KURANI

I MADHËRISHËM

Kuptimet e tij në gjuhën shqipe



Është për hir të Allahut,

nuk lejohet shitja e tij, shpërndahet falas



Mbështetur në përkthimin e Sherif ef. Ahmetit



Botimi i dytë, Janar 2015



Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh




HYRJE

Kurani pa dyshim është Fjalë e Allahut, KELAMULL-LLAH, i cili në formën e Shpalljes iu dërgua Muhamedit a.s.. Ai i zbriti Muhamedit a.s. për ta orientuar drejt në besimin në një Zot dhe për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira dhe injoranca dhe për t’i çuar në dritë, në rrugën e drejtë, në rrugën e njerëzisë, të emancipimit, të prosperitetit dhe të progresit individual dhe shoqëror.
Kurani, që është fjalë e Allahut ka zbritur në intervale të caktuara kohore brenda një periudhe 23 vjeçare të pejgamberisë së Muhamedit a.s., duke filluar në Meke (610 - 622) dhe në Medine (622 - 632), qytete këto, të cilat falë punës së madhe dhe reformave të Pejgamberit a.s. u bënë të njohura jo vetëm në Arabi, por edhe në mbarë rruzullin tokësor.
Radhitja e ajeteve dhe e sureve në Mus-haf nuk ndjek rendin kronologjik të Shpalljes, sepse ato u radhitën më vonë. Kështu për shembull të parat u shpallën ajetet 1 - 5 të sures 96 (Alek), ndërsa sureja 110 (Nasër), ndër të gjitha u shpall e fundit.
Përpjekjet e dijetarëve të profileve të ndryshme, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi për ta përkthyer, dhe për ta interpretuar Kuranin hapën shtigje, dhe mundësi për përpjekje të reja, të cilat nuk kanë të ndalur deri në ditën e fundit të jetës në Tokë, ngase mendimi kuranor është shumë i gjerë, i thellë, universal dhe i analizuar nga çdo aspekt ai është i pashterueshëm. Ai me bukurinë e të shprehurit, me thellësinë e mendimit në zbërthimin dhe shpjegimin e të gjitha çështjeve që ngërthen në vetvete paraqet vlerën mbinjerëzore, e cila si e tillë për muslimanët ka qenë, është dhe do të mbetet mendim i gjallë i realitetit nga njëra anë, dhe fuqi nxitëse e zhvillimit dhe e thellimit të mendimit krijues në jetën e tyre të përditshme, nga ana tjetër.
Studiuesit dhe njohësit e dalluar të Kuranit gjithmonë spikatën nevojën e leximit dhe të studimit të tij të vazhdueshëm, sepse duke e lexuar sa më shpesh atë, lexuesi apo edhe studiuesi do të ketë mundësinë të zbulojë vlera më të pasura dhe do të fitojë njohuri më të thella mbi njeriun dhe natyrën që na rrethon, mbi këtë dhe mbi botën tjetër (Ahiret). Leximi i Kuranit qoftë edhe i përcipët dhe vetëm mekanik, e pasuron dhe e fisnikëron shpirtin e njeriut, duke i hapur atij mundësi që të komunikojë me Allahun. Ndërkaq komunikimi me Allahun, Krijuesin e gjithësisë, Mëshiruesin dhe Mëshirëplotin, Gjykatësin e Ditës së Dinit, nga ndihma e të Cilit varet ekzistimi dhe zhvillimi i jetës në tokë dhe në gjithësi, i Cili është më se i denjë për t’i bërë ibadet, i mundëson njeriut t’i korigjojë dhe t’i harmonizojë sjelljet dhe veprat, dhe ato t’i vejë në shërbim për të mirën individuale dhe shoqërore. Kurani na mëson, se vetëm Allahu është Zot dhe vetëm rruga që ka porositur Ai është e drejtë.
Kurani është udhërrefyes për të gjithë njerëzit, që i besojnë Fjalës së Zotit dhe që dëshirojnë të jetojnë me të, sepse ai është Fjalë e Zotit, ai është udhërrëfyes për të gjithë ata, të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij. Besimtarëve dhe adhuruesve të vërtetë dhe të sinqertë Allahu në Kuran iu premton dhe iu garanton sigurinë, jetën e qetë, të lumtur dhe pa brenga. Njeriut bashkëkohor, të cilit zbulimet e mëdha shkencore, teknike dhe teknologjike po ia uzurpojnë dalëngadalë funksionet një nga një, mësimi islam (kuranor) i ofron optimizmin, kështu që njeriu të mos jetojë i ngarkuar me ndjenjën e pasigurisë, të zvetënimit, të fërfëllimit etj., sepse sipas mësimeve islame njeriu ndaj njeriut nuk është ujk. Përkundrazi, ai me të gjitha virtytet dhe cilësitë e mira është para së gjithash njeri për veten dhe krah i fortë dhe konstruktiv atje ku jeton dhe punon.
Nëse dikush e konsideron Kuranin vepër shkencore, ai do të ishte i padrejtë ndaj Tij, sepse një identifikim i tillë do të kishte brenda pretendimin, që t'ia zbehë kuptimin dhe thellësinë universale, ai do të kishte pretendime për t'ia zhvleftësuar vlerën reale Kuranit si Fjalë e pasur, e fuqishme dhe e ngjeshur mbinjerëzore, si Fjalë e Zotit. Kurani nuk zbulon ligjet e natyrës, as të shoqërisë. Ai përcakton kahjet e njeriut, nxit zbulimin e ligjeve dhe të fenomeneve të natyrës dhe të shoqërisë. Prandaj Kurani është gjithmonë në shërbim të njeriut. Ky është libri i Zotit, i cili mohoi besimin e panatyrshëm në shumë zota (politeizëm), i cili ishte mjaft i përhapur ndër fise të ndryshme arabe. Ai i vuri themele të shëndosha besimit në një Zot (monoteizëm). Me thesarin e pasur të dispozitave, që rregullojnë moralin dhe marrëdhëniet në mes njerëzve, Kurani bëri kthesa të mëdha në këto marrëdhënie ndërfisnore dhe ndërnjerëzore ndër popujt arabë të atëhershëm, dhe më vonë ndër popujt e botës në përgjithësi, sepse shih, në kohën para ardhjes së Muhamedit a.s. dhe gjatë periudhës 40 vjeçare pas lindjes së tij zhvilloheshin lufta të përgjakshme ndër fiset arabe, zullumi dhe padrejtësitë po zgjeroheshin me përmasa tragjike, kështu po i kanosej rreziku i shfarosjes totale te një numër fisesh arabe. Në këtë kohë të rëndë, e cila nuk durohej më, i Madhi Zot e dërgoi Muhamedin a.s. kolosin e madh me të gjitha cilësitë dhe virtytet e njeriut të kompletuar, të aftë dhe besnik për t’ia besuar Fjalën e vet, Kuranin që njerëzit të cilët kishin hyrë në rrugë pa krye, t'i kthejë në jetën normale të njeriut të qytetëruar.
Muhamedi a.s. duke i zbatuar parimet kuranore arriti të themelojë Bashkësinë e parë dhe të shëndoshë Islame, e cila falë parimeve të proklamuara mbi baza të barazisë, erdhi e u konstituua në një bashkësi të aftë e të organizuar me të gjitha instrumentet që i nevojiten një sistemi shoqëror, që posedon kulturë njerëzore, ndaj për këtë ia kishin lakmi vendet dhe popujt e meridianeve të ndryshme në rruzullin tokësor.
Kurani flet për njeriun si qenie qëndrore në gjithësi, të cilit Allahu i ofroi amanetin dhe prerogativa të veçanta, halifetull-llah, e ngarkoi me detyra dhe obligime të mëdha dhe të ndërlikuara, të cilat nuk i pranuan qiejt, toka dhe as bjeshkët. Me qëllimin e realizimit të këtyre të drejtave dhe detyrave sa më lehtë dhe me sukses Allahu e pajisi njeriun me intelekt, vetëdije dhe ndërgjegje. Këto ishin ato veti, të cilat e bënë njeriun të dallohet nga krijesat e tjera dhe të gëzojë pozitën që ka. Këto prerogativa i mundësuan njeriut ta zbulojë natyrën dhe ligjet e saj, dhe të qeverisë vetveten dhe realitetin objektiv, duke qenë gjithmonë konsekuent dhe i vetëdishëm për përgjegjësinë e tij në këtë dhe në botën tjetër (Ahiret).
Kurani synon progres të vazhdueshëm. Ai udhëzon drejt një zhvillimi dhe përparimi të përhershëm të njerëzimit. Kërkesa e Tij parësore është gjithnjë predikimi dhe porosia për të ikur nga veprat e këqija, dhe të bëjmë vepra të mira. Këto janë parimet e përgjithshme të Kuranit, kuptimit dhe mësimit të Tij.
Për të zotëruar natyrën (kjo mundësi i është dhënë vetëm njeriut), domosdo nevojitet dituri, urtësi dhe arsimim, sepse sipas Kuranit mosdija, injoranca dhe analfabetizmi janë plagë e rëndë e individit dhe e shoqërisë, pikërisht për këtë arsye ajeti i parë i Kuranit, që të shërohet kjo plagë e rëndë për të dy gjinitë njerëzore urdhëron: IKRE - LEXO, MËSO!
Sado që të flitet e të shkruhet mbi Kuranin, mbi atë thesar që përmban Ai, njeriu nuk arrin ta thotë fjalën e fundit. Ai është i pafund. Pasuria nga thesari i përmbajtjes së Tij të thellë mendore nuk ka, as shembull, as model, prandaj si i këtillë, Kurani - Fjala e Zotit është i pakrahasueshëm me çfarëdo vepre sado të përsosur të shkruar nga dora e njeriut. Të gjitha përkthimet dhe komentimet, që janë bërë në gjuhë të ndryshme të popujve të botës, nuk janë gjë tjetër pos përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për ta shkoqitë dhe për të marrë dije së paku sa një pikë uji nga oqeani. Edhe përkthimi i Kuranit me komentim në gjuhën shqipe, që po ua ofrojmë lexuesve e besimtarëve në duar shpreh këtë dëshirë, që më së paku t’u mundësojë në këtë mënyrë të gjithë atyre, të cilët dëshirojnë të jetojnë me Kuranin dhe që të jenë më afër Tij.


Vështrim rreth Kuranit

Kurani është fjalë e pakonkurrencë e Allahut. Ai, nëpërmjet të besueshmit Xhibril i është shpallur vulës së pejgamberëve, është shkruar në Mus-hafe, i transmetuar në mënyrën më të besueshme (tevaturen) deri te ne, leximi i tij është ibadet, fillon me suren “El Fatiha” dhe përfundon me suren “En Nas”.
Burim i Kuranit është Allahu. Muhamedi ishte transmetues i fjalës së Allahut. Shpallja-vahji ishte mjet bisede ndërmjet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s.. Në çështjen e shpalljes nuk merr pjesë mendja e njeriut, por për ta pranuar atë ajo nuk mbetet anash. Asaj i mbetet për detyrë që ta përpunojë më vonë ligjshmërinë e shpalljes.
Feja Islame prej fillimit themelohet me vahjin e Zotit xh.sh., të cilin ia shpalli të Dërguarit të vet, e ai, me urdhrin e Zotit ua kumtoi njerëzve. Për derisa themelimi i Fesë Islame vjen thjesht prej Zotit dhe mendja e njeriut nuk ka të përzier në të, e as fjala e ndonjë forumi njerëzish, përpilimi i ligjshmërisë së saj nuk ka kurrfarë të mete e as kurrfarë gabimi. Mendja e individit dhe e bashkësisë si kusht për vërtetimin e besimit të vet dhe si veprim produktiv për lartësimin e moralit është e obliguar të veprojë sipas udhëzimeve të shpalljes. Veçori të Kuranit janë:
- nuk është vepër e përpiluar prej mendjes së njeriut,
- është i shqiptuar me fjalë,
- është i shprehur në gjuhën arabe,
- i është shpallur vulës së pejgamberëve, dhe
- në mënyrën më të besueshme është i përcjellur deri te ne.
Muhamedi e pranoi Kuranin me ndërmjetësimin e engjëllit Xhibril, të cilin Zoti e quan në fjalën e vet “Emin”- besnik i vahjit e thotë: “Atë (Kuranin) e solli në zemrën tënde shpirti besnik për të qenë ti nga pejgamberët (Shuara: 193-194).
Meleku Xhibril e pranoi Kuranin prej Zotit dhe fjalët e Zotit ia lexoi Muhamedit, i cili ia mësoi umetit të vet. Xhibrilit pra, nuk bëri gjë tjetër vetëm se transmetimin dhe kumtimin e fjalës së Allahut tek Muhamedi.
Për sa i përket faktit, se vetë teksti i fjalës së Kuranit është fjalë e Allahut dhe se ai e shpalli, flet edhe ky ajet: “S’ka dyshim se ti je duke pranuar Kuranin nga vetë i Urti, i Dijshmi”. (En Neml: 6)
Mendimi i atyre, të cilët interpretuan thashethemet kinse Xhibrili ia solli Muhamedit vetëm kuptimin e Kuranit, e Muhamedi e shprehu me gjuhën e vet arabe është i gabuar, ashtu siç është i gabuar edhe mendimi tjetër sipas të cilit, Allahu e frymëzoi Xhibrilin vetëm me kuptimet e Kuranit, kurse shprehja me fjalë është e Xhibrilit. Mendime të tilla nuk kanë mbështetje në kurrfarë fakti, sepse janë në kundërshtim me Kuranin, me Sunetin dhe me Ixhmain, nuk kanë ndonjë vlerë, e as ndonjë peshë. Mendime të tilla më tepër janë grackë e futur në literaturën e muslimanëve, përndryshe si do të mund të ishte Kurani mrekulli, kur shqiptimi i tij të jetë prej Muhamedit, ose prej Xhibrilit? Mandej, si mund t’i mveshet Allahut si fjalë e Tij, kur ai nuk është i Tij?! E në Kuran thuhet qartë: “Deri sa të dëgjojë fjalët e Allahut.” (Tevbe: 6). Kurani fjalë e Allahut, leximi i të cilit është ibadet iu shpall Muhamedit, kur ishte në moshën dyzetvjeçare dhe për herë të parë u njoftua, se Zoti e kishte zgjedhur dhe e kishte caktuar pejgamber. Prej atij momenti e deri kur kaloi në fqinjësi të Allahut, ajo periudhë e jetës quhet periudha e vahjit, shpalljes, revelatës (risales), e cila zgjati gati njëzet e tre vjet.


Përmbajtja e Kuranit

Këtë libër fetar e edukativ Allahu e shpalli të përjetshëm, duke qenë udhëzim e mëshirë për individin dhe për bashkësinë njerëzore. Ai e dërgoi këshillë të një niveli më të lartë edukativ, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje ndër njerëz, që nxit lartësimin shpirtëror, që përmbledh rregullat e dispozitat më të dobishme të rendit social, që parashtron parime edukative për njerëz të çdo kohe dhe të çdo vendi, që rrëfen për popujt e lashtë, për të fshehtat e dynjasë dhe të ahiretit. Si libër feje dhe morali në përmbajtjen e vet, përveç të tjerash përfshin:
- besimin e drejtë, besimin në një të Vetmin Zot xh.sh., në engjëj, në libra të shpallura, në të dërguarit e Zotit, pas kësaj në jetën e botës tjetër,
- virtytet më të larta të moralit, të cilat forcojnë besimin në zemra, zgjojnë ndjenjat, ngrejnë karakterin dhe pastrojnë ndërgjegjen e individit dhe të bashkësisë, duke i larguar prej veseve,
- thirrjen për studim dhe vështrim të thellë ndaj çdo qenieje a sendi, që Zoti e krijoi në këtë gjithësi, me qëllim që njerëzit të arrijnë t’i njohin sekretet e tyre, dhe të largohen prej imitimit të verbër,
- tregime për popujt e lashtë, me qëllim udhëzimi prej të cilëve njerëzit duhet të nxjerrin mësime e përvojë, se si ligjet e Allahut u zbatuan dhe të dëgjueshmit përjetuan të mira, kurse arrogantët përjetuan ndëshkime,
- vërtetime për ligjshmërinë e lartë e të drejtë të Allahut, e cila ka si qëllim ngritjen e njeriut në një lidhmëri të sinqertë ndaj Allahut, me çka bashkësisë i garantohet ekzistenca dhe fatbardhësia,
- besimin në ekzistimin e librave të mëparshëm, të cilat i paraprinë përgatitjes për shpalljen e Kuranit. Ato ishin të shpallura për një kohë të caktuar, të cilat kishin si qëllim t'i përgatisin njerëzit, t'i zgjojnë zemrat, t'i udhëzojnë në besim ndaj Një Zoti, t'i ngrejnë në vetëdije për të qenë të denjë ta pranojnë shpalljen e fundit, Kuranin me ligje të plota e të përsosura, të pakufizuara e të përjetshme.


Mrekullia e Kuranit

Kurani është mrekulli e përjetshme, sepse është atribut (sifat) i Zotit të Përjetshëm. Ai nuk është si mrekullitë e pejgamberëve të tjerë, që ishin vepër nga veprat e Allahut, e vepra e Allahut është krijimtari e Tij, ndërsa atributi i të Përjetshmit është i përjetshëm dhe nuk është i krijuar. Çdo pejgamber ka pasur mrekullinë e vet, kurse librin e ka pasur program orientimi, e mrekullia e Muhamedit është vetë programi, ashtu që programi është mrekulli, e mrekullia program.
Nga kjo rrjedh se librat e para kanë qenë në rrethin e obligimit, d.m.th., Zoti i obligoi njerëzit ta ruajnë librin, e për Kuranin tha: “Ne e zbritëm Kuranin dhe Ne e ruajmë atë.” (Hixhr: 9), sepse Kurani nuk është si librat tjera vetëm program jete, por Kurani është edhe mrekulli, e për të qenë mrekulli duhet të jetë i ruajtur besnikërisht teksti i tij, përndryshe ai humb mrekullinë, prandaj Allahu vendosi ta ruajë Kuranin. Shih për këtë arsye në të nuk mund të ndodhin ndryshime e devijime, si ndodhën në librat e para.
Nëse marrim për shqyrtim dy çështjet e Kuranit: çështjen e zbatimit dhe të veprimit sipas mësimeve të tij dhe çështjen e ruajtjes së tij do të shohim, se me kalimin e kohës çështja e zbatimit dobësohet, kurse çështja e ruajtjes shtohet me kalimin e kohës. Sikur ne ta zbatonim në mënyrë të drejtë si program jete, kjo do të ishte gjë e natyrshme, por gafleti ynë prej mësimeve të Kuranit si orientim në jetë, nuk është duke ecur baraz me ruajtjen e tij, kur atë e gjejmë në çdo vend, në çdo banesë, në qerre etj.. Gjejmë, p.sh. një person, duke menduar ta shkruajë të tërë Kuranin në një faqe dhe me një formë më të bukur, ose ç’e shtyn njërin apo tjetrin të bëjë punën më estetike për shtypjen e mus’hafit etj. Kjo ndodh, sepse Allahu dëshiron të argumentojë se Ai e ruan Kuranin, e jo ata që e praktikojnë.
Fjala mrekulli si kuptim i fjalës “mu’xhize”, mundëson kuptimin e një çështjeje që askush nuk mund ta bëjë. Atë e bën vetëm Zoti dhe ajo është çështje që thyen ligjet e ekzistimit në ekzistencë. Mrekullia u dhurohet pejgamberëve për ta çrrënjosur bindjen e atyre, që adhurojnë përveç Zotit diçka tjetër. Kur është fjala për mrekullinë e Kuranit, qëllimi është të vërtetojë, se çdo përpjekje dhe çdo orvajtje për t’i bërë atij konkurrencë është e pamundshme, e parealizueshme, që mposhtet e thyhet duke pësuar dështim.
Mrekullia e Kuranit përfshin shumë lëmi, por për arsye objektive këtu po shënoj vetëm disa prej tyre.


Mrekullia e Kuranit nga ana e çështjes gjuhësore

Kurani fjalë e Allahut, leximi i të cilit është ibadet, zbriti në gjuhën e arabëve të njohur si gjuhëtarë, oratorë, poetë etj... Kurani u bëri konkurrencë atyre pikërisht në atë lëmi, mirëpo kur iu mungoi aftësia e imitimit të tij, ata i thanë magji, kurse Pejgamberit magjistar.
Ata nuk menduan, se gënjeshtra e tyre refuzohej shumë lehtë, sepse i hipnotizuari nuk ka kompetencë të lirë kundër magjistarit, e nëse Muhamedi ishte magjistar dhe ai kishte hipnotizuar njerëz, atëherë pse nuk i hipnotizoi edhe ata që të shkonin pas tij. I hipnotizuari nuk i përulet magjistarit me vullnetin e vet. Ai nuk shkon t’i thotë atij: e pranoj këtë magji ose e refuzoj, sepse ai para magjistarit është i dëbuar nga vullneti i vet. Shpallja e Muhamedit për magjistar, duke mos i besuar atij dëshmonte, se ata ishin shpifës e gënjeshtarë.
Ajo që i shtyu idhujtarët arabë t’i thonë Kuranit magji, poezi, fjalë e njeriut të marrë e të tjera, që nuk përputheshin me logjikën ishte për arsye se Kurani me atë stil të lartë para të cilit u desh të gjunjëzohen edhe poetët më të njohur të tyre, i befasoi dhe kur ata e ndienë veten të paaftë përpara mrekullisë së tij, e humbën vetëdijen, nxituan e thanë çka nuk përputhej me logjikën, sepse prej befasisë humbën çdo fakt dhe çdo mendim logjik.
Kurani vazhdoi t’u shpallë gara: të sjellin një origjinal si ai, të sjellin dhjetë sure, e më në fund të sjellin një sure. Kjo ishte mrekullia e parë e Kuranit që komunikonte me atë popull, të cilit i zbriti. Prandaj qartësia e fjalëve të tij, renditja, përputhshmëria, mënyra e lartë e thënieve, bukuria e ligjërimit të tij janë të pakrahasueshme. Po si të mos jetë i tillë kur dihet se është: “Libër që ajetet e tij janë radhitur në mënyrë të përsosur, madje edhe shkoqitur prej Atij të Urtit, Njohësit të çështjeve në hollësi.” (Hudë: 1).


Mrekullia e Kuranit nga ana e çështjes kuptimore

U tha se mrekullia e Kuranit është e përjetshme, sepse është cilësi e të Cilësuarit të Përjetshëm (sifatullah-kelam). Po ajo është e përjetshme edhe për arsye se është mrekulli mendore, e jo si mrekullitë e tjera vetëm shqisore. Është mrekulli mendore, sepse mendjet e njerëzve sado që të arrijnë të zbulojnë çështje e ligje, të cilat mbretërojnë në natyrë do të shohin, se Kurani i ka përmendur ato shumë më përpara. Zoti xh.sh. e ka ditur se mendjet e njerëzve, duke ndihmuar njëra gjeneratë tjetrën, do të arrijnë të zbulojnë çështje, që ata që jetuan para tyre nuk i kanë ditur, prandaj çështje të vërteta e ligje, të cilat do të zbulohen më vonë i ka vënë në spikamë, por për atë kohë kur shpallej Kurani i ka prekur krejt pak, sepse njerëzit e asaj kohe nuk ishin në gjendje t’i kuptonin me hollësi.
Duhet ta kemi të qartë se zbulimet dhe shpikjet e reja janë rezultat i zhvillimit mendor. Ato nuk janë zbulime as shpikje të rastit, sepse sado që ndonjë zbulim të jetë me vlerë të lartë, ai nuk është i pavarur prej zbulimeve të mëparshme, anipse ato më të hershmet kanë qenë me një vlerë më të ulët. Çdo zbulim a shpikje është e kushtëzuar prej diçkaje, nuk ndodh befas, por prej kushteve e parashtrimeve të mëparshme.
Është e vërtetë se Kurani nuk erdhi si libër, që të na i mësojë çështjet dhe ligjet që zotërojnë në gjithësi, ai nuk zbriti të na shpjegojë ekzistencën as çështjet në të, e as të na i mësojë dituritë. Ai zbriti që ta nxisë mendjen që ajo të mësojë për to. Megjithatë Kurani i cek disa çështje, që kanë të bëjnë me të vërtetën, por ato nuk i thekson për të na i mësuar, i kuptoi mendja ose nuk i kuptoi, ai i thekson si të vërteta reale.
A do të ishte mençuri e Kuranit të sjellë çështje të vërteta, të cilat funksionojnë në ekzistencë dhe t’ua publikojë arabëve të asaj kohe?!... Por, a do të kalojë pa i prekur ato të vërteta bile pak?! Zoti xh.sh. në Kuran i thekson ato të vërteta, e sikur u thotë njerëzve: ai që më besoi Mua, duhet të jetë i bindur, se kur Unë kam thënë diçka, ajo është e vërtetë e saktë dhe s’ka nevojë të kërkojë prej Meje fakt. Fakti jam Unë. Nëse disa mendjeve nuk u mjafton thënia Ime si fakt, por duan t’u besojnë shqisave dhe mendjeve të veta, Unë i lë të lirë ata të përpiqen dhe ua bëj të mundshme t'i shohin faktet e Mia dhe të vërtetojnë se atë që kam thënë Unë është e vërtetë e saktë, por është dashur t'u mjaftojë thënia Ime, pse mjafton Allahu të jetë vërtetues. Në suren “Fussilet”, ajeti 53 thuhet: “Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme t’i shohin argumentet tona në gjithësi dhe në veten e tyre deri sa t’u bëhet e qartë, se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt të jetë dëshmues për çdo gjë”.
Kurani atëherë kur shpallej theksoi të vërteta, ato është dashur të besohen si thënie të Zotit, edhe para se t’i kuptojë mendja, sepse shumë çështje të vërteta, të cilat i ka cekur Kurani, dija ka arritur t’i kuptojë shumë më vonë, pra ato kanë qenë të vërteta edhe para se t’i zbulojë dija. Kurani p.sh. ka cekur rolin e erërave në mbarësimin e bimëve e ka thënë: “Ne i lëshuam erërat frytësuese...” (Hixhër: 22). Ka dhënë shenjë për rrotullimin e tokës në një mënyrë shumë të zgjuar e ka thënë: “... dhe i sheh kodrat e mendon (të duken) se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato ecin sikur ecin retë...” (En-Neml: 88). Krahasimi i ecjes së kodrave me atë të reve, jep të kuptohet për rrotullimin e tokës, sepse lëvizja e reve nuk bëhet vetvetiu, por me anën e erërave, pra edhe lëvizja e kodrave bëhet me anën e dikujt tjetër, në këtë rast me anën e tokës. Këtë thënie të Kuranit mendja ka arritur ta kuptojë vonë.
Për etapat e zhvillimit të fetusit e embrionit Kurani ka thënë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun prej një lëngu të kulluar prej balte, pastaj atë e shndërruam në pikë uji (farë) në një vend të sigurt, mandej atë pikë uji e bëmë copë gjaku, atë gjak e bëmë copë mishi të dhëmbëzuar, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, e eshtrat i veshëm me mish, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (i dhamë shpirtin). I lartë është Allahu, më i miri Formësues!”(Muminunë: 12-14). Për këto etapa të zhvillimit, për tri errësirat në të cilat ndodhet fetusi, dija arriti të dijë për to shumë vonë, e ndoshta vetëm në shekullin tonë.
Kurani i grisi të gjitha perdet e kohës, të vendit dhe depërtoi e zbuloi edhe ato fshehtësi, që fshihen në zemrën apo në mendjen e njeriut. Këta shembuj janë të theksuar në Kuran dhe lexuesi do t’i kuptojë gjatë leximit.
Edhe në shekullin tonë, i cili konsiderohet si shekulli i arsimit mendor, fjala e Kuranit duket se zgjerohet dhe merr një kuptim të ri. Sa herë që dija me përpjekjet e veta bën evolucion në zhvillimin e jetës, ajo gjen mbështetje në thëniet e Kuranit dhe thëniet e tij duket se përtërihen gjatë shekujve për çdo gjeneratë, e kështu dokumentohet, se mësimi i tij është i ri për çdo kohë, dhe se ai mësim kurrë nuk vjetërohet, sepse duke zgjeruar terrenin e kuptimeve shkon paralelisht me zhvillimin e jetës, prandaj është mrekulli mendore.


Mrekullia e Kuranit nga ana e çështjes shpirtërore

Zoti xh.sh. këtë libër e shpalli mëshirë dhe dritë për njerëzit, por për ato zemra idhujtare, të cilave iu kishte hyrë në gjak adhurimi i idhujve ishte një goditje e fortë në shpirtin e tyre. Arabët që ishin idhujtarë shumë kokëfortë e idhnakë të mëdhenj e të papërkulur, Kurani i thërriste ta braktisin atë me të cilin ishin mësuar edhe prej prindërve të vet, i thërriste të largohen prej adhurimit të shumë zotave dhe të kthehen në adhurimin e një të vetmit Zot, të Allahut Fuqiplotë, i thërriste të heqin dorë prej atyre zakoneve plot mëkate e krime.
Në rrugën për të cilën i thërriste Kurani dukeshin pengesa të pakapërcyeshme, vështirësi të papërballueshme, por mrekullia e tij manifestohej thellë në zemrat dhe shpirtrat e tyre, dhe dalëngadalë i përvetëson dhe shumë prej tyre i bën ithtarë të denjë të mësimeve të tij. Kjo mrekulli e Kuranit, e cila tërhoqi edhe shpirtrat e tyre, i habiti edhe vetë ata, prandaj me vetëdije të humbur e të tronditur, dikush prej tyre e quajti sehir, magji etj.. Edhe idhujtari më i aftë dhe më autoritativ Velid bin Mugire u gjunjëzua para mrekuilisë së tij. Idhujtarët e kishin dërguar te Muhamedi, që t’i tërheqë vërejtjen dhe të mos i publikojë mësimet e Kuranit, të cilat fyenin besimin e tyre, mirëpo kur e dëgjoi Muhamedin duke lexuar Kuran, ai u habit, dhe kur u kthye te idhujtarët ua përshkroi mrekullinë e asaj pjese të Kuranit, që kishte dëgjuar dhe me fjalët e veta i vlerësoi cilësitë e larta të tij duke thënë: "Ai (Kurani) ka një ëmbëlsirë të papërshkruar, është tërheqës e ngacmues, është aq i këndshëm sa që fund e krye është plot fruta, atë nuk mund ta thotë njeriu!?”
Është një gjë e natyrshme, që Kurani të jetë i tillë, kur dihet se për të thuhet: “Thuaj: atë e zbriti Ai që i di fshehtësitë në qiej e në tokë!” (Furkan: 6).


Emrat e Kuranit

Kurani i Famshëm ka shumë emra, dhe që të gjithë japin të kuptosh rëndësinë dhe pozitën e lartë të tij, dhe që në përgjithësi është libri më i famshëm qiellor, dhe Zoti xh.sh. në fjalën e vet e ka quajtur: El Kuranu, El Furkanu, Et-Tenzilu, Edh-Dhikru, El-Kitabu etj..
Po ashtu Allahu e ka cilësuar me atribute të bukura e të shumta. Po thuaj nuk ka sure që në te të mos përmendet ndonjë atribut i tij i këndshëm, si: Nurun, Huden, Rahmetun, Shifaun, Mevidhatun, Azizun, Mubarekun, Beshirun, Nedhirun etj.


Ndarja e Kuranit

Kurani, sipas urdhrit hyjnor është i ndarë në sure, që janë gjithsej 114. Suret janë të përbëra prej shumë ose pak ajetesh. Më e gjata është sureja El Bekare me 286 ajete, e më të shkurtrat kanë nga tri ajete. “Suretun’” - do të thotë vend, pozitë e lartë. Një grumbull ajetesh që kanë fillim dhe mbarim quhet “suretun” për hir të famës dhe të lartësisë së saj, ashtu sikur se quhet beden pjesa më e lartë në një mur. Ose Kurani është si një kopsht i ndarë në reparte, e secila njësi e tij është e rrethuar me-mur të lartë, si të ishte ndonjë kështjellë. Sureja e Kuranit është si një kopsht i tij i rrethuar me mur që mbron besimin dhe bazat e tij.
“Ajet” - quhet një ose më shumë fjalë. Nuk është kusht i domosdoshëm që ajeti të ketë kuptim të pavarur si: ba, mim, kur përbëhet prej shkronjave ose si: Mud-hammetan, kur përbëhet prej një fjale. Ajeti zakonisht është një fjali e thjeshtë ose një fjali e zgjeruar apo edhe periudhë. Fjala ajet përmendet shumë herë në Kuran, që ka si qëllim mrekulli, argument etj.
Për sa i përket çështjes së ndarjes së Kuranit në sure dhe radhitjes së sureve në Mus-haf, kjo nuk ka qenë rezultat i mendjes së njeriut, por ajo ka qenë çështje e diktuar prej të madhit Zot.
Ndarja e Kuranit sipas vendit ka të bëjë me pjesët e tij të shpallura sa ishte Pejgamberi në Meke dhe me pjesët që iu shpallën pasi u shpërngul dhe u vendos në Medinë. Suret e shpallura sa ishte në Meke u quajtën mekase, ndërsa të tjerat medinase. Dijetarët janë unikë në bindje, se në Meke iu shpallën shtatëdhjetë sure, kurse në Medine njëzet, ndërsa njëzet e katër sure të tjera janë të përbëra prej pjesëve të shpallura në të dy vendet.
Suret e shpallura në Mekë kanë disa veçori, që dallohen prej sureve të shpallura në Medinë. Ato janë më të shkurtra dhe tematika e përmbajtjes së tyre kryesisht ka të bëjë me besimin e drejtë, me besimin në një të vetmin Zot dhe me bazat e tjera të besimit. Madhëria e Zotit, sundimi, mbizotërimi dhe fuqia e Tij absolute ndaj çdo sendi e çështjeje në gjithësi është shumë më e shprehur, dhe më e theksuar në ato sure, gjë që shumë njerëz, duke mos qenë në gjendje ta kuptojnë qëllimin e theksimeve të tilla në fillim të shpalljes, i mveshën Fesë Islame teorinë e “xhebrit”– determinizmit, fatalizmit, teori e cila është e huaj për të. Suret e shpallura në Medine janë më të gjata, dhe ato i përshkon më tepër fryma e ligjshmërisë islame.
Për sa i përket ndarjes sipas kohës: më heret ose më vonë, para Hixhretit ose pas tij, edhe ajo ndarje nuk ka ndonjë ndikim në radhitje. Nuk është e thënë që pjesa e parë e shpallur të jetë e shënuar në fillim të mus’hafit, e as pjesa e fundit të jetë në fund të tij, por ka pjesë të shpallura në fillim në Meke, e të jenë të shënuara në ato të Medinës dhe asosh të shpallura në kohën e fundit në Medine e të jenë të radhitura në ato të Mekes. Edhe nga kjo kuptohet, se çështja e radhitjes nuk ishte kompetencë e njerëzve, por e Zotit të Madhëruar, i Cili për çdo pjesë të Kuranit urdhëroi të radhitet aty ku e ka vendin. Pjesa dërmuese e Kuranit iu shpall Muhamedit gjatë kohës së ditës dhe në vendbanimin e tij, e ndonjëherë iu shpall kur ishte mysafir, siç është ajeti 13 i sures Huxhuratë, që iu shpall kur ishte në Meke si mysafir, e Bilali kishte hypur mbi Qabe dhe thërriste ezanin. Pati pjesë që iu shpallën natën, si pjesa e fundit e Ali Imran dhe ajeti (67 Sure Maide). Në rekatin e dytë të sabahut iu shpall ajeti 128 i Ali Imran, e duke qenë i shtrirë në shtrat, por zgjuar i shpallet sureja Kevther dhe ajeti 118 në suren Tevbe. Për një herë iu shpall tërë sureja “Murselat” dhe ajo “Es-Saf ”. Ndonjë sure si ajo “El Alak” dhe “Ed Duha” u shpallën pjesë-pjesë me një interval të gjatë kohor.
Pjesa e parë e shpallur nga Kurani janë ajetet e para të sures Alak, ndërsa pjesa e fundit e shpallur është ajeti 281 në suren Bekare.
I tërë Kurani ka zbritur për një herë prej “Levhi Mahfudh-it” në qiellin e dynjasë natën e “Lejletul Kadrit”, pastaj prej qiellit të dynjasë te Muhamedi shpallet pjesë-pjesë në një periudhë prej njëzet vjet e më tepër.


Tubimi dhe ruajtja e Kuranit

Kurani është tubuar në dy periudha: në Kohën e Pejgamberit dhe në kohën e Hulefai Rashidinëve, ku secila periudhë dallohet me veçoritë dhe karakteristikat e veta të posaçme. Fjala “tubim” ndonjëherë ka për qëllim: nxënien e Kuranit përmendësh dhe ruajtjen e tij në kujtesë, ndonjëherë ka kuptimin e shkrimit, të shënimit të Kuranit në faqet e shkruara. Edhe njëra mënyrë e tubimit, edhe tjetra janë zbatuar në kohën e Pejgamberit.
Kurani pra, është ruajtur në dy mënyra: duke e nxënë përmendësh, e që i thuhet tubim në gjoksa dhe duke e shkruar.


Tubimi në gjoksa


Dihet se Kurani iu shpall të dërguarit të pashkolluar: “Ai (Allahu) është që ndër të pashkolluarit nga vetë mesi i tyre dërgoi të dërguar, që t'ua lexojë atyre ajetet e Tij, t’i pastrojë dhe t’ua mësojë librin dhe ligjshmërinë...” (El Xhumuati: 2). Prandaj Muhamedi a.s. bënte përpjekje të mëdha për ta ruajtur ashtu të saktë, ashtu siç i shpallej, vetë e nxinte përmendësh, kurse shokëve ua mësonte dalëngadalë, që edhe ata të arrijnë ta nxënë përmendësh.
Populli arab ishte popull që nuk merrej me shkrim-lexim. Ai ishte popull që ushtronte shprehitë e qëndrueshme të nxënies shumë shpejt të teksteve përmendësh. Ata ruanin në kujtesën e vet me qindra e mijëra vargje poezish, dinin për origjinën e paraardhësve të vet shumë të lashtë.
Kurani Famëlartë erdhi me qartësi të plotë të shprehjeve, me rregulla e dispozita të shumta, dhe i gjeti ata në atë gjendje. U solli fakte të qarta e argumente madhështore saqë i habiti, por edhe i përfitoi ndjenjat, zemrat dhe mendjet e tyre, derisa të tërë kujdesin e tyre e orientoi në librin e posashpallur madhështor. U drejtuan vetëm kah Kurani, e mësuan përmendësh dhe e ruajtën, ndërsa e braktisën poezinë, sepse në Kuran ata gjenin shpirtin e jetës.
Pejgamberi a.s., kohën më të madhe të natës e kalonte duke ndenjur në këmbë, duke u lutur dhe duke lexuar sa më shumë Kuran; ai thellohej në mendime për domethënien e tij dhe ashtu qëndronte në këmbë derisa iu dridhnin këmbët nga lodhja. Prandaj nuk është për t’u çuditur kur thuhet, se ai ishte më i miri i hafizëve (hafiz është njeri që e di të tërë Kuranin përmendësh).
Shokët e Pejgamberit - sahabët bënin gara në leximin, mësimin dhe nxënien përmendësh të Kuranit, dhe të tërë kujdesin ia kushtonin ruajtjes dhe përhapjes së tij, ua mësonin grave dhe fëmijëve të vet, nëse kalohej përreth shtëpive të tyre, ato ushtonin nga leximi i Kuranit si zgjua bletësh, dhe kur Pejgamberi kalonte pranë tyre ndalej dhe e dëgjonte atë lexim! Në vetë xhaminë e Pejgamberit lexohej Kuran me zë të lartë, saqë dëgjohej ushtima e tij prej së largu, por Pejgamberi i urdhëroi ta ulnin zërin e të mos përzihej leximi.
Shumë shokë të Pejgamberit ishin hafizë të dalluar. Këta hafizë ai i dërgonte nëpër fshatra e qytete për t’ua mësuar të tjerëve Kuranin.Nxënia përmendësh e librit të shenjtë ishte veçori e umetit të Muhamedit, të cilët kur e kumtonin, mbështeteshin në atë që kishin në kujtesën e tyre, e jo vetëm në atë që ishte e shkruar. Asnjë popull tjetër nuk e ka ruajtur ashtu librin e vet, prandaj edhe në librat e tyre u bënë devijime e ndryshime. Ajo veçori e muslimanëve të parë ishte dhuratë prej Allahut, sepse ua lehtësoi nxënien përmendësh të librit dhe për atë lehtësim tha: “Ne Kuranin e bëmë të lehtë për kujtesë...” (Kamer: 17). Nëpërmjet kujtesës dhe shkrimit Kurani u ruajt i saktë, ashtu si është shpallur. Zatën për ruajtjen e tij garanton Allahu (Hixhr: 9).


Tubimi me shkrim


Karakteristikë e dytë për ruajtjen dhe tubimin e Kuranit ishte shënimi me shkrim. Pejgamberi a.s. kishte shkruesit e vahjit dhe posa i shpallej një pjesë e Kuranit i urdhëronte ata ta shkruajnë. Çështjes së shkrimit dhe të evidentimit i kushtonte kujdes të posaçëm, me qëllim që ta përforconin edhe më mirë atë që kishin në kujtesë. Shkruesit ishin sahabë të dalluar. Për këtë detyrë të rëndësishme, të cilën ua kishte besuar, Pejgamberi kishte zgjedhur sahabë të besueshëm, korrektë, të përpikët e të kujdesshëm. Më të njohurit prej tyre ishin katër Hulefai Rashidinët, Zejd ibni Thabiti, Ubej ibni Kabi, Muadhi dhe shumë të tjerë të dalluar. Ata pra ishin shkruesit, që e shkruanin Kuranin dhe shumë prej tyre kishin mus-hafin e vet, të cilin e kishin shkruar duke e dëgjuar dhe duke e mësuar nga vetë goja e Pejgamberit, si mus-hafi i Ibni Mesudit, i Aliut, i Aishes etj.


Mënyra e shkrimit

Në atë kohë ndër arabët nuk prodhohej letra, por ajo prodhohej me pakicë ndër bizantinët dhe persianët, e që nuk ishte aq e përhapur, prandaj Kuranin e shkruanin në lëvore druri, të hurmës, në rrasa të holla gurësh, në lëkura kafshësh, në gjethe dhe në eshtra shpatukë e të tjerë.
Zejd ibni Thabiti thotë: Ne pranë Pejgamberit i radhitnim ajetet e Kuranit, ashtu siç thoshte ai dhe ashtu siç ishte i urdhëruar prej Allahut, pra radhitja e Kuranit ishte e diktuar (tevkifijj). Kuranin që kemi sot të radhitur në mus-haf është me urdhër dhe frymëzim prej Zotit. Është thënë se Xhibrili i sillte një ose më shumë ajete Kurani dhe i thoshte Pejgamberit: Muhamed! Allahu të urdhëroi ta vësh në këtë dhe në këtë sure, e Pejgamberi iu thoshte sahabëve: vëre në këtë vend dhe në këtë vend. E këtillë ishte ruajtja dhe tubimi i Kuranit në kohën e Pejgamberit a.s..


Tubimi i Kuranit në kohën e Ebu Bekrit

Pejgamberi pasi e kreu detyrën, e kumtoi amanetin, e këshilloi umetin, i udhëzoi njerëzit në fenë e drejtë të zgjedhur prej Allahut, e la këtë jetë dhe u shpërngul në fqinjësi të Mëshiruesit.
Zëvendësimi i takoi Ebu Bekrit, por gjatë kohës së udhëheqjes së tij, ai u ballafaqua me vështirësi të mëdha e me probleme të rënda. Në luftën që u zhvillua në Jemame ndërmjet muslimanëve dhe murtedëve (tradhtarëve), ithtarë të Musejleme Kedhabit ranë dëshmorë shtatëdhjetë hafizë të Kuranit. Kjo gjë i tronditi muslimanët, e më shumë u trondit Omeri i Hatabit, i cili shkoi tek Ebu Bekri, hyri brenda dhe e gjeti atë shumë të pikëlluar nga dhimbja për hafizët. Nga frika se me vdekjen e hafizëve mund të humbë diçka nga Kurani, i propozoi ta tubojnë atë. Ebu Bekri në fillim e refuzoi propozimin e Omerit, por më vonë e pëlqeu.
Buhariu shënon: Zejdi thotë: “Pas luftës në Jemame më thirri Ebu Bekri, kur hyra tek ai, aty kishte qenë ulur Omeri. Ebu Bekri më tha: Erdhi tek unë Omeri e më tha: “Lufta ka marrë përmasa të gjera me vrasjen e hafizëve, po kam frikë se lufta do të vazhdojë dhe në çdo vend do të humbim ende hafizë të tillë. Unë jam i mendimit që të urdhërosh të tubohet Kurani!” Unë i thashë: “Si të bëjë atë që nuk e bëri Pejgamberi?”- Omeri më tha: Kjo është me dobi!- Ma përsëriti disa herë derisa edhe mua m'u mbush mendja ashtu si Omerit!” Ti je i ri, je i zgjuar, tek ty nuk kemi dyshim, ti i shkruajte shpalljen Pejgamberit, ti fillo dhe tuboje Kuranin!”
Zejdi thotë: “Pasha Allahun, të më obligonte ta rrafshoj ndonjë kodër, për mua nuk do të ishte punë më e rëndë se sa atë që më urdhëroi dhe i thashë: “Si do ta bëni një punë që Pejgamberi a.s. nuk e bëri?” Ai më tha: Kjo është me dobi dhe duke më bindur, pranova dhe ia fillova ta tuboj Kuranin prej lëvoreve, prej rrasave, prej lëkurave dhe prej njerëzve, që i dinin përmendësh derisa fundin e sures Tevbe e gjeta te Huzejme Ensariu!"
Zejdi nuk u mbështet në atë që e dinte vetë përmendësh, që e kishte shkruar vetë, por për tubimin e Kuranit i caktoi vetes dy burime:
- pranoi atë që njerëzit e dinin përmendësh, dhe
- pranoi atë që ishte shkruar në prani të Pejgamberit
Çdo pjesë të Kuranit ai kërkoi ta vërtetojë patjetër prej atyre dy burimeve. Ai nuk pranoi asnjë ajet pa e gjetur të shkruar dhe pa e gjetur të nxënë përmendësh.
Për çdo pjesë të Kuranit kërkoi dy dëshmitarë të drejtë e të sinqertë, të cilët dëshmonin se ai ishte shkruar në prani të Pejgamberit. Ebu Bekri në fillim nuk u pajtua ta tubojë Kuranin për dy arsye: njerëzit i jepnin rëndësi të madhe nxënies përmendësh, ndërsa pasi të shkruhej e të tubohej ekzistonte frika, se njerëzit do të mbështeteshin vetëm në shkrime e do ta lenin anash nxënien përmendësh. Në anën tjetër ai ishte shumë i përpikët në traditën e Pejgamberit a.s., prandaj frikësohej se mos po bën ndonjë risi që Pejgamberit a.s. nuk i pëlqen.
Ai zgjodhi Zejd ibni Thabitin për këtë detyrë aq të madhe, sepse: ai ishte më i dalluari prej të tjerëve, kishte shkruar vahjin në prani të Pejgamberit, ishte i fortë në besim, ishte besnik i denjë, ishte i matur, i edukuar dhe shumë i zgjuar.
Ai tubim dhe ai shkrim i saktë i tërë Kuranit u ruajt tek Ebu Bekri, e pas vdekjes së tij tek Omeri dhe pas Omerit tek Hafsaja, bashkëshorte e Pejgamberit, e bija e Omerit.
Kurani në tërësi u shkrua dhe u ruajt në kujtesë gjatë kohës së Pejgamberit, por nuk u tubua në një vend sepse:
- shpallja e Kuranit nuk kishte përfunduar, e nuk kishte se si të tubohej para se të kompletohej,
- radhitja e sureve dhe e ajeteve nuk bëhej sipas zbritjes së tyre, sepse zbritën ajete në fund të shpalljes, kurse radhitja e tyre duhej bërë në suret e shpallura më herët, - koha prej zbritjes së fundit dhe ndërrimit jetë të Pejgamberit ishte shumë e shkurtër, prandaj nuk pati mundësi të tubohej.


Tubimi i Kuranit në kohën e Uthmanit

Mënyra dhe qëllimi i shkrimit dhe i tubimit në kohën e Uthmanit dalloheshin nga ato të kohës së Ebu Bekrit. Në Kohën e Uthmanit ishte zgjeruar territori i Shtetit Islam. Leximi i Kuranit bëhej sipas dialekteve, dhe në atë kohë ishin çliruar Armenia dhe Azerbejxhani. Hudhejfe bin Jemani kishte dëgjuar dhe kishte vënë re se si Kurani shqiptohej në mënyra të ndryshme prej popujve të ndryshëm që nuk ishin arabë, si edhe prej arabëve në shumë dialekte. Erdhi dhe i tha Uthmanit: Rriji gati këtij populli para se të kundërshtohen në leximin e Kuranit, ashtu siç u kundërshtuan Ithtarët e Librit para tyre. Uthmani i tuboi sahabët më të njohur, njerëzit më të dijshëm dhe u konsultua për pengimin dhe shërimin e kësaj plage, e cila kishte dhënë shenjat e para të një sëmundje të rëndë.
Konsultimi propozoi: Uthmani të urdhërojë të shkruhen disa kopje të Kuranit dhe ato të shpërndahen nëpër qytete; të urdhërojë të digjet çdo shkrim tjetër dhe njerëzit të orientohen për shkrim vetëm prej atyre kopjeve të shpërndara. Uthmani ia filloi realizimit të detyrës dhe atë punë ua besoi katër sahabëve: Zejd bin Thabitit, Abdullah bin Zubejrit, Abdurrahman bin Hishamit dhe Seid bin Assit. Vetëm Zejdi ishte medinas, ensar, ndërsa tre të tjerët ishin mekas, kurejshitë. Uthmani kërkoi prej Hafsas Kuranin e tubuar në kohën e Ebu Bekrit, që të shkruhen disa kopje prej tij dhe pasi i shkroi ia ktheu përsëri asaj. Ishte viti 24 hixhri.
Dallimi ndërmjet punës së ashtuquajtur tubimi i Kuranit në kohën e Ebu Bekrit dhe tubimi i Kuranit në kohën e Uthmanit ishte: në kohën e Ebu Bekrit tubimi kishte të bëjë me sjelljen e tërë Kuranit në një vend dhe me shkrimin e tij të radhitur në sure e ajete, ashtu si e kemi sot në mus-haf. Si shkak ishte frika e vdekjes së shumë hafizëve. Në kohën e Pejgamberit numri i atyre që e dinin përmendësh tërë Kuranin ishte shumë i madh, kur dihet se në vendin e quajtur “Bi’ri Meune” ranë dëshmorë shtatëdhjetë hafizë dhe menjëherë pas Pejgamberit në kohën e Ebu Bekrit në luftën e Jemames ranë edhe shtatëdhjetë hafizë të tjerë, kështu që numri i tyre shkoi më shumë se 140, prandaj droja e Ebu Bekrit kishte arsyen e vet.
Në kohën e Uthmanit tubimi kishte të bëjë me shumimin e Kuranit të tubuar në kohën e Ebu Bekrit dhe me shpërndarjen e disa kopjeve të shkruara nëpër territore. Shkak ishte frika e kundërshtimit në shqiptimin e tij të drejtë.


Komentimi dhe përkthimi i kuptimeve të Kuranit

Shpjegimi ose komentimi i asaj, të cilën Allahu nëpërmjet fjalës së vet e kërkon dhe e dëshiron prej krijesave arrihet më së miri kur ndonjë pjesë e Kuranit shpjegohet me pjesën tjetër të tij, ose kur shpjegohet nga ana e vetë Pejgamberit, ose kur ndonjë pjesë e tij shpjegohet nga as-habët e Pejgamberit. Shpjegimet e mëvonshme të pabazuara në burimet e para janë shpjegime mendore, logjike dhe individuale, prandaj nuk kanë peshën e duhur.
Përkthimi i domethënieve të Kuranit është i nevojshëm, është i kërkuar, sepse nëpërmjet tij besimtarët njoftohen me udhëzimet e tij të larta.
Përkthimi i Kuranit tekstualisht në ndonjë gjuhë tjetër nuk është i lejuar, sepse është e pamundur të ruhet stili i tij i lartë dhe të bartet në ndonjë gjuhë tjetër. Gabimet pa qëllim Allahu i fal!

1. SURETUL – FATIHAH

E zbritur në Meke pas sures El-Mudeththir, ajete: 7


Në këtë kaptinë të shkurtër prej shtatë ajetesh janë përmbledhur e theksuar në mënyrë të përgjithshme qëllimet themelore për të cilat synon Kurani Famëlartë, siç janë:
- besimi në një të vetmin Zot xh.sh., Krijues i përgjithshëm, i emëruar e i cilësuar me emrat më të bukur,
- besimi në ringjallje, në jetën e pasosur në botën tjetër, në përgjegjësinë para Zotit, në Ditën e Gjykimit dhe në shpërblimin me të mira ose me ndëshkime për veprat e bëra në këtë jetë,
- besimi dhe bindja e patundshme se vetëm Zotit i takon adhurimi dhe se të gjitha të mirat duhet kërkuar vetëm prej Tij,
- besimi në ligjin e Zotit sipas të cilit të gjitha të mirat ua dhuroi atyre që ndoqën rrugën e drejtë dhe i ndëshkoi ata të cilët u larguan dhe humbën rrugën e drejtë.
Quhet: “Suretu el Fatihah” - kaptina e fillimit, e hyrjes, sepse hyrja në këtë libër të famshëm, në Kuran fillon prej kësaj sure, e cila në radhitje është e para, anipse nuk është e shpallur e para.
Kjo sure është e emëruar edhe me emra të tjerë si: Umul Kitab, Es Seb-ul Methanij, Esh Shafije, El Vaf ije, El Kafije, El Esas, etj.
Për rëndësinë dhe vlerën e lartë të kësaj sureje Imami Ahmedi shënon në Musnedin e vet: “Ubej ibni Kabi e lexoi këtë sure pranë Pejgamberit, e ai thotë: Për Atë, në Dorën e të cilit është shpirti im, sikur kjo sure nuk ka zbritur në Tevrat, as në Inxhil, as në Zebur, e as nëKuran, kjo është Es Seb’ul Methanij dhe Kurani Madhështor, i cili më është dhënë mua”!
Buhariu shënon në Sahihun e vet, se Pejgamberi i paska thënë Ebi Seid ibni Mual-la-së: “Do të mësoj një sure, që është më e madhja e sureve të Kuranit: Elhamdu lil-lahi rabbil alemin, kjo është Es Seb-ul Methanij dhe Kurani Madhështor, që më është dhënë mua!”



1. SURETUL – FATIHAH


  1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!

  2. E tërë lavdia i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve,

  3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh,

  4. Sunduesit në Ditën e Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!

  5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!

  6. Udhëzona (dhe përforcona) në rrugën e drejtë!

  7. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër vetes tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten![0]

[0] Allahu është i lavdëruar nga vetvetiu.
Fjala: Allah është emër i veçantë i Zotit dhe nëpërmjet këtij emri shprehet bindja dhe besimi, se vetëm Ai është i adhuruar, se vetëm Ai meriton të adhurohet, prandaj kur themi Allah, ne përveç besimit në Zotin një, shprehim besimin se Atë e adhurojmë dhe e respektojmë. Ai që nuk e adhuron dhe nuk e respekton, ai e shpreh jo realisht emrin Allah.
“Rabb” do të thotë: Zot, Krijues i gjithësisë, Udhëheqësi, Rregulluesi, Komanduesi, i Gjithfuqishmi etj., Zot i atij që e beson, si edhe i atij që nuk e beson, dhe nuk e adhuron. Zoti i botëve. Fjala “Alemin” është shumës i fjalës Alem, e fjala Alem do të thotë botë. Me fjalën botët ndonjëherë ka si qëllim të shprehë kuptimin e përgjithshëm, që përfshin këtë ekzistencë, jetën në varreza - Berzah, botën tjetër. Ndonjëherë shpreh kuptimet: bota shtazore, bota bimore, bota minerale. Përdoret edhe për botën trupore-fizike e botën shpirtërore. Gjithashtu fjala alemin ndonjëherë ka kuptim të veçantë dhe me të shprehet vetëm bota njerëzore, si në ajetin 47 dhe në ajetin 122 të Bekares dhe në ajetin 96 të Ali Imran.
Allahu është Rrahman. Shprehja Rrahman ndonjëherë është atribut i Zotit e ndonjëherë emër i Zotit. Kur është në pozitën e cilësorit vjen pas emrit Allah, sikurse në këtë rast, e kur është në kuptim të emrit nuk vjen pas emrit Allah, por si emër i veçantë, si në ajetin 110 Isra, 18 dhe 92 Merjem, 42 Enbija dhe 60 Furkan, dhe jep të kuptohet për Zotin e Fuqishëm e të Madhëruar. Rrahman pra është cilësi e vetes së Tij-sifatu dhatihi, ndërsa Rrahim cilësi e veprës së Tij-sifatu fi’lihi.
Të gjitha cilësitë si: bamirësia, butësia, mëshira e madhe etj., janë të përmbledhura në këtë emër të bukur të Zotit.
Allahu është Rrahim është Mëshirëbërës i madh ndaj besimtarëve, shih ajetin 117 Tevbe dhe 43 Ahzabë.
Allahu është i vetmi udhëheqës në Ditën e Gjykimit, në Ditën e Kijametit, në ditën kur dhurohen shpërblimet dhe ekzekutohen ndëshkimet. Në atë ditë mbizotëron vetëm drejtësia e Tij e përsosur.
Falënderimin, lavdërimin në kuptimin më të lartë ia shprehim vetëm Zotit, i cili na dhuroi të mira, dhe është duke i vazhduar ato, e shpresojmë se do të na i dhurojë edhe
në Ditën e Gjykimit. Përderisa e tërë çështja në këtë jetë, madje edhe në jetën tjetër është vetëm në kompetencën e Allahut, atëherë çdo veprim e bëjmë në shenjë adhurimi ndaj Tij, dhe për çdo nevojë i drejtohemi vetëm Atij, sepse çdo adhurim drejtuar përveç Tij është i kotë, le të jetë ai pejgamber, melek, njeri i mirë a diçka tjetër. Edhe për çdo nevojë ose për çdo ndihmë ne duhet të kërkojmë vetëm prej Tij, pse dora e mëshirës dhe e ndihmës së Tij gjithnjë është e shtrirë për ata, të cilët i drejtohen sinqerisht. Nëse dikujt i duket, se nuk i dhurohet ndihma e Tij, ai duhet ta korrigjojë veten dhe duhet ta dijë, se gabimi është tek ai, e jo te ndihma e Zotit.
Meqë vetëm Atë adhurojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, e lusim të na ndihmojë në të gjitha veprimet dhe adhurimet tona, ashtu që ta gjejmë rrugën e fatbardhësisë, rrugën e atyre që ishin para nesh e të cilëve u dhuroi të gjitha të mirat, rrugën e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. E lusim të na ndihmojë, që të mos i afrohemi rrugës së gabuar, rrugës së atyre që me fajin e vet e merituan mallkimin, dhe me fajin e vet u larguan nga e vërteta. Allahu na ka dhuruar ndihmën e vet dhe me ndihmën e Tij jemi udhëzuar në rrugën e drejtë, e tashti kërkojmë prej Tij të na përforcojë, që ta vazhdojmë atë rrugë derisa të arrijmë tek ata, të cilët i pajisi me të gjitha të mirat. Ky është kuptimi i shprehjes: "Ihdina" - udhëzona, në këtë sure. Hidajeti i shprehur në shumë vende në Kuran, ndonjëherë ka kuptimin e udhëzimit, udhërrëfimit, e ndonjëherë udhëzim së bashku me ndihmë. Një lloj udhëzimi apo udhërrëfimi iu është ofruar të gjithë njerëzve të botës, por disa e pranuan dhe e gëzuan, e disa të tjerë nuk e pranuan atë udhëzim, prandaj mbetën të humbur e të hutuar.
Në këtë ajet shprehet qëllimi i udhëzimit i shoqëruar me ndihmën e Zotit, pse besimtarët janë të udhëzuar, por kërkojnë ndihmën e Zotit që atë udhëzim në rrugën e drejtë ta vazhdojnë dhe ta përforcojnë edhe më shumë, e nuk është fjala se janë jashtë rrugës e kërkojnë të udhëzohen.
Amin! O zot pranoje lutjen tonë! Kjo shprehje nuk është pjesë e kësaj sure e as pjesë e Kuranit, por një shprehje që thuhet në fund të lutjes.


2. SURETUL – BEKAREH

E para sure e zbritur në Medine, ajete: 286


Kjo sure e shpallur në Medine është njëra ndër suret më të gjata të Kuranit. Ajo është e shpallur në atdheun e ri të muslimanëve, në bashkësinë e re të posaformuar, e cila kishte nevojë për rregulla dhe dispozita, sipas së cilave do ta orientonte jetën e vet shpirtërore, fizike dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Në këtë kaptinë janë përfshirë shumë dispozita të rëndësishme, që kanë të bëjnë me çështjet e fesë dhe të sheriatit, si: besimi i drejtë islam, adhurimet (ibadetet), normat e moralit islam, marrëdhëniet familjare, bashkëshortësia etj.
Në fillim përshkruhen cilësitë e besimtarëve të denjë, të sinqertë, mandej të jobesimtarëve të hapët, e edhe veset e hipokritëve (munafikëve), kështu që në një mënyrë të qartë shtrohet thelbi i besimit, i mosbesimit dhe i hipokrizisë.
Më vonë i bëhet një vështrim krijimit të njeriut të parë, babait të njerëzisë, të Ademit a.s., ndodhive dhe ngjarjeve të papritura e të çuditshme, të cilat lajmërohen kur Zoti xh.sh. e shpall njeriun krijesën më të ndershme, dhe në shenjë nderimi engjëjt i përulen atij, ndërsa shejtani e ka smirë, me kryeneçësi refuzon t’i përulet, prandaj përjashtohet prej mëshirës së Zotit, përbuzet dhe mallkohet, duke mbetur armik i hapët dhe i përbetuar i njeriut. Pasi përshkruhet besimi i drejtë, e që është besimi në një të vetmin Zot, Krijues i gjithësisë, përmendet Kurani, fjalë e Zotit, që vërteton për shpalljet e mëparshme, prandaj kohë pas kohe në disa pjesë të kësaj kaptine përmenden ithtarët e shpalljeve të mëparshme, e posaçërisht Beni Israilët - bijtë e Israilit, që në atë kohë quheshin jehudi, dhe që ishin fqinjë me muslimanët në Medine. Intrigat e jehudive, dredhitë dhe besëprerja e tyre ishin të njohura, prandaj iu jepen sqarime muslimanëve për rrezikun, që mund t'iu kanoset prej tyre, porositen të jenë syçelët ndaj provokimeve, që mund t'iu sjellin. Dhe mu për këto arsye një e treta e kësaj kaptine përshkruan historinë e karakterit të tyre, të cilin e treguan edhe me pejgamberët e tjerë dhe me shpalljen e tyre. Si çështje të rëndësishme që përfshihen me dispozitat e Sheriatit Islam, e që shtrohen në këtë kaptinë janë: dispozitat për agjërimin, për Haxhin dhe për Umren, për luftë në rrugën e Allahut, për ndjekjen e dorasit-vrasësit, për rregullin në familje, në bashkëshortësi, për kurorëzimin dhe shkurorëzimin, për pritjen (idetin) e gruas së lëshuar dhe të asaj që i vdes burri, për dhënien gji foshnjes, për testamentin (vasijetin), për ndalimin e kontaktimit të bashkëshortëve kur gratë janë në rendin e ciklit të menstruacionit (hajdit), për ndalimin e martesës me idhujtarë-politeistë, për ndalimin rreptësisht të kamatës etj.. Në këtë kaptinë përshkruhen edhe shumë ngjarje e ndodhi të tjera, siç janë: mrekullitë e Musait, kur uji gufon prej gurit, çështja e njeriut të mbytur dhe e lopës, ndërtimi i Qabes, ndryshimi i kibles, çështja e magjisë, rasti i Davudit dhe Xhalutit, i Uzejrit dhe vendbanimit të shkatërruar, shpezët dhe Ibrahimi e shumë të tjera. Pas ajeteve që flasin për kamatën është i shënuar ajeti i fundit i shpallur nga Kurani, ajeti nën numrin 281, i cili përshkruan tmerrin e ditës, kur secili njeri do të shpërblehet për punën që ka bërë gjatë kësaj jete, mirë ose keq.
Në fund muslimanët udhëzohen të pendohen për gabimet, t’i kthehen mëshirës së Zotit, të kërkojnë falje mëkatesh, të kërkojnë ndihmën e Zotit për kundër armiqve të Zotit, të fesë, dhe të vetë muslimanëve. Quhet: “Suretul - Bekareh” - kaptina rreth Lopës, sepse nëpërmjet këtij rrëfimi, mrekullia që shfaqet në kohën e Musait bëhet e përjetshme. Në atë kohënjënga Beni Israilët vritet, e për dorasin nuk dihet.Çështjen ia paraqesin Musait me shpresën, se ai do ta zbulojë dorasin. Allahu e njofton Musain, se ata duhej të prenin një lopë dhe me një pjesë të saj ta prekin të vdekurin, i cili me vullnetin e Zotit do të ngjallet dhe do të tregojë për dorasin. I vdekuri do të preket me një pjesë të vdekur, e ai do të ngjallet! Ai rast në ringjalljen e njerëzve pas vdekjes shërben si argument për fuqinë e Zotit. Pra rrëfimi i ngjarjes ka domethënie të madhe. Nëse është edhe dëshira e Allahut, ngjarjen do ta përjetojmë gjerësisht në vendin e vet të kësaj sureje, Insha-Allah! Muslimi e shënon një hadith të Pejgamberit a.s.: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza, shejtani ik prej asaj shtëpie në të cilën lexohet kaptina Bekare”!



2. SURETUL – BEKAREH


Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh


  1. Elif, Lam, Mim.

  2. Ky është libri që nuk ka dyshim ne të (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm:

  3. të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.),

  4. dhe ata, të cilët besojnë në atë që t’u është zbritur ty (Kuranin), dhe në atë që është zbritur para teje (librat e tjerë të shpallur), dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin);

  5. të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.[1]

  6. [1] Sikurse disa kaptina të tjera, ashtu edhe kjo kaptinë fillon me kësilloj shkronjash, që përkujtojnë mrekullinë e përsosur të Kuranit. Në të vërtetë, paaftësia e gjuhëtarëve arabë për të thurur ndonjë kaptinë të ngjashme si Kurani, pasi edhe gjuha e tyre përbëhej prej të njëjtave shkronja, argumenton për përsosmërinë e mrekullisë së pashoqe të Kuranit Famëlartë dhe për paaftësinë e njerëzve për t’iu kundërvënë.
    Shkronja të tilla në fillim të kaptinave tërheqin vëmendjen e lexuesit, ose të dëgjuesit për përmbajtjen, se ç’u kumtohet nga fjalët e Zotit xh.sh. Të këtij mendimi janë dijetarët më eminentë, si Ibni Kethiri, Ibni Tejmije etj. S’ka dyshim se në shpalljen e këtyre shkronjave fshihet urtësia e madhe e Zotit, e megjithatë disa dijetarë shfaqën mendimin, se shkronja të tilla janë simbole të emrave si: elifi simbolizon emrin Allah, lami, atë Xhibril dhe mimi, atë Muhamed.
    Me librin e përmendur për të cilin nuk ka dyshim, se është fjalë e Zotit, ka si qëllim Kuranin, i cili ka edhe emra të tjerë si: Kitab, Furkan, Tenzil, Edh-Dhikru etj.
    Kurani është shpallur si udhëzim për të gjithë njerëzit. Mirëpo, ata që nuk deshën të udhëzohen sipas tij, ata mbetën jashtë tij, prandaj thuhet se Kurani është udhëzues për të devotshmit, për të ruajturit dhe besimtarët. “Gajb” është çdo gjë që nuk mund të arrihet me anën e shqisave, siç janë: ringjallja, xheneti, xhehenemi, suali, hisabi e të tjera, pra janë të fshehta e të padukshme, por janë detyrim, që t’i besojmë të gjitha ato që i thotë Kurani ose Pejgamberi a.s..
    Fjala “salat” në kuptim të përgjithshëm do të thotë: lutje, por këtu edhe në shumë ajete të tjera të Kuranit ka si qëllim trajtën e një lutjeje të posaçme, që ndër ne i thuhet “namaz” (lutje, falje e obligueshme –farz). Besimtarët e mirë prej pasurisë së tyre japin një pjesë për të gjitha nevojat e njerëzve, si: sadaka, zeqat dhe ndihma të tjera, me çka ndihmojnë në përballimin e vështirësive. Muslimanët janë të obliguar që përveç shpalljes së fundit, e cila iu shpall Muhamedit a.s., t’i besojnë edhe shpalljet e tjera, që iu shpallën pejgamberëve të mëparshëm dhe të jenë të plotbindur për jetën e ardhshme pas kësaj jete. “Ahiret” quhet bota tjetër, jeta pas kësaj jete në dynja, pas ringjalljes pra jeta në ahiret. Në këto ajete përshkruhen cilësitë dhe virtytet e njerëzve me besim të drejtë, të cilët pa kurrfarë dyshimi janë të shpëtuar dhe fitues të shkallës më të lartë të shpërblimeve.

  7. E ata që mohuan (Kuranin dhe Muhamedin), për ta është njësoj ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.

  8. Allahu ua mbylli atyre zemrat, veshët e tyre dhe në shikimin e tyre ka një perde, e ata kanë një dënim të madh.

  9. Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë.

  10. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë.

  11. Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e Allahu ua shton sëmundjen edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan pësojnë një dënim të dhembshëm.

  12. E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!’

  13. Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.

  14. Dhe kur atyre u thuhet: besoni, sikurse besuan njerëzit, ata thonë: “A të besojmë ashtu sikurse besuan mendjelehtit?” Në të vërtetë ata, dhe mu ata janë mendjelehtit, por nuk e dinë.

  15. E kur i takojnë ata që besuan thonë: “Ne kemi besuar!” Por kur veçohen me djajtë (parinë) e vet iu thonë: “Ne jemi me ju, ne vetëm jemi tallur (me besimtarët)”.

  16. Allahu tallet me ta, dhe i lë të bredhin të humbur, edhe më shumë në mosbesimin e tyre.

  17. Të tillët janë që e ndërruan të vërtetën (besimin) me të pavërtetën (mosbesimin), pra tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk qenë të vetëdijshëm (në punën e tyre).

  18. Shembulli i tyre (në hipokrizi) është si shembulli i atij që ndez një zjarr, dhe posa ta ndriçojë ai vendin përreth tij, Allahu ua shuan dritën e tyre dhe i lë në errësira, që nuk shohin,

  19. (mbesin në errësirë) të shurdhër, memecë dhe të verbër, prandaj ata nuk kthehen (nga rruga e tyre e keqe).

  20. Ose (shembulli i tyre është) si ndonjë shi i rreptë prej së larti me errësirë, me bubullimë e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes nga rrufeja, ata i vejnë gishtat në veshët e tyre. Po Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (atij nuk mund t’i shpëtojë askush).

  21. Vetëtima gati ua merr shikimin, dhe sa herë që ajo u bën dritë atyre, ata ecin në të, e kur u errësohet mbesin aty. E sikur të donte Allahu, do t’ua merrte dëgjimin (me krismën e bubullimës) dhe shikimin (me shkëndijën e vetëtimës). Vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.[2]

  22. [2] Ata që mohuan argumentet e Zotit dhe mohuan Muhamedin a.s. si pejgamber, ata janë mohues të hapët, ata nuk do të besojnë, prandaj i thuhet Muhamedit, që të mos brengoset për ta, sepse në zemrat e tyre nuk depërton drita e besimit, veshët dhe sytë e tyre nuk e dëgjojnë dhe nuk e shohin të vërtetën, thuajse i kanë të mbuluar me plaf. Fjala “kufr” d.m.th.: mbulim i së mirës, përbuzës i nimetit, refuzues i së vërtetës, pra, ai që nuk e beson, as Kuranin, as Muhamedin a.s. Vetëm këto dy ajete përshkruajnë veset e atyre që nuk besojnë, ngase ata ishin të hapët dhe rreziku prej tyre nuk mund t’i befasojë muslimanët.
    Në trembëdhjetë ajetet vijuese, bëhet fjalë për hipokritët rreziku i të cilëve është edhe më i madh, sepse shprehen haptazi si muslimanë, e në të vërtetë nuk besojnë dhe përpiqen t’i mashtrojnë muslimanët, por ata nuk mund të mashtrojnë tjetër, pos vetveten. Hipokritët ishin të sëmurë në shpirt, ishin të dyshimtë në besimin e tyre, prandaj shkaktonin çrregullime ndërmjet njerëzve, sepse bënin intriga dhe vepra të këqia, por nuk donin t’i pranonin.
    E kur u thuhej atyre bëhuni të sinqertë në besim, sikur se ishin shokët e Pejgamberit, ata merrnin si shembull disa shokë të Pejgamberit a.s. si: Bilalin, Suhejbin, Amarin, të cilët kishin qenë robër më parë dhe nuk gëzonin ndonjë autoritet në mesin e jobesimtarëve, e i quanin edhe të marrë. Hipokritët me tjetër fytyrë bisedonin, kur gjendeshin ndër besimtarë, e kur ktheheshin tek ata paria e tyre kriminele, që Kurani i quan shejtan ndërronin fytyrën, dhe u thonin se jemi tallur me muslimanët, e përderisa ata do ta kenë dënimin më të rëndë, Allahu nuk ngutet, i lë ta shtojnë krimin ashtuqë ai dënim të jetë sipas meritës së tyre. Kuptohet se puna e tyre është e dështuar, derisa ikin prej dritës e shkojnë në errësirë. Shembulli i hipokritëve, të cilët e përqafuan të shtrembtën duke e mohuar të drejtën, është si ai që ndez një zjarr për t’i bërë dritë, e kur i fiket drita ata mbeten në errësirë si me qenë të shurdhër, memecë e të verbër. Edhe ata një herë besuan,-e panë dritën e besimit, por meqë u larguan prej besimit, mbetën në errësirë.
    Ose shembulli i tyre është si ndonjë furtunë e madhe me shi, bubullimë dhe vetëtimë dhe prej errësirës nuk mund të ecin, e kur veton u ndriçohet rruga dhe bëjnë disa hapa, por i frikësohen vdekjes nga rrufeja, prandaj i mbyllin veshët me majat e gishtave. Atyre herë pas here u ndriçohet rruga e besimit, sikur shiu që ngjall tokën, ashtu besimi ua ngjall zemrat, por për një kohë të shkurtër, sepse ata përsëri mbesin në errësirë, e megjithatë ata as nuk mund t’i shpëtojnë vdekjes, as t’i shmangen dënimit, pse Allahu ka fuqi të plotë për çdo gjë.


  23. O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar),

  24. Atë, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shokë (rivalë), duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).

  25. E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia zbritëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit).

  26. E nëse nuk e keni bërë (deri tashti), as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët.

  27. E, përgëzoji ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhenete në të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me te u ushqyem edhe më parë”. Ngase u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë.

  28. Allahu nuk turpërohet që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan ata e dinë, se ai (shembull) është e vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi Allahu me këtë si shembull?” Ai (Allahu) me atë (shembull) shmang nga rruga e drejtë shumëkënd, por me të edhe udhëzon në rrugën e drejtë shumëkënd, po Ai me të nuk devijon askënd tjetër, me përjashtim të mosbesimtarëve të lajthitur,

  29. atyre që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi është lidhur ajo, dhe e këputin atë që Allahu ka urdhëruar të jetë e kapur, e edhe bëjnë shkatërrime në tokë, të tillët janë ata të humburit.

  30. Si e mohoni Allahun, e dihet se ju nuk ekzistonit fare e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej tek Ai do të ktheheni?

  31. Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë, pastaj u ngrit lart dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.[3]

  32. [3] Pasi u përmendën tri grupet e njerëzve: besimtarë, jobesimtarë dhe hipokritë (munafikë), në këto ajete përmenden edhe argumentet, që vërtetojnë për Zotin një, Krijuesin e çdo qenieje e sendi në ekzistencë, duke ftuar njerëzit që të jenë falënderues të të mirave, që Ai ua dhuroi.
    Askush tjetër përveç Zotit, nuk ka krijuar ndonjë send, prandaj çdo adhurim ose madhërim përveç Atij, është i gabuar dhe do të ketë pasoja të rënda. Ai është dhurues i jetës së çdo gjallese, sigurues i kushteve për jetë si në tokë ashtu edhe në qiell, pra përveç Tij nuk meriton kush tjetër të adhurohet. Kundërshtarëve që e mohonin Kuranin, si shpallje nga Zoti iu tërheq vërejtjen, se do të jenë ata dhe idhujt e tyre, që i konsiderojnë si zota, lëndë e zjarrit të xhehenemit.
    Besimtarëve vepërmirë u jepet myzhde, se do të gëzojnë të gjitha kënaqësitë në xhenet, e si më me rëndësi atë, se aty do të jenë përgjithmonë. Kundërshtartët nuk mund ta thurin dot ndonjë pjesë të ngjashme me Kuranin, as sa kaptina më e shkurtër e tij, por u përpoqën ta quajnë si të metë të tij, përse përmend bletën, mushkonjën, merimangën, milingonën etj. Zoti xh.sh. nuk frikësohet prej asaj që thonë ata, se mos është e metë, sepse edhe krijesat më të thjeshta sikurse mushkonja, madje edhe më të vogla, vërtetojnë për fuqinë dhe mjeshtërinë e përsosur të Krijuesit të tyre, pra begatojnë bindjen e besimtarëve, e ata që nuk respektojnë udhëzimet e Zotit, vazhdojnë të jenë edhe më të humbur. Ata zatën e kanë thyer besën e marrë prej tyre në shpalljet e mëparshme, se ishin të obliguar ta besojnë Allahun, e kur të vijë Muhamedi ta pranojnë edhe atë, prandaj ata kanë humbur në tërësi. Ata nuk respektuan as lidhjen e gjakut ndaj pejgamberëve, ndaj familjes, ndaj besimtarëve, e Zoti ka urdhëruar të ruhet dhe të respektohet afria familjare etj. Në Kuran përmendën shtatë qiej, por sa është madhësia e një qielli e di vetëm Zoti xh.sh. Hapësira e gjithësisë kurrë nuk do të mund të arrihet e të studiohet në tërësi, prandaj çështje të tilla mbeten në kompetencën e Atij që i krijoi.

  33. (Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës!” Ata thanë: “A do të vendosësh në te atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!" Ai tha: "Unë di atë që ju nuk e dini!”

  34. E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ato ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejtë (çka mendoni)?”

  35. (Engjëjt) Thanë: “Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç asaj që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!"

  36. (Zoti) Tha: “O Adem, njoftoji ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!” E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre (Zoti) tha: “A nuk ju kam thënë juve, se Unë e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani të fshehtë”.

  37. E kur iu thamë engjëjve: përuluni (bini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të Iblisit (djallit). Ai refuzoi dhe u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar.

  38. E Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në xhenet dhe hani lirisht nga frutat e tij nga të doni, por mos iu afroni asaj peme e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj).

  39. Po djalli i bëri, që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose xhenetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në të, e Ne iu thamë: “Zbritni (dilni), jeni armik i njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim”.

  40. E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe Pranues i pendimit.

  41. Ne iu thamë: “Dilni prej aty që të gjithë, e juve gjithqysh do t’iu arrijë udhëzimi prej Meje, e kush e pranon udhëzimin Tim për ata nuk ka, as frikë, as që do të brengosen”.

  42. E ata që i mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona, të tillët janë banues të zjarrit, ata do të jenë aty përgjithmonë.[4]

  43. [4] Prej shumë të mirave, të cilat Zoti ia dhuroi njeriut, më e çmuara është nderimi që iu bë, me urdhrin e Zotit, nga ana e engjëjve. Njeriu duke filluar prej Ademit është caktuar mëkëmbës, i cili duhet t’i zbatojë dispozitat e Zotit në tokë. Me këtë besim që iu dha njeriut, i cili është krijesa më e përsosur kuptohet, se në mesin e njerëzve do të ketë gjithnjë edhe të dalluar, të cilët do të udhëheqin në të gjithë lëmenjtë e jetës.
    Engjëjt nuk e kundërshtuan vendimin e Zotit për caktimin e Ademit si mëkëmbës, por dëshiruan të mësojnë edhe më shumë për aftësitë e njeriut, si krijesë fizike e materiale, e cila sipas natyrës së vet është e gatshme të bëjë edhe çrregullime në tokë. Këtë e kishin kuptuar engjëjt në botën e tyre shpirtërore. Mirëpo, kur Allahu e urdhëroi Ademin t’i shfaqë aftësitë e veta me të cilat ishte përgatitur ai dhe lloji i tij për udhëheqje në tokë, ai i emërtoi sendet, engjëjt e kuptuan fshehtësinë e nderimit ndaj tij, prandaj respektuan urdhrin e Zotit dhe i bënë sexhde në shenjë nderimi, e jo adhurimi. “Sexhde” është një nga trajtat gjatë faljes së namazit, kur njeriu bie në gjunjë dhe me duar e fytyrë përdhe në shenjë përuljeje ndaj Zotit. Kjo përulje nuk lejohet t’i bëhet asnjë krijese, pos Krijuesit.
    “Melaiket” - engjëjt nxisin virtytet e larta të njeriut, kujdesen për zbatimin e urdhrave të Zotit në tërë ekzistencën, madhërojnë Zotin e kurrë nuk gabojnë.
    “Iblis”, “shejtan” është emër i djallit. Ai është i larguar, i dëbuar, i përzënë prej mëshirës së Allahut. Djalli nxit dhe ngacmon te njeriu çdo ves, që është i ulët dhe shtazor. “Xhenet” - parajsë, e kur është fjala për ndonjë bukuri e kënaqësi në këtë botë, është kopsht.
    Fjalët që Zoti ia mësoi Ademit për lutje pas të cilave ia fali gabimin janë të theksuara në kaptinën “Araf ”.


  44. O Bijtë e Israilit, kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, të cilat ua dhurova juve dhe zbatoni premtimin, që ma keni dhënë Mua, e Unë e zbatoj atë që iu premtova, dhe të më keni frikë vetëm Mua.

  45. Dhe besojeni atë që e zbrita (Kuranin), e që vërteton atë që keni ju, e mos u bëni mohues të parë të tij, dhe mos i ndërroni ajetet e Mia (Kuranin) me një vlerë të paktë, por vetëm Mua të ma keni drojen.

  46. E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshihni realitetin.

  47. Faleni namazin dhe jepni zeqatin, dhe faluni me ata që falen (bini në ruku me ata që bien).

  48. Apo i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?

  49. Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin),

  50. të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e vet dhe se ata do t’i kthehen Atij.

  51. O Bijtë e Israilit, përkujtojeni dhuntinë Time, të cilën ua dhurova, dhe Unë ju pata (të parët tuaj) dalluar ndaj njerëzve të tjerë (të asaj kohe).

  52. Dhe ruajuni një dite, kur askush askujt nuk do të mund t’i kryejë asgjë, kur nuk pranohet për të (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim dhe nuk pranohet për të kompensim, e as që do të ndihmohen ata (fajtorët).[5]

  53. [5] “Israil” është emër i pejgamberit të Zotit, emër i Jakubit, birit të Is-hakut, birit të Ibrahimit a.s. dhe sa herë që përmenden në Kuran Beni Israil (bijtë e israilit) ka si qëllim pasardhësit e Jakubit. Emri lsrail për Jakubin është thënë qartas në suren “Ali Imran”. Beni Israilët thirren që ta besojnë Kuranin, i cili vërteton për Tevratin, që për interesat e tyre të mos bëjnë ndryshime në librin e tyre, të mos e fshehin të vërtetën për Muhamedin a.s.
    Mirëpo Beni-Israilët, të cilët në kohën e Muhamedit a.s. e quanin veten “jehudi”, e posaçërisht rabinët (prijësit fetarë) e tyre, përveç se nuk pranuan mësimet e Kuranit, ata aty ku flitej për virtytet e Muhamedit a.s., bënë ndryshime në librin e tyre, që të mos e humbasin pozitën. Disa prijës fetarë jehudi të afërmve të tyre, të cilët kishin pranuar fenë islame u thonin: vazhdoni të jeni në fenë islame se është e vërtetë prej Zotit, e vetë nuk e pranonin. Thirren ta falin namazin, ta japin zeqatin. “Zeqati” sipas sheriatit islam është pjesë e caktuar e pasurisë, të cilën muslimani është i obliguar ta japë, për ato nevoja që i ka cekur Kurani.
    “Ruku” krrusje, quhet një nga pjesët e namazit, e këtu vetë kuptohet i tërë namazi, pra jehudive iu kërkohet të falen, ashtu siç falen muslimanët.

  54. Përkujtoni edhe kur ju shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të idhët, duke ua therur bijtë tuaj, e duke ua lënë gjallë gratë tuaja. Në këtë torturë përjetuat një sprovim të madh nga Zoti juaj.

  55. Dhe kur për ju e ndamë detin, e ju shpëtuam, ndërsa ithtarët e faraonit i fundosëm, e ju i shihnit (me sytë tuaj).

  56. E kur i premtuam Musait (t’ia japim Tevratin) dyzet netë, pas tij ju (pasi shkoi ai për Tevrat) e adhuruat viçin, ju ishit dëmtues (të vetes suaj).

  57. Mandej edhe pas asaj ua falëm (gabimin), që të falënderoni.

  58. Dhe (përkujtoni) kur ia dhamë Musait librin, dalluesin, në mënyrë që të udhëzoheni në rrugë të drejtë.

  59. Dhe kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, me adhurimin e viçit (në vend të Zotit), ju i bëtë zullum vetes, pra pendohuni para Krijuesit tuaj, dhe vriteni veten. Kjo për ju është më e mirë te Krijuesi juaj. E Ai ua pranoi pendimin tuaj, Ai është Mëshirues, ndaj e pranon shumë pendimin.

  60. Dhe kur i thatë: “O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe ju e shihnit.

  61. Pastaj, që të jeni mirënjohës pas vdekjes suaj juve ju ngjallëm.

  62. Dhe Ne bëmë që retë t’u bëjnë juve hije, ju furnizuam me rrëshirë (të ëmbël) dhe me shkurtëza. (Ju thamë) Hani nga të mirat që ju furnizuam! (Ata nuk qenë mirënjohës). Po Neve ata nuk na bënë kurrfarë dëmi, por ata e dëmtuan veten.

  63. E kur ju thamë: “Hyni në këtë fshat (vendbanim), dhe hani në të lirisht ku të dëshironi, e hyni në derën (e fshatit) të përulur dhe thoni: “Hittatun”- ndjesë, Ne ua falim mëkatet tuaja, e bamirësve ua shtojmë shpërblimin.

  64. E ata që ishin mizorë atë që iu ishte thënë e ndryshuan me një fjalë tjetër, e Ne për shkak se ata kundërshtuan, lëshuam nga qielli një dënim kundër atyre që ishin mizorë[6]

  65. [6] Faraoni me ithtarët e vet bënte shtypje të madhe kundër Beni Israilëve, ua vrisnin meshkujt, e femrat ua linin të jetojnë. Thuhet se Faraoni kishte ëndërruar një zjarr, që vinte prej Jerusalemit dhe e kishte përfshirë e djegur secilin kibtas, e Beni Israilët nuk i kapte. Fallxhorët ia interpretuan ëndrrën, se te Beni Israilët do të lindë një djalë, që do ta shkatërrojë Faraonin dhe sundimin e tij, prandaj ai urdhëroi të vriten djemtë e Beni Israilëve.
    Zoti xh. sh. e ndau ujin e detit dhe Beni Israilët kaluan duke ecur nëpër fundin e tij, e kur hyri Faraoni me të vetët deti u mbyll dhe i mbyti. Pas shkatërrimit të Faraonit, Musai shkoi për ta pranuar Tevratin, për të cilin i kishte premtuar Zoti, se do t’ia jepte pas dyzet ditëve. Në kohën kur ishte Musai në malin Tur, ku do ta pranonte Tevratin, një farë Samiriu kishte punuar një viç ari, e mashtroi popullin duke e bindur, se duhet të adhuronin atë dhe ata e adhuruan. Kur u kthye Musai me urdhër të Allahut u tha ta mbysnin njëri tjetrin në luftim, si shenjë pendimi derisa të zbresë falja e Allahut. Mirëpo, ata shkuan edhe më larg kërkuan ta shohin Zotin sheshazi, mirëpo atëherë i dogji rrufeja. Beni Israilët qëndruan në një shkretëtirë si të humbur rreth dyzet vjet, por edhe aty Zoti i ndihmoi, u sillte re t’u bënin hije, i furnizoi me ushqim pa farë mundi. Kur erdhi puna të hyjnë në Kudus, në Jerusalem, u urdhëruan të hyjnë me përulje dhe duke kërkuar falje, e ata i ndryshuan fjalët dhe nuk e respektuan urdhrin, prandaj u ndëshkuan.


  66. Dhe (përkujtoni) kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, e Ne i thamë: “Bjeri gurit me shkopin tënd”, atëherë nga ai gufuan dymbëdhjetë kroje, që secili grup e dinte vendin ku do të pinte ujë. (U thamë) Hani dhe pini nga begatitë e Allahut, e mos vazhdoni të jeni çrregullues në tokë.

  67. Madje kur ju thatë: “O Musa, ne nuk mund të durojmë (hamë) vetëm një ushqim (të njëjtë), lute pra Zotin tënd për ne të na furnizojë me çka mbin toka prej perimeve të saj, prej trangujve, prej hudrave, prej thjerrzave (groshë) dhe prej qepëve të saj!” (Musai) Tha: “A kërkoni ta ndërroni të mirën për atë që është më e thjeshtë?” Zbritni pra në qytet, se aty do të keni atë që kërkoni! E mbi ta rëndoi poshtrimi dhe skamja, e ata kundër vetes shkaktuan hidhërimin e Allahut. Kjo ndodhi sepse ata mohonin argumentet e Allahut, vritnin pejgamberët pa kurrfarë të drejte, dhe për shkak se kundërshtuan dhe i kalonin kufijtë në të keqe.

  68. Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, të krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun, dhe botën tjetër, dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë, as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi besuan Allahun, librat, të dërguarit në mesin e të cilëve edhe Muhamedin).

  69. (Përkujtoni) Kur Ne patëm marrë prej jush besën tuaj, ngritëm mbi ju (kodrën) Turin (iu thamë): veproni sipas atij (Tevratit) që ua dhamë me seriozitet, e mësoni atë që është në te, ashtu që të ruheni.

  70. E pas asaj (besës) ju më vonë ia kthyet shpinën, e po të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, ju do të ishit prej të humburve (në të dy jetët).

  71. Ju tanimë e keni të njohur çështjen e atyre nga mesi juaj, që nuk respektuan (urdhrin) në të shtunën, e Ne u thamë: Shndërrohuni në majmunë të përbuzur!

  72. Atë (shndërrim të tyre) e bëmë masë ndëshkuese për ata që e përjetuan (me sy) dhe për të pastajshmit, por edhe si këshillë për të devotshmit.

  73. (Përkujtoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: “Allahu ju urdhëron ta therni një lopë! Ata thanë: “A po tallesh me ne”? Ai tha: “Allahut i mbështetem të më ruaj e të mos bëhem nga injorantët”!

  74. Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne të na sqarojë çfarë është ajo”? Ai tha: “Ai thotë, se ajo është një lopë, as e vjetër (e moshuar), as e re (mëshqerrë), është e mesme, zbatoni pra atë që urdhëroheni”!

  75. Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne, që të na sqarojë çfarë është ngjyra e saj"! Ai tha: "Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë, ngjyra e saj është e fortë, që i kënaq shikuesit”.

  76. Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne, që të na sqarojë çfarë është ajo, se lopët na janë përzier (janë bërë të ngjashme), e ne do të gjejmë të vërtetën në dashtë Allahu”!

  77. Ai tha: “Ai thotë, se ajo lopë nuk është e ushtruar që ta lërojë tokën e të ujitë të mbjellat, ajo është pa të meta dhe në të nuk ka shenjë (ngjyrë tjetër)”. Ata thanë: “E tash na e sqarove saktë dhe e therën atë, e për pak e lanë pa e kryer punën”.

  78. (Përkujtoni) Kur e patët mbytur një njeri dhe u kundërshtuat mes veti për te, e Allahu është zbulues i asaj që e mbanit fshehtë.

  79. E ne u thamë: “Mëshoni atij (të vdekurit) me një pjesë të saj (të lopës së therur”!) Ja, kështu Allahu i ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet e veta, ashtu që të kuptoni. [1]

  80. Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e madje ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.[7]

  81. [7] Uji që gufoi prej gurit, që Musai i mëshoi me shkop ishte një mrekulli për të, e dymbëdhjetë kroje ishin për dymbëdhjetë fise të pasardhësve të Jakubit. Beni Israilët ishin mësuar në Egjipt me lloj-lloj ushqimesh, prandaj kërkuan diçka ashtu edhe në shkretëtirë, e Musai iu tha të hyjnë në ndonjë qytet për të gjetur asi ushqimi.
    Kudo që hynë Beni Israilët u poshtëruan dhe u nënçmuan, sepse Zoti i kishte mallkuar, sepse edhe pas të gjitha atyre të mirave që ua dha, ata kundërshtuan, e vranë edhe pejgamberin. Të gjithë ata që besuan sinqerisht në kohën e Musait, në kohën e Isait edhe të tjerë janë besimtarë të shpëtuar, nëse në kohën e Muhamedit a.s. e besuan edhe atë.
    Beni Israilët edhe librin e tyre, Tevratin e pranuan me dhunë dhe nuk i respektuan dispozitat e tij. Ditën e shtunë e kishin të ndaluar të gjuajnë peshq, por një pjesë e tyre e shkelën atë dispozitë dhe si masë ndëshkuese për ata dhe për të tjerët që do të vinë më vonë, Zoti Fuqiplotë i shndërroi në majmunë. Njerëzit e devotshëm e dinë se urdhri i Zotit duhet respektuar patjetër. Ndër Beni Israilët, e në kohën e Musait, disa të afërt të një plaku pasanik ia kishin vrarë djalin plakut për ta trashëguar atë pasuri ata, e jo djali. Pasi dorasi nuk dihej dhe ishin shkaktuar konflikte rreth tij kërkuan prej Musait ta gjejë dorasin. Ai, sipas urdhrit të Zotit u tha ta therin një lopë dhe me një pjesë të saj t’i mëshojnë të vdekurit e ai do të ngjallet, dhe do të tregojë se kush e ka vrarë. Mirëpo ata, si zakonisht edhe këtë urdhër të Zotit e zvarritën, duke bërë pyetje pas pyetjeje dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë punën vetes, saqë përveç mundimeve deri sa e gjetën një lopë të tillë, u detyruan ta paguajnë me një çmim të jashtëzakonshëm. E therën lopën dhe me një pjesë të saj e prekën të vdekurin, e ai e tregoi dorasin. Këtu shihet fuqia e Zotit; me një pjesë të lopës së prerë i mëshohet një të vdekuri, e ai ngjallet. Po kjo fuqi e Zotit do t’i ringjallë të gjithë njerëzit.
    Prej asaj kohe dorasi që vret të afërmin, e humb të drejtën e trashëgimit. Kështu është edhe në sheriatin islam.


  82. A shpresoni se do t’u besojnë ata juve (jehuditë), kur dihet se një grup prej tyre dëgjuan fjalët e Allahut, edhe pse i kishin kuptuar, e duke qenë të vetëdijshëm (ç ‘bënin) i ndryshuan ato.

  83. E kur i takonin ata që kishin besuar (muslimanët) thonin: “Ne kemi besuar! E kur veçoheshin ata mes veti thonin: “A po ju tregoni atyre (muslimanëve) për atë që Allahu ua shpalli juve (në Tevrat rreth Muhamedit), që ata para Zotit tuaj të kenë argumente kundër jush. A nuk jeni duke kuptuar”?

  84. A thua nuk e dinë ata (jehuditë), se Allahu e di atë çka e fshehin dhe atë çka e publikojnë?

  85. E ka disa prej tyre që janë analfabetë, nuk e kuptojnë librin, por jetojnë vetëm me shpresa, duke mos qenë të sigurt.

  86. Është shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej Allahut!”, e për të arritur me të një fitim të paktë. Mjerë për ta nga ajo që e shkruan duart e tyre dhe mjerë pë ta nga ajo çka fitojnë!

  87. Ata edhe thanë: “Neve nuk do të na kapë zjarri, përveç për disa ditë të numëruara”! Thuaj: “A mos keni marrë prej Allahut ndonjë premtim, e Allahu nuk e thyen premtimin e vet, ose jeni duke thënë për Allahun atë që nuk e dini?

  88. Po (do t’ju kapë zjarri), ai që bën keq dhe që e vërshojnë gabimet e tij, ata janë banues të zjarrit, aty janë përgjithmonë.

  89. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë banues të xhenetit, aty janë përgjithmonë.[8]

  90. [8] Edhe pas të gjitha atyre mrekullive, që iu kishte shfaqur Zoti, jehuditë ishin shumë zemërfortë, nuk njihnin të mirat që iu ishin dhuruar, prandaj gjithnjë u sprovuan me ndëshkime të lloj-llojshme.
    Besimtarëve, së bashku me Muhamedin a.s. iu drejtohet Kurani, duke u thënë se nuk ka shpresë, që jehuditë do të pranojnë fenë tuaj. Ata kur është fjala për Muhamedin dhe Kuranin, ndryshojnë pjesë të librit të tyre, ata u thonin të vetëve: mos u tregoni muslimanëve, se në Tevrat shkruhet për Muhamedin dhe dërgimin e tij pejgamber, sepse në Ditën e Gjykimit nuk do të mund të arsyetoheni se nuk keni ditur.
    Dijetarët që ishin pari fetare bënin shtrembërime në Tevrat, kurse masa e gjerë, nuk dinte ta lexojë atë. Ata jetonin me shpresat që iu thonte paria, si: neve Beni Israilëve do të na mëshirojë Zoti, të parët tanë ishin pejgamberë, ne jemi popull më i zgjedhur, xhehenemi do të na djegë pak ditë, ose shtatë, ose dyzet, aq sa patën adhuruar viçin, dhe ashtu i mashtronin. Kurani iu thotë qartas, se ai që mohon të vërtetën, vërshohet e mbytet në të këqia. Ai do të jetë përgjithmonë në xhehenem, ashtu si ai që beson dhe bën vepra të mira do të jetë përgjithmonë në xhenet.


  91. (Përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e Bijve të Israilit: mos adhuroni tjetërkënd përveç Allahun, të silleni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimave, ndaj të varfërve dhe njerëzve u thuani fjalë të mira, faleni namazin dhe jepni zeqatin; e pastaj ju e thyet zotimin dhe përveç një pakice prej jush, ia kthyet shpinën zotimit.

  92. Dhe kur morëm zotimin tuaj, që të mos derdhni gjakun tuaj, të mos dëboni veten tuaj nga vendi juaj, e ju e pranuat, ndaj dëshmojeni.

  93. Pastaj ja, ju jeni ata që vrisni njëri-tjetrin, i dëboni disa prej jush nga vendi i tyre, duke bashkëpunuar kundër tyre, si është mëkat e padrejtë, e nëse ata bien te ju në robëri, ju jepni kompensim për (t’i liruar) ata, e dëbimi i tyre nga vendi është i ndaluar për ju. A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Ç’mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.

  94. Të tillë janë ata që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, prandaj atyre, as nuk do t’u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata.

  95. Ne i patëm dhënë Musait librin dhe pas tij patëm dërguar shumë pejgamberë. Isait, birit të Merjemes i dhamë argumente (mrekulli) dhe e fuqizuam me (Xhibrilin) Shpirtin e Shenjtë. E sa herë që u erdhi ndonjë i dërguar me çka nuk u pëlqeu juve, a nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa i vratë?

  96. E (jehuditë e kohës së Muhamedit) thonë: “Zemrat tona janë në këllëf ’! Jo, por për shkak të mosbesimit të tyre, Allahu i ka mallkuar, prandaj pak janë që besojnë (ose: pak send besojnë).

  97. E kur iu erdhi atyre prej Allahut libri (Kurani), që është vërtetues i atij që e kishin pranë, e që para se t'u vinte e kërkonin ndihmën e tij kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhamedin) që e njihnin, kur u erdhi. Pra mallkimi i Allahut qoftë kundër mosbesimtarëve!

  98. E shëmtuar është ajo për çka ata e shitën veten, të mos e besojnë atë që e shpalli Allahu, të shtyrë nga zilia, për shkak se Allahu nga mirësia e Tij t’i shpallë atij që dëshiron nga robërit e vet. Prandaj merituan zemërim mbi zemërim. Mosbesimtarët kanë dënim që i poshtëron.

  99. Dhe kur atyre iu thuhet: “Besoni atë që shpalli Allahu”, ata thonë: “Ne besojmë atë që na u shpall neve”, kurse e mohojmë atë pas tij, edhe pse është vërtetues i atij që e kanë ata dhe është i vërtetë. Thuaj: “Nëse jeni besimtarë, pse pra i vritnit më parë pejgamberët e Allahut”?

  100. Juve iu pat ardhur Musai me argumente, por pas tij ju adhuruat viçin, pra ju ishit mizorë.[9]

  101. [9] Edhe në Tevrat gjendeshin rregullat dhe dispozitat obliguese, sipas të cilave Bijtë e Israilit ishin të obliguar të veprojnë, të adhurojnë Zotin një, të respektojnë prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit dhe të luten e të japin zeqat. Namazi i tyre nuk ishte si i muslimanëve, as në trajtë, as në numër e ashtu edhe zeqati. Në Medine ka qenë fisi jehudi “Beni Kurejdha”, që ishin bashkuar me fisin arab “Evs”, dhe fisi tjetër jehudi “Benu Nadir”, që ishte bashkuar me fisin arab “Hazrexh”. Kur shpërthente ndërmjet tyre lufta, jehuditë luftonin me aleatin e vet arab, kundër palës tjetër jehudi dhe arab, dhe ashtu vrisnin njëri-tjetrin dhe i dëbonin prej shtëpive. Sipas Tevratit jehuditë e kishin të ndaluar këtë. Kur pushonte lufta punonin sipas Tevratit, sepse jehuditë e zënë robër i kompensonin me pasuri dhe i lironin, prandaj një pjesë të Tevratit e respektonin, kurse pjesën tjetër jo. Ashtu siç ishte Musai i dërguar te Beni Israilët, ashtu ishte i dërguar edhe Isai me Inxhil, por ata nuk respektuan asnjë pejgamber, që iu erdhi me shpallje, që nuk u pëlqenin atyre. Xhibrili është një engjëll, që iu solli të gjithë pejgamberëve shpalljen prej Zotit, ashtu edhe Isait. Para se të vinte Muhamedi a.s. pejgamber dhe para se t’i vinte shpallja, jehuditë iu kundërviheshin idhujtarëve arabë duke thënë, se Zoti do ta dërgojë një pejgamber dhe shpallje, që do t’i ndihmojë ata kundër politeistëve arabë. Kur zbriti Kurani ata nuk e pranuan, por thonin se zemrat e tyre disi nuk e kuptonin, nuk e pranuan as Muhamedin, edhe pse sipas mësimeve të Tevratit e dinin kush ishte ai. Këtë e bënin nga zilia, sepse donin vetëm ata të kenë shpallje e pejgamber, e jo popujt e tjerë, siç ishin arabët.

  102. (Përkujtoni) Kur morëm premtimin tuaj dhe mbi ju ngritëm kodrën Tur, (u thamë) merreni këtë që iu dhamë seriozisht dhe dëgjoni (respektoni). Ata thanë: “Dëgjuam (me veshë) e kundërshtuam”. E për shkak të mosbesimit të tyre adhurimi ndaj viçit ishte mishëruar në zemrat e tyre. Thuaj: “Sa keq po ju urdhëron besimi juaj, nëse (pretendoni se) jeni besimtarë!"

  103. Thuaj: “Nëse bota tjetër (xheneti) tek Allahu është vetëm për ju, e jo edhe për njerëzit e tjerë, nëse jeni të sinqertë kërkojeni vdekjen (të shkoni sa më shpejt).

  104. E për shkak të veprave të tyre (mëkateve), ata kurrë nuk e dëshirojnë atë. Allahu di për zullumqarët.

  105. Është e sigurt, se njerëzit më lakmues për të jetuar, ti ke për të gjetur ata (jehuditë), bile edhe më lakmues se idhujtarët. Ndonjëri prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet, por edhe sikur të jetojë, ajo (jeta e gjatë) nuk do ta shpëtojë atë prej dënimit. Allahu sheh çka veprojnë ata.

  106. Thuaj: “Kush është armik i Xhibrilit (është armik i Allahut), e ai me urdhrin e Allahut e zbriti Kuranin në zemrën tënde, që është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe udhërrëfyes e përgëzues për besimtarët”.

  107. Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit (ai është mosbesimtar), Allahu pa dyshim është armik i mosbesimtarëve.

  108. Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) argumente të qarta dhe ato nuk i mohon askush, përveç mosbesimtarëve të pabindur (ndaj Allahut).

  109. (Nuk besojnë argumentet tona se) Sa herë që ata kanë dhënë ndonjë premtim, një grup prej tyre e hodhi atë, por shumica e tyre nuk beson.

  110. E kur u erdhi atyre ndonjë i dërguar prej Allahut, vërtetues i asaj që kishin ata, një grup prej atyre të cilëve iu ishte dhënë libri, e hodhi pas shpine librin e Allahut, kinse nuk dinin (asgjë).

  111. (E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që thonin djajtë për kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafe, djajtë ishin të pafe, sepse iu mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thonin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bëj i pafe!” E mësonin (njerëzit) prej atyre të dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejen e Allahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm, dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm, e nuk iu sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur, se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin ata, se për çka e shitën veten, ajo vërtet është shumë e keqe.

  112. E sikur të kishin besuar ata dhe sikur të ishin ruajtur (prej mëkateve), po të dinin, shpërblimi prej Allahut do të ishte shumë më i dobishëm.[10]

  113. [10] Jehuditë edhe Tevratin e pranuan me dhunë, duke i frikësuar mbi kokat e tyre me kodrën Tur dhe duke iu tërhequr vërejtjen, që të veprojnë seriozisht sipas tij.
    Duke jetuar me iluzione jehuditë thonin, se ishin populli më i zgjedhur dhe se xheneti ishte thjesht vend i tyre, e jo i njerëzve të tjerë. Nëpërmjet Kuranit urdhërohet Muhamedi a.s. t’iu thotë atyre: nëse xheneti është i juaji, atëherë lypeni vdekjen e shkoni atje dhe kënaquni. Mirëpo, ata i dinin të zezat që kishin bërë, prandaj nuk e lypnin vdekjen, sepse ata janë populli më lakmues për jetë të gjatë, por e kanë kot, se nuk mund t’i ikin dënimit.
    Jehuditë e kanë pyetur Pejgamberin, se kush ishte meleku që i sjell shpalljen? - Ai iu tha, se ishte Xhibrili. Ata thanë: ai është armik yni, ai e dirigjon luftën dhe gjitha të zezat që na kanë gjetur i kemi prej tij, e sikur të thoshe për Mikailin, që sjell shiun e mëshirën, ne do të vinim pas teje, e tashti jo. Zoti xh. sh. Shpalli, se engjëjt, pejgamberët nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se zbatojnë urdhrin e Tij, e ai që është armik i tyre, është armik i Zotit. Paria fetare e jehudive e hodhi pas shpine edhe librin e vet, i cili fliste për Muhamedin. Ata u dhanë pas mësimeve të magjisë për të cilën thonin, se Sulejmani a.s. e praktikoi dhe sundoi me të. Kjo ishte shpifje kundër pejgamberit të Zotit, Sulejmanit. Magjinë ua mësonin masës dy engjëj shumë të devotshëm, që të jetë sprovë për njerëzit, për këtë ata i këshillonin, që të mos e praktikojnë atë, sepse kush bën magji ai në botën tjetër nuk do të gjejë shpëtim. Nëse mungon vullneti i Zotit magjia nuk ka kurrfarë efekti.


  114. O ju që keni besuar, mos thuani: “Raina”- po thuani: “Undhurna” dhe respektoni! Mosbesimtarët kanë dënim të dhembshëm.

  115. As ata, Ithtarët e Librit, që nuk besuan, e as idhujtarët nuk duan që juve t’ju vijë ndonjë e mirë nga Zoti juaj. Mirëpo Allahu me mëshirën e vet veçon atë që dëshiron, Allahu është Zot i mirësisë së madhe.

  116. Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta bëjmë të harrohet nga ju, e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e ke ditur, se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send?

  117. A nuk e ke ditur, se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës, dhe se pos Allahut nuk keni, as mbrojtës, as ndihmëtar.

  118. A doni ta pyetni të dërguarin tuaj sikurse u pyet më parë Musai? Ai që e ndërron besimin me mosbesim, ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë.

  119. Shumë Ithtarë të Librit (jehudi, të krishterë), edhe pasi iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju falni ata dhe mos ua veni re shumë, derisa Allahu ta sjellë urdhrin e vet. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.

  120. Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin, e çfarëdo të mirë që e përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni tek Allahu. S’ka dyshim, se Allahu përcjell çdo veprim tuajin.

  121. Ata edhe thanë: “Kurrsesi nuk ka për të hyrë kush në xhenet, përveç atij që është jehudi ose i krishter! Ato janë fantazi të tyre”! Thuaju: “Sillni argumentin tuaj (për atë që thoni), po qe se jeni të drejtë”?

  122. Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten.

  123. Jehuditë thanë, se të krishterët nuk janë të mbështetur në asgjë (nuk kanë fe të vërtetë). Edhe të krishterët thanë, se jehuditë nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhamedin). Po në Ditën e Gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin Allahu gjykon ndërmjet tyre.

  124. E kush mund të jetë më mizor, se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë të frikësuar. Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh.

  125. Të Allahut janë, edhe (anët nga) lindja, edhe perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjerë (në bujari) e i Gjithëdijshëm.[11]

  126. [11] “Raina” ishte fjalë, që shokët e Pejgamberit e shprehnin kur ai i mësonte, pra me të i thonin: përcillna, pritna deri ta mësojmë etj. Mirëpo, edhe jehuditë e kishin një fjalë të gjuhës së tyre hebreje po të asaj forme, por me përmbajtje fyese, dhe me qëllim të caktuar e përdornin pranë Pejgamberit, prandaj Zoti i urdhëroi besimtarët, që në vend të saj të përdorin fjalën “Undhurna”. Abrogimi ose pezullimi i një dispozite me një tjetër quhet: “Nes’hun”. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit, se në Kuran ka abrogim të dispozitave, të citateve. Disa të tjerë nuk e pranojnë mundësinë e pezullimit të ndonjë dispozite a teksti të Kuranit, e mendojnë se fjala është për pezullimin e dispozitave në shpalljet e mëparshme.Muslimanët porositen, që të mos bëjnë shumë pyetje, e të mos kërkojnë tepër sqarime, sepse populli i Musait pat shkuar aq larg, duke bërë kërkesë pas kërkese, derisa kërkuan ta shohin Zotin haptazi, prandaj edhe u dënuan. Prandaj Zoti i thotë Muhamedit a.s. dhe besimtarëve, se ata i mundon zilia për besimin tuaj, prandaj largohuni një herë prej tyre, kryeni detyrat fetare, e Zoti do të shpallë me vonë urdhrin e vet rreth tyre. Ithtarët e Librit nuk donin të pranojnë ndonjë pejgamber a shpallje tjetër pos të vetën. Prandaj ata i mendonin të tjerët të pafe dhe të pa xhenet. E Kurani sqaron, se xheneti dhe mëshira e Zotit është për besimtarët e drejtë e të sinqertë, që iu kanë bindur mësimeve të Tij, është për muslimanët. Herë romakët, e herë persianët e rrënonin xhaminë Aksa në Jerusalem. Ashtu bënin edhe idhujtarët mekas, duke mos lejuar njerëzit të shkojnë e ta vizitojnë Qaben. Ata nuk e lejuan Pejgamberin a.s. me shokët e vet, që ta vizitojnë Qaben në vitin e gjashtë hixhri. Ata e poshtëruan veten në këtë dynja, e në ahiret i pret dënim i madh, kurse besimtarët e kanë lehtë, ata mund të falen e të luten kudo qoftë, sepse Allahu i ka lejuar t’i kthehen cilësdo anë, kur janë të penguar t’i kthehen kibles, ose nuk e dinë se nga është ajo.

  127. Ata (Ithtarët e Librit) thanë: “Allahu ka fëmijë”!? I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij.

  128. Ai është Shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm), e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!”, në atë moment bëhet.

  129. E ata që nuk dinë (kurejshitët politeistë) thanë: “Përse të mos na flasë neve Allahu, ose të na vijë ndonjë argument”! Po kështu, thëniet e tyre në mënyrë të njëjtë i patën përsëritur edhe ata që ishin para tyre. Të njëjta janë zemrat e tyre. Ne tanimë i sqaruam argumentet për një popull që dëshiron të bindet.

  130. Ne të dërguam ty me të vërtetën (Kuranin), përgëzues (me xhenetin) dhe paralajmërues (nga ndëshkimi i zjarrit), e ti nuk je përgjegjës për banuesit e xhehenemit.

  131. As jehuditë, e as të krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty, deri sa ta pasosh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasi të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu”.

  132. Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kuranin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (nëDunja e në Ahiret).

  133. O Bijtë e Israilit, kujtoni të mirat e Mia që ua dhurova, që ju dallova mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).

  134. Dhe ruajuni një ditë, kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asnjë send, nuk do të pranohet prej askujt kompensim, nuk do t’i bëjë dobi askujt ndonjë ndërmjetësim, dhe as që do të ndihmohen.[12]

  135. [12] Në një hadithi kudsij, të cilin e shënon Buhariu, Zoti xh. sh. ka thënë «Njeriu trilloi gënjeshtra dhe fyerje ndaj Meje. Trilloi gënjeshtër kur tha se Unë nuk kam fuqi ta ringjallë atë, e bëri fyerje kur për Mua tha, se kam fëmijë”. Natyralistët -tabiijjun - dehrijjun nuk e besojnë ringjalljen, kurse idhujtarët për engjëjt thanë, se janë bija të Zotit, jehuditë, për Uzejrin thanë djalë, e të krishterët për Isain thanë, se është djalë i Zotit. “Bedië” është shpikës, zanafillës i një sendi pa ndonjë model të mëparshëm. Zoti, pra, është shpikës i tillë i çdo sendi. Ndonjë shpikje, ndonjë risi në fe, në ibadet ose dispozitat e saj, që nuk ka mbështetje në ndonjë themel islam, është e përbuzur, e mallkuar.
    Ata që nga zilia dhe mendjemadhësia nuk deshën ta pranojnë Kuranin, duke kërkuar ndonjë argument tjetër, vepruan ashtu sikurse kishin vepruar edhe disa popuj më heret. Muhamedit a.s. i thuhet: zbatoje detyrën tënde sipas Kuranit. Ti nuk je përgjegjës për ta, pse ata nuk besojnë, e ata do të digjen në zjarr. Ata nuk janë të kënaqur me ty, vetëm nëse shkon pas idesë së tyre. Ata Ithtarë të Librit, që iu përmbajtën besnikërisht mësimeve të librit të tyre, e pranuan Kuranin si shpallje e Zotit. Në Ditën e Kijametit, çdo kush do të jetë i preokupuar me punët e veta, prandaj nuk duhet pritur ndihmë nga të tjerët, pos Zotit xh. sh.


  136. Përkujto (O i dërguar) kur Zoti i vet e provoi Ibrahimin me disa obligime, e ai i përmbushi ato, e Ai i tha: “Unë po të bëj ty prijës (imam) të njerëzimit”! Ai tha: “(bëj o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi”! (Zoti) Tha: “Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët”!

  137. Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit (iu thamë): Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfaljeje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.

  138. Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan Allahun dhe jetën tjetër furnizoi me lloje të frutave”! Ai (Allahu) tha: “Edhe atij që nuk besoi do t’ia mundësoj shfrytëzimin e të mirave për një kohë të shkurtër, e pastaj do ta shtyj në dënimin e Zjarrit, e sa përfundim i shëmtuar është ai".

  139. Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes - luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”!

  140. Zoti ynë, bëna neve të dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tonë dhe falna neve, vërtet Ti je Shumëfalës, je Mëshirues i madh”!

  141. Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar, që t'u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S'ka dyshim se Ti je Ngadhënjyesi, i Gjithëdijshmi.

  142. E kush largohet prej fesë së Ibrahimit, përveç atij që e poshtëron veten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve.

  143. Kur Zoti i vet i tha atij: “Dorëzohu”! Ai tha: “Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë”!

  144. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. (u thanë) “O bijtë e mi, Allahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë”!

  145. A ishit ju (Ithtarë të Librit) dëshmitarë, kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai iu tha bijve të vet: “Çka do të adhuroni pas meje”? Ata thanë: “Do ta adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, një të vetmin Zot dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar”!

  146. Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve iu takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata.[13]

  147. [13] Zoti e provoi Ibrahimin me obligimet, që po shënohen në vazhdim, të cilat ai i plotësoi. Zoti e bëri Ibrahimin shembëlltyrë të njerëzve që erdhën pas tij, prandaj është i pranishëm ndër të gjithë popujt. Atij dhe birit të tij, Ismailit i takoi ndërtimi i Qabes, që është vend nga kthehen të gjithë besimtarët e drejtë, vend sigurie, pse në afërsi të saj lufta gjithnjë ka qenë e ndaluar dhe pasi ata e pastruan prej besimeve të kota, e lutën Zotin ta furnizojë atë vend shkretëtirë me fruta të ndryshme, e lutën besimtarët, por Zoti iu tha, se në këtë botë nuk bëj dallim, i furnizoj edhe jo-besimtarët, por ata në botën tjetër i hedh në zjarr. Duke ndërtuar Qaben e lutnin Zotin t’ua pranojë atë vepër, t’i udhëzojë në rrugë të drejtë ata dhe pasardhësit e tyre. U lutën që të dërgojë pejgamber prej tyre për ta udhëhequr popullin. Kur erdhi Muhamedi pejgamber, tha: “Unë jam fryt i lutjes së Ibrahimit”.
    Ibrahimi ishte pejgamber i dalluar, i cili iu dorëzua sinqerisht Zotit. Ai i porositi pasardhësit e vet t’i përmbahen vetëm fesë, të cilën e zgjodhi Zoti, fesë islame. Ashtu bënë edhe pasardhësit e tij, si Jakubi që i porositi bijtë e vet për të njëjtën fe.
    E përderisa Muhamedi a.s. ishte pasardhës i Ibrahimit, ai porositi mësimet që i praktikoi Ibrahimi. Ai ndoqi fenë e Ibrahimit, refuzimi i arabëve idhujtarë, që edhe ata rridhnin prej birit të Ibrahimit, refuzimi i jehudive, që edhe ata rridhnin nga biri tjetër Is-haku, dhe i të gjithë atyre që thonin, se pasojnë fenë e Ibrahimit, nuk ishte i drejtë, por ishte një kokëfortësi dhe zili kundër Muhamedit a.s. dhe Kuranit, pa pasur kurrnjë fakt tjetër për kundërshtim.


  148. Ata (Ithtarët e Librit) thanë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë, e gjeni rrugën e drejtë”! Thuaj: “Jo (asnjërën), por fenë e drejtë të Ibrahimit, që ai nuk ishte nga idhujtarët".

  149. Ju (besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit, që ishin të ndarë në dymbëdhjetë fise), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur.

  150. Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata me të vërtetë kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë, po ty (Muhamed) kundër tyre do të mjaftojë Allahu. Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.

  151. (Kjo fe jona është) Ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se Allahu. Ne vetëm atë e adhurojmë.

  152. Thuaj: “A doni të grindeni me ne për Allahun, e Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj, dhe ne kemi vepra (shpërblimin e veprave) tona, e ju keni veprat tuaja. Por ne jemi (besimtarë) të sinqertë ndaj Tij”.

  153. A pretendoni, se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe pasardhësit e tyre kanë qenë jehudi, ose të krishterë? Thuaj: “A e dini ju më mirë apo Allahu? Kush është më mizor se ai, që e ka dëshminë e Allahut pranë vetes dhe e fsheh. Allahu nuk është i panjoftuar me veprimet tuaja”.

  154. Ai ishte një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që fitoi, e juve iu takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që ata vepruan.

  155. Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: “Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kibles (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: “Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do”.

  156. Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në Fenë Islame) Ne iu bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. E kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që Allahu i drejtoi. Allahu nuk është që t'ua humbë besimin tuaj. Pa dyshim, se Allahu është shumë i Butë dhe Mëshirues ndaj njerëzve.

  157. Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde nga qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja), që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni nga ajo anë. E atyre që iu është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht, se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata.

  158. Po edhe sikur t’u sillje ti çdo lloj argumenti atyre që iu është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor.[14]

  159. [14] “Ehli Kitab” - Ithtarë të Librit, janë jehuditë dhe të krishterët, sepse Musai pati shpalljen e Zotit, Tevratin, që quhet tek ata: “Dhjata e Vjetër” ose: “El Ahdu el kadim”, e Isai Inxhilin, tek ata: “Dhjata e Re”ose “El Ahdu el xhedid”. Kurani ka mposhtur të gjitha pretendimet e jehudive e të tjerëve, se ndjekin fenë e Ibrahimit, pse feja e tij ishte Islame. Muslimanët janë të obliguar t’u besojnë të gjithë pejgamberëve, që i dërgoi Zoti, qofshin Beni Israilë ose të tjerë, prandaj feja e muslimanëve është fe me karakter unik ndaj të gjitha shpalljeve dhe ndaj të gjithë pejgamberëve. Është pra fe e natyrshme për çdo njeri, është stoli me të cilën Zoti pajisi çdo shpirt, është ngjyrë e pastër me të cilën Zoti i pastroi njerëzit, e jo vënie e njeriut në ujë, ose lyerje me vaj në shenjë pastrimi e që quhet kryqëzim.
    Zoti është i të gjithëve, e jo vetëm i një populli. Ai dërgoi pejgamberë nga të gjithë njerëzit, e jo vetëm prej një kombi, prandaj nuk duhet polemizuar rreth Tij.
    “Kible” i thuhet anës nga e cila orientohet dikush, e këtu është fjala për orientimin e atij që falet. Pasi shkoi Pejgamberi në Medinë rreth 16-17 muaj u fal kah Bejtul Mukadesi, xhamia në Jerusalem, sepse Qabja, përveç se ishte në duart e idhujtarëve, ishte e mbushur plot me idhuj, megjithqë dëshira e Muhamedit a.s. ishte të kthehet drejt Qabes. Para se të urdhërohet Muhamedi dhe muslimanët, që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Qabja, Kurani paralajmëron se disa të marrë do ta përgojojnë këtë çështje, dhe me të vërtetë u vërtetuan parashikimet e Kuranit, se disa përgojues u përpoqën të mbjellin dyshim ndër besimtarë për ata njerëz që ishin falur nga Kudsi dhe kishin vdekur pa u kthyer nga Qabja, se çka do të bëhet me besimin dhe faljen e tyre? Zoti shpalli në Kuran, se nuk e humb, as besimin, as namazin e tyre.
    Pejgamberi a.s. dhe muslimanët u gëzuan shumë, kur pasoi urdhri i Zotit, që të kthehen nga Qabja, pse ishte edhe një paralajmërim, se ajo do të kalojë me vonë në duart e muslimanëve, siç edhe ngjau.
    Ndryshimi i kibles ishte edhe një sprovë me anën e së cilës do të dalloheshin besimtarët e sinqertë e të vendosur nga ata të luhatshmit, duke u pastruar radhët e tyre nga të dyshimtit, pra ashtu edhe ngjau. Muhamedit a.s. i thuhet, që të mos brengoset për përgojimet rreth kibles, sepse jehuditë dhe krishterët, përveç që nuk do të kthehen nga kibla e muslimanëve, ata nuk do të kthehen as nga kibla e njëri-tjetrit.


  160. Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhamedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën.

  161. E vërteta është nga Zoti yt, pra kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë.

  162. Secili (popull) ka një anë së cilës ai i kthehet, ju shpejtoni nga punët e mbara, kudo që të jeni Allahu ka për t’ju tubuar të gjithëve, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.

  163. Kahdo që të shkosh ktheje fytyrën tënde nga ana e xhamisë së shenjtë, kjo është e vërtetë nga Zoti yt. Allahu përcjell gjithçka që veproni ju.

  164. Dhe kahdo që të dalësh, ktheje fytyrën tënde nga ana e xhamisë së shenjtë (Qabja) dhe kudo që të gjendeni ktheni fytyrat tuaja nga ana e saj, ashtu që njerëzit mos të kenë argument kundër jush, përveç atyre që janë mizorë nga ata (që nga inati nuk pranojnë kurrfarë fakti), por mos ia keni frikën atyre, frikësohuni prej Meje, (e bëra këtë) që të gjeni rrugën e drejtë dhe që të plotësoj mirësinë Time ndaj jush.

  165. (Sikurse plotësova mirësinë Time ndaj jush) Ashtu siç dërguam nga gjiri i juaj të dërguar t’u lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë, e t’ju mësojë librin dhe urtësinë, e edhe t’ju mësojë atë që nuk e dinit.

  166. Pra ju më përmendni Mua (me adhurime), Unë ju përmend juve. Më falënderoni e mos Më mohoni!

  167. O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me falje, se vërtet Allahu është me durimtarët.

  168. E për ata që u vranë në rrugën e Allahut mos thoni: “Janë të vdekur”. Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni (gjallërinë e tyre).

  169. Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti jepju përgëzim durimtarëve,

  170. të cilëve, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”!

  171. Të tillët janë, që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.[15]

  172. [15] Pejgamberët, që ishin para Muhamedit a.s., si Musai e Isai kishin lajmëruar për
    ardhjen e Muhamedit, por disa prijës fetarë, edhe pse e dinin e fshehën këtë të vërtetë. Çështja e kibles ishte një nga çështjet e para që pësoi ndryshim në dispozitat e sheriatit islam, prandaj përsëritet urdhri për kthim nga ajo. Të gjithë muslimanët kanë një kible dhe të gjithë, kudo që të gjenden gjatë lutjeve i kthehen asaj. Derisa të gjithë janë të koncentruar në një pikë, në një kible, është rreptësisht e ndaluar që një ithtari të kibles t'i thuhet jobesimtar, kafir, përderisa nuk bën ndonjë vepër që e nxjerr prej fesë, e nëse pas këshillimit dhe largimit të dyshimeve prapë vazhdon në atë vepër kufri, atëherë konsiderohet i dalur feje.
    Namazi dhe durimi janë faktorë kryesorë, që e ndihmojnë njeriun në zgjidhjen e çdo problemi, pse në to kujtohet fuqia dhe mëshira e Zotit. Dëshmorët, shehidët në rrugën e Zotit, nuk e përjetojnë jetën në varreza, sikurse e përjetojnë të tjerët deri në ringjallje, ata ia fillojnë menjëherë jetës së botës tjetër. Për jetën e tyre ne nuk jemi të njohur, atë e di vetëm Zoti, sepse ata janë të gjallë te Zoti. Është gabim të mendosh se trupi i tyre nuk prishet, sepse Zoti thotë janë të gjallë te Zoti, e jo te ne.
    Për sabërlinjtë e kemi edhe hadithin e Pejgamberit: “Kur ndonjë prindi i vdes evladi, Allahu iu thotë melekëve: A ia morët shpirtin e fëmijës të robit Tim? Ata thonë: po. Ai thotë: A ia morët frytin e zemrës?- Ata thonë, po. Ai thotë: -E çka tha ai robi Im?- Ata thonë: -Të falënderoi dhe tha se edhe ne do të vdesim e do të shkojmë te Zoti!- Ai thotë: -Ndërtoni për të një shtëpi në xhenet dhe vejini emrin “Shtëpia e lavdërimit!” (Ahmedi, Tirmidhiu).


  173. “Safa” dhe “Merve” janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut, e kush e mësyn shtëpinë për haxh (Qaben për haxh), ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat për të t’i vizitojë ato të dyja (të ecë në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s’ka dyshim se Allahu është Shpërblyes, i Gjithëdijshëm.

  174. Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë,

  175. përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që iu shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë e pranoj shumë pendimin, jam Mëshirues i madh.

  176. Ata, të cilët mohuan dhe vdiqën si jobesimtarë, kundër tyre është mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve,

  177. ata përgjithmonë janë aty (në zjarr), as nuk iu lehtësohet dënimi, as nuk iu jepet afat.

  178. Zoti juaj që i Vetmi meriton adhurim është Një, Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Tij, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshiruesi i madh.

  179. Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det, që iu sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti, e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto) për një popull që ka mend ka argumente.

  180. E nga njerëzit ka asish, që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, si (e duan) Allahun, po dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë. E sikur të dijnë ata që bënë mizori (duke i shoqëruar Allahut në adhurim), se kur do ta shohin dënimin (në botën tjetër), dhe (të binden) që e tërë fuqia i takon vetëm Allahut, dhe se Allahu është Ndëshkues i rreptë, (atëherë do ta kuptojnë dëmin e vërtetë të mosbesimit dhe të shoqërimit në adhurimin e Tij).

  181. Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre.

  182. E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: “Ah, sikur të na lejohej një kthim (në Dunja) e të largohemi prej tyre (prijësve), siç u larguan ata tashti prej nesh”! Kështu Allahu do t’ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit.

  183. O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit, se ai është armik i hapët i juaji.

  184. Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e turpësi, dhe ju shtyn të thoni për Allahun atë që nuk e dini.

  185. E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): “Pranoni atë që Allahu e shpalli”! Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë”! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’ipasonin)?[16]

  186. [16] Safa dhe Merve janë emra të dy brigjeve afër Qabes. Në Safa kishte qenë një statujë që quhej “Asaf ” e në Merve një që quhej “Nailetun”. Kur idhujtarët i vizitonin, prekeshin për to. Muslimanët pasi e çliruan Mekën dhe Qaben nuk deshën t’i vizitojnë, duke u frikësuar se po madhërojnë diçka që adhuruan edhe idhujtarët. Pasi i hoqën ato statuja u këshilluan që t’i vizitojnë ato dy brigje. Tashti haxhinjtë ecin ndërmjet atyre dy brigjeve dhe ajo ecje quhet “sa’jun”, dhe është obligim. Ata që fshehin argumentet e Zotit, nuk besojnë vetë dhe nuk i lënë as të tjerët ta njohin të vërtetën e të besojnë, ata janë të përzënë prej mëshirës së Zotit, vetëm nëse pendohen shpjegojnë haptazi atë që kanë fshehur dhe bëjnë punë të mira, atëherë Zoti ua falë, e nëse vdesin si jobesimtarë, ata kurrë nuk kanë shpëtim.
    Zoti sjell fakte të qarta për ata që kanë mendim të shëndoshë, siç është e tërë gjithësia me krijesat e dukuritë në të, prandaj nuk mbetet vend për besime të kota.
    Shpjegimi i skenës, që do të shfaqet në Ditën e Kijametit, është ndihmë e madhe dhe mëshirë nga i madhi Zot, ashtu që të mos mashtrohemi e të shkojmë pas punëkëqijve, sepse atë ditë ata, kur ta shohin dënimin që i pret nëse munden do të largohen. Të imitosh në mënyrë të verbër traditat e të parëve, kur ato janë të dëmshme është gabim i madh. Kështu vepruan idhujtarët. Ata nuk pranuan faktet e sakta, as këshillat e dobishme, por shkuan pas mësimeve të djallit, i cili gjithnjë mëson për mbrapsht. Trashëgimi i traditave të të parëve, që janë në dobi të njeriut duhen ruajtur e respektuar, nëse nuk janë në kundërshtim me Islamin.


  187. Shembulli i (i thirrësit të) atyre që nuk besuan është sikurse i atij (bariut), që u lëshon britmë atyre (bagëtive), që nuk dëgjojnë tjetër vetëm se britmë e zë (e nuk kuptojnë). Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, ata nuk kuptojnë.

  188. O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.

  189. (Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhurën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret (ngrihet zëri me të) jo në emër të Allahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto), duke mos pasur si qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu falë, është Mëshirues.

  190. Ata që fshehin nga libri atë që shpalli Allahu dhe për të fitojnë shumë të paktë, ata në barqet e tyre fusin vetëm zjarr. Atyre Allahu nuk do t’u flasë në Ditën e Gjykimit dhe as nuk i shfajëson ata, por për ta pason dënimi i rëndë e i padurueshëm.

  191. Ata janë që në vend të udhëzimit e morën humbjen dhe dënimin në vend të shpëtimit. Sa të durueshëm qenkan ata ndaj zjarrit?

  192. Atë (dënim) për shkak se Allahu e zbriti librin (Tevratin), me sqarim të drejtë, e ata që bënë ndryshime në librin, janë në një përçarje të largët nga e vërteta.

  193. Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.

  194. O ju që besuat, iu është bërë obligim vrasja si masë ndëshkimi për vrasjen: i liri (vritet) për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet, atëherë ajo le të përcillet (e atij që fal) kuptueshëm dhe shpagimi (nga dorasi) atij le t’i bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush tejkalon pas këtij (pajtimi), ai ka një dënim të idhët.

  195. O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit me vdekje është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga vrasja e njëri-tjetrit).

  196. Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vetes, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit iu është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejt. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer.

  197. Kush bën ndryshimin e tij pasi ta ketë dëgjuar (ditur) atë, mëkati për te u takon atyre që ndryshojnë. Allahu është Dëgjues i çdo gjëje, i Gjithëdijshëm.

  198. E kush frikësohet prej testamentuesit, se gabimisht po largohet nga drejtësia, ose qëllimisht do të bëjë mëkat, ai që bën pajtim ndërmjet tyre, ai nuk ka mëkat. Vërtet Allahu fal shumë dhe shumë mëshiron.[17]

  199. [17] Derisa idhujtarët nuk i vunë veshin e kuptimit shpalljes së Zotit, as thirrjes së Pejgamberit, por vazhduan ta praktikojnë traditën e të parëve injorantë, brengosjen e pejgamberëve për mossukses në thirrjen e tyre, Zoti ua qetëson duke iu thënë, se faji nuk është te ju, por tek ata që nuk pranojnë mësimet tuaja, të cilët janë si bagëtia e bariut, që zërin e tij e dëgjojnë po nuk e kuptojnë. Edhe pse një numër njerëzish i refuzoi mësimet e Zotit, Ai nuk ua ndërpreu të mirat në këtë botë. Përkundrazi Ai i udhëzoi për ushqime të mira, e besimtarëve u tha: hani ushqimet e lejuara, të cilat janë në dobi të shëndetit tuaj dhe falënderojeni Zotin, i cili iu udhëzoi për ruajtjen e shpirtit, sikurse edhe për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi i ndaluar është i dëmshëm, por nëse është në rrezik jeta nga uria, atëherë është i lejuar aq sa për t’iu larguar rrezikut. Çështja e ndryshimit të kibles shkaktoi polemikë të thellë tek Ithtarët e Librit, ashtu që secili prej tyre pretendonte se vetëm kibla e tij është rrugë e drejtë. Për këtë polemikë të pavend shpallet ky ajet Kurani, sipas të cilit kuptohet se e tërë e mira është në besimin e drejtë, në veprat e mira e humane, në zbatimin e obligimeve të fesë, e jo kthimi kah lindja ose perëndimi. Zbatimi i masës ndëshkuese - ekzekutimit kundër dorasit, që mbyt tjetrin pa kurrfarë të drejte e arsye është obligim i bashkësisë, por në mënyrë dhe masë të drejtë, e jo në mënyrë hakmarrëse. Me këtë detyrim synohet ruajtja e jetës, sepse vrasja e dorasit nga ana e bashkësisë është tërheqje vërejtjeje ndaj të tjerëve për pasojën e një krimi të tillë, e hakmarrja nuk është synim. Në Kuran thuhet: kisasi - ekzekutimi i dënimit kundër vrasësit, është jetë për ju, anipse është humbje e një personi, pse ndikimi i një mase të tillë ka lënë përshtypje të madhe në ruajtjen e jetës së të tjerëve. Kurani zgjon ndër njerëzit ndjenjën vëllazërore kur thotë: e atij që nga vëllau i vet i falet diçka... ku viktima ose familja e viktimës quhet vëlla i dorasit, prandaj falja e gjakut, ose kalimi në shpagim të tij, është shumë thevab. Testamenti - vasijjeti, në ditët e para deri kur u shpall dispozita rreth të drejtës së trashëgimisë ka qenë detyrim, e pas asaj dispozite testamenti kufizohet në suaza më të ngushta, por ata që e dëgjojnë porosinë e porositësit janë të obliguar të dëshmojnë besnikërisht.

  200. O ju që besuat, agjërimi iu është bërë obligim, sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.

  201. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë po aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë) janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo po qe se e dini agjërimi është më i mirë për Ju.

  202. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë, që iu udhëzoi dhe që të falënderoni.

  203. E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.

  204. Natën e agjërimit iu është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, prandaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta, që ata të ruhen.

  205. Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me të (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtëpo e hani atë).

  206. Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh. Nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpitë, por është mirësi kush ruhet (nga të këqijat). Në shtëpitë hyni nga dyert e tyre dhe kini frikë Allahun, që ashtu të gjeni shpëtim.

  207. Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (duke i shkelur parimet në luftë).[18]

  208. [18] Agjërimi ishte rregull edhe më heret te popujt para nesh, por jo në këtë trajtë, as në këtë mënyrë. Agjërimi në Fenë Islame ka si qëllim: lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut, që t’i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Ai nuk ka si qëllim vetëm braktisjen e ushqimit, por braktisjen e të gjitha punëve, sjelljeve dhe shprehjeve, që nuk përkojnë me moralin islam. Fryma humane e obligimeve të Fesë Islame manifestohet edhe në agjërim, sepse i sëmuri ose udhëtari, që nuk i ka kushtet e volitshme për të agjëruar në kohën e caktuar, i lejohet të agjërojë më vonë, kur të shërohet, ose kur të kthehet nga udhëtimi i tij..
    Agjërimi u bë detyrim në vitin e dytë të Hixhretit, muaji i agjërimit është muaji i Ramazanit, në të cilin filloi shpallja e Kuranit, që është udhërrëfyes e shpëtimtar për njerëzit. Agjërimi është vepra-ibadeti më i sinqertë, kurse agjëruesi i këtij muaji është më afër Zotit për lutjet dhe kërkesat e veta, dhe siç kuptohet nga Kurani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi. Në fillim të zbatimit të agjërimit në raste të posaçme, nuk ishte e lejueshme për burrat të “flejnë” së bashku me gratë e tyre, e më vonë kjo u lejua. Peri i bardhë dhe i ziu të përmendur në Kuran kanë të bëjnë me dritën e agimit dhe errësirës para tij - thonë komentatorët.
    Pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë është haram, pa marrë parasysh se pronari i pasurisë pajtohet për të, siç është ryshfeti etj.
    Hëna me fazat e saj përcakton kohët e nevojshme për çështjet fetare dhe përcakton llogari të tjera. Disa arabë, sa ishin në ihrame gjatë haxhit mendonin ta ndryshonin jetën e rëndomtë, prandaj e ndryshuan edhe hyrjen në shtëpitë e tyre, ata hynin nga prapa e jo nga dera, e Kurani iu thotë, se kjo është bindje e gabuar. Disa komentatorë të Kuranit janë të mendimit, se me këtë thënie aludohet: çështjeve duhet t’iu hysh nga është rruga dhe ato duhet t’ua besosh atyre që i njohin, e jo injorantëve.


  209. Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëbojini prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Fitneja - trazira (mosbesimi, adhurimi i idhujve, largimi i muslimanëve nga vendi i tyre) është më e rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabes) deri sa ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve.

  210. E nëse heqin dorë (nga provokimi), Allahu është Ai që fal dhe që mëshiron.

  211. Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të zbatohet feja vetëm për Allahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë.

  212. Nëse i luftoni ju ata në muajin e shenjtë (këtë vit nuk është mëkat për ju), sepse edhe ata ju kanë luftuar juve në muajin e shenjtë (në vitin e kaluar dhe ata janë filluesit), e morrespektimi i muajve të henjtë i bën që të mirren masa kundër tyre në të njëjtën mënyrë. Pra kush ju sulmon juve, kthejani sulmin atij edhe ju po në atë masë, dhe kini frikë nga Allahu, e ta dini se Allahu është me ata që ruhen (nuk i tejkalojnë kufijtë në ndëshkim).

  213. Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.

  214. E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbanëve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto j anë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pfanë xhamisë së shenjtë. Pra kini dro Allahun dhe dijeni se Allahu është Ndëshkues i rreptë.[19]

  215. [19] Lufta ishte e ndaluar për muslimanët. Mirëpo, atyre iu lejohej vetëm atëherë kur ishte puna për mbrojtje, por me kusht që të luftojnë vetëm kundër sulmuesve, e jo kundër atyre që nuk merrnin pjesë në luftë, as kundër pleqve, të sëmurëve e as fëmijëve.
    Në muajt e shenjtë, që janë katër Dhilkade, Dhilhixhe, Muharrem dhe Rexheb lufta ishte e ndaluar, po ashtu ishte e ndaluar edhe në vendin e shenjtë, në Qabe dhe rrethinat e saj. Mirëpo idhujtarët nuk e respektonin shenjtërinë, por i sulmonin muslimanët. Këto ajete të Kuranit i lejojnë muslimanët të luftojnë kundër armikut, nëse sulmohen prej tij edhe në muajt dhe vendin e shenjtë. Rreziku që iu kanosej muslimanëve nga propaganda dhe provokimet për t’i rikthyer në idhujtari ishte edhe më i rëndë, se sa lufta në vendin e shenjtë, prandaj u porositën ta pastrojnë atë vend nga idhujtarët, e të mos mbetet vend për propagandimin e idhujtarisë (fitnes). Muaji i shenjtë ishte me rastin e vitit të gjashtë hixhri, kur Pejgamberi së bashku me besimtarët e vet e mësyu vizitën e Qabes në muajin Dhilkade, por idhujtarët nuk e lejuan atë vizitë dhe muslimanët së bashku me Pejgamberin u kthyen, mirëpo në vitin e shtatë në të njëjtin muaj i bënë vizitën. Sa herë që në Kuran përmendet lufta, vrasja, së bashku me to përmendet fjala: në rrugën ose për rrugën e Allahut, me çka kuptohet se lufta nuk ka si qëllim okupimin e një vendi të huaj, nuk ka si qëllim prenë e luftës ose diçka tjetër, por ka si qëllim vetëm lirinë për besimin e drejtë, për zbatimin e lirë të fjalës së Zotit xh.sh.
    Pas përgjigjes për rëndësinë e ndërrimit të hënës, sipas së cilës bëhet edhe agjërimi, edhe haxhi, ndërhyjnë ajetet rreth luftës për t'i sqaruar muslimanët, se në rast sulmi prej armikut duhet të luftojnë, edhe në muajt, edhe në vendin e shenjtë.
    “Haxhi” do të thotë: mësyerje, qëllim, e këtu është fjala për atë që vendos ta vizitojë Qaben në kohën e caktuar. “Umre” i thuhet vizitës që i bëhet Qabes në cilëndo kohë të vitit. Umra ndryshon nga haxhi, sepse në umre nuk është detyrim qëndrimi në Arafat. Për ata që kanë mundësi haxhi është detyrim një herë në jetë. Mënyra e zbatimit të njërës dhe tjetrës është sqaruar në shkencën e fikhut.


  216. Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.

  217. Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të tërhiqeni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si ju ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur.

  218. Pastaj zbritni andej nga zbresin njerëzit, kërkojini Allahut falje, se Allahu fal e është Mëshirues.

  219. E kur t’i kryeni detyrat e juaja, përmendeni Allahun sikurse përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fort. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për ta nuk ka asgjë në botën tjetër.

  220. E ka prej tyre asish, që thotë: "Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr"!

  221. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që fituan. Allahu është i Shpejtë në llogari.

  222. Allahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit). Kush ngutet (të largohet prej Mines) për dy ditë, nuk bën mëkat, po edhe ai që e shtyn (edhe për një ditë) nuk bën mëkat, këto rregulla janë për atë që don të jetë i përpiktë. Pra, kini kujdes Allahun dhe dijeni se ju tek Ai tuboheni.

  223. Ka ndonjë nga njerëzit, që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë.

  224. E posa të kthehet ai në tokë kërkon të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (të mbjellat) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin).

  225. Dhe kur i thuhet atij: “Ki frikë Allahun!”, atë e kap euforia për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (xhehenemi).

  226. Ka nga njerëzit, i cili për hir të Allahut e flijon veten duke synuar kënaqësinë e Tij, e edhe Allahu është shumë i mëshirshëm për robërit e vet.

  227. O ju që besuat, hyni në fe në tërësi (përqafojeni Fenë Islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.

  228. E nëse devijoni pasi iu kanë ardhur argumentet e qarta, ta dini pra se Allahu është i Plotfuqishëm, i Vetëdijshëm.

  229. Ata nuk janë duke pritur tjetër, por vetëm t’ju vijë Allahu (në Ditën e Gjykimit) mbi hije të reve, (t’ju vijnë) dhe engjëjt dhe çështja të jetë e kryer (kush për xhenet e kush për xhehenem). Vetëm tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.

  230. Pyeti Bijtë e Israilit, se sa argumente të qarta iu kemi dhënë atyre (dhe nuk besuan). E kush e ndërron të mirën e Allahut pasi t’i ketë ardhur ajo, s’ka dyshim se ndëshkimi i Allahut është i ashpër.

  231. Atyre që nuk besuan iu është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Po ata që u ruajtën (besimtarët) do të jenë më lart mbi ata (jobesimtarët) në Ditën e Kijametit. Allahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do.[20]

  232. [20] Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t’i përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat. “Arafat” është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjtë. “Mesh’ari haram” është një vend në të kthyer prej Arafatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk iu bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arafat. Ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Mina. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kurani e ndalon veprimin e tyre dhe iu thotë, zbritni nga zbresin të gjithë njerëzit. Në Fenë Islame nuk ekziston ndonjë privilegj i një fisi ndaj tjetrit. Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mina, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kurani urdhëron të përmendet Allahu, si krenaria më e lartë, duke e madhëruar dhe shprehur tekbirët, nuk ndaloi t’i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.
    Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme. Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditët pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mina. Minaja pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit. Edhe pse në këtë ajet është fjala për një farë munafiku, Ahnes bin Shurejku, që i paraqitej Muhamedit a.s. me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët, që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.
    Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hir të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh. Feja Islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, prandaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.
    Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve ka të bejë me Ditën e Gjykimit dhe paraqet madhështinë e një tmerri të madh, ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqijtë. Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta dinë, se në Ditën e Kijametit besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh, dhe do t’ua kthejnë talljet.


  233. Njerëzit ishin në një fe të vetme (në fenë e natyrshme islame) e (kur u përçanë) Allahu dërgoi (tek ata) pejgamberë, përgëzues dhe tërheqjevërejtës, dhe atyre (pejgamberëve) iu zbriti librin me të vërtetën, që të jetë gjykues ndërmjet njerëzve për atë që u kundërshtuan ndërmjet veti. Dhe të vetmit ata, që iu ishte dhënë ai (libri), edhe pasi që (në të) iu kishin ardhur argumentet (e prera), u kundërshtuan rreth tij, të shtyrë nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Mirëpo Allahu me vullnetin (dhe mëshirën e tij) ata që besuan (umetin e Muhamedit) i udhëzoi në të vërtetën e asaj për çka ishin kundërshtuar (Ithtarët e Librit më parë). Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që dëshiron.

  234. Po ju menduat, se do të hyni në xhenet pa u provuar; edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e Allahut”?! Ja (iu erdhi ndihma), vërtet ndihma e Allahut është afër”!

  235. Të pyesin se ç’do të japin. Thuaj: “Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për bonjakët, për të varfërit, për udhëtarët. E çdo të mirë që punoni, s’ka dyshim se Allahu e di.

  236. Juve iu është bërë detyrim lufta, ndonëse ju e urreni atë. Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mundet që ju ta doni një send, e ai është i dëmshëm për ju. Allahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.

  237. Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: “Lufta në të është e madhe (mëkat i madh), por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Qabja) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha tek Allahu. E fitneja (mosbesimi, dhe nxitja kundër muslimanëve) është edhe më e madhe se sa vrasja. Ata do t’ju luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zmbrapsur, nëse munden nga feja juaj. E kush zmbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm.

  238. Ata që besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. Allahu fal shumë dhe është Mëshirues.

  239. Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se çdo të japin. Thuaj: “Tepricën”! Kështu ua sqaron Allahu juve argumentet ashtu që të mendoni

  240. për këtë botë dhe për botën tjetër. Dhe të pyesin ty për bonjakët. Thuaj: “Po t’i ndihmoni në punët e tyre është më mirë, e nëse i përzieni (pasurinë e tyre me tuajën), ata janë vëllezërit tuaj. Allahu di të dallojë qëllimkeqin nga qëllimmiri. E sikur të dëshironte Allahu do t’ju kishte rënduar. Allahu është i Plotfuqishmi, më i Urti.

  241. Mos u martoni me idhujtare deri sa ato të besojnë (Zotin). Një robëreshë besimtare është më e vlefshme se një idhujtare, edhe nëse ajo (idhujtarja) ju mahnit. As gratë besimtare mos i martoni me idhujtarë deri sa ata të besojnë (Zotin). Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari, edhe nëse ai ju mahnit. Ata ju ftojnë për në zjarr, e Allahu me mëshirën e vet ju fton për në xhenet dhe në falje (të mëkateve), dhe iu sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë.[21]

  242. [21] Njerëzit ishin të një drejtimi në fe, në fenë e drejtë që Zoti e shpalli. Kur filluan ta lëshojnë rrugën e drejtë, Zoti dërgoi pejgamber pas pejgamberi për t’i shuar përçarjet e tyre, që rridhnin vetëm nga zilia dhe grupimi i disave në një libër, e i të tjerëve në librin tjetër. Pejgamberët e parë ishin të dërguar te një popull ose vend. Muhamedi është i dërguar te të gjithë njerëzit në botë dhe detyrë e tij ishte t’i bashkojë njerëzit përsëri në fenë e drejtë definitive, që e shpalli Zoti për sa të ekzistojë kjo botë. Për ta fituar xhenetin nevojitet punë, durim i fortë e qëndrueshmëri. Ashtu bënë muslimanët e parë. Nuk duhet humbur shpresën, sepse ndihma e Zotit gjithnjë është në anën e të drejtëve. Pas çlirimit të Mekës shpërngulja ndërprehet, kurse muslimanët detyrohen të luftojnë me pasuri e me jetë kundër armikut. Mirëpo, ndërsa ishin më pak në numër dhe materialisht më të dobët, ata nuk e pritën me aq kënaqësi obligimin. Zoti u shpjegoi atyre, se fitimi i tyre është në zbatimin e obligimit, sepse njerëzit nuk janë në gjendje që të dinë se ku qëndron dobia e tyre
    Abdullah bin Xhahshi me disa shokë sulmon një karvan të idhujtarëve dhe e vret udhëheqësin, kurse dy të tjerë i zë rob, por duke menduar se është dita e fundit e Xhemadal Ahir, kurse ajo kishte qenë dita e parë e muajit të Rexheb. Armiqët e përgojuan Muhammedin a.s. gjoja se besimtarët e tij nuk po i respektojnë muajt e shenjtë, gjatë të cilëve lufta ishte ndaluar. Pejgamberi a.s. u brengos për atë rast, por kur zbriti ky ajet, Zoti u shpjegoi muslimanëve për mëkatin e tyre dhe për mëkatet e idhujtarëve, që ishinshumë më të mëdha, sepse: ata nuk besonin Zotin, nuk lejonin vizitën në Qabe, i dëbonin muslimanët nga vendlindja, e provokimi i tyre kundër muslimanëve për t’i larguar prej Fesë Islame ishte më i rrezikshmi.
    Edhe pse në këtë ajet flitet për dëmin e madh të alkoolit dhe të bixhozit, nuk theksohet ndalimi definitiv i tyre, pse feja iu afrua njerëzve në çdo rast me fakte bindëse, me qëllim që t’u ofrojë besimtarëve njohuri të plota për dobinë ose dëmin e ndonjë sendi a vepre, e kur ta arrijë atë, atëherë vendimi definitiv paraqitej si shprehje e vetë masës së popullit. Kështu bëri me këto dhe në kaptinën “El Maide” shpallet ndalimi definitiv për to.
    Të drejtën e pasurisë së jetimëve Feja Islame e mbron rreptë dhe në mënyrën më rigoroze u tërheq vërejtjen atyre, që nuk kujdesen për ruajtjen e pasurisë së tyre. Martesa me idhujtarë-politeistë është e ndaluar në Fenë Islame, por ajo nuk është e ndaluar me femrat e Ithtarëve të Librit, por nuk është e lejuar, që femra muslimane të martohet me ta. Të Krishterët dhe jehuditë e kanë të ndaluar me çdo fe tjetër.


  243. Të pyesin ty për të menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç ju ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.

  244. Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi, dhe përgatitni për veten tuaj (punë të mira që ju afrojnë tek Allahu). Kini frikë Allahun, dhe ta dini se ju do ta takoni Atë, e besimtarëve jepu myzhde.

  245. E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të), kur doni të bëni vepra të mira, të silleni mirë dhe të bëni pajtim ndërmjet njerëzve. Allahu është Dëgjues i çdo gjëje, është i Gjithëdijshëm.

  246. Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. Allahu është i Butë dhe fal shumë.

  247. Ata që betohen se do të largohen prej grave të tyre (të mos bëjnë kontakt me to), afati i pritjes është katër muaj. Në qoftë se kthehen ata (heqin dorë nga betimi), s’ka dyshim, Allahu bën falje dhe mëshiron.

  248. E në qoftë se ata kanë vendosur për shkurorëzim, Allahu dëgjon (fjalët e tyre), i di (qëllimet e tyre).

  249. E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tre menstruacione. Nëse ato i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit, atyre nuk iu lejohet ta fshehin atë që Allahu e krijoi në mitrat e tyre. E burrat e tyre kanë më shumë të drejta që gjatë asaj kohe, nëse duan pajtim, t’i rikthejnë ato. Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.

  250. Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose shkurorëzim me mirëkuptim. E juve (burrave) nuk iu lejohet t’u merrni asnjë send nga ajo që iu keni dhuruar (si mehër), vetëm nëse që të dy frikësoheni, se nuk do të mund t’i ruani dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). E nëse keni frikë, se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë në atë, me çka ajo bën kompensim, për ata të dy nuk ka mëkate. Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.

  251. E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata të dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të Allahut, që ia sqaron një populli që kupton.

  252. E kur t’i keni lëshuar gratë dhe ato i afrohen afatit të tyre, atëherë ose mbani si duhet ose i lini si duhet (të kryejnë afatin), e mos i mbani sa për t’i dëmtuar, e të bëheni të padrejtë. E kush bën atë, ai e ka dëmtuar veten. Dispozitat e Allahut mos i merrni për shaka. Përkujtoni të mirat e Allahut ndaj jush, edhe atë që ua shpalli Kuranin dhe dispozitat e sheriatit me të cilat ju udhëzon, dhe keni frikë Allahun, e dijeni se Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.

  253. Dhe kur i lëshoni gratë, e ato e përmbushin afatin e tyre (të pritjes), nëse pëlqejnë mes vete ashtu si kërkojnë rregullat, mos i pengoni që të martohen për burrat e tyre. Me këtë këshillohet ai që prej jush e beson Allahun dhe botën tjetër, kjo është më e dobishme për ju, më e pastër, se Allahu e di, e ju nuk e dini.[22]

  254. [22] Pas sëmundjeve shoqërore, të cilat e dëmtojnë bashkësinë njerëzore, e prishin unitetin e saj dhe shkaktojnë përçarje e armiqësi, siç janë alkooli e bixhozi, bëhet fjalë për bërthamën e parë të bashkësisë, për familjen, e në radhë të parë për marrëdhëniet bashkëshortore, të cilat duhen themeluar mbi dashurinë, mëshirën e sinqeritetin, prandaj edhe u tha, se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet besimtarit dhe idhujtares, etj.
    Sipas sheriatit islam janë të ndaluara marrëdhëniet (intime) bashkëshortore gjatë kohës së menstruacionit-hajdit, por nuk është e lejuar, që gruaja të izolohet prej shtratit, prej ushqimit dhe prej jetës tjetër të përbashkët, e nuk lejohet as shkurorëzimi i saj gjatë asaj kohe. Jehuditë e kishin zakon t’i izolonin gratë në ditët e tyre. Marrëdhëniet bashkëshortore duhet të shërbejnë për largim nga imoraliteti dhe për kujdes për pasardhës të mirë.
    Betimi në emër të Allahut nuk duhet të bëhet pengesë dhe shkak për të mos punuar punë të mira e të dobishme. Betimin duhet të thyhet kur është fjala për punë të mira dhe duhet bërë kompensimi për të.
    Gjatë bisedave të rëndomta e të rastit, betimet pa qëllim nuk kanë ndonjë peshë, e betimet me qëllim të caktuar, ato kanë përgjegjësi. Ndër arabët ishte zakon të betohet burri, se nuk to t’i afrohej gruas dhe ajo mbetej ashtu e varur për kohë të pacaktuar. Kurani e ndaloi këtë gjest dhe e caktoi afatin maksimal katër muaj.
    Shkurorëzimi edhe pse nuk është i pëlqyer, është akt i lejuar në Fenë Islame. Mirëpo përderisa edhe kjo vepër është një dukuri e natyrshme feja e lejoi atë, por duke caktuar rregulla të posaçme për të.
    Pritja e gruas së lëshuar për një afat të caktuar, jep të kuptosh për një ndarje të përkohshme dhe për mundësinë e rikthimit në jetën bashkëshortore. Për një iniciativë të këtillë kanë të drejtë, si burri ashtu edhe gruaja, kurse epërsia e përmendur e burrit nuk ka të-bëjë me epërsi në nder, por për obligimet në jetën familjare. Dhurata që i jepet gruas me rastin e kurorëzimit, nuk bën t’i merret, vetëm nëse ajo pajtohet që të heqë dorë nga ndonjë pjesë e saj, pasi jeta bashkëshortore nuk është në mbarëvajtje. Gruaja nuk duhet të keqpërdoret në rastet e lëshimit, asaj i duhet dhënë rrugë e lirë, që ajo të zgjedhë vetë fatin e saj.
    Pas lëshimit për herë të parë, gruaja duhet të mbetet në (iddet) pritje. Gjatë kësaj kohe ndarjes mund të shfaqet përsëri dëshira për jetë të përbashkët. Kjo e drejtë vazhdon edhe për ndarjen e dytë, por në këtë rast ata duhet të vendosin: të jetojnë bashkë përjetë, ose të ndahen definitivisht për jetë. Nëse ndahen për së treti, atëherë burri nuk ka të drejtë ta rikthejë gruan para se ajo të martohet për një burrë tjetër. Nëse burri tjetër e lëshon, atëherë burri i parë mund të martohet me të. Martesa me burrin tjetër nuk duhet të jetë formalitet, duhet të jetë e sinqertë, sepse martesa me tjetrin sa për sy e faqe, e me qëllim lejimin për t’u kthyer tek i pari, është mëkat i madh.


  255. Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota. I ati i fëmijës është i obliguar për furnnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregull. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësi. Asnjë nënë nuk bën të dëmtohet me fëmijën e saj, e as babai me fëmijën e tij. Po ashtu është i obliguar edhe trashëgimtari (i fëmijës). E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) e gjirit, nuk është ndonjë mëkat për ta. Nëse ju (baballarët) për fëmijën tuaj dëshironi gjidhënëse tjetër, me kusht që pagesën t’ia bëni në mënyrë të duhur, nuk është ndonjë mëkat. Kini frikë nga Allahu dhe dijeni se Allahu sheh çka punoni.

  256. E ata që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë. E kur ta kryejnë ato afatin e tyre, nuk është mëkat për ju (familja kujdestare) për atë që bëjnë ato në mënyrë të njerëzishme me veten e tyre. Allahu hollësisht e di çka veproni.

  257. Paraqitja juaj për martesë ndaj grave (që kanë kryer afatin e tyre), në mënyrë të tërthortë, ose mbajtja fshehtë në veten tuaj, nuk është mëkat për ju. Allahu e di, se ju do t’ua përmendni atyre (dëshirën për martesë), por kurrsesi mos u premtoni atyre fshehtazi (diçka tjetër), përpos t’u thoni fjalë të lejuara. Dhe mos vendosni lidhjen e kurorës derisa të përfundojë afati i caktuar. Ta dini se Allahu e di çka fshihni në vete, pra kini frikë prej Atij, dhe dijeni se Allahu është Shumëfalës, shumë i Butë.

  258. Nuk është mëkat për ju, nëse i lëshoni gratë pa pasur kontakt (martesë) me to dhe para se t'u caktoni atyre obligimin (material të martesës - mehrin), po pajisni ato (me diçka prej pasurisë suaj si dhuratë për to), pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfri sipas mundësisë së tij. Një pajisje e zakonshme është obligim për bamirësit.

  259. E nëse i lëshoni ato para se të kontaktoni, por u keni pas caktuar atyre obligimin (material të martesës - mehrin), atëherë duhet t’u jepni gjysmën e asaj që keni caktuar, përveç nëse ato ju falin, ose ju fal ai në duart e të cilit është lidhja e kurorës. E të falni (burra ose gra) është më afër devotshmërisë, e mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtet, Allahu sheh atë që veproni.

  260. Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni të përkushtueshëm (në namaze).

  261. E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose duke kalëruar, por kur të jeni të siguruar, përkujtojeni (me namaz) Allahun ashtu si ju mësoi Ai për atë që ju nuk dinit.

  262. Ata që vdesin nga mesi i juaj dhe lënë pas vete gra, le të testamentojnë (lënë porosi) për gratë e tyre, furnizimin për një vjet, duke mos i nxjerrë prej shtëpisë. E nëse (me dëshirën e vet) dalin, nuk është mëkat për ju për atë punë të lejueshme që bëjnë ato me veten. Allahu është më i Fuqishmi, më i Dituri.

  263. Për të devotshmit është detyrim, që edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.

  264. Kështu, që t’i kuptoni, Allahu ua shpjegon argumentet e veta.[23]

  265. [23] Përderisa edhe çështja e dhënies së gjirit foshnjes është çështje e bashkëshortësisë, Kurani e radhit në mesin e këtyre çështjeve.
    Gruas që i vdes burri i duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, e pastaj mund të martohet. Gruas që i vdes burri e ajo mbetet me barrë, ka trajtim tjetër; në kaptinën “Et Talak” jepen sqarime.
    Gruas që i ka vdekur burri, i lejohet të shfaqë dëshirën për martesë edhe para kalimit të afatit, por kurrsesi të martohet pa kaluar afati i caktuar. Lëshimi i gruas është i urryer pa ndonjë shkak të arsyeshëm, por edhe pas lëshimit nuk guxon të mbretërojë ndërmjet tyre armiqësi. Prandaj nga palët, me qëllim lehtësimin e gjendjes së krijuar me ndarje, porositet bujaria dhe bamirësia. Mes ajeteve që kanë të bëjnë me dispozita rreth familjes, bashkëshortësisë, shkurorëzimit etj., paraqitet ajeti rreth faljes së rregullt të namazit, për arsyeja se ndarja e bashkëshortëve është brengë e madhe në jetë, e mjeti më i mirë për t’i harruar brengat dhe për të bërë durim është namazi. Pejgamberi a.s. i largonte gjithnjë brengat me namaz.
    Rreth namazit të mesëm, të vlefshëm, janë dhënë mendime se cili është ai. Më i zgjedhuri i mendimeve është ai, se me të nënkuptohet namazi i ikindisë.


  266. A nuk di për ata, të cilët nga frika prej vdekjes u larguan prej atdheut të vet, e të cilët ishin me mijëra, e Allahu atyre iu tha: “Vdisni”! (ata vdiqën). Pastaj i ngjalli. Allahu është shumë Bamirës për njerëzit, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës.

  267. Luftoni për hir të Allahut, e të dini se Allahu është Dëgjues i çdo gjëje dhe është i Gjithëdijshëm.

  268. Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.

  269. A nuk ke marrë vesh për parinë e Bijve të Israilit pas Musait? Kur i patën thënë një të dërguari të tyre (Shemunit): “Cakto për ne një mbret e të luftojmë në rrugën e Allahut”! Ai (pejgamberi) tha: “A mund të ndodhë, që nëse lufta iu bëhet obligim ju të mos luftoni”! Ata thanë: “E ç’kemi ne që të mos luftojmë në rrugën e Allahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe bijtë tanë”? E kur u obliguan me luftë, përveç një pakice prej tyre, ata u zmbrapsën. Allahu është i Njohur për punët e zullumqarëve.

  270. Pejgamberi i tyre u tha: “Allahu caktoi mbret tuajin Talutin”. Ata thanë: “Si mund të jetë ai sundues yni, kur ne kemi më shumë merita se ai për sundim, madje ai edhe nuk është i pasur”? Ai tha: “Allahu e zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore”! Allahu ia jep sundimin e vet atij që do, Allahu është Dhurues i madh, i Dijshëm.

  271. Pejgamberi i tyre iu tha: “Shenjë e sundimit të tij është që t’ju sjellë arkën, që e bartin engjëjt dhe që në të gjeni qetësim (shpirtëror) nga Zoti juaj, e edhe diçka që ka mbetur nga thesari i familjes së Musait dhe Harunit. S’ka dyshim se ky, po qe se jeni besimtarë është një fakt për ju”.

  272. E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë tha: “Allahu do t’ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej atij, ai nuk është me mua, e kush nuk e shijon atë, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një grusht”! Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë së bashku me te edhe ata që ishin besimtarë thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij”! Por ata, që ishin të bindur se do ta takonin Allahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha”! Allahu është me durimtarët.

  273. E kur i dualën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve!

  274. Me ndihmën e Allahut i thyen ata, e Davudi e mbyti Xhalutin dhe Allahu i dha atij (Davudit) sundimin, pejgamberllëkun dhe e mësoi atë për çdo gjë që dëshiroi. Dhe sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit.

  275. Këto janë argumente të Allahut, po t’i lexojmë ty me saktësi, e s’ka dyshim se ti (Muhamed) je prej të dërguarve.[24]

  276. [24] Disa mijëra jehudi, që të mos shkojnë në luftë me pejgamberin e tyre dhe duke u frikuar se po vdesin, ikën prej vendit të vet, ose ikën nga frika e vdekjes të një sëmundjeje, që ishte përhapur, por prej vdekjes nuk mund të iket, sepse edhe pse ikën ata i kapi vdekja. Ndoshta ka si qëllim: u dobësuan nga frika, se duhet të luftojnë, nuk u angazhuan për jetë dhe nuk punuan deri sa u varfëruan dhe e mbytën veten për së gjalli, prandaj thirren të luftojnë, të gjallërojnë dhe t’i krijojnë vetes jetë.
    Huaja nuk i nevojitet Allahut, por fjala është se Zoti do t’i shpërblejë shumëfish të gjitha ato vepra të mira e të sinqerta, që kryhen për hir të zbatimit të porosive të Zotit. Pas vdekjes së Musait, ndër Bijtë e Israilit pejgamber ishte Shemuni, që rridhte prej pasardhësve të Harunit. Beni Israilët kërkuan prej tij t’ju caktojë një mbret, që do t’i udhëheqë ata në luftë. Por këtu shihet dobësia e një populli, që jeton në komoditet, kur nevrikoset e përmend luftën, e kur paraqitet nevoja për luftë, ai nuk lufton.
    Sipas urdhrit të Zotit sundues caktohet Taluti, pasardhës i Beniaminit të Jakubit, vëlla i Jusufit. Ishte shumë i dijshëm dhe i pashëm. Arka e përmendur (tabuti) ishte simbol i pejgamberëve të Beni Israilëve prej Musait. Në te kishte diçka nga thesari i pejgamberëve, ndoshta disa pjesë të Tevratit, shkopi i Musait dhe disa petka të Harunit. Atë arkë e kishte rrëmbyer një popull tjetër, e Zoti iu premton, se do t’ua kthejë arkën, nëse luftojnë nën komandën e Talutit. Ndalesën që ua bëri për të mos pirë ujë prej lumit, kishte si qëllim t’i sprovojë, se sa janë respektues të urdhrave para se të hyjnë në luftë. Të gjithë ata që nuk iu përmbajtën urdhrit, i largoi prej radhëve të ushtrisë si të dobët.
    Besimtarët e sinqertë, të mbështetur në ndihmën e Zotit, vendosën të sakrifikojnë jetën dhe si të tillë, edhe pse ishin më pak në numër, i dolën përballë ushtrisë së madhe të Xhalutit.
    Një djalë i ri me ndjenja të larta shpirtërore, që ishte në ushtrinë e Talutit, e që quhej Davud, e mbyti mizorin e madh Xhalutin. Pas Talutit Davudi bëhet, edhe sundues, edhe pejgamber, e pas tij biri i tij Sulejmani dhe ajo periudhë historike konsiderohet më fatlumja për Beni Israilët.


  277. Këta (për të cilët të rrëfyem) janë të dërguarit, disa prej tyre i dalluam nga të tjerët, prej tyre pati që Allahu iu foli, disa i ngriti në shkallë më të lartë, e Isait, birit të Merjemes i dhamë argumente dhe e përforcuam me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin). E sikur të donte Allahu, nuk do të vriteshin ndërmjet vete ata (populli) që ishin pas tyre, meqë atyre iu patën zbritur argumentet, por ata megjithatë u përçanë. E pati prej tyre që besuan dhe pati të tillë që nuk besuan, e sikur të dëshironte Allahu ata nuk do të vriteshin, por Allahu punon çka dëshiron.

  278. O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë, as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne iu furnizuam juve. Jobesimtarët janë mizorë.

  279. Allahu është një, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij. Ai është i Përjetshmi (i cili nuk vdes kurrë) dhe është Mbajtësi (Mbikqyrësi) i çdo gjëje që ekziston. Atë nuk e kap, as kotje dhe as gjumë. Gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pos me lejen e Tij? (Allahu) E di të tashmen, që është pranë tyre dhe të ardhmen. Nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar. Kursija e Tij përfshin qiejt dhe tokën, dhe kujdesi i Tij ndaj të dyjave nuk i vjen rëndë. Ai është më i Larti, më i Madhi.

  280. Në fe nuk ka dhunë (imponim). Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është Dëgjues i çdo gjëje, i Gjithëdijshëm.

  281. Allahu është Ndihmëtari (dhe Mbrojtësi) i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë, që i nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira. Ata janë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

  282. A nuk ke arritur të dish për atë që ngase Allahu i kishte dhënë pushtet, ai (Nemrudi) polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje”! Ai tha: “Edhe unë jap jetë dhe vdekje”! Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi”? Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mizor.

  283. Ose (a nuk je i njohur) me shembullin e atij, që kaloi pranë një fshati që ishte rrënuar e bërë rrafsh me tokë, e tha: “Si e ngjall Allahu këtë pas shkatërrimit të tij”? E Allahu e bëri të vdekur atë (pyetësin-Uzejrin) njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa qëndrove”? Ai tha: “Një ditë, ose një pjesë të ditës”! Ai (Allahu) Tha: “Jo, por ke qëndruar (i vdekur) njëqind vjet, shikoje ushqimin dhe pijen tënde, si nuk është prishur, e shikoje edhe gomarin tënd (si i janë shkapërderdhur eshtrat). E për të bërë ty argument për njerëzit (bëmë këtë sprovë), shiko se si i kombinojmë eshtrat e pastaj i veshim me mish. E kur iu bë e qartë atij tha: “U binda se me të vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send”!

  284. Përkujto kur Ibrahimi tha: “Zoti im, më mundëso të shoh, se si i ngjall të vdekurit”? Ai (Zoti) tha: “A nuk je që ke besuar”? Ai (Ibrahimi) tha: “Po besoj, gjithësesi, por desha që zemra ime të gjejë prehje (e të më shtohet bindja duke e shikuar këtë me sy )”. Ai (Zoti) tha: “Merri katër shpendë pranë vetes (theri e copëtoji), e pastaj në çdo kodër vendose nga një pjesë të tyre, mandej thirri ato, do të vijnë ty shpejt, e dije se Allahu është i Gjithëfuqishmi, i Urti”.[25]

  285. [25] Pejgamberët e Zotit janë njësoj, përsa i përket asaj se të gjithë janë të dërguar prej Zotit. Disa prej tyre janë të dalluar me detyra e cilësi të posaçme, siç ishte Musai, të cilit i foli Zoti, Isai që ishte i ndihmuar prej Xhibrilit, Muhamedi a.s. që ishte në shkallën më të lartë, sepse ishte i dërguar dhe mëshirë për të tërë botën.
    Popujt që erdhën pas tyre nuk do të duhej të përçaheshin, derisa të gjithë kishin pejgamberin e dërguar prej Zotit, por disa nuk deshën të pranojnë, as pejgamber, as shpallje tjetër, përveç të tyren, prandaj devijuan nga rruga e Zotit.
    Ajetul Kursiji është një nga ajetet me famë shumë të madhe, e thuhet se në te është emri i madh i Zotit - Ismi A’dham.
    Fjala Kursij ka kuptimin e këmbëses, që është pranë Arshit - Fronit të Allahut, Pejgamberi a.s. ka thënë: Kursija në krahasim me Arshin për nga madhësia është si një rreth unaze i hedhur në një shkretëtirë, së cilës nuk i shihet fundi nga të katër anët. Kursija përfshin qiejt dhe tokën, e me gjithë këtë madhësi të saj, ajo në krahasim me Arshin është si një rreth i hedhur në shkretëtirë. Kjo tregon se me të vërtetë fuqia e Allahut, Krijuesit të Arshit dhe Kursijes është e pakufishme.
    Liria në besim është e garantuar sipas dispozitave islame. Dhuna për t’i futur njerëzit në fe, nuk është parim islam, prandaj përhapja e Fesë Islame me dhunë, sipas tendencës së disave, nuk është e vërtetë.
    Kundërshtari i Ibrahimit ishte njëfarë Nemrud bin Kenani, kështu mendojnë komentatorët e Kuranit, anipse nuk është përmendur emri i tij. Pushteti dhe pasuria, të cilat i kishte dhuruar Zoti atij ia rritën mendjen dhe në vend që të adhuronte dhe falënderonte Zotin, ai deshi ta quajë veten Zot. Zakonisht pozita dhe pasuria janë gjendje, që te disa njerëz luajnë rol negativ, sepse këto i zhveshin ata prej virtyteve të larta njerëzore dhe i bëjnë mendjemëdhenj. Ibrahimi e la gojëhapur kundërshtarin.
    Për fshatin, vendbanimin e shkatërruar thuhet, se ishte Jerusalemi, të cilin e kishte rrënuar në themel një farë Buhtunasri në shekullin e gjashtë para epokës së re. Njeriu që kaloi atypari thuhet, se ishte Uzejri, i cili kur e pa ashtu të shkatërruar u habit dhe i shkoi mendja te ringjallja. Ai mendoi se kishte rënë në gjumë, pse kur u zgjua e gjeti ushqimin të paprishur, por kur shikoi gomarin që ishte zhdukur e i kishte mbetur vetëm ndonjë copë ashti, ai atëherë e kuptoi, se kishte qëndruar shumë. Prova e Zotit: ushqimin nuk ia kishte prishur, kurse gomari ishte shkatërruar e në prezencën e tij ia bashkoi eshtrat, e veshi me muskuj dhe e ngjalli. Kjo ishte një provë për njerëzit, se si fuqia e Zotit do të ringjallë të vdekurit për Ditën e Gjykimit.
    Ibrahimi kërkoi ta shohë me sytë e vet, se si i ngjall Zoti të vdekurit. Ai nuk dyshoi në ringjallje, prandaj bëri pyetjen: “si” i ringjalle e jo, a i ringjalle. Kjo është dëshirë e çdo besimtari për t’i përjetuar konkretisht mrekullitë e Zotit. Ibrahimi nuk i ngjalli shpezët e copëtuara, ato i ngjalli Zoti, kurse për Ibrahimin kjo ishte një mrekulli.


  286. Shembulli i pasurisë së atyre, që e japin në rrugën e Allahut është si i një kokrre që mbijnë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm (për qëllimet e atyre që japin).

  287. Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.

  288. Një fjalë e mirë dhe falje (gabimi që i bëhet lypësit) është më e dobishme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. Allahu është i Pasur (nuk ka nevojë për askënd), është i Butë.

  289. O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson Allahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar, që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.

  290. E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre, e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë, që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni.

  291. A dëshiron ndonjëri prej jush, që ka një kopsht me hurma e rrush, në të cilin rrjedhin lumenj, që në të ka nga të gjitha frutet, e atë (pronarin e kopshtit) ta ketë kapur pleqëria dhe ai të ketë pasardhës të mitur, e atë (kopshtin) ta godasë ndonjë stuhi me zjarr e ta djegë. Kështu Allahu ua sqaron argumentet për të menduar ju.

  292. O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që iu dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se Allahu është i Pasur (s ‘ka nevojë për ju), është i Lavdëruar.

  293. Djalli ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është Dhurues i madh, është i Gjithëdijshëm.

  294. Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.

  295. Allahu di (dhe do t’ju shpërblejë) për atë që keni dhënë nga pasuria, ose keni zbatuar ndonjë zotim (nedhër), e për ata mizorët (që japin pasurinë e tyre për sy e faqe dhe nuk besojnë Allahun) nuk do të ketë ndihmëtarë (në Ditën e Gjykimit).

  296. Nëse lëmoshat i jepni haptazi ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju, dhe Ai ua shlyen (me punë të mira) të këqijat. Allahu është i Njohur hollësisht për veprat tuaja.

  297. Nuk është obligim yti (Muhamed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), Allahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do. Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkënd, por vetëm për hir të Allahut, e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”.

  298. (Jepni) për të varfërit që janë të angazhuar (në luftë) në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të gjallojnë me tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por as nuk kërkojnë, e as nuk i mërzitin njerëzit. Pra çkado që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se atë Allahu e di shumë mirë (dhe për të do t’ju shpërblejë).

  299. Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka, as frikë, as pikëllim.[26]

  300. [26] Pasuria e dhënë sipas urdhrit të Zotit shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, sepse Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër muslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish.
    Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër është e shpërblyer pandërprerë prej Zotit dhe i përngjan kopshtit, që nuk i ndërpren kurrë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqertë është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit, se nëse japin sadaka, ose zeqat do të varfërohen, do të fiken, prandaj ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët, se do t’ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t’i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashurën, më të dhimbshmen.
    Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, prandaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt.
    Nuk është obligim i Muhamedit a.s., që t’i shpierë njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, prandaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të Fesë Islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim.
    Besimtarët e sinqertë nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për të; preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, prandaj të tillëve duhet ndihmuar.
    Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, prandaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi, ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t’ua përkujtuar edhe të tjerëve, se obligimin duhet zbatuar.


  301. Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen (Ditën e Gjykimit nga varret e tyre) ndryshe vetëm se si ngrihet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet tek Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.

  302. Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar.

  303. S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje.

  304. O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata.

  305. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kapitali juaj (pa përfitim të kamatës) - askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.

  306. Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje derisa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini është shumë më e mirë për ju.

  307. Dhe ruajuni një dite, kur në të ktheheni tek Allahu, dhe çdo njeriu i plotësohet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk iu bëhet e padrejtë.

  308. O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiri juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit, ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, e atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e të mos i lëre mangut asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras), që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton, as shkruesit, as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt juaji ndaj dispozitave të Allahut). Kini frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.

  309. E në qoftë se gjendeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng (paradhënie ose kapar). E nëse i besoni njëri-tjetrit, atij që i është besuar le ta zbatojë atë (amanetin) që i është besuar, dhe le të kenë frikë Allahun, Zotin e tyre. Mos e fshihni dëshminë, sepse ai që e fsheh atë, ai është mëkatar me zemrën e vet, Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që veproni.[27]

  310. [27] Pasi Allahu urdhëroi për dhënien e pasurisë në rrugën e mirë të Tij, Ai veçoi lëmoshën, sadakanë dhe shpërblimin për të, duke shpjeguar se ajo është bujari, krenari dhe pastërti. Në këto ajete përmendet edhe ana e kundërt, përmendet fitimi i ndyrë, koprracia dhe shpirtëngushtësia e atij, që e merr kamatën. Fjala “riba” në sheriatin islam nënkupton kamatën - fajden, e që është teprica nga kapitali, të cilën e merr prej borxhliut në emër të afatizimit. Kjo praktikë është e ndaluar rreptësisht në Fenë Islame, sepse pasanikët kanë për detyrë t’i ndihmojnë nevojtarët në përmirësimin e gjendjes së tyre të vështirë, e jo t’i shtypin e t’ua keqësojnë gjendjen edhe më shumë. Ata që respektojnë urdhrat e Zotit, atyre iu shtohet bereqeti e pasuria në këtë botë, kurse në botën tjetër, ata kanë sevab të shumëfishtë. Ndërsa ata që nuk respektojnë urdhrin e Zotit, nuk do ta gëzojnë pasurinë e tyre në këtë botë, kurse në botën tjetër ata do të ngrihen prej varrezave të shtrembëruar nga defektet e çmendurisë, e pastaj i pret zjarri i xhehenemit. Kamata është aq shumë e urrejtur, saqë shfrytëzuesit e saj janë vënë në dyshim për besimin e tyre, e s’ka mjerim më të madh, se të konsiderohen armiq të Allahut, dhe të Dërguarit të Tij.
    Ajeti 281 në këtë kaptinë është i fundit, që iu shpall Muhamedit a.s. nga Kurani.Thuhet se pas shpalljes së këtij ajeti, Pejgamberi a.s. jetoi edhe nëntë ditë. Është përkujtues i madh, ndaj asaj dite të madhe, kur çdo kush do të përgjigjet për veprat e bëra. Pra, me këtë ajet merr fund shpallja - vahji. Pas sadakasë së lavdëruar, pas kamatës së përbuzur, Kurani na mëson për rregullat që duhet praktikuar në lëmenjt e ndryshëm të jetës, posaçërisht në huazime, në shitblerje, në dëshmime dhe në dokumente të shkruara.


  311. Vetëm të Allahut janë gjithçka ka në qiej dhe çka në tokë, e për atë që e keni në shpirtin tuaj, e shfaqët haptazi ose e mbajtët fshehtë, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi, e Ai ia fal atij që do dhe e dënon atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.

  312. I Dërguari i besoi asaj, që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Te Ti do të jetë kthimi ynë”.

  313. Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar![28]

[28] Kur u shpall ajeti sipas të cilit kuptohet, se edhe për idetë e qëllimet që qarkullojnë në shpirtrat dhe në zemrat tona, do të duhej të japim llogari para Zotit, sahabët, shokët e Pejgamberit a.s. u ngushtuan dhe shkuan e i thanë Pejgamberit, se është e pamundur të gjejmë shpëtim, derisa do të përgjigjemi edhe për përsiatje e mendime, për atë që vetëm na shkoi në mendje. Pejgamberi iu tha: mos bëni si bënë Ithtarët e Librit para jush, kur thanë: dëgjuam, kundërshtuam, por ju thoni: dëgjuam dhe u bindëm! Pas respektit që shprehën sahabët, ashtu si ju tha Pejgamberi, u shpall ajeti: Allahu nuk obligon askënd vetëm me aq sa ka mundësi... pra, nuk ka dënim për paramendime, nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
Buhariu shënon, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Atij që i lexon me kujdes dy ajetet e fundit të Bekaresë, i mjaftojnë si përkujtim ndaj Zotit për atë natë”. Sipas Muslimit: Pejgamberit a.s. i vjen një melek e i thotë: “Myzhde për dy drita që t’u dhanë, e që nuk iu kanë dhënë asnjë pejgamberi para teje: Fatihatul kitabi (elhami) dhe fundi i kaptinës Bekare, me leximin e një shkronje të tyre, fitohet drita”.
Në këto ajete të fundit përmenden kushtet e Besimit Islam, përmendet se besimtarët e Besimit Islam janë të obliguar t’i besojnë të gjithë pejgamberët e Zotit, e këtu manifestohet kuptimi universal i thënieve të Kuranit, i cili i drejtohet mbarë njerëzve të botës. “Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “El Bekareh”.


3. SURETU ALI IMRAN

E zbritur në Medinë pas sures El Enfal, ajete: 200


Në atë kohë kur Muhamedit a.s. ishte duke iu shpallur Kurani, Ithtarët e Librit - Ehlul Kitabi, ishin të ndarë në dy grupe sipas periudhës historike. Grupin e parë të tyre e përbënin jehuditë, si Ithtarë të Librit Tevratit, i cili iu pat shpallur Musait a.s.. Për devijimet që bënë ata në librin e tyre, për qëllimet dhe motivet me të cilat u përpoqën ta kundërshtojnë Kuranin dhe Muhamedin a.s., është theksuar gjerësisht në kaptinën Bekare, që ishte para kësaj. Në këtë kaptinë flitet për grupin e dytë të Ithtarëve të Librit, për Ithtarët e Inxhilit, i cili iu shpall Isait a.s., prandaj gati e tërë gjysma e parë e kësaj kaptine flet rreth besimit të Nesarëve, që tashti quhen të krishterë, rreth besimit të tyre për Isain dhe për nënën e tij Merjemen.
Sipas mendimit të mufesirinëve shkak i shpalljes së kësaj sureje ishte rasti i një dialogu, që u zhvillua ndërmjet Muhamedit dhe ndërmjet një grupi, përfaqësues të nesarëve të Nexhranit.
Në atë kohë ndër ithtarët e grupit të dytë të librit, ndër të krishterët mbretëronin bindje të ndryshme përkitazi me Isain. Një pjesë e tyre mendonin për Isain, se ishte zot dhe bindjen e tyre e mbështetnin në mrekullinë e tij, sipas së cilës ai e ngjalli të vdekurin. E disa mendonin, se meqë lsai nuk pati baba ishte bir i Zotit. Të tjerët ishin të mendimit, se Isai ishte një nga tri shtyllat e Hyjnisë, e cila përbëhej prej: atit, birit dhe shpirtit të shenjtë, ose siç njihet teoria e “trinisë”, ashtu siç e quan edhe Kurani “Thalithu Thelathe”. Pse dhe si u ndanë në ato grupe ekzistojnë shumë shkaqe e rrethana për të cilat flasin dokumentet e shumta.
Këtu në këtë kaptinë shtrohet çështja e besimit në një të vetmin Zot, pra e besimit të drejtë dhe të vërtetë për të cilin mësuan të gjithë pejgamberët dhe të gjitha shpalljet. Shtrohet çështja e Isait si pejgamber i Zotit, por njeri, e asgjë tjetër. Flitet për famën dhe meritën e nënës së lsait, për Merjemen. Duke sjellë fakte e argumente bindëse refuzohen në mënyrë të prerë të gjitha mendimet dhe pretendimet e gabuara rreth Isait e nënës së tij.
Në këtë sure janë përmbledhur edhe shumë çështje të tjera, që iu përkasin rregullave të sheriatit islam, si: haxhi, lufta, çështja e kamatës, çështja e atyre që nuk e japin zeqatin, lufta në Bedr, në Uhud. Përfundon duke dhënë udhëzime, se si duhet ta vështrojmë gjithësinë dhe dukuritë e saj, dhe si duhet të bindemi për Krijuesin Fuqiplotë.
Quhet: “Suretu Ali lmran “-sepse i bëhet një vështrim asaj familjeje të ndershme, familjes Imran, babait të Merjemes, nënës së Isait.



3. SURETU ALI IMRAN


Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!


  1. Elif, Lam, Mim.

  2. Allahu është Një, nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Tij, Ai është i Përjetshmi (i cili nuk vdes kurrë), Mbajtësi (Mbikqyrësi) i çdo gjëje që ekziston.

  3. Ai ta zbret ty (Muhamed) librin me argument, që është vërtetues i librave të mëparshme. Ai e zbriti Tevratin dhe Inxhilin

  4. më parë si udhërrëfim për njerëz , e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S’ka dyshim, se ata që mohojnë argumentet e Allahut i pret ndëshkimi i rreptë. Allahu është Ngadhënjyes, Shpagimtar.[29]

  5. [29] Derisa Zoti domosdoshmërisht duhet të jetë i përjetshëm dhe të komandojë gjithnjë me tërë ekzistencën, Ai nuk mund të jetë njeri me jetë të përkohshme, siç ishin pejgamberët në mesin e të cilëve edhe Isai.
    Kur shpalleshin pjesë të kësaj kaptine ende nuk kishte përfunduar zbritja e tërë Kuranit, prandaj Zoti i thotë Muhamedit: Ta zbret...
    Shpalljet nga Zoti janë mëshirë, janë rregulla e dispozita, sipas të cilave njerëzit duhet ta programojnë jetën, sjelljet dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët. I tillë ka qenë Tevrati e pas tij Inxhili, e edhe Kurani. Derisa u besua për Tevratin dhe Inxhilin, se janë shpallje nga Zoti, pse të mos besohej Kurani, i cili vërteton shpalljet e mëparshme. Pra nuk ekzistojnë fakte për mohimin e tij, dhe urrejtja pse ky zbuloi devijimet që janë bërë në shpalljet e para, nuk është e udhës, e as me vend, prej kujtdo qoftë ajo.


  6. S ‘ka dyshim, se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë e as në qiell.

  7. Ai është që ju krijon (formon) juve në mitra ashtu si të dojë. S’ka të adhuruar me të drejtë pos Tij, Ai është Fuqiploti, më i Urti.

  8. Ai është që ta zbriti librin ty, e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos Allahut askush nuk e di komentin e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: “Ne i kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë”! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes.

  9. “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je Dhuruesi i madh”.

  10. “Zoti ynë, Ti je ai që në një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkel premtimin e vet”.[30]

  11. [30] Allahut nuk mund t’i fshihen deformimet që janë bërë ose që bëhen në shpalljet e Tij. Nuk mund t’i fshihen, as përpjekjet e atyre, që disa ajete të paqarta të Kuranit t’i interpretojnë sipas dëshirës apo interesit të tyre, e të shkaktojnë polemika ndërmjet besimtarëve. Në përgjithësi ajetet e Kuranit kanë kuptim të qartë, por ka disa që kuptimi i tyre nuk është krejt i qartë, siç janë simbolet në fillim të disa kaptinave etj. Ajete të tilla quhen muteshabih, që do të thotë: nuk është i qartë qëllimi, ngase flitet në mënyrë të përgjithshme. Më gjerësisht për citatet e Kuranit flet shkenca e Usuli Fikhut.

  12. Është e vërtetë, se atyre që nuk besuan nuk do t’u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria, e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit.

  13. (Gjendja e tyre është) Si gjendja e pasardhësve të faraonit dhe e atyre që ishin para tyre, që përgënjeshtruan argumentet tona, e Allahu i shkatërroi me fajet e tyre, Allahu ndëshkon shumë ashpër.

  14. Thuaju atyre që nuk besuan: “Do të jeni të mposhtur (në këtë jetë) dhe do të mblidheni në xhehenem. Sa i shëmtuar është ai vendqëndrim (shtrat)”.

  15. Ju (jehudi) patët një përvojë të madhe me ato dy grupe, që u konfrontuan ndërmjet vete. Njëri grup luftonte në rrugën e Allahut, e tjetri ishte jobesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin, se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po, Allahu me ndihmën e vet përforcon atë që do. Vërtet, në këtë është një përvojë e madhe për ata që kanë mendje të kthjellët.[31]

  16. [31] Zoti xh. Sh. ua tërhoqi vërejtjen idhujtarëve arabë, kundërshtarë të Kuranit dhe të Muhamedit a.s., duke iu thënë, se e vërteta do të triumfojë dhe ju do të mposhteni edhe në këtë jetë, ashtu siç u shkatërruan ithtarët e Faraonit, e nuk iu vlejti as atyre dhe nuk do t’ju vlejë as juve, as pasuria, as djemtë. Madje ju vetë do të jeni lëndë djegëse në xhehenem. Vendi i tyre në xhehenem është trajtuar si djep, e ka si qëllim t’i njoftojë kundërshtarët mendjemëdhenj, se do të jenë aq të paaftë, aq të dobët, saqë i përngjajnë foshnjes, që nuk ka kurrfarë aftësie, por të tjerët e vejnë atë aty ku të duan. Konfrontimi ndërmjet dy grupeve luftarake ka të bëjë me luftën që u bë në vendin e quajtur “Bedr”. Kjo luftë u zhvillua ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve mekas në vitin e dytë të hixhrit. Numri i muslimanëve ishte 313, e i idhujtarëve afër një mijë, por me ndihmën e Zotit muslimanët fituan, e armiku u mund dhe u mposht mu ashtu siç tha Kurani, dhe në historinë islame për herë të parë thyhet autoriteti idhujtarokurejshit, e ngrihet ai Islam. Fuqia fizike nuk është gjithçka, sikurse edhe fitorja nuk varet gjithnjë nga numri. Ndihma e Zotit është ajo që e ngren moralin e lartë luftarak dhe realizon fitoren.

  17. Njerëzve iu është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.

  18. Thuaj:“A t’ju kumtoj për diçka shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e Dunjasë)! Për ata që janë ruajtur, ata kanë tek Zoti i tyre xhenete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra e gëzojnë edhe kënaqësinë e Allahut. Allahu është Gjithëpamës ndaj robërve (të Tij).

  19. (Të ruajturit, të cilët te Zoti i tyre kanë xhenete janë) Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne sinqerisht besuam, na i fal mëkatet tona dhe na ruaj prej ndëshkimt të zjarrit"! (Të tillët janë:)

  20. të durueshmit, të drejtit, të përkushtueshmit (në adhurim), dorëdhënësit dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.

  21. Allahu dëshmoi, se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, Fuqiplotit e më të Urtit.

  22. Vërtet feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami, e atyre që iu është dhënë libri, pasi mësuan për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu do t’i japë shpejt llogarinë.

  23. E nëse ata polemizojnë me ty, ti thuaj: “Unë me tërë qenien time i jam dorëzuar Allahut, e edhe ithtarët e mi”! E thuaju edhe atyre, që iu është dhënë libri dhe injorantëve: “A e pranuat Fenë Islame”? Nëse e pranuan Islamin, atëherë e kanë gjetur të vërtetën, e nëse refuzojnë, ti e ke për detyrim vetëm t’ua komunikosh; Allahu është Gjithëvëzhgues i robërve (i sheh dhe i di mirë punët e tyre).

  24. Ata që mohojnë argumentet e Allahut, vrasin pejgamberët pa farë të drejte, vrasin edhe njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata lajmëroji për një ndëshkim të dhembshëm e pikëllues.

  25. Ata i asgjësuan veprat e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër ata nuk kanë ndonjë mbrojtës.

  26. A nuk i sheh ti ata, që iu është dhënë mjaft nga libri, kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë libri i Allahut, se si një grup prej tyre zmbrapsen, duke u treguar refuzues.

  27. E atë (e bënin) ngase ata thonin: “Neve nuk do të na djegë zjarri përveç se për pak ditë të numëruara, e ajo që shpifën për fenë e tyre, i mashtroi keq”.

  28. E si do të jetë gjendja e tyre, kur Ne do t’i tubojmë ata një ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe çdo njeriu do t’i ofrohet ajo që ka fituar, duke mos iu bërë atyre asnjë e padrejtë.[32]

  29. [32] Bukuritë e kësaj bote, të cilat Zoti i krijoi për njerëzit, sado që janë të lakmueshme e të dëshirueshme, nuk duhet të mashtrohemi pas tyre dhe t’i keqpërdorim, sepse edhe jeta e njeriut, e edhe përjetimi i tyre është për një kohë të shkurtër, e nëse njeriu mashtrohet pas tyre dhe lë anash mësimet e Zotit, atëherë dështimi është shumë i madh, sepse e humb të drejtën për shpërblimet e botës tjetër, që janë të përjetshme, e humbja më e madhe është ajo se njeriu i tillë nuk do të mund ta gëzojë kënaqësinë e Zotit, që është kulmi i shpërblimeve, sepse atë kënaqësi mund ta gëzojnë vetëm ata që kanë qenë të ruajtur, të matur. Meqë Allahu i bëri me dije besimtarët për shpërblimet që do t’i gëzojnë, vërtetoi se argumentet e besimit janë të qarta. Dëshmia e Allahut për veten, se është Një, i Plotfuqishëm, është kjo ekzistencë, është gjithësia me të gjitha qeniet. Këtë mund ta kuptojë çdo njeri i mençur. Besimi në një Zot është ai besim, ajo fe, të cilën e shpalli Zoti, që nga ekzistimi i njerëzve në këtë botë. Çdo besim tjetër përkitazi me njësinë e Zotit është devijim i së vërtetës së shpallur prej Zotit.
    Jehuditë e pyetën Muhamedin a.s. për dënimin, që duhet dhënë kundër atij që ka bërë imoralitet – zina, duke qenë i martuar, e kur Muhamedi a.s. iu tha, se edhe në Tevrat është masa ndëshkuese gurëzimi, ata refuzuan ta sjellin Tevratin dhe të veprojnë sipas tij, edhe pse e dinin se ashtu ishte e vërteta, por derisa e vërteta e Tevratit dhe e Kuranit përputheshin, ata e fshehën Tevratin, përndryshe do të duhej të pranonin atë që iu tha Muhamedi, e ai ishte pranim edhe i Fesë Islame, e atë nuk e deshën.
    Zoti i Madhëruar i thotë Muhamedit, se obligim yti është vetëm komunikimi i qartë, e Ne do t’u japim hesapin e merituar për kokëfortësinë e tyre, që bënë kundër pejgamberëve, kundër Tevratit dhe e mashtruan veten duke trilluar shpifje, se në xhehenem do të qëndrojnë vetëm dyzet ditë, aq sa e patën adhuruar edhe viçin. Në Ditën e Gjykimit do të dalin para Zotit të gjitha çështjet.


  30. Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në Dorën Tënde, vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë”!

  31. Ti e bën që nata të futet në ditë dhe dita të futet në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pamasë atë që do!

  32. Besimtarët të mos miqësohen me jobesimtarët, e t’i lënë anash besimtarët. E kush e bën atë, ai në fenë e Allahut nuk ka kurrfarë të drejte (hiseje dhe është larg mëshirës së Allahut), përveç nëse kihet si qëllim ruajtja prej të keqes së tyre. Allahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij, pse vetëm tek Allahu është e ardhmja.

  33. Thuaj: “Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja ose e publikoni, Allahu e di atë, Ai di gjithçka ka në qiej e çka në tokë; Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.

  34. (Përkujtoni dhe kini frikë) Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vetes atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). Allahu ju tërheq vërejtjen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë Allahu është shumë i Butë ndaj robërve.

  35. Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është Shumë falës, Mëshirues i madh.

  36. Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do jobesimtarët!”[33]

  37. [33] Në ajetet e para u argumentua, se Zoti është një, se Muhamedi është i Dërguar i Tij, se e vetmja fe e drejtë është Islami, e në këto ajete vërtetohet se çdo çështje është në Dorën e Zotit, Ai lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë, prandaj si Pejgamberi a.s. ashtu edhe besimtarët duhet t’i drejtohen për ndihmë vetëm Atij, duke forcuar kështu bindjen e besimit në radhët e besimtarëve. Të futurit e natës në ditë dhe të ditës në natë do të thotë: marrja e njërës prej tjetrës, zgjatja e njërës në tjetrën gjatë ndryshimit të stinëve. Në këtë fenomen sytë e zemrës së njeriut gati e shohin Dorën e Allahut tek i vë në lëvizje trupat qiellorë, duke e ndriçuar vendin e errët, kurse të ndritshmin e errëson. Këtë nuk mund ta bëjë njeriu. Kjo nuk ndodh rastësisht. Këtë qarkullim të padukshëm e dirigjon Dora e Fuqiplotit, e Krijuesit, e Mëshiruesit. E tillë është edhe çështja e jetës dhe e vdekjes. Për çdo moment nëpër të cilin kalon i gjalli, vdekja bën një hap përpara. Ky është një sinjal për mendjen e njeriut, që di të mendojë.
    Miqësia me të tjerët është e lejuar në raste të nevojshme, por me kusht që ajo të mos shkojë në dëm të palës së vet besimtare. Qëllimet dhe motivet Zoti i di. Pendimi në Ditën e Kijametit për veprën e keqe është i kotë, për të duhet penduar sa jemi gjallë. Sinqeriteti i besimit ndaj Allahut manifestohet nëpërmjet zbatimit të traditës së Pejgamberit a.s., i cili është kumtues dhe sqarues i porosive të Tij.


  38. Allahu e zgjodhi (pejgamber) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt e tjerë (të asaj kohe),

  39. që janë pasardhës njëri prej tjetrit. Allahu është Dëgjues i çdo gjëje dhe është i Gjithëdijshëm.

  40. (Përkujto) Kur gruaja e Imranit pat thënë: “Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vërtet Ti je Dëgjuesi (i lutjes sime), i Gjithëdijshmi (e di qëllimin tim)”.

  41. E kur ajo e lindi tha: “Zoti im, unë e linda femër”! Po Allahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”.

  42. Zoti i saj e pranoi premtimin e saj, ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e vuri nën kujdesin e Zekirjasë. Sa herë që hynte Zekirjaja në mihrabin (dhomën) e saj, gjente tek ajo ushqim e thoshte: “Oj Merjeme, prej nga ty ky ushqim”?- Ajo i thonte: “Ai është nga Allahu, se Allahu atë që do pa masë e furnizon”!

  43. Aty në atë moment Zekirjaja e lut Zotin e tij e thotë: “Zoti im, më fal edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je Pranues i lutjes”!

  44. E duke u falur ai në faltore engjëjt e thërrasin: “Allahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga Allahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit”!

  45. Ai (Zekirjaja) tha: “Zoti im, si mund të kem unë djalë kur mua më ka arritur pleqëria dhe shoqja ime është sterile”?- Tha (Allahu): “Kështu, Allahu punon çka të dojë”!

  46. Ai (Zekirjaja) tha: “Zoti im më jep mua një shenjë”! Shenja e jote - tha Ai - është që tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, vetëm se me gjeste (mimikë), e ti përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje mbrëmje e mëngjes”![34]

  47. [34] Dashuria e Zotit nuk arrihet ndryshe, por vetëm duke i dëgjuar dhe duke i respektuar të dërguarit e Tij, sepse ata janë të zgjedhur e të dalluar dhe gëzojnë vend të lartë tek Zoti. Këtu përmendet Ademi, njeriu dhe Pejgamberi i parë, Nuhu babai i dytë i njerëzimit, familja e Ibrahimit, babait të pejgamberëve, prej të cilit rrjedh edhe Pejgamberi ynë, familja e Imranit, babait të Merjemes prej së cilës lindi Isai.
    Në vazhdim të këtyre ajeteve përmenden ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat argumentojnë për fuqinë e pakufishme të të madhit Zot, si: lindja e Merjemes, e Jahjasë dhe e Isait. E më e theksuar është ajo e familjes Imran, e tërë kaptina titullohet me këtë titull: Ali Imran. Të kuptojmë, se edhe i ati i Musait është quajtur Imran.
    Lindja e Merjemes edhe pse ishte e natyrshme, premtimi - nedhri i së ëmës së saj ishte shumë i rëndësishëm, sepse edhe pa e lindur, atë fëmijë ia fali tempullit fetar, respektivisht e cakton në shërbim të Zotit. Ajo një herë pikëllohet, përse lindi femër, sepse femra nuk do të mundte t’i shërbente tempullit, sipas kuptimit të saj, por Zoti xh. sh. i thotë, se mashkullin që ka dëshiruar, nuk është si kjo femër, roli dhe rëndësia e saj do të jetë shumë më e madhe, sepse nuk është puna se ajo do t’i shërbejë tempullit, ajo do t’i shërbejë një kauze më të madhe, do t'i shërbejë besimit, imanit derisa të ekzistojë kjo jetë. Ajo do ta lindë Isain pa babë, e mu aty manifestohet fuqia e Zotit, fuqia e pavarur nga shkaqet, e që do të thotë: Ai që e krijon sendin nga shkaku Ai gjithsesi ka mundësi ta krijojë atë send edhe pa atë shkak, pse Ai është krijues edhe i shkakut. Kur sheh Zekerija te Merjemja ushqim që nuk ia kishte sjellë ai vetë, ndërsa çelësin e dhomës e mbante ai, u habit e i tha: Prej nga ky ushqim?- Ajo iu përgjigj, duke i thënë: nga Zoti Fuqiplotë, atëherë imani i Zekerijas u zgjua edhe më tepër për fuqinë e Zotit në krijimin e sendeve pa kurrfarë shkaku dhe kërkoi t’ia falë edhe atij një djalë jashtë kushteve të rregullta, sepse ai dhe bashkëshortja e tij kishin hyrë shumë thellë në pleqëri, dhe Zoti i fali Jahjanë. Zekerija në ato tri ditë të caktuara ishte i paaftë të flasë me njerëzit, por ishte i aftë ta përmendë Zotin dhe t’i bëjë tesbih. Edhe kjo ishte një mrekulli prej Zotit.


  48. Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet e hebrejve) dhe të lartësoi mbi gratë e botës”.

  49. “Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bëj sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen”!

  50. “Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme), që po t'i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet, se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre, as kur ata ziheshin mes vete”.

  51. Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në Dunja e Ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit),

  52. E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve, e edhe si i rritur, e që është nga të përsosurit.

  53. Ajo tha:”Zoti im, si mund të kem unë djalë, e mua s’më ka prekur njeri (nuk jam e martuar)”? Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu, Allahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”.

  54. Ai (Allahu) ia mëson atij librin (besimin), urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin,

  55. Dhe (do ta bëjë) të dërguar te Bijtë e Israilit (që do t’u thotë): “Unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diçka si shpendi, i fryj atij dhe ai me lejen e Allahut bëhet shpend, unë i shëroj të verbrit, të sëmurit në lëkurë nga lebroza, dhe unë me lejen e Allahut i ngjall të vdekurit: unë ju tregoj për atë që hani dhe për atë që depozitoni në shtëpitë tuaja. Vërtet, ky është fakt për ju, nëse jeni besimtarë.

  56. Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin, që keni para duarsh, t'ju lejoj disa gjëra që iu ishin ndaluar juve, kam ardhur me argument nga Zoti juaj, pra kini frikë Allahun dhe më dëgjoni mua,

  57. se vërtet Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë; kjo është rrugë e drejtë!”[35]

  58. [35] Pas tregimit për lindjen e Jahjasë nga një plak e një plakë të shtyrë në moshë, gjë që sipas rregullave të natyrës ishte rast i jashtëzakonshëm, Kurani na rrëfen për një rast edhe më të jashtëzakonshëm, për lindjen e Isait pa babë. Me këtë refuzon bindjet e gabuara rreth Isait, të cilat në atë kohë mbretëronin. Përmendet se atë e lindi Merjemja, se ai ishte foshnjë në djep, se i thirri njerëzit në besim edhe kur ishte në moshë të vogël, e të gjitha këto dokumentojnë, se ai ishte pejgamber dhe njeri, e jo zot. Merjemja është gruaja më e lavdishme në përgjithësi nga gratë e botës, sepse asnjë grua në botë nuk ka përjetuar një lindje si ajo. Isai quhet edhe “fjalë”, sepse ishte i krijuar me dëshirën e Zotit nëpërmjet fjalës “kun” (bëhu). Fjala “Mesih” është epitet i Isait e do të thotë: i pamëkat, i bekuar. Të folurit e Isait si foshnje në djep, përveç që ishte mrekulli, kishte si qëllim mbrojtjen e nderit të nënës nga shpifjet, që i bënin jehuditë.
    Këtu janë përmendur katër mrekulli të Isait: shpezët nga balta, shërimi i të verbërve dhe të sëmurëve nga lebroza, ngjallja e të vdekurve dhe lajmërimi për ushqimin e ngrënë dhe të depozituar. Isai i thërret njerëzit të besojnë po atë Zot, të cilin e besonte edhe vetë, dhe u jepte të kuptojnë se ai (Isai) nuk ishte zot, ajo ishte rrugë e gabuar, rruga e drejtë është besimi në një Zot xh. sh..


  59. E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta vrasin) tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut”? Havarijjunët thanë: “Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne, se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar)”!

  60. Zoti ynë, ne e besuam atë që e zbrite (shpalljen), e pasuam të dërguarin (Isain), pra shënona bashkë me ata që dëshmojnë (besimin e drejtë)"!

  61. E ata (jehuditë) i thurën një komplot (vrasjen e Isait), e Allahu thuri komplot kundër tyre. Allahu është më i miri kundër atyre që thurin dredhi.

  62. (Përkujto, o i dërguar) Kur Allahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngrej tek Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t'i ngrej lart mbi ata që nuk besuan deri në Ditën e Kijametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, e Unë gjykoj mes jush për atë që kundërshtoheshit”.

  63. Për sa u përket atyre që nuk besuan, Unë do t’i ndëshkoj me një ndëshkim të ashpër në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata nuk do të kenë ndihmëtarë.

  64. E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u jap shpërblim të plotë. Allahu nuk i do jobesimtarët.

  65. Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, janë nga Kurani i pa të meta (i rezistueshëm ndaj të pavërtetës).

  66. Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu”!- ai u bë.

  67. E vërteta është (kjo) nga Zoti yt, e ti kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë.

  68. E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve”.

  69. S’ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut. Vërtet Allahu është Ai, i Plotfuqishmi, më i Urti.

  70. E nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), ata janë ngatërrestarë, për të cilët Allahu është plotësisht i Njohur.[36]

  71. [36] Ajetet e mësipërme flasin për lindjen e Isait, për argumentet që dëshmuan qartë, se ai ishte i Dërguar i Zotit. Mirëpo, megjithatë, shumica e Beni Israilëve nuk e besuan, përkundrazi ata vendosën ta vrasin, por Allahu e shpëtoi prej sherrit të tyre, e në vend të Isait ata e mbytën tradhtarin. Në kaptinën: “En-Nisaë” në ajetin 157 flitet për atë se nuk e mbytën Isain...
    (besimtarët e sinqertë - zemërbardhët) ishin shokë të Isait, ashtu siç ishin sahabët e Pejgamberit tonë, a.s.
    Çështja e lindjes së Isait, nuk ishte më e jashtëzakonshme se ajo e Ademit. Ky njëmend u lind pa baba, por Ademi u lind pa asnjërin nga prindët, prandaj thuhet se kanë një ngjashmëri në krijim, për sa i përket manifestimit të fuqisë së Zotit. Zoti xh. sh. i thotë Pejgamberit a.s.: nëse nuk të besojnë për këtë që po të rrëfej Unë, thuaju ejani të tubohemi me tërë familjet tona e të juajat në një vend dhe ta lusim Zotin ta mallkojë gënjeshtarin. Pejgamberi a.s. u tha dhe doli me familjen e vet; me Hysenin në grykë, Hasanin për dore, Fatimen pas tij, e Aliu pas. Mirëpo kundërshtarët nuk patën guxim të dalin, pse e dinin se ata vetë ishin gënjeshtarë. Me atë rast u dokumentua, që Muhamedi vërtet ishte i Dërguar i Zotit, por ata nuk donin ta pranonin, e megjithatë i ikën mallkimit, por dështuan keq.


  72. Thuaju (o i dërguar): “O Ithtarë të Librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë, që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos i bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos Allahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!”

  73. (madje thuaju): “O Ithtarë të Librit, pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk janë shpallur, as Tevrati, as Inxhili, vetëm se pas tij?! A nuk e kuptoni (gënjeshtrën tuaj)”?

  74. Ja, ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain), e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)! Allahu e di të vërtetën e ju nuk dini.

  75. Ibrahimi nuk ka qenë, as jehudi, as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.

  76. Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (umeti i këtij). Allahu është Mbrojtës i besimtarëve.

  77. Një grup nga Ithtarët e Librit kishin dëshirë t’u shpiejnë në rrugë të gabuar, por ata nuk mashtrojnë tjetër pos vetes së tyre, dhe nuk e vërejnë.

  78. O Ithtarë të Librit, përse nuk i besoni ajetet (Kuranin) e Allahut, e duke e ditur të vërtetën?

  79. O Ithtarët e Librit, përse duke qenë se ju e dini të vertetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe e fshihni realitetin?

  80. Një grup nga Ithtarët e Librit iu thanë (të vetëve): “Besoni paradite në atë që iu është zbritur atyre që besuan (muslimanëve), e pasdite mos e besoni, e ndoshta edhe ata (muslimanët), do të zmbrapsen (nga besimi i tyre)”.

  81. Dhe (u thonin): “Mos i besoni askujt përveç atij që është në fenë tuaj”! Thuaj (o i dërguar): “I vetmi udhëzim është udhëzimi nga Allahu”! (u thonin të vetëve mos besoni nga droja) Se po i jepet ndokujt (pejgamberllëku) sikurse iu është dhënë juve dhe (nga droja) se t’ju paraqesin fakte (muslimanët) para Zotit tuaj (Ditën e Gjykimit). Thuaju: “E tërë e mira është në Dorë të Allahut, Ai ia jep atë kujt të dojë; Allahu është Dhurues i gjerë, i Gjithëdijshëm”.

  82. Ai veçon me mëshirën e vet (me pejgamberi) kë të dojë. Allahu është Zot i mirësisë së madhe.[37]

  83. [37] Meqë Kurani solli argumente dhe asgjësoi idenë mbi hyjninë e Isait, i thirri që të dy grupet ithtare të librit që edhe ata ta besojnë Zotin një, të jenë të njëjtë dhe të barabartë me muslimanët, pra i thirri të orientohen në besimin që e praktikoi babai i pejgamberëve Ibrahimi, besimin e pastër vetëm në një Zot të madhëruar.
    Të dy grupet ithtarë të librit, trilluan mendime, gjoja se Ibrahimi i takoi fesë së tyre, jehude ose krishtere. Kurani vuri në pah se Ibrahimi ishte pejgamber i hershëm, ishte shumë para Tevratit dhe para Inxhilit, e nuk ishte as i fesë jehude as i fesë krishtere, e as i asaj idhujtare, por ai ishte monoteist i vërtetë. Derisa trillimet e tyre rreth Ibrahimit nuk dhanë kurrfarë rezultati, ithtarët e librit, gjegjësisht, jehuditë, u sollën me një mënyrë tjetër t’i kundërvihen Muhammedit dhe fesë së Tij. Disa u thanë të vetëve: publikoni gjoja se keni pranuar fenë islame, e pas pak kohe, sikurse nuk gjetët kurrfarë kënaqësie në te, refuzojeni dhe braktiseni, ashtu që të krijoni njëfarë hutie ndër besimtarë të dobët nga radhët e muslimanëve. Madje u thonin ithtarëve të vet: mos i besoni askujt tjetër e të tregoni se çka shkruan Tevrati për Muhammedin a.s., sepse nëse tregohet e vërteta, pejgamberllëku po kalon te Muhammedi, te arabët, e nuk po mbetet te ne, në anën tjetër, muslimanët do të na mundin me argumente para Zotit në Ditën e Kijametit, pse ne po e fshehim realitetin. Zoti i thotë Muhammedit a.s. që të mos ngushtohet për trillimet e tilla, sepse Ai shpie në rrugë të drejtë ata që do dhe e dërgon pejgamber ke të dojë.


  84. Ndër Ithtarët e Librit ka asish, që po ia besove një sasi të madhe (ari), ai ta kthen ty atë, por ka të atillë që po ia besove një dinar, ai nuk ta kthen ty atë, përveç nëse gjithnjë i rri gati (ia kërkon vazhdimisht). Këtë (e bëjnë) për arsye se ata thonin: “Ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie ndaj (pasurisë që iu marrim) të paditurve (arabëve analfabetë)”. Pra, duke e ditur të vërtetën, ata bëjnë gënjeshtër ndaj Allahut.

  85. Jo, (nuk është ashtu si thonë ata) po kush e përmbush amanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, Allahu i do ata që ruhen.

  86. Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në Ditën e Kijametit Allahu nuk iu flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm.

  87. Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre, kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin), ashtu që ju të mendoni, se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga Allahu”! Po ajo nuk është nga Allahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për Allahun.

  88. S’është e drejtë as nuk i takoi asnjë njeriu, që t'i ketë dhënë Allahu librin, urtësinë dhe pejgamberinë, e pastaj ai t'u thotë njerëzve: "Bëhuni robër të mi (më adhuroni mua) e jo të Allahut”! Por (ju thotë): “Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, sepse u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë”;

  89. dhe as që ju urdhëron ai (pejgamberi), që t'i adhuroni engjëjt, as pejgamberët për zota. Vallë, a ju urdhëroi ai juve mosbesimin pasi që ju jeni muslimanë?![38]

  90. [38] Në këto ajete Allahu na tregon për disa vese të posaçme të një pjese të jehudive, si në pikëpamje të tradhtisë së tyre në lëmin e pasurisë, ashtu edhe në lëmin e fesë.
    Duke konsideruar veten si popull të privilegjuar, pasurinë e të tjerëve, e posaçërisht të atyre që nuk kishin pasur më parë libër, siç ishin arabët e konsideronin të tyre, dhe nuk e ndienin veten të obliguar t’ua kthenin atyre që ua kishin marrë si amanet. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Po gënjejnë këta armiq të Allahut, s’ka asgjë nga koha e injorancës, që nuk është nën këto dy këmbët e mia, me përjashtim të amanetit, ai duhet kthyer të zotit, i mirë qoftë ai (i zoti) ose i keq!" Me këtë kuptohet, se amaneti nuk ka pasur ndryshim. Për sa i përket tradhtisë së tyre në fe, ata kur lexonin Tevratin, përdredhnin gjuhët e tyre duke thënë fjalë të tjera, që ishin kundër Fesë Islame, e thonin se janë thënie të librit të shenjtë. Pra shpifnin edhe kundër Zotit. Arabët idhujtarë adhuronin edhe engjëjt, jehuditë adhuronin Uzejrin, e disa të krishterë Isain. Këtë rrugë të gabuar Kurani e sqaroi duke iu thënë, se asnjë pejgamber nuk ka kërkuar nga populli, e as që ka lejuar të adhurohet ai në vend të Zotit. Prandaj, përulja, sexhdeja nuk është e lejuar ndaj askujt tjetër përveç ndaj Zotit.


  91. Përkujtoni (o Ithtarë të Librit) kur Allahu mori zotimin e pejgamberëve: Nga ajo, se juve ju dhashë libër e urtësi, ju patjetër do ta besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas juve, e që vërteton atë që ju keni pranë vetes. Tha (Allahu): “A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim”? Ata thanë: “Ne e pranuam”!- Tha (Allahu): “Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”!

  92. E kush shkel e këtë (zotim) pas kësaj, ata janë jashtë respektit ndaj Allahut.

  93. A mos kërkojnë ata (Ithtarët e Librit) fe, pos fesë së shpallur nga Allahu? E Atij i është dorëzuar gjithçka ka në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje dhe tek Ai kthehen.

  94. Thuaj: “Ne i kemi besuar Allahut, edhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”.

  95. E kush kërkon fe tjetër përveç Fesë Islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është prej të humburve.

  96. E si ta udhëzojë Allahu një popull që pas besimit të tyre u bënë jobesimtarë dhe pasi dëshmoi, se i dërguari është i vërtetë, dhe pasi t’ju kenë ardhur atyre argumente të qarta? Allahu nuk ia mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqarë.

  97. Ndëshkimi i të tillëve është: mallkimi nga Allahu, nga engjëjt dhe nga të gjithë njerëzimi tok,

  98. ata përgjithmonë janë në të (në zjarr), atyre as nuk ju lehtësohet dënimi dhe as nuk iu jepet afat,

  99. përveç atyre që pas asaj u penduan dhe u përmirësuan. Vërtet, Allahu është Shumë falës dhe Mëshirues i madh.

  100. Ata, që pas besimit të tyre u bënë jobesimtarë, e pastaj e shtuan mosbesimin, atyre kurrsesi nuk do t’u pranohet pendimi. Të tillët janë mu ata të humburit.

  101. Ata që nuk besuan dhe vdiqën si jobesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe ta kenë plot faqen e dheut me ar. Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.[39]

  102. [39] Allahu vërtetoi se ka marrë zotimin prej të gjithë pejgamberëve, se do t’i besonin Muhamedit a.s. sikur ta arrinin me jetë, se do të jenë ithtarë dhe ndihmëtarë të tij. Derisa prej pejgamberëve është marrë zotimi që ta besojnë dhe ta lajmërojnë ardhjen e tij, edhe ithtarët e tyre Ithtarët e Librit janë të obliguar ta besojnë, e jo ta përgënjeshtrojnë. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar, ose për ta ndërruar ndonjë pjesë të librit të shenjtë ishin të kota. Besimi ndaj të gjithë pejgamberëve është kusht për të qenë besim i drejtë, i vërtetë dhe i pranishëm te Zoti.
    Tek Allahu nuk është i pranishëm asnjë besim tjetër përveç këtij Islam, sepse Ai nuk shpalli fe tjetër. Të gjithë pejgamberët patën po këtë besim. Ky është besim edhe i çdo qenie a sendi në botë. Pendimi dhe përmirësimi i gjendjes në të mirë është i pranuar te Zoti xh. sh..


  103. Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çfarëdo që të jepni (për Zotin), Allahu atë e di.

  104. I tërë ushqimi ishte i lejuar për Bijtë e Israilit, përveç atij që Israili (Jakubi) para se të zbriste Tevrati ia ndaloi vetes. Thuaju: “Silleni pra një Tevrat dhe lexojeni atë, nëse jeni të vërtetë (në çka thoni),

  105. e ai që edhe pas kësaj shpif gënjeshtra kundër Allahut, ata vërtet janë mizorë”.

  106. Thuaj: “Allahu e tha të vërtetën, pra ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit, sepse ai nuk i takonte idhujtarëve”.

  107. Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo në Bekë (Mekke), e begatshme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin,

  108. aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush mohon (obligimin e haxhit le ta dijë se) Allahu është i Pavarur dhe nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit.[40]

  109. [40] Pasi u vërtetua se çdo orvatje tjetër për ta shpëtuar njeriu veten në botën e përjetshme, pos besimit të drejtë islam është e kotë, Kurani i udhëzon besimtarët, që të jenë shumë të sinqertë dhe kur është nevoja për ta ndihmuar rrugën e Zotit, mos t'u dhimbset asgjë, sepse duke dhënë pasurinë më të dashur, ata shprehin ndjenjën e sinqeritetit, shpërblim i të cilit është xheneti. Për shkak të keqpërdorimit të të mirave të Zotit, për kokëfortësinë dhe sjelljen arrogante të Beni Israilëve, Zoti, si masë ndëshkimi kundër tyre ua ndaloi disa nga ushqimet e lejuara. Jehuditë e kohës së Muhamedit a.s. thonin, se ndalesa e atyre ushqimeve nuk ishte si masë ndëshkimi, por ishte e kahershme, masë prej se ka zbritur Tevrati. Sipas Kuranit në Tevrat ishte shënuar vetëm ai ushqim, të cilin Jakubi ia kishte ndaluar vetes (mishi dhe qumështi i deves) e jo edhe ndalesat e tjera, të cilat ishin si pasojë e ndëshkimit. Për ta vërtetuar realitetin Pejgamberi a.s. kërkoi prej tyre t’ia sjellin Tevratin, por jehuditë i ikën të vërtetës, dhe nuk ia sollën. Ata mbetën të demoralizuar, sepse u kuptua gënjeshtra e tyre. Me fjalën “Israilu” nënkuptohet Jakubi a.s.
    E para faltore në fytyrën e tokës e ndërtuar për njerëz është Qabja. Ibrahimi i ngriti themelet e saj. Derisa thuhet: për njerëz, e njerëz pati edhe para Ibrahimit, atëherë ky vetëm i vazhdoi themelet. Vende të rëndësishme aty, përveç vendit të Ibrahimit janë: Zemzem, Hatimë, Haxheri Esved, Safa, Merve, si dhe siguria e paqa, që janë karakteristike për Qaben dhe rrethin e saj - haremin.
    “Bekke” ndoshta është quajtur vetë vendi i Qabes, e Mekke qyteti, ose anasjelltas. Në këto ajete sqarohen, e njëkohësisht edhe refuzohen dy përpjekje të Ithtarëve të Librit me të cilat donin ta venin në dyshim qëndrimin e Muhamedit:
    thua se e ndjek fenë e Ibrahimit, e në të vërtetë, ti e kundërshton, përse e bën të lejuar mishin dhe qumështin e devesë, që për Ibrahimin ka qenë haram - këtë e sqaron ajeti 93.
    Xhamia Aksa - Bejtul Mukaddesi ishte e para faltore, pejgamberët u falën nga ajo, e ti e le atë e u ktheve nga Qabja, e madje thua se jam vërtetues i mësimeve të pejgamberëve të mëparshëm. Edhe këtë e sqaron ajeti 96.


  110. Thuaj: “O Ithtarë të Librit, përse i mohoni ajetet (argumentet) e Allahut”? E Allahu është Dëshmitar i asaj që veproni.

  111. Thuaj: “O Ithtarë të Librit, përse e pengoni atë që besoni nga rruga e Allahut, duke u angazhuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërsa vetë ju, jeni dëshmues se është e vërtetë! Veprimi juaj nuk mund t’i shmanget mbikëqyrjes së Allahut.

  112. O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre, që iu është dhënë libri, ata pas besimit tuaj do t’ju kthejnë në mosbesimtarë.

  113. Si bën të mos besoni, kur juve janë duke iu lexuar (duke iu shpallur) ajetet e Allahut dhe kur në mesin tuaj gjendet i Dërguari i Tij? E kush i përmbahet fesë së Allahut, ai pa dyshim është i udhëzuar në rrugën e drejtë.

  114. O ju që besuat, kini frikë Allahun me një frikë të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!

  115. Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit Fenë Islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij u bëtë vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta, që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.[41]

  116. [41] Në këto disa ajete Kurani iu drejtohet Ithtarëve të Librit, duke iu dhënë të kuptojnë, se përpjekjet e tyre për të shkaktuar dyshim në të vërtetat e fesë së shpallur prej Zotit janë të kota, dhe se devijimet që përpiqen t’i bëjnë në librat e shenjta, nuk mund t’i shmangen dijes së Zotit. U drejtohet edhe besimtarëve muslimanë, sepse në Medinën e atëhershme fiset më të mëdha dhe më të njohura ishin Evs dhe Hazrexh. Para se ta pranonin Fenë Islame kishin qenë gjithnjë në gjak ndërmjet vete. Me pranimin e Fesë Islame Pejgamberi arriti t’i bashkojë dhe t’i vëllazërojë ndërmjet vete. Mirëpo ndërsa këta thuajse bënin fuqinë kryesore të bashkësisë islame në Medine, jehuditë i mundoi bashkimi i tyre, prandaj u përpoqën t’i përçajnë dhe në një rast i luhatën marrëdhëniet ndërmjet tyre, por Pejgamberi a.s. me të shpejtë arriti t’i mënjanojë intrigat e jehudive dhe të vendosë unitetin në mesin e tyre. Kurani i tërheq vërejtjen myslimanëve, që të jenë të vetdijshëm për rrezikun, që mund t'ua sjellin armiqtë, nëse iu vënë veshin e bindjes intrigave të tyre.

  117. Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.

  118. E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh,

  119. në ditën kur ka fytyra që zbardhen dhe ka fytyra që nxihen. E për sa u përket atyre fytyrave që janë nxirë (u thuhet): “A edhe pas besimit tuaj ju u bëtë jobesimtarë? Vuajeni pra dënimin, për shkak se ishit që nuk besonit”!

  120. Ndërsa atyre që fytyrat e tyre u janë zbardhur, ata janë në mëshirën (xhenetin) e Allahut dhe aty janë përgjithmonë.

  121. Ja, këto që po t’i lexojmë ty janë argumentet e sakta të Allahut. E Allahu nuk është ai që e do padrejtësinë për njerëz.

  122. Të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe vetëm tek Allahu kthehen çështjet.

  123. Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun. E sikur Ithtarët e Librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.

  124. Ata kurrsesi nuk mund t’ju sjellin ndonjë dëm juve, përveç ndonjë shqetësimi, po edhe në ju luftofshin, ata do të zmbrapsen prej jush. Mandej ata nuk janë të ndihmuar.

  125. Atyre (jehudive) iu është vënë njolla e nënçmimit kudo që të gjenden, vetëm nëse kapen për litarin (fenë) e Allahut dhe kthehen në besën e njerëzve (të muslimanëve), ata kanë shkaktuar kundër vetes hidhërimin e Allahut, prandaj atyre iu është shtuar shtypja e mjerimi. Këtë, për shkak se ata i mohonin argumentet e Allahut, i vrisnin mizorisht pejgamberët, dhe për shkak se kundërshtonin (udhëzimet e Zotit) dhe tejkalonin (çdo normë njerëzore).[42]

  126. [42] Dijetarët dhe njerëzit autoritativë janë të detyruar nga Zoti ta udhëheqin masën në rrugë të drejtë, ta këshillojnë për punë e sjellje të mira dhe ta pengojnë prej të këqijave. Muslimanët nuk duhet të ndahen në grupe e të përçahen, as në çështje të fesë, e as të jetës siç bënë Ithtarët e Librit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush largohet prej bashkësisë vetëm sa një pëllëmbë, atij i hiqet prej qafe kresha (simboli) Islam!”
    Zbardhja ose nxirja e fytyrave do të jetë në Ditën e Kijametit. Kur u prezentohen njerëzve veprat e tyre, nga gëzimi për vepra të mira atyre ju shndrisin fytyrat, ndërsa nga dëshpërimi për veprat e këqija iu nxihen. Umeti i Muhamedit a.s. është umeti më i dobishëm për mbarë njerëzinë, sepse është i obliguar të mbajë drejtësinë, si në çështjet e jetës materiale e fizike, ashtu edhe në jetën shpirtërore. Nuk favorizon asnjërën në dëm të tjetrës, siç është vepruar te popujt e mëparshëm. Eshtë umeti më i mirë, sepse Pejgamberi i tij a.s. është mëshirë për të tërë botën. Për shkak të sjelljeve të shëmtuara, Allahu i ka dënuar jehuditë të jenë të nënshtruar, të poshtëruar e të shtypur edhe në këtë jetë. E, derisa Allahu i ka përbuzur ata janë të përbuzur edhe prej njerëzve të botës.


  127. Ata (Ithtarët e Librit) nuk janë të njëjtë. Nga Ithtarët e Librit ka që janë në rrugë të drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur,

  128. i besojnë Allahut dhe Ditës së Gjykimit, këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të këqijat, përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve.

  129. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. Allahu është i Gjithëdijshëm për të devotshmit.

  130. S’ka dyshim se atyre që nuk besuan, nuk do t’u bëjnë dobi ndaj (dënimit të) Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banues të zjarrit dhe aty janë përgjithmonë.

  131. Shembulli i shkatërrimit të asaj që ata (mosbesimtarët) e japin në këtë jetë (për t'u lavdëruar e për t’u përmendur) është si i një ere me breshër, që godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli, që e ka lëshuar rrugën në dëm të vetes. Allahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i bënë të padrejtë vetes së vet.

  132. O ju që besuat, mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, u dëshirojnë çka ju mundon juve. Urrejtja kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjoksat e tyre është edhe më e madhe. Ne pra, ua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni.

  133. Ja, ju (muslimanë) jeni që i doni ata, e ata nuk u duan juve. Madje ju i besoni librat në tërësi (të gjitha shpalljet), e kur ju takojnë thonë: “Ne kemi besuar”! E kur veçohen, ata nga mllefi kundër jush kafshojnë majat e gishtërinjve.Thuaju: “Vdisni me atë mllef tuajin”! Allahu është i Gjithëdijshëm për atë se çka mbajnë (të fshehtat) zemrat e tyre.

  134. Nëse ju përjetoni ndonjë të mirë, ata i dëshpëron ajo, e nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (prej mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak. Është e sigurt, se Allahut nuk mund t’i ikën ajo që punojnë ata.[43]

  135. [43] Ithtarët e Librit nuk ishin njësoj; disa prej tyre nuk u larguan prej rrugës së drejtë, besuan Zotin një, shpalljet, të dërguarit, Ditën e Gjykimit dhe jetën e tyre e orientuan sipas shpalljes dhe pejgamberit të fundit. Allahu nuk i humb mundin askujt, por veprat që kryhen sa për sy e faqe, e jo për hir të Zotit, ato janë të gjykuara të shkatërrohen, porsi të mbjellat e një populli, i cili ka lëshuar rrugën, të cilat i shkatërron breshëri si masë ndëshkuese kundër fajit të tyre. Muslimanëve iu tërhiqet vërejtja, që kurrsesi të mos mashtrohen e të miqësohen me tradhtarët, sepse ata kurrë nuk ua dëshirojnë të mirën.

  136. Përkujto (O i dërguar) kur dole nga familja jote që t’ua përcaktosh besimtarëve vendet për luftë, e Allahu është Dëgjues (i fjalëve) dhe i Gjithëdijshëm.

  137. Kur dy grupe prej jush gati u treguan të dobëta, po Allahu ishte që iu ndihmoi atyre (që të mos largoheshin), prandaj besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut.[44]

  138. [44] Lufta që u përmend në këto ajete ishte ajo në “Uhud”, që ndodhi në vitin e tretë të Hixhres dhe rreth gjashtëdhjetë ajete në vazhdim bëjnë fjalë për atë luftë. Uhud quhet një kodër rreth pesë kilometra larg Medinës. Pas disfatës që një vit më parë patën idhujtarët në Bedr, vendosën që atë vit të hakmerren kundër muslimanëve. Tre mijë idhujtarë me në krye Ebu Sufjanin u vendosën në Uhud. Muslimanët ishin njëmijë kur dolën prej Medinës, mirëpo meqë treqind tradhtarë në krye me Ibni Ubejen kthehen, mbetën shtatëqind. U luhatën edhe dy grupe të tjera, Benu Seleme i fisit Hazrexh dhe Benu Harith i fisit Evs, po ata nuk u kthyen. Në mesin e këtyre ajeteve vijuese flitet edhe për ndihmën e Zotit, që u pat dhuruar muslimanëve në Bedr, ashtu që të përkujtojnë të mirat. Edhe më parë Zoti iu pat tërhequr vërejtjen muslimanëve për rrezikun, që iu kanoset prej hipokritëve, e në këtë luftë ai rrezik shprehet në mënyrë praktike, ngase përveç munafikëve, gati u kthyen edhe dy grupe besimtarësh. Më gjerësisht për këtë dhe luftrat e tjera flet historia.

  139. Allahu ju ndihmoi juve në Bedër, kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti.

  140. Kur ti ju thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju, që Zoti juaj t'ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur"?

  141. Gjithsesi nëse tregoheni të qëndrueshëm dhe ruheni (nga mospërfillja e të dërguarit), e ata (armiqtë) t'ju vijnë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të dalluar me shenja.

  142. E atë (ndihmë) Allahu nuk e bëri për tjetër, por vetëm për t’iu gëzuar dhe me atë të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej Allahut, Ngadhënjyesit, më të Urtit.

  143. (U ndihmoi) Që ta këpusë një grup nga ata që nuk besuan (duke i vrarë a zënë robër), ose për t’u shkaktuar disfatë dhe ashtu të kthehen të dështuar.

  144. Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes, se a do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë.

  145. Vetëm e Allahut është gjithë çka në qiej e në tokë, Ai i fal atij që do dhe Ai e dënon atë që do. Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues i madh.

  146. O ju që besuat, mos e hani kamatën, që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut, ashtu që të gjeni shpëtim!

  147. Dhe ruajuni zjarrit, që është përgatitur për jobesimtarët!

  148. E bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni!

  149. Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit,

  150. të cilët japin kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.

  151. Edhe ata që kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar, ose i bëjnë zullum vetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre - e kush i fal mëkatet përveç Allahut? - dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).

  152. Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhenetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë.[45]

  153. [45] Në luftën e Bedrit Allahu i ndihmoi besimtarët, edhe pse ishin më pak në numër ata fituan. Ndihma e Zotit ishte duke i udhëzuar, që të jenë të qëndrueshëm, të jenë të ruajtur prej gabimeve, e edhe duke u dërguar melek për t'i forcuar e stabilizuar me moralin e tyre luftarak. Ndihma e Zotit është e kushtëzuar, ashtu që besimtarët duhet të jenë respektues të urdhrave të Zotit dhe të këshillave të Pejgamberit a.s.. E derisa në luftën e Uhudit nuk u përfill porosia e Pejgamberit a.s. nga një grup i ushtrisë së besimtarëve, e as komanduesit të tyre, si rrjedhim i mospërfilljes së porosisë muslimanët patën shumë viktima. Ndryshimi i gjendjes mes luftës në Bedr dhe luftës në Uhud ishte urtësi e lartë e Zotit, andaj Muhamedit a.s. i thuhet, se nuk është punë e juaj, është vetëm e Allahut, Pronarit të qiejve e të tokës. Muslimanët janë të porositur, që të mos lakmojnë pas pasurisë, sikurse lakmoi ai grup i ushtrisë islame në Uhud. Lufta në fillim ishte në duart e muslimanëve, mirëpo kur panë se armiku u thye, ata u vërsulën pas presë së luftës duke e thyer këshillën e Pejgamberit a.s., prandaj edhe pësuan disfatë. Prandaj edhe kur nuk janë në luftë, muslimanët nuk duhet të lakmojnë e të ngarkojnë të varfërit me kamata për çdo afatizim të borxhit. Kamata është e ndaluar, e besimtarët porositen të jenë dorëdhënës për çdo herë, të mos hakmerren, por t’ua falin fajin të tjerëve, të përkujtojnë Allahun dhe të pendohen e të kërkojnë falje për mëkatet e bëra, të mos vazhdojnë veprën për të cilën e dinë se është e keqe, dhe ashtu ta fitojnë kënaqësinë e Zotit, që është shpërblimi me xhenet.

  154. Përpara jush kanë kaluar popujt ndaj të cilëve janë zbatuar ligjet, ndaj udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni si ka qenë përfundimi i atyre që përgënjeshtruan.

  155. Ky (Kurani) është sqarim për njerëzit është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit.

  156. E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht), derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.

  157. Në qoftë se juve ju preku çka ju dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek Allahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë. Allahu nuk i do zullumqarët.

  158. Dhe që Allahu t’i pastrojë besimtarët, ndërsa gradualisht t’i shkatërrojë mosbesimtarët.

  159. A mos menduat ju, se do të hyni në xhenet e Allahu pa e ditur (pa u vërtetuar praktikisht), se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm.

  160. Ju ishit ata që dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me te. Ja pra, atë e patë dhe e shikuat me sytë tuaj.

  161. Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)! E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.

  162. Askush nuk vdes pa vullnetin dhe lejen e Allahut. Ai është shënim i afatit të caktuar. E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, Ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botës tjetër, edhe atij do t’ia japim atë, kurse mirënjohësit Ne do t’i shpërblejmë.

  163. E sa pejgamberë pati, që së bashku me ta luftuan turma të mëdha besimtarësh, dhe për atë që i goditi në rrugën e Allahut, ata nuk u dobësuan nga ana morale, e as ajo fizike dhe as nuk u përulën. Allahu i do durimtarët.

  164. Fjala e tyre nuk ishte tjetër pos vetëm të thonin: "Zoti ynë, na i fal mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona dhe na forco në vendet tona (në luftë), ndihmona kundër popullit jobesimtar"!

  165. Ndaj Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër; Allahu i do punëmirët.[46]

  166. [46] Kurani i cili është sqarues i së vërtetës për të gjithë njerëzit, është këshillues e përkujtues për besimtarët parashtron goditjen që pësuan besimtarët në Uhud, si ngjarje të zakonshme në ligjet e Zotit, pse edhe armiku i tyre një vit më parë, pësoi një aso goditje. Kur grupi që ishte roje, nuk ju përmbajt mësimeve dhe porosive të Pejgamberit a.s., u manifestua drejtësia e ligjeve të Zotit, të cilat mbretërojnë ndër njerëz, prandaj edhe thuhet se situata kalon prej një dore në dorën tjetër, kuptohet sipas përgatitjes dhe fuqisë.
    Ndihma e Zotit nuk u manifestua, sepse rojtarët e thyen urdhrin e Pejgamberit a.s, dhe nuk iu përmbajtën atij. Megjithatë Kurani i këshillon besimtarët të jenë krenarë, sepse një goditje të tillë, e edhe më të rëndë e përjetoi edhe armiku në Bedr. Urtësia e Zotit ishte, që në atë luftë të sprovohen e të dihen besimtarët e sinqertë, të shpërblehen disa me gradën dëshmor (shehid) dhe t’iu shërbejë besimtarëve si përvojë në të ardhmen. Në vlimin e luftës plagoset pak edhe vetë Pejgamberi a.s., e armiku shfrytëzon rastin dhe hap fjalën se u vra Muhamedi a.s., ashtu që disa besimtarë u hutuan. Zoti i porosit besimtarët, se edhe nëse vritet e vdes Pejgamberi a.s, ata duhet ta vazhdojnë luftën në rrugën e Tij. Ashtu bënë besimtarët e mëparshëm me pejgamberët e tyre në raste të tilla, sepse vdekja është e caktuar në afatin e vet, e ajo nuk vjen, as më parë, as më vonë.


  167. O besimtarë, nëse iu nënshtroheni jobesimtarëve, ata ju kthejnë prapa aty ku ishit (në kufër) dhe atëherë do të jeni të humbur.

  168. Sepse vetëm Allahu është Ndihmëtar i juaji dhe Ai është më i miri Ndihmës.

  169. Ne do të mbjellim frikën në zemrat e atyre që nuk besuan, sepse ata i trillojnë e i veshin Allahut zota të tjerë, duke mos pasur për këtë kurrfarë fakti, ndaj vendbanimi i tyre do të jetë xhehenemi. Sa i shëmtuar është vendi i mizorëve.

  170. Allahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, kur ju me vullnetin e Tij i asgjësonit ata duke i mbytur, deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që dëshironit (prenë e luftës), atëherë kundërshtuat (urdhrin e Pejgamberit). Pati prej jush, që e deshën këtë jetë (ata u ngutën pas presë), e pati prej jush që e deshën botën tjetër. Pastaj për t'ju sprovuar u zmbrapsi juve nga ata. Po Allahu ju fali juve; Allahu është Dhurues i madh ndaj besimtarëve.

  171. Dhe kur largoheshit e nuk përfillnit as njëri-tjetrin, ndërsa i Dërguari ju thërriste mbrapa. Atëherë ju goditi me dëshpërim për dëshpërim (që i shkaktuat Pejgamberit), ashtu që mos të pikëlloheni për atë që ju shpëtoi (preja e luftës), e as për atë që ju goditi. Allahu është i Njohur hollësisht me atë që veproni.

  172. Mandej pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai iu lëshoi sa për qetësim një kotje (gjumë të lehtë), që e kaploi një grup prej jush, kurse një grup e kishte preokupuar vetëm çështja e vetvetes. Ata formuan bindje të padrejtë ndaj Allahut, bindje injorante, e thonin: “Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje”! Thuaj: “E tërë çështja është vetëm në Duar të Allahut”! Ata fshehin në vetvete atë që ty nuk ta shprehin. Thonin: “Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu”! Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që iu është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre!”, dhe kjo në mënyrë që Allahu të provojë atë që është në zemrat tuaja (sinqeritetin ose hipokrizinë), dhe që ta pastrojë atë që është në zemrat tuaja. Allahu është i Gjithëdijshëm për të fshehtat që përmbajnë zemrat.

  173. Vërtet, ata që u zmbrapsën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë në Uhud), ata vetëm djalli i shtyu të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po Allahu ua fali atyre gabimin; Allahu është Mëkatfalës i madh dhe shumë i Butë.[47]

  174. [47] Në fillim të luftës në Uhud besimtarët e ndoqën armikun nga fushëbeteja, duke i vrarë njëzet e katër armiq, mirëpo aty lindi e keqja, sepse nga pesëdhjetë besimtarë që ishin në roje, dyzet prej tyre nuk e respektuan, as urdhrin e Pejgamberit a.s., e as të komandantit të tyre dhe u lëshuan pas presë, që la armiku në fushën e betejës. Armiku shfrytëzoi zbrazëtinë e rojës dhe u vërsul nga prapa dhe me atë rast shumë besimtarë ranë dëshmorë, e shumë të tjerë u frikësuan dhe u larguan nga fusha e betejës, duke u ngjitur lart në breg, edhe pse Pejgamberi a.s. i thërriste të tuboheshin. Pasi u tubuan besimtarët armiku iku nga vendbeteja, Zoti i Madhëruar iu lëshoi besimtarëve një gjumë të lehtë, që të qetësohen e të forcohen, për ndonjë sulm tjetër eventual të armikut. Ata që ishin të luhatshëm nga frika, nuk i zuri gjumi dhe menduan se mori fund epoka e Fesë Islame. Munafikët thonin, se sikur të ishin pyetur ata, nuk do të dilnin në Uhud për luftë dhe nuk do të kishin rënë aq shumë viktima. Zoti ua sqaron besimtarëve, se afati i vdekjes është i pashmangshëm dhe se rrjedhimi i luftës pati si qëllim të zbulojë atë bindje të luhatshme te disa, edhe të forcojë edhe më shumë zemrat e besimtarëve të sinqertë.

  175. O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan, dhe për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi), ose që kishin shkuar në luftë thonin: “Sikur të kishin ndenjur pranë nesh (e të mos dilnin), ata as nuk do të vdisnin, as nuk do të mbyteshin”. Atë (bindje), Allahu ua bëri një dëshpërim në zemrat e tyre. Pse Allahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje dhe Allahu është Vështrues i asaj që ju punoni.

  176. E sikur të ishit vrarë në rrugën e Allahut, ose t’u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej Allahut, që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë.

  177. Po edhe nëse vdiqët (në shtrat) ose u vratë, patjetër do të tuboheni tek Allahu.

  178. Ti ishe i butë ndaj atyre, sepse Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, prandaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu, se Allahu i do ata që mbështeten.

  179. Nëse Allahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë? Pra vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!

  180. Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile dhe kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në Ditën e Kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë.

  181. A është njësoj ai që iu bind Allahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga Allahu dhe e ardhmja e tij është xhehenemi, që është përfundim shumë i keq?

  182. Ata kanë dallim te Allahu, e Allahu është Vështrues i asaj që ata veprojnë.[48]

  183. [48] Munafikët perveç që vetë ishin naivë në bindjet e veta rreth çështjes së vdekjes, ata përpiqeshin që atë naivitet t’ua mbillnin edhe muslimanëve e të tjerëve, dhe ashtu ta dobësonin krahun luftarak të besimtarëve. Zoti iu tha se vdekja është moment i caktuar për secilin, le të jetë ai në shtëpi ose në luftë, por vdekja në luftë do të jetë e shpërblyer nga vetë Ai me një shpërblim të madh. Muhamedin a.s. e kishte pajisur Zoti i Madhëruar me fisnikëri të lartë e zemër të butë, prandaj edhe pse disa shokë e kundërshtuan porosinë e tij, ai nuk i qortoi me fjalë të rënda, ju foli ngadalë e butë dhe ashtu i përfitoi zemrat e tyre, që të jenë tok pas thirrjes së tij. Besimtarët duhet t’ia falin gabimet njëri-tjetrit, për çdo çështje duhet të konsultohen mes vete, e duhet të jenë edhe të bindur, se ndihma vjen vetëm prej Allahut. Preja e luftës ndahet sipas udhëzimeve të caktuara nga Zoti, e jashtë normave të caktuara nuk veproi asnjë pejgamber, e as Muhamedi a.s.. Ky ajet u shpall lidhur me një petk kadifeje, që humbi në luftën e Bedrit, e tradhtarët pëshpëritën se mos e ka marrë Pejgamberi a.s., por rreth shpalljes së tij ka edhe mendime tjera.

  184. Është e vërtetë se Allahu iu dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar, që atyre t'iu lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kuranin dhe Urtësinë (Sunetin), edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.

  185. E kur juve ju goditi një dështim (në Uhud), e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: “Prej nga kjo”? Thuaj: “Ajo është nga vetë ju”! S’ka dyshim, se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.

  186. Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e Allahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqertë,

  187. dhe për t'u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre iu është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose mbroni veten!”- E ata thanë: “Sikur të dinim, se do të luftohej ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që nuk e kishin në zemrat e tyre, por Allahu e di mirë për atë që fshehin.

  188. Ata që nuk luftuan atyre të vetëve iu thanë: “Sikur të na dëgjojnë neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të vriteshin!”- Thuaju: “Largojeni pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt për atë që thoni?”

  189. Kurrsesi të mos mendoni, se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre,

  190. janë të gëzuar me atë që iu dha Allahu nga të mirat e Tij, dhe ata që kanë mbetur ende pa iu bashkuar rradhëve të tyre, i përgëzojnë se për ta nuk ka, as frikë, dhe as që kanë pse të brengosen.

  191. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata, që ua dha Allahu, e s’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve,

  192. të cilëve edhe pasi i goditi plaga iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit. E për ata prej tyre që bënë mirë dhe u ruajtën, është një shpërblim i madh.[49]

  193. [49] Zoti i favorizoi besimtarët, sepse nga vetë mesi i tyre ju dërgoi pejgamber, të cilit ia njihnin virtytet e larta të moralit që ai kishte, i cili fliste me gjuhën e tyre, i cili ju shërbente si shembull praktik në të gjitha poret e jetës së tyre, prandaj lypsej bindur atij, duhej respektuar urdhri i atij.
    Muslimanët nuk korrigjuan gabimin e vet në luftën e Uhudit, kur nga radhët e tyre ranë shtatëdhjetë dëshmorë, por u habitën e thanë: Si u bë që të kemi një humbje kaq të madhe?- Zoti iu tha, se faji është juaji, sepse nuk respektuat porosinë e Pejgamberit a.s., e në anën tjetër, nuk duhet të habiteni, pse në luftën e Bedrit ju i vratë shtatëdhjetë idhujtarë dhe shtatëdhjetë të tjerë i zutë robër, pra dëmi i tyre ishte i dyfishtë. Pastaj rrjedhimi i luftës në Uhud ishte i paraparë prej Zotit për të dalë në shesh tradhtia e hipokritëve, të cilët thonin, se nuk e dinin që do të bëhet luftë, se edhe ne do të dilnim e do të luftonim, e në anën tjetër tinëzisht i përqeshnin muslimanët pse shkuan të luftojnë dhe pse humbën aq shumë njerëz. Dëshmorët e rënë në rrugën e Allahut nuk e përjetojnë periudhën e jetës në varreza - Berzah, ata ia fillojnë menjëherë jetës së njëmendët tek Allahu, i përjetojnë dhe i shfrytëzojnë të mirat që u dhurohen, janë të gëzuar pse ranë dëshmorë dhe edhe besimtarëve të tjerë ju dëshirojnë një asi fati. Këtu duhet kuptuar, se fjala është për një jetë tek Allahu, e cila nuk është siç mendon dikush prej nesh lidhur me trupin e tyre se nuk prishet etj. Pra, ajo gjallëri e kënaqësi e tyre është tek Allahu, jo siç e njohim ne në jetën tonë.


  194. Dhe atyre (shokëve të Pejgamberit) të cilëve dikush ju tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar (që prapë) t’ju sulmojë, pra kini frikë!”- por kjo vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është Mbrojtësi më i mirë!”

  195. Dhe ata pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, Allahu është Dhurues i madh.

  196. Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani, që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtarë.

  197. E ty të mos të brengosin ata që përpiqen për mosbesim, ata kurrsesi nuk mund të dëmtojnë asgjë Allahun. Allahu me urtësinë e vet dëshiron, që atyre të mos u takojë kurrfarë e mire në botën tjetër dhe ata kanë një dënim të madh.

  198. Ata që në vend të besimit pranuan kufrin, nuk i bëjnë dëm asgjë Allahut, ata i pret një dënim i idhët.

  199. Të mos mendojnë ata, që nuk besuan, se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që të shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret një dënim nënçmues.

  200. Allahu nuk është që t’i lërë besimtarët ashtu siç jeni, pa dalluar të keqin nga i miri. Allahu nuk ju zbulon juve të fshehtat (e të dini se ç’mbajnë në zemrat e tyre?), por Allahu është Ai që nga të dërguarit e vet zgjedh atë që do (e i zbulon ndonjë të fshehtë). Prandaj besoni Allahun dhe të dërguarit të Tij, e nëse i besoni dhe nëse ruheni, atëherë ju keni një shpërblim të madh.

  201. Ata, që bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi, se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci në Ditën e Kijametit do t'u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i Njohur mirë me atë që veproni.[50]

  202. [50] Pasi u larguan idhujtarët nga vendi i luftës, u shkoi ndërmend të kishin shkatërruar vetë Medinën. Pejgamberi a.s. dëgjoi për atë, i urdhëroi muslimanët t’iu vihen mbrapa dhe t’ju tregojnë se kanë fuqi e forcë luftarake. Të lodhur e të plagosur muslimanët mblodhën forcat e veta dhe e ndoqën armikun deri në vendin e quajtur “Hamrael Esed”. Ushtrisë që ndoqi armikun Pejgamberi a.s. nuk e lejoi t’i bashkohet asnjë që nuk kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit, me përjashtim të Xhabirit, të cilin e lejoi, sepse ai kishte mbetur me leje në shtëpi, që të mbrojë shtatë motrat që i kishte. Edhe pse hipokritët u përpoqën t’i frikësojnë muslimanët, këta nuk u frikësuan. Armiku nuk fitoi, sepse ai e lëshoi sheshin e luftës dhe iku, duke mos pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të muslimanëve, ndaj nuk pati guxim ta sulmojë Medinën. Pejgamberit a.s. i thuhet të mos brengoset përse dikush përpiqej të përhapë mosbesimin - kufrin, sepse ata kishin punë me Zotin, i cili është gjithnjë Ngadhënjyes, i cili në Duart e veta i ka, e nëse do, i shkatërron në këtë jetë, e nëse do i lë të jetojnë e të grumbullojnë mëkate, ashtu që ai dënim i shëmtuar me zjarr të jetë meritë e tyre. Lufta në Uhud i zbuloi tradhtarët, e ajo i ndihmoi muslimanët, që t'i pastrojnë radhët e veta. Gjithashtu ajo luftë ju dha të kuptojnë, se nuk duhet lakmuar aq shumë për pasuri, sepse nëse ajo nuk shpenzohet në rrugën e Zotit, do të mbetet trashëgim i të tjerëve, e më në fund, pas shkatërrimit total të njerëzve, qiej e tokë mbetën ashtu sikurse edhe kanë qenë dhe siç janë, trashëgim i Zotit. Deri këtu përfundon rrëfimi për luftën e Uhudit, për tradhëtinë e hipokritëve prej së cilës muslimanët duhet të marrin mësim.

  203. Allahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ne do ta shënojmë atë që thanë ata dhe që i vranë pejgamberët pa kurrfarë faji, e do t'ju themi: "Vuajeni mundimin e djegies së zjarrit,

  204. kjo është meritë e duarve tuaja, se Allahu nuk është zullumqar ndaj robërve”.

  205. Ata janë që thanë: “Allahu na ka porositur, që të mos besojmë asnjë të dërguar derisa ai të na sjellë një kurban, që do ta hajë zjarri. Thuaju: "Para meje juve ju erdhën të dërguar me argumente dhe me atë që thatë, e përse i vratë ata, nëse thoni të vërtetën?”

  206. Po nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, janë përgënjeshtruar edhe para teje të dërguar, që iu erdhën me argumente të prera, me shkrime qiellore dhe me libër të ndritshëm.

  207. Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja do t’iu plotësohen Ditën e Kijametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.

  208. Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që ju është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.

  209. Dhe kur Allahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore dhe e ndërruan atë me pak send të kësaj jete. Sa ndërrim të keq bënë ata!

  210. Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (e fshehën çështjen tënde) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e punuan, mos llogarit shpëtim për ta (nuk e thanë të vërtetën), ata kanë një dënim të dhëmbshëm.

  211. Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.[51]

  212. [51] Kur u shpall ajeti i Kuranit: ... kush i huazon Allahut një hua të mirë..., një farë prijësi fetar i jehudive, Fenhas Azuaru i paska thënë Ebu Bekrit: Zoti qenka i varfër pasi po kërkon hua. Ebu Bekri i mëshon me grusht në fytyrë dhe i thotë: Sikur të mos ishte në fuqi marrëveshja për paqe ndërmjet nesh e jush, kisha për ta përdredhur qafën. Jehudiu shkoi te Pejgamberi a.s. dhe u ankua kundër Ebu Bekrit. Pejgamberi a.s. e pyeti Ebu Bekrin për sjelljen e tij. Ebu Bekri i tregoi se çfarë tha ai, por jehudiu e mohoi thënien, atëherë u shpall ky ajet: Allahu dëgjoi thëniet... dhe u vërtetua drejtësia e Ebu Bekrit. Jehuditë bënë shpifje edhe ndaj Zotit, duke thënë, se Ai ju ka thënë: të mos besojnë pejgamber tjetër pas Musait, as lsanë, as Muhamedin dhe ashtu të vërtetën që e kishin në Tevrat e fshehën, madje edhe mburreshin për suksesin e tradhtisë që bënë ndaj librit të tyre. Muslimanët porositen të jenë të qëndrueshëm, të matur me rastin e sprovimit me çështje të ndryshme të kësaj jete, sepse maturia dhe durimi në zgjidhjen e çështjeve është kulmi i karakterit njerëzor.

  213. Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt,

  214. për ata që Allahun e përmendin me përkujtim, kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!

  215. Zoti ynë, atë që Ti e fut në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë!

  216. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët!

  217. Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve të Tu, na e premtove dhe në Ditën e Kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!”

  218. Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri, por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vej në xhenete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e Allahut, se më i miri i shpërblimeve është tek Allahu.

  219. Të mos mashtrojë bredhja nëpër qytete e atyre që nuk besuan,

  220. ajo është një kënaqësi e pakët, e pastaj vendi i tyre është xhehenemi, që është vend mjerimi.

  221. Por ata që ia patën frikën Zotit të tyre, ata i kanë xhenetet nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty janë përgjithmonë.Ajo është pritje nga ana e Allahut, e për të mirët më e dobishmja është ajo që është tek Allahu.

  222. Po edhe nga Ithtarët e Librit ka që besojnë Allahun, e besojnë atë që iu është shpallur juve, e besojnë atë që është shpallur atyre, janë të bindur ndaj Allahut, dhe argumentet e Allahut në shpallje nuk i shesin për pak send të kësaj jete, të tillët kanë shpërblimin e vet tek Zoti i tyre, e Allahu është që e bën shpejt llogarinë.

  223. O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe që të shpëtoni ruajuni dënimit të Allahut.[52]

[52] Në fillim të kësaj kaptine u sollën argumente, që dokumentojnë për njësinë e Zotit, për pozitën e rëndësishme të pejgamberit a.s., e edhe në fund të saj sillen fakte për Zotin një, për fuqinë e Tij në krijimin e çdo qenieje a sendi, ashtu që përmes këtyre fakteve, njeriu mund të fitojë bindje të plotë, se Ai ka fuqi të ringjallë, t’i tubojë të gjithë para Vetes, t’i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira dhe t’i ndëshkojë kokëfortit dhe zullumqarët. Qëllimi i Kuranit si në kaptinat tjera, ashtu edhe në këtë, është: që tërheqjen e zemrave dhe të shpirtrave ta sjellë në njohjen e Krijuesit përmes vështrimit të kreaturës në përgjithësi, prandaj këto ajete të fundit të kësaj sureje, erdhën të atillë që orientojnë vështrimin e njeriut nga gjithësia, në mënyrë që t'ia forcojnë atij edhe më shumë bindjen për fuqinë e pakufishme të Krijuesit. Kurani iu thotë njerëzve lexoni librin e shkruar, të rreshtuar të Allahut (Kuranin), e pastaj lexoni dhe vështroni librin praktik të Allahut, gjithësinë, ekzistencën, sepse në rreshtat e Kuranit gjeni plot shprehje, që iu thërrasin t’i futni në shërbimin e vet shqisat dhe ta angazhoni e ta thelloni mendjen në të menduar, deri sa ta gjeni dhe ta njihni të vërtetën.
Allahu na mëson se si duhet t’i lutemi Atij, dhe thotë se nuk ia humb mundin e askujt pa dallim gjinie. Me këtë na bën të kuptojmë, se nevojitet përpjekje së bashku me lutje. Përjetimet e kësaj bote janë krejt pak gjësend në krahasim me ato të botës tjetër, të cilat janë të përjetshme, të amshueshme dhe shumë më të mira, prandaj nuk duhet të mashtrohemi pas kënaqësive të kësaj bote, e të mos lëmë rrugën e Zotit. Ata, të cilët e kanë veten në dorë; do të gëzojnë pritje madhështore tek Allahu Mëshirues, e të mashtruarit, duke e lënë pas dore porosinë e Allahut, pas kënaqësive të kësaj bote do të përjetojnë mjerim të madh.
Në fund besimtarët porositen: të jenë të durueshëm në çështjet e veta personale, të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në çështjet, që kanë të bëjnë me rrethin, botën e jashtme, të jenë gjithnjë të përgatitur kundër armikut fizikisht dhe shpirtërisht, dhe të jenë respektues të urdhrave të Allahut, nëse duan të korrin sukses në të dy jetët.
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i shkurtër i kaptinës Ali Imran; falënderoj Allahun e Madhëruar!


4. SURETUN – NISA

E zbritur në Medine pas sures Mumtehineh, ajete: 176


Kjo kaptinë është e mbushur plot me ligje e dispozita të sheriatit, të cilat rregullojnë çështjet e brendshme e të jashtme të jetës së muslimanëve. Si çështje më me rëndësi parashtron ato që kanë të bëjnë me gruan, me shtëpinë, me familjen, me shoqërinë e gjerë, por pjesën më të madhe ia kushton dispozitave rreth pozitës së gruas, prandaj edhe e merr emrin “Suretun Nisa” - Kaptina e grave.
Kjo sure parashtron rregulla mbi të dr ejtat e grave, e posaçërisht të atyre jetimeve, që janë në strehimin e kujdestarëve, mbi dispozitat e trashëgimit, mbi femrat me të cilat nuk mund të lidhet kurorë për shkak të afërsisë së gjakut, gjirit e të miqësisë, mbi marrëdhëniet bashkëshortore, mbi obligimet e burrit ndaj gruas dhe të gruas ndaj burrit.
Flet për drejtësinë, mirësinë, besnikërinë dhe për mëshirën si themele të marrëdhënieve në shoqërinë e gjerë, për bashkëpunimin e muslimanëve me të tjerët, për luftë kundër dyfytyrësve, për syçeltësi ndaj rrezikut prej jehudive, e përfundon me vërejtje ndaj besimit të gabuar të krishterëve përkitazi me Isain a.s..



4. SURETUN – NISA


Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!


  1. O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.

  2. Bonjakëve (jetimëve) jepuani pasurinë e tyre (kur të rriten), dhe mos e ndërroni të pastërtin (mallin tuaj që e keni hallall) me të ndytin (me haramin), edhe mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj, se ky është mëkat i madh.

  3. Në qoftë se frikoheni, se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katër. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër, që të mos gaboni.

  4. Grave jepuani dhuratën e obliguar të kurorës së tyre (mehrin), e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë pranojeni (hajeni) atë të lejuar e të mirë.

  5. Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj, që Allahu e bëri për ju mëkëmbje, e ata ushqeni nga ajo, veshini dhe ju thoni fjalë të mira.

  6. Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë (të arrijnë moshën madhore), e nëse vëreni tek ata pjekuri, atëherë dorëzojuani atyre pasurinë e tyre. Mos e hani atë pa të drejtë dhe pa nevojë dhe duke u ngutur para se të rriten ata. Kush është i pasur le të ruhet (nga shfrytëzimi i pasurisë së jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t'ju dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni). Mjafton që Allahu është Llogaritës.[53]

  7. [53] Zoti Fuqiplotë i krijoi njerëzit prej një baze, prej Ademit, dhe prej të njëjtës bazë e krijoi palën e tij shoqen, Havanë.
    Që Zoti është i vetmi Krijues, vërtetohet edhe nga vetë përbetimi i njerëzve ndaj njëritjetrit, pse kur e lut tjetrin për diçka i thua: për Zotin, të betohem në Zotin etj.. Madje askush nga njerëzit nuk thotë, se unë e krijova vetë veten. Disa njerëz martoheshin me jetimet, që i kishin nën kujdesin e tyre për t'iu ikur shpenzimeve të niqahit dhe për të mos nxjerrë mallin e tyre prej shtëpisë së tyre. Kurani urdhëron, ose të ndjekin drejtësinë ndaj jetimeve, ose të martohen me gra të tjera, madje deri me katër, por në raste të tilla të kontrollojnë veten, se sa do të jenë të drejtë, përndryshe të martohen vetëm me një grua. Martesa është sunet për atë që frenon veten nga imoraliteti, e për atë që nuk mund ta frenojë është farz (detyrë e domosdoshme). Pasurinë e jetimëve duhet ta ruajmë dhe mos t’u dorëzohet atyre derisa të arrijnë pjekurinë. Nuk lejohet shpenzimi i pasurisë së tyre pa nevojë, e sidomos gjatë kohës kur ata janë të mitur. Kur arrijnë pjekurinë duhet t’ia dorëzojnë pasurinë atyre, por dorëzimi duhet bërë me dëshmitarë, ashtu që mos të mbetet kurrfarë dyshimi.


  8. Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti).

  9. Kur të paraqiten në pjesëtimin e pasurisë, që ka lënë i vdekuri të afërm, bonjakë dhe të varfër (që nuk janë pjesëtarë në trashëgim), jepuni nga ajo (pasuri e lënë) dhe atyre thuajuni fjalë të mira.

  10. Le të frikësohen ata (në prag të vdekjes) sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët kanë dro (si do të jetë gjendja e tyre), prandaj le t’i ruhen Allahut (dënimit të Tij) dhe le t’ju thonë (jetimëve) fjalë të drejta (prindërore).

  11. Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehenemit.

  12. Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti), që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është i Gjithëdijshmi, më i Urti.

  13. Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që lënë gratë e juaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi. Atyre (grave) ju takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që leni pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit. Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (pse s’ka, as prindër, as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta, e në qoftë se se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë), pas testamentit të porositur ose borxhit, e duke mos dëmtuar (trashëguesit). Ky përcaktim është porositur prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm, shumë i Urtë.[54]

  14. [54] Në këto ajete vërtetohet parimisht e drejta në trashëgim për meshkuj dhe për femra, edhe pse trashëgimi në sasi ndryshon. Me këtë hidhet poshtë rregulli i injorantëve arabë, sipas të cilit femrat dhe fëmijët nuk kishin të drejtë në trashëgim.
    Jetimëve, të varfërve dhe farefisit të largët iu duhet dhënë diçka nga pasuria e të vdekurit, edhe pse janë të largët dhe nuk përfshihen në rregullat e trashëgimisë, pse njeriu duhet të mendojë për ta sikur të ishin fëmijët e vet e të ishin të nevojshëm.
    Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njerëzit që kanë ngrënë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, do të ringjallen në Ditën e Kijametit, duke ju dalë shkëndija zjarri nga gojët e tyre”.
    Pjesa e përcaktuar në të drejtë trashëgimi realizohet pas shpenzimeve për varrimin, pas zbatimit të testamentit dhe pas larjes së borxhit nga pasuria e të vdekurit. Në kohën para Islamit trashëgimi, përveç fisnisë bëhej edhe sipas besëlidhjes, që kishin lidhur dy njerëz për të trashëguar njëri-tjetrin. Edhe në Medinë deshën të trashëgohen në ditët e para, të vëllazëruarit vendës e muhaxhirët. Kurani i anuloi ato rregulla dhe trashëgimin e caktoi në bazë të gjakut, të miqësisë, të gjirit dhe mes robit të liruar e zotërisë.


  15. Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut. Kush i bindet Allahut, (urdhrave të Tij) dhe të Dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhenete nën të cilat burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh.

  16. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim poshtërues.

  17. Ato që bëjnë imoralitet (zina) nga gratë tuaja kërkoni që kundër tyre të dëshmojnë katër vetë prej jush (burra); nëse vërtetohet me dëshmitarë (imoraliteti), mbyllini ato në shtëpi derisa t’i marrë vdekja, ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë rrugë për to.

  18. Ata të dy prej jush që bëjnë atë (imoralitet-zina), ndëshkoni; e në qoftë se ata pendohen dhe përmirësohen, atëherë hiqni dorë prej tyre, se Allahu është gjithnjë Pranues i pendimit edhe është Mëshirues i madh.

  19. Pendim i pranueshëm tek Allahu është vetëm ai i atyre, që e bëjnë të keqen me mosdije e pastaj shpejt pendohen; të tillëve Allahu jua pranon pendimin, se Allahu është i Gjithëdijshmi, më i Urti.

  20. Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre, që bëjnë punë të këqija vazhdimisht dhe vetëm atëherë kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tashti u pendova!”, e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.

  21. O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme, e as t’i shtrëngoni për t’u marrë diçka nga ajo, që ju keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.

  22. Në qoftë se dëshironi të ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuar), e asaj (të lëshuarës) i keni pas dhënë një shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A doni ta merrni atë pa të drejtë e në mënyrë mizore?

  23. Dhe si mund ta merrni atë, kur iu keni bashkuar njëri-tjetrit (në një shtrat) dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?[55]

  24. [55] Pasi pasuan porositë për mirësjellje ndaj gruas, për të drejtën e tyre në niqah dhe në trashëgim me meshkuj, përmendet edhe masa ndëshkuese, nëse ato nuk janë të vetëdijshme për ruajtjen e nderit. Kjo masë ndëshkuese në këtë ajet, ka funksionuar deri sa është shpallur ajeti tjetër në kaptinën: “En Nur”, sipas të cilit përcaktohet masa e dënimit. Pendim i pranueshëm është ai që bëhet menjëherë pas punës së keqe të kryer me padije, por nëse vazhdohet puna e keqe me qëllim, që pendimi të bëhet pak para vdekjes, ai pendim nuk pranohet, sepse një person i tillë nuk ka mundësi më në atë kohë të bëjë mëkat, e as të largohet prej tij, madje ai pendim nuk shpreh ndonjë përmirësim në zemër apo në jetë derisa është në prag të vdekjes. Para Islamit gruaja trashëgohej sikurse pasuria e të vdekurit; mund të martohej vetë me të, ta martojë për tjetrin, ose ta pengojë nga martesa në tërësi. Madje i shtrëngonin për t’ua marrë atë që u kishin dhënë. Kurani ndalon atë traditë në tërësi, e edhe gruas së lëshuar nuk lejon t’i ndërhyhet në atë mehër, që i është dhënë.

  25. Mos u martoni me ato gra me të cilat qenë të martuar prindërit tuaj, me përjashtim të asaj që ka kaluar (para Islamit) pse ajo ishte turpësi, përbuzje e traditë e shëmtuar.

  26. U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllaut, bijat e motrës, nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, motrat nga gjiri, nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza), dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj, që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar), dhe të bashkoni (në një kurorë) dy motra, përpos asaj që ka kaluar. Vërtetë, Allahu është Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.

  27. (Nuk ju lejohet të martoheni) Edhe me gra të martuara (që kanë burrat e nuk janë të lëshuara), përveç atyre që i keni futur në pushtetin tuaj (robëreshat e luftës). (Ky është) obligim mbi ju nga Allahu. U janë lejuar, pos këtyre (që u përmendën), të tjerat që t’i merrni me pasurinë tuaj (me mehër), duke pasur si qëllim bashkëshortësi e jo prostitucion. E për atë që përjetuat ju nga ato (gratë me të cilat patët kurorë), jepuani shpërblimin e tyre të caktuar, se është obligim. E nuk ka pengesë për ju pas përcaktimit (të mehrit), në atë që ju pëlqeni mes vete. Allahu është i Gjithëdijshmi, më i Urti.

  28. Dhe kush nuk ka prej jush mundësi materiale, që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me ato besimtare tuaja, që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Allahu di më së miri për besimin tuaj. Ju jeni nga njëri-tjetri (të një origjine). Pra, martohuni me ato (robëresha) me lejen e të zotërve të tyre dhe jepuani dhuratën e obligueshme të kurorës (mehrin) në mënyrë të drejtë, (zgjidhni) të ndershme e jo prostituta të hapta apo të fshehta. E kur të jenë të martuara ato, nëse bëjnë ndonjë punë të turpshme, ndëshkimi kundër tyre është sa gjysma e atij të grave të lira (jo robëresha). Kjo (martesë me robëresha) është e lejuar për ata që i frikësohen imoralitetit, por të jeni të durueshëm, është më mirë për ju. Allahu është Shumëfalës, Mëshirëplotë.

  29. Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre, që ishin para jush (pejgamberëve) dhe t'ju pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm (për gjendjen e robërve) dhe është i Urtë.

  30. Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve dëshirojnë, që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë).

  31. Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), sepse njeriu është krijuar i dobët.[56]

  32. [56] Martesa me njerkën ka qenë e pranishme para Islamit, edhe pse ishte turpësi e madhe. Atë Islami e ndaloi.
    Ndalesat e martesave nga gjaku janë shtatë: nënat, bijat, motrat, hallat, tezet, bijat e vëllaut, bijat e motrës. Nga gjiri e miqësia janë gjashtë: nënat e gjirit, motrat nga gjiri, nënat e bashkëshorteve, bijat e bashkëshorteve (me tjetër burrë) gratë e djemve dhe bashkimi i njëkohshëm i dy motrave në një niqah. Me sunet mutevatir, e që është edhe ixhmaë, është i ndaluar edhe bashkimi në një niqah me hallën ose me tezen e saj.
    Kurani na sqaron se martesa me robëresha të zëna robër në luftë është e lejuar, nëse kur nuk ka mundësi materiale të martohet njeriu me femra jo-robëresha dhe ka frikë, se nuk mund të ruhet prej imoralitetit. Gjithashtu është e ndaluar rreptësisht martesa e përkohshme për një sasi mjetesh materiale, sepse martesa nuk ka si qëllim vetëm anën fizike e epshore, por edhe anën njerëzore e bashkëshortore të sinqertë, që do të jetë burim i një edukimi të shëndoshë të brezit të ardhshëm.


  33. O ju që besuat, mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos e vritni veten tuaj (duke vrarë njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i Mëshirueshëm për ju.

  34. Kush e bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hudhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është e lehtë për Allahun.

  35. Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.

  36. Mos lakmoni në atë, që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. Allahut kërkojini nga të mirat e Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.

  37. Ne u kemi caktuar për secilin trashëgimtarë, (të cilët marrin) pjesën e pasurisë që lënë prindërit, ose të afërmit. E atyre që ju keni premtuar, jepuani pjesën e tyre. Allahu është Dëshmues mbi çdo send.

  38. Burrat janë përgjegjës për gratë, sepse Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët, dhe sepse ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj me atë që Allahu i bëri të ruajtura gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që ua keni dro kryelartësisë së tyre, këshillojini, madje largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihini (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu është më i Larti, më i Madhi.

  39. Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një gjykues të drejtë nga familja e tij dhe një gjykues të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë si qëllim pajtimin, Allahu ju mundëson afrimin mes tyre (burrit e gruas). Allahu është i Gjithëdijshëm, është Njohës i mirë.[57]

  40. [57] Është i ndaluar shfrytëzimi i pasurisë pa djersë, siç ështe vjedhja, mashtrimi, plaçkitja, kamata etj.; gjithashtu është e ndaluar vrasja e vetvetes apo e tjetrit.
    Mëkat i madh ose i vogël konsiderohet në bazë të pasojave që shkakton ai, megjithëse në një hadith janë përmendur shtatë sosh si mëkate të mëdha: “Idhujtaria, vrasja pa kurrfarë të drejte, magjia, ngrënia e kamatës, ngrënia e mallit të jetimit, zmbrapsja në fushën e betejës dhe shpifja kundër femrave të ndershme muslimane... Në disa hadithe të tjera përmenden: mosrespektimi ndaj prindërve, betimi i rrejshëm, prostitucioni etj. Ky ajet është shumë shpresëdhënës, sepse Allahu premton faljen e mëkateve të vogla atyre që ruhen nga ato të mëdhatë. Epërsia e burrave ndaj grave nuk është epërsi komanduese, por detyrë përgjegjëse, prandaj nuk duhet pasur zili ndaj veçorisë së tjetrit me të cilën e dalloi Zoti. Gratë e padëgjueshme së pari duhen këshilluar, pastaj duhet larguar nga shtrati, e nëse asnjëra nuk ndikon në përmirësimin e tyre, atëherë lejohet një rrahje, por e lehtë. Duhet ta dimë, se Allahu është më i Larti ndaj çdo sendi, e edhe ndaj burrit që sillet keq me gruan.


  41. Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit afër, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit dhe ndaj robërve. Allahu nuk i do ata që janë kryelartë dhe ata që lavdërohen,

  42. të cilët vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci, dhe e fshehin atë që iu ka dhënë Allahu nga mirësitë e veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët.

  43. Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës, e nuk e besojnë Allahun, as Ditën e Fundit. E ai që ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar.

  44. Dhe çka do t’i gjente ata, po ta besonin Allahun, Ditën e Gjykimit dhe të jepnin nga ajo që iu dhuroi Allahu? Po Allahu është i Gjithëdijshëm për ta.

  45. S’ka dyshim, se Allahu nuk bën padrejtësi, as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh.

  46. Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitar mbi ata (që nuk të besuan)?

  47. Atë ditë ata që nuk besuan dhe kundërshtuan të Dërguarin do të dëshironin (të varroseshin) të rrafshohej mbi ta toka, sepse nuk mund t’i fshehin Allahut asgjë.

  48. O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër), derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjeri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni prekur gratë (keni pasur marrdhënie intime me to), e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemmum). Allahu është Shlyes dhe Falës i madh i mëkateve.[58]

  49. [58] Allahu nuk i do kryelartët, pse të tillët nuk respektojnë asnjë parim njerëzor, siç janë: adhurimi ndaj Zotit, sjellja e mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve etj. Gjithashtu nuk i pranon veprat formale që kanë si qëllim lavdërimin. Ibni Mes'udi - sipas Buhariut thotë: "Më tha Pejgamberi a.s. më lexo Kuran”. I thashë: Ta lexoj ty kur ai ty të zbriti?- Po, tha: -Kam dëshirë të dëgjoj prej tjetrit!- I lexova kaptinën Nisaë deri te ajeti 41 kur më tha: -Mjaft,- e kur shikova, sytë e tij derdhnin lotë”. Çdo pejgamber do të dëshmojë për popullin e vet, e Pejgamberi ynë do të vërtetojë dëshminë e pejgamberëve të mëparshëm dhe do të dëshmojë për umetin e vet. E duke ditur, se Dita e Gjykimit është e vështirë, saqë jobesimtarët do të dëshironin të ishin dhe, tokë e rrafshuar, duke e ditur se çka i pret dhe duke ditur se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë, Pejgamberi
    a.s. qau për umetin e vet. Kjo dispozitë mbi alkoolin që përmendet në këtë ajet, është e hershme, para ndalimit përfundimtar të pijeve alkoolike.
    Nëse nuk gjendet uji, ose gjendet, por është e pamundur të përdoret nga ndonjë shkak i arsyeshëm, atëherë lejohet pastrimi me dhe në vend të pastrimit me ujë, që është obligim.


  50. A nuk i vure re (Muhamed) ata që iu pat dhënë pjesë nga libri (paria fetare jehude), se si e vazhdojnë rrugën e gabuar dhe dëshirojnë që edhe ju të humbni!?

  51. Allahu di më së miri për armiqtë tuaj. Mjafton që Allahu është Përkrahës i juaji dhe mjafton që Allahu është Ndihmëtar i juaji.

  52. Një palë nga jehuditë janë që i ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta, e (kur i thërret ti) ata thonë: “Dëgjuam (fjalën tënde) dhe kundërshtuam (thirrjen tënde), dhe thonë: “dëgjo mos dëgjofsh!” (dhe thonë): “Raina” (këto i thonë) duke përdredhur gjuhët e tyre dhe duke atakuar fenë. E sikur të thoshin ata: “Dëgjuam, respektuam, dëgjo dhe vështrona”, do të ishte më mirë për ta dhe më e drejtë, por për shkak të refuzimit të tyre, Allahu i mallkoi, prandaj besojnë vetëm pak (besim gjysmak).

  53. O ju, që iu është dhënë libri, besojeni atë që e zbritëm (Kuranin), e që është vërtetues i atij që keni (Tevratit), para se të shlyejmë fytyrat (t’ua fshijmë shqisat) dhe t’i rrotullojmë ose t’i mallkojmë ata si i mallkuam ata të së shtunës. Urdhri i Allahut është i kryer.

  54. S’ka dyshim, se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) ia fal kujtdo. Kush i përshkruan Allahut shok ai ka trilluar një mëkat të madh.

  55. A nuk e ke kuptuar për ata që vlerësojnë veten? Jo, Allahu vlerëson atë që do dhe nuk bën padrejtësi asnjë fije.

  56. Shiko se si shpifin kundër Allahut! Mjafton kjo (shpifje) si mëkat i hapët.

  57. A nuk u vure re atyre që iu është dhënë pjesë nga libri? Besojnë idhuj e djallëzi dhe për ata që nuk besuan thonë: “Këta janë në rrugë më të drejtë, se ata që besuan!”

  58. Ata janë që Allahu i mallkoi, e atë që e mallkon Allahu, për të nuk ka ndihmëtarë.

  59. A mos kanë ata ndonjë pjesë të pushtetit? Ata atëherë nuk do t’u jepnin njerëzve as sa grimca.

  60. A ua kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu iu dha nga mirësitë e Tij? Ne iu patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e sheriatin dhe iu patëm dhënë atyre pushtet të madh.

  61. Po disa prej tyre i besuan atij (Muhamedit), e disa e refuzuan. Për ta mjafton zjarri i xhehenemit.

  62. Është e vërtetë, se ata që mohuan argumentet Tona do t’i hudhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ua ndërrojmë me lëkura të tjera, që të shijojnë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm, i Drejtë.[59]

  63. [59] Në këto ajete u fol për intrigat e jehudive me të cilat përpiqeshin të dobësonin misionin e Muhamedit a.s., për ndryshimet që bënin në Tevrat, për shprehjet fyese kundër Muhamedit a.s. dhe kundër Fesë Islame, kinse me to kishin si qëllim të respektonin Muhamedin a.s. dhe Fenë Islame. Në mesin e këtyre ajeteve përmendet mëkati më i madh që nuk falet: idhujtaria, politeizmi, sepse edhe Ithtarët e Librit e bëjnë këtë mëkat, kur thonë për Uzejrin dhe Isain, se ishin bijtë e Zotit.
    Jehuditë thoshin për veten, se ishin popull i privilegjuar prej Zotit, e kjo ishte shpifje e madhe kundër Zotit, prandaj edhe janë të mallkuar. Ia kishin zili Muhamedit a.s. dhe arabëve pse t’i shpallet dikuj tjetër, dhe pse të jetë dikush tjetër pejgamber, e jo dikush nga populli i Beni Israilit. Ata e dinin, se edhe Muhamedi a.s. ishte pasardhës i Ibrahimit a.s.. Zoti iu pat dhënë gradën pejgamber shumë pasardhësve të tjerë të Ibrahimit, e disave si Davudit e Sulejmanit iu pat dhënë edhe mbretëri e madhe. Zilia e tyre është e mallkuar. Xhehenemlinjve do t’ju përtërihet lëkura e trupit sa herë që të digjet ajo. Përtërirja e lëkurës jep të kuptohet, se vetëm Zoti ka fuqi të ndëshkojë kriminelin për çdo krim. Njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë, pse për njëqind e sa krime e dënojnë me mbytje një herë!? Përmendet djegia e lëkurës, sepse dhëmbja më e ndjeshme është ajo e lëkurës.


  64. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i fusim në xhenet nën të cilin burojnë lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Aty kanë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme.

  65. Allahu ju urdhëron, që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që Allahu ju këshillon me të. Vërtet Allahu është Dëgjues i çdo gjëje dhe Gjithëvështrues (i asaj që ju veproni).

  66. O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (te libri i Tij) dhe tek i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishme dhe përfundimi më i mirë.

  67. A i vure re ata që mendojnë se besuan atë që të zbriti ty, dhe atë që zbriti para teje, se si dëshirojnë që mes tyre të gjykojë djalli, e duke qenë se janë të urdhëruar, që të mos e besojnë atë. E djalli dëshiron t’i humbë në pafundësi.

  68. Kur u thuhet atyre: “Ejani (për të gjykuar) tek ajo që e zbriti Allahu dhe tek i Dërguari!", i sheh se si dyfytyrëshit ta kthejnë shpinën.

  69. E qysh do të jetë (gjendja e tyre) kur t’i godasë ata ndonjë e keqe, e shkaktuar nga vetë duart e tyre, e pastaj vijnë te ti (për t’u arsyetuar) dhe betohen në Allahun: “Ne nuk patëm tjetër qëllim, vetëm afrim e pajtim” (e jo refuzimin e gjykimit tënd).

  70. Ata janë për të cilët e di Allahu çka mbajnë në zemrat e tyre. Po, ti hiqu tyre, tërhiqu vërejtjen (për hipokrizi) dhe thuaju fjalë që lënë përshtypje në veten e tyre.

  71. Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhrin e Allahut t’i bëhet respekt (nga njerëzit) atij. E sikur të vinin ata te ti, pasi ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata vetë ndjesë tek Allahu, e edhe i Dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu është Pranues i vazhdueshëm i pendimit dhe është Mëshirues i madh.

  72. Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty, as të asaj para teje), derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos nënshtrohen plotësisht.

  73. Sikur t’i kishim obliguar ata: vritni veten tuaj, apo: dilni prej atdheut tuaj, atë (obligim) nuk do ta zbatonin, me përjashtim të një pakice prej tyre. Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta dhe do t’i përforconte më shumë,

  74. dhe atëherë do t’u jepnim atyre nga ana Jonë shpërblim të madh,

  75. dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.

  76. E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!

  77. Ky shpërblim i madh është prej Allahut. Mjafton që Allahu di më së miri.[60]

  78. [60] Amanet është çdo gjë që i besohet njeriut, qoftë pasuri, pozitë, fjalë ose diçka tjetër. Ruajtja e amanetit është obligim për të gjithë njerëzit, qoftë amanet mes Zotit dhe njeriut, qoftë mes njerëzve.
    Shkak i zbritjes se këtij ajeti ishte çelësi i Qabes, të cilin e mori Pejgamberi a.s. me rastin e çlirimit të Mekës, Qabes, nga dora e Osman Bin Talhas, që me kohë e mbante familja e tyre. Osmani u prek shumë, pse çelësi doli prej dorës së tyre, por nuk foli asgjë. Zoti e urdhëroi t’ia kthejë çelësin dhe Pejgamberi a.s. ia ktheu, e thuhet se edhe sot e kësaj dite çelësin e Qabes e mban ajo familje.
    Ajeti në fjalë ka një qëllim të përgjithshëm, e jo vetëm rastin e posaçëm të çelësit të Qabes. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që nuk e ruan amanetin, në të ka shenja të nifakut”
    - tradhtisë. Ajeti pas tij, sipas juristëve islamë sugjeron për burimet e sheriatit islam e që janë: Kurani, Syneti e pas tij edhe Ixhmai e Kijasi.
    Çdo çështje dhe çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur sipas udhëzimeve të Pejgamberit a.s., i cili për zgjidhjen e çështjeve gjithnjë është mbështetur në faktet e Kuranit.
    Munafikët ndonëse publikisht thonin se i kanë besuar Kuranit, nuk dëshironin që mes çështjeve të tyre të gjykojë Pejgamberi a.s. sipas Kuranit, por shkonin te njerëzit e djallëzuar dhe pastaj përpiqeshin ta bindnin Pejgamberin a.s., se nuk kishin ndonjë qëllim të keq. Në ajetet që u lexuan Zoti i Gjithëdijshëm i tregoi Muhamedit a.s. dhe muslimanëve për qëllimet e tyre dhe për atë çka i pret në botën tjetër.
    Një njeri e pyet Pejgamberin a.s.: “Kur është Kijameti?” Pejgamberi a.s. i thotë: “Çfarë ke përgatitur për të?” Ai tha: “Asgjë, pos që e dua Zotin dhe të Dërguarin e Tij!" Pejgamberi a.s. tha: “Ti do të jesh me atë që do!” Enesi, sahab i Pejgamberit a.s. thotë: “Nuk kemi përjetuar gëzim më të madh, se nga fjala e Pejgamberit a.s.: “Do të jesh bashkë me atë që do!”


  79. O ju që besuat, rrini të përgatitur (të armatosur) dhe dilni (për në luftë) grup pas grupi apo të gjithë së bashku.

  80. Ka disa prej jush që zvarriten (nuk dalin në luftë). E nëse ju godet juve ndonjë e papritur thotë: "Zoti më favorizoi, që nuk isha i pranishëm bashkë me ta (në luftë).”

  81. Po nëse ju takon juve ndonjë e mirë nga Allahu, ai (munafiku) me siguri do të thoshte, si mos të kishte ekzistuar mes jush dhe mes tij ndonjë njoftësi: për fat, të kisha qenë së bashku me ta e të kisha arritur një fitim të madh.

  82. Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që e japin jetën e kësaj bote për botën tjetër. Kush lufton në rrugën e Allahut e vritet (bie dëshmor) ose triumfon, Ne do t’i japim atij shpërblim të madh.

  83. Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit: nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: “Zoti ynë! nxirrna nga ky fshat (Meka), banorët e të cilit janë mizorë. Jepna nga ana Jote shpëtim e ndihmë!”

  84. Ata që besuan luftojnë në rrugë të Allahut, e ata që nuk besuan luftojnë në rrugë të djallëzuar. Luftoni pra miqtë e djallit, s’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët.

  85. A nuk i vure re ata që iu pate thënë: "Ndalni duart tuaja prej luftës, e faleni namazin dhe jepeni zeqatin!" E kur iu bë atyre obligim lufta, ja një grup prej tyre iu frikësoheshin njerëzve, siç është frika ndaj Allahut, e edhe më e fortë. Thoshin: “Zoti ynë, pse na e bëre obligim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë deri në një afat të afërt!” Thuaju: “Përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme. Nuk do t’ju bëhet padrejtësi, as sa fija.

  86. Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara. E nëse i qëllon ata (munafikët) ndonjë e mirë, thonë: “Kjo është nga Allahu”. E nëse i godet ndonjë e keqe thonë: “Kjo është nga ti (Muhamed)” Thuaju: “Të gjitha janë nga Allahu!” Ç’është me këtë popull që nuk kupton gati asnjë send?

  87. Çfarëdo e mire që të vjen është nga Allahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vetë ti. Ne të dërguam ty Pejgamber për mbarë botën. Mjafton që Allahu është Dëshmues për këtë.

  88. Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.

  89. Dhe thonë: “(jemi) Të bindur”. E kur largohen prej teje, një grup prej tyre (natën) planifikon diçka tjetër nga ajo që iu thua ti. Allahu e shënon atë që e ndryshojnë. Mos iu vër veshin atyre, e mbështetju Allahut, se mjafton mbrojtja e Allahut.[61]

  90. [61] Muslimanët u urdhëruan të jenë gjithnjë të përgatitur, të mos dalin një nga një e t’i befasojë armiku, por të dalin në grupe, ose të gjithë së bashku. Munafikët nuk iu bashkoheshin muslimanëve në luftra, por nëse muslimanët fitonin, ankoheshin kinse nuk e dinin, se edhe ata do të merrnin pjesë, edhe pse e kishin ditur, e kur dëmtoheshin muslimanët e quanin fat mospjesëmarrjen e tyre në luftë.
    Lufta në rrugën e Allahut nuk është humbje, sepse ai që vritet është dëshmor, kurse ai që shpëton, ka ndihmuar përhapjen e drejtësisë, prandaj edhe ai do të ketë shpërblim të madh. Banorët e Mekës ishin mizorë, sepse i torturonin të gjithë ata që kishin besuar Zotin një, e posaçërisht të paaftit, si pleqtë, gratë e fëmijët. Lufta kundër atyre mizorëve u bë e obligueshme. Muslimanëve iu tërhiqet vërejtja, që të mos frikësohen nga vdekja, sepse asaj nuk mund t’i shpëtohet, e nëse vdiset në luftë, shpërblimi është shumë i madh. Munafikët përpiqeshin t’ia mveshin Muhamedit a.s. fajin për të gjitha fatkeqësitë, në mënyrë që t'i irritonin njerëzit nga ai. Kurani ua bëri të qartë, se çdo e keqe është pasojë e vetë njeriut, sepse njeriu nuk i përputh veprat e veta me ligjet e Zotit dhe mendon se dikush tjetër e ka fajin. Të gjitha të mirat burojnë prej Zotit.
    Dërgimi i Muhamedit a.s. për të gjithë njerëzit është një e mirë prej Zotit, por Muhamedi ishte vetëm komunikues i porosive të Zotit, e jo edhe roje i dredhive, që i bënin fshehtas munafikët. Mjafton që Allahu i di dredhitë e tyre dhe Ai do t'u japë llogarinë e merituar. Bindja ndaj Pejgamberit a.s. është njëkohësisht edhe bindje ndaj Allahut, sepse Ai dëshmoi, se e ka dërguar për t’iu kumtuar njerëzve udhëzimet e Tij.


  91. A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut do të gjenin në te shumë kundërthënie.

  92. Madje kur iu vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët), ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen e lajmit) Pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur). Por sikur të mos ishte dhuntia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, atëherë ju, pos një pakice, do të ndiqnit rrugën e djallit.

  93. Lufto në rrugën e Allahut! Nuk obligohet kush pos teje. Nxiti besimtarët (për luftë), Allahu do të zmbrapsë fuqinë e të pabesëve. Allahu është më Fuqiforti, më Ndëshkuesi.

  94. Kush ofron ndihmë të mirë do të ketë pjesë nga ajo, dhe kush ofron ndihmë të keqe do të ngarkohet me të. Allahu është i Plotfuqishëm ndaj çdo sendi.

  95. Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetjen edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. Allahu llogarit për çdo send.

  96. Allahu është Ai, që nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Tij, Ai patjetër do t'ju tubojë në Ditën e Gjykimit për të cilën gjë nuk ka dyshim. E kush mund të jetë më i vërtetë, se sa Allahu në thënie?[62]

  97. [62] Kurani edhe pse është shpallur në një periudhë gati prej njëzet e tri vjetësh dhe shpallja e tij është lajmëruar sipas nevojës për të zgjidhur ndonjë çështje të parashtruar në momente, përputhshmëria e synimeve të ajeteve në tërësi është e plotë, pra nuk ka ajet që i kundërvihet ndonjë ajeti tjetër. E ky është një nga faktorët që argumentojnë se kjo përsosmëri e tij në shprehje, stil e në domethënie, është e shpallur dhe e dhuruar nga i madhi Zot, e jo prodhim i mendjes së njeriut.
    Muhamedi, përveç që ishte strateg ishte më i vendosuri në luftë, prandaj edhe urdhërohej të luftojë vetë, por edhe t’i trimërojë besimtarët se ndihma e Zotit ishte me ta. Këtë shembull e ndoqi edhe Ebu Bekri kur vendosi t’i luftojë tradhtarët, po edhe nëse vjen puna të mbetet i vetmuar.
    Përshëndetja është gjest afrimi ndër njerëz, prandaj atë duhet pranuar dhe respektuar në mënyrë edhe më të mirë.


  98. E çka është me ju, që në çështjen e munafikëve jeni dy grupe; derisa për atë që bënë, Allahu i përmbysi ata? A mos doni ta vini në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka humbur? Për atë që Allahu e ka humbur, nuk do të gjeni rrugë!

  99. Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni sikurse nuk besuan vetë dhe të bëheni njësoj. Mos zini miq prej tyre derisa ata të shpëngulen (si ju) për hir të Allahut, e nëse refuzojnë, atëherë kudo që t’i gjeni, kapni dhe vritini dhe prej tyre mos zini, as mik, as ndihmës.

  100. Përpos atyre që strehohen te një popull, me të cilin keni marrveshje, dhe përpos atyre që vijnë te ju, e u vjen rëndë të luftojnë kundër jush, ose kundër popullit të vet. Sikur Allahu të donte do t’ju jepte atyre fuqi e pushtet mbi ju dhe do t’ju luftonin. Në qoftë se ata tërhiqen prej jush, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju lejon rrugë (luftë) kundër tyre.

  101. Ju do të hasni në të tjerë,që duan të sigurohen te ju (duke u paraqitur si besimtarë) dhe të sigurohen te populli i vet (si jobesimtarë). E, sa herë që thirren (kundër jush) i përgjigjen thirrjes. Në qoftë se nuk largohen prej jush, nuk ju ofrojnë paqe dhe nuk heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë kapini dhe vritini kudo që t’i takoni. Kundër tyre iu kemi dhënë fakte të qarta.

  102. Asnjë besimtari nuk i është e lejuar të vrasë besimtarin tjetër, përpos gabimisht. E kush e vret gabimisht një besimtar, ai është i obliguar ta lirojë një rob besimtar dhe shpagimin (e gjakut) t’ia dorëzojë familjes së tij, përpos në qoftë se ia falin (familja gjakun). Në qoftë se ai (i vrari gabimisht) është besimtar, por i takon popullit që është armik i juaji, atëherë është obligim vetëm lirimi i një robi besimtar. Në qoftë se ai (i vrari) është nga ai popull, që keni marrëveshje me të, atëherë është obligim shpagimi i (gjakut) që i dorëzohet familjes së tij dhe lirimi i një robi besimtar. E kush nuk ka mundësi (të lirojë një rob), le të agjërojë dy muaj rresht, si pendim (i pranuar) ndaj Allahut. Allahu është i Gjithëdijshmi, Ligjdhënësi më i drejtë.

  103. Kush e vret një besimtar me qëllim dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.

  104. O ju që besuat, kur marshoni në rrugën e Allahut (për në luftë), të jeni të matur (të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”, duke kërkuar me të mjet (mall) të jetës së kësaj bote, pse tek Allahu janë begatitë e mëdha. Ashtu (jobesimtarë) ishit edhe ju më parë, e Allahu ju dhuroi (besimin), pra sqaroni mirë! Allahu është i Njohur me hollësi për atë që veproni.[63]

  105. [63] Qëndrimi i muslimanëve rreth hipokritëve nuk ishte i njëjtë. Disa mendonin se do të ishte më mirë të mos i luftonin, e disa ishin të mendimit t’i luftonin, meqë prej tyre nuk ka shpresë. Zoti ua tërhoq vërejtjen, sepse kishin mendime kontradiktore dhe iu tha, se ata janë të humbur, janë edhe më të rrezikshëm se jobesimtarët e hapët, për shkak se pranë muslimanëve paraqiteshin muslimanë e pranë jobesimtarëve - jobesimtarë, prandaj ata duhen luftuar, nëse nuk pushojnë nga intrigat e tyre kundër muslimanëve. Një prej mëkateve më të mëdha pas kufrit është mbytja me qëllim e me paramendim. Besimi - imani është çështje e fshehtë, esenca e tij është çështje e zemrës. Askush nuk di për besimin që i fle tjetrit në zemër. Prandaj për të vërtetuar atë që fle në zemër, është kusht dhe obligim për secilin shprehja e shehadetit gojarisht që të hyjë në Islam. Pas deklarimit me gojë për besim, askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë ose t’ia konsiderojë deklaratë joreale.

  106. Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që ndenjën (nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut, me përjashtim të atyre që ishin të penguar pa vullnetin e vet. Ata që luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre, Allahu i gradoi në një shkallë më lartë mbi ata që ndenjën (me arsye). Por të gjithëve Allahu u premtoi shpërblim, ndërsa mbi ata që ndenjën (pa arsye) Allahu gradoi luftëtarët me një shpërblim të madh,

  107. me vende të larta, me falje gabimesh e mëshirë nga Ai. Allahu është Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.

  108. Engjëjt që ua morën shpirtin atyre që ishin mizorë të vetvetes ju thanë: “Në çka ishit ju? - Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) ju thanë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është xhehenemi dhe sa vend i keq është ai!;

  109. përveç atyre që ishin të paaftë nga burrat, gratë e fëmijët që nuk kishin mundësi të gjenin, as mënyrë, as rrugë (për shpërngulje),

  110. atyre do t’ua falë Allahu. Allahu është është Shlyes dhe Falës i madh i mëkateve.

  111. Kush shpërngulet për hir (të fesë së) Allahut, ai gjen mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si migrues tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), tek Allahu është shpërblimi i tij. Allahu është Shumëfalës, Mëshirues i madh.[64]

  112. [64] Ata që luftuan për të mbrojtur veten dhe fenë e vet kanë gradë të lartë tek Allahu. Kanë shpërblim edhe ata që patën dëshirë, por ishin të paaftë, siç janë ta zëmë të gjymtët, të verbrit ose të sëmurët. Atyre që patën mundësi të migrojnë te Pejgamberi
    a.s. në Medinë dhe të pranojnë e të praktikojnë lirisht besimin, por nuk shkuan, engjëjt ju thonë: çka ishte puna e juaj me besim? Kur thonë se në Mekë ishte e pamundur ta përqafonin fenë e drejtë, marrin përgjigjen prej engjëjve; toka e Zotit është e madhe, nuk migruat, mbetët në kufr, pra ja xhehenemi. Zoti vlerëson veprat sipas qëllimit të njeriut, prandaj e shpërblen si muhaxhir edhe atë që niset, por e gjen vdekja në rrugë.


  113. Kur të jeni në udhëtim e sipër, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frigoheni se jobesimtarët do të ju sjellin ndonjë të keqe. Jobesimtarët janë armiq tuaj të hapët.

  114. Kur të jesh ti (Muhammed) bashkë me ta dhe ju fal namazin, një grup prej tyre, duke i bartur armët, le të vijë e le të falet me ty (grupi tjetër në roje), e kur të bien në sexhde (të kryejnë një reqatë), këta le të qëndrojnë mbrapa jush (në roje), e le të vijë grupi tjetër, që nuk është falur, e të falet me ty dhe le t’i bartin armët dhe të jenë në gjendje gatishmërie. Ata që nuk besojnë, e dëshirojnë moskujdesin tuaj ndaj armëve e mjeteve, që t'iu vërsulen një herë me të gjitha fuqitë. Nëse jeni të lodhur nga ndonjë shi ose jeni të sëmurë, nuk është mëkat të mos i bartni armët, por mbani gatishmërinë tuaj. Allahu ka përgatitur dënim nënçmues për jobesimarët.

  115. Kur të kryeni namazin (e frikës) përmendeni Allahun, kur jeni në këmbë, ulur, të mbështetur. E kur të qetësoheni (nga lufta), atëherë faleni namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.

  116. Mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armikut, pse nëse ndjeni dhembje, edhe ata ndjejnë dhembje sikurse ju, e ju shpresoni nga Allahu çka ata nuk shpresojnë. Allahu është i Gjithëdijshëm, Ligjdhënës i Urtë.

  117. Ne të zbritëm ty (Muhamed) librin (Kuranin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u ngatërro me tradhtarët (mos u dil në ndihmë).

  118. Kërkoji falje (për këtë) Allahut. Allahu është Falës dhe Mëshirues i madh.

  119. Mos polemizo për ata që tradhtojnë vetveten. Allahu nuk e do atë që është gënjeshtar e mëkatar.

  120. Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, e nuk turpërohen prej Allahut, e Ai është me ta edhe kur planifikojnë fshehtas thënie me të cilat nuk është i kënaqur Ai. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë veprimet e tyre.

  121. Ja, ju jeni ata që i mbrojtët (gënjeshtarët) në jetën e kësaj bote, kush do të polemizojë me Allahun për ta Ditën e Gjykimit, apo kush do t’i marrë në mbrojtje?

  122. Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek Allahu, ai e gjen Allahun Shumëfalës e Mëshirues të madh.

  123. Kush bën ndonjë mëkat, ai ka ngarkuar veten. Allahu është i Gjithëdijshëm (i di hollësitë) dhe është Gjykatës i Drejtë.

  124. Kush bën ndonjë gabim ose mëkat, e pastaj atë ia hedh një të pafajshmi, ai ngarkohet me një shpifje e me një mëkat të hapët.

  125. E sikur të mos ishte dhuntia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj teje, një grup prej tyre do të humbte ty, por ata nuk humbin tjetër, pos vetes së tyre. Ty nuk mund të dëmtojnë asgjë. Allahu të shpalli ty librin dhe urtësinë (Sunetin), të mësoi çka nuk dije. Dhuntia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.[65]

  126. [65] Shkurtimi i namazit kur njeriu nuk është i sigurt prej armikut është i vërtetuar me Kuran. Për shkurtimin e tij në udhëtime të rëndomta është i përkufizuar me Sunet.
    Shkak i zbritjes së ajetit për shkurtim ishte: Pejgamberi a.s. e fal drekën bashkë me shokët në vendin e quajtur Asfanë. Idhujtarët në krye me Halid bin Velidin qëndruan para tyre dhe ofshanë pse nuk i sulmuan duke u falur, por thanë: Tashti u vjen namazi edhe më i dashur, fjala ishte për namazin e iqindisë, e do t’i sulmojmë. Para se të vijë namazi Zoti i Madhëruar nëpërmjet Xhibrilit ia shpall këtë pjesë të Kuranit Muhamedit a.s. dhe namazi i iqindisë falet sipas udhëzimit të kësaj pjese.
    Porosia e Muhamedit a.s. që të gjykojë drejt sipas Kuranit ka të bëjë me një njeri, që kishte vjedhur petkun e një fqinji dhe duke e vërejtur se do të zbulohet petkun e vjedhur e hedh në oborrin e një jehudiu për ta fajësuar atë e për të shpëtuar veten. Për vjedhjen lajmërohet Pejgamberi a.s. dhe duke e bindur familja e vjedhësit, se atë e kishte vjedhur jehudiu, Pejgamberi a.s. mendon ta fajësojë jehudiun e pafajshëm, por ndërhyn Kurani dhe e zbulon të vërtetën. Ajetet pas tij udhëzojnë, se duhet të jemi të sinqertë, duhet pranuar gabimi, duke kërkuar falje prej Zotit, e jo t’i shpifësh tjetrit të pafajshëm. Gjithashtu nga kjo pjesë e Kuranit kuptohet se Pejgamberi a.s. ka qenë i pagabueshëm, sepse për çdo rast ka ndërhyrë shpallja.


  127. Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur si qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim (në botën tjetër) shpërblim të madh.

  128. Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në Dunja), dhe e fusim në xhehenem. Përfundim i keq është ai.

  129. Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat ia fal atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej të vërtetës).

  130. Ata nuk lusin tjetër pos Tij vetëm (emra idhujsh) femra dhe nuk lusin tjetër pos djallit plot sherr.

  131. Atë e mallkoi Allahu. Ai ka thënë: “Unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu,

  132. do t’i shmang (nga e vërteta), do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota, do t'i urdhëroj dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive, dhe do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut”. E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.

  133. Ai iu premton atyre dhe i bën të shpresojnë, por djalli nuk premton tjetër vetëm se mashtrim.

  134. Të tillët (që ndjekin djallin) kanë vendin në xhehenem dhe prej tij nuk kanë të ikur (shpëtim).

  135. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në xhenete, ku rrjedhin lumenj e ku do të jenë përgjithmonë. Premtimi i saktë i Allahut. E kush mund të jetë më i saktë në fjalë, se Allahu?

  136. Nuk është (shpëtim) sipas shpresave tuaja, as sipas shpresave të Ithtarëve të Librit. Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me të, dhe pos Allahut, nuk ka për t’i gjetur vetes, as mbrojtës, as ndihmës.

  137. Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhenet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie.

  138. Kush ka fe më të mirë, se ai që sinqerisht i është bindur Allahut, dhe duke qenë bamirës, e ndjek fenë e drejtë të Ibrahimit? Allahu e zgjodhi Ibrahimin të dashur të ngushtë.

  139. Vetëm të Allahut janë çka në qiej dhe çka në tokë. Allahu është Gjithëpërfshirës i çdo gjëje (me dijen dhe fuqinë e Tij).[66]

  140. [66] Asnjë bisedë nuk mund t’i fshihet Zotit, as ajo e familjes së hajnit, me të cilën planifikuan ta fajësojnë të pafajshmin. Fjalë të vlefshme janë vetëm ato që këshillojnë për punë të mira e na ruajnë nga të këqiat, ato me të cilat përkujtohet e përmendet Zoti dhe ato me të cilat largon dëmin nga njerëzit, duke i pajtuar mes vete.
    Pejgamberit a.s. iu kundërvu ai vjedhësi, i cili, pasi që nuk arriti t’i ikë të vërtetës, u arratis për në Mekë dhe kaloi në besimin politeist. Një pjesë e dijetarëve islamë në bazë të ajetit: “Ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve” argumenton mbi ligjshmërinë e institucionit “ixhmai” -unanimitetit. Ixhmai i dijetarëve nuk është kusht të jetë nga radhët e sahabëve, as të jetë nga medinasit e as nga pasardhësit e Pejgamberit a.s., por nga radhët e muslimanëve të çfarëdo kohe.
    Shëmtimi i krijesave të Allahut bëhej, duke vënë shenja në veshët e bagëtive e pastaj duke i konsideruar ato të shenjta, duke i konsideruar krijesat e Zotit si zotra dhe duke i adhuruar ato si: engjëjt, diellin, hënën etj, dhe duke shëmtuar vetë njerëzit, duke i nxjerrë nga natyrshmëria e tyre për ta njohur e adhuruar Krijuesin e vërtetë, të adhurojnë sende të kota.
    Pretendimet e cilësdo palë, kinse janë të privilegjuar te Zoti, vetëm pse i takojnë atij ose këtij populli, janë të kota. Vlerësimi do të jetë në bazë të besimit të drejtë dhe veprave.


  141. Kërkojnë prej teje (Muhamed) përgjigje - fetva për (çështjen) gratë. Thuaju: “Allahu ju sqaron për to dhe kjo që po ju lexohet nga libri (Kurani) përkitazi me gratë jetime, me të cilat lakmoni të martoheni me to, e nuk iu jepni atë, që është caktuar (mehër ose trashëgim), (ju sqaron) lidhur me të paaftit (fëmijët jetimë) dhe që të mbani drejtësi ndaj jetimëve!" Dhe, çfarëdo të mire që punoni, Allahu di shumë për të.

  142. Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj saj, atëherë nuk gabojnë po qe se bëjnë mes vete ndonjë mbarim (pajtim). Pajtimi është më i dobishmi. Megjithëkëtë koprracia është e pranishme ndër njerëz. Por nëse silleni mirë dhe ruheni, s'ka dyshim se Allahu hollësisht është i Njohur me gjithë çka veproni.

  143. Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave, edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni plotësisht nga ndonjëra e të lini tjetrën si të varur. E nëse përmirësoheni dhe ruheni (padrejtësisë), atëherë Allahu është Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.

  144. Por nëse ndahen prej njëri tjetrit, Allahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre. Allahu është Bujar i madh, i Plotdijshëm.

  145. Vetëm e Allahut është çka në qiej e çka në tokë. Ne ju patëm sugjeruar atyre, që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga Allahu. Po në mos besofshit, (dijeni se) e Allahut është çka në qiej dhe çka në tokë. Allahu është i Pasur (nuk ka nevojë për asgjë) dhe i Lavdëruar.

  146. Të Allahut janë gjithë çka në qiej e çka në tokë. Mjafton që Allahu është i Përkujdesshëm.

  147. Nëse Ai dëshiron, ju zhduk juve or njerëz, e sjell të tjerë. Për këtë është i Plotfuqishëm.

  148. Kush (me punën e vet) dëshiron shpërblimin e kësaj bote (ai gabon), shpërblimi i kësaj dhe i asaj botës tjetër është tek Allahu, e Allahu është Dëgjues dhe Vëzhgues i çdo gjëje.[67]

  149. [67] Arabët injorantë nuk iu jepnin grave jetime ose të veja atë që u takonte nga trashëgimia ose nga niqahu. Donin të martoheshin me to për t’iu marrë pasurinë e tyre. Të miturve nuk iu njihnin të drejtë në trashëgim. Ky ajet ka lidhje me ajetin tre në fillim të kaptinës. Megjithëse drejtësia mes grave është e vështirë burri është i obliguar të mbajë drejtësinë praktike, duke mos anuar ndaj njërës e as duke lënë tjetrën si të pazot. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush ka dy gra dhe praktikisht anon nga njëra, do të dalë në Ditën e Gjykimit gjysmak”.

  150. O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut, edhe nëse është kundër (interesit) vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse Allahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocionin e t’i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrëmbëroni ose tërhiqeni, Allahu është i Njohur hollësisht për çka punoni.

  151. O ju që besuat, besoni vazhdimisht Allahun, të Dërguarit të Tij, librit që gradualisht ia zbriti të Dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij dhe Ditës së Fundit, ai ka humbur tepër larg.

  152. Vërtet ata që besuan e pastaj mohuan, përsëri besuan e pastaj mohuan dhe e shtuan mosbesimin, Allahu nuk ua fal atyre, as nuk i udhëzon në rrugë të drejtë.

  153. Ti (Muhamed) lajmëroji munafikët, se me të vërtetë ata kanë një dënim të dhembshëm,

  154. të cilët përkundër besimtarëve i miqësojnë jobesimtarët. Vallë, a mos kërkojnë fuqi tek ata? S’ka dyshim, e tërë fuqia i takon Allahut.

  155. Juve ju ka zbritur në librin (Kuranin), që kur të dëgjoni se po mohohet Kurani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër, përndryshe ju do të jeni si ata. Allahu do t’i tubojë hipokritët dhe jobesimtarët, që të gjithë në xhehenem.

  156. Ata janë që presin se ç’po ju ngjan juve. Nëse me ndihmën e Allahut ngadhënjeni, ata ju thonë juve: “A nuk ishim me ju?”- E nëse jobesimtarëve iu takon ndonjë fitim ata ju thonë (jobesimtarëve): “A nuk mbizotëruam ne mbi ju (por nuk deshtëm t’ju mposhtim) dhe penguam prej jush besimtarët!” Allahu do të gjykojë mes jush Ditën e Gjykimit. Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët.[68]

  157. [68] Dëshmitari është i obliguar patjetër ta thotë të vërtetën. Nuk duhet të anojë në favor të pasanikut pse është i pasur, e as ta mëshirojë të varfërin, pse kujdesin ndaj tyre e mban Zoti. Dëshmitari nuk duhet të frymëzohet nga ndonjë motiv miqësie, frike apo mëshire e të dëshmojë rrejshëm.
    Munafikët paraqiteshin ndonjëherë si besimtarë, e pastaj ktheheshin në idhujtari dhe si të tillë mbetën në errësirë të përjetshme.
    Sipas ajetit 68 të kaptinës “En’am”, besimtarëve në Mekë iu ndalohej të rrinin me idhujtarë, të cilët talleshin me Kuranin, që i njihej Muhamedit a.s., e me këtë ajet iu ndalohet edhe muslimanëve në Medinë të rrinin me jehudi e me munafikë, të cilët bënin të njëjtën gjë.


  158. Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu i mashtron ata. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.

  159. Ata janë të luhatshëm ndërmjet atij dhe atij (besimit dhe mosbesimit), e nuk janë, as me ata (me besimtarët), as me ata (me jobesimtarët). Po atë që e mposht Allahu ti nuk mund të gjesh shpëtim për të.

  160. O ju që besuat, mos i zini miq jobesimtarët e t’i lini anash besimtarët! A doni t’i sillni Allahut argument të qartë kundër vetes!

  161. S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës.

  162. Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën Allahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për Allahun. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët, e Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh.

  163. Çfarë ka Allahu me dënimin tuaj? E falënderuat dhe i besuat? (e para nuk i pakëson sundimin e as e dyta nuk i shton) Allahu është Mirënjohës, i Gjithëdijshëm.[69]

  164. [69] Në këtë ajet fjala është për munafikët - hipokritë në fe, për njerëz që e publikonin besimin sa për sy e faqe e nuk janë besimtarë të vërtetë. Njeriu duhet të ruhet prej formaliteteve, sepse ato janë shenjat e munafikëve, edhe pse nuk e arrijnë atë nivel të hipokrizisë. Pra nuk duhet të jemi përtacë e të falemi vetëm kur jemi në publik. Sipas interpretuesve të Kuranit, zjarri është shtatë shtresash, e që janë: e para Xhehenem, pastaj Ledhdha, El Hutametu, Es Seir, Sekar, Xhehim dhe më e poshtmja El Havijetu. Ruana Zot prej dënimit! Ndërsa shprehja “zjarr” i përfshin të gjitha, ndonjëherë emërohen të gjitha me shtresën e parë - xhehenem.

  165. Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç (publikimit) të atij, që i është bërë padrejtësi. Allahu është Dëgjues i çdo gjëje, i Gjithëdijshëm.

  166. Nëse publikoni ndonjë të mirë, ose e fshihni atë, ose i falni ndonjë të keqe (dikujt), atëherë (dijeni se) Allahu është Shumëfalës (do t’ju falë) dhe është i Plotfuqishëm.

  167. S’ka dyshim, se ata që nuk besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij e thonë: “Ne i besojmë disa, e nuk i besojmë disa të tjerë”, e mes këtij duan të marrin një rrugë,

  168. të tillët janë jobesimtarët e vërtetë; e Ne kemi përgatitur dënim të fortë e nënçmues për jobesimtarët.

  169. E ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe nuk bënë kurrfarë dallimi në asnjë prej tyre, të tillëve do t'u jepet shpërblim i merituar. Allahu është Shumëfalës dhe Mëshirues i madh.

  170. Ithtarët e Librit (jehuditë) kërkojnë prej teje t’u sjellësh një libër (komplet) nga qielli. Po ata patën kërkuar prej Musait edhe më tepër, e i patën thënë: “Dëftona Zotin sheshas” (ta shohim me sy), e për shkak të mizorisë së tyre i kapi rrufeja. Mandej edhe pasi iu patën shfaqur atyre mrekulli të qarta, ata adhuruan viçin. Ne u patëm falur atë, e Musait i dhamë argumente të forta.

  171. Ne ngritëm mbi ta (bregun) Turin pse ishin zotuar (ta pranojnë Tevratin), iu patëm thënë: “Hyni në derë (të Bejtul Mukaddesit) të përulur, dhe iu patëm thënë: “Mos e thyeni të shtunën” (mos gjuani peshk). Ashtu Ne patëm marrë prej tyre besë të fortë.

  172. Dhe për shkak të thyerjes së besës së dhënë, të mohimit të ajeteve (shpalljes) të Allahut, të vrasjes së pejgamberëve pa kurrfarë të drejte, dhe thënies së tyre: “Zemrat tona janë të mbuluara” (me perde). Jo, por për shkak të mohimit të tyre Allahu ua vulosi ato (zemrat), e nuk besojnë prej tyre vetëm pakkush.

  173. Edhe për shkak të mosbesimit dhe të thënies së tyre shpifëse kundër Merjemes.

  174. Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi vrarë Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Po ata, as nuk e vranë, as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan me gozhda), por atyre iu përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (vrasjes së) tij, janë në dilemë për të (për vrasjen), e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e vranë atë,

  175. përkundrazi Allahu e ngriti atë pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.

  176. Nuk ka asnjë nga Ithtarët e Librit vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së vet, e në Ditën e Gjykimit ai dëshmon kundër tyre.

  177. Dhe për shkak të mizorisë së atyre, që ishin jahudi, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që iu ishin të lejuara.

  178. Edhe për shkak të marrjes së kamatës, edhe pse e kishin të ndaluar atë dhe ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi përgatitur dënim të mundimshëm për ata që nuk besuan prej tyre.

  179. Por ata, prej tyre që kanë thesar të diturisë dhe besimtarët, besojnë atë që t’u zbrit ty, dhe atë që është zbritur para teje, besojnë edhe ata që e falin namazin dhe japin zeqatin, dhe besimtarët në Allahun, e në jetën e ardhshme. Të tillëve do t’u japim shpërblim të madh.[70]

  180. [70] Vetëm ankesën e atij që i bëhet zullum, Allahu nuk e kthen mbrapa, edhe nëse nga zullumi nuk mund të ndalë veten e shprehet keq. Zotin ta besosh, kurse pejgamberët
    - jo, nuk është besim i pranueshëm, sikurse nuk është besim i pranueshëm, as i atij që nuk pranon ndonjë nga pejgamberët. Jehuditë, me qëllim tendencioz kërkuan prej Muhamedit a.s. t’iu sillte një libër komplet nga Allahu, ashtu sikurse ishte shpallur Tevrati menjëherë. Zoti i tregon Muhamedit a.s. për sjelljet e tyre edhe më të rënda ndaj Musait dhe për masat ndëshkuese, të cilat i përjetuan për shkak të mizorisë së tyre në sjellje e vepra. I tregon edhe për përpjekjet e tyre që ta vrisnin Isain, por Zoti e shpëtoi atë prej dorës së tyre.
    Kurani nuk flet diçka më qartë rreth Isait, se Zoti e ngriti me trup e me shpirt, ose vetëm me shpirt. Mirëpo shumë hadithe të vërteta flasin mbi atë, se Isai është ngritur me trup dhe se përsëri do të kthehet në tokë... Ajo që nuk ka kurrfarë dyshimi rreth Isait është, se Isain nuk e kanë vrarë jehuditë, as nuk e kanë varur, as e kanë gozhduar dhe se të gjithë ata, që nuk e pranuan si pejgamber do ta pranojnë në momentin e vdekjes, edhe pse një pranim i tillë nuk do t’i sjellë dobi atij që e pranon.


  181. Ne të kemi shpallur ty sikurse i patëm shpallur Nuhut dhe pejgamberëve pas tij; i patëm shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is-hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij, Isait, Ejubit, Junusit, Harunit, Sulejmanit, dhe Davudit i patëm dhënë Zeburin.

  182. Dhe (çuam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem, e Musait i foli Allahu me fjalë.

  183. Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para Allahut. Allahu është i Plotfuqishmi dhe më i Urti (në veprimet e Tij).

  184. (Jehuditë i thanë, se nuk të besojmë për shpalljen Muhamedit) Por Allahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjt dëshmojnë, po mjaft që është Allahu Dëshmues.

  185. Ata që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, ata kanë humbur shumë larg.

  186. Ata që nuk besuan dhe bënë zullum Allahu, as nuk ka për t’i falur, as nuk ka për t’i drejtuar në rrugë,

  187. përpos rrugës së xhehenemit, në të cilin do të jenë përjetë të pasosur. E për Allahun kjo është e lehtë.

  188. O ju njerëz, juve ju erdhi i dërguari me të vërtetën (fenë e drejtë) nga Zoti juaj, pra t’i besoni se është më e dobishme për ju. Po nëse vazhdoni ta refuzoni, ta dini se çka në qiej e tokë është vetëm e Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm (për gjendjen e robërve) dhe është më i Urti.[71]

  189. [71] Zoti i përmend me emra disa pejgamberë për arsye të famës së madhe të tyre. Menjëherë pas Muhamedit a.s. përmendet Nuhu që ishte pejgamberi i parë, në gjuhën e të cilit hartohen ligjetsheriati, dhe ishte i pari që thërriti në monoteizëm, e konsiderohet baba i dytë i njerëzimit. Ibrahimi konsiderohet babai i pejgamberëve, sepse prej pasardhësve të tij ka shumë pejgamberë. Isai përmendet para disa pejgamberëve, që me jetë kishin qenë më heret, sepse jehuditë e atakonin me fanatizëm, kurse të krishterët e zmadhonin tepër. Musai nuk përmendet në një ajet me të tjerët, sepse Tevrati i tërë i zbriti menjëherë dhe ai i dëgjoi fjalët drejtpërsëdrejti nga Zoti.

  190. O Ithtarët e Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i Dërguar i Allahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu), që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra Allahun dhe të Dërguarin e Tij e mos thoni: "Tre" (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. Allahu është vetëm një Allah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Çka në qiej dhe çka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që Allahu është Mbajtës dhe Rregullues i çdo gjëje.

  191. Mesihu nuk tërhiqet prej asaj, se është rob i Allahut, nuk tërhiqen as engjëjt më të zgjedhur. Kush tërhiqet prej adhurimit ndaj Tij dhe bën mendjemadhësi, Ai do t’i ringjallë dhe do t’i tubojë të gjithë pranë Tij.

  192. E përsa u përket atyre që besuan dhe vepruan mirë, atyre do t’u përmbushet shpërblimi i merituar, por edhe do t’iu shtohet prej dhuntisë së Tij. Përsa i përket atyre, që u tërhoqën dhe e mbajtën veten kryelartë, ata do t’i ndëshkojë me një ndëshkim fort të dhembshëm dhe pos Allahut nuk do t’i gjejnë vetes, as mbrojtës, as ndihmës.

  193. O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.

  194. Ata që i besuan Allahut dhe iu përmbajtën Atij (librit të Tij), Ai do t’i fusë në mëshirën (xhenetin) e Tij dhe do t’i gradojë e do t’i udhëzojë për në rrugë të drejtë.

  195. Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet në çështjen e “kelale-s” (ai që nuk ka prindër, as fëmijë që ta trashëgojnë). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllau) trashëgon tërë atë (që le motra), nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), atyre të dyjave iu takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe të përzier burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon hise dy fish më shumë se sa femrës. Allahu ju sqaron, ashtu që të mos humbni. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.[72]

[72] Kjo pjesë e Kuranit i hedh poshtë të gjitha trillimet e jehudive dhe të krishterëve. Ne të vërtetë jehuditë shpifnin për Merjemen, kinse ajo e lindi Isain pa kurorë dhe ai, si fëmijë i tillë, nuk e meriton të jetë pejgamber. Zoti e vërteton, se Isai është i krijuar me fjalën e Tij “Bëhu!”; është shpirt i dërguar prej Zotit, pra është i pastër nga shpifjet e jehudive.
Isai ju thotë të krishterëve; është fëmijë i lindur me urdhrin e Zotit, është pejgamber, por është njeri, nuk është Zot, as bir i Zotit. Nuk janë tre zota: Allahu, Isai Merjemja, e as nuk është Zot i përbërë prej: atit, birit dhe shpirtit të shenjtë.
Nuk ka gradë më të lartë, se të jesh rob i Zotit. Këtë e di Isai, e dinë edhe engjëjt, që janë më afër Zotit, prandaj Isait i vjen keq pse dikush thotë për të, se është bir i Zotit, iu vjen shumë keq edhe engjëjve, pse dikush ka thënë, se janë bijat e Zotit. Zoti i Plotfuqishëm do t’i tubojë pas ringjalljes, që të gjithë pranë Vetes dhe do të pyesë për atë që nuk donin të ishin robër të Tij.
Me ndihmën e Zotit e përfunduam përkthimin e kësaj kaptine. Falënderoj Allahun e Madhëruar!