Sure 5: El Maideh (Sofra e shtruar)

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ju që keni besuar! Përmbushni detyrimet tuaja. Të lejuara për ju për t’u ngrënë janë të gjitha kafshët përveç atyre të cilat do t’ju bëhen të njohura (më tej), (ndërsa) gjahu ju ndalohet kur jeni në gjendje Ihrami gjatë vizitës së Ka’bës (për Umre ose për Haxh). Sigurisht që Allahu urdhëron çfarë do Ai.

2. O ju që keni besuar! Mos cënoni shenjtërinë e Shenjave të Allahut, as të Muajit të Shenjtë, as të kafshëve të sjella për kurban, as atë me qafore (të caktuar për kurban), as njerëzit që vijnë në Shtëpinë e Shenjtë (në Mekë) për të kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. Por kur të kaloni gjendjen e Ihramit, mund të gjuani dhe urrejtja ndaj disa njerëzve të cilët ju ndaluan ju njëherë nga vizita e El-Mesxhid El-Haram (e Xhamisë së Shenjtë në Mekë) të mos bëhet shkak që t’ju çojë ju në tejkalime (dhe armiqësi prej jush), por ndihmoni njëri-tjetrin në El-Birr dhe Et-Takva (mirësi, dëlirësi dhe përkushtim e frikë ndaj Allahut) dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynah dhe zemërim (duke kaluar kështu kufijtë). Dhe kini frikë Allahun, sepse padyshim që Allahu është i Ashpër në ndëshkim.

3. Të ndaluara për ju (për t’i ngrënë) janë: bagëtitë e ngordhura (e të patherura), gjaku, mishi i derrit dhe mishi i atyre kafshëve që janë bërë kurban për të tjerë e jo për Allahun, ose që janë bërë kurban për idhuj, ose mishi i atyre kafshëve mbi të cilat nuk është përmendur Emri i Allahut kur janë therur, mishi i kafshëve të mbytura, ose që kanë ngordhur nga goditja, nga rrëzimi, nga çjerrja me brirë dhe ajo që është kafshuar nga egërsira nëse nuk e therni dot para se të ngordhë,- si edhe mishi i atyre që janë therur në Nusub (altarë guri ku bëhet kurban në emër të idhujve, xhindeve, melekëve, njerëzve të shquar, shenjtorëve etj). E ndaluar është edhe të përdorni shigjeta për të kërkuar fatin ose për short. E gjithë kjo është Fiskun (mosnënshtrim ndaj Allahut dhe gjynah, gjë e dënueshme). Këtë ditë, ata të cilët nuk besuan kanë humbur të gjitha shpresat për fenë tuaj (që t’ju joshin e t’ju largojnë nga Besimi Islam), kështu që mos i kini frikë ata, por m’u frikësoni Mua. Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe. Por sa për atë i cili shtrëngohet nga uria e madhe, pa qëllim për të bërë gjynah (të tillët mund të hanë nga ato që u përmendën më lart), atëherë Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

4. Të pyesin ty (O Muhammed) se ç’është e lejuar për ta (për t’u ushqyer). Thuaj: “Të lejuara për ju janë Et-Tajjibat (të gjitha ushqimet e mira dhe të pastra, të lejuara nga Allahu). Sa për ato kafshë e shpezë gjahu të cilat ju i keni stërvitur për të gjuajtur, duke i stërvitur e mësuar siç ju ka udhëzuar Allahu, hani çfarë ato kapin për ju, por shqiptoni Emrin e Allahut mbi të dhe kijeni frikë Allahun. Vërtet Allahu është më i Shpejti në llogari.”

5. Janë bërë të ligjshme këtë ditë Et-Tajjibat (të gjitha ushqimet e mira e të pastra të lejuara nga Allahu). Ushqimi (mishi i bagëtive të therura, i kafshëve të tjera të ngrënshme etj) i ithtarëve të Librave të Parë (jehudive dhe të krishterëve) është i ligjshëm për ju dhe i juaji është i lejuar për ta. (Të lejuara për ju për t’u martuar) janë gratë e dëlira besimtare dhe gratë e dëlira nga ato të cilëve u janë zbritur Librat e Parë (jehudi e të krishterë) para jush, kur t’u keni dhënë atyre Mahrin (vlerën e përcaktuar) e duhur duke dëshiruar ndershmëri (duke u bashkuar në mënyrë të ligjshme). Dhe kushdo që mohon Besimin (Islam), atëherë puna e tij është e pavlerë dhe në Botën e Pastajme ai do të jetë prej të humburve.

6. O ju që keni besuar! Kur doni të kryeni faljen, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla, kaloni duart e lagura mbi kokat tuaja, lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni në gjendje Xhunubi (të papastër nga marradhaniet me bashkëshortet ose si pasojë e ëndrrave të lagura), pastrohuni krejtësisht (lani gjithë trupin). Por në qoftë se jeni të sëmurë ose në udhëtim, ose pas kryerjes së nevojave vetjake, ose nga afrimi me bashkëshortet (ose ëndërrat e lagura etj) dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni Tejemum me dhe të pastër duke fërkuar fytyrat tuaja dhe duart. Allahu nuk do që t’ju vë në vështirësi, por Ai don t’ju pastrojë ju dhe të plotësojë Mirësitë e Tij mbi ju, që ju të mund të falënderoni.

