon Zoti e jo unë. Kaptina përfundon me ajetin, që dokumenton për Zotin një, të pafëmijë dhe të pashoq, të panevojshëm për asgjë, e Fuqiplotë dhe të Pavarur.
Kjo kaptinë madhështore quhet:”EI-Israu” për mrekullinë e jashtëzakonshme, me të cilën Zoti e dalloi Muhamedin a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Pa të meta është Lartmadhëria e Atij, që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukades), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi dhe Vështruesi i çdo gjëje.
Edhe Musait Ne i kemi dhënë librin dhe atë (librin) e bëmë udhërrëfyes për Beni Israilët, që të mos marrin përveç Meje, ndonjë që ia besojnë çështjet.
Pasardhës të atyre që i bartëm (i shpëtuam) së bashku me Nuhun (bëhuni mirënjohës!). Vërtet ai ishte rob shumë falënderues.
Ne iu kumtuam në libër Beni Israilëve: “Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh”.
Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëzit Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër (sulmues) dhe ata hulumtuan (rreth e përqark) përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë.
Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti.
Nëse bëni mirë, bëni për veten, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes. E kur vjen koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë), që t'ju shëmtojnë fytyrat tuaja, që të hyjnë në xhaminë (Aksa) sikurse hynë herën e parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë.
Zoti juaj do t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), e nëse ju i ktheheni (të keqes), kthehemi (me ndëshkim) edhe Ne. E xhehenemin e kemi bërë burg për jobesimtarët.[195]
[195] “Israë” i thuhet udhëtimit natën. Këtë udhëtim Muhamedi a.s. nuk thotë se unë e bëra, por thotë Zoti: E bëra të udhëtojë robi Im në një pjesë të natës prej Mekes në Jerusalem. Me fjalën robi Im, ka si qëllim Muhamedin a.s. Ky udhëtim ishte me trup e me shpirt, zgjuar e jo fjetur, pse sikur të ishte vetëm me shpirt, nuk do të mund të thuhej: Me robin Tim, pse rob - njeri nuk mund të quhet vetëm shpirti pa trup. Ai udhëtim ka ngjarë një vit e më tepër para Hixhretit, në muajin Rexheb. Mesxhidi Haram, sikurse është e ditur i thuhet Qabes, e Mesxhidi Aksa xhamisë së shenjtë në Jerusalem. Xhaminë e shenjtë në atë vend, që ishte qendër e pejgamberëve prej Ibrahimit e këndej, e pat filluar Davudi, por e përfundoi i biri i tij, Sulejmani. Aty ka pasur faltore edhe në kohën e Ibrahimit, të Is-hakut e me radhë, prandaj thuhet se ndërtimi i parë i saj është bërë nja dyzet vjet pas Qabes. Rrethina e saj është me shumë begati materiale dhe shpirtërore. Qëllimi i atij udhëtimi kishte rëndësi të shumëfishtë; Allahu e di më së miri, por kishte si qëllim edhe përforcimin e vullnetit të Muhamedit
a.s. në zbatimin e detyrës së rëndë, e ndoshta kishte si qëllim edhe pastrimin e radhëve të muslimanëve nga ata, që ishin të luhatshëm në besim, pse para vetes kishin një detyrë shumë të rëndë e të vështirë, kishin hixhretin dhe formimin e bashkësisë së parë islame në Medinë. Kjo detyrë kërkonte njerëz të sinqertë, të guximshëm dhe të paluhatshëm. Çështja e Israut nxori nga radhët të gjithë ata që ishin të dobët, të cilët nuk mund ta kuptonin fuqinë e Zotit, që brenda një pjese të natës Muhamedi a.s. ta kalojë atë rrugë aq të gjatë. Nuk mundën ta kuptojnë, se kalimi i një largësie shumë shpejt, ose shumë ngadalë, varet prej aftësisë së atij me çka udhëton. Edhe tashti nuk është i njëjtë kalimi i largësive të mëdha, pse këmbësori e kalon shumë më ngadalë se kalorësi, e ai me veturë edhe më shpejt, mandej edhe më shpejt me aeroplan, me satelit etj. E kur është fjala e mjetit të Zotit me të cilin e nisi robin e vet, atëherë nuk mund të jetë në pyetje çështje e distancës.
Për çudirat, të cilat i pa atë natë Muhamedi a.s., flasin shumë hadithe të besueshme. Përmendet Musai dhe libri i tij Tevrati, sepse edhe ai e përjetoi në mënyrë madhështore pranimin e Tij, dhe me këtë rast Zoti i foli drejtpërsëdrejti, prandaj edhe quhet: “kelimull-llah”.
Njerëzit e kanë zanafillën e dytë pas Nuhut, prandaj pasardhës të Nuhut janë të gjithë njerëzit dhe kjo thirrje që të jenë mirënjohës, sikurse ishte Nuhu iu drejtohet të gjithë njerëzve.
Zoti para se t’i bëjë me dije, se është e njëjtë e tashmja, e kaluara dhe e ardhmja i njoftoi Beni Israilët për shkatërrimet që do të bëjnë dhe për vuajtjet që do t'i përjetojnë prej kundërshtarit. Ashtu edhe ju ngjau. Ka mendime se ata i pret edhe një shkatërrim i plotë.
Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë, që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon, se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.
Ndërkaq për ata, që nuk e besojnë botën tjetër, Ne kemi përgatitur një dënim të rëndë.
Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.
Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme, që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme.
Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin - për veprimin) e tij, e në Ditën e Gjykimit Ne do t’ia prezantojmë atij libër të hapur:
“Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”.
Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm veten e vet, e kush e humb (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetes së vet, e askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin.
Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e tyre (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht.
Sa e sa gjenerata i kemi shkatërruar pas Nuhut. Mjaft është Zoti yt i Njohur thellësisht dhe Vështrues i mëkateve të robërve të Tij.
Kush është që ka si qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atij ia bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur.
E kush e ka si qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti).
Ne secilit, atyre dhe atyre i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar.
Shiko se si Ne i kemi dalluar disa prej të tjerëve, po dallimi në botën tjetër është më i madh, dhe është përparësi më e madhe.
E mos shoqëro me Allahun ndonjë të adhuruar tjetër, e të bëhesh i qortuar, i papërkrahur.[196]
[196] Kurani është i vetmi udhëzim për rrugën më të drejtë e më të sigurt dhe rrëfyes për shpërblimet e ndëshkimet, që do të pasojnë në bazë të veprave të bëra. Njeriu në përgjithësi është i ngutshëm, dhe duke mos menduar për pasojat, ndodh që të lutet për keq për veten apo për ndonjë tjetër të afërt e të dashur, por Zoti i Madhëruar nga mëshira e Tij, nuk ia pranon lutjen për keq, duke e ditur se pas pak kohe do të pendohet pse është ngutur.
Vetëm mjeshtëria e përsosur e Zotit ka ditur ta errësojë natën për pushimin e njerëzve, e ta ndriçojë ditën për angazhimin e tyre për jetesë. Jeta e njeriut i përngjan fluturakes në relacion prej pikënisjes e deri në aterim. Gjatë atij relacioni shënohet gjithçka dhe ai shënim më vonë lexohet. Ashtu gjatë tërë jetës së njeriut mbahet shënimi i veprave, që në Ditën e Gjykimit t’i lexojë ai vetë.
Çdo njeri është përgjegjës i punës së vet, askush nuk do të shpërblehet prej punës së tjetrit, e as nuk do të ndëshkohet. Nëse dikush ka qenë iniciator i ndonjë pune e tradite të mirë, ai do të shpërblehet edhe prej punës se atyre që e punojnë atë, por në realitet ajo është punë edhe e iniciatorit, e kështu është edhe me iniciatorin e së keqes.
Zakonisht pasanikët, paria, njerëzit me pozitë janë ata që shkelin normat e Zotit, sepse e ndiejnë veten më të pavarur, prandaj afër tyre i zë sherri edhe të tjerët, kur është fjala për këtë botë.
Të dhënat e Zotit nuk janë të kufizuara për palë njerëzish, ato janë të dedikuara për të gjithë njësoj, por duhet pasur kujdes në përgatitjet për botën tjetër, për jetën e pasosur, pse të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme janë kalimtare, e nuk bën të humbet e përjetshmja për të përkohshmen. Edhe në këtë botë ekzistojnë dallime, dikush i pasur tjetri i varfër, dikush i dijshëm e tjetri jo aq. Kjo është një fshehtësi, të cilën nuk mund ta zbulojnë mendjet.
Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).
Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”.
Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai ua fal atyre që pendohen.
Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe udhëtarit, po mos shpenzo tepër e pa rrugë.
Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.
Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën, të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t'i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).
Dhe mos e bëj dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bëj koprrac), e as mos e shtrij në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepërt).
S’ka dyshim, se Zoti yt është Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai është i Njohur hollësisht për robërit e vet dhe Vështrues i tyre.
Ju mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e vrasja e tyre është mëkat i madh.
Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.
Dhe mos e vrisni njeriun, që Allahu e ka ndaluar (vrasjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush vritet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos e kalojë kufirin në vrasje përderisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).
Mos iu afroni pasurisë së jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet. Premtimin zbatojeni, pse për premtimin ka përgjegjësi.
Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshore të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë.
Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.
Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti, as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.
E keqja e të gjitha këtyre është e urrejtur te Zoti yt.
Këto janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty. Mos shoqëro me Allahun ndonjë të adhuruar tjetër e të hidhesh në xhehenem i qortuar dhe i larguar.[197]
[197] Pesha e rëndësisë së respektit ndaj prindërve vërehet në atë, se Zoti xh. sh. ka kërkuar menjëherë pas adhurimit ndaj Tij, respektimin ndaj prindërve. Kujdesi ndaj tyre kërkohet sidomos kur ata përjetojnë pleqërinë dhe bëhen të paaftë. Nuk lejohet kurrsesi ndonjë fjalë e rëndë që i prek ata, e veçanërisht kur ajo ka si qëllim hidhërimin e tyre. Kërkohet kujdes edhe ndaj të afërmve, të varfërve dhe ndonjë të mbeturi në rrugë, e nëse nuk ka njeriu me çka t’iu ndihmojë atyre, atëherë ata duhen përcjellë me fjalë të mira.
Shpenzimet e panevojshme janë të ndaluara, e posaçërisht ato të kota, që nuk i sjellin dobi askujt, ose ato në rrugë të këqija, sepse me ato shpenzime ndihmohet rruga e shejtanit.
Njeriu nuk duhet të jetë koprrac, por jo edhe tepër shpenzues. Thuhet se një grua e dërgon vajzën e vet të kërkojë nga Pejgamberi a.s. herkën - xhyben e tij, e derisa atë nuk e pati i dha këmishën e vet, por mbeti ulur në shtëpi dhe nuk mundi të dalë për namaz në xhami. Ky ishte shkaku i shpalljes së këtij ajeti. Nga frika se do të varfërohen, që do të thotë se ende nuk i kishte kapur varfëria, disa xhahila arabë i vrisnin vajzat e posalindura.
Furnizimi (rrizku) është i garantuar prej Zotit, Ai sipas dijes së Vet u jep njerëzve aq sa duhet. Zinaja - kurvëria është ves i ndyrë dhe shtazarak, dhe me pasoja të mëdha. Kujdestari, trashëgimtari i të vrarit pa faj ka të drejtë të kërkojë përmes drejtësisë hakmarrjen: të vritet fajtori, të paguajë gjakun ose t’ia falë. Këtë të drejtë ia ka dhënë Zoti, prandaj ai nuk ka të drejtë të tejkalojë kufijtë e drejtësisë. Ndaj pasurisë së jetimit duhet pasur kujdes, duhet ruajtur ajo dhe brenda mundësive edhe duhet shtuar.
Tregtarët kanë përgjegjësi të madhe nëse bëjnë hile në matjen dhe në peshimin e sendeve.
Mos thuaj e pashë, pa e parë mirë, e dëgjova ose di pa e ditur mirë, pse për gjithë këtë ke përgjegjësi para Zotit.
Mendjemadhësia është e urrejtur edhe prej njerëzve edhe prej Zotit.
A mos iu dalloi Zoti juaj me djem, e për vete zgjodhi melaike, që ju i mendoni femra? Vërtet, ju jeni duke thënë fjalë të mëdha (të rënda).
Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme (argumentet) në këtë Kuran, në mënyrë që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk iu shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta).
Thuaj: “Sikur të kishte të adhuruar të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj Zotëruesit të Arshit (për t’ia marrë pushtetin)”.
I pa të meta është Ai, Lartësia e Tij është e madhe nga ajo që thonë ata.
Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbih), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i Butë dhe Shumëfalës.
Kur ti e lexon Kuranin në mes teje dhe atyre, që nuk e besojnë botën tjetër Ne vëmë një perde të padukshme.
Ndërkaq në zemrat e tyre vëmë një mbulesë dhe shurdhim të thellë të veshëve të tyre, që nuk mund ta kuptojnë atë. E kur e përmend ti në Kuran Zotin tënd, vetëm Atë, ata ikin prapa dhe largohen.
Ne e dimë më së miri përse ata e dëgjojnë atë (Kuranin), kur vijnë të dëgjojnë ty, dhe kur ata bisedojnë fshehtazi, dhe kur ata zullumqarë thonë: “Ju nuk jeni duke pasuar tjetër, përveç një njeri të magjepsur!”
Shih se si të mveshin ty epitete (i çmendur, poet, i magjepsur), prandaj ata kanë humbur dhe nuk mund ta gjejnë rrugën (e vërtetë).[198]
[198] Idhujtarët i urrenin për vete vajzat, e engjëjt që sipas mendimit të tyre ishin femra ia përshkruanin Zotit bija. Edhe pse Kurani iu solli atyre shembuj të llojllojshëm për mëvetësinë e Zotit, ata zota do t’ia merrnin pushtetin Atij, por ata nuk ishin asgjë. Nuk ka qenie as send që nuk e adhuron Zotin, që nuk ia njeh Madhërinë e Tij, që nuk vërteton mëvetësinë e Tij, por derisa ato adhurime nuk janë në gjuhën e njerëzve, ata nuk i kuptojnë. Zotin e madhërojnë: qiejt me kaltërsinë e tyre, bimët me gjelbërimin e tyre, uji me gurgullimin e tij, shpezët me këngën e tyre, dielli me lindjen e me perëndimin e tij, retë me shiun e tyre, të gjitha këto shprehin madhërinë, fuqinë, urtësinë e Tij. Kundërshtarët shkonin dhe e dëgjonin Muhamedin a.s., kur ai lexonte Kuran, por me qëllim të keq, sepse përpiqeshin ta përqeshnin më vonë dhe të bënin tallje me të, e kur përmendej në Kuran se vetëm një Zot është e nuk ka tjetër, kur mohoheshin rrënjësisht zotat e tyre, ata nuk mund të duronin, prandaj sa mundnin iknin larg e më larg, si dreqi që ikën prej ezanit. Ku ta dimë, iu kishte hyrë në gjak mohimi, prandaj as zemrat e tyre nuk kuptonin, e as veshët e tyre nuk dëgjonin, përkundrazi ata përpiqeshin ta diskualifikonin Muhamedin a.s. duke i thënë: sa i çmendur, sa poet, sa i magjepsur etj., por Zoti i dinte më së miri intrigat e tyre, kurse Muhamedin a.s. e forconte.
Ata thanë: “A pasi të bëhemi eshtra të kalbur, dhe e pluhur, a mos do të bëhemi krijesë e re e ringjallur?”
Thuaj: “Edhe nëse të jeni gurë a hekur,
ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe (Allahu do t’ju ringjallë)”. Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë neve në jetë?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë!” E ata do t’i tundin kokat e tyre nga ti e do të thonë: “Kur është ajo (ringjallja)?” Thuaj: “Ajo gjithsesi është afër!”
(ringjallja është) Atë ditë kur Ai ju thërret, kurse ju i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar Atë, e ju duket se nuk qëndruat (në Dunja) vetëm pak kohë.
E ti robërve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”.
Zoti i juaj e di më së miri gjendjen tuaj, nëse Ai do ju mëshiron, dhe nëse Ai do ju dënon, e ty (Muhamed) nuk të kemi dërguar roje të tyre (nuk ta besuam ty punën e tyre e t’i fusësh me dhunë në besim).
Zoti yt e di më së miri gjendjen e atij, që është në qiej e tokë. Ne kemi dalluar disa pejgamberë nga të tjerët, prandaj Davudit i kemi dhënë Zeburin (shënime).
Thuaj: “Ftoni ata, të cilët i menduat (zota) pos Atij, e ata nuk mund ta heqin prej jush mjerimin, as nuk mund ta mënjanojnë”.
Të tillët që këta po lusin (pos Zotit), vetë ata kërkojnë afrimin (te Zoti i vërtetë), shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij. Vërtet, dënimit të Zotit tënd është për t’iu ruajtur.
Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve), e që Ne nuk do ta shkatërrojmë, ose ndëshkojmë atë me një dënim të ashpër para Ditës së Kijametit. Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh).
Neve nuk na pengoi asgjë, që t'u sjellim argumente (mrekulli), pos asaj që ata të parët i përgënjeshtruan ato. Ne i dhamë Themudit deven (mrekulli) konkrete, e ata e mohuan atë. E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë) Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.
Përkujto, kur Ne të thamë: “Zoti yt ka përfshirë (me dijen e Vet) të gjithë njerëzit (e di që këta nuk besojnë, edhe nëse ju sjell mrekulli). E atë pamjen tënde që ta treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur në Kuran), nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz. Ne i frikësojmë ata (idhujtarët), po nuk iu shton ai tjetër vetëm se rebelim të madh.[199]
[199] Idhujtarëve iu dukej e pamundur ringjallja, nuk donin të vërtetonin, sepse do të duhej të përgjigjeshin për veprat e tyre të ndytra, prandaj sikur habiteshin nga thëniet e Kuranit për një ngjarje të tillë. Kurani iu thotë: do të ringjalleni dhe do t'i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t'iu prezantuar Atij dhe atëherë do ta madhëroni Atë dhe do të kuptoni, se kjo jetë ka qenë shumë e shkurtër, por është vonë. Besimtarët porositen të kenë kujdes për fjalën që thonë, pse nëpërmjet fjalës së keqe shejtani nxit armiqësi mes njerëzve, pra duhet ta ruajnë afërsinë mes vetes.
Zoti e di më së miri se kush do të besojë e kush jo, e di se kë është dashur ta dërgojë pejgamber, cilin ta gradojë më shumë. Këto janë punë të Zotit, prandaj Muhamedi a.s. është vetëm udhëzues, e nuk është në kompetencën e tij t’i bëjë njerëzit të besojnë. Përmendet Davudi, ngaqë jehuditë patën thënë, se nuk ka, as pejgamber pas Musait, as libër pas Tevratit.
Dikush adhuronte engjëjt, dikush Uzejrin, e dikush Isain, e nuk e dinin se vetë këta të adhuruar të përmendur ishin përpjekur të gjejnë rrugën më të mirë në lutjet e tyre për t’iu afruar sa më afër Zotit Krijues, përpiqeshin ta fitojnë mëshirën e Zotit dhe gjithnjë ia kishin frikën dënimit të Tij.
Jobesimtarët kërkonin mrekulli konkrete prej Muhamedit a.s., e Zoti iu thotë: “Ne nuk na pengon asgjë, që të sjellim ty mrekulli, por nëse mrekullia nuk respektohet, atëherë pason dënimi dhe shkatërrimi, sikurse i shkatërruam popujt e mëparshëm, e edhe ata Themud, popullin e Salihut, e popullin tënd, Muhamed, nuk do ta shkatërrojë me fenomene të natyrës. Ata që nuk do të besojnë ty do të pësojnë disfatë prej besimtarëve të tu, ose do të mbeten të dënohen me zjarr në botën tjetër.
Zoti me dijen e Vet të pakufishme e di se kush do të besojë e kush jo, edhe sikur t’iu sillte mrekullitë që i kërkuan. Disa prej tyre nuk besuan Miraxhin, e kur iu tha Muhamedi a.s., se në xhehenem është një pemë që quhet “Zekkum”, Ebu Xhehli u tall dhe i tha kurejshitëve: Muhamedi po ju frikëson me pemën Zekum, a dini çka është Zekumi? Është hurma dhe ulliri, pastaj e thirri shërbëtoren t’ju sillte dhe të ushqehen me to në shenjë talljeje. Kjo pemë e mallkuar është e përmendur në Kuran, si ushqim i atyre që do të jenë në xhehenem, e që do t’iu copëtojë mushkëritë ngrënia e saj. E ja, nuk besuan mrekullitë e Pejgamberit a.s., pse shejtani gjithnjë i ka mashtruar njerëzit, ngaqë është betuar se është armik i tyre.
Përkujto kur Ne iu thamë engjëjve: “Bëni sexhde Ademit!” (në shenjë përshëndetjeje) e ata i bënë, me përjashtim të Iblisit. Ai tha: “A t’i bëj sexhde atij, që e krijove nga balta?"
