Mekase - 98 vargje
1. Kâf, Hâ, Jâ, Ajn, Sád.
2. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij - Zekerijas.
3. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë
4. (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im!
5. Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje[188], ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës,
[188] Zekerija kishte frikë se, pas vdekjes së tij, adhurimi i Allahut nuk do të kryhej në mënyrën e duhur. Ai nuk kishte një bir që ta trashëgonte funksionin e tij prej kujdestari të Tempullit të Sulejmanit, prandaj iu lut Allahut që t’i dhuronte një trashëgimtar të ndriçuar nga ana e Tij.
6. që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!”
7. “O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”.
8. Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!”
9. I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”.
10. (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.”
11. Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!
12. (Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri,
13. butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar
14. dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.
15. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.
16. Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje,
17. duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë,[189] i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë.
[189] D.m.th. engjëllin Xhebrail. Allahu e ka quajtur atë “Shpirtin Tonë” për ta nderuar dhe për ta ngritur lart, jo se Xhebraili është pjesë e Qenies Hyjnore. Ai është një prej shpirtrave më të nderuar që ka krijuar Allahu.
18. Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.
19. Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”
20. Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!”
21. Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.”
22. Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët.
23. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!”
24. Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!
25. Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!
26. Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.”
27. Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme!
28. O motra e Harunit![190] Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.”
[190] D.m.th. “O grua e virtytshme”. Meqenëse Haruni është një profet i nderuar, i përmendur në Kuran dhe, meqenëse Merjemja rridhte nga fisi i tij, ajo thirret në këtë kontekst me shprehjen “o motra e Harunit”. Në arabisht dhe, në përgjithësi, në gjuhët semitike (hebraisht, aramaisht etj.), shprehje të tilla idiomatike si: “o babai i ...”, “o biri i ...”, “o vëllai i ...” etj., nuk presupozojnë një lidhje të drejtpërdrejtë gjaku, por përdoren për të treguar një përkatësi fisnore ose një përkatësi fisnike.
29. Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?”
30. Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet
31. dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë
32. dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.
33. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!”
34. Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.
35. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet.
36. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”.
37. E megjithatë, sektet u përçanë në lidhje me atë.[191] Mjerë ata që nuk besojnë për takimin e një Dite të madhe (Ditës së Kiametit)!
[191] Vargu i referohet përçarjeve ekzistuese ndërmjet të krishterëve në kohën e shpalljes së Kuranit.
38. E sa mirë do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë, kur do të vijnë te Ne! Por, sot keqbërësit janë në humbje të qartë!
39. Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.
40. Vërtet, jemi Ne që e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka që gjendet në të dhe ata te Ne do të kthehen.
41. Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
42. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?
43. O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!
44. O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.
45. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”!
46. Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”!
47. Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.
48. Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.”
49. Dhe, kur u largua nga ata dhe nga idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.
50. Ne u dhuruam atyre mëshirën Tonë dhe bëmë që ata të lavdërohen e të përmenden me nder.
51. Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur, ishte i dërguar dhe profet.
52. Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur, duke e afruar në një bisedë të fshehtë
53. dhe, nga mëshira Jonë, i dhuruam të vëllanë, Harunin, si profet.
54. Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet.
55. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zekatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.
56. Trego në Libër për Idrisin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
57. Ne e ngritëm atë në vend të lartë.
58. Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Israilit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin.
59. Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh,
60. përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie;
61. në kopshtet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet, edhe pse ende nuk e kanë parë. Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurt.
62. Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetjeje për paqe dhe do të ushqehen në mëngjes dhe në mbrëmje.
63. Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.
64. (Xhebraili tha): “Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është në mes. Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”.
65. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!
66. Njeriu thotë: “Vallë, pasi të vdes, a do të ringjallem përsëri?”
67. A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!
68. Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata të gjunjëzuar rreth Xhehenemit!
69. Pastaj do të ndajmë prej çdo grupi atë që ka qenë më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit.
70. Ne pastaj e dimë më së miri se kush prej tyre e ka merituar të digjet në të.
71. Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.
72. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.
73. Kur u lexohen vargjet Tona të qarta, jobesimtarët u thonë atyre që kanë besuar: “Cili grup ka pozitë më të mirë dhe rreth më të mirë?”
74. Por sa e sa brezni, që kanë qenë më të begatshëm dhe më të pashëm, Ne i kemi shkatërruar para tyre!
75. Thuaj (o Muhamed): “Atyre që janë të humbur, i Gjithëmëshirshmi u dhëntë jetë”, në mënyrë që, kur të shohin atë që u është premtuar: ose dënimin (në këtë jetë) ose Orën (e Kiametit), atëherë ta marrin vesh se kush ka pozitë më të keqe dhe rreth më të dobët.
76. Allahu ua shton udhëzimin atyre që janë në rrugë të drejtë. Veprat e mira që mbesin, janë të shpërblyera më mirë te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë.
77. Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët”?!
78. A mos ndoshta ai e di të padukshmen apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi?
79. Kurrsesi! Ne do ta shënojmë atë që flet dhe do t’ia zgjasim vuajtjen.
80. Ne do t’ia marrim atij gjithçka për të cilat flet e ai te Ne do të vijë i vetëm.
81. Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës.
82. Por jo! Ata[192] do ta mohojnë adhurimin e tyre[193] dhe do të bëhen armiqtë e tyre.
[192] Zotat e rremë. [193] Idhujtarëve.
83. A nuk e sheh se Ne i kemi dërguar djajtë te mohuesit, për t’i yshtur ata me forcë?
84. Andaj, mos kërko shkatërrimin e tyre të shpejtë, se, me të vërtetë, Ne ua numërojmë ditët e caktuara.
85. Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar
86. e do t’i shtyjmë të ligjtë në Xhehenem, si tufë e etur,
87. askush nuk do të mund të ndërhyjë, përveç atij që ka marrë lejen dhe premtimin e të Gjithëmëshirshmit.
88. Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”.
89. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!
90. Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar,
91. ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.
92. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir.
93. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.
94. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.
95. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.
96. Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.
97. Ne e kemi bërë atë (Kuranin) të lehtë, në gjuhën tënde, vetëm që, nëpërmjet tij, ti t’u japësh lajmin e mirë besimtarëve të devotshëm dhe të paralajmërosh njerëzit kokëfortë (në mosbesimin e tyre).
98. Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!
Mekase - 135 vargje
1. Tâ, Hâ.
2. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar,
3. por që të jetë kujtesë për atë që ka frikë (nga Allahu).
4. Ai është zbritur nga Krijuesi i Tokës e i qiejve të lartë.
5. I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).
6. Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë.
7. Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta.
8. Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.
9. A e ke dëgjuar historinë e Musait?
10. Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”.
11. Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa!
12. Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.
13. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet!
14. Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!
15. Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë.
16. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.
17. Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?”
18. Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera.”
19. (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!”
20. Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej.
21. (Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.
22. Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër,
23. për të të treguar ty të tjera mrekulli Tonat edhe më të mëdha!
24. Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë”.
25. (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim,
26. lehtësoma punën time,
27. dhe zgjidhma nyjën e gjuhës sime,
28. që ata të kuptojnë fjalën time!
29. Më jep një ndihmës nga familja ime,
30. Harunin, vëllanë tim!
31. Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij
32. dhe bëma ortak në punën time,
33. që të thurim shumë lavde për Ty
34. e të të përmendim Ty vazhdimisht!
35. Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”.
36. (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa!
37. Edhe më parë, Ne të kemi bërë mirë ty,
38. kur i frymëzuam nënës tënde atë që iu frymëzua:
39. “Vëre atë (foshnjën) në një sënduk e hidhe në lumë! Lumi do ta nxjerrë në breg e atë do ta marrë një armik Imi dhe armik i tij.” Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.
40. Kur shkoi motra jote e tha: “A doni t’ju tregoj dikë që do të kujdeset për atë?”, Ne të kthyem te nëna jote, që ajo të gëzohej dhe të mos pikëllohej më. Pastaj ti vrave një njeri, por Ne të shpëtuam nga brenga dhe të vumë në sprova të shumta. Ti qëndrove me vite të tëra midis banorëve të Medjenit, pastaj erdhe sipas porosisë së caktuar, o Musa!
41. Unë të kam zgjedhur ty për Vete.
42. Shkoni ti dhe vëllai yt me mrekullitë e Mia dhe mos reshtni së përmenduri Mua!
43. Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë!
44. Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet[194] a frikësohet!”
[194] “ndoshta kujtohet”: pra, ndoshta i kujtohet monoteizmi që kishte predikuar Jusufi (a.s.) në Egjipt, shumë kohë para Musait (a.s.).
45. Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të ndërkrehet më tepër”.
46. (Allahu) tha: “Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.
47. Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Israilit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë!
48. Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i) mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”.
49. (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”
50. (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”.
51. (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm”?
52. (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!”
53. Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme.
54. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.
55. Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.
56. Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha shenjat Tona, por ai i mohoi, nuk pranoi (të besonte)
57. dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?!
58. Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!”
59. (Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtes[195] dhe njerëzia le të tubohen paradite”.
[195] Sipas transmetimeve, bëhet fjalë për një festë të përvitshme të lumit Nil.
60. Faraoni u largua, i mblodhi magjistarët e vet e pastaj erdhi.
61. Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!”
62. Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi.
63. Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë.
64. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!”
65. Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”.
66. Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.
67. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.
68. Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh!
69. Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”.
70. Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”.
71. (Faraoni) tha: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.”
72. (Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!
73. Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat na ke detyruar ti. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi.
74. Atë që i paraqitet Zotit të vet si keqbërës, sigurisht që e pret Xhehenemi, ku as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë.
75. Ndërsa kush paraqitet tek Ai si besimtar e që ka bërë vepra të mira, do të ngrihet në shkallë të larta,
76. në kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të qëndrojnë aty përjetësisht. Ky është shpërblimi për atë që është i dëlirë (nga mosbesimi).”
77. Ne i thamë Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!”
78. Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Israilit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha.
79. Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë.
80. O bijtë e Israilit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, bëmë besëlidhje me ju në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm manë dhe thëllëza.
81. Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur!
82. Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.
83. “Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?”
84. (Musai) tha: “Ja, ata shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.
85. (Allahu) tha: “Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiriu[196] i nxori ata nga rruga e drejtë”.
[196] Komentuesit e Kuranit kanë mendime të ndryshme rreth personit të Samiriut. Emri i tij duket se tregon origjinë gjeografike. Sipas Ibn Abbasit, Samiriu ishte nga një popull që ushtronte kultin e adhurimit të lopës. Ky fakt dhe emri i tij përkojnë me krahinën e Samarisë, në Palestinën Qendrore, ku, në vijim, jetuan njerëz që kishin një kult të përzier judeo-asirian, duke adhuruar Jehovain (emri që hebrenjtë i japin Zotit), të përfaqësuar në një viç.
86. Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha: “O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!”
87. Ata u përgjigjën: “Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu,
88. dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste. Atëherë tha: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)!”
89. Vallë, a nuk e shihnin ata, se (viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie?
90. Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre qysh më parë: “O populli im! Kjo është vetëm një provë për ju! Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ndiqmëni mua dhe dëgjoni urdhrin tim!”
91. Ata u përgjigjën: “Ne do t’i lutemi atij, derisa të na kthehet Musai”.
92. (Musai) tha: “O Harun, ç’të pengoi ty, kur i pe ata se kishin humbur,
93. që të vije tek unë?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?”
94. (Haruni) tha: “O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke! Unë kisha frikë se do të thoshe: Ke mbjellë përçarje midis bijve të Israilit e nuk i ke mbajtur porositë e mia”.
95. (Musai) tha: “Si është puna jote, o Samiri?”
96. (Samiriu) u përgjigj: “Unë pashë atë, që ata nuk e panë. Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime”.[197]
[197] Shumica e komentuesve të Kuranit, bazuar në një transmetim nga Ali Ibn Ebi Talibi (r.a.), thonë se Samiriu kishte parë Xhebrailin (a.s.) mbi një kalë teksa zbriti për të marrë Musain dhe u ngjit në qiell bashkë me të. Kështu, Samiriu mori një grusht dhé nga gjurma e kalit të Xhebrailit dhe ia hodhi viçit prej floriri, i cili mori jetë.
97. (Musai) tha: “Atëherë ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash: ‘Mos më prekni’.[198] Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.
[198] Musai e mallkoi Samiriun që të mos e prekte askush dhe që të përfundonte në Xhehenem. Thuhet se më pas Samiriut i ra një sëmundje e rëndë në lëkurë dhe nuk mund të duronte as prekjen më të vogël.
98. Në të vërtetë, Zoti juaj është vetëm Allahu; s’ka zot tjetër përveç Tij; dituria e Tij përfshin çdo gjë”.
99. Kështu pra, Ne po të të tregojmë ty (o Muhamed) disa histori të së kaluarës. Ky (Kuran) që të kemi dhënë, është një Këshillë nga ana Jonë.