7. Dhe mbani në mendje Përkujtimin e Allahut mbi ju dhe Besën e Tij që lidhi me ju kur thatë: “Dëgjuam dhe u bindëm” dhe kijeni frikë Allahun. Vërtet Allahu është i Gjithëdituri për (gjithë të fshehtat në) gjokset tuaj.

8. O ju që keni besuar! Jini të fortë për Allahun dhe jini dëshmitarë të drejtë e mos lejoni që armiku dhe urrejtja ndaj të tjerëve t’ju bëjë që t’i shmangeni drejtësisë. Jini të drejtë: kjo është më afër përkushtimit dhe kini frikë Allahun. Padyshim që Allahu është në Dijeni të plotë për çdo gjë që ju veproni.

9. Allahu u ka premtuar atyre që besojnë (në Allahun dhe Islamin) dhe bëjnë vepra të drejta, se për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh (Xhennetin).

10. Ata të cilët mohojnë dhe përgënjeshtrojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet), janë ata të cilët do të jenë banorët e Zjarrit të Xhehenemit.

11. O ju që keni besuar! Kujtoni Përkujtimin e Allahut mbi ju, kur disa njerëz donin t’i zgjasin duart e veta kundër jush, por Allahu i zbrapsi duart e tyre prej jush. Kështu pra, kini frikë Allahun dhe vetëm tek Allahu le të vënë gjithë shpresat besimtarët.

12. Në të vërtetë Allahu mori betimin nga Bijtë e Israilit (jehuditë) dhe Ne caktuam dymbëdhjetë udhëheqës prej tyre. Allahu tha: “Unë jam me ju nëse ju kryeni rregullisht faljet, jepni Zekatin dhe besoni në të Dërguarit e Mi, i nderoni dhe i ndihmoni ata dhe lini tek Allahu hua të mirë (për ta marrë në Jetën Tjetër prej Tij). Padyshim që Unë do t’jua fal gjynahet dhe do t’ju pranoj në Kopshte (Xhennete) poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Por nëse ndonjë prej jush mohon pas kësaj, ai vërtet është i humbur prej Rrugës së Vërtetë.”

13. Kështu, për shkak se ata e thyen besën e dhënë, Ne i mallkuam ata dhe i bëmë zemrat e tyre gjithnjë e më të forta, gur. Ata u ndërrojnë fjalëve vendet e tyre të vërteta dhe kanë braktisur një pjesë të mirë të Mesazhit që iu dërgua atyre. Dhe ju vazhdimisht do të vëreni mashtrime tek ata, përveç të një pakice prej tyre, por ju i falni dhe mos ua vini re (mos i ndëshkoni për krimet e tyre). Vërtet Allahu i do Muhsinunët (ata që punojnë mirë në Rrugën e Allahut).

14. Edhe nga ata të cilët e quajnë veten të krishterë, Ne e morëm besën e tyre, por ata kanë braktisur një pjesë të mirë të Mesazhit që iu dërgua atyre. Kështu Ne mbollëm mes tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Ringjalljes (kur ata hodhën tej Librin e Allahut, nuk iu bindën të Dërguarve të Allahut dhe Urdhërave të Tij dhe tejkaluan jashtë mase çdo kufi në mosbindje ndaj Allahut). Dhe Allahu do t’ua bëjë të ditur atyre çfarë kanë bërë.

15. O ithtarë të Librave të Parë (jehudi dhe të krishterë)! Tash ka ardhur tek ju i Dërguari Ynë (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke ju shpjeguar mjaft prej atyre gjërave që ju i keni fshehur gjithnjë nga Libri juaj ose i keni kaluar shumë të tjera (lehtë e duke i lënë pa shpjeguar). Vërtet që ju ka ardhur nga Allahu një Dritë (Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe një Libër i qartë (e ndriçues - Kur’ani).

16. Me anë të të cilit Allahu udhëheq të gjithë ata të cilët kërkojnë Kënaqësinë e Tij drejt rrugëve të paqës dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij dhe i udhëzon në Rrugën e Drejtë (Islam).

17. Padyshim që në mosbesim janë ata të cilët thanë se Allahu është Mesihu, biri i Merjemes. Thuaju: “Atëherë kush ka fuqi sadopak kundër Allahut, nëse Ai do të shkatërronte Mesihun (Isain), birin e Merjemes, nënën e tij dhe gjithë ata që janë në tokë së bashku?” Dhe Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’ka mes tyre. Ai krijon çfarë Ai do dhe Allahu është i Zoti për të bërë gjithçka.