(Mandej vazhdoi e) Tha: “A e sheh (i tha Zotit) këtë që Ti e vlerësove mbi mua, nëse më lë të jetoj deri në Ditën e Kijametit unë gjithsesi do t’i shfaros pasardhësit e tij, me përjashtim të një pakice”.
(Zoti) Tha: “Shko, e kush prej tyre vjen pas teje shpërblimi juaj është xhehenemi, shpërblim i plotë”.
Dhe me atë alarmin e zërit tënd mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët e tu thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk iu premton tjetër, përveç se mashtrim.
Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme (për ata).
Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet, Ai është shumë Mëshirues ndaj jush.
E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, iu mbetet vetëm Ai (Allahu), mirëpo pasi Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.
A mos jeni të siguruar, që nuk do t’iu shafitë në tokë, ose nuk do t’ju lëshojë ndonjë shtrëngatë e ju nuk do të keni mbrojtës.
A mos jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë një herë tjetër në det, e t’ju lëshojë ndonjë furtunë të erës, e për shkak të mosbesimit tuaj t’ju fundosë, e pastaj nuk do të gjeni kush do të hakmerrej kundër nesh për ju.[200]
[200] Armiqësia e shejtanit kundër njerëzve është e pranishme prej Ademit, kur bëri kryelartësi dhe për atë shkak u përjashtua prej mëshirës së Zotit, por u betua se do të përpiqet t’u hakmirret njerëzve sa të ekzistojë jeta. Zoti xh. sh. i dha leje të veprojë, duke i thënë se robërit e sinqertë ndaj Meje, besimtarët e denjë i mbroj Unë, e ti nuk ke fuqi t’i mashtrosh. Shoqërimi i tij në pasuritë e njerëzve është tek ata, që pasurinë e tyre e fitojnë në mënyrë të palejueshme, haram, ose e shpenzojnë pa vend. E përzierja e tij në fëmijë manifestohet te fëmijët pa kurorë, te imoraliteti.
Është karakteristike, se njerëzit shkojnë pas mësimeve të dreqit, madhërojnë e adhurojnë çka nuk duhet, por kur e vërejnë rrezikun se do të shkatërrohen, si kur i kapin valët e detit, ata i harrojnë të gjitha ato mësime dhe adhurime të gabuara e i drejtohen Zotit të Madhëruar, sepse e dinë se vetëm Ai mund t'i shpëtojë në ato raste, por sa të çlirohen e vazhdojnë mbrapështinë e tyre, e nuk mendojnë se Zoti i ka në dorë dhe kur të dojë i shkatërron.
Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), iu mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave, që Ne i krijuam.
(Përkujto) Ditën kur do të thërrasim çdo njeri me prijësin (librin, pejgamberin, shënimet e veprave) e tyre. E atij që i jepet libri i tij nga e djathta e tij, të tillët i lexojnë shënimet e tyre (të mira), dhe nuk iu bëhet e padrejtë asnjë fije.
E kush ka qenë i verbër në këtë (botë) ai do të jetë edhe në botën tjetër i verbër dhe më i humburi i rrugës së drejtë.
Në të vërtetë ata (idhujtarët) gati arritën të të sprovojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, e të trillosh tjetër nga çka të shpallëm, e atëherë do të zinin ty mik.
Dhe sikur Ne të mos të kishim forcuar ty, ti gati anove diçka pak tek ata.
E atëherë Ne do ta shijonim mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër, e pastaj ti nuk do të gjeje mbrojtës kundër Nesh.
Ata gati të shqetësuan në tokë (në Meke) për të përzënë prej saj, po atëherë edhe ata nuk do të mbeteshin pas teje (pas pak kohe do të shkatërroheshin).
Ky është ligji i Tij edhe me të dërguarit që i dërgoi para teje. E në ligjin Tonë ti nuk gjen ndryshim.
Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e dëshmuar.
Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kuranin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.
Dhe thuaj: “Zoti im, më shpjer në një vend të mirë dhe më nxirr në mënyrë të ndershme dhe nga ana Jote më dhuro fuqi ndihmuese”.
Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.
Ne të shpallim Kuranin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk iu shton tjetër përpos dëshpërim.
E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e kur e godet e keqja, ai humb shpresën.
Thuaj: “Secili vepron sipas rrugës së vet, e Zoti juaj e di më së miri për atë që është në rrugë më të drejtë”.
Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”.[201]
[201] Njeriun e dalloi Zoti me të menduar prej gjallesave të tjera, e kur ai e gjeti edhe rrugën e drejtë u bë më i lavdishëm se krijesat e tjera. Për prijësin, sipas së cilit do të thirren njerëzit në Ditën e Gjykimit interpretuesit e Kuranit kanë dhënë mendime: do të thirren sipas pejgamberit të vet, do të thirren sipas librit - shpalljes, do të thirren sipas prijësit të tyre të fesë dhe do të thirren sipas shënimeve të veprave.
Njerëzve të shpëtuar iu jepen shënimet e veprave nga e djathta dhe ata të gëzuar do t’i lexojnë ato. E ai që ka qenë i verbër për rrugën e drejtë, edhe në ahiret do të jetë i verbër. Idhujtarët e lutën Muhamedin a.s.: të mos i asgjësojë zotat e tyre, e ata do ta lutnin Zotin e tij, t’ju përcaktojë vend të veçantë parisë, e të mos ulen së bashku me të varfërit etj., por Zoti e mbrojti prej intrigave të tyre. Rregull i Zotit është, që ata të cilët e përzënë Pejgamberin a.s., t’i shkatërrojë, e ashtu do të bënte edhe me mekasit sikur ta përzinin Muhamedin a.s., e rregulli i Zotit nuk pëson ndryshime.
Me ajetin për faljen e namazit janë përfshirë të gjitha kohët: prej mesditës - dreka dhe iqindia, prej territ - akshami dhe jacia, e edhe sabahu. Pejgamberi a.s. lutet të vdesë me iman dhe të ringjallet po ashtu me iman. Kur hyri në Meke, si çlirues i saj thoshte: Shkëlqeu Feja Islame e u fundos idhujtaria.
Kurani është mbrojtës prej sëmundjeve, siç janë: xhahilijeti, kotësia, zilia etj., e është edhe mëshirues që i shëron ata që pendohen. Njeriu në përgjithësi është i dobët, pse kur është në gjendje të mirë i rritet mendja, e kur është në të keqe dëshpërohet tepër, por jo të gjithë, sepse kushdo vepron sipas karakterit të tij. Rreth shpirtit nuk di askush pos Zotit, çështja e shpirtit është çështje sekrete, prandaj çdo përpjekje për shpjegim rreth tij është vetëm hamendje.
Po të kishim dëshiruar Ne do ta shlyenim nga gjoksi yt atë që ta shpallëm ty, e ti nuk do të gjeje mbrojtës që do të ruante.
Por kjo është mëshirë nga Zoti yt dhe mirësia e Tij ndaj teje vërtet është e madhe.
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin”.
Ne iu sqaruam njerëzve në këtë Kuran shembuj (argumente) të çdo lloji, e shumica e njerëzve nuk deshi tjetër vetëm mohimin.
Ata thanë: “Nuk të besojmë ty derisa të na nxjerrësh prej tokës burime”.
Ose (nuk të besojmë deri sa) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre.
Ose (nuk të besojmë derisa) të bjeri mbi ne qielli copa - copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellësh Allahun dhe engjëjt pranë nesh.
Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!”Thuaj: “Subhanallah - i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?”
Po njerëzit nuk i pengoi tjetër që të besojnë, kur iu erdhi atyre shpallja, vetëm se thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun pejgamber?”
Thuaj: “Sikur të kishte në tokë engjëj që ecin qetë (si njerëzit), Ne do t’u çonim atyre nga qielli engjëj pejgamberë!”
Thuaj: “Allahu më mjafton për dëshmitar mes meje dhe mes jush, Ai i njeh hollësisht dhe i sheh robërit e vet”.[202]
[202] Ndihma e Zotit bëri që Kurani të mësohet permendësh dhe të ruhet në gjoksin e Pejgamberit a.s. dhe të sahabëve, e të pasardhësve të tyre deri më sot dhe kështu do të vazhdojë të jetë i ruajtur në zemrat e njerëzve deri pak para Kijametit, kur do të tërhiqet. Për mrekullinë e Kuranit, të paarritur prej askujt tjetër është theksuar në disa vende në Kuran.
Paria kurejshite ishte tubuar te Qabja dhe çuan e thirrën Pejgamberin a.s. të bisedojnë me të, e ai i gëzuar se ndoshta do ta pranojnë dinin islam shkoi me të shpejtë, e ata i thanë: “Na ke sjellë diçka të re, po na i përqesh prindërit, po na i fyen zotat dhe fenë, na ke shpërndarë, je bërë njëfarë mendjelehti. Nëse ke si qëllim pasuri, po të pasurojmë, nëse dëshiron pozitë po të zgjedhim kryetar, nëse të kanë sëmurë xhindet, po kërkojmë shërim për ty!” Pejgamberi a.s. tha: “Unë nuk mendoj për atë që thoni, nuk dua pasuri, nuk dua pozitë, nuk jam i sëmurë, po Allahu më dërgoi pejgamber, nëse besoni do të fitoni të mirat e kësaj dhe të botës tjetër, e nëse refuzoni unë do të duroj deri sa Allahu të bjerë vendim mes meje dhe jush!” Ata i thanë: “Nëse këto nuk i pranon, ti pra e di se ne jemi shumë ngushtë për ujë, për ushqim etj., prandaj, lute Zotin tënd të na i bëjë kodrat ar, të na sjellë lumenj, të kemi kopshte, pallate nga ari!” Këto pyetje ishin shkak i shpalljes së këtyre ajeteve.
Atë që Allahu e drejton në rrugë të drejtë, ai është udhëzuar, e atë që e lë të humbur, për ata nuk do të gjesh ndihmëtarë përveç Atij. Ne Ditën e Kijametit i tubojmë ata, duke i tërhequr rrëshqanas me fytyra përdhe, të verbër, memecë, të shurdhët. Vendi i tyre është xhehenemi, sa herë që të pushojë flaka Ne ua shtojmë flakën e zjarrit.
Ai (dënim) është meritë e tyre, sepse ata mohuan argumentet tona dhe thanë: “A pasi të bëhemi eshtra e pluhur do të ringjallemi krijesë e re?”
A nuk e kuptuan ata, se Allahu që krijoi qiejt e tokën është i Plotfuqishëm, që të krijojë ashtu siç janë ata, dhe Ai ua ka caktuar afatin (e vdekjes e të ringjalljes) në të cilin nuk ka dyshim, po zullumqarët nuk deshën tjetër vetëm të refuzojnë.
Thuaj: “Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen do të bëheshit koprracë; njeriu është dorështrënguar”.
Ne i patëm dhënë Musait nëntë argumente (mrekulli) të qarta. Pyeti pra ti (Muhamed) Beni Israilët (nëse duan të dëshmojnë), kur ai iu ka ardhur atyre (Musai), e atij i pat thënë faraoni: “O Musa, unë mendoj ti je i magjepsur!”
Ai (Musai) tha: “Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës, i zbriti të dukshme, e unë besoj, o faraon, se ti je i shkatërruar”.
Ai (faraoni) deshi t’i dëbojë ata nga vendi (Egjipti), kurse Ne e përmbysëm atë dhe të gjithë ata, që ishin me të së bashku.
Pas tij Beni Israilëve iu thamë: “Rrini në vend, e kur të vijë koha e botës tjetër, Ne ju sjellim të gjithëve të përzier”.
Ne me urtësi e zbritëm atë (Kuranin) dhe me urtësi është zbritur. E ty nuk të dërguam tjetër vetëm se përgëzues dhe qortues.
Dhe (ta shpallëm) Kuranin, që Ne e ndamë pjesë - pjesë për t'ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.
Thuaj: “I besuat ju atij, ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që iu është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur iu lexohet atyre, ata hidhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”.
Dhe thonë: “I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar”.
Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj Allahut).
Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit. E ti mos e ngrej zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare".
Dhe thuaj: “Lavdëruar qoftë Allahu, i cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”.[203]
[203] Të lumtur janë ata që gjetën rrugën e drejtë, e të mjerë janë ata që nuk deshën të mendojnë për fuqinë e Zotit, por thoshin: Si mund të ringjallemi pasi të kalben eshtrat e të bëhemi dhe e pluhur, e nuk mendonin se Ai Zot që krijoi qiej e tokë ka fuqi t’i ringjallë ata. I ringjall, por për shkak të kokëfortësisë së tyre do të tërhiqen për këmbësh, kurse fytyra u shkon zhag për tokë; do të futen në xhehenem dhe sa herë që iu digjet trupi, u përtërihet në mënyrë që zjarri të marrë hov edhe më të madh. Pastaj Kurani iu thotë, ju kërkoni pasuri, e sikur t'i kishit depot e nimeteve të Zotit ju do të frikësoheshit, se po shpenzohet e nuk do të mund t'i furnizonit njerëzit.
Mohuesve të besimit nuk iu kthyen mendjen as mrekullitë më konkrete. Zoti ia pat dhënë Musait nëntë mrekulli, po faraoni dhe ithtarët e tij nuk i besuan, prandaj e merituan shkatërrimin.
Kuranin e shpalli Zoti me urtësinë e Vet të pashoqe, e shpalli pjesë-pjesë e dalëngadalë, në mënyrë që ta mësonin më lehtë dhe ta nxinin përmendësh, e edhe sipas nevojës për zgjidhjen e ndonjë çështjeje. Idhujtarët e besuan ose nuk e besuan, atij nuk i bie vlera. Dijetarët e librave të mëparshëm, të cilët kishin lexuar librat e tyre dhe ishin njerëz të mirë e të sinqertë, kur dëgjonin leximin e Kuranit hidheshin me fytyra në tokë, duke adhuruar Zotin dhe duke i shprehur lavdërim për premtimin e Tij të pathyeshëm.
Jobesimtarët e dëgjuan Muhamedin a.s. duke e thirrur Zotin: O Allah, O Rrahman, e thanë: Ky na thërret të besojmë një Zot, e vetë po u lutet dy zotave.- Kurani iu tha, se Zoti ka shumë emra dhe të gjithë emrat e Tij janë më të bukurit, pra e thirrët me atë, ose me këtë është krejt njësoj, Zoti është një e emra ka shumë.
Pejgamberi a.s. urdhërohet të mos e ngrejë shumë lart zërin duke lexuar Kuran tek falej, pse idhujtarët e fyenin kur e dëgjonin, e porositet që të mos e ulë tepër zërin e të mos e dëgjojnë ata që falen pas tij. Ky ishte shkak i zbritjes së këtij ajeti.
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës El Israë. Lavdëruar qoftë Allahu!
18. SURETUL - KEHF
E zbritur në Meke, pas sures “El Gashijeh”, ajete: 110.
Kjo është një prej atyre pesë kaptinave të Kuranit, që fillojnë me " ElHamdu Lilahi... “, e që janë: Fatiha, En’am, Sebe, Fatir dhe kjo.
Në këtë kaptinë përshkruhen tri tregime të bukura të Kuranit përmes të cilave fitohet përshtypje e madhe në fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues. Në tregimin e parë flitet për “As-habul Kehf ”, për banuesit e shpellës, të cilët flijuan jetën për hir të besimit të drejtë. Ata ishin disa djelmosha të rinj besimtarë, të cilët u larguan prej vendlindjes së tyre, me qëllim që ta ruajnë besimin dhe u strehuan në një shpellë, ku ndenjën treqind e nëntë vjet, e pastaj Allahu i zgjoi prej atij gjumi aq të gjatë.
Tregimi i dytë përshkruan takimin e Musait me atë njeriun e dijshëm, me Hidrin dhe ngjarjet, të cilat e habisin Musain, sepse nuk ishte në gjendje t’i kuptojë fshehtësitë e tyre, prandaj edhe kundërshtoi. Përmendet rasti i prishjes së një anijeje, i mbytjes së një djali të ri dhe i ndreqjes së një muri të shtrembëruar. Ai njeri i dijshëm, që ishte pejgamber i tregon Musait për fshehtësinë e atyre ngjarjeve.
Në tregimin e tretë përshkruhet sundimi i Dhulkarnejnit, i një sundimtari të drejtë e të devotshëm, të cilit Zoti i kishte dhënë pushtet të gjerë në lindje e perëndim dhe i cili e ndërtoi një pendë të madhe.
Sikurse parashtrimi i këtyre tri tregimeve, që ka qëllim të caktuar, ashtu edhe tre shembuj që përmenden në këtë kaptinë vërtetojnë, se nuk është e lidhur çdo e mirë për pasurinë as për pushtetin, por për rrugën e drejtë e të vërtetë.
Në shembullin e parë figuron ai pasaniku që kishte dy kopshte të mëdha e të begatshme, e që ishte mashtruar pas tyre dhe kishte harruar Zotin, dhe ai i varfëri që ishte krenar për besimin e vet të drejtë.
I bëhet një krahasim jetës së kësaj bote me të të gjitha stolitë dhe bukuritë e saj, por jetë e shkurtër dhe e zhdukur, dhe jetës së botës tjetër me begati e të mira të papërshkruara, e edhe të përjetshme.
Në shembullin e tretë i bëhet një vështrim dëmit dhe dëshpërimit të përjetshëm, i cili ishte rrjedhojë e mendjemadhësisë. Këtë pasojë Kurani e parashtron përmes ngjarjes, kur shejtani refuzon urdhrin e Zotit dhe nuk deshi t’i përulet Ademit, e si masë kundër mendjemadhësisë së tij, ai goditet me mallkim dhe përbuzje prej Zotit Mëshirues.
Quhet: “Suretul Kehfi” - kaptina e shpellës, ngaqë është një rrëfim i çuditshëm në të cilin manifestohet një mrekulli e madhe e Allahut.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
E tërë lavdia i takon vetëm Allahut, që ia zbriti robit të vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie.
(ia zbriti) Të saktë (pa shmangie), për t’ua tërhequr vërejtjen (atyre që nuk besojnë) ndaj një dënimi të rëndë prej Tij, e për t’i përgëzuar besimtarët, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë një shpërblim të mrekullueshëm,
duke qenë në të përgjithmonë.
Dhe për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që thanë, se Allahu ka fëmijë.
Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dije. Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë tjetër vetëm se gënjeshtër.
A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kuranit)?
Gjithçka që është mbi tokë Ne e bëmë stoli të saj për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.
Ne kemi për ta bërë gjithçka që është mbi të dhe’ pa bimë (shkatërrojmë çdo gjelbërim).[204]
[204] Zoti xh. sh. lavdëron Veten e Madhëruar, që ia shpalli Muhamedit a.s. Kuranin libër të saktë, të drejtë, e pa kurrfarë të metash e kundërthëniesh, që atyre që nuk besojnë t’u tregojë për dënimin e rëndë të Zotit, që t’u tregojë edhe atyre që i shpifin gënjeshtra Zotit, sikur Ai ka fëmijë, se ajo është rrenë e trilluar pa kurrfarë argumenti. Për besimtarët që bëjnë vepra të mira iu është garantuar xheneti në të cilin do të jenë përgjithmonë.
I tërhiqet vërejtja Muhamedit a.s., jo për ndonjë gabim, por pse e hidhëron veten aq shumë pas kurejshitëve pse nuk po e besojnë Kuranin. Bukuritë e kësaj bote janë vetëm sprovë për njerëzit, se cili prej tyre do të shfrytëzojë në mënyrë të njerëzishme, e cili do t’i kalojë kufijtë pas tyre, e dihet se të gjitha këto stoli të tokës një ditë do të asgjësohen, e toka do të mbetet e shkretë.
A mos mendove ti, se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?
Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”
Ne iu vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë.
Pastaj ata i zgjuam (prej gjumit) për të parë, se cili prej atyre dy grupeve është më preciz në njehsimin e kohës sa qëndruan gjatë.
Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më shumë ua shtuam bindjen.
Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm), saqë kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër pos Tij”, pse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!”
Këta, populli ynë ka besuar zota të tjerë pos Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor, se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut?
Derisa jeni izoluar prej tyre dhe prej asaj që adhurojnë ata, pos Allahut, atëherë strehohuni në shpellë, e Zoti juaj ju dhuron nga mëshira e tij e gjerë dhe ju lehtëson në çështjen tuaj atë që është në dobinë tuaj.
Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e Allahut. Atë që e udhëzon Allahu ai vërtet është i udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.
Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin. Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para pranë hyrjes. Sikur të kishe hasur në ta do të ishe kthyer duke ikur dhe do të ishe mbushur frikë prej tyre.
Ashtu (sikurse i vumë në gjumë) i zgjuam ata që të pyesin njëritjetrin (se sa kanë fjetur). Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndenjur?” Ata thanë: “Kemi ndejur një ditë ose një pjesë të ditës!” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndejur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend (monedhë argjendi) në qytet, e të zgjedhë ushqim më të mirë, e t’ua sjellë atë juve dhe le të ketë shumë kujdes e të mos i japë të kuptojë askujt për ju”.
Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t’ju mbysin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar.[205]
[205] Çështja e atyre të strehuarve në shpellë ishte një nga mrekullitë e Zotit, por jo edhe më e rëndësishmja, sepse në faqet e kësaj bote ka mrekulli që ia kalojnë kësaj.
“Kehf ” i thuhet shpellës, e “Rekim”, ndoshta ishte pllaka e gurit në të cilën ishin gdhendur emrat e atyre që u fshehën në shpellë. Ka mendime se kodra, ose lugina ku gjendej shpella quhej Rekim, ose fshati nga ishin djelmoshat quhej ashtu.
Komentuesit e Kuranit e përshkruajnë ngjarjen kështu: Një farë sunduesi i quajtur Dekijanus, pas kohës së Isait a.s., që sundonte në qytetin Tarsus (tashti në territorin e Turqisë), i detyronte njerëzit të adhurojnë idhuj, statuja, e çdo njeri që e besonte Zotin një, ai e vriste. Një grup djelmoshash të moshës shumë të re vendosin t’i mbesin besnikë fesë së drejtë, prandaj bashkohen dhe ikin drejt maleve ku kishte shpella, e rrugës iu bashkohet edhe një bari me qenin e vet, e shkojnë e hyjnë në atë shpellë. Në mëngjes, kur dëgjon sunduesi për ikjen e tyre iu vihet prapa me ushtri deri te hyrja e shpellës, por asnjë prej tyre nuk pati guxim të hyjë në të, prandaj vendosën t’ia mbyllin hyrjen me gurë të mëdhenj e t’i lënë të vdesin nga uria. Pas lutjes që i shprehin Zotit xh. sh. ata i kap gjumi dhe qëndruan fjetur shumë vjet. Si duket hyrja në shpellë ishte nga veriu, prandaj nuk i kapte dielli, as në mëngjes, as në mbrëmje. Qeni kishte vënë kokën mbi dy këmbët e para të shtrira sikur rrinte gati për mbrojtje të menjëhershme. Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre Zoti me fuqinë e Tij i rrotullonte sa në të djathtë e sa në të majtë. Kur u zgjuan nga gjumi ishin të uritur dhe menduan, se kishin fjetur tërë ditën ose pjesën më të madhe të saj. E dërguan njërin në qytet t’ju blejë ushqim, duke porositur që të mos bjerë në sy e të zbulohet. Kur hyri në qytet ai u habit, pse nuk ishte ai që kishte qenë dhe nuk njihte asnjë njeri. E bleu ushqimin e kur ia dha shitësit monedhat e argjendit, ai u habit dhe i tha: Prej nga këto? Aty u grumbulluan njerëz e po i shikojnë të hollat dhe të habitur i thanë, se mos ke gjetur ndonjë thesar të hollash. Ai u betua në Zotin, se nuk ka gjetur, por janë të hollat e tyre. Ata i thanë se ato të holla janë të kohës së sundimtarit Dekijanus. Atëherë djaloshi pyeti: Si është puna e Dekijanusit?- Iu përgjigjën, se ai ka vdekur shekuj më parë. Atëherë u tregon për rastin e tyre, e banorët e qytetit e lajmërojnë sunduesin e qytetit, i cili ishte besimtar i mirë. Sunduesi së bashku me ushtri e popull shkoi te shpella. Ata në shpellë dëgjuan zhurmën dhe hingëllimën e kuajve e menduan, se i ka rrethuar Dekijanusi, prandaj u ngritën e po i luten Zotit. Sunduesi hyri brenda, i gjeti duke u lutur, e kur e kryen lutjen, ai i përqafoi që të gjithë dhe i njoftoi, se ai e beson një Zot sikurse edhe ata, e se Dekijanusi ishte zhdukur. Dëgjoi fjalët dhe ngjarjen e tyre dhe e kuptoi, se Allahu i zgjoi ata për të qenë çështja e tyre një argument për njerëzit. Pastaj i zuri gjumi dhe vdiqën, e njerëzit thanë: Do t’u ndërtojmë atyre një faltore aty.
Dhe ashtu (sikurse i zgjuam nga gjumi) i zbuluam (t’i shohin njerëzit), e të kuptojnë se premtimi i Allahut (për ringjalljen) është i sigurt dhe se katastrofa e përgjithshme (Kijameti) është e padyshimtë. (I zgjuam) Mu atëherë kur ata (populli) bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: "Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë). Zoti i tyre di më së miri për ta. E ata që ishin me shumicë thanë: “Do të ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami”.
Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: “Ishin tre, i katërti i tyre ishte qeni i tyre, dhe thonë: “Ishin pesë, e qeni i tyre ishte i gjashti i tyre”, kjo ishte hamendje, po edhe thonë: “Ishin shtatë, e qeni i tyre ishte i teti!”Thuaj: “Zoti im di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhamed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe mos pyet askënd për ta”.
Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do ta bëj këtë nesër”,
vetëm (nëse i shton): “Në dashtë Allahu!” E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”.
(dhe thonin) Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet.
Thuaj: “Allahu e di më së miri sa kanë ndenjur, Atij i takon fshehtësia e qiejve dhe e tokës. Sa Vështrues dhe Dëgjues i çdo gjëje që është Ai! Pos Tij ata (njerëzit) nuk kanë ndihmëtarë. Në vendimin e Tij nuk mund t’i përzihet askush.
Lexo çka të është shpallur ty nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush, që mund t'i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh strehim.
Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë si qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij, që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.
E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr, që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që fërgon fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”.
E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës.
Të tillët e kanë vendin në xhenetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekulleshëm është dhe sa vend i bukur është ai.[206]
[206] Ngjarja e As-habi kehfit është një argument i qartë dhe i prerë për mundësinë e ringjalljes dhe të tubimit para Zotit, sepse Ai që mund t’i zgjojë ata pas një gjumi shumë të gjatë është i Plotfuqishëm t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre, e pas Kijametit. Në kohën e Pejgamberit tonë diskutohej rreth numrit të tyre, por të gjitha ato biseda ishin të pabaza, prandaj i thuhet Pejgamberit a.s., që të mos polemizojë me Ithtarët e Librit rreth numrit të tyre, është mjaft kjo që po të rrëfehet në Kuran. Ibni Abasi thotë, se ata ishin shtatë, ashtu kuptohet edhe nga Kurani. Për asnjë çështje që ke ndërmend ta kryesh në të ardhmen, mos thuaj: Do ta bëj, pa thënë: In shaell-llah, e nëse harron në atë moment, thuaje më vonë. Shkak i zbritjes së këtij ajeti ishte: Pejgamberi a.s. qenka pyetur për As-habi kehfm, e ai paska thënë: Nesër iu jap përgjigjen; mirëpo iu paska ndërprerë shpallja pesëmbëdhjetë ditë dhe qenka ngushtuar shumë Pejgamberi. Atëherë i shpallet ky ajet dhe e mëson se si duhet thënë ai dhe besimtarët në rastet e këtilla.
Paria kurejshite ishin tubuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishin thënë: Largoji këta farë varfanjakësh prej teje, sepse neve po na vjen nënçmim të ulemi së bashku me ta,- e aludonin për Hababin, Bilalin, Suhejbin, Selmanin, e atëherë do të vijmë ne paria e të tubohemi pranë teje, e nëse ne e pranojmë Fenë Islame, do ta pranojnë të gjithë të tjerët, prandaj ose largoji ose caktona neve një vend, kurse atyre një vend tjetër. Pejgamberit
a.s. i shkoi mendja të bëjë diçka, me shpresën se paria do ta pranojë Fenë Islame, por Zoti i tërhoqi vërejtjen dhe i tha: Lexo çka po të shpallet dhe përkufizohu me besimtarët e sinqertë, hiqu atyre që janë të dhënë pas epshit e luksit të kësaj bote. Kush të dojë le të besojë, e kush jo, le të mos besojë, por tregoji për vendin e zullumqarëve në xhehenem dhe të besimtarëve bamirës në xhenet. Edhe në kaptinën “En am” është përmendur qëndrimi i parisë kurejshite, por këtu tregohet në mënyrë më të theksuar.
E ti sillu atyre (që kërkuan t’i largosh varfanjakët) si shembull dy njerëz; njërit prej tyre i dhamë dy kopshte (vreshta) nga rrushi dhe ato i rrethuam me hurma, e në mes atyre të dyjave bimë të tjera.
Të dy kopshtet jepnin frutat e veta pa munguar prej tyre asgjë, e në mesin e tyre bëmë të rrjedhë një lumë.
Ai kishte edhe pasuri tjetër. E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: - duke iu krenuar atij - “Unë kam pasuri më shumë se ti, e kam edhe krah më të fortë!”
Dhe ai hyri në kopshtin e vet (e me besimtarin për dore), po duke qenë dëmtues i vetes (duke mos besuar dhe duke u krenuar) tha: “Unë nuk mendoj, se zhduket kjo kurrë!”
Dhe nuk besoj se do të ndodhë Kijameti (Dita e Gjykimit), por nëse bëhet që të kthehem te Zoti im, pa dyshim do të gjej ardhmëri edhe më të mirë se kjo”.
Atij ai shoku i vet (besimtari) i tha - duke e polemizuar atë - “A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?”
“Por për mua, Ai Allahu është Zoti im, e Zotit tim unë nuk i bëj shok askënd!”
E pse ti kur hyre në kopshtin tënd nuk the: “Ma shaell llah, la kuvvete il-la bil-lah” - (Allahu çka do, bëhet, s’ka fuqi pa ndihmën e Tij). Nëse ti më sheh mua se unë kam më pak prej teje edhe pasuri edhe fëmijë (krah më të dobët).
Po unë shpresoj, se Zoti im do të më japë edhe më të mirë nga kopshti yt, e këtij tëndit t’i shkaktojë fatkeqësi nga qielli e të bëhet tokë e lëmuar (e shkretë).
Ose të gdhijë uji i saj i shterur, e ti kurrsesi nuk mund ta kërkosh atë!”
Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij, e ai filloi t’ju bjerë duarve (i pikëlluar) nga ajo që kishte shpenzuar në të, e ajo ishte rrënuar e bërë rrafsh me tokën dhe thoshte: “O i mjeri unë, të mos i kisha bërë Zotit tim askënd shok!”
E nuk pati krah (grup), përveç Allahut të vërtetë, që t'i ndihmojë atij dhe nuk mundi ta pengojë.
Në atë vend ndihma është vetëm e Allahut të vërtetë. Ai është Shpërblyesi më i mirë dhe tek Ai është përfundimi më i mirë.[207]
[207] Shembulli i dy njerëzve: njëri pasanik, po jobesimtar, e tjetri besimtar më i varfër, ka të bëjë me parinë kurejshite, e cila krenohej me pasuri e pozitë dhe nënçmonte besimtarët e varfër.
Ai që i kishte ato kopshte aq të mira, që sipas përshkrimit që iu bën Kurani ishin fantastike, por pronari i tyre, as nuk e besonte Zotin Fuqiplotë, as nuk falënderonte për ato begati dhe mburrej e krenohej ndaj atij fqinjit të vet, që ishte më i dobët, si në pasuri, ashtu edhe në familje e farefis. Madje ai mendonte, se edhe nëse do të ekzistojë bota tjetër ai do të jetë më i privilegjuar. Fqinji besimtar i tërhoqi vërejtjen, duke ia përkujtuar krijimin e tij në etapa të njëpasnjëshme, mandej e këshilloi që ta falënderojë Zotin për ato të mira, që i kishte më shumë se të tjerët. Më në fund i tërhoqi vërejtjen, se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi e të mbetet pa ato të mira. Dhe vërtet, ngjau ashtu, një breshër i madh shkatërroi çdo gjë në kopshtet e tij, e kur e pa ai, prej së keqi u sjell duarve dhe e mjeron veten pse u mashtrua, pse iu rrit mendja, dhe nuk iu mbështet Zotit, e as nuk e falënderoi. Kështu, pra, çka dëshiron Zoti ajo bëhet, pa ndihmën e Tij nuk mund të arrihet sukses, prandaj për çdo çështje duhet të kërkojmë ndihmën e Tij.
E ti (Muhamed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote, që është si një ujë (shi), që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet, saqë përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes), që e shpërndajnë erërat. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.
Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.
(Përkujto) Ditën kur Ne i shkulim kodrat, dhe tokën e sheh të sheshtë (të zbuluar) dhe Ne i tubojmë ata, e nuk na mbetet asnjë prej tyre pa e tubuar.
Dhe ata do të prezantohen para Zotit tënd të rreshtuar (e iu thuhet atyre): “Na erdhët ashtu, si ju krijuam juve herën e parë, por ju patët menduar, se Ne nuk kemi caktuar për ju ringjallje”.
Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet, që janë në të dhe thonë: "Të mjerët ne, ç'është puna e këtij libri, që nuk ka lënë, as (mëkat) të vogël, e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.
(Përkujto) Kur iu thamë engjëjve: “Përuljuni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk e respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiqtë tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!
Unë nuk.ua prezantova krijimin e qiejve e të tokës atyre që po i adhuroni, e as krijimin e vetë atyre,e as nuk mora ndihmëtarë të humburit.
E ditën kur Ai thotë: “Thirrni ata, për të cilët menduat, se janë bashkëpunëtorët e Mi!” I thërrasin, por ata nuk iu përgjigjen (për ndihmë) atyre dhe ato lidhjet e tyre (në Dunja) Ne i zhdukim.
Kriminelët e shohin zjarrin dhe binden, se do të hidhen në të, dhe se nuk gjejnë shtegdalje prej tij.[208]
[208] Jeta e dynjasë iu përngjet bimëve, që pas shiut të mirë rritën shumë dhe marrin hov, saqë ngatërrohen mes vete, por pas një kohe thahen dhe bëhen si byk, që e shpërndajnë erërat. Me këtë kuptohet se jeta në këtë botë është e shkurtër, përsa i përket secilit njeri, edhe pse jeta e kësaj dynjaje është e gjatë, në krahasim me jetën e individëve.
Është e vërtetë se malli dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, por kur krahasojmë me të mirat e botës tjetër, që është e amshueshme këto stoli janë pak send. Shpërblimi te Zoti është shumë i madh, ruana Zot, edhe ndëshkimi është shumë i rëndë.
Kur të vijë koha e Kijametit do të shkulen kodrat, do të lëvizin në ajër, si retë e shiut, do të zhduket çdo bimë e dru dhe toka do të mbetet fushë e rrafshët. Bëhet ringjallja dhe njerëzit ekspozohen para Zotit, ashtu si kanë lindur në këtë botë dhe ju paraqiten shënimet e veprave të bëra, pa munguar as vepra më e vogël, e mëkatarët, duke e ditur punën e vet dëshpërohen pa masë dhe secilit do t’i ofrohet ajo që e ka merituar, pse aty mbizotëron drejtësia e Zotit.
Përmendet rasti i kundërshtimit të shejtanit ndaj urdhrit të Zotit, me qëllim që t’ju rikujtohet njerëzve, se ai është armik i tyre, kështu që nuk duhet shkuar pas mësimeve të tij. Këtu në këtë ajet thuhet qartazi, se shejtani - Iblisi ishte nga radhët e xhinëve, e nuk kishte qenë engjëll.
Në këtë Kuran Ne parashtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.
Pasi t’u ketë ardhur udhëzimi njerëzit nuk i pengoi tjetër të besojnë dhe të kërkojnë falje prej Zotit të tyre, vetëm se presin t’u vijë edhe atyre fatkeqësia e popujve të më parshëm, ose t’u vijë atyre dënimi ballë përballë.
Ne nuk i dërgojmë ndryshe të dërguarit pos vetëm si përgëzues e qortues. E megjithatë ata që nuk besuan polemizojnë me të pavërtetën, në mënyrë që me të ta mbizotërojnë të vërtetën, dhe argumentet e Mia, dhe atë me çka u qortuan i marrin për tallje.
Kush është më zullumqar, se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë, në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), kurse në veshët e tyre shurdhim, prandaj edhe nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë.
Zoti yt është Falës i madh dhe bën mëshirë të madhe, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua shpejtonte atyre tashti dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e pos Tij nuk do të gjejnë ata strehim.
Ato janë fshatra (vendbanime), që kur bënë zullum Ne i shkatërruam, dhe për shkatërrimin e tyre ju patëm caktuar kohë të sakta.
(përkujto) Kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të ndalem së ecuri deri të arrij vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë”.
Kur arritën ata të dy vendtakimin e atyre deteve, e harruan peshkun e tyre, e ai (peshku) mori rrugën e vet si (strofull) në det.
Pasi ata e kaluan atë vend, ai (Musai) i tha djaloshit: “Na jep drekën tonë (ushqimin), meqë nga ky udhëtim jemi lodhur”.
Ai (djaloshi - Jushaë bin Nun) tha: “A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi unë e harrova peshkun dhe përveç djallit nuk më bëri kush të harroj, që të ta përkujtoj ty atë, dhe ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën e tij për në det!"
Ai (Musai) tha: “Ai është (vendi), që ne po e kërkojmë!" Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre prej nga kishin ardhur.[209]
[209] Qëllimi i rrëfimit të shembujve dhe të ndodhive të tjera, të cilat po i parashtron Kurani është për të mirën e njerëzve. Mirëpo njeriu që nuk do të mendojë, që bëhet sikur nuk kupton dhe nuk dëgjon asgjë, përpiqet që këshillat e drejta e të vërteta të shpallura prej Zotit, t’i zhvlerësojë, e në vend të tyre me anën e dialogut t’i vlerësojë ato të vetat emocionale.
Sikur të shkohej sipas asaj që njerëzit e këqij e meritojnë do të duhej të dënoheshin menjëherë, por Zoti Fuqiplotë, i cili është shumë mëshirues, e në anën tjetër edhe nga ajo, se Atij nuk mund t’i shpëtojë asgjë, Ai i lë të jetojnë deri në afatin e caktuar. Në këto ajete fillon parashtrimi i tregimit rreth Musait a.s., nxënësit dhe bashkudhëtarit të tij, Jusha bin Nun dhe Hidrit. Musai ishte njoftuar për një njeri të mirë, që ishte shumë i dijshëm dhe i dashur i Zotit, që ishte edhe ky pejgamber, të cilin do të mund ta takonte aty ku bashkohen dy dete. Vendbashkimi i atyre dy deteve nuk është i theksuar qartë në Kuran, prandaj edhe janë dhënë komentime të ndryshme. Derisa Musai jetoi një kohë të gjatë në Egjipt, Deti i Kuq dhe Deti Mesdhe, vendbashkimi i tyre do të ishte ai vend për të cilin flet Kurani. Musai bashkë me shokun e tij morën rrugën për në atë vend. Kishin me vete si ushqim edhe një peshk të pjekur. Në një vend, pranë një shkëmbi pushuan, e kur ishin pranë detit, peshku rrëshqiti prej zembilit dhe u fut në det. Uji i detit mbeti si i ngrirë dhe rruga e peshkut dukej si fole. Këtë ngjarje të çuditshme e pa bashkudhëtari, por harroi t’i tregojë Musait. Pasi udhëtuan gati një ditë prej atij vendi Musai kërkoi të hajë drekën dhe të pushojnë. Atëherë iu kujtua Jushas rasti i peshkut dhe i tregoi Musait. Musai tha të kthehen, se ai ështe vendi ku do të duhej ta takojnë atë njeriun e mirë, të cilin e kërkonin dhe u kthyen rrugës nga kishin shkuar.
Dhe e gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne.
Atij (Hidrit - njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: “A pranon të vij me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?”
Ai (Hidri) tha: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua!
Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?”
(Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!”
Ai i tha: “Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të”.
E ata të dy shkuan (duke ecur) deri kur hipën në anije, ai (i dijshmi) e shqeu atë. Ai (Musai) tha: “A e shqeve, që t'i fundosësh udhëtarët e saj, vërtet bëre një punë të hatashme?"
Tha: “A nuk të thashë, se nuk do të mund të kesh durim me mua?”
(Musai) Tha: “Mos më qorto përse harrova dhe mos më mundo me vështirësi në këtë shoqërim timin (lehtësoma punën)!”
Vazhduan të shkojnë deri kur takuan një djalë të ri, e ai (i dijshmi) e vrau atë. (Musai) Tha: “A e vrave njeriun e pastër, pa mbytur ai askënd?!... Vërtet ke bërë një punë të shëmtuar!"
Ai (i dijshmi) i tha: “A nuk të thashë, se vërtet ti nuk do të mund të kesh durim me mua?”
(Musai) Tha: “Nëse pas kësaj të pyes (të kundërshtoj) për ndonjë gjë, atëherë mos më lejo të të shoqëroj. Tashmë ndaj meje ke arsyetim (të mos më shoqërosh)!”
Vazhduan të shkojnë deri sa arritën te banorët e një qyteti, që prej tyre kërkuan t'u japin ushqim, po ata nuk deshën t'i pranojnë si mysafirë (e as t’i ushqejnë), e ata të dy gjetën aty një mur, që gati po rrëzohej, e ai e drejtoi atë (murin). (Musai) Tha: “Sikur të kishe dashur do t’u merrje shpërblim për këtë!”
Ai (Hidri) tha: “Tashti ka ardhur koha e ndarjes mes meje dhe mes teje, e unë do të tregoj për domethënien e asaj, që nuk munde të kesh durim!”
Për sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve që veprojnë në det, e unë desha ta bëj atë me të meta, sepse para tyre ishte një sundues që grabiste çdo anije (të aftë - pa të meta).
Për sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë, e u frikësuam se ai do t’i shpierë ata të dy në humbje e në mosbesim.
Deshëm që Zoti i tyre t’u japë në vend të tij një më të mirë se ai, dhe më të afërt në respekt dhe në mëshirë (ndaj prindërve).
Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetima të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata të dy (jetima) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre). Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (por sipas udhëzimit të Zotit). Ky, pra, është sqarimi i asaj për të cilën nuk munde të kesh durim![210]
[210] U kthyen rrugës që kishin shkuar deri te vendi ku kishin pushuar dhe ku e kishin humbur peshkun. E gjetën një njeri që ishte mbuluar me një petk, e Musai i dha selam. E ai i tha: Kah në këtë tokë selam, kush je ti?- Unë, tha, jam Musai i Beni Israilëve, erdha të më mësosh nga çka të ka mësuar Zoti, nëse më lejon të vij shok me ty. Ai i tha Musait, se ty të ka dhënë Zoti dituri çka unë nuk di, e mua më ka dhënë çka ti nuk di, prandaj nuk do të mund të jesh i durueshëm ndaj punëve që i bëj unë, ndonëse qëndrimi yt është i drejtë, derisa nuk je i njohur për fshehtësitë e çështjeve. Pasi Musai shprehu gatishmërinë e tij për të qenë i durueshëm ai e pranoi ta shoqërojë, por me kusht që të mos pyesi për asgjë, deri sa ai vetë t’i tregojë.
U nisën të ecin bregut të detit; atypari kaloi një anije dhe këta kërkuan të hipnin në të. Ata e njohën Hidrin dhe i hipën pa pagesë. Duke lundruar anija në det Hidri me një sëpatë ia hoqi një dërrasë anijes, prej nga filloi të depërtojë uji, por pronarët e anijes e mbyllën disi atë vend. Musai i harroi kushtet dhe i bëri vërejtje për këtë. Ai u arsyetua me harresë, e Hidri e lejoi që ta shoqërojë edhe më tej. Rrugës takuan disa fëmijë duke luajtur, e njërin prej tyre Hidri e vrau. Këtu Musai u revoltua, sepse ishte kundër parimeve të fesë, prandaj i bëri vërejtje edhe më të ashpër, por e luti që edhe kësaj radhe të mos e largojë. Vajtën në një fshat, kërkuan ushqim, por ata nuk ju dhanë. Duke kaluar hasën në një mur të shtrembëruar dhe shihej se do të rrëzohej e do të vriste ndokënd. Hidri e drejtoi, e Musai i tha: Përse nuk iu kërkove shpërblim për këtë të mirë, përderisa ata nuk na dhanë ushqim?
Hidri i tregoi prapavijën e atyre punëve. Një sundues rrëmbente anijet e afta për interesin e vet, e anija e atyre të varfërve do të shpëtojë si me të meta, e ata do ta rregullojnë shpejt dhe do të fitojnë shumë në mungesë të anijeve të tjera. Djaloshi nuk do të bëhej i dobishëm, por i dëmshëm për prindërit, që ishin shumë besimtarë të mirë. Vdekja e tij ishte në dobi të vetë djaloshit, sepse ai nuk kishte bërë ende mëkate dhe si i tillë është i shpëtuar, e prindërit do ta kenë një djalë më të mirë e të dobishëm. Sikur të rrëzohej muri thesari i jetimëve do të mbetej në duar të huaja dhe do të humbej, e për hir të babait të tyre, që kishte qenë i mirë u desh ta drejtojë atë, ashtu që kur të arrijnë pjekurinë jetimët, e nxjerrin vetë thesarin e tyre. Këto ishin fshehtësi për Musain. Hidri nuk tha, se i bëra këto punë nga mendja ime, por ai tha me urdhrin e Zotit. Nga kjo duhet të marrim përvojë dhe duhet të kuptojmë, se çdo send ose punë që neve na duket e keqe, nuk është gjithmonë ashtu, pra edhe çdo e mirë, nuk është krejt e mirë. Për çdo gjë duhet t’i mbështetemi dijes së Zotit, Ai gjithnjë ia do të mirën besimtarit, prandaj as nuk duhet dëshpëruar, as gëzuar tepër nga ngjarjet e ndodhitë, derisa nuk e dimë fundin e tyre. Këtë ngjarje e regjistron Buhariu dhe Muslimi, e Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Musain, kisha pasur dëshirë të kishte qenë i durueshëm e Allahu të na tregonte edhe më shumë rreth udhëtimit të tyre”. Hidri ka qenë pejgamber, të cilit Allahu i ka dhënë njohuri dhe e ka frymëzuar me shpallje, ky është mendimi i saktë që e përmendin dijetarët, e që në të aludon edhe ajeti: “Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit)”...
Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: “Do t’ju rrëfej për punën e tij me Kuran (me shpallje)”.
Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë.
Ai iu rrek një aso mundësie (dhe mori rrugën nga Perëndimi).
Deri kur arriti në vendperëndimin e diellit, e gjeti se po perëndon në një farë burimi me lym të zi dhe aty gjeti një popull. E Ne i thamë: “O Dhulkarnejn, ose do t’i dënosh, ose do t’i marrish me të mirë e t’i udhëzosh!”
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Ai që vazhdon edhe më tej të jetë zullumqar, atë do ta dënojmë, pastaj i kthehet Zotit të vet e Ai e dënon atë me një dënim të tmerrshëm”.
Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë (xheneti) dhe atij nga ana Jonë do t’i bëjmë lehtësi (në jetë).
Pastaj, ai iu rrek një aso mundësie (mori rrugën e lindjes).
Deri kur arriti vendlindjen e diellit, e gjeti se po lind mbi një popull, që nuk i kemi dhënë ndonjë mbulojë prej tij (diellit).
Ashtu (bëri edhe me këtë popull), e Ne e kemi ditur gjendjen e tij (mundësitë dhe sundimin e drejtë të tij).
Mandej ai iu rrek përsëri një aso mundësie (një rruge të tretë mes perëndimit e lindjes - nga veriu).
Deri kur arriti mes dy kodrave (si penda) dhe prapa tyre gjeti një popull, që thuajse nuk kuptonte asnjë gjuhë (përveç gjuhës së vet).
Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të japim ty një kontribut (në formë tagre a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre?”
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Atë që ma mundësoi mua Zoti im është shumë më e mirë (nga ajo që ma ofroni ju), po ju më ndihmoni me fuqi punëtore të bëj një pendë të fortë mes jush dhe mes atyre!”.
Më sillni copa hekuri! E kur e nivelizoi ai me dy anët e kodrave, tha: “Ndizni!”, e kur e bëri atë (hekurin) zjarr (si zjarr nga të ndezurit) tha: “Më sillni bakër të shkrirë t’ia hedh atij!”
E ata, as nuk arritën ta kapërcenin atë, e as ta shponin.
Ai (Dhulkarnejni) tha: “Kjo është një e mirë nga Zoti im, e kur të vjen caktimi i Zotit tim, Ai e bën atë rrafsh, e caktimi i Zotit tim është i sigurt”.[211]
[211] Ndonëse nuk janë përmendur, se kush ishin pyetësit për Dhulkarnejnin, sipas të gjitha gjasave ata ishin jehuditë.
Rreth personalitetit të Dhulkarnejnit janë dhënë mendime e interpretime të llojllojshme. Kurani nuk cek ndonjë sqarim të thukët, se kush ishte Dhulkarnejni, kur ishte dhe në ç’vende udhëtoi e veproi. Përmend sundimin e tij, drejtësinë në sundim, ndihmën që iu ofroi njerëzve dhe devotshmërinë e besimin e tij të sinqertë, zatën ky është gjithnjë udhëzim i tij.
“Dhulkarnejn” nga arabishtja do të thotë: dybrirësh. Përse quhet kështu ka shumë mendime, e ndoshta më i pranueshmi prej tyre është, pse sundimi i tij arriti deri te briri i perëndimit dhe i lindjes, çka jep të kuptohet për një territor shumë të gjerë. Nuk është fjala për Aleksandrin e Madh, siç mendon dikush, pse ky ishte me besim politeist.
Kurani përmend tri udhëtime të Dhulkarnejnit, një në perëndim, një në lindje deri te një popull, që thuajse ishte i egër, nuk kishin shtëpi, nuk kishin petka në trup, pra jetonin në shpella dhe lakuriq. Ai bëri edhe një udhëtim në veri, diku në Azerbejxhan te Liqeni Kaspik. Populli i atij vendi i ankohet për krimet që bënin fisi Jexhuxh dhe ai Mexhuxh, e që ishin të përçudët edhe në fizionoininë e tyre, si tepër të gjatë ose tepër të shkurtër. Dhulkarnejni i ndihmoi kundër tyre, duke ndërtuar një pendë të fortë, të cilën nuk do të mund ta kalonin deri kur të vijë koha e Kijametit, e Zoti ta shkatërrojë atë pendë.
Jexhuxh dhe Mexhuxh përmenden edhe në kaptinën “Enbija”, e ka disa hadithe që flasin rreth tyre, si nga shenjat paralajmëruese për afrimin e Kijametit. Allahu e di më së miri!
(Kur të vijë caktimi i Zotit, ose kur të dalin Jexhuxh Mexhuxhët) Ne bëjmë atë ditë që ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. Dhe i fryhet Surit (për herën e dytë) e të gjithë ata i tubojmë.
Atë ditë ua prezantojmë xhehenemin jobesimtarëve me një prezantim të hapët (trishtues).
Atyre që sytë i kishin të mbuluara ndaj argumenteve të Mia, dhe që nuk mund të dëgjonin (fjalët e Allahut).
A mos menduan ata që nuk besuan, se përkundër Meje mund të marrin zota (mbrojtës) robërit e Mi? Ne e kemi përgatitur për jobesimtarët xhehenemin vendpritje.
Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?”
Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë duke bërë mirë.
Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zotit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, prandaj veprat e tyre shkuan huq dhe në Ditën e Gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere.
Këtë, sepse shpërblimi i tyre është xhehenemi, për shkak se nuk besuan dhe argumentet e Mia e të dërguarit e Mi i morën për tallje.
S’ka dyshim, se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhenetet e Firdevsit.
Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).
Thuaj: “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)”.
Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se i Adhuruari juaj i vërtetë është vetëm Një (Allahu), e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd”.[212]
[212] Surit i fryhet një herë kur është koha e shkatërrimit të kësaj bote, e herën tjetër për ringjallje dhe për tubimin e të gjithë njerëzve para Zotit. Xhehenemi u vërsulet para se të hyjë në të, atyre që mbyllën sytë e zemrës dhe të mendjes e nuk deshën ta pranojnë rrugën e Zotit, atyre që pos Zotit adhuruan engjëj a ndonjë gjë tjetër. Derisa nuk besuan Zotin e vërtetë, çdo veprim i tyre është i dështuar.
Besimtarët bamirës do të gëzojnë kënaqësi në xhenetet e Firdevsit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të kërkoni prej Zotit, kërkoni Firdevsin, pse ai ështe mesi i xheneteve, më i larti i xheneteve dhe mbi të ëshë Arshi i Allahut dhe prej tij burojnë lumenjtë e xheneteve (Sahihajnët).
Fjalët e Zotit, hollësitë e domethënieve të Kuranit janë të pasosura. Kurani ka përmendur qeniet, sendet, ngjarjet ashtu në tërësi, e po t’u hyhet këtyre në hollësi, atëherë as uji i këtyre deteve edhe kaq ujë tjetër të ishte ngjyrë për shkrim, nuk do të mjaftonte të shkruhen fjalët e Allahut.
Në fund të kësaj kaptine është ajo porosia e madhe e të madhit Zot, kur thuhet: Kush beson se do të ringjallet, do të takohet me Zotin e vet, e këta janë besimtarët; le të bëjnë vepra të mira sa të munden, e edhe le të ruhen, veprat t’i bëjnë për hir të Zotit, e jo për hir të ndokujt tjetër, pse atëherë ato shkojnë huq.
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “El Kehfu”. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!
19. SURETU - MERJEM
E zbritur në Meke, pas sures Fatir, ajete: 98
Kjo sure e zbritur në Meke parashtron çështjen e besimit të drejtë, që është besimi në një të vetmin Zot dhe mposht të gjitha ato bindje të kota përkitazi me Zotin Fuqiplotë.
Në fillim përshkruhet tregimi rreth Pejgamberit Zekerija, rreth djalit të tij Jahjait, të cilin ia fali Zoti në pleqëri të tij dhe të gruas së tij. Në këtë tregim manifestohet fuqia e pakufishme e Allahut dhe pranimi i lutjes së atij, që është i sinqertë, siç ishte Zekeriai.
Çështja e Merjemes virgjëreshë, e cila e lindi djalin Isain pa baba është një ngjarje edhe më e çuditshme, por kur dihet se vullneti i Zotit është i pavarur prej shkaqeve, atëherë kjo mrekulli vetëm shton bindjen e njerëzve të mençur për fuqinë e pakufishme të Zotit të Madhëruar.
Në këtë kaptinë bëhet fjalë për Pejgamberin Ibrahim dhe për babain e tij, mandej përmenden në mënyrë të lavdishme edhe disa pejgamberë, si Is-haku, Jakubi, Musai, Haruni, Ismaili, Idrisi e Nuhu dhe thuajse gati dy të tretat e kësaj kaptine bëjnë fjalë rreth këtyre pejgamberëve. Përmes përshkrimit të historisë së këtyre pejgamberëve vërtetohet, se të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet rridhnin prej një burimi prej Zotit, dhe kishin të njëjtin qëllim, besimin e drejtë, besimin në një Zot.
Përshkruhen edhe disa momente që do të përjetohen në Ditën e Kijametit nga të cilat më e tmerrshmja është ajo e kriminelëve, të cilët kur do t’i afrohen zjarrit të xhehenemit, nga frika, i lëshojnë këmbët dhe gjunjëzohen dhe ashtu presin momentin kur do të hudhen në të.
Në fund i bëhet një vështrim injorancës, xhahilijetit të atyre që i përshkruanin Zotit fëmijë dhe vihet në pah, se Madhëria e Tij është e pastër prej shpifjeve të tilla.
Quhet: “Suretu Merjem “ - kaptina për Merjemen, sepse dëshira e Zotit ishte që mrekullia e njeriut të lindur pa baba, e nënës së ndershme të përjetohet prej të gjithë njerëzve, duke e lexuar ngjarjen. Në anën tjetër përmes mrekullisë së Isait, kur si foshnjë në djep u flet njerëzve dhe mbron nderin e nënës së vet na paralajmëron, se Zoti do ta dërgojë pejgamber, do t’ia shpallë Inxhilin, se është rob i Zotit e asgjë tjetër; në të gjitha këto kuptohet se dëshira e Zotit realizohet pa u mbështetur në shkaqe.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sadë.
(Ky është) Përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të vet Zekeriait,
kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët,
e tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”.
Unë ua kam frikën pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve, se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë),
të më trashëgojë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të këndshëm! (të vyeshëm)!”
O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.
Ai tha: “Zoti im, si do të kem unë (djalë kur gruaja ime ishte që nuk lind, e unë kam arritur pleqëri të thellë?”
Tha: “Ja, kështu Zoti yt ka thënë: se ajo për Mua është lehtë; Unë të krijova më parë ty, që nuk ishe fare!”
Ai (Zekerija) tha: “Zoti im, më jep mua një shenjë (që të di)!” Ai (Allahu) tha: “Shenja jote është, se (duke qenë shëndoshë e mirë), nuk do të mund t’u flasish njerëzve tre net (e tri ditë)”.
Dhe ai doli prej faltores para popullit të vet dhe iu dha shenjë adhuroni (Allahun) mëngjes e mbrëmje.[213]
[213] Shkronjat në fillim japin shenjë për mrekullinë e Kuranit. Zekerijai ishte pejgamber dhe nuk kishte fëmijë. Iu lut Zotit me një zë të ulët, pse zëri i ulët në lutje është shprehje më e sinqertë e dëshirës dhe më larg formalitetit. I tha, se më ka kapluar pleqëria, më është dobësuar trupi, e po kam frikë se pas meje të afërmit e mi do ta humbin rrugën e drejtë, prandaj sikur të më dhuroje një fëmijë ndoshta do të më trashëgonte mua në fe, edhe gjyshërit, siç ishin Jakubi e të tjerët, kuptohet nëse Ti o Zot e përgatit si të tillë. Megjithë faktin se vetë ishte plakur, e edhe gruaja e tij nuk kishte lindur, ai kishte shpresë në pranimin e lutjes së tij, sepse asnjëherë nuk iu kishte refuzuar kërkesa. Ndërkohë që Zekerjai i lutej Zotit engjëjt e lajmërojnë, se do të ketë djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja, emër që askush para tij nuk është quajtur me të. Nëse hulumtohet më thellë do të kuptohet, se Jahjai do të jetë dëshmor, e dëshmorët janë të pavdekshëm, pra Jahjai do të jetë i pavdekshëm. Ashtu edhe ngjau, pse Jahjai ra dëshmor prej duarve të Beni Israelitëve. Si shenjë e plotësimit të dëshirës së Zekerjait për fëmijë ai tri ditë e tri net, nuk mundi t’u flasë njerëzve, edhe pse mund të lexonte Tevratin dhe të adhuronte Zotin.
O Jahja, merre librin me shumë kujdes, dhe ashtu Ne i dhamë atij urtësi kur ishte fëmijë.
Dhe nga ana Jonë i mundësuam të jetë i butë, i pastër dhe respektues (i dëgjueshëm).
Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i padëgjueshëm.
Dhe selam (prej nesh) atij ditën kur u lind, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ngrehet i gjallë (e përshëndetëm dhe i garantuam)!
E përmendju në këtë libër (tregimin për) Merjemen, kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në lindje.
Ajo vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi.
Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij (pra më ler të lirë)!”
Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”.
Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kam qenë e pamoralshme”.
Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa baba) argument për njerëzit, e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!”
Ajo e barti atë (Isain), pastaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët.
E dhembja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup i hurmës. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar qëmoti!”
E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji)”.
E ti shkunde trupin e hurmës, se do të bijnë ty hurma të freskëta.
Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, prandaj asnjë njeriu sot nuk i flas!”[214]
[214] Zekerjait i lindi Jahjai, u rrit dhe kur arriti të kuptojë Zoti i dha zgjuarësi, e bëri të dashur e të mëshirshëm ndaj prindërve dhe i garantoi lindje të bekuar, vdekje të mirë dhe ringjallje të lumtur. Ai për një kohë, derisa erdhi Isai veproi sipas Tevratit që ishte shpallje e atij populli.Edhe pse lindja e Jahjait ishte shumë e çuditshme, sepse lindi prej prindërve shumë të shtyrë në moshë, lindja e Isait ishte edhe më e çuditshme, pse këtë e lindi një virgjëreshë, ku fuqia e pakufishme e Zotit manifestohet në mënyrë edhe më të theksuar.
Merjemja ishte veçuar në një vend nga lindja në Bejti Mukaddes për ta adhuruar Zotin pa pengesa, aty i paraqitet Xhibrili, e ajo frikësohet prej tij dhe kërkon ndihmën e Zotit, duke i tërhequr vërejtjen, që edhe ai të ketë dro Zotin. Xhibrili i tha se unë jam engjëll, Zoti më dërgoi se Ai ka vendosur të kesh një djalë, pra mos ki frikë prej meje. Merjemja u habit, kur i tha se do të kesh djalë dhe u arsyetua duke i thënë, se as nuk jam e martuar, e as nuk jam e pamoralshme, por Xhibrili i tha se kjo është punë e Zotit, për të cilin nuk paraqet kurrfarë vështirësie dhe lindja e atij djali do të jetë një argument për njerëzit rreth fuqisë së Zotit.
Kur vërejti Merjemja, se ka mbetur me barrë dhe i është afruar koha e lindjes u largua shumë larg prej familjes. Kur e kapën dhimbjet e lindjes, u afrua dhe u kap pas një trungu hurme, duke i dëshiruar vetes vdekjen, sepse e dinte që nuk do t’i besonin, se është e ndershme. Engjëjt e lajmërojnë, se për hir të saj Zoti i hapi një vijë me ujë, hurma të freskëta edhe pse nuk ishte koha e tyre, i thanë të hajë e të pijë dhe të qetësohet, e njerëzve të mos i flasë askujt.
Dhe duke e bartur ngrykë shkoi me të te të afërmit e vet, ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!”
Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme!
Atëherë ajo iu bëri shenjë nga ai (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij, që është foshnjë në djep?"
Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber.
Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqat për sa të jem gjallë!
Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë, as të padëgjueshëm!
Selami (shpëtimi prej Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur do të vdes dhe ditën kur do të dal (prej varrit) i gjallë!”
Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.
Nuk i takoi (nuk ka nevojë) Allahut të ketë ndonjë fëmijë, i pastër është Ai, kur dëshiron një send Ai vetëm i thotë atij: “Bëhu!”. Ai menjëherë bëhet.
(Isai i tha popullit të vet) Dhe se Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, pra adhurojeni Atë, kjo është rrugë (fe) e drejtë.
Po grupet u kundërshtuan mes vete (rreth Isait). Të mjerët ata që nuk besuan, se çka kanë për të parë Ditën e Madhe!
Ditën kur do të na paraqiten ata Neve, sa mirë do të dëgjojnë dhe shohin (ose njerëzit do të dëgjojnë e shohin çka i gjen ata), por tash për tash (në këtë jetë) zullumqarët janë të humbur qartë.
Ti tërhiqju atyre vërejtjen për Ditën e Dëshpërimit, kur të marrë fund çështja (e përgjegjësisë e dikush në xhenet, dikush në zjarr), se ata (sot) janë të painformuar, dhe ata nuk janë duke besuar.
S’ka dyshim, se Ne e trashëgojmë (na mbetet) tokën dhe çka ka në të, dhe te Ne do të jetë e ardhmja tyre.[215]
[215] Merjemja qëndroi larg familjes për një kohë pasi lindi, pastaj me djalin ngrykë erdhi, por ata e fyen duke i thënë, se ne kemi menduar që je e devotshme dhe e ndershme, si Haruni që ishte një farë njeri i njohur për cilësi të mira, se babai ka qenë njeri i mirë dhe se nëna e saj nuk ka qenë e pamoralshme, duke aluduar për Merjemen se ka bërë punë të pamoralshme.
Ajo nuk iu foli atyre asgjë, por iu bëri shenjë të flasin me foshnjën. Thuhet se Isai kishte qenë duke thithur gjirin e së ëmës, por kur dëgjoi fyerjet kundër nënës, e la thithjen dhe iu foli: Nëna ime është e ndershme, Zoti më krijoi pa babë, më ka caktuar të jem pejgamber dhe do të më japë Inxhilin, më ka porositur të falem dhe të jap zeqatin, të jem i sjellshëm për nënën, Zoti më ka garantuar shpëtimin në lindje, në vdekje dhe pas ringjalljes.
Kjo është e vërteta rreth Isait, e jo si thotë dikush që është bir i Zotit e të tjera. Isai vetë ka thënë, se jam rob i Zotit, do të jetoj, do të vdes dhe do të ringjallem si njerëzit e tjerë; Allahu është Zoti im dhe i juaji, vetëm Allahun duhet të adhurojmë, pse vetëm kjo është fe e drejtë.
Pas Isait njerëzit u ndanë në grupe, duke dhënë interpretime të ndryshme rreth tij, e jehuditë e quajtën fëmijë jashtë kurore.
Përkujtoju (lexoju idhujtarëve e të tjerëve) në Libër (në Kuran) Ibrahimin. Ai vërtet ishte shumë i drejtë dhe pejgamber.
Kur babait të vet i tha: “O babai im, pse adhuron atë që, as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij?
O babai im, mua më është dhënë nga dituria çka ty nuk të është dhënë, prandaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë.
O babai im, mos adhuro djallin, sepse djalli është kundërshtar i të Gjithëmëshirshmit.
O babai im, unë kam frikë se do të godasë ndonjë dënim prej të Gjithëmëshirshmit, e do të jesh shok i djallit!”
Ai (babai) tha: “A ti, Ibrahim, i refuzon zotat e mi? Nëse nuk ndalesh (së fyeri ndaj zotave të mi), unë do të gurëzoj, ndaj largohu prej meje për një kohë të gjatë!”
Ai (Ibrahimi) tha: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus Zotin tim për të falur ty, sepse Ai (Zoti im) është i Kujdesshëm ndaj meje.
Unë po largohem prej jush dhe prej çka adhuroni ju pos Allahut, e shpresoj se me adhurimin ndaj Zotit tim nuk do të jem i humbur!”
E pasi u largua prej tyre dhe prej çka adhuronin ata pos Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë pejgamberë.
Dhe atyre (të gjithëve) iu dhamë (të mira) nga mëshira Jonë, edhe i bëmë që të jenë të përmendur për të mirë (ndër njerëz).[216]
[216] Zoti i thotë Muhamedit a.s. t’u tregojë njerëzve nga shpallja që ia dha për Ibrahimin dhe për babain e tij. Ibrahimi i drejtohet babait të vet me fjalë të ëmbla e respektuese, pse gjithnjë i thotë: “O babai im”. Mandej, si besimtar e njofton, se prej idhujve nuk ka asgjë, e këshillon që të largohet prej tyre e të ndjekë rrugën e drejtë, i tregon se adhurimi i idhujve është mashtrim prej shejtanit, e dihet se shejtani e kundërshtoi urdhrin e Zotit dhe me në fund i tërhoqi vërejtjen, se do ta kapë dënimi bashkë me shejtanin. Babai i tij nuk sillet ashtu. Së pari nuk i thotë: O djali im, por o Ibrahim dhe me fjalë të rënda e të vrazhda i kërcënohet. Kur vëren Ibrahimi, se babai nuk pranon këshillat e tij, i thotë: Lamtumirë, nuk do të qortoj më, e i tha se do ta lus Zotin, që ta udhëzojë dhe ta shpëtojë.
Ibrahimi u largua prej babait dhe prej popullit të tij, e shkoi në Palestinë, e mëshira e Zotit nuk e la të vetëm, por i fali djalin Is-hakun e arriti ta ketë edhe nipin, Jakubin, që të gjithë pejgamberë dhe që të gjithë të nderuar e të respektuar prej njerëzve, saqë edhe në lutje - salavate përmendet Ibrahimi dhe pasardhësit e tij.
Përmendju në Libër (tregimin për) Musain! Ai ishte i zgjedhur (prej Zotit) dhe ishte i dërguar, pejgamber.
Dhe Ne e thirrëm nga ana e djathtë e kodrës Tur, e afruam për t’i folur (ta dëgjojë bisedën tonë).
Nga mëshira Jonë i dhamë vëllain e tij Harunin, pejgamber.
Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtim (premtoi të bëhet kurban) dhe i dërguar, pejgamber.
Ai urdhëronte familjen e vet me faljen e namazit dhe me zeqatë, dhe ishte shumë i pranishëm te Zoti i tij.
Përkujtoju në libër edhe Idrisin! Ai ishte shumë i drejtë dhe pejgamber.
Ne e ngritëm atë në një vend të lartë (ia ngritëm lart famën).
Këta (të përmendur) ishin që Allahu i gradoi nga pejgamberët pasardhës të Ademit, prej pasardhësve të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilët), dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur; kur iu lexoheshin atyre ajetet e Zotit, binin në sexhde dhe qanin.
E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja).
Me përjashtim të atij që pendohet dhe beson e bën vepra të mira, të tillët do të hyjnë në xhenet dhe atyre nuk iu bëhet kurrfarë e padrejtë.
Ato janë xhenetet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi iu pat premtuar robërve të vet, pa i parë ata (i besuan pa i parë), e premtimi i Tij është i kryer.
Aty nuk dëgjojnë fjalë boshe, por vetëm përshëndetje. Aty kanë ushqimin e vet (të llojllojshëm) mëngjes e mbrëmje.
Ato janë xhenetet, që do t'ua trashëgojmë robërve Tanë, që ishin të ruajtur.
Ne (engjëjt, thotë Xhibrili) zbresim (vijmë) vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Vetëm Atij i takon e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe mes tyre, e Zoti yt nuk është që harron.
Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe çka ka midis tyre, pra adhuroje Atë, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A di për Te ndonjë emnak (adash)?!”[217]
[217] Musai ishte pejgamber i dalluar i Zotit, ngaqë përmendet se Zoti e afroi aq afër, saqë i dëgjoi fjalët e Tij, sipas lutjes së tij ia dërgoi vëllain Harunin që t'ia forcojë krahun. Të gjithë pejgamberët janë besnikë në fjalën e dhënë, por besnikëria e lsmailit u vërtetua në mënyrë konkrete, kur i premtoi babait, se do të jetë i durueshëm kur do ta therë ai dhe vërtet qe i durueshëm.
Idrisi është një nga gjyshërit e Nuhut, është i pari i dërguar pas Ademit, i pari që përdori lapsin, që thuri petka, që hulumtoi studimin e yjeve dhe i patën ardhur tridhjetë sahife-fletushka. Fama e tij është e lartë dhe thuhet që është ngritur në qiellin e katërt, apo të gjashtë.
Këta dhjetë pejgamberë, që u përmendën në këtë kaptinë ishin vetë të udhëzuar prej Zotit dhe udhëzuan sa mundën edhe të tjerët. Sa herë që përmendej ndonjë fjalë a argument i Zotit bënte përshtypje të madhe në zemrat e tyre, saqë duke qarë i përuleshin me respekt Madhërisë së Tij. Idrisi ishte prej pasardhësve të Ademit, Nuhu prej Idrisit, Ibrahimi, prej Nuhut, prej Ibrahimit ishin: Ismaili, Is-haku e Jakubi; prej Jakubit Musai, Haruni, Zekerijai, Jahjai dhe Isai. Thuhet se mes Ademit e Nuhut ishin njëmijë vjet, e edhe prej Nuhut deri te Ibrahimi po ashtu njëmijë vjet.
Fjala “Gajja” ka kuptimin: dështim, dëm, shkatërrim, e sipas disa shpjegimeve është përroi më i keq në xhehenem prej të cilit të gjitha xhehenemet i ruhen fuqisë së zjarrit të tij. Banuesit e xheneteve të Adnit nuk do të dëgjojnë fjalë të këqija, por vetëm selam. Selam do të thotë: paqe, qetësi, jetë pa brenga. Atë selam ia shprehin njëri-tjetrit, ose atyre ua shprehin melaiket. Edhe feja jonë është selam, është paqe, ata që kultivojnë këtë fe në shpirtin e tyre janë të qetë, janë pa brenga, janë të lumtur. Thuhet se Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., iu paska vonuar për disa ditë Xhibrili, e Pejgamberi i paska thënë: “O Xhibril, çka të pengon që të na vizitosh më shumë se sa na viziton?” (Buhariu). Atëherë i shpallet ajeti, ku thuhet se ne engjëjt zbresim vetëm me lejen dhe me urdhrin e Zotit, e Ai e di më së miri kur duhet të vijmë.
E njeriu thotë: “A thua njëmend pasi të vdes do të nxirrem i gjallë (do të ringjallem)?”
Po, a nuk po mendon njeriu, se Ne e krijuam atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë?
Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë (pas ringjalljes) ata bashkë me djajtë dhe do t’i afrojmë ata rreth xhehenemit të gjunjëzuar.
Pastaj, nga secili grup do t’i kapim ata që kishin qenë më jorespektues ndaj të Gjithëmëshirshmit.
E Ne e dimë më së miri, se cili prej tyre ka më meritë të hidhet në të.
Dhe nuk ka asnjë prej jush, që nuk do t'i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehenemit) është vendim i kryer i Zotit tënd.
Pastaj (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata, që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar.
E kur iu lexoheshin atyre ajetet tona të argumentuara, ata që nuk kishin besuar iu thoshin atyre, që kishin besuar: "Cili grup (ne ose ju) ka vend jete më të mirë dhe kuvend më autoritativ?"
E sa e sa gjenerata kemi shkatërruar para tyre, e që ishin më të pajisur dhe më të dukshëm.
Thuaj: “Atij që është në humbje (në mosbesim), le t’ia vazhdojë atij i Gjithëmëshirshmi për një kohë, e kur do ta shohin atë që po iu premtohet: ose dënimin (në këtë jetë), ose Kijametin, atëherë do ta kuptojnë se kush do të jetë në pozitë më të keqe dhe më i dobët në përkrahje!”
E Allahu ua shton besimin atyre që u udhëzuan, e veprat e mira të përjetshme janë shpërblim më i dobishëm te Zoti yt, dhe përfundim më i mirë.
A je i njoftuar për atë që mohoi argumentet Tona e tha: “Mua gjithqysh do të më jepet pasuri e fëmijë (në botën tjetër)?”
A thua ka zbuluar fshehtësinë, a mos ka marrë prej Allahut ndonjë premtim?
Jo, nuk është ashtu, po Ne do të shënojmë atë që po thotë ai, dhe do t’i vazhdojmë atij dënim pas dënimi.
Dhe Ne e trashëgojmë atë (në pasuri e fëmijë) që thotë ai, e ai ka për të na ardhur i vetmuar.[218]
[218] Çështja e ringjalljes gjithnjë i ka brengosur ata që nuk ishin të përgatitur të dalin para Zotit, prandaj janë përpjekur ta shpallin gjë të pamundshme ringjalljen, duke mos menduar për krijimin e vet pa qenë kurrgjë.
Zoti betohet në madhërinë e vet, se do t’i ringjallë, do t’i afrojë rreth e përqark xhehenemit, saqë nga frika nuk mund të qëndrojnë në këmbë, mandej parinë që mësoi njerëzit për mbrapsht do t’i kapë së pari ata dhe do t’i hudhë në zjarr, e pastaj edhe të tjerët.
Ajeti 71 është shumë i ndërlikuar, ngaqë jep të kuptojmë, se çdo njeri do të hyjë ose do të kalojë nëpër xhehenem. Rreth fjalës “vurudë” janë dhënë mendime; ndoshta më i drejti do të jetë: se do të duhej kaluar mbi të, e besimtarët do të shpëtojnë prej tij e do të shkojnë në xhenet. Idhujtarët e Mekës e kuptuan, se nuk mund t’i bëjnë vërejtje Kuranit, prandaj u sollën nga gjendja materiale dhe nga pozita sunduese, që në ato kohë muslimanët ishin shumë pak edhe më të varfër, dhe me atë donin t’i përqeshnin besimtarët për dobinë që iu solli besimi i tyre. Këtu ndërhyri Kurani dhe iu tregoi për gjeneratat e mëparshme, që ishin më të pasura dhe u shkatërruan, nuk iu vlejti asgjë ajo që kishin, e edhe këta do ta shohin se kush do të jetë më i lumtur. Habab bin Ereti thotë, se isha farkëtar, e As bin Vaili më kishte një borxh dhe vajta për t’ia kërkuar, e ai më tha: “Kurrë nuk ta laj borxhin deri sa të mohosh Muhamedin!” I thashë: “VAllahi nuk e mohoj Muhamedin pa vdekur ti tashti dhe sërish të ringjallesh!”- Ai më tha: “Kur do të vdes e të ringjallem, ti eja tek unë, e unë kam pasuri e fëmijë atje e ta laj borxhin!” (Buhari Muslim). Rreth kësaj ngjarjeje zbresin ajetet 77-80.
Dhe ata në vend të Allahut adhuruan zota të tjerë për t’u krenuar me ta.
Përkundrazi ata (idhujt) do të tërhiqen prej adhurimit të atyre dhe do të bëhen armiq të tyre.
A nuk e di ti, se Ne i kemi lëshuar djajtë kundër jobesimtarëve, e ata i nxisin pandërprerë në vepra të këqija.
Pra, ti mos u ngut kundër tyre, se Ne vetëm jemi duke ua numëruar atyre (jetën në ditë, frymëmarrje etj.).
Ditën kur do t’i tubojmë të devotshmit tek i Gjithëmëshirshmi si mysafirë të ftuar.
Ndërsa mëkatarëve iu grahim në xhehenem të etshëm.
Nuk ka të drejtë ndërmjetësimi askush, përveç atij që e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi.
Ata thanë: “I Gjithëfuqishmi ka fëmijë”.
Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar.
Aq të shëmtuar, sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodrat nga ajo (fjalë),
për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë.
E të Gjithëmëshirshmit nuk i takon të ketë fëmijë.
Nuk ka tjetër, vetëm se gjithë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob.
Ai me diturinë e vet i ka përfshirë të gjithë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre, në mënyrë të saktësishme.
Dhe në Ditën e Kijametit secili do t’i paraqitet Atij i vetmuar.
Nuk ka dyshim, se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t’iu krijojë (në zemrat e tyre) dashuri.
Ne e bëmë atë (Kuranin) të lehtë me gjuhën tënde vetëm që me të t’i përgëzosh të devotshmit, dhe me të t’i tërheqish vërejtjen një populli që është kryeneç.
Sa shumë brezni kemi shkatërruar para tyre. A po vëren ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?[219]
[219] Idhujt të cilët i adhuruan dhe me të cilët krenoheshin, do t’u bëhen armiq idhujtarëve. E përderisa ata nuk i pranuan udhëzimet e Kuranit, ata mbetën në mëshirën e shejtanit, i cili i ngacmon dhe i nxit gjithnjë për punë të këqija. Muhamedit a.s. i thuhet të mos ngutet, e të dëshirojë likuidimin e tyre, pse ata kundështojnë Zotin, pse Ai i ka në dorë frymëmarrjet, ditët, vitet e tyre janë të numëruara, prandaj së shpejti do ta gjejnë dënimin e merituar. Ditën e ringjalljes besimtarët do të sillen te Zoti të nderuar, të krenuar, sepse do të priten si mysafirë të lartë, ndërsa kriminelëve do t’u grahet si shtazëve, kur grahen te uji, dhe përveç atij që Zoti i jep leje, përveç atij që e mban premtimin e Zotit, e premtimi i Zotit është Shehadeti, askush tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë falje për tjetrin.
Fjala më e ndyrë dhe më e përçudur është ajo e atyre, që i përshkruajnë Zotit fëmijë. Është e rëndë ngase gjithçka që është në qiej e tokë është krijesë e Tij, dhe si rob i Tij do t’i paraqitet secili i vetmuar, pa pasuri, pa fëmijë, pa shoqëri, pa fuqi në Ditën e Gjykimit, prandaj nuk është për t’u habitur kur thuhet se prej një këso fjale të rëndë, fjalë injorante gati do të shkatërroheshin qiejt e toka. Dashurinë në zemrat e atyre që besuan dhe bënë vepra të mira e shpik Zoti, prandaj ata e duan Zotin dhe Ai i do ata, dhe e duan njëri-tjetrin. Në përputhje me këtë ajet është edhe hadithi i Pejgamberit a.s. që thotë: “Kur e do Allahu ndonjë rob, e thërret Xhibrilin e i thotë: Unë e dua filanin, pra duaje edhe ti, e Xhibrili thërret në qiell: Allahu e do filanin, duajeni edhe ju, e duan banorët e qiellit dhe ajo dashuri ndaj tij zbret edhe te banorët e tokës, e edhe ata e duan!” (Muslimi).
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Merjem. I Lavdëruar qofsh o Allah!
20. SURETU-TA HA
E zbritur në Meke; pas sures Merjem, ajete: 135
Edhe kjo kaptinë, sikurse edhe kaptinat e tjera, që u shpallën në Meke rreh çështjet themelore të besimit.
Në fillim të kaptinës i jepet rëndësi përforcimit të ndjenjës së Muhamedit a.s., të dërguarit më të famshëm, për detyrën të cilën ishte i obliguar të kryente; i jepet përkrahje për ta forcuar shpirtin e tij, në mënyrë që rezistenca që i bëhej prej armiqve kokëfortë, talljet dhe përgënjeshtrimet që i bënin me qëllime të caktuar, të mos ndikonin në vendosmërinë e tij për të zbatuar deri në fund porosinë e marrë prej Zotit Fuqiplotë.
Kjo kaptinë parashtron disa tregime mbi pejgamberët, e në mënyrë më të shkoqitur, tregimin rreth Musait e Harunit në dialog me faraonin, që përfshin gati pjesën më të madhe të kësaj kaptine; për qëndrimin e Musait në luginën Tuva, për garat e tij me magjistarët dhe për suksesin e tij përfundimtar.
Kalimthi përmendet edhe çështja eAdemit, përmes së cilës kuptohet mëshira e Zotit ndaj tij pas gabimit dhe pas pendimit, madje mëshira e Zotit e shprehur me të dërguarit e njëpasnjëshëm për t’ua treguar njerëzve rrugën e drejtë, e ata pastaj vetë të vendosin, se cilën rrugë do ta zgjedhin: të mirën a të keqen.
Në këtë kaptinë gjithashtu paraqiten edhe disa skena që kanë të bëjnë me disa momente në Ditën e Gjykimit, ku do të mbretërojë drejtësia e përsosur e Gjykatësit Suprem, në të cilën të mirit do t’i thuhet: ke bërë mirë, ja shpërblimi, ndërsa të keqit: ke bërë keq, e more në qafë veten! Quhet: “Suretu Taha” dhe ka si qëllim përforcimin e zemrës dhe të shpirtit të tij në përballimin e pengesave dhe të vështirësive që e goditnin.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Ta, Ha.
Ne nuk ta shpallëm Kuranin për të munduar ty.
Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet.
(kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.
(E Ai) I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arshin (Fronin e Tij).
E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, edhe ç’ka nën dhe.
Prandaj nëse bën shprehjen (lutjen haptazi), Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo.
Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, Atij i takojnë emrat më të bukur.
A të ka ardhur ndonjë njohuri për ndodhinë e Musait?
Kur ai e pa një zjarr, e i tha familjes së vet: “Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr, e unë ndoshta do t’ju sjell ndonjë gacë prej tij, ose do të gjej te zjarri ndonjë udhërrëfyes”.
E kur shkoi tek ai (zjarri), u thirr: “O Musa!”
Vërtet Unë jam Zoti yt, hiq atë që ke mbathur (opingat a nallanet), se je në luginën e shenjtë Tuva.
Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç’po të shpallet!
Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
S’ka dyshim se Momenti (Kijameti) do të vijë patjetër, Unë e kam fshehur atë plotësisht; (do të vijë) për t’u shpërblyer çdo njeri për atë që ka bërë.
Prandaj të mos shmangë ty nga kjo ai që nuk i beson atij dhe që është dhënë pas dëshirave, se atëherë shkatërrohesh.[220]
[220] Dy shkronjat e para, Ta dhe Ha janë sikurse edhe të tjerat në fillim të kaptinave, që sipas mendimit të një shumice dijetarësh janë të pashpjegueshme -muteshabih. Sipas Ibni Abasit etj. do të thotë: O njeri! Ka mendime se ato shkronja janë emër i Pejgamberit, emër i kaptinës, ose është: “i lumi ai që ka gjetur rrugën e drejtë”, apo është “shkele tokën o Muhamed” etj. Zoti xh. sh. i thotë Muhamedit a.s., se Kuranin nuk ia ka zbritur që me të ta mundojë atë, por si këshillë e dritë për atë që ia ka frikën Zotit, që krijoi gjithçka dhe prej Fronit të vet udhëheq me gjithçka, prandaj i thotë, se në asnjë moment nuk është i vetmuar dhe se lutjen mund ta shprehë si të dojë, me zë të lartë ose të ulët, sepse Zoti e di edhe atë që është në shpirtin e tij, e që nuk shprehet fare.
Duke u kthyer Musai prej Medjenit për në Egjipt humbet rrugën, ngaqë ishte një natë shumë e errët dhe e ftohtë. Papritmas në anën e majtë të rrugës sheh një zjarr dhe i thotë familjes: Rrini këtu derisa të shkoj tek ai zjarr të marr ndonjë urë të ndezur, ose të gjej ndokënd, që do të më tregojë për rrugën.
Mirëpo kur ai afrohet sheh se nuk ishte zjarr por dritë, e Zoti e thërret, e duke i thënë se Ai është Zoti i tij, e urdhëron të zbathet dhe e njofton, se gjendet në luginën e shenjtë Tuva. Pastaj i thotë, se atë e ka caktuar pejgamber dhe t’ia vërë veshin mirë asaj që po i shpallej, se Ai që e thërriste është vetë Zot dhe tjetër zot pos Tij nuk ka. Pos kësaj Ai thotë: Mua më përkujto gjatë faljes, e bëhu gati se Kijameti patjetër ka për të ardhur, por Unë e kam lënë të fshehtë momentin, e ty të mos mashtrojë ndonjë që nuk e beson gjykimin para Zotit, e është i dhënë pas qejfeve të kësaj bote, e të të marrë në qafë edhe ty, sepse atë ditë do të shpërblehet secili për veprat që ka bërë.
Këto porosi ia jep Zoti për ta forcuar Musain në bindje, sepse më vonë ai do të ballafaqohet me faraonin.
O Musa, ç’është ajo që ke në të djathtën tënde?
Ai (Musai) tha: “Ai është shkopi im, që të mbahem në të, dhe me të u shkund (gjethe nga drunjtë) dhenve të mia, dhe me të kryej edhe nevoja të tjera.
Ai (Allahu) i tha: “Hidhe atë, O Musa!”
Ai e hodhi atë, kur ja, ai një gjarpër i madh që lëvizte me shpejtësi.
(Allahu i) Tha: “Kape atë, e mos u frikëso, se Ne do ta kthejmë atë përsëri në gjendjen e mëparshme!”
Dhe fute dorën tënde në sqetullën tënde e do ta nxjerrësh atë të bardhë pa asnjë të metë. Kjo është një mrekulli tjetër.
(këtë e bëmë) Në mënyrë që të mundësojmë të shohësh disa nga argumentet Tona të mëdha.
“Shko te faraoni, se ai ka ngritur kokë (është bërë arrogant)”.
Ai (Musai) tha: “Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim!
Dhe më lehtëso në këtë punë timen!
Ma zgjidh nyjen e gjuhës sime,
që ta kuptojnë fjalën time!
Më cakto një ndihmëtar nga familja ime,
Harunin, vëllain tim,
që me të të ma forcosh fuqinë time!
Bëma shok atë në punën time,
në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë,
dhe të përkujtojmë Ty shpesh!
Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët”.[221]
[221] Zoti xh. sh., e dinte se ç’kishte Musai në dorë, e ia bën pyetjen në mënyrë që ai ta përcjellë me vëmendje ngjarjen, sepse ai shkop i thatë, do të shndërrohet në gjarpër të gjallë, pra do të shohë një mrekulli të madhe. Musai nuk përfundon vetëm me përgjigjen në pyetje, por nga dëshira që ta shtojë edhe më tepër kënaqësinë e vet në bisedë me të Madhin Zot, vazhdon duke i përshkruar cilësitë dhe dobitë e shkopit. Mrekullia e shndërrimit të shkopit në gjarpër të madh dhe të zbardhimit e të shkëlqimit të dorës në atë moment ishte parapërgatitje për paraqitjen e atyre mrekullive më vonë para faraonit.
Kur u urdhërua të shkojë te faraoni, i cili e njihte veten si zot, Musai kërkoi ndihmën e Zotit për zbatimin e asaj detyre, kërkoi që t’i lëshohej gjuha e të jetë oratori më i mirë, t’ia bashkojë atij vëllain Harunin, si bashkëpunëtor dhe si pejgamber dhe ashtu të formojë një fuqi më të madhe.
Ai (Allahu) tha: “O Musa, t’u dha ajo që kërkove!”
Ne edhe një herë ta dhuruam ty mirësinë Tonë.
Atëherë kur nënën tënde e frymëzuam me atë që ishte frymëzim.
(Ne i thamë) “Vëre atë (fëmijë, Musain) në arkë, e mandej hidhe në lumë e lumi e hedh në breg, atë e merr armiku Im dhe i tij. E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time”.
Kur motra jote ecte (të përcillte) e thoshte: “A doni t’ju tregoj atë që do të kujdeset për të?” E Ne të kthyem te nëna jote, që të gëzohej ajo e të mos mbetej e pikëlluar. Ti e pate mbytur një njeri, e Ne të shpëtuam nga mërzia dhe të sprovuan me sprova të mëdha. Ti qëndrove me vite ndër banorët e Medjenit, e pastaj erdhe, o Musa, në kohën e caktuar”.
Dhe Unë të zgjodha ty për shpalljen Time.
Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje.
Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.
Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne kemi frikë, se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh”.
Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju)”.
I shkoni e i thuani atij: “Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoji Beni Israilët të vijnë me ne, e mos i mundo! Ne të kemi ardhur me argumente nga Zoti yt, e shpëtimi është për atë që ndjek rrugën e drejtë.
Ne na është thënë, se dënimi është për atë që gënjen (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”.
Ai (faraoni) tha: “E kush është Zoti i juve të dyve, o Musa?”
(Musai) Tha: “Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë?”
Ai tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”
(Musai) Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron”.
(Zoti im) i cili për ju e bëri tokën si djep, për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të, lëshoi shiun prej së larti, e kjo mundësoi që të mbijnë bimë të llojeve të ndryshme.
Hani ju dhe kullotni kafshët tuaja (nga ato bimë). Vërtet, për të gjitha këto (që u përmendën) ka argumente për ata që kanë mendje të shëndoshë.
Prej asaj (tokës) Ne ju krijuam juve, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.
Ne ia bëmë të mundshme atij t’i shohë të gjitha argumentet Tona, por ai i përgënjeshtroi ato dhe i refuzoi.[222]
[222] Përveç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti i përmend aty edhe të mirat, që ia ka dhuruar atij që kur ishte foshnjë. Kur faraoni i vriste fëmijët e Beni Israilëve, Zoti Fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vendosë foshnjën në një arkë (tabut) dhe ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjirin e asnjë gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike, e cila do t’i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjirin atij ai e thithi menjëherë, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua, se nuk mund ta lërë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t’ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata e pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t’i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet. Ai ia përmendi edhe ndihmën që i pati ofruar, kur e pat vrarë një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi dhe i tregoi, se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t’i tregojnë, se nuk ka zot tjetër pos Allahut.
Musai me vëllain e vet shkuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin Furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t’i ringjallë të gjithë. Mirëpo edhe pse Musai ia tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin Fuqiplotë, faraoni nuk deshi t’i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.
(Atëherë faraoni) Tha: “O Musa, a mos na ke ardhur, që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?
Edhe ne do të kundërvihemi me një aso magjie, pra cakto një kohë dhe një vend, që do të na përshtatet, e që nuk do ta thyenim, as ne, as ti”.
(Musai) Tha: “Koha e caktuar le të jetë dita e festës, në mënyrë që njerëzit të tubohen paradite".
Faraoni u kthye dhe tuboi magjistarët e vet dhe doli në kohën (dhe vendin) e caktuar.
Atëherë Musai iu tha atyre (magjistarëve): “Mjerimi është juaji, prandaj mos shpifni ndaj Allahut ndonjë gënjeshtër e t’ju shkatërrojë me ndonjë dënim, se pa dyshim ai që shpif ka dështuar keq”.
Ata (magjistarët) polemizuan për çështjen e tyre, por bisedën e bënë fshehurazi (nga masa).
Ata pastaj (pas bisedës së fshehtë) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që me magjinë e tyre duan t’ju nxjerrin nga toka juaj dhe ta zhdukin drejtimin (ideologjinë) tuaj, që pa dyshim është më i drejti”.
Pra, (meqë janë magjistarë) ju vendosni seriozisht çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok të bashkuar, e ai që triumfon sot, ai ka arritur suksesin.
Ata thanë: “O Musa, do të hedhësh ti apo ne po hedhim të parët?”
Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Kur ja, atij iu duk, se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj).
E Musai ndjeu në vetvete një farë frike.
Ne i thamë atij: “Mos ki frikë, është më se e sigurt, se ti do të jesh triumfues!”
Tani hidhe atë që ke në dorën tënde të djathtë (shkopin), që t’i gëlltisë ato që i bënë ata, sepse ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër pos mashtrim magjistari, e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.
Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: “Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait!”
Ai (faraoni) tha: “A i besuat atij para se t’iu jap unë leje? Ai (Musai) është prijësi juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t’ua pres duart e këmbët tërthorazi, e do t’u var në trungjet e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni, se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm?”
Ata thanë: “Betohemi në Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!”
Ne i besuam Zotit tonë, që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë, me të cilën ti na detyrove. Allahu është më i Miri (në të shpërblyerit) dhe më i Përjetshmi (në të dënuar)!
Ai që i paraqitet Zotit të vet si kriminel, e ka xhehenemin, në të cilin as nuk vdes as nuk jeton.
Ndërsa ai që i paraqitet Atij besimtar e që ka bërë vepra të mira, të tillët i presin merita të larta,
(do ta presin) xhenete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar nga mosbesimi.[223]
[223] Edhe pse i pa mrekullitë faraoni nuk deshi t’i pranojë, e Musain e quajti magjistar, duke i thënë se do të kundërvihemi edhe ne me magji. Musai caktoi vendin e kohën, ku do të zhvillohen garat në magji. Caktoi ditën e një feste të tyre, në mënyrë që të tuboheshin sa më shumë popullsi, që ta përjetonin të vërtetën sa më shumë njerëz.
Faraoni i thirri të gjithë magjistarët dhe ndër më të aftit prej tyre i zgjodhi shtatëdhjetë e dy sish. Para se të fillonin t’i provonin forcat Musai ua tërhoqi vërejtjen magjistarëve për mëkatet e gënjeshtrës, prandaj ata u frikësuan dhe biseduan fshehtas për atë që ju tha Musai, por publikisht i quajtën magjistarë, edhe Musain, edhe Harunin. Musai nuk i paraqiti mrekullitë e veta i pari, por iu tha atyre të fillonin. Kur i hodhën në atë fushë litarët dhe shkopinjtë e tyre ata u dukën, se u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj, që rrëshqitnin barkas, saqë edhe Musai hetoi një farë frike. Atëherë Zoti e trimëroi, duke i thënë se magjia e tyre është mashtrim, mos të frikësohet, por ta hedhë shkopin e vet. Kur Musai e hodhi shkopin e vet ai u shndërrua në një gjarpër të madh, i cili një nga një i gëlltiti të gjitha mjetet e tyre, ndërsa njerëzit e shikonin me habi këtë ngjarje. Kur e panë këtë gjë magjistarët e kuptuan, se nuk ishte punë magjie, por mrekulli e Zotit, prandaj të gjithë u përulën në shenjë mirënjohjeje, pranimi dhe respektimi ndaj Allahut. I dëshpëruar nga disfata faraoni u kërcënua duke iu thënë, se Musai është mësuesi i tyre, prandaj ai do t’ua shkurtojë gjymtyrët e trupit nga një dorë e këmbë të djathtë e nga një të majtë. Mirëpo edhe pas këtij kërcënimi magjistarët që besuan Zotin, nuk u luhatën, i thanë se ai mund t’i gjykojë në këtë jetë, por kjo është e shkurtër, e se nuk dëshironin t’i paraqiteshin Zotit në Ditën e Gjykimit si kriminelë, e ta meritonin xhehenemin, por do të donin t’i paraqiteshin si besimtarë të sinqertë e me vepra të mira ta gëzojnë shpërblimin e vërtetë.
Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapju atyre rrugë të terur në det, e mos ki frikë, se do të zënë, a do të fundosesh”.
Atyre iu vu prapa faraoni me ushtrinë e vet, po ata e pësuan në det ashtu si e pësuan.
Faraoni e humbi popullin e vet, e nuk e udhëzoi.
O Bijt e Israilit, Ne ju shpëtuam prej armikut tuaj, ua përcaktuam anën e djathtë të Turit (për shpalljen e Tevratit), ju furnizuam me rrëshirë (si mjalti) dhe me shkurtëza.
Hani nga të mirat që ua dhuruam, e mos u bëni përbuzës, se do t’ju godasë hidhërimi Im, e atë që e zë hidhërimi Im, ai ka mbaruar.
Nuk ka dyshim, se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.
Po ty o Musa: “Ç’të nguti para popullit tënd?”
Ai u përgjigj: “Ja, ata janë pranë meje, e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje!”
Ai (Allahu) Tha: “Ne e sprovuam popullin tënd pas teje, dhe ata i hodhi në humbje Samiriu!”
Musai u kthye te populli i vet i hidhëruar e i pikëlluar dhe tha: “O populli im, a nuk iu premtoi juve Zoti juaj premtim të mirë, a mos u bë kohë e gjatë e ju e harruat premtimin, ose dëshiruat t’ju godasë hidhërimi nga Zoti juaj, prandaj e thyet besën, që ma keni dhënë?"
Ata thanë: “Ne nuk e thyem besën tënde me dëshirën tonë, por ne ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë e popullit e i hodhëm ato (në zjarr), e ashtu i hodhi edhe Samiriu”.
E ai (Samiriu) ua ndërtoi atyre një viç me trup që pëlliste, e ata thanë:“Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar”.
A nuk e kuptonin ata se ai (viç), as nuk u përgjigjej atyre, e as nuk kishte mundësi t’ju sillte ndonjë dobi a dëm.
E Haruni iu pat thënë atyre më parë: “O populli im, ju vetëm u sprovuat me të, pse Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ejani pas meje dhe më dëgjoni për këtë që po ua them”.
Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij (adhurimit të viçit), deri sa të kthehet te ne Musai!"
Ai (Musai u kthye e) tha: “O Harun ç’të pengoi ty kur i pe se morën rrugën e gabuar,
e ti të mos e vazhdosh rrugën time? A mos e kundërshtove edhe ti porosinë time?”
Ai (Haruni) tha: “O bir i nënës sime, mos më kap, as për mjekrre as për flokësh, se unë u frikësova, që do të thuash: I përçave Beni Israilët dhe nuk e ke respektuar porosinë time?”
Ai (Musai) tha: “E si ishte puna jote, o Samiri?”
Tha (Samiriu): “Unë pashë atë që ata nuk e panë, e mora një grusht nga gjurma e të dërguarit (nga fërkemi i kalit të Xhibrilit) dhe ia hodha atij (viçit) dhe kështu më mashtroi vetja”.
Ai (Musai) tha: “Prandaj largohu, sepse sa të jeshë gjallë ke për të thënë: (këdo që e sheh) “Mos m’u afro!” E ty të pret edhe një moment (dënim) i pathyeshëm. E ti tash shikoje zotin tënd që e adhurove bindshëm, e tani atë do ta djegim e do ta bëjmë shkrumb dhe hirin e tij do ta shpërndajmë nëpër det”.
I adhuruari juaj është vetëm Allahu, që përveç Tij nuk ka të adhuruar të vërtetë, e dituria e Tij ka përfshirë çdo send.[224]
[224] Ndërsa faraoni vazhdonte arrogancën e vet Zoti e urdhëroi Musain të largohej prej aty natën, e i thotë t’i mëshojë me shkopin e tij detit, e ai do të ndahet dhe do të krijohen rrugë të thata nëpër të, ndërsa populli i tij mos të frikësohet, se do t’i mbysë uji ose se do t’i zërë faraoni me ushtrinë e vet. Musai kaloi mirë me popullin e vet përtej detit, e faraoni që i ishte vënë prapa tyre duke i ndjekur u fut në ato rrugë të detit, por uji u bashkua dhe i përmbyti.
Zoti xh. sh. ua përkujton Beni Israilëve të mirat, që ua dhuroi dhe i këshilloi t’ju përmbahen udhëzimeve të Tij. Musai shkonte në Tur për ta pranuar shpalljen, e me të ishin disa nga paria, që i kishte zgjedhur ai, por nga dashuria për bisedën që do ta bëj me Zotin, u ngut dhe eci para tyre.
Gjatë kohës sa qëndroi Musai në Tur populli i tij u mashtrua prej njëfarë “Samiriu”. Si duket ai kishte qenë më parë si adhurues i lopës, kishte pranuar fenë e Beni Israilëve, rridhte prej familjes Samiriu, ndërsa emrin e kishte Musa. Kështu ai popull filloi të adhurojë një viç, që Samiriu e punoi prej stolive, e që e kishin huazuar Beni Israilët prej kibtasve. Stolisë së shkrirë në zjarr i kishte dhënë formë viçi, e si thoshte Samiriu i kishte hedhur një grusht dhe, që e kishte marrë prej gjurmës së këmbës së kalit, me të cilin kishte ardhur Xhibrili për ta dërguar Musain në Tur.
Kjo bëhej gjoja se vetëm Samiriu e kishte parë atë rast të Xhibrilit dhe se viçi pëlliste si të ishte i gjallë.
Zoti xh. sh. e njoftoi Musain, sa ishte ende në Tur për devijimin e popullit të tij, prandaj ai u kthye shumë i zemëruar dhe nga hidhërimi e zuri të vëllain për flokësh dhe e qortoi, por Haruni u arsyetua. Samiriu u leçit nga i gjithë populli, e viçin e punuar e dogji Musai duke mos i lënë as hirin dhe kështu e asgjësoi atë bindje, dhe i thirri të adhuronin vetëm Allahun, të Gjithëdijshmin. Me tregimin e kësaj ngjarjeje Zoti xh. sh. vërteton dërgatën e Muhamedit a.s., i cili sikur të mos ishte njoftuar nga Zoti, nuk do të dinte asgjë për të kaluarën.
Po kështu, Ne të rrëfejmë ty për disa nga ndodhitë, që kanë kaluar më herët dhe nga ana jonë ta dhamë ty shpalljen plot përkujtime.
Kush i kthen shpinën kësaj (shpalljes - Kuranit), ai do ta bartë në Ditën e Kijametit barrën më të rëndë.
Nën atë do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa barrë e keqe është për ta në Ditën e Kijametit.
Ditën kur i fryhet surit (bririt), atë ditë Ne i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar).
E ata pëshpërisin mes vete: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se nja dhjetë ditë.
Ne më së miri e dimë se çka flasin ata, e edhe atë kur më i mençuri prej tyre iu thotë: “Nuk qëndruat më shumë se një ditë!”
Ty të pyesin edhe për kodrat, thuaj: “Zoti im do t’i bëjë thërrmija të shpërndara”.
Dhe vendin e tyre do ta bëjë rrafsh pa farë bime e ndërtese.
E nuk do të shohësh në të, as ultësirë, e as lartësirë.
Atë ditë ata do të shkojnë pas thirrësit, e nuk do t’i largohen atij, e para të Gjithëmëshirshmit ulen zërat e nuk dëgjohet tjetër pos një zë i ulët.
Atë ditë nuk bën dobi, as ndërmjetësimi, përveç atij të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.
Ai i di ato që ishin para tyre dhe ato që vijnë pas, po dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë.
E fytyrat (e mëkatarëve) e turpëruara i përulen të Përjetshmit, të Gjithfuqishmit, sepse ka dështuar ai që barti padrejtësinë.
Kush është besimtar dhe bën vepra të mira ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim).
Kështu Ne e shpallëm këtë Kuran arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kurani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.
I Lartë është Allahu, Sundimtar i vërtetë. Ti mos nxito me Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!”[225]
[225] Pasi përshkruhet tregimi për Musain përmendet se ai tregim i rrëfehet Muhamedit
a.s. nga ana e Zotit, përmes këtij Kurani që është plot këshilla e dituri të dobishme, ndërkaq ai që refuzon mësimet e tij, ai do ta ngarkojë keq veten Ditën e Kijametit, kështu që kur t’i fryhet surit për ringjallje, ata do të ngrihen të shëmtuar, me fytyra të nxira, e sy të mavijosur dhe do të kuptojnë, se jeta e kësaj bote nuk ka qenë më shumë se një ditë.
Idhujtarët i thonin Muhamedit a.s., se ç’mund të bëjë Zoti i tij me këto kodra, me këta shkëmbinj e me këto male, e këtë e bënin në shenjë talljeje. Kurani sqaron, se ato do të bëhen hi e pluhur, e toka do të jetë e rrafshët, pa asnjë send mbi faqen e saj, ndërsa thirrjes për tubim në vendin e caktuar për gjykim, i përgjigjen të gjithë pa bërë zë. Atë ditë mund të ndërmjetësojnë për shefaat pejgamberët etj., vetëm për atë njeri, për të cilin Zoti lejon. Ata që refuzuan mësimet e Zotit do të dalin para Tij të turpëruar, sikurse të zënët rob, ndërsa ata që besuan e bënë vepra të mira, do ta gëzojnë në mënyrë të plotë shpërblimin e merituar.
Kurani përsërit shumë herë vërejtjen për rrezikun nga dënimi në zjarr të xhehenemit, iu flet idhujtarëve në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë e të mbledhin mend, se fundi i fundit madhëria e Allahut është e lartë, Ai udhëheq me gjithçka dhe vetëm Atij i takon adhurimi, e kurrsesi nuk ka nevojë për adhurimin e idhujtarëve, ata shkatërrojnë veten. Thuhet se Muhamedi a.s. ngutej dhe lexonte Kuranin, që i shpallej së bashku më Xhibrilin duke ia lexuar natyrisht ai, prandaj i thuhet që të mos ngutej e të mos ketë frikë se do ta harrojë atë.
Ne i patëm urdhëruar edhe Ademit (të mos i afrohej pemës), po ai harroi, pra tek ai nuk gjetëm vendosmëri.
Përkujto kur Ne iu thamë engjëjve: “Bëni sexhde ndaj Ademit, ata i bënë, pos Iblisit, i cili nuk deshi”.
E Ne i thamë: “O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xheneti, e të të vërë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)".
Ti aty (në xhenet) nuk ke për të qenë i uritur, e as nuk ke për të mbetur i zhveshur.
Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë.
Por atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!”
Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e filluan ta mbulojnë veten e tyre me gjethe, që i mblidhnin nëpër xhenet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.
Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur).
Ai (Allahu) iu tha: “Zbritni prej aty, që të gjithë do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja), e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)".
E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër.
Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”
Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona, që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot".
Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.
A nuk e kanë të qartë ata, se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë.
E sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, dënimi do t’i kapte ata.
Prandaj ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, në mënyrë që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).
Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.
Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, sepse Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.
Ata thanë: “Përse nuk na solli ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk iu erdhi atyre sqarim (në Kuran) për atë që ishte në broshurat e mëparshme”.
Dhe sikur t’i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para tij (para se ta shpallim Kuranin), ata do të thonin: “Zoti ynë, përse nuk na çove ndonjë të dërguar, që t'iu përmbaheshim fakteve të Tua para se të poshtëroheshim e të mjeroheshim”.
Thuaj: “Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju, se së shpejti do ta kuptoni, se kush ishin ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush e gjeti të vërtetën”.[226]
[226] Ngjarja rreth përuljes së engjëjve me urdhrin e Zotit ndaj Ademit dhe e refuzimit të shejtanit është përsëritur në shtatë kaptina të Kuranit, me qëllim që besimtarët të kuptojnë, se duhet ta zbatojnë urdhrin e Zotit, duhet të largohen prej ndalesave dhe të rikujtojnë armiqësinë e shejtanit, të cilën ai e shfaqi kundër babait të tyre, Ademit, e të cilën e shfaq edhe ndaj secilit pasardhës të Ademit. Zoti xh. sh. ia bëri me dije Ademit armiqësinë e djallit, ia bëri me dije telashet, që do ta godisnin, nëse do të dëgjonte mësimet e tij, por shejtani me vesvesen e tij e preku Ademin në dy pikat që janë më të ndieshmet dhe më lakmueset për njeriun në përgjithësi. E preku në pavdekshmërinë, d.m.th. në jetën e amshueshme dhe në pasurinë e pashtershme. Që të dyja këto ia ka ënda njeriut, prandaj jo nga lakmia për të ngrënë nga ajo pemë, por nga lakmia e fitimit të atyre dy cilësive, Ademi u mashtrua.
Si masë e parë e ndëshkimit të Ademit dhe të Havasë ishte ajo, kur ata u zhveshën prej petkut, që ishin rreze drite, të cilat mbulonin trupin e tyre, e kur u zbuluan ngarendën të mblidhnin gjethe të pemëve të xhenetit duke mbuluar avretin e tyre. Në xhenet jetën e kishin të garantuar pa kurrfarë mundi, e kur u larguan prej aty çështja e jetës e gjallërimit mbeti përgjegjësi e njeriut, e si rrjedhojë e saj paraqiten mosmarrëveshjet dhe grindjet mes njerëzve, prandaj u thuhet, se do të jenë armiq të njëri-tjetrit, nëse nuk iu përmbahen mësimeve të Zotit, që do t’i sillte me shpallje përmes pejgamberëve. Kush ua kthen shpinën porosive të Zotit ai edhe në këtë jetë do të jetë gjithnjë në vështirësi, por mjerimi kryesor është, se ai në botën tjetër do të jetë i mënjanuar nga mëshira e Zotit. Muhamedi a.s. urdhërohet të jetë i durueshëm ndaj përgojimeve të armiqve, urdhërohet t’i falë pesë kohët e namazit e të mos ia ketë lakmi atyre që përjetojnë kënaqësi të kësaj jete, pse kjo jetë është vetëm sprovë, është begati e shkurtër dhe e zhdukshme, e të mirat e Zotit janë shumë më të mëdha e të përjetshme. Pra, çështja e kësaj jete nuk duhet të jetë preokupim e ta largojë njeriun nga namazi dhe përkujtimi ndaj Zotit.
Idhujtarëve iu erdhi Muhamedi a.s. me Kuran në të cilin përkshkruheshin ngjarjet e shënuara në librat e mëparshëm, me çka dokumentohej, se Kurani ishte mrekulli e shpallur prej Zotit, madje edhe në librat e hershëm kishte shënime për ardhjen e Muhamedit a.s., e të Kuranit, e megjithëkëtë ata kërkonin ndonjë mrekulli tjetër, prandaj iu thuhet të pritnin, se do të shihnin, se cila ishte rruga e drejtë, e tyre ose ajo e besimtarëve të drejtë, e besimtarëve të besimit islam.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “TA HA”. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar!
21. SURETUL - ENBIJA
E zbritur në Meke, pas sures Ibrahim, ajete: 112
Kjo kaptinë e shpallur në Meke rreh çështjet e besimit islam siç janë: të dërguarit e Zotit, besimi në një Zot, ringjallja, shpërblimi ose ndëshkimi, përshkruan edhe momentin e Kijametit dhe tronditjet që do të pasojnë prej tij, e po ashtu i regjistron edhe disa tregime të pejgamberëve.
Që në fillim jepet hutia dhe naiviteti i njerëzve ndaj përgatitjes për jetën tjetër për Ahiretin, i cili është në prag, sepse ajo gjë që është e sigurt se do të ndodhë është afër, edhe nëse shtyhet për një kohë të caktuar.
Përmenden edhe ata që u përpoqën ta quajnë gënjeshtër shpalljen e Zotit, duke i mveshur e shpifur trillime të ndryshme të Dërguarit e Tij, Muhamedit a.s., madje sa herë që e takuan, e përqeshën, u tallën me të dhe me mësimet e tij, derisa sipas ligjeve ekzistuese të Zotit në këtë gjithësi mizorët i goditi asgjësimi dhe zhdukja.
Në këtë kaptinë janë përmbledhur edhe disa tregime rreth pejgamberëve, e më gjerësisht tregimi për Ibrahimin dhe popullin e tij idhujtar, për statujat e tyre që i adhuronin, për sprovën e tij duke e hedhur në zjarr dhe largimin e tij prej mesit të atij populli të prishur. Shkurtimisht përmenden edhe pejgamberët: Is-haku, Jakubi, Nuhu, Davudi, Sulejmani, Ejubi, Ismaili, Idrisi, Dhulkifli, Dhennuni, Zekerijai dhe Isai. Në fund përshkruhet revelata e pejgamberit të fundit, e Muhamedit a.s., të birit të Abdullahut, e mëshirës për mbarë botën.
Quhet: “Suretul Enbijai” - kaptina e pejgamberëve, pse në këtë kaptinë Allahu përmend një grup të pejgamberëve të famshëm.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Njerëzve iu është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të.
Atyre nuk iu vjen asnjë këshillë e re (në Kuran) nga Zoti i tyre, e që ata të mos tallen me të duke e dëgjuar.
Të shmangura nga e vërteta janë zemrat e tyre.Ata që janë zullumqarë, duke biseduar fshehtas (thonë): “A mos është ky (Muhamedi) diçka tjetër pos njeri, sikurse edhe ju, pra a do t’ia pranoni magjinë e tij, kur ju po e dini?”
Ai (Muhamedi) tha: “Zoti im di për thënien që thuhet në qiell e në tokë (pra di edhe për bisedën tuaj), Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi!”
Ata madje thanë: “(për Kuranin) Ëndrra të përziera, madje thanë se ai (Muhamedi) vetë e trilloi, ai është poet! Le të na sjellë një mrekulli ashtu si u dërguan të mëparshmit (me mrekulli)!”
Banorët e qyteteve para tyre nuk i besuan (mrekullitë), prandaj Ne i shkatërruam, a mos do të besojnë këta?
Ne edhe para teje nuk dërguam tjetër pos burra, të cilëve iu dhamë shpallje, e nëse nuk e dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.
Ne nuk i bëmë ata (pejgamberët) trupa që nuk hanë ushqim e as nuk ishin të përjetshëm (të pavdekshëm).
Ne u plotësuam pastaj premtimin, i shpëtuam ata dhe kë dëshiruam Ne, ndërsa ata që kaluan çdo kufi, i zhdukëm.
A nuk e kuptoni, se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria juaj?
Ne shpartalluam sa vendbanime që ishin mizore, e në vend të tyre sollëm popull tjetër.
E ata kur e hetonin forcën e dënimit tonë iknin me shpejtësi.
(atëherë atyre iu thuhej) Mos ikni, po kthehuni në begatitë dhe në vendbanimet tuaja, se ndoshta do të mund të merreni vesh (e gjithë kjo ishte një ironi kundër tyre).
Ata thonin: “O shkatërrimi ynë, vërtet ne ishim zullumqarë!”
Mjerimi i tyre vazhdoi ashtu derisa i bëmë të korrur e të ftohur (të vdekur).[227]
[227] Njerëzve po iu afrohet momenti i përgjegjësisë para Zotit, ndërsa ata janë zhytur në kënaqësitë e kësaj jete dhe as nuk mendojnë fare për këtë. Afrimi i ditës ose i momentit të llogarisë është i sigurt, ngaqë çdo e ardhme është e afërt, po edhe vdekja është një moment i përgjegjësisë.
Për çdo pjesë të re, e cila i shpallej Muhamedit a.s. idhujtarët e tallnin, madje bënin biseda të fshehura mes vete: Muhamedi është njeri sikurse edhe ne, si mund t’i vijë atij shpallja? E për t’i larguar të tjerët prej besimit, thonin: Kjo është magji, ose ai po ëndërron gjëra të kota apo ndoshta ai vetë e trillon këtë Kuran, e mund të jetë edhe poet. Kërkonin prej Muhamedit a.s. ndonjë mrekulli konkrete, si shkopi i Musait, deveja e Salihut etj. Zoti xh. sh. e sqaron Muhamedin a.s., se edhe ata që ishin para tyre kërkuan gjëra të ngjashme dhe kur u plotësuan kërkesat e tyre ata përsëri refuzuan, e kështu do të bëjnë edhe mekasit, prandaj hiqu prej tyre.
Të gjithë pejgamberët ishin burra që ushqeheshin, që ecnin e që vdisnin, e nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë le të pyesin njerëzit që janë të dijshëm dhe që kanë lexuar librat e mëparshme në mënyrë që të binden. Kurejshitëve iu tërhiqet vërejtja, pse nuk e pranonin Kuranin kur ai ishte në gjuhën e tyre, e i ishte shpallur njeriut nga mesi i tyre. Thuhej se në të ishte edhe fama dhe autoriteti i tyre si popull i privilegjuar me shpallje në gjuhën e tyre, madje se mësimet e Kuranit do t’u ngrinin atyre karakterin njerëzor në këtë jetë dhe do t’i ngrinin në grada të larta në jetën tjetër.
Kundërshtarët ishin kryelartë gjithnjë derisa e shihnin dënimin, atëherë ata ulnin kokën dhe orvateshin të iknin, por ishte e kotë, sepse urdhrit të Zotit nuk mund t’i iket, e engjëjt që iu merrnin shpirtin me atë dënim u thonin - në shenjë ironie: kthehuni në kënaqësitë që ishit, si mund të ndodhë, që të mos u pyes askush për fatin tuaj... Kështu bëhej tallje me ta, mu sikurse bënin tallje ata me Kuranin.
Ne nuk e krijuam qiellin, tokën e çdo gjë çka ka mes tyre pa qëllim të caktuar.
Sikur të kishim dashur të zbavitemi dhe sikur të donim ta bënim atë, Ne do të zbaviteshim në kompetencën Tonë, por Ne nuk e bëmë atë.
Përkundrazi Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të, ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket. E juve (jobesimtarëve) iu takon shkatërrimi për atë që i përshkruani (Zotit, si fëmijë etj.).
Vetëm e Tij është çdo gjë, që është në qiej e në tokë! E ata që janë pranë Tij (melaiket), nuk shprehin mendjemadhësi në adhurimin ndaj Tij, e as nuk iu bëhet (ibadeti) monoton.
Ata lartësojnë (Allahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.
A mos morën ata zota prej toke, që mund Të ringjallin (të vdekurit)?
Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zoti i Arshit.
Ai nuk pyetet se çka punon, po ata (njerëzit) pyeten.
A përvetësuan ata zota të tjerë pos Tij? Thuaj: “Silleni argumentin tuaj!” Ky (Kurani) është argument për këta që tani janë me mua, dhe për ata që ishin para meje, por shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, prandaj edhe nuk vështrojnë.
Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij, se: Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Meje, pra më adhuroni!”
E ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë!” Larg saj qoftë madhëria e Tij! Ja, ata janë robër të ndershëm,
që nuk flasin para Tij, ata veprojnë me urdhrin eTij!
Ai (Allahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm.
Ndërsa kush thotë prej tyre, se unë jam zot pos Tij, ndëshkimi për të është xhehenemi. Kështu i ndëshkojmë Ne zullumqarët.[228]
[228] Krijimi i qiejve dhe i tokës me të gjitha dukuritë dhe fenomenet në to janë argument i fuqisë së pakufishme të Zotit. Në bazë të një studimi serioz të tyre njerëzit do të arrijnë ta kuptojnë dhe ta besojnë Krijuesin e tyre. Ky është një fakt që asgjëson çdo gënjeshtër.
Duke qenë pronë e Zotit çdo qenie e send që ekziston disa mendjelehtë i përshkruajnë Zotit edhe fëmijë, e dihet se melaiket që janë më afër Tij, e ndjejnë veten rob të Tij, e adhurojnë pandërprerë dhe pa u lodhur. Edhe përkundër të gjitha këtyre fakteve idhujtarët vazhduan të adhurojnë zota të tjerë, që nuk kanë kurrfarë fuqie, po janë vetëm trupa të ngurtë.
Sikur të ekzistonin shumë zota do të shkatërrohej rregulli që mbretëron në botë dhe do të shkatërrohej e tërë gjithësia, pse ekzistimi edhe i ndonjë zoti tjetër, vetvetiu jep të kuptohet, se ai është i nevojshëm, e zoti që ka nevojë edhe për ndonjë tjetër, ai nuk është zot, sepse paaftësia e tij shkakton ekzistimin e tjetrit, e tjetri duhet të ketë kompetencë, e dy kompetenca nuk mund të realizohen njëkohësisht, e realizimi i njërës e i tjetrës jo, mohon aftësinë e të dytit; kështu pra, ekziston vetëm një Zot dhe vetëm rregulli i Tij mbretëron në gjithësi. Meqenëse vetëm Ai është i Zoti çdo gjëje, Ai nuk përgjigjet pse punon në këtë mënyrë ose në atë. Në asnjë libër para Kuranit, e as në Kuran nuk ka fakte, se pos Zotit që është një ka edhe zota të tjerë, prandaj është për t’u habitur se si mashtrohen idhujtarët dhe adhurojnë sende të kota?
Besimi në një Zot të vetëm, nuk është risi prej Kuranit, ose prej Muhamedit a.s. Çdo pejgamber ka porositur e mësuar të njëjtin besim, ka mësuar se engjëjt janë rob të Zotit, dhe nuk mund ta ndihmojnë askënd, pos atij, që e pëlqen Zoti e për atë që mënjanon atë besim, vendi i tij do të jetë xhehenemi.
A nuk e dinë ata, që nuk besuan, se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?
Dhe në të (tokë) Ne kemi krijuar bjeshkë të paluhatshme, që të mos i lëkundë ata, dhe nëpër to kemi bërë lugina e rrugë, në mënyrë që ata të dinë të orientohen.
Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zmbrapsen prej atyre argumenteve.
Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë.
Ne, asnjë njeriu para teje (Muhamed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?
Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.
E kur të shohin ty ata që nuk besuan, nuk të marrin ndryshe vetëm se në tallje (duke thënë): “A ky është ai që përgojon zotat tuaj!” E ata përmendjen e të Gjithëmëshirshmit (Rrahmanit) e mohojnë.
Njeriu nga vetë natyra e tij është i ngutshëm, e Unë do t’ua tregoj juve masën Time ndëshkuese, pra mos kërkoni t’iu vijë më shpejt.
Ata thanë: “Kur do të jetë ai premtim (me dënim), nëse thoni të vërtetën?"
Sikur ta dinin ata që nuk besuan, se atëherë nuk do të mund ta largojnë zjarrin, as nga fytyrat e tyre, e as nga shpinat, e as që do të ndihmohen (nuk do të ishin jobesimtarë).
Por atyre do t’iu vijë befas, do t’i tronditë ata, e atëherë as nuk mund ta largojnë, dhe as nuk iu jepet afat.
Në të vërtetë, janë bërë përqeshje edhe me të dërguarit e tjerë para teje, ata që u tallën me ta i përfshiu ajo me çka talleshin.
Thuaj:“Kush ju mbron juve prej (dënimit të) të Gjithëmëshirshmit natën e ditën?” Por jo, ata ua kthejnë shpinën këshillave të Zotit të tyre.
A mos kanë ata pos Nesh zota të tjerë, që i mbrojnë? Po ata nuk mund t'i ndihmojnë vetvetes (e lëre më adhuruesve), Ata (mosbesimtarët) as nuk do të pranohen prej Nesh në fqinjësi.
Por Ne iu dhamë atyre dhe prindërve të tyre jetë të gjatë me kënaqësi (e ata u mashtruan). A nuk e vërejnë ata, se Ne ua pakësojmë tokën nga anët e saj, atëherë a mos ata do të jenë fitues (o të humbur)?
Thuaj: “Unë ua tërheq vërejtjen vetëm me anën e kësaj shpalljeje, po i shurdhri nuk e dëgjon thirrjen, edhe kur i tërhiqet vërejtja”.
E sikur t’i godasë pak ndonjë e keqe nga dënimi i Zotit tënd ata do të thonë: “Të mjerët ne i bëmë vetes padrejtësi”!
Në Ditën e Gjykimit Ne do të vëmë peshore të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.[229]
[229] Në Kuran thuhet se qiejt e toka ishin të bashkuar në një, e pastaj janë ndarë. Pas këtij konstatimi të Kuranit nuk kemi kurrfarë nevoje për ndonjë dokument tjetër mendor. Po kështu përmendet uji si bazë për jetën e çdo sendi, pra, asgjë nuk është e krijuar pa qëllim të caktuar. Edhe bjeshkët e mëdha e të forta garantojnë stabilitetin e tokës, sikurse edhe atmosfera rreth tokës, që shërben si kulm, i cili mbron prej meteorëve e sendeve të tjera. Madje ndryshimi i relievit të tokës, nuk është pasojë rasti, por rrjedhim i një qëllimi të caktuar që njerëzit të orientohen më lehtë.
Idhujtarët thonin se pas vdekjes së Muhamedit a.s., ata do t’i kthenin besimtarët përsëri në fenë e tyre, ndërsa Kurani ju thotë, se ajo gjë nuk do të ndodhë, sepse ata do të zhdukeshin, e Feja Islame do të vazhdojë. Askush nuk është i pavdekshëm, çdo krijesë do ta shijojë vdekjen. Të gjithë do të sprovohen me të mira e të këqija, në mënyrë që të shihet edhe falënderimi për të mirat dhe durimi ndaj vështirësive, kurse shpërblimi do të jepet sipas qëndrimit tuaj. Jobesimtarët kurejshitë, si Ebu Xhehli etj., e përqeshnin Muhamedin a.s., pse ai fyente zotat e tyre, e nuk e vërenin veten, se bënin gabim të madh, duke mos e besuar Zotin e vërtetë. Ata e dinin, se do t’i zërë dënimi, e duke mos pasur durim të rrinin gjithnjë në pritje kërkonin, që dënimi t'iu vijë më shpejt, e nuk e dinin, se ai do t'iu vijë befas e do t'i tmerrojë, e atëherë ata nuk do të mund të largojnë prej vetes zjarrin. Zotat e tyre janë të ngurtë dhe nuk kanë kurrfarë mundësie, e kush do t'i mbrojë pos Zotit. Ata ishin të mashtruar, sepse Zoti iu kishte dhënë jetë të begatshme dhe harronin se do të vdesin. Nuk e vërenin, se dita ditës ngushtohej territori i vendit të tyre, ndërsa i muslimanëve përkundrazi, zgjerohej. Kështu atyre iu vinte fundi i jetës, shfarosja e tyre.
Në Ditën e Gjykimit nuk mbetet asnjë send pa u vënë në peshore, e as vepra më e vogël, askujt nuk i bëhet padrejtësi, por atëherë do ta vajtojnë veten kokëfortit, edhe pse me vonesë.
Ne i patëm dhënë Musait e Harunit Furkanin (dalluesin mes të vërtetës e të kotës - Tevratin), që ishte dritë e këshillë për të devotshmit,
të cilët ia kanë frikën Zotit të tyre, edhe pse nuk e shohin dhe ata të cilët ia kanë dronë Kijametit.
Edhe ky (Kurani) është këshillë, është i bekuar që Ne e shpallëm. A, ju po e refuzoni?!...
Ne ia dhamë Ibrahimit herët të mbarën, sepse Ne e kemi njohur mirë atë (ia dhamë të mbarën se e meritoi).
Kur ai babait dhe popullit të vet u tha: “Ç’janë këto statuja që i adhuroni?”
Ata thanë: “I gjetëm të parët tanë, që po i adhuronin”.
Ai u tha: “Edhe të parët tuaj, e edhe ju qartë ishit të humbur!”
Ata thanë: “Me gjithë mend e ke apo mos po tallesh!”
Atëherë ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zot i qiejve e i tokës, është Ai që i krijoi ato, ndërsa unë jam dëshmues për këtë!”
Betohem në Allahun, posa të largoheni ju unë kam për t’ia bërë atë që duhet statujave tuaja!
Dhe i bëri ato copë-copë, përveç një më të madhes, që e kishin ata e me shpresë se atij do t'i drejtohen (për ta kuptuar se kush i theu).
(Kur u kthyen i panë) Ata thanë: “Kush e bëri këtë me zotat tanë? Ai na qenka kriminel!”
(pastaj) Thanë: “Kemi dëgjuar për një djalosh, që i përqeshte ato, të cilit i thonin Ibrahim".
Ata thanë: “Silleni atë këtu në sy të njerëzve që ta shohin (e ta dënojmë)”.
I thanë: “A e bëre ti këtë me zotat tanë, o Ibrahim?”
Ai tha: “Jo, por atë e bëri i madhi i tyre, ju pyetni ata nëse janë që flasin?”
Ata u ndalën e u menduan me veten, e dikush tha: “Vërtet, ju jeni mu ata të gabuarit (pse adhuronit gjëra të kota)”.
Mirëpo pastaj e shoshitën këtë gjë në kokat e tyre (u kthyen nga bindja në kokëfortësi) dhe thanë: “Po ti e ke ditur se këta nuk flasin!”
Ai tha: “A po adhuroni pra në vend të Allahut asish, që nuk iu sjellin kurrfarë dobie e dëmi?"
Mjerë për ju dhe për ata që i adhuroni, pos Allahut, po a nuk po e kuptoni?”
Atëherë ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’iu ndihmoni!”
Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i flohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
Ata deshën t’i bëjnë atij (Ibrahimit) kurth, po Ne ata i bëmë më të dështuarit.
E Ne e shpëtuam atë, e edhe Lutin në atë tokën që e kemi bekuar për njerëz.
Dhe ia falëm atij Is’hakun, e si dhuratë edhe Jakubin. Dhe që të gjithë i bëmë të mirë (pejgamberë).
Dhe ata i bëmë shëmbëlltyrë që udhëzonin sipas urdhrit Tonë, i orientuam në punë të mira, në faljen e namazit, në dhënien e zeqatit, dhe ata ishin adhuruesit Tanë të sinqertë.[230]
[230] Sikurse i patëm dhënë Musait e Harunit Tevratin, që sqaronte se ç’është e mirë e ç’është e keqe, edhe ju arabë e kurejshitë ua shpallëm këtë libër të famshëm, ua shpallëm në gjuhën tuaj me plot këshilla, po megjithëkëtë ju po e mohoni”, - iu thotë Zoti xh. sh. Në një varg ajetesh përshkruhet jeta e Ibrahimit, përpjekjet e tij për të vënë njerëzit në rrugë të drejtë, mundimet dhe vështirësitë që i përjetoi ai nga kundërshtarët. Të gjitha këto bëhen, me qëllim që Muhamedi a.s. të vihet në atë rrugë të pejgamberëve të mëparshëm, që të jetë i fortë e i qëndrueshëm, sepse fitorja do të jetë me të.
Ibrahimit iu dha rruga e mbarë që nga fëmijëria kur e kuptoi, se adhurimi i statujave ishte punë e kotë, dhe kur kundërshtoi babain dhe popullin e vet. Thuhet se ditën kur ai popull kishte kremtë i ati e kishte marrë me vete edhe Ibrahimin, por ai para se të afrohej te idhujt iu tha, se ishte i sëmurë e nuk u afrua. Ai qe betuar me vete, se kishte për t’ua thyer zotat - statujat dhe me këtë rast një njeri e kishte dëgjuar fjalën e tij. Pasi u kthye populli prej të kremtës ai u afrua dhe i theu të gjitha statujat përveç njërës më të madhes, të cilën e la me qëllim. Kur i panë të thyera ata u befasuan dhe u përpoqën t’ia qëllonin, se kush e kishte bërë atë gjë. Ai, i cili e kishte dëgjuar Ibrahimin përmend emrin e tij, dhe e morën dhe e sollën në mes të masës për ta dënuar publikisht. Kur i thanë, se a e kishte bëre ai këtë Ibrahimi me qëllim demaskimin e besimit të tyre iu tha, se ato i kishte thyer ajo më e madhja prej tyre, gjë për të cilën mund ta pyesnin vetë atë. Atëherë ata e kuptuan, se Ibrahimi kishte të drejtë, por nuk i linte inati për ta pranuar, prandaj u kthyen në injorancën e tyre.
Nemrudi ishte sundimtari i atij populli, dhe për këtë arsye urdhëroi të ndizej një zjarr i madh e të hidhej Ibrahimi në të. Mirëpo këtu del në pah menjëherë fuqia e pakufishme e Zotit, mrekullia e përjetshme, kur Zoti i thotë zjarrit: “Ftohu por shpëtoje mos e ngrij Ibrahimin!”
Prej atij momenti Ibrahimi u largua prej Irakut me të birin e vëllait-Lutin dhe së bashku shkuan në Palestinë.
Dhe Ne Lutit i dhamë të jetë pejgamber dhe i dijshëm, prandaj edhe e shpëtuam prej atij fshati (vendbanimi), që bënte punë të ndyra, ata ishin popull i dëmshëm e i prishur.
Atë (Lutin) e shpëtuam dhe e vumë nën mëshirën Tonë, vërtet ai ishte prej më të mirëve.
(Përkujto) Edhe Nuhun kur më parë - pat thirrur (Zotin) e Ne ia pranuam atij (edhe lutjen), e atë dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh.
Ne e mbrojtëm atë prej atij populli, që i përgënjeshtronte argumentet Tona, vërtet ai ishte popull i keq, prandaj i përmbytëm të gjithë.
(Përkujto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes), të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre.
E Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjigjen e saktë), po secilit (prej tyre) iu patëm dhënë urtësi e dije. Ne bëmë që kodrat dhe shpezët të madhërojnë (bëjnë tesbih) së bashku me Davudin. Ne kemi mundësi (ta bëjmë këtë), edhe e bëmë.
Ne i mësuam atij (Davudit) mbarimin e petkave (të hekurta) për ju, që t’ju mbrojnë në raste lufte. A jeni pra mirënjohës ju për këtë?
Ndërsa Sulejmanit (ia nënshtruam) erën e fortë, që sipas dëshirës së tij ecte me të deri te toka të cilën e kemi bekuar Ne. Ne jemi të Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Edhe disa nga djajtë (ia nënshtruam), që zhyteshin (në thellësi të ujit) dhe bënin edhe punë të tjera për të (për Sulejmanin), por Ne i ruanim ata (të mos shmangeshin).
(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër mëshiruesit!”
Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.
(Përkujto) Edhe Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflinë, që të gjithë ishin të durueshëm.
Ata i përfshimë në mëshirën Tonë, se ishin vërtet prej të mirëve.[231]
[231] Pasi qe larguar Ibrahimi me të birin e vëllait të vet, Lutin, prej Irakut e vajtën në Palestinë, Zoti xh. sh. e dërgoi Lutin pejgamber te populli i Sedumit (Sodoma), por për shkak se ai popull ishte shumë i prishur, Zoti e shkatërroi, ndërsa Lutin e shpëtoi. Edhe Nuhun e shpëtoi prej atij populli që ishte shumë kokëfortë, sepse nuk pranonin asnjë këshillë të pejgamberit, prandaj e merituan përmbytjen me ujë. Në kohën e Davudit kishte ndodhur, që delet e dikujt kishin dalë natën dhe meqenëse nuk kishte bari ato kishin kullotur e rrafshuar tërë bimën e mbjellë të njërit. Davudi e pleqëroi këtë duke ia dhënë delet të zotit të bimës. Duke dalë ata prej Davudit i takoi Sulejmani, e kur kuptoi gjykimin e babait, i tha: O i Dërguar i Zotit, do të ishte më i arsyeshëm ky gjykim: delet t’i jepen te zotit të bimës, që t’i shfrytëzojë deri sa i zoti i tyre ta përgatiste arën, ta mbillte bimën, e kur të vijë koha e korrjes, delet t’i kthehen të zotit, ndërsa fryti nga korrja të zotit të bimës. Me këtë gjykim u kënaq edhe Davudi.
Edhe në tjera vende në Kuran përmendet, se çdo gjë që ekziston madhëron dhe lartëson Zotin në gjuhën e vet, edhe pse ne nuk e kuptojmë. Thuhet se Davudi e kishte zërin shumë të këndshëm, e kur e lexonte Zeburin ndaleshin edhe shpendët në ajër dhe e shoqëronin atë. Po ashtu bënin edhe malet. Gjithashtu për Davudin thuhet se ishte i pari mjeshtër, që punoi këmisha mbrojtëse prej hekuri për luftë. (Përmendet edhe një gjykim mes dy nënave për një fëmijë).
Sulejmani e kishte nën sundimin e vet erën, me anën e së cilës udhëtonte për një kohë shumë të shkurtër prej Jerusalemit në Sham -Siri, vend për të cilin thuhet se ishte tokë e bekuar, për arsye se në të kishte llojlloj frutash, ujërash etj. Xhinët të cilët nuk ishin besimtarë quhen edhe shejtanë, e fjala është për të tillët, të cilët ishin të detyruar të punonin për Sulejmanin. Për pejgamberin Ejub thuhet se ishte evropian e kishte pasur edhe fëmijë e pasuri. Më vonë ai mbeti pa pasuri, ndërsa fëmijët i vdesin, por ishte shumë i durueshëm. Dhe e kap një sëmundje e rëndë edhe atë, por prapë ai u tregua i durueshëm. Kur populli filloi ta përgojojë duke thënë se ka bërë mëkat të madh ndaj Zotit derisa po provohej ashtu, ai iu drejtua Zotit, që t’ia largojë atë mundim. Sipas një transmetimi thuhet, se gruaja e vet i paska thënë, se përse nuk po i lutet Zotit, që t’ia largojë atë sëmundje të gjatë, që sipas disave ka zgjatur tetë vjet, e sipas disa të tjerëve tetëmbëdhjetë vjet, ai i paska thënë gruas: “Sa vjet isha i shëndoshë?- Ajo i thotë, tetëdhjetë, atëherë ai paska thënë: Më vjen turp prej Zotit të ankohem pa i bërë po aq vite sëmundjeje, sa kam qenë i shëndoshë.
(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin), kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!”
Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.
(Përkujto) Edhe Zekirjain kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më lër të vetmuar, se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt)”.
Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij (e bëmë që të lindë meqë ishte shterpë). Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.
(Përkujto) Edhe atë që ruajti nderin e saj, e Ne e frymëzuam atë me shpirt (barrë) nga ana Jonë dhe atë dhe të birin e saj i bëmë mrekulli për njerëzit.
Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.
Po ata e ndanë çështjen e fesë dhe u përçanë mes vete (u ndanë në grupe: monoteistë, politeistë jehudi, të krishterë, zjarrputistë etj.), mirëpo që të gjithë do të vijnë te Ne.
E kush bën ndonjë vepër të mirë dhe është besimtar, mundi i tij nuk i mohohet, pse Ne i shënojmë ato.
Ndërsa është e pamundur për (banorët e) një fshati, të cilin e kemi shkatërruar Ne, të kthehen (në këtë jetë).
Derisa të hapet (penda) e Jexhuxh Mexhuxhëve dhe ata do të zbresin nga çdo bregore me shpejtësi.
Dhe derisa të jetë afruar premtimi i saktë (Dita e Kijametit), e ai është momenti kur mbeten të shtangur sytë e atyre që nuk besuan (në ato çaste thonë): “Të mjerët ne, vërtet ishim krejt të pavetëdijshëm për këtë (moment); por jo, është e vërtetë se ishim zullumqarë të mëdhenj”.
Ju dhe ajo që adhuruat ju, pos Allahut do të jeni lëndë e xhehenemit, dhe keni për të hyrë në të.
Sikur të kishin qenë ata zota ata nuk do të hynin në të, po që të gjithë do të jenë aty përgjithmonë.
Aty ata do të kenë rënkim dhe aty ata nuk dëgjojnë.[232]
[232] Ai i ngjarjes me peshkun është pejgamberi Junus, i cili kur ra në tri errësira: në errësirën e natës, të detit dhe të barkut të peshkut pranoi, se kishte gabuar dhe e luti Zotin ta shpëtojë. Ai e shpëtoi.
Zekerjai e luti Zotin mos ta lërë të vetmuar e pa fëmijë, duke thënë që edhe në mos të mbetet kush pas meje, nuk është aq me rëndësi, sepse mbetet Ai, i Pavdekshmi dhe që vetëm Atij i mbetet çdo gjë, e Ai është trashëguesi më i mirë. Po Zoti ia pranoi lutjen, i fali një djalë Jahjan, e i përmirësoi gjendjen e gruas së tij, që ishte beronjë e nuk lindte. Të gjithë këta pejgamberë që u përmendën angazhoheshin për punë të mira, ishin të devotshëm e të sinqertë ndaj Zotit, prandaj Ai ua pranoi lutjet dhe i shpëtoi. Edhe Merjemja, edhe pse nuk ishte pejgambere ishte femra më e zgjedhur, ajo ishte e ndershme, prandaj ajo me djalin e saj mbetën për sa të ekzistojë jeta, si mrekulli dhe rast i jashtëzakonshëm për njerëzit.
Të gjithë këta mësuan të njëjtën fe, ngase nuk pati udhëzim tjetër. Të gjithë këta i dërgoi Zoti me një udhëzim, me një fe, pse fe tjetër të vërtetë nuk ka, sikurse nuk ka as Zot tjetër pos Allahut, prandaj vetëm Atë duhet të adhurojmë. Mirëpo këtë fe që Zoti e shpalli njerëzit e grupëzuan dhe vetë u ndanë në grupe të ndryshme, duke gabuar rëndë, e për këtë ata do të kthehen tek Ai Zot dhe do të përgjigjen për këtë ndarje.
Çdo veprim i njerëzve shënohet saktësisht, e vepra e atij që është edhe besimtar i drejtë do të shpërblehet.
Ata që u shkatërruan ishin të gjykuar të vdesin ashtu pa besim, ata nuk do të besonin kurrsesi në këtë jetë, e gabimin e vet do ta shohin kur të vijë Kijameti.
Kur të hapet penda, të cilën e pat ndërtuar Dhulkarnejni e të dalin Jexhuxh Mexhuxhët, që sipas Ibni Mes’udit, Kijameti është aq afër sikurse shtatzënësia kur e plotëson kohën e caktuar, ndërsa familja pret lindjen e fëmijës, natën a ditën, e ata që nuk besuan do t’u mbesin sytë hapur nga frika, dhe do ta vajtojnë veten pse nuk menduan për atë moment, dhe pse i refuzuan thëniet e pejgamberëve. Atëherë atyre iu thuhet: Merrni edhe zotat tuaj, të cilët adhuronit dhe urdhëroni në xhehenem.
E atyre që iu priu e mbara nga ana Jonë do të jenë larg tij (xhehenemit).
Ata nuk do ta dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që dëshirojnë vetë.
Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fryerjes së surit), dhe do t’i presin engjëjt (duke i uruar): “Kjo është dita juaj që ju premtohej”.
(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palosim qiellin sikurse palimi i fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligim Yni, e Ne e bëjmë këtë.
Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.
Në këtë (që u përmend) ka mjaft për një popull të dëgjueshëm.
E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.
Thuaj: “Mua më shpallet, se Zoti i juaj është vetëm një Zot, e ju a po dorëzoheni?”
E nëse ata refuzojnë ti thuaju: “Unë ju njoftova juve në mënyrë të barabartë, dhe se unë nuk e di se është afër ose larg ajo që po iu premtohet?”
Ai e di thënien e haptë, e di edhe atë që mbani fshehtë.
E nuk e di, mos është kjo sprovë për ju (vonesa e dënimit), apo të kënaqeni deri në një kohë.
Ai (Muhamedi) tha: “Zoti im, gjyko (mes meje dhe atyre gënjeshtarëve) me të vërtetën! E Zoti ynë, i Gjithmëshirshmi, është ai prej të cilit kërkohet ndihmë kundër asaj që ju përshkruani!”[233]
[233] Besimtarët bamirës nuk do ta ndiejnë zhurmën e zjarrit e të banuesve të tij, ata do të jenë në kënaqësitë më të mëdha, të cilat i dëshirojnë, ndërsa engjëjt do t’i presin me mirëseardhje.
Pasi të bëhet Kijameti do të fillojë ringjallja e njerëzve mu ashtu sikurse u lindën prej barqeve të nënave të tyre, të zhveshur, të zbathur dhe të pabërë synet; i pari që do të vishet në Ditën e Kijametit do të jetë Ibrahimi. Tokën e xhenetit do ta gëzojnë njerëzit e mirë besimtarë, kështu ka qenë vendimi i Zotit edhe në shpallje, edhe në Ezel, në jetën e amshueshme. Muhamedi a.s. nuk u dërgua si mëshirë vetëm për besimtarët, por për të gjitha krijesat. Për hir të tij edhe jobesimtarët shpëtuan prej ndëshkimeve gjatë kësaj jete, e nuk u ndëshkuan si popujt e mëparshëm.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “El Enbija”. Lavdëruar qoftë Allahu!