100. Kush shmanget nga ai, në Ditën e Kiametit do të mbartë ngarkesë të rëndë,
101. që do t’u mbetet përherë. Sa barrë e keqe që do të jetë ajo në Ditën e Kiametit!
102. Ditën, kur do të fryhet në Sur, pikërisht atë Ditë do t’i tubojmë të ligjtë me sy të zgurdulluar,
103. duke i pëshpëritur njëri-tjetrit: “Ju keni qëndruar (në dynja) vetëm dhjetë ditë.”
104. Ne e dimë më mirë se ç’do të thonë ata (në Ditën e Kiametit), kur më i mençuri prej tyre do të thotë: “Ju keni qëndruar vetëm një ditë.”
105. Kur të të pyesin ty (o Muhamed) për malet, thuaj: “Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im,
106. ndërsa toka do të bëhet fushë e shkretë,
107. nuk do të shohësh në të as lugina, as brigje.”
108. Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit,[199] pa iu shmangur dot atij dhe do t’i ulin zërat para të Gjithëmëshirshmit. Ti nuk do të dëgjosh tjetër, veç pëshpëritjes.
[199] Engjëllit Israfil që i fryn bririt të ringjalljes.
109. Atë ditë nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që i është pranuar fjala.
110. Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut.
111. Fytyrat do t’i përulen të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të çdo gjëje dhe, sigurisht, do të humbë ai që do të mbartë padrejtësi.
112. Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.
113. Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në gjuhën arabe dhe i kemi shpjeguar paralajmërimet, që ata t’ua vënë veshin.
114. I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i Vërtetë! Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë!”[200]
[200] Zoti ka urdhëruar kërkimin dhe përvetësimin e diturisë, sepse dituria është një det i pafund. Ai na ka këshilluar për ta marrë diturinë në baza të shëndosha dhe na ka dërguar profetë, për të na dhënë dituri të saktë e të qartë. Po ashtu, Ai na ka këshilluar që të mos flasim pa argumente dhe pa baza të shëndosha. Andaj, dituria me hamendje nuk mund të pranohet (përkthyesi).
115. Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur.
116. Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi.
117. Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim!
118. Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur,
119. dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”
120. Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”
121. Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë).
122. Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi
123. dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.
124. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.
125. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?”
126. (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.
127. Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm.
128. A nuk e kanë marrë vesh ata se sa e sa brezni Ne i kemi zhdukur para atyre, aty ku ecin nëpër vendet e tyre sot? Me të vërtetë, në këtë ka tregues për njerëzit e mençur.
129. Sikur të mos ishte një fjalë e mëparshme nga Zoti yt dhe një afat tashmë i caktuar, dënimi i tyre do të ishte shpejtuar.
130. Prandaj duroje (o Muhamed) atë që thonë ata dhe lavdëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij! Lavdëroje Atë edhe në orët e natës, edhe në skajet e ditës, që të mund të kënaqesh.[201]
[201] Ky varg thekson pesë namazet e përditshme: namazi i sabahut para lindjes së diellit, namazi i drekës në mesditë, namazi i ikindisë gjatë orëve të pasdites (para perëndimit të diellit), namazi i akshamit pas perëndimit të diellit dhe namazi i jacisë në orët e natës.
131. Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i qëndrueshëm.
132. Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.
133. Ata thonë: “Përse të mos na sjellë ai ndonjë shenjë nga Zoti i tij”? A nuk u erdhi atyre sqarimi për atë që gjendej në shkrimet e lashta?!
134. Sikur Ne t’i kishim shkatërruar ata para kësaj, ata, me siguri, do të thoshin: “O Zoti ynë! Sikur të na kishe sjellë një të Dërguar, vërtet që do të kishim ndjekur shpalljet Tuaja, para se të poshtëroheshim dhe turpëroheshim!”
135. Thuaju (o Muhamed): “Të gjithë presin, andaj prisni edhe ju, dhe do ta kuptoni se kush janë ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush është i udhëzuar drejt.”
Mekase - 112 vargje
1. Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).
2. Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të.
3. Zemrat e tyre janë të hutuara. Ndërsa ata që janë idhujtarë, flasin fshehurazi: “A është ky (Muhamedi) diçka tjetër, përveçse njeri si ju? Vallë, a do të shkoni ju pas magjisë (së tij), kur e shikoni me sytë tuaj?
4. (I Dërguari) tha: “Zoti im e di se ç’flitet qoftë në qiell, qoftë në Tokë, Ai dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm.”
5. Ata[202] thonë: “Këto[203] janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai[204] i ka trilluar ato. Madje ai është poet. Le të na sjellë një mrekulli, ashtu si i kanë sjellë të dërguarit e parë!”
[202] Pra, idhujtarët e Mekës. [203] Shpalljet hyjnore që përcillte Profeti Muhamed (a.s.). [204] Profeti Muhamed (a.s.).
6. Asnjë vendbanim nga ata që i kemi shkatërruar, nuk ka besuar e vallë, a do të besojnë këta?
7. Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve, u kemi shpallur; andaj, pyetni njerëzit e shkrimeve (të mëparshme), nëse ju nuk dini!
8. Dhe ne nuk i kemi bërë ata (të dërguarit) trupa që nuk hanë ushqim, as nuk kanë qenë të pavdekshëm.
9. Pastaj, ua kemi përmbushur atyre premtimin e i kemi shpëtuar së bashku me njerëzit (besimtarë) që kemi dashur; ndërsa i kemi shkatërruar ata që e kanë shkelur kufirin (mohuesit).
10. Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?
11. Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë mohues, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!
12. Kur e ndienin dënimin Tonë, ata iknin me të shpejtë.
13. Mos ikni! Kthehuni atje, në luksin tuaj dhe në pallatet tuaja, se ju do të pyeteni.”
14. Ata do të thonë: “Mjerë ne, me të vërtetë, kemi qenë keqbërës!”
15. Këto rënkime të tyre nuk pushuan, derisa Ne i palosëm si drithë i korrur.
16. Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim).
17. Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyritë etj.), nëse do të bënim diçka të tillë.
18. Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë për ju, për atë që i vishni (Allahut!)
19. Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje,
20. por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.
21. Vallë, a mos i kanë marrë zotat prej dheu, që të ishin në gjendje t’i ngjallnin të vdekurit?
22. Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!
23. Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.
24. Vallë, a adhurojnë ata të tjerë zota, në vend të Atij?! Thuaj: “Sillni provën tuaj!” Ky është mesazhi për ata që janë me mua dhe i atyre që kanë qenë para meje, por shumica e tyre nuk e di të Vërtetën dhe shmangen nga ajo”.
25. Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!”
26. Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka për Vete një bir (prej engjëjve)”. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar! Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar.
27. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij.
28. Ai e di se ç’ka para tyre (ç’kanë vepruar) dhe ç’ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).
29. Këdo prej tyre që thotë: “Unë jam zot, përveç Atij”, Ne e dënojmë me Xhehenem. Kështu i “shpërblejmë” keqbërësit.
30. A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!
31. Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit dhe bëmë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to.
32. Ne e bëmë qiellin mbulesë të mbrojtur, por përsëri ata shmangen nga shenjat që gjenden aty.
33. Allahu është Ai, i Cili krijoi natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; e të gjitha këto lundrojnë në gjithësi.
34. Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!
35. Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.
36. Kur të shohin jobesimtarët, ata tallen me ty (duke thënë): “Ky është ai që i përmend (për keq) zotat tuaj?” Ndërkohë, ata e mohojnë Këshillën e të Gjithëmëshirshmit.
37. Njeriu është krijuar i ngutur. Unë do t’jua tregoj shenjat e Mia, prandaj mos më kërkoni të ngutem.
38. Ata thonë: “Kur do të bëhet ky premtim, nëse flisni të vërtetën?”
39. Sikur mohuesit ta dinin kohën, kur nuk do të mund ta shmangin zjarrin nga fytyrat dhe shpinat e tyre dhe nuk do të ndihmohen, (nuk do të flisnin kështu)!
40. Por atyre (Kiameti) do t’u vijë papritmas e do t’i trullosë, kështu që nuk do të mund ta shmangin atë e as nuk do t’u jepet afat!
41. Në të vërtetë, janë përqeshur edhe të dërguar të tjerë para teje, por shpotitësve u erdhi dënimi, me të cilin talleshin.
42. Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?” Jo, askush! E, megjithatë, ata shmangen nga përmendja e Zotit të tyre.
43. Apo ata kanë zota të tjerë, të cilët mund t’i mbrojnë prej Nesh? Këta nuk mund të ndihmojnë as veten dhe askush nuk mund t’i marrë në mbrojtje kundër Nesh.
44. Ne u dhamë atyre dhe baballarëve të tyre kënaqësi e ua zgjatëm jetën. A nuk e shohin vallë ata që Ne i qasemi tokës së tyre dhe ia cungojmë skajet? E si mund të jenë ata fitues?!
45. Thuaj: “Unë vetëm ju paralajmëroj, me atë që më është shpallur”. Por, shurdhët nuk e dëgjojnë thirrjen kur paralajmërohen.
46. Sikur ata t’i prekte një puhi prej dënimit të Zotit tënd, me siguri, do të thoshin: “Mjerë ne që kemi qenë keqbërës!”
47. Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.
48. Ne i dhamë Musait dhe Harunit Dalluesin[205], që është dritë dhe këshillë për të devotshmit,
[205] Teuratin, që dallon të mirën nga e keqja.
49. që i frikësohen Zotit të tyre - edhe kur nuk i sheh askush dhe, që i tremben Orës (së Kiametit).
50. Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!
51. Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).
52. Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”,
53. ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”
54. (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.”
55. Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?”
56. Ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.
57. (Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!”
58. Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.
59. Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!”
60. Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.”
61. “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata.
62. Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?”
63. Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!”
64. Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.”
65. Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!”
66. Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?!
67. Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!”
68. Ata thirrën: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!”
69. Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
70. Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.
71. Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.
72. Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin si dhunti dhe të gjithë i bëmë të drejtë.
73. Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zekatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.
74. Lutit i dhamë urtësi dhe dituri, dhe e shpëtuam prej vendbanimit ku bëheshin vepra të liga. Ata ishin vërtet njerëz të këqij e të mbrapshtë.
75. Lutin e pranuam në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ai është prej të mirëve.
76. (Kujtoje) Nuhun kur ai Na thirri më përpara, dhe Ne iu përgjigjëm atij, duke e shpëtuar atë dhe familjen e tij nga mjerimi i madh (mbytja).
77. Dhe e ndihmuam atë kundër popullit që i quante gënjeshtra shenjat Tona. Me të vërtetë, ai ishte popull i keq, prandaj e fundosëm të gjithin.
78. (Kujtoje) edhe Davudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre.
79. Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Davudin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto.
80. Ne i mësuam atij (Davudit) punimin e parzmoreve prej hekuri për ju, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj, a jeni mirënjohës?
81. Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë.
82. Dhe (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, (duke nxjerrë xhevahire) dhe bënin edhe punë të tjera dhe Ne i ruanim ata (që të mos i bënin dëm).
83. (Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!”
84. Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.
85. (Kujto) Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm.
86. Ne i pranuam ata me mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata ishin ndër të drejtët.
87. (Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”
88. Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.
89. (Kujtoje) Zekerijan, kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, mos më lër vetëm (pa fëmijë), e Ti je trashëgimtari më i mirë.”
90. Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.
91. (Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj[206]! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe e bëmë atë dhe birin e saj[207] mrekulli për gjithë njerëzit.
[206] Merjemen. [207] Isain (a.s.).
92. Vërtet, ky është besimi juaj - besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!
93. Njerëzit janë përçarë në çështje të besimit, por të gjithë do të kthehen te Ne (Ditën e Gjykimit).
94. Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe këtë Ne ia shënojmë atij.
95. Është e pamundur, që banorët e një vendi, të cilët i kemi zhdukur Ne, të kthehen sërish në këtë botë.
96. Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie,
97. dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.
98. Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin. Ju do të vini në të.
99. Sikur këta të ishin zota (të vërtetë), nuk do të vinin atje dhe të gjithë do të mbeteni përherë aty.
100. Ata do të gulçojnë dhe nuk do të dëgjojnë (asgjë).
101. Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi.
102. Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre.
103. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar.”
104. Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.
105. Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.
106. Me të vërtetë, në këtë (Kuran) ka mësime të mjaftueshme për ata që (e) adhurojnë (Allahun).
107. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.
108. Thuaj: “Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i vetëm; pra, a jeni myslimanë[208]?”
[208] D.m.th. të përulur para Zotit.
109. E, nëse ata i shmangen (thirrjes sate), ti thuaju: “Unë ju kam lajmëruar të gjithëve pa dallim dhe nuk di a është afër apo larg ajo, që ju është premtuar.
110. Ai i di vërtet fjalët e thëna haptazi apo fshehtazi.
111. Ndërsa unë nuk e di: a është ajo[209] sprovë për ju apo kënaqësi e përkohshme.
[209] Vonesa e dënimit.
112. O Zoti im, gjyko me drejtësi! Zoti ynë është i Gjithëmëshirshmi, ndihmën e të Cilit kërkojmë kundër atyre që thoni.”
Medinase - 78 vargje
1. O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!
2. Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.
3. Ka disa njerëz që diskutojnë për Allahun, pa kurrfarë dijenie dhe ndjekin rrugën e çdo djalli të ndërkryer,
4. e është caktuar për të (djallin), se kush e bën mik, ai (djalli) do ta shmangë (mikun) e do ta sjellë atë në dënimin e zjarrit.
5. O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift.
6. Kjo ndodh (që ta dini) se Allahu është e Vërteta, se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë,
7. se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.
8. Disa njerëz diskutojnë për Allahun pa kurrfarë diturie, pa udhërrëfyes dhe pa Libër ndriçues.
9. Ata e kthejnë mënjanë kokën (nga mendjemadhësia), që të largojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Këta njerëz do të poshtërohen në këtë botë, kurse në Ditën e Kiametit Ne do t’i bëjmë, që të shijojnë dënimin e zjarrit të ndezur fort
10. (duke iu thënë): “Ky (dënim) është për shkak të veprave tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Tij.”
11. Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.
12. Në vend të Allahut, ata u luten edhe atyre që nuk mund të sjellin as ndonjë dëm e as ndonjë dobi. Kjo është vërtet humbja e largët.
13. Ata i luten asaj, dëmi i së cilës është më i afërt se dobia: një zotëri i keq dhe një shok i keq!
14. Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Pa dyshim, Allahu bën çfarë të dëshirojë.
15. Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë (Muhamedin) në këtë botë dhe në botën tjetër, le të lidhë një litar në tavan e të varet! Pastaj le të shohë nëse do t’ia largojë ky veprim hidhërimin![210]
[210] Allahu i Madhërishëm ironizon të gjithë armiqtë e Profetit të Tij, duke iu thënë se Ai do ta ndihmojë gjithnjë Muhamedin (a.s.). Prandaj, kush ka inat, le të vdesë nga marazi, sepse nuk mund të bëjë asgjë kundër Profetit (a.s.).
16. Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në vargje të qarta dhe, sigurisht, Allahu udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.
17. Vërtet, si ata që kanë besuar, ashtu dhe hebrenjtë, sabi’inët, të krishterët, mexhusitë[211] e idhujtarët, Allahu do t’i gjykojë drejt të gjithë Ditën e Kiametit. Nuk ka dyshim, se Allahu është dëshmitar për çdo gjë.
[211] Adhuruesit e zjarrit.
18. A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.
19. Besimtarët dhe jobesimtarët grinden për Zotin e tyre, por për ata që nuk besojnë janë përgatitur rroba prej zjarri, e mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar,
20. me të cilin do t’u shkrihen ç’kanë në barqe dhe lëkura.
21. Për ata ka kamxhikë prej hekuri.
22. Sa herë, që do të përpiqen të dalin nga ankthi i zjarrit, do të rikthehen në të (e do t’u thuhet): “Shijoni dënimin me djegie të tmerrshme!”
23. S’ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu i fut në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen me byzylykë të artë dhe inxhi e rrobat e tyre do të jenë prej mëndafshi.
24. Ata qenë udhëzuar drejt fjalës së mirë[212] dhe në rrugën e Atij që është i Denjë për t’u lavdëruar.
[212] Siç janë lavdërimet për Allahun, lutjet etj.
25. Vërtet, ata që nuk besojnë dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga Xhamia e Shenjtë, të cilën Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për atë që vjen nga tjetër vend dhe, ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.
26. Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores[213] (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur.
[213] Qabesë.
27. Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta,
28. që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!
29. Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë.
30. Këto (janë urdhërimet). Për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij. Ju janë lejuar bagëtitë, përveç atyre që ju janë thënë (se janë të ndaluara). Andaj, largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme.
31. Përuluni plotësisht para Allahut me sinqeritet, duke mos i shoqëruar asgjë Atij (në adhurim). Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.
32. Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.
33. Ju do të përfitoni nga ato (kafshë) deri në një kohë të caktuar; pastaj ato do të flijohen te Faltorja e lashtë.
34. Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur,
35. atyre, zemrat e të cilëve frikësohen, kur përmendet Allahu, që (janë) të durueshëm për gjithçka që i godet, që falin namazet dhe që ndajnë nga ajo, që Ne ua kemi dhënë.
36. Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.
37. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tua,j që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!
38. Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues.
39. Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë
40. ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.”[214] Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
[214] Profeti a.s. ka ardhur me këshilla të mira e me butësi. Ai jetoi 13 vjet midis një populli pagan dhe i duroi të gjitha të këqijat që bëri ai popull ndaj tij. Më pas Ai u largua nga vatra dhe atdheu i vet e u vendos në Medinë, 500 kilometra larg Mekës. Profeti kërkonte prej popullit mirësi, sjellje të mira dhe barazi. Pasi nuk pati sukses në këtë drejtim, pas 13 vjetësh iu dha leja për të luftuar kundër keqbërësve, duke mbrojtur veten, por jo duke e tepruar. Shih suren 2, vargun 190. Po ashtu, Muhamedi ka kërkuar që, nëse ata dëshirojnë armëpushim e marrëveshje, të ndërpritet lufta. Të gjitha këto janë sipas parimeve të Islamit. Shih suren 8, vargun 61 (përkthyesi).
41. (Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.
42. Nëse ata të quajnë ty gënjeshtar, (dije se) para tyre (i) kanë quajtur gënjeshtarë (profetët e vet) edhe populli i Nuhut, fiset Ad e Themud,
43. populli i Ibrahimit, populli i Lutit,
44. dhe banorët e Medjenit. Edhe Musain e përgënjeshtruan; andaj Unë u dhashë afat mohuesve, pastaj i dënova ata. Eh, si ka qenë dënimi Im!
45. Sa e sa qytete i shkatërruam, ngaqë banorët e tyre ishin të këqij dhe tani ato janë kthyer përmbys! Sa e sa puse mbetën të braktisura, sa e sa pallate të larta të shkretuara!
46. Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.
47. Ata të kërkojnë që t’u shpejtohet dënimi, por Allahu kurrsesi nuk e thyen premtimin e Vet. Një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj.
48. Sa e sa vendbanimeve Unë ua shtyva dënimin, edhe pse ata ishin keqbërës, por prapëseprapë i dënova. Tek Unë kthehet çdo gjë.
49. Thuaj (o Muhamed!): “O njerëz, unë jam për ju vetëm paralajmërues i qartë”.
50. Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ka falje dhe dhunti fisnike.
51. Ndërsa ata që përpiqen t’i luftojnë shpalljet Tona, duke menduar se nuk do t’i dënojmë, (dije se) njerëz të tillë janë banorë të Xhehenemit.
52. Ne nuk kemi sjellë para teje (o Muhamed) asnjë të dërguar e asnjë profet që djalli të mos i ndërhynte në leximin e tij (nga shpallja). Por Allahu e zhdukte ndërhyrjen e djallit dhe më pas i forconte shpalljet e Veta. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
53. Kjo ndodh që Ai ta bëjë ndërhyrjen e djallit sprovë për njerëzit që i kanë zemrat të sëmura (nga dyshimi) dhe të ngurtësuara prandaj keqbërësit janë në përçarje të madhe
54. dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë.
55. Ata që nuk besojnë do të vazhdojnë të dyshojnë në të (Kuran), derisa t’u vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të papritur ose derisa t’u vijë dënimi i Ditës Shterpë.[215]
[215] “Dita Shterpë” është Dita e Fundit. Është quajtur kështu, sepse pas saj nuk ka më ditë tjetër.
56. I tërë pushteti atë ditë i përket Allahut. Ai do t’i gjykojë të gjithë: ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, do të gjenden në kopshtet e begative,
57. ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë përgënjeshtruar shpalljet Tona, do të kenë dënim poshtërues.
58. Atyre që kanë mërguar për hir të Allahut e kanë rënë dëshmorë apo kanë vdekur, me siguri, Allahu do t’u japë shpërblim të mirë. Pa dyshim, Allahu është dhuruesi më i mirë,
59. Ai do t’i shpjerë në një vend, ku do të jenë vërtet të kënaqur! Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Butë.
60. Po, kështu është! Ai që merr hak për aq sa është dëmtuar e pastaj pëson sërish padrejtësi, me siguri, do të ndihmohet nga Allahu. Allahu është Shlyes i gjynaheve dhe Falës.
61. Kjo është kështu, sepse Allahu e ndërfut natën te dita e ditën te nata dhe se Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.
62. Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.
63. A nuk e sheh ti se Allahu lëshon shiun nga qielli e toka gjelbërohet?! Me të vërtetë, Allahu i di të gjitha në hollësi dhe njeh mirë çdo gjë.
64. Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë. Me të vërtetë, Allahu është i Vetëmjaftueshmi dhe i Denji për çdo lavd.
65. A nuk e sheh ti, se Allahu ka vënë në shërbimin tuaj gjithçka që është në Tokë dhe anijet që lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij?! Është Ai që e mban qiellin që të mos bjerë në Tokë; kjo mund të ndodhë vetëm me lejen e Tij. Vërtet, Allahu është i Butë dhe i Mëshirshëm me njerëzit.
66. Ai ju dha jetë dhe pastaj do t’ju bëjë të vdisni e më vonë do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.
67. Ne kemi caktuar për çdo popull rregulla fetare, sipas të cilave ata shkojnë, prandaj mos lejo kurrsesi (o Muhamed) që të diskutojnë me ty për atë çështje. Dhe thirri te Zoti yt! Sigurisht që ti je në rrugë të drejtë.
68. Nëse ata grinden me ty, thuaju: “Allahu e di më së miri atë që bëni ju.
69. Ai do të gjykojë në Ditën e Kiametit për kundërshtitë, që keni pasur ndërmjet jush.”
70. A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë, që është në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër[216]. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun.
[216] Në Leuhi Mahfudh - Librin e Ruajtur, ku është shënuar gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në Ditën e Kiametit.
71. Ata adhurojnë në vend të Allahut atë, për të cilën Ai nuk u ka dërguar atyre asnjë provë autoritare dhe, për të cilën, nuk kanë kurrfarë dijenie. Keqbërësit (idhujtarë) nuk do të kenë asnjë, që t’i ndihmojë (Ditën e Gjykimit).
72. Kur atyre iu lexohen vargjet Tona të qarta, ti do të vëresh në fytyrat e jobesimtarëve marazin; ata duan t’u vërsulen atyre që iu lexojnë shpalljet Tona. Thuaj: “A doni t’ju tregoj se çfarë është më e keqe se kjo? - Zjarri i Xhehenemit, të cilin Allahu ua ka premtuar atyre që nuk besojnë! Eh, sa vendbanim i shëmtuar që është ai!”
73. O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).”
74. Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
75. Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit; me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.
76. Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre dhe tek Allahu kthehet çdo çështje.
77. O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!
78. Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur ju myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!
Mekase - 118 vargje
1. Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët,
2. të cilët janë të përulur në namazin e tyre,
3. të cilët shmangen nga fjalët e kota,
4. të cilët japin zekatin,
5. të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme),
6. përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë,
7. ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve),
8. të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra
9. dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet.
10. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët,
11. që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.
12. Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës,
13. e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër).
14. E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!
15. Mandej, pas kësaj ju do të vdisni,
16. pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.
17. Ne kemi krijuar mbi ju shtatë qiej dhe nuk jemi të pakujdesshëm ndaj krijesave Tona.
18. Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.
19. Nëpërmjet tij (ujit), Ne bëjmë për ju kopshte hurmash dhe rrushi, ku ka shumë fruta për të ngrënë,
20. si dhe pemën[217] që rritet në malin e Sinait e që u jep vaj dhe mëlmesë, atyre që e hanë.
[217] D.m.th. pemën e ullirit.
21. Vërtet, edhe te bagëtitë për ju ka shenja (për të medituar): ju pini atë që gjendet në barkun e tyre, hani mishin e tyre, nxirrni shumë dobi të tjera
22. dhe udhëtoni me ato, ashtu siç udhëtoni me anije.
23. Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër të vërtetë përveç Tij, vallë, a nuk keni frikë (prej Tij)?”
24. Por paria e popullit të tij, që nuk besonte, tha: “Ky është veçse njeri si ju e do vetëm të madhërohet mbi ju. Sikur të kishte dashur Allahu, do të dërgonte engjëj; nuk kemi dëgjuar diçka të tillë nga të parët tanë të lashtë;
25. ai është njeri i marrë, andaj lëreni atë njëfarë kohe!”
26. (Nuhu) tha: “O Zoti im, më ndihmo, sepse ata më quajnë për gënjeshtar!”
27. Dhe Ne i shpallëm atij: “Ndërto anijen nën Sytë (mbikëqyrjen) dhe frymëzimin Tonë e, kur të vijë urdhri Ynë e të vërshojë uji nga furra, ngarko në anije prej çdo lloj gjallese nga një çift dhe familjen tënde, përveç atyre që janë dënuar të humbasin, dhe mos M’u drejto për ata që kanë bërë të këqija se ata, me të vërtetë, do të fundosen.
28. Kur të hipësh në barkë ti dhe ata që janë me ty, thuaj: “Qoftë lavdëruar Allahu, i cili na shpëtoi prej popullit keqbërës”
29. Dhe thuaj: “Zoti im, më zbarko në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbarkuar.”
30. Sigurisht që këto ishin shenja. Në të vërtetë, jemi Ne që i vëmë në provë (njerëzit).
31. Pas tyre, Ne krijuam një brez tjetër.
32. Atyre u çuam një të dërguar nga gjiri i tyre, që u tha: “Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër, përveç Tij! Vallë a nuk frikësoheni?!”
33. Por paria e popullit të tij, e cila nuk besonte dhe e mohonte takimin në botën tjetër dhe, së cilës, i kishim dhënë të mira në këtë botë, tha: “Ky është vetëm njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju!
34. Nëse ju i bindeni një njeriu si ju, me siguri, do të jeni të humbur!
35. A ju premton ai që, kur të vdisni e të bëheni pluhur dhe eshtra, do të ringjalleni vërtet?!
36. Sa premtim qesharak që është!
37. Nuk ka jetë tjetër përveç jetës së kësaj bote, ne jetojmë e vdesim e nuk do të ringjallemi më.
38. Ai është vetëm një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, prandaj nuk i besojmë atij.”
39. (I dërguari) tha: “O Zoti im, më ndihmo, sepse ata më akuzojnë se gënjej!”
40. (Allahu) tha: “Së shpejti do të pendohen!”
41. E, me të drejtë i kaploi ata një zë i tmerrshëm dhe Ne i bëmë si gjethe të fishkura. Larg qoftë (nga mëshira e Allahut) populli keqbërës!
42. Pas tyre, Ne krijuam brezni të reja.
43. Asnjë popull nuk mund ta shpejtojë apo ta ngadalësojë kohën e caktuar për të.
44. Ne i kemi nisur të dërguarit Tanë njëri pas tjetrit. Sa herë që një i dërguar i shkonte ndonjë populli, atë e quanin gënjeshtar! Prandaj Ne i kemi bërë ata (popuj) të ndjekin njëri-tjetrin (në shkatërrim) dhe i kemi bërë histori që rrëfehen. Qoftë larg (nga mëshira e Allahut) populli që nuk beson!
45. Pastaj dërguam Musain dhe vëllanë e tij, Harunin, me mrekullitë Tona dhe autoritet të qartë
46. te Faraoni dhe paria e tij, por ata ishin njerëz arrogantë dhe nuk i pranuan.
47. Ata thanë: “Vallë a t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, ndërkohë që populli i tyre na shërben neve?!”
48. Kështu, ata të dy[218] i shpallën për gënjeshtarë, andaj ishin nga të shkatërruarit.
[218] Musain dhe Harunin.
49. Në të vërtetë, Ne i dhamë Librin (Teuratin) Musait, që ata të udhëzohen në rrugë të drejtë.
50. Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli për njerëzimin dhe i strehuam rrëzë një kodre të qetë me burime uji.
51. O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!
52. Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje!
53. Por ata (popuj ku u çuan të dërguarit) u ndanë në grupe në çështje të fesë së tyre. Çdo grup ishte i kënaqur me atë që kishte,
54. andaj, lëri ata në padijen e tyre për njëfarë kohe!
55. A mos mendojnë ata që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem,
56. po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë).
57. Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre,
58. që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre,
59. që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre,
60. dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre,
61. ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.
62. Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësive të tij; te Ne është Libri që flet të vërtetën dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
63. Por zemrat e tyre[219] janë mospërfillëse ndaj këtij (Kurani). Ata kanë punë të tjera më të këqija se këto e të cilat po vazhdojnë t’i bëjnë.
[219] Jobesimtarëve të Mekës.
64. Por kur i dënuam pasanikët e tyre (në betejën e Bedrit), atëherë ata vajtonin.
65. (U thuhet): “Mos u lutni sot! Ju nuk do të keni ndihmë prej Nesh.
66. Juve ju janë lexuar vargjet e Mia, por ju tërhiqeshit mbrapa,
67. me kryelartësi! Ju flisnit kotësi për të (Kuranin), si dikush që rrëfen natën përralla.”
68. Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?
69. Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre, prandaj e mohojnë atë?
70. Apo thonë: “Ai është i çmendur”? Jo, ai ua sjell të Vërtetën atyre, por shumica prej tyre e urrejnë të Vërtetën.
71. Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre Këshillën (Kuranin), por ata shmangen nga ajo.
72. A po kërkon shpërblim prej tyre? Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë. Ai është më i miri i furnizuesve.
73. Ti i fton ata në rrugën e drejtë,
74. por ata që nuk besojnë jetën tjetër, shmangen nga rruga e drejtë.
75. Sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim fatkeqësitë, sërish ata do të endeshin të hutuar në humbjen dhe mosbesimin e tyre.
76. Ne i dënuam ata njëherë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk i drejtuan lutje.
77. Dhe, kur u hapim atyre derën e një dënimi të madh, atëherë zhyten në dëshpërim.
78. Është Ai që jua ka krijuar dëgjimin, shikimin dhe zemrën. Eh, sa pak që e falënderoni ju!
79. Është Ai që ju ka sjellë në Tokë dhe para Tij do të mblidheni të gjithë.
80. Është Ai që jep jetë dhe vdekje dhe Atij i përket ndërrimi i ditës dhe i natës. Vallë, a nuk kuptoni?
81. Por ata thonë, ashtu siç kanë thënë të mëparshmit.
82. Ata pyesin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi eshtra e dhé, vërtet do të ringjallemi?!
83. Kjo na është premtuar neve dhe të parëve tanë, por këto janë vetëm përralla të popujve të lashtë.”
84. Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?”
85. Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?”
86. Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?”
87. Ata do të thonë: “Allahu!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk keni frikë ju?”
88. Thuaj: “Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?”
89. Ata thonë: “Allahu.” E ti thuaju: “Atëherë, përse magjepseni”?![220]
[220] Pra, përse magjepseni nga besimet tuaja të kota, deri në atë pikë, sa të mos i nënshtroheni Atij, që ka në dorë gjithçka?!
90. Ja! Ne ua kemi zbuluar atyre të Vërtetën, por ata janë gënjeshtarë.
91. Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre![221]
[221] Kjo është një logjikë shumë e pastër për të argumentuar njëshmërinë e Allahut. Në fakt, vetëm ky njësim bën që Allahu i Lartmadhëruar të mos përfshihet në zënkat “hyjnore” të përshtatshme për mitologjitë politeiste.
92. Ai di të padukshmen dhe atë që shihet. Ai është shumë lart mbi zotat që ia quajnë Atij për shok!
93. Thuaj (o Muhamed): “O Zoti im, sikur të ma tregoje dënimin që u ke premtuar atyre,
94. atëherë, o Zoti im, mos më lër mua me popullin keqbërës!”
95. Dhe, me të vërtetë, Ne jemi në gjendje të të tregojmë ty, çfarë u kemi premtuar atyre.
96. Largoje të keqen me atë që është më e mira. Ne i dimë mirë shpifjet e tyre.
97. Dhe thuaj: “O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga nxitjet e djajve,
98. dhe tek Ti mbështetem, o Zoti im, që të mos i kem pranë meje.”
99. Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe,
100. që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse[222], deri në ditën kur do të ringjallen.
[222] Jeta e varrit.
101. Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin.
102. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar.
103. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem.
104. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët).
105. (Dhe atyre do t’u thuhet): “Vallë, a nuk ju lexoheshin Shpalljet Tona dhe i quanit ato gënjeshtra?!”
106. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, ne na mposhti e keqja (tekat dhe dëshira) jonë dhe ishim një popull i humbur.
107. O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehenemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.”
108. Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!”
109. Mes robërve të Mi, ishte një grup i cili thoshte: “O Zoti ynë, ne kemi besuar, andaj na fal dhe na mëshiro! Ti je më i miri i mëshiruesve!”
110. Por ju (o jobesimtarë) i keni talluar ata (aq shumë), sa ju bënë të më harronit Mua së përmenduri, e përherë i përqeshnit ata.
111. Unë i kam shpërblyer ata sot për durimin e tyre e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar.
112. Ai do t’u thotë (jobesimtarëve): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?”
113. Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite. Pyesni ata që i kanë numëruar!”
114. Ai do të thotë: “Keni qëndruar shumë pak. Eh, sikur ta kishit ditur!
115. Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!”
116. I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!
117. Ai që pos Allahut, adhuron zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.
118. Dhe thuaj (o Muhamed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!”
Medinase - 64 vargje
1. Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar, duke shpallur në të argumente të qarta, që ju t’ua vini veshin.
2. Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh!
3. Laviri mund të martohet vetëm me laviren apo idhujtaren, kurse laviren mund ta marrë vetëm laviri apo idhujtari. Këto janë të ndaluara për besimtarët.
4. Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë.
5. Përjashtim bëjnë ata që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
6. Nëse një burrë e akuzon gruan e tij pa pasur dëshmitarë të tjerë përveç vetes, ai duhet të betohet në Allahun katër herë, se thotë të vërtetën,
7. dhe herën e pestë të kërkojë mallkimin e Allahut ndaj vetes, nëse ka gënjyer.
8. Ndërsa gruaja do të kursehet nga dënimi, nëse betohet për Allahun katër herë, se i shoqi është gënjeshtar
9. dhe, herën e pestë, të kërkojë zemërimin e Allahut ndaj vetes, nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.
10. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është Pranues i pendimit e i Urtë (dënimi i Tij do të shpejtonte)!
11. Me të vërtetë, ata që shpifën[223], janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.
[223] Vargu bën fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), në të cilën disa njerëz shpifën për gruan e Profetit (a.s.), Aishen (r.a.).
12. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?!
13. Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut.
14. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë.
15. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.
16. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!”
17. Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë.
18. Allahu ju shpjegon shpalljet; se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm.
19. Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.
20. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është i Butë e Mëshirues (dënimi i Tij do të shpejtonte)!
21. O besimtarë! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Kush ndjek gjurmët e djallit, do të nxitet nga ai të bëjë vepra të këqija e të shëmtuara. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë. Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
22. Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq![224] Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
[224] Vargu bën fjalë për Ebu Bekrin (r.a.), i cili vendosi që të mos e ndihmonte më një të afërmin e tij të varfër, për shkak se ky i fundit mori pjesë në shpifjen që u bë kundër Aishes, vajzë e Ebu Bekrit dhe njëkohësisht grua e Profetit (a.s.).
23. Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh.
24. Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë,
25. Allahu do t’ju shpaguajë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.
26. Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme. Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme. Ata janë të pastër nga shpifjet që thuhen (kundër tyre) dhe do të falen e do të kenë një shpërblim bujar (në Xhenet).
27. O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin!
28. Nëse atje nuk gjeni askënd, mos hyni derisa t’ju lejohet e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni! Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju.
29. Nuk është gjynah për ju, nëse hyni në godinat e pabanuara, të cilat ju shërbejnë për diçka. Allahu e di ç’tregoni ju haptazi e çfarë fshihni.
30. Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.
31. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre[225], përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin![226]
[225] D.m.th. pjesët e trupit. [226] Ruajtja e nderit nuk nënkuptohet vetëm si një largim nga marrëdhëniet e jashtëligjshme, por edhe si një qëndrim i përgjithshëm i mendjes dhe i ndjenjave, duke qenë kështu një karakteristikë themelore e sjelljes së myslimanit, qoftë ai mashkull apo femër.
32. I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.
33. Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij. Ata skllevër që gjenden në pushtetin tuaj e që kërkojnë të lirohen me shpërblim dhe ju kërkojnë aktlirimin, ua jepni e, nëse e dini që janë të mirë, jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu. Mos i detyroni skllavet tuaja të bëjnë kurvëri, që të arrini ju dobi të përkohshme të kësaj bote, nëse ato dëshirojnë jetë të ndershme. Nëse ndokush i detyron ato, Allahu do të jetë Falës dhe Mëshirëplotë për to.
34. Ne ju kemi dhënë juve shpallje të qarta, shembuj nga jeta e atyre që kanë kaluar para jush dhe këshilla për ata që i frikësohen Allahut.
35. Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
36. Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje,
37. njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.
38. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.
39. Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari.
40. Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.
41. A nuk e vëren ti, se Allahun e lavdëron çdo krijesë që ndodhet në qiej dhe në Tokë, madje edhe shpezët krahëhapur?! Çdokush e di se si t’i falet e ta lavdërojë. Allahu e di mirë çfarë bëjnë ata.
42. Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe tek Ai kthehet çdo gjë.
43. A nuk e vëren ti se Allahu i shtyn retë ngadalë e pastaj i bashkon e i grumbullon njërën mbi tjetrën, derisa të shohësh shiun se si del prej tyre dhe bie nga qielli?! Ai, prej reve të mëdha si mali, lëshon breshrin e me të godet kë të dojë, kurse e shmang prej kujt të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së tij gati t’i merr sytë.
44. Allahu ndërron ditën dhe natën. Me të vërtetë, në këto (dukuri natyrore) ka mësime për ata që kanë mend.
45. Allahu ka krijuar çdo lloj kafshe prej ujit; disa nga ato ecin me barkun e tyre, një pjesë ecin me dy këmbë e disa prej tyre me katër këmbë. Allahu krijon çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
46. Tashmë Ne kemi zbritur shpallje të qarta; Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.
47. Ata (hipokritët) thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në të Dërguarin dhe (u) bindemi (atyre).” Pastaj disa prej tyre shmangen, sepse nuk janë besimtarë aspak.
48. Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin.
49. Por, nëse e drejta është në anën e tyre, ata vijnë përulësisht.
50. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre apo dyshojnë? Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët.
51. Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.
52. Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.
53. Ata (hipokritët) betohen për Allahun me deklarata solemne, se po t’i urdhërosh ata (o Muhamed), që të shkojnë në luftë - ata me siguri do të shkojnë. Thuaj: “Mos u betoni! Ju kërkohet bindja e jo betimi. Vërtet, Allahu e di me hollësi gjithçka që ju bëni.”
54. Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit!” Nëse shmangeni, (ta dini se) ai[227] është përgjegjës për detyrën e tij, ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar. E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë, kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (Mesazhin Hyjnor).
[227] Profeti Muhamed (a.s.).
55. Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë[228], ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.
[228] Sipas interpretimit klasik, ky varg është një profeci për udhëheqjen e katër kalifëve: Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut, në kohën e të cilëve, kalifati islam pati një zgjerim të jashtëzakonshëm territorial. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, zgjerimi i Islamit nuk është ngadalësuar. Ai vazhdon të jetë feja e vetme në rritje midis feve të mëdha, si nga pikëpamja demografike, ashtu edhe nga pikëpamja e konvertimeve.
56. Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!
57. Kurrsesi mos mendo se mohuesit do të shpëtojnë në Tokë! Streha e tyre është zjarri; eh, sa strehë e shëmtuar që është ai!
58. O besimtarë! Skllevërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kur hiqni rrobat. Nuk ka gjynah as për ju e as për ata që, pas këtyre rasteve, të vizitoni njëri-tjetrin (pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet juve! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
59. Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje, ashtu siç kanë kërkuar leje ata para këtyre. Kështu jua shpjegon Allahu juve shpalljet e Tij! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
60. Gratë e vjetra, që nuk shpresojnë më të martohen, nuk është gjynah ta heqin mbulesën e jashtme, por jo duke i treguar stolitë e tyre. E, nëse përmbahen, është edhe më mirë për ato. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.
61. Nuk është gjynah për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin dhe as për ju që të hani në shtëpinë tuaj, ose në shtëpitë e baballarëve tuaj, ose në shtëpitë e nënave tuaja, ose në shtëpitë e vëllezërve tuaj, ose në shtëpitë e motrave tuaja, ose në shtëpitë e xhaxhallarëve tuaj, ose në shtëpitë e hallave tuaja, ose në shtëpitë e dajave tuaj, ose në shtëpitë e tezeve tuaja, ose tek ata, çelësat e të cilëve u janë lënë juve, ose te miqtë. Nuk është gjynah për ju që të hani bashkërisht apo veçmas.[229] Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu. Kështu jua shpjegon Allahu juve shpalljet që të kuptoni.[230]
[229] Ky varg aludon për një zakon supersticioz që tentonte t’i përjashtonte sakatët dhe të sëmurët nga gostitë e përbashkëta. [230] Përshëndetja për të cilën bën fjalë vargu, është “es-selâmu alejkum ue rahmetullâhi ue berekâtuh” “paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin me ju”.
62. Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të cilët, kur gjenden me atë (të Dërguarin) në një punë të përbashkët, nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij. Me të vërtetë, ata që kërkojnë leje prej teje, pa dyshim, besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kur të kërkojnë leje prej teje për ndonjë punë të tyre, jepi leje kujt të duash dhe kërko për ata falje nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
63. Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit; Allahu, me siguri, i di ata që shkëputen prej jush tinëzisht. Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.
64. Pa dyshim, Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai e di se çfarë bëni. Dhe Ditën kur ata do të kthehen tek Ai, do t’i njoftojë për veprat që kanë bërë. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!
Medinase - 77 vargje
1. I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin[231] robit të Vet,[232] që të jetë paralajmërues për botët;
[231] Pra, Kuranin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta. [232] Pra, Profetit Muhamed (a.s.).
2. Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!
3. E megjithatë ata[233] adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.
[233] Idhujtarët.
4. Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai[234] me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje.
[234] Muhamedi (a.s.).
5. Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.”
6. Thuaj: “Atë e ka shpallur Ai që di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai fal shumë dhe është Mëshirues”.
7. Gjithashtu ata thonë: “Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!
8. Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?!” Të padrejtët thonë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur”!
9. Shiko çfarë shembujsh të sjellin e ata (me këtë) kanë humbur e nuk mund të gjejnë rrugën e vërtetë.
10. Qoftë i lartësuar Ai, i Cili, nëse do, mund të të japë gjëra më të mira se këto, kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe të bëjë për ty pallate.
11. Jo, ata e quajnë gënjeshtër edhe ardhjen e Orës (së Kiametit), ndërsa Ne kemi përgatitur për ata që e mohojnë Orën zjarr flakërues.
12. Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.
13. E kur të hidhen në një vend të ngushtë të tij, të lidhur duarsh, do të luten për shkatërrimin (e vet).
14. “Mos e kërkoni sot shkatërrimin vetëm një herë, por kërkojeni shumë herë!”
15. Thuaj: “A është më i mirë ky apo Xheneti i amshuar, i cili u është premtuar të devotshmëve? Ai do të jetë për ta shpërblim dhe vend kthimi.
16. Për ata ka aty çfarë të dëshirojnë e do të rrinë në të përherë. Ky është premtimi i Zotit tënd, i kërkuar (prej jush)”.
17. Ditën, kur Ai t’i tubojë idhujtarët bashkë me ata që i adhuronin[235] në vend të Allahut, do t’u thotë (të adhuruarve): “A jeni ju që i keni shmangur këta robër të Mi apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?”
[235] “ata që i adhuronin”: Sipas Taberiut, nuk bëhet fjalë për idhujt në përgjithësi, por për krijesa që janë adhuruar si zota, pa dëshirën e tyre, si p.sh. engjëjt, që arabët paganë i quanin si “bijat e Allahut”, Uzejri, që u quajt si “bir i Zotit” nga hebrenjtë, Isai (a.s.), që u quajt si “bir i Zotit” nga të krishterët etj.
18. Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për Ty! Nuk ishte nevoja që ne të marrim mbrojtës tjetër, përveç Teje, por Ti u dhe këtyre dhe etërve të tyre jetë të begatshme, ndërsa ata i harruan paralajmërimet e Tua dhe u bënë popull i shkatërruar”!
19. “Këta e përgënjeshtruan atë që thatë ju e nuk do të munden, as të shmangin dënimin, as të ndihmojnë veten. Kush prej jush ka bërë të këqija, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh.”
20. Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.
21. Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi.
22. Ditën, kur të shohin engjëjt, për keqbërësit nuk do të ketë lajm të mirë dhe do t’u thuhet: “Nuk do të kaloni dot për matanë!”
23. Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.
24. Ndërsa banorët e Xhenetit atë ditë do të kenë vendbanim më të mirë dhe vendpushim më të bukur.
25. Ditën, kur qielli me ré do të hapet e engjëjt do të lëshohen në zbritjen e madhe,
26. atë ditë pushteti i vërtetë do t’i përkasë vetëm të Gjithëmëshirshmit. Kjo do të jetë ditë e vështirë për jobesimtarët.
27. Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin!
28. Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik!
29. Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.
30. Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”.
31. Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës!
32. Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.
33. Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.
34. Ata, që do të tubohen me fytyrat përmbys në Xhehenem, do të jenë në vendin më të keq dhe më të larguarit prej rrugës së vërtetë.
35. Ne i dhamë Musait Librin dhe i bëmë ndihmës vëllanë e tij, Harunin.
36. Pastaj (u) thamë (atyre): “Shkoni të dy te populli, i cili i quan të rreme shenjat Tona!” Pastaj e shkatërruam atë popull krejtësisht.
37. Popullin e Nuhut, kur i quajti gënjeshtarë të dërguarit, Ne e fundosëm dhe e bëmë mësim për njerëzit. Për keqbërësit kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.
38. Ne i dënuam fiset Ad dhe Themud, popullin e Ressit, si dhe shumë popujt të tjerë ndërmjet tyre.
39. Të gjithëve u sollëm shembuj dhe, më pas, të gjithë i shkatërruam krejtësisht.
40. Ata[236] me kohë kanë kaluar pranë vendbanimit që e shkatërroi shiu i tmerrshëm[237], e vallë, a nuk e kanë parë atë? Jo, ata nuk prisnin të ringjalleshin.
[236] Karvanët tregtare të idhujtarëve të Mekës. [237] Vendbanimit të popullit të Lutit që ndodhet rrugës nga Gadishulli Arabik për në Siri, pranë Detit të Vdekur.
41. Sa herë që të shohin ty, të marrin vetëm për tallje: “Vallë, këtë ka sjellë Allahu si të dërguar?!
42. Për pak qe duke na shmangur nga hyjnitë tona, po të mos u kishim qëndruar atyre besnikë!” Por, kur të përballen me dënimin, do ta marrin vesh se kush është shmangur më larg rrugës së drejtë.
43. A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?
44. A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.
45. A nuk e ke parë ti se si Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj,
46. pastaj e tërheqim atë (hijen), dalëngadalë pranë Vetes.
47. Dhe është Ai që jua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, kurse ditën jua ka bërë për të lëvizur.
48. Është Ai që i dërgon erërat si lajmëtarë të gëzueshëm para mëshirës së Tij, duke lëshuar prej qiellit ujë të pastër,
49. që nëpërmjet atij të ngjallim vendin e vdekur dhe t’u japim ujë kafshëve dhe shumë njerëzve që Ne i kemi krijuar.
50. Ne e kemi përsëritur (dhuntinë) që të vënë veshin, por shumica e njerëzve kundërshtojnë e janë mosmirënjohës.
51. Sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues.
52. Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).
53. Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra, - njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, - duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre.
54. Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.
55. Megjithatë, ata adhurojnë, në vend të Allahut, gjëra që nuk mund t’u sjellin as dobi, as dëm. Jobesimtari është ndihmës (i djallit) kundër Zotit të tij.
56. Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.
57. Thuaj: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, por vetëm që, kush të dëshirojë, le të ndjekë rrugën (që e shpie) drejt Zotit të tij”.
58. Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Vet.
59. Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.
60. Kur atyre u thuhet: “Bëjini sexhde të Gjithëmëshirshmit”, ata thonë: “Çfarë është i Gjithëmëshirshmi? Vallë, t’i biem në sexhde atij që na urdhëron ti?” Kjo u shton atyre më shumë largim (prej fesë).
61. Qoftë i lartësuar Ai, i Cili e ka stolisur qiellin me yjësi dhe ka vënë në të një Kandil të ndritshëm dhe një Hënë që ndriçon.
62. Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.
63. Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;
64. dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;
65. dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm
66. e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”;
67. dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;
68. dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë[238] dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.
[238] “përveçse me të drejtë”: d.m.th. për mbrojtje të ligjshme, gjatë luftës për çështjen e Allahut dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.
69. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.
70. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
71. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.
72. (Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;
73. edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;
74. edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.
75. Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.
76. Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!
77. Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm”.
Mekase - 227 vargje
1. Tâ, Sîn, Mîm.
2. Këto janë vargjet e Librit të qartë.
3. A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata (banorët e Mekës) nuk duan të besojnë?
4. Sikur të donim Ne, do të zbritnim nga qielli një shenjë, para së cilës ata do të përulnin kokat.
5. Sa herë që atyre u vjen ndonjë Këshillë e re nga i Gjithëmëshirshmi, ata ia kthejnë kurrizin.
6. Ata e kanë përgënjeshtruar atë, prandaj do t’u vijë ai (ndëshkim), me të cilin janë tallur.
7. Vallë, a nuk shohin ata tokën, prej së cilës kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje çifte bimësh fisnike?
8. Sigurisht që këtu ka shenja (të njëjësisë së Zotit), por shumica e tyre nuk besojnë.
9. Zoti yt është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
10. Kur Allahu e thërriti Musain: “Shko te populli keqbërës,
11. populli i Faraonit! vallë, a nuk po i frikësohen ata Allahut?”
12. Ai u përgjigj: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më quajnë gënjeshtar,
13. e zemra do të më ngushtohet, kurse gjuha mund të më lidhet, andaj, dërgoje edhe Harunin (të më ndihmojë).
14. Unë jam edhe përgjegjës ndaj tyre për një krim, andaj kam frikë se do të më vrasin”.
15. Allahu tha: “Kurrsesi! Shkoni që të dy me shenjat Tona. Me të vërtetë, Ne jemi me ju dhe dëgjojmë.
16. Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve,
17. që të lejoni bijtë e Israilit të vijnë me ne!”
18. Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?!
19. E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?!”
20. Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar.
21. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.
22. A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Israilit (popullin tim) i bëre skllevër”?
23. Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?”
24. (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”.
25. (Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!”
26. Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.”
27. (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”.
28. (Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni.
29. (Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!”
30. (Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “
31. (Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!”
32. (Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë!
33. Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!
34. (Faraoni) i tha parisë së tij, që e kishte përreth: “Ky qenka magjistar vërtet i dijshëm!
35. Me magjitë e veta, ai dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj, prandaj ç’më këshilloni ju?”
36. Ata u përgjigjën: “Lëre këtë dhe vëllanë e tij për pak kohë dhe ço lajmëtarë nëpër qytete,
37. që të t’i sjellin ty të gjithë magjistarët e dijshëm”.
38. Magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar,
39. e popullit iu tha: “A jeni mbledhur të gjithë,
40. që të shkojmë pas magjistarëve, nëse ata do të jenë fitues?!”
41. Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: “Vërtet do të shpërblehemi, nëse dalim fitues?”
42. Ai u përgjigj: “Po, madje do të jeni vërtet ndër të afërmit e mi”.
43. Musai u tha atyre: “Hidheni atë që doni ta hidhni!”
44. Ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Për madhërinë e Faraonit, me të vërtetë, Ne do të jemi fitues patjetër!”
45. Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, që i kapërdiu përnjëherësh sajimet e tyre të rreme!
46. Atëherë magjistarët ranë përmbys, duke bërë sexhde,
47. dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e botëve,
48. Zotin e Musait dhe të Harunit!”
49. (Faraoni) tha: “I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoja unë! Patjetër që ai është i madhi juaj, i cili ju ka mësuar magjinë. Ta dini se unë, në të vërtetë, do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju kryqëzoj të gjithëve!
50. Ata thanë: “S’ka gjë! Sigurisht, Ne do të kthehemi te Zoti ynë.
51. Ne shpresojmë se Zoti ynë do të na i falë gjynahet, meqë jemi besimtarët e parë.”
52. Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur”.
53. Dhe Faraoni dërgoi nëpër qytete lajmëtarë
54. (Për të thënë:) “Këta janë një grup i vogël që
55. na kanë provokuar,
56. por ne jemi kurdoherë të gatshëm!”
57. Kështu, Ne i bëmë ata të lënë kopshtet dhe lumenjtë,
58. thesaret e pallatet e mrekullueshme.
59. Kështu ndodhi, dhe Ne ia dhamë të gjitha këto bijve të Israilit.
60. Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre.
61. Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!”
62. Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”.
63. Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.
64. Atëherë Ne i afruam aty të tjerët.
65. Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam,
66. kurse të tjerët i fundosëm.
67. Pa dyshim, në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
68. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
69. Tregoju atyre historinë e Ibrahimit,
70. kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?
71. Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”.
72. Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni?
73. A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?”
74. U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu”.
75. Ai tha: “A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar,
76. si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë?
77. Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve,
78. i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë);
79. i Cili më ushqen dhe më jep të pi;
80. i Cili, kur sëmurem, më shëron;
81. i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë;
82. dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!
83. O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët!
84. Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme
85. dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë!
86. Fale babanë tim, sepse ai është njëri nga të humburit,
87. dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit,
88. në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët,
89. përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”
90. Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,
91. ndërsa Xhehenemi do t’u tregohet atyre që kishin humbur.
92. Ata do të pyeten: “Ku janë idhujt që ju i adhuronit
93. në vend të Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ata ose, a mund ta ndihmojnë veten?”
94. Kështu, ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit,
95. si dhe të gjithë ushtarët e Iblisit.
96. Ndërsa ndodhen aty brenda, ata do të grinden ndërmjet tyre, duke thënë:
97. “Betohemi për Allahun, ne kemi qenë njëmend në humbje të qartë,
98. kur ju kemi barazuar me Zotin e botëve.
99. Ishin të ligjtë ata që na mashtruan,
100. Tashmë ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues (tek Allahu)
101. e as ndonjë mik të ngushtë!
102. Ah, sikur të ktheheshim përsëri (në jetë) e të bëheshim besimtarë!”
103. Sigurisht që në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
104. e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
105. Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të dërguarit.
106. Kujto kur vëllai i tyre - Nuhu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
107. Në të vërtetë, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
108. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
109. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
110. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!”
111. Ata thanë: “Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?”
112. Ai tha: “Unë nuk di ç’kanë bërë ata!
113. Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, a nuk kuptoni?
114. Unë nuk do t’i dëboj besimtarët,
115. unë jam vetëm paralajmërues i qartë.”
116. Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”.
117. Ai tha: “O Zoti im, populli im më mohoi,
118. andaj, Ti gjyko mes meje dhe atyre dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!”
119. Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën plot,
120. kurse të tjerët që mbetën pas, i fundosëm.
121. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
122. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
123. Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit.
124. Kujto kur vëllai i tyre - Hudi, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
125. Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
126. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
127. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
128. A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur,
129. dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?
130. Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë.
131. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
132. Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini:
133. ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë,
134. edhe kopshte, edhe burime.
135. Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe”.
136. Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti.
137. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë
138. e ne nuk do të jemi të dënuar.”
139. Ata e quajtën gënjeshtar atë, andaj Ne i shkatërruam ata. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica njerëzve nuk janë besimtarë.
140. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
141. Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit.
142. Kujto kur vëllai i tyre - Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
143. Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
144. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
145. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
146. Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt,
147. në kopshte e pranë burimeve,
148. në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme?
149. Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë,
150. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua,
151. dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe
152. e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”.
153. Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur!
154. Ti je vetëm një vdekatar - ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli, nëse ajo që thua është e vërtetë!”
155. Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara.
156. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe!
157. Por ata e therën e pastaj u erdhi keq.
158. Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
159. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
160. Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit.
161. Kujto kur vëllai i tyre - Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
162. Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
163. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
164. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
165. Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve
166. e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.”
167. Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”.
168. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!
169. O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”
170. Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij - të gjithë,
171. përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët.
172. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.
173. Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar!
174. Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë.
175. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
176. Edhe banorët e Ejkës i quajtën gënjeshtarë të dërguarit,
177. Kujto kur Shuajbi u tha atyre: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
178. Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
179. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
180. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
181. Bëjeni drejt matjen dhe mos u bëni nga ata që hanë (në matje).
182. Peshoni drejtësisht me peshore të saktë,
183. mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, mos bëni ngatërresa në Tokë
184. dhe frikësojuni Atij, që ju ka krijuar ju dhe brezat e mëparshëm!”
185. Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur.
186. Ti je vetëm një vdekatar, si ne. Në të vërtetë, Ne mendojmë se ti je gënjeshtar;
187. andaj, lësho mbi ne një copë nga qielli, nëse thua të vërtetën!
188. Ai tha: “Zoti im e di më së miri atë që punoni ju.”
189. Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.
190. Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë,
191. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
192. Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve.
193. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili)
194. në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.
195. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.
196. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve.
197. Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit), që atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Israilit?
198. Por edhe sikur t’ia shpallnim Kuranin ndonjë jo-arabi
199. e ai t’ua lexonte atyre - ata përsëri nuk do të kishin besuar.
200. Ja kështu, Ne ua kemi shtënë (mohimin) në zemër keqbërësve.
201. Ata nuk do ta besojnë atë, derisa të shohin dënimin e dhembshëm.
202. Por ai do t’u vijë atyre papritmas e ata nuk do ta ndiejnë fare.
203. Atëherë ata do thonë: “A do të na jepet afat?”
204. A mos vallë, ata duan ta shpejtojnë dënimin Tonë!?
205. Mendo, nëse Ne i lëmë që të kënaqen disa vjet
206. e pastaj t’i godasë ai (dënim) që u është premtuar,
207. çfarë vlere do të kishte ajo me të cilën janë kënaqur?
208. Asnjëherë, Ne nuk kemi shkatërruar ndonjë vendbanim, pa i çuar më parë paralajmërues,
209. si këshillë për ata. Ne nuk jemi asnjëherë të padrejtë.
210. Atë (Kuran) nuk e kanë zbritur djajtë.
211. Jo vetëm që kjo s’u takon atyre, por as nuk kanë fuqi të bëjnë një si ai.
212. Në të vërtetë, ata mënjanohen nga të dëgjuarit (e Shpalljes).
213. Prandaj, mos adhuro tjetër zot, përveç Allahut, që të mos bëhesh nga ata që do të dënohen!
214. Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm
215. dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!
216. E, nëse nuk të dëgjojnë, thuaju: “Unë nuk jam përgjegjës për ato që bëni ju”.
217. Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin,
218. i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit)
219. dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.
220. Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
221. A doni t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë?
222. Ata i vijnë çdo gënjeshtari gjynahqar.
223. Ata përgjojnë, por shumica e tyre janë gënjeshtarë.
224. Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur.
225. Vallë, a nuk e sheh ti, që ata bredhin në çdo luginë (të fjalës së kotë),
226. duke folur atë që kurrë s’e bëjnë?
227. Përveç atyre (poetëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, e përmendin shumë Allahun dhe mbrohen, vetëm pasi u është bërë padrejtësi. Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).
Mekase - 93 vargje
1. Tâ, Sîn. Këto janë vargjet e Kuranit, të një Libri të qartë,
2. një udhërrëfyesi dhe lajmi të mirë për besimtarët,
3. të cilët falin namazin, ndajnë zekatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër.
4. Njëmend, atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, Ne kemi bërë që t’u duken të bukura veprat e tyre, prandaj ata ecin verbërisht.
5. Janë pikërisht ata që i pret dënimi i rëndë dhe në jetën tjetër do të jenë më të humburit.
6. Në të vërtetë, ty (o Muhamed) po të shpallet Kurani nga ana e një të Urti të Gjithëdijshëm!
7. Kujto kur Musai i tha familjes së tij: “Unë pashë një zjarr. Do të shkoj që t’ju sjell ndonjë lajm prej atje ose t’ju sjell një urë zjarri, për t’u ngrohur”.
8. Kur shkoi te zjarri, një zë e thirri: “Bekuar qoftë kush është te zjarri dhe të gjithë (engjëjt) rreth tij! Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i botëve!
9. O Musa! Jam Unë, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti!
10. Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa shkopin që po lëvizte si gjarpër, ai iku me vrap e nuk u kthye prapa. “O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time.
11. Sa për ata që bëjnë keq, e pastaj të keqen e zëvendësojnë me vepër të mirë, Unë jam vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
12. Fute dorën tënde brenda në gji dhe do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundjeje. Kjo do të jetë njëra prej nëntë mrekullive, që do t’i tregohen Faraonit dhe popullit të tij. Vërtet, ata janë popull i pabindur!”.
13. Por kur u erdhën atyre shenjat Tona të dukshme, ata thanë: “Kjo është magji e qartë”!
14. Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!
15. Ne i dhamë Davudit dhe Sulejmanit dituri dhe ata thanë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na ka ngritur mbi shumicën e robërve të Tij besimtarë!
16. Sulejmani e trashëgoi Davudin (në misionin e tij profetik) dhe tha: “O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka. Kjo është vërtet dhunti e madhe”.
17. Para Sulejmanit u tubua ushtria e Tij e përbërë prej xhindeve, njerëzve dhe shpendëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme.
18. Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”!
19. Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!”
20. Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo?
21. Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!”
22. Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Sebës.
23. Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor.
24. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar.
25. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi.
26. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!”
27. Sulejmani tha: “Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtar.
28. Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!”
29. Mbretëresha (e Sebës) tha: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike.
30. Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
31. Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”!
32. Ajo tha: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!”
33. Ata thanë: “Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!”
34. Ajo tha: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata.
35. Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.”
36. Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj.
37. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Sebës të poshtëruar dhe të përulur”.
38. Pastaj ai tha: “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?”
39. Njëri nga xhindet - Ifriti, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe i sigurt”.
40. Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.
41. Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërë re këtë apo jo.”
42. Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” Ajo u përgjigj: “Duket sikur të ishte ai”. Sulejmani tha: “Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”.
43. Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues.
44. Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: “Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut - Zotit të botëve!”
45. Ne i dërguam fisit të Themudit, vëllanë e tij Salihun. Ai tha: “Adhuroni Allahun!” Por ata u ndanë në dy grupe, që grindeshin midis tyre.
46. (Salihu) tha: “O populli im, përse ju e dëshironi të keqen para së mirës?! Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!”
47. Ata thanë: “Ne kemi ogur të keq prej teje dhe atyre që janë me ty”. Ai u tha: “E mira dhe e keqja është prej Allahut. Në të vërtetë, ju jeni popull i vënë në sprovë”.
48. Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.
49. Ata i thanë (njëri-tjetrit): “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.”
50. Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata.
51. Tani shiko se si ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre.
52. Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë.
53. Ndërsa, ata që kishin besuar dhe (i) frikësoheshin (Allahut), Ne i shpëtuam.
54. Kur Luti i tha popullit të vet: “Përse bëni vepra të mbrapshta e të turpshme, madje në sytë e njëri-tjetrit?
55. Vallë, a mos ju u qaseni me epsh meshkujve, në vend të femrave? Në të vërtetë, ju jeni popull i paditur”,
56. përgjigjja e vetme e popullit të tij ishte: “Dëbojeni familjen e Lutit prej qytetit tuaj, sepse ata janë njerëz të dëlirë!”
57. Dhe Ne i shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, së cilës i caktuam që të mbetej me të dënuarit.
58. Dhe mbi ta lëshuam breshëri (prej gurësh)! Eh, sa e tmerrshme që ishte ajo breshëri për ata që ishin paralajmëruar!
59. Thuaj (o Muhamed): “Lëvduar e falënderuar qoftë Allahu dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur. Kush është më i mirë, Allahu apo ata që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)?!
60. A ka më të mirë se Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten (pa këtë ujë). Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Jo, por ata janë njerëz që i veshin (Allahut) të barabartë me Atë!
61. A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur.
62. A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën ju trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!
63. A ka më të mirë se Ai që ju rrëfen rrugën në errësirat e tokës dhe të detit dhe ju çon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij? Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? I Lartësuar qoftë Allahu dhe i Lavdëruar mbi çdo gjë që ia shoqërojnë (në adhurim).
64. A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhamed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”
65. Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet”.
66. Vallë, a dinë ndopak ata për jetën tjetër!? Përkundrazi! Ata dyshojnë në të, ata janë të verbër ndaj saj.
67. Dhe mohuesit thonë: “Vallë, a mos do të ringjallemi ne dhe etërit tanë, pasi të jemi bërë dhé?!
68. Vërtet, neve dhe etërve tanë na është premtuar kjo qysh më parë, por këto, me gjasë, nuk janë tjetër, veçse legjenda të popujve të lashtë”.
69. Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë fundi i keqbërësve!”
70. Mos u pikëllo (o Muhamed) për shkak të tyre dhe mos u ngushto për kurthet e tyre.
71. Ata thonë: “Kur do të plotësohet ky premtim, nëse ajo që thoni është e vërtetë?”
72. Thuaj: “Mbase mund të jetë pas shpinës suaj ajo, që doni ta shpejtoni”!
73. Në të vërtetë, Zoti yt, është Bamirës i madh i njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës.
74. Pa dyshim, Zoti yt di atë që fshehin zemrat e tyre dhe atë që e shfaqin haptazi.
75. S’ka asgjë të fshehtë në qiell dhe në Tokë, që të mos jetë e shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)
76. Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin,
77. dhe, natyrisht, është udhërrëfyes dhe mëshirë për besimtarët e vërtetë.
78. Nuk ka dyshim se Zoti yt do t’i gjykojë ata drejtësisht. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi.
79. Prandaj mbështetu tek Allahu! Vërtet, ti je në të drejtën e qartë!
80. Sigurisht që ti (Muhamed), nuk mund t’i bësh të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund t’i bësh të shurdhërit të dëgjojnë thirrjen tënde, kur të kthejnë shpinën!
81. Ti nuk mund t’i nxjerrësh as të verbërit nga humbja e tyre! Ty të dëgjojnë vetëm ata që besojnë Shpalljet Tona dhe na nënshtrohen Neve (si myslimanë).
82. Dhe, kur të përmbushet Fjala Jonë kundër tyre, Ne do të bëjmë që nga Toka të dalë një kafshë[239], e cila do t’u flasë atyre, se njerëzit nuk u janë bindur shpalljeve Tona.
[239] Kafsha e dheut, një kafshë që do të dalë në fundin e kohës, para Kiametit, me pamje të tmerrshme, me unazën (vulën) e Sulejmanit dhe shkopin e Musait e që do të bëjë një shenjë në fytyrën e besimtarëve dhe një tjetër, të ndryshme, në fytyrën e jobesimtarëve.
83. Atë ditë, Ne do të tubojmë prej çdo populli nga një grup prej atyre që mohuan shpalljet Tona. Ata do të vihen në radhë.
84. E kur të vijnë, do t’i pyesim: “Ju i mohuat shpalljet e Mia, ndonëse nuk kishit kurrfarë njohurie për to. Ç’është kjo që keni bërë?!”
85. Dënimi Ynë do t’i godasë ata, për shkak të të këqijave që bënë e nuk do të mund të nxjerrin asnjë fjalë.
86. Vallë, a nuk shohin ata, që Ne e kemi bërë natën për pushim, ndërsa ditën për të parë?! Njëmend, këto janë shenja për besimtarët.
87. Dhe Ditën, kur të fryhet në Sur, do të tmerrohet çdokush që gjendet në qiej e në Tokë, përveç atyre që Allahu nuk dëshiron t’i frikësojë. Të gjithë do t’i vijnë Atij të përulur.
88. Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato do të lëvizin si retë. E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Ai di mirë çdo gjë që bëni ju.
89. Ata që kanë bërë vepra të mira, do të kenë shpërblim më të mirë dhe do të jenë të çliruar nga tmerri i asaj Dite.
90. Ndërsa ata që kanë bërë vepra të këqija, do të hidhen me fytyrë përmbys në zjarr. Ju do të shpërbleheni veç për atë që keni bërë!
91. (Thuaju, o Muhamed): “Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Zotin e këtij Qyteti (Mekës), i Cili e ka bërë atë të shenjtë dhe të Cilit i përket gjithçka. Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij
92. dhe të këndoj Kuranin.” Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: “Unë jam vetëm paralajmërues”.
93. Dhe thuaj: “Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!” E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju.
Mekase - 88 vargje
1. Tâ Sîn Mîm.
2. Këto janë vargjet e Librit të qartë!
3. Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.
4. Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.
5. Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë,
6. t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit[240] dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.[241]
[240] Hamani ishte kryeministri i Faraonit. [241] Pra, fundin e pushtetit të tyre.
7. Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”
8. Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.
9. Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.
10. Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.
11. Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.
12. Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?”
13. Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.
14. Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata që bëjnë punë të mira.
15. Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë. Pastaj tha: “Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!
16. O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.
17. Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!”
18. Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!”
19. Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”.
20. Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”.
21. Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!”
22. Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!”
23. Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”.
24. Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”
25. Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha: “Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!”
26. “O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”.
27. Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.”
28. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.”
29. Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”.
30. Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!
31. Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.
32. Fute dorën tënde në gji dhe ajo do të dalë e bardhë, e palënduar. Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!”
33. Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin.
34. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”.
35. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”.
36. Dhe kur Musai u solli mrekullitë Tona të qarta, ata thanë: “Kjo është vetëm magji e trilluar; ne nuk e kemi dëgjuar këtë prej stërgjyshërve tanë të lashtë”.
37. Musai tha: “Zoti im e di mirë se kush i sjell udhëzimet prej Tij dhe kush do të ketë mbarimin e mirë në jetën tjetër. Sigurisht, keqbërësit nuk do të shpëtojnë.”
38. Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje! O Haman, më ndez një zjarr për të pjekur qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë që të ngjitem te Zoti i Musait. Jam i bindur se ai (Musai) gënjen!”
39. Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në tokë, duke menduar se nuk do të ktheheshin te Ne.
40. Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!
41. Ne i bëmë ata udhëheqës, që thërrisnin për në zjarr, ndërsa në Ditën e Kiametit askush nuk do t’i ndihmojë.
42. Në këtë botë Ne hodhëm mallkim mbi ta, ndërsa në Ditën e Kiametit ata do të jenë të braktisur e të shkatërruar.
43. Pasi i shkatërruam breznitë e mëparshme, Ne i dhamë Musait Librin, si dritë për njerëzit, udhëzim dhe mëshirë, në mënyrë që ata të mund të merrnin këshilla.
44. Ti (o Muhamed) nuk ke qenë i pranishëm në anën perëndimore (të Turit), kur Ne ia besuam Musait Misionin (Profecinë) dhe as nuk ke qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje.
45. Pastaj, Ne krijuam brezni të tjera që jetuan shumë gjatë. Ti nuk ke banuar midis banorëve të Medjenit, që t’iu lexoje shpalljet Tona, por Ne gjithnjë kemi çuar të dërguar.
46. Ti nuk ke qenë as pranë Turit, kur Ne thirrëm Musain. Por ti je dërguar si mëshirë nga Zoti yt për të paralajmëruar njerëzit, të cilëve nuk u kishte ardhur kurrfarë paralajmëruesi para teje, që ata të mund të marrin këshilla
47. dhe, që të mos thonë, kur t’i godasë dënimi, për atë që kanë bërë: “O Zoti ynë, të na kishe çuar një të dërguar që t’i pasonim shpalljet Tuaja dhe të bëheshim besimtarë”.
48. Pasi u erdhi e Vërteta prej Nesh, ata thanë: “Përse nuk i është dhënë (Muhamedit) diçka e ngjashme me atë që i ishte dhënë Musait!” Por, a nuk e mohojnë ata çfarë i ishte dhënë Musait, duke thënë: “Këta (Teurati dhe Kurani) janë dy magji, që mbështesnin njëra-tjetrën. Ne nuk besojmë asnjërin prej tyre”.
49. Thuaju atyre: “Sillni një libër nga Allahu, i cili udhëzon më mirë nga këta të dy, unë do ta pasoj atë, nëse thoni të vërtetën!”
50. E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.
51. Ne ua dërgojmë atyre shpalljet njërën pas tjetrës, në mënyrë që t’ua vënë veshin.
52. Ata që Ne ua kemi zbritur Librin para tij (Kuranit), i besojnë atij.
53. Kur u lexohet atyre (Kurani), ata thonë: “Ne e besojmë atë. Pa dyshim, ai është e vërteta nga Zoti ynë. Vërtet, Ne edhe para tij kemi qenë të nënshtruar ndaj Zotit.”
54. Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar. Ata e zmbrapsin të keqen me të mirë, ndajnë lëmoshë nga ajo që u kemi dhënë Ne
55. dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”.
56. Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.
57. Ata thonë: “Nëse ndjekim udhëzimin së bashku me ty, së shpejti do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh? Por shumica e tyre nuk e dinë.
58. Eh, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, sepse banorët e tyre bënin jetë të shfrenuar! Ja tek janë shtëpitë e tyre, të cilat janë banuar pas tyre fare pak ose aspak. Jemi Ne trashëgimtarët e fundit.
59. Zoti yt kurrë nuk i ka shkatërruar këto vendbanime, para se t’u çonte në kryeqytetet e tyre të dërguar, që t’u lexonte shpalljet e Tij. Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet (pa shkak), por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë keqbërës.
60. Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!
61. Si mund të jetë i njëjtë ai, që i kemi premtuar shpërblim të mirë, të cilin do ta arrijë dhe ai që i kemi dhënë kënaqësi në jetën e kësaj bote, ndërkohë që në Ditën e Kiametit, do të hidhet në zjarr?!
62. Atë Ditë, Allahu do t’i thërrasë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë ata për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Mi?!”
63. Ata që kanë merituar dënimin Tonë, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata, që ne i çuam në rrugë të shtrembër. Ne i çuam ata në rrugë të shtrembër, ashtu siç shkuam edhe vetë në atë rrugë. Ne deklarohemi të pafajshëm para Teje; ata nuk na kanë adhuruar ne”.
64. Atyre do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” - dhe ata do t’i thërrasin ato, por nuk do të marrin asnjë përgjigje. Ata do të shohin dënimin dhe do të dëshirojnë që të kishin qenë në rrugën e drejtë!
65. Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ç’përgjigje iu dhatë të dërguarve?”
66. Atë ditë, argumentet e tyre do t’u ngatërrohen e ata nuk do të mund të pyesin njëri - tjetrin.
67. Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar.
68. Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht, ndërsa ata (idhujt) nuk mund të zgjedhin. Qoftë i lavdëruar Allahu dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
69. Zoti yt e di çfarë fshehin zemrat e tyre dhe çfarë shprehin.
70. I tillë është Allahu! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni.
71. Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?”
72. Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën qetësoheni? Vallë, a nuk shihni?
73. Prej mëshirës së Vet, Ai ka bërë për ju natën dhe ditën, që të qetësoheni, të kërkoni nga mirësia e Tij dhe të jeni mirënjohës.”
74. Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ku janë ata që pretendonit, se ishin ortakët e Mi?!”
75. Dhe prej çdo populli, Ne do të nxjerrim nga një dëshmitar e do të themi: “Paraqitni provat tuaja!” Atëherë, ata do ta marrin vesh se e vërteta është (vetëm) e Allahut dhe do të braktisen nga zotat që i trilluan vetë.
76. Me të vërtetë, Karuni[242] ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!
[242] Karuni ka qenë anëtar i fisit të Musait a.s. (ashtu si ai, ishte prej fisit të Levit). Ishte një burrë me bukuri dhe forcë të madhe. Teuratin e njihte thellësisht dhe ishte shumë i pasur. Të gjitha këto cilësi e kishin bërë mendjemadh. Për ta ndëshkuar për mendjemadhësinë e tij, Allahu i Madhëruar e bëri që ta gllabëronte toka.
77. Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”
78. Ai tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. Vallë, a nuk e dinte ai, se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni, që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.
79. Kur ai dilte para popullit të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote thanë: “Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.”
80. Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve”.
81. Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.
82. Të nesërmen, ata që më parë dëshironin të kishin qenë në vend të tij, thoshin: “Është shumë e qartë se Allahu është Ai që i jep bollëk dhe ia pakëson kujt të dojë prej robërve të Tij. Sikur Allahu të mos kishte mëshirë për ne, me të vërtetë që do të na kishte bërë të na gëlltiste toka. Ububu! Është shumë e qartë se mohuesit nuk kanë shpëtim!”
83. Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.
84. Kush bën një të mirë, do të ketë shpërblim më të mirë se ajo. Ndërsa ai që bën një të keqe, do të dënohet vetëm aq sa e meriton vepra e tij.
85. Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë). Thuaj: “Zoti im e di mirë se kush sjell udhëzim të drejtë dhe kush është në humbje të qartë.”
86. Ti nuk ke shpresuar se do të të shpallej Libri, por e more nga mëshira e Zotit tënd; andaj, kurrsesi mos u bëj ndihmës i mohuesve!
87. Kurrsesi mos i lejo ata të të largojnë prej shpalljeve të Allahut, pasi të janë zbritur ty! Lutju Zotit tënd dhe kurrsesi mos u bëj idhujtar!
88. Mos adhuro zot tjetër krahas Allahut! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Qenies) së Tij! Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!
Mekase - 69 vargje
1. Elif, Lâm, Mîm.
2. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!
3. Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.
4. A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se do t’i shpëtojnë dënimit Tonë?! Sa keq që gjykojnë ata!
5. Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë. Ai dëgjon dhe di gjithçka.
6. Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë.
7. Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.
8. Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë.
9. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri do t’i radhisim në mesin e të mirëve.
10. Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë përndjekjen prej njeriut njësoj si dënimin e Allahut. Ndërsa, kur u vjen fitorja prej Zotit tënd, ata, me siguri - do të thonë: “Ne kemi qenë me ju”. Vallë! A nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt?
11. Sigurisht, Allahu i njeh më mirë ata që kanë besuar dhe hipokritët.
12. Mohuesit u thonë besimtarëve: “Ndiqni rrugën tonë e ne atëherë do t’i mbartim gjynahet tuaja!” Por ata nuk do të jenë në gjendje të mbartin nga gjynahet e tyre; në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.
13. Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka që trillonin.
14. Ne e dërguam Nuhun te populli i tij. Ai qëndroi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e megjithatë, ata i përfshiu përmbytja, duke qenë keqbërës.
15. Ne e shpëtuam Nuhun së bashku me ata që qenë në barkë dhe e bëmë shenjë për të gjithë brezat.
16. Kujtoje Ibrahimin, kur i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij! Kjo është më e mirë për ju, nëse e dini.
17. Vërtet, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm idhuj. Ju po shpifni gënjeshtra. Në të vërtetë, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk kanë pushtet t’ju furnizojnë, andaj, vetëm tek Allahu kërkoni risk dhe adhuroni e falënderoni vetëm Atë. Tek Ai do të ktheheni.
18. Nëse ju nuk më besoni, dijeni se edhe popujt e mëparshëm i kanë quajtur gënjeshtarë (të dërguarit) dhe se i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi.”
19. Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht, kjo është e lehtë për Allahun.
20. Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
21. Ai ndëshkon kë të dëshirojë dhe mëshiron kë të dëshirojë; tek Ai do të ktheheni.
22. Ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shpëtoni as në Tokë e as në qiell dhe, përveç Allahut, nuk keni as mbrojtës, as ndihmës.
23. Ata që mohojnë shpalljet e Allahut dhe takimin e Tij, pikërisht ata e kanë humbur shpresën në mëshirën Time dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”
24. Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: “Vriteni atë ose digjeni!” Por Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet, këtu ka shenja të qarta për njerëzit që besojnë.
25. Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë.[243] Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.”
[243] Sipas një interpretimi (të Taberiut), adhurimi i idhujve nuk është gjë tjetër, veçse një shenjë e lidhjes me jetën tokësore. Por vargu mund të kuptohet edhe si një qortim për ata që, për hir të konformizmit, ndjekin tradita të gabuara edhe pse të konsoliduara.
26. Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”
27. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin. Ne i dhamë atij shpërblim në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër, me siguri, ai do të jetë prej njerëzve të mirë.
28. Kur Luti i tha popullit të vet: “Vërtet, ju bëni të tilla lapërdhi, që askush para jush nuk ka bërë në botë:
29. bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pusi atyre dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra”, populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveç se tha: “Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën”!
30. Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti”!
31. Dhe, pasi të dërguarit Tanë i sollën lajmin e mirë[244] Ibrahimit, i thanë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës”.
[244] D.m.th. lajmin për lindjen e Is’hakut.
32. Ai (Ibrahimi) tha: “Por atje banon edhe Luti!” Ata thanë: “Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij: ajo do të qëndrojë me ata që do të mbesin (për t’u dënuar)”.
33. Kur të dërguarit Tanë (engjëj) shkuan tek Luti, ai u shqetësua dhe u ngushtua (për ata, sepse nuk i mbronte dot). Ata i thanë: “Mos u frikëso dhe mos u brengos! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde. Ajo do të mbesë me ata që janë për dënim.
34. Në të vërtetë, Ne do të lëshojmë dënim nga qielli, mbi banorët e këtij vendbanimi[245], ngase ata janë të prishur”.
[245] Bëhet fjalë për qytetin e Sodomës, që ndodhej në Palestinë, në jug të Detit të Vdekur.
35. Dhe tashmë Ne e kemi lënë atë një shenjë të dukshme për njerëzit që kuptojnë.
36. Edhe banorëve të Medjenit (i dërguam) vëllanë e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, shpresoni në Ditën e Fundit dhe mos bëni keq në tokë, si ngatërrestarë!”
37. Por, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i goditi një tërmet i tmerrshëm e si pasojë u gdhinë në shtëpitë e tyre të vdekur e të gjunjëzuar.
38. E njëjta gjë u ndodhi edhe fiseve Ad dhe Themud, gjë që ju është bërë e qartë prej (gjurmëve të) banimeve të tyre. Atyre djalli ua kishte zbukuruar veprat e veta dhe i kishte shmangur nga rruga e drejtë, edhe pse qenë largpamës.
39. Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin! Atyre u vajti Musai me prova të qarta, por ata treguan mendjemadhësi në Tokë dhe nuk i shpëtuan dënimit.
40. Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.[246]
[246] Banorët e Sodomës u shkatërruan nga një ciklon, fisi Themud u godit nga një zë i tmerrshëm, Karuni u gëlltit nga toka, ndërsa populli i Nuhut dhe njerëzit e Faraonit u mbytën në ujë.
41. Rasti i atyre, që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata!
42. Sigurisht, Allahu e di se çfarë adhurojnë ata në vend të Tij; Ai është i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.
43. Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve.
44. Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me qëllim të plotë. Kjo është një shenjë për besimtarët!
45. Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.
46. Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një - dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë”.
47. Kështu, Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) Librin (Kuranin). Ata që u kemi dhënë Shkrimet, e besojnë atë. Por ka edhe nga ata (mekas) që e besojnë atë. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm jobesimtarët.
48. Para këtij[247], ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.[248]
[247] D.m.th. Kuranit. [248] Profeti Muhamed (a.s.) nuk ka ditur të shkruajë apo të lexojë dhe fakti që ai nuk i njihte Shkrimet e shenjta, ishte pjesë e planit të Allahut për t’iu hequr denigruesve të tij një argument të lehtë për të kundërshtuar natyrën hyjnore të Kuranit. Megjithatë, edhe sot pjesa më e painformuar dhe dashakeqe e orientalistëve perëndimorë pohon se Muhamedi (a.s.) nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ia ka adoptuar kulturës arabe revelatat hyjnore të mëparshme. Ky është mjerimi i paditurisë dhe i mosbesimit.
49. Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.
50. Ata thonë: “Përse nuk i janë zbritur (Muhamedit) mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj (o Muhamed): “Mrekullitë janë vetëm tek Allahu; unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”.
51. Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë.
52. Thuaj: “Allahu mjafton si dëshmitar midis meje dhe jush. Ai di çfarë ka në qiej dhe në Tokë.” Ata që besojnë në trillime dhe nuk besojnë në Allahun, pikërisht ata janë të humburit.
53. Ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit. Sikur të mos ishte afati i caktuar, atyre do t’u kishte ardhur dënimi. Me siguri që atyre do t’u vijë papritmas e pa vënë re.
54. Ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit, por, në të vërtetë, Xhehenemi do t’i përfshijë të gjithë mohuesit.
55. Ditën, kur do t’i kaplojë dënimi prej së larti dhe prej së poshtmi (engjëlli i ngarkuar me ndëshkimin e fajtorëve), do t’u thotë: “Shijoni dënimin për atë që keni bërë!”
56. O robërit e Mi, që keni besuar! Toka Ime është vërtet e gjerë, andaj më adhuroni vetëm Mua!
57. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.
58. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në pallatet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj; aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i bukur është shpërblimi i atyre që punojnë mirë,
59. e të cilët kanë duruar dhe janë mbështetur te Zoti i tyre.
60. Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.
61. Nëse ti (Muhamed) i pyet ata[249] se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Atëherë, si po largohen (nga rruga e drejtë)?
[249] Bëhet fjalë për politeistët, të cilët e kanë njohur pothuajse gjithmonë një Qenie Supreme, një Zot Suprem që ishte Krijuesi dhe Rregulluesi i gjithësisë. Banorët e Mekës, në mënyrë të veçantë, e kishin të qartë konceptin e Allahut (i lartmadhëruar qoftë Ai), por për shkak të paditurisë, interesave të ngushta dhe poshtërsisë morale, atyre iu dukej me leverdi që të adhuronin një mori zotash të tjerë.
62. Allahu, ia zgjeron furnizimin kujt të dojë nga robërit e Tij, e dikujt ia zvogëlon. Allahu është vërtet i Dijshëm për çdo gjë.
63. Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Thuaj: “Qoftë lëvduar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.
64. Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!
65. Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim),
66. për të mohuar atë që u kemi dhënë Ne dhe për t’u kënaqur.[250] Por shpejt do ta marrin vesh!
[250] Pasi kanë shpëtuar nga rreziku i mbytjes, njohja e njëshmërisë së Allahut dhe bindja ndaj rrjedhojave të kësaj njohjeje u kushtojnë shtrenjtë mosbesimtarëve, sepse i pengojnë të lëshohen në kënaqësitë e pasioneve.
67. Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten? A mos vallë ata besojnë në gjëra të kota, ndërsa dhuntitë e Allahut i mohojnë?!
68. Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose mohon të vërtetën që i ka ardhur?! Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?!
69. Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!