18. Jehuditë dhe të krishterët thonë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit (të zgjedhurit) e Tij.” Thuaju: “Përse atëherë Ai ju ndëshkon ju për gjynahet tuaja?” Por jo! Ju nuk jeni vetëm se qenie njerëzore, nga ato që Ai ka krijuar; Ai fal atë që Ai do dhe ndëshkon atë që Ai do dhe Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’ka ndërmjet tyre dhe tek Allahu është kthimi i të gjithëve.

19. O ithtarë të Librave të Parë (jehudi e të krishterë)! Tash ka ardhur mes jush i Dërguari Ynë (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke jua qartësuar gjërat pas një ndërprerje në vazhdimësi të të Dërguarve, në mënyrë që të mos thoni: “Neve nuk na ka ardhur ndonjë përgëzues dhe këshillues.” Pra ja, ju erdhi përgëzuesi dhe këshilluesi. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë gjithçka.

20. Kujto kur Musai i tha popullit të tij: “O populli im! Përkujtoni Mirësitë e Allahut mbi ju, kur Ai nxorri Pejgamberë nga gjiri juaj, ju bëri mbretër dhe ju dha çfarë Ai nuk i kishte dhënë askujt në gjithë Alemin (ndër njerëz e xhinde më parë).

21. O populli im! Hyni në tokën e shenjtë (Palestinë) të cilën Allahu e ka përcaktuar për ju dhe mos u ktheni mbrapa (në arrati), sepse kështu pastaj do të ktheheni të humbur.”

22. Ata thanë: “O Musa! Aty është një popull i fuqishëm dhe ne nuk do të hyjmë në të, deri sa ata të largohen prej tij. Kur ata të ikin, atëherë ne do të hyjmë në të.”

23. Dy burra prej atyre të cilët e kishin frikë Allahun dhe të cilëve Allahu u kishte dhuruar Mirësinë e Tij (ata të dy ishin Jusha dhe Kaleb) thanë: “I sulmoni nga porta, sepse kur ju të hyni brenda, fitorja do të jetë e juaja dhe vini shpresat tuaja vetëm tek Allahu, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”

24. Ata thanë: “O Musa! Ne kurrë nuk do të hyjmë në të përderisa ata janë aty. Kështu që, shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni ju të dy, ndërsa ne nuk po luajmë fare prej këtu ku jemi.”

25. Ai (Musai) tha: “Zoti im! Unë kam fuqi veçse për veten time dhe për vëllain tim, kështu që na veço neve prej popullit që është Fasikun (i panënshtruar dhe i pabindur ndaj Allahut).”

26. (Allahu) Tha: “Atëherë ajo (toka e shenjtë e premtuar) është e ndaluar për ta dyzet vjet. Të humbur do të enden nëpër tokë. Kështu që mos të të vijë keq për popullin Fasikun (të panënshtruar dhe të pabindur ndaj Allahut).”

27. Lexoju (O Muhammed) atyre (jehudive) edhe tregimin e vërtetë për dy djemtë e Ademit (Habilit dhe Kabilit), kur të dy flijuan kurban (për Allahun), dhe ai iu pranua vetëm njërit e tjetrit jo. I dyti (ai, të cilit nuk iu pranua kurbani) i tha të parit: “Do të të vras me të vërtetë.” I pari tha: “Vërtet Allahu pranon vetëm prej atyre që janë El-Muttekunë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam).

28. Në qoftë se ngre dorë kundër meje për të më vrarë, unë kurrë nuk do të ngre dorën time kundër teje për të të vrarë ty, pasi unë i frikësohem Allahut, Zotit të Aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithë ç’ekziston).

29. Vërtet unë dua që ti të marrësh edhe gjynahin tim mbi veten tënde bashkë me tëndin dhe atëherë ti do të jesh prej banorëve të Zjarrit dhe ky është shpërblimi për Dhalimunët (keqbërësit e mosbesimtarët).”

30. Kështu Nefsi (nepsi, uni) i të dytit e nxiti atë duke ia paraqitur si të drejtë vrasjen e vëllait të vet; ai e vrau atë dhe kështu u bë prej të humburve.

31. Pastaj Allahu dërgoi një korb i cili gërvishti me kthetra në tokë për t’i treguar atij që ta fshehë trupin e vdekur të vëllait të tij. Ai (vrasësi) tha: “Mallkuar qofsha! A nuk jam i aftë as sa ky korb që ta fsheh trupin e vdekur të vëllait tim?” Pastaj u bë prej atyre që ndjejnë dhimbshuri.

32. Për këtë shkak, Ne urdhëruam për Bijtë e Israilit që, nëse ndokush vriste dikë jo për shpagim vrasje apo për krime në tokë (pra vrasje të padrejtë), do të ishte sikur të kishte vrarë krejt njerëzimin. Nga ana tjetër, nëse ndokush shpëton një jetë, do të ishte sikur të kishte shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit. Dhe me të vërtetë, edhe pse atyre u shkuan të Dërguarit Tanë me shenja e prova të qarta, megjithatë edhe pas kësaj, shumë prej tyre vazhduan të kalojnë kufijtë në tokë.

33. Shpërblimi për ata që bëjnë luftë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kryejnë mizori në tokë, është vetëm që ata të vriten ose të kryqëzohen, ose t’u pritet njëra dorë dhe këmba tjetër (dora e djathtë dhe këmba e majtë), ose të dëbohen nga vendi i tyre. Ky është turpi i tyre në këtë botë, ndërsa në Jetën e Fundit ata do të kenë ndëshkim të madh.

34. Përveç atyre të cilët (pasi kanë ikur dhe pastaj) kthehen prapë (si muslimanë) me pendim para se të hyjnë nën pushtetin tuaj; në rast të tillë dijeni se Allahu është vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

35. O ju që keni besuar! Plotësoni detyrat ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë. Kërkoni rrugë për t’iu afruar Atij dhe përpiquni e luftoni për Çështjen e Tij sa të mundeni, që të mund të jeni të fituar.

36. Sigurisht ata që nuk besojnë, sikur të kishin gjithë ç’ka në tokë e edhe një herë aq për të liruar veten nga Ndëshkimi i Allahut në Ditën e Ringjalljes, nuk do t’u pranohet atyre dhe për ta do të ketë dënim të dhimbshëm.

37. Ata do të dëshirojnë të dalin nga Zjarri, por ata kurrë nuk do të dalin dot që andej dhe për ta do të ketë dënim të përhershëm.

38. Priteni dorën e djathtë (në kyç) për vjedhësit, mashkull apo femër, si shpërblim për atë çfarë kanë kryer, ndëshkim për t’u bërë shembull nga Allahu. Dhe Allahu është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

39. Por kushdo që pendohet pas krimit të bërë dhe kryen vepra të mira e të drejta (duke iu nënshtruar Allahut), atëherë sigurisht që Allahu do ta falë atë (do t’ia pranojë pendimin). Padyshim që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

40. A nuk e dini se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës! Ai ndëshkon atë që Ai do dhe Ai fal atë që Ai do. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

41. O i Dërguar! Mos u shqetëso për ata të cilët me të shpejt bien në mosbesim, të atillë që thonë: “Ne besojmë” me gojë, por në zemrat e tyre nuk ka aspak besim. Ka edhe nga jehuditë prej atyre që dëgjojnë me zell çdo gënjeshtër - dëgjojnë edhe prej atyre që as nuk kanë ardhur fare tek ti. Ata shtrembërojnë fjalët duke ua ndërruar vendin; ata thonë (u thonë njerëzve): “Në qoftë se ju jepet kjo gjë e kjo gjë, merreni atë, por në qoftë se nuk ju jepen këto gjëra, atëherë refuzoni!” Dhe për këdo që Allahu dëshiron ta fusë në Fitneh (gabim, sprovë për shkak të mospranimit të Besimit), ju nuk mund të bëni asgjë kundër Allahut. Janë ata, zemrat e të cilëve Allahu nuk do t’i pastrojë (nga mosbesimi dhe hipokrizia); për ta ka turpërim në këtë botë dhe në Botën e Pastajme ndëshkim të madh.

42. (Atyre u pëlqen) të dëgjojnë gjëra të rreme, të gëlltisin çdo gjë të ndaluar. Kështu që, nëse ata vijnë tek ti, ose gjyko mes tyre ose shmangu prej tyre. Në qoftë se shmangesh prej tyre, ata nuk mund të të sjellin ty kurrfarë dëmi, ndërsa po të gjykosh mes tyre, gjyko me drejtësi. Vërtet që Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.

43. Po si kërkojnë ata gjykimin tënd, kur ata e kanë Teuratin në të cilin është Gjykimi (i qartë) i Allahut?! Megjithatë, edhe pas kësaj ata shmangen, pasi ata nuk janë besimtarë të vërtetë.

44. Vërtet që Ne ia zbritëm Teuratin (Musait) dhe aty pat udhëzim dhe dritë, me anë të të cilit Pejgamberët që iu nënshtruan Vullnetit të Allahut plotësisht, gjykuan dhe i udhëhoqën jehuditë. (Po kështu) edhe rabbinët, edhe udhëheqësit dijetarë të fesë (i gjykuan jehuditë me anë të Teuratit pas Pejgamberëve), sepse atyre iu ishte besuar mbrojtja e Librit të Allahut dhe për më tepër ata ishin edhe dëshmues. Kësisoj mos kini frikë nga njerëzit, por m’u frikësoni Mua (o jehudi) dhe mos i shisni Fjalët e Mia për një çmim të mjerë. Dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu (me Ligjin e Allahut), të këtillët janë Kafira (jobesimtarë).

45. Dhe nga kjo pikëpamje, Ne urdhëruam për ta: “Jetë për jetë, sy për sy, hundë për hundë, vesh për vesh, dhëmb për dhëmb, dhe plagët barabar për secilin.” Por nëse ndonjë e fal shpagimin për Sadaka (bamirësi), kjo do të pranohet si shlyerje (e mëkateve) për të. Dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu, të këtillët janë Dhalimunë (mizorë, mosbesimtarë).

46. Ne vazhduam gjurmët e tyre me Isain, birin e Merjemes, duke vërtetuar Teuratin që pat ardhur para tij dhe Ne i dhamë atij Inxhilin në të cilin kishte udhëzim dhe dritë si dhe vërtetim të Teuratit që pat ardhur para tij (Inxhilit), udhëheqje dhe këshillim për Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

47. Le të gjykojnë atëherë ithtarët e Inxhilit me atë që shpalli Allahu në të dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu, të këtillët janë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

48. Dhe Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën duke vërtetuar Librat e Parë që patën ardhur para tij dhe Muhajminun (i besueshëm në shkallën më të lartë dhe dëshmues) për ta (Librat e Parë), kështu që gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu dhe mos u shko pas dëshirave të tyre të kota duke u shmangur kështu nga e vërteta e cila të ka ardhur ty. Për secilin prej jush Ne kemi përshkruar një ligj dhe një rrugë të qartë. Po të kishte dashur Allahu, Ai do të kishte mundur t’ju bënte ju një komb, por (Qëllimi i Tij është) që t’ju provojë ju në atë që Ai ju ka dhënë, kështu që përpiquni e bëni garë për vepra të mira. Kthimi i juaj i të gjithëve është tek Allahu dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë për çfarë ndryshuat ju mes veti.

49. Dhe në këtë mënyrë (ti o Muhammed) gjyko mes tyre me atë që të ka shpallur Allahu dhe mos u shko pas dëshirave të tyre të kota, por tregohu i vëmendshëm ndaj tyre që të mos kthejnë e të largojnë nga disa gjëra të cilat Allahu t’i ka zbritur ty. Por nëse ata largohen, atëherë dije se është Dëshira e Allahut për t’i ndëshkuar ata për disa mëkate të tyre. Dhe vërtet shumica e njerëzve janë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

50. A mos kërkojnë atëherë gjykimin e kohës së injorancës (padijes, para Islamit)? E kush është më i mirë në gjykim se sa Allahu, për një popull që ka një Besim të fortë?

51. O ju që keni besuar! Mos i zini jehuditë dhe të krishterët për Eulija (shokë, miq e mbrojtës). Ata janë shokë, miq e mbrojtës vetëm për njëri-tjetrin dhe nëse ndonjë prej jush i zë ata Eulija, atëherë nuk ka dyshim se ai është një prej tyre. Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon atë popull që është Dhalimun (keqbërës, mohues).

52. Dhe i shihni ata, zemrat e të cilëve janë të sëmuara (me hipokrizi), të vrapojnë në shoqërinë e tyre duke thënë: “Ne kemi frikë se mos po na sjellin ndonjë fatkeqësi.” Mbase Allahu mund të sjellë fitore ose vendim sipas Vullnetit të Tij. Atëherë atyre do t’u vijë keq për atë çfarë mbanin të fshehur në veten e tyre.

53. Ndërsa ata që besojnë, do të thonë: “A këta janë ata njerëz (hipokritë) të cilët dhanë betimet më të forta në Allahun se ata ishin me ju (muslimanët)?” Gjithçka që ata bënë ka shkuar kot (për shkak të hipokrizisë së tyre) dhe e bënë veten të humbur.

54. O ju që keni besuar! Kushdo nga ju që tradhton e braktis fenë e tij (Islamin), atëherë Allahu do të sjellë një popull që Ai do ta dojë dhe ata do ta duan Atë: (një popull) të përulur ndaj besimtarëve, të rreptë ndaj mosbesimtarëve, që luftojnë në Rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohen fajësimeve të fajësuesve (ose të atyre që janë vetë fajtor). Kjo është Dashamirësia e Allahut të cilën Ai e lëshon mbi ata që Ai do. Dhe Allahu është i Gjithëmjaftueshëm për të përmbushur nevojat e krijesave të Tij, i Gjithëditur.

55. Vërtet që Valiu (Mbrojtësi e Ndihmuesi më i mirë) për ju është Allahu, është i Dërguari i Tij, janë besimtarët, - ata që kryejnë rregullisht e në mënyrë të përkryer faljet e rregullta ditore sipas kohëve, që japin Zekatin dhe ata që përkulen (ia nënshtrojnë veten me bindje Allahut në falje).

56. Dhe kushdo që zgjedh Allahun, të Dërguarin e Tij dhe ata që kanë besuar si Mbrojtës, atëherë, Partia e Allahut do të jetë fitimtare.

57. O ju që keni besuar! Mos i zini Eulija (shokë, miq e mbrojtës) ata të cilët e marrin fenë tuaj për tallje dhe dëfrim, prej atyre të cilëve iu dhanë Librat e Parë (jehudi e të krishterë) para jush, as nga mosbesimtarët dhe kini frikë Allahun nëse me të vërtetë jeni besimtarë të vendosur.

58. Edhe thirrjen tuaj (Ezanin) për falje, ata e marrin për tallje e lojë; kjo ngaqë ata janë popull që nuk kupton.

59. Thuaju: “O ithtarë të Librave të Parë! A na shani ne vetëm pse besojmë në Allahun dhe në Shpalljen që na është zbritur neve, edhe në çfarë është zbritur përpara nesh?” S’ka dyshim se shumica juaj janë Fasikunë (të panënshtruar e të pabindur ndaj Allahut).

60. Thuaju (O Muhammed, popujve të Librave të Parë): “A t’ju njoftoj për një gjë akoma më të keqe se kjo. Duke pasur parasysh shpërblimin nga ana e Allahut: ata (jehuditë) të cilët morën mbi vete Mallkimin e Allahut dhe Zemërimin e Tij, ata (disa) prej të cilëve Ai i shëndrroi në majmuna dhe në derra, ata të cilët adhuruan Taghutin (perëndi e zot të paqenë); të këtillët janë në shkallën më të keqe (në Ditën e Ringjalljes, në Zjarr të Xhehenemit) dhe tepër larg nga Rruga e Drejtë.”

61. Kur vijnë tek ti, ata thonë: “Ne besojmë,” por në të vërtetë ata hyjnë me qëllim të mosbesimit dhe po kështu dalin (pa besuar). Dhe Allahu e di më së miri se çka fshehin ata.

62. Shumë prej tyre (jehudive) i sheh se si nxitojnë drejt gjynaheve dhe shkeljes së Ligjeve (të Allahut) dhe se si hanë prej gjërave të palejuara (haram, ryshfete dhe fajde etj). Me të vërtetë e poshtër është ajo çfarë ata punojnë.

63. Përse rabbinët (dijetarët e fesë jehude) dhe udhëheqësit e tjerë të tyre nuk i ndalojnë ata nga përfolja e fjalëve të ulëta (mëkatare) dhe nga të ngrënët e gjërave të palejuara? Vërtet e poshtër është ajo që ata punojnë.

64. Jehuditë thonë: “Dora e Allahut është e lidhur (e shtrënguar, Ai nuk dhuron dhe nuk shpenzon nga Begatitë e Tij). “Qofshin të shtanguara duart e tyre dhe qofshin të mallkuar ata, për çfarë u nxorri goja! Përkundrazi, të Dy Duart e Tij janë gjerësisht të shtrira. Ai shpenzon nga Begatitë e Tij ashtu siç do Ai. Në të vërtetë, Shpallja Hyjnore e cila të ka zbritur ty nga Allahu, shton te shumica e tyre kokëfortësi mosnënshtrimi dhe mosbesimi. Ne kemi futur ndërmjet tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Ringjalljes. Çdo herë që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu ua shuajti atë, ndërsa ata gjithnjë përpiqen të bëjnë djallëzi në tokë. Dhe Allahu nuk i do Mufsidunët (ata që punojnë djallëzi në tokë).

65. Dhe vetëm sikur ithtarët e Librave të Parë të kishin besuar (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), të kishin shmangur të keqen (gjynahin e madh, vënien shok Allahut) dhe të ishin bërë Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam), Ne me të vërtetë do t’i kishim fshirë krejt gjynahet e tyre dhe do t’i kishim pranuar ata ndër Kopshtet e Kënaqësisë (në Xhennet).

66. Dhe vetëm sikur të kishin punuar sipas Teuratit dhe Inxhilit dhe sipas asaj që është zbritur tash nga Zoti i tyre (sipas Kur’anit), ata sigurisht që do të kishin marrë furnizim (me bollëk) nga lart e nga poshtë këmbëve të tyre. Ka nga mesi i tyre njerëz të cilët janë në drejtim të vërtetë (ata punojnë sipas shpalljes së re, Kur’anit dhe e besojnë Pejgamberin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) por shumë prej tyre bëjnë vepra të liga.

67. O i Dërguar! Shpalle atë (Mesazhin) i cili të është zbritur ty nga Zoti yt dhe nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke shpallur Mesazhin e Tij (Nuk e ke çuar në vend Porosinë e Tij). Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit. Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon një popull që nuk beson.

68. Thuaju: “O ithtarë të Librave të Parë! Nuk jeni në asnjë udhëzues të drejtë, derisa të mos punoni sipas Teuratit, Inxhilit dhe asaj (Kur’anit) që është zbritur tani tek ju nga Zoti juaj.” Padyshim se ajo që të është zbritur (O Muhammed) nga Zoti yt, shton tek shumica e tyre kokëfortësinë për të mos u nënshtruar dhe mosbesimin. Në këtë mënyrë, mos të të vijë keq për një popull që nuk beson.

69. Me siguri ata që besuan (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe në shpalljen e tij, Kur’anin), që janë jehudi, sabianë, të krishterë - kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe punon drejtësi, për ta nuk do të ketë aspak frikë e as nuk do të pikëllohen.

70. Me të vërtetë Ne morëm besën e Bijve të Israilit dhe u çuam atyre të Dërguar. Sa herë që u vinte atyre ndonjë i Dërguar me gjëra që ata nuk i dëshironin - disa prej atyre (të Dërguarve) i quajtën gënjeshtarë, ndërsa disa të tjerë ata i vranë.

71. Ata menduan se nuk do të kenë asnjë Fitneh (sprovë ose ndëshkim), kështu që ata u bënë të verbër e të shurdhër (nga Rruga e Drejtë). Pas kësaj Allahu iu kthye atyre (me Faljen e Tij), megjithatë përsëri shumë prej tyre u bënë të verbër e të shurdhër. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ata bëjnë.

72. Sigurisht që mohuan ata të cilët thanë: “Allahu është Mesihu (Isai), biri i Merjemes.” Ndërsa vetë Mesihu (Isai) u tha: “O Bijtë e Israilit! Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj. Nuk ka dyshim se kushdo që i vë shok në adhurim Allahut, atëherë Allahu e ka bërë haram (të ndaluar) Xhennetin për të dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri. Dhe për Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit e mizorët) nuk do të ketë asnjë ndihmues.”

73. Vërtet që mohuan edhe ata të cilët thanë: “Allahu është i treti në treshen (në Trinitetin).” Por nuk ka Ilah (Zot, të adhuruar, që ka të drejtë të adhurohet) veç Një Ilah (Një Zot i Vetëm, Allahu) e i Vetëm. Dhe në qoftë se ata nuk ndalen nga ato që thonë, padyshim se për ata nga mesi i tyre që nuk besojnë, do të ketë dënim të dhimbshëm.

74. A nuk do t’i pendohen Allahut dhe të kërkojnë Faljen prej Tij? Pasi Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

75. Dhe Mesihu, biri i Merjemes, nuk ishte veçse i Dërguar si shumë të Dërguar të tjerë që patën kaluar para tij. Nëna e tij (Merjemja) ishte e drejtë, e besueshme dhe që të dy ushqeheshin (si çdo njeri tjetër, ndërsa Allahu as ha dhe as pi dhe nuk ka nevojë për asgjë). Shiko se si ua bëjmë të qarta Ajetet Tona atyre, megjithatë shikoji se si gënjehen (dhe largohen nga e vërteta).

76. Thuaju: “Si adhuroni veç Allahut diçka që nuk ka aspak fuqi as t’ju dëmtojë e as t’ju sjellë dobi? Ndërsa është Allahu Ai i Cili është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”

77. Thuaju: “O ithtarë të Librave të Parë! Mos i kaloni kufinjtë në fenë tuaj (duke besuar diçka) jashtë të vërtetës, dhe mos ndiqni dëshirat e kota të njerëzve që e humbën rrugën kohë më parë dhe që bënë të humbin edhe shumë të tjerë dhe që e humbën krejt vetveten nga Rruga e Drejtë.”

78. Ata nga Bijtë e Israilit të cilët nuk besuan, u mallkuan nga goja e Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Kjo ngaqë ata nuk u bindën (ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij) dhe gjithnjë i tejkalonin të gjithë kufinjtë.

79. Ata asnjëherë nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga Munkeri (e keqja, mosbesimi, besimi i rremë) që ata gjithnjë vepronin. E poshtër vërtet ishte ajo që ata gjithnjë vepronin.

80. I vëreni shumë prej tyre që i zënë për Eulija (miq, shokë e mbrojtës) mosbesimtarët. Vërtet e ligë është ajo që i përgatitën vetit dhe për këtë arsye mbi ta ka rënë Zemërimi i Allahut dhe në ndëshkim ata do të mbeten gjithnjë.

81. Dhe po të kishin besuar Allahun dhe Pejgamberin (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe çfarë i është shpallur atij, ata kurrë nuk do t’i kishin ata (mosbesimtarët) për miq e shokë, por shumë prej tyre janë Fasikunë (të panënshtruar e të pabindur ndaj Allahut).

82. Vërtet që do të shihni se armiqtë më të mëdhenj të besimtarëve (muslimanë) janë jehuditë dhe Mushrikët (idhujtarët, politeistët, mohuesit e Njësisë së Allahut) dhe do të gjeni se më të afërtit dhe që i duan besimtarët (muslimanët) janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë,” pasi nga mesi i tyre ka edhe priftërinj e murgjër të cilët nuk janë kryelartë e mospërfillës.

Pjesa 7

83. Dhe kur ata (të krishterët) e dëgjojnë atë (Kur’anin) që i është zbritur të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), i sheh sytë e tyre të mbushur me lot për të vërtetën që dëgjojnë. Ata thonë: “Zoti ynë! Ne besojmë. Na shëno ne me dëshmuesit (ndër muslimanë).

84. Dhe përse të mos besojmë në Allahun dhe në të vërtetën që na ka ardhur (Islamin)? Do të donim që Zoti ynë të na pranojë (në Xhennet) bashkë me njerëzit e drejtë.”

85. Për atë që ata thanë, Allahu i shpërbleu me Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë. Ky është shpërblimi për njerëzit bamirës.

86. Për ata që nuk besuan dhe përgënjeshtruan Ajetet Tona, ata do të jenë banuesit e Zjarrit të Xhehenemit.

87. O ju që keni besuar! Mos i bëni të paligjshme Tajjibatet (të mirat nga ushqimet, njerëzit, punët e tyre, besimin e gjithçka tjetër) të cilat Allahu i ka bërë të ligjshme për ju dhe mos i kaloni kufijtë, se me të vërtetë Allahu nuk i do thyesit e ligjeve (ata që kalojnë kufijtë e vendosur nga Allahu).

88. Dhe hani nga ato gjëra me të cilat Allahu ju ka furnizuar të ligjshme dhe të mira dhe kini frikë Allahun të Cilin ju e besoni.

89. Allahu nuk do t’ju ndëshkojë ju për ato gjëra të paqëllimshme në betimet tuaja, por Ai do t’ju ndëshkojë për betimet me qëllim dhe për të shlyer një betim (të qëllimshëm) ushqeni dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjet tuaja, ose i vishni ata, ose lironi një rob. Por kushdo që nuk ka mundësi t’i bëjë këto, atëherë ai duhet të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për betimet e bëra dhe ruani betë tuaja (mos u betoni shumë). Kështu Allahu ju sqaron Ajetet e Tij që të mund të bëheni mirënjohës e falënderues.

90. O ju që keni besuar! Të gjitha pijet alkoolike dehëse e maramendëse, kumari (bixhozi), Ansabet (altarët ku flijohen kurbane për idhuj e tjer), Azlamet (hedhja e shortit ose kërkimi i fatit me shigjeta) janë të neveritura e punë prej shejtani, kështu që hiqni dorë prej gjithë atyre (rreptësisht dhe nga gjithë punët e neveritura) që të mund të jeni të fituar.

91. Shejtani do vetëm që të nxisë armiqësi e urrejtje mes jush me anë të pijeve dehëse (alkoolike e të tjera marramendëse) dhe kumarit (bixhozit), t’ju ndalojë ju nga të kujtuarit e Allahut dhe nga falja (Es-Salat). Pra, a po i jepni fund?

92. Dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe kini kujdes e kini frikë Allahun. Pas kësaj, nëse ju ktheheni prapë, atëherë ta dini se detyra e të Dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë (i Mesazhit).

93. Për ata që besojnë dhe punojnë drejtësi e mirësi, nuk përbën gjynah për atë që kanë ngrënë (në të kaluarën), në qoftë se ata e kanë frikë Allahun (duke u shmangur këtej e tutje prej ndalimeve të Tij) dhe nëse besojnë dhe punojnë drejtësi e mirësi dhe përsëri kanë frikë Allahun dhe besojnë dhe përsëri më tej e kanë frikë Allahun dhe punojnë mirësi me Ihsan (me përkushtim e në mënyrë të përkryer). Dhe Allahu i do Muhsininët (ata që bëjnë mirë në Rrugën e Allahut).

94. O ju që keni besuar! Sigurisht që Allahu do t’ju sprovojë me diçka nga gjahu që e arrijnë duart ose shigjetat tuaja, me qëllim që Allahu të mund t’ju provojë se kush e ka frikë Atë pa e parë. Pastaj kushdo që i kalon lufijtë pas kësaj, për të do të ketë dënim të dhimbshëm.

95. O ju që keni besuar! Mos gjuani (gjah) kur jeni në Ihram për Haxh ose Umre dhe kushdo që e vret atë me qëllim, dënimi është një kurban i një kafshe të ngrënshme (dele, dhi, lopë etj) të sjellur në Kabë, e barazvlefshme me atë që ai ka vrarë, e gjykuar kjo nga dy burra të drejtë nga mesi juaj; ose për shlyerje të gjynahit ai duhet të ushqejë njerëz të varfër, ose sa i takon kjo në agjërim, që të ndjejë peshën e ndëshkimit të veprës së tij. Allahu ka falur të kaluarën, por kushdo që e bën atë përsëri, Allahu do të marrë shpagim prej tij. Dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, plotësisht i Zoti për të marrë Shpagim.

96. E lejuar për ju është gjuetia (e kafshëve) ujore dhe përdorimi i tyre si ushqim për veten tuaj dhe për ata që udhëtojnë, por e ndaluar është gjurtia (e kafshëve) në tokë për sa kohë që jeni në gjendje të Ihramit. Dhe kini frikë Allahun tek i Cili ju do të tuboheni përsëri.

97. Allahu e ka bërë Kabën, Shtëpinë e Shenjtë, vend sigurie dhe përfitimi (si vizita për Haxh ose Umre) për njerëzimin. Po kështu i ka bërë edhe Muajt e Shenjtë, kafshët e caktuara për kurban dhe shenjat dalluese të tyre (me një kurorë që u vihet kafshëve dhe njerëzve që i shoqërojnë ato kafshë), me qëllim që ta dini se Allahu ka Dijeni të plotë për gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë dhe se Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.

98. Dijeni se Allahu është i Ashpër në dënim dhe se Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

99. Detyra e të Dërguarit është vetëm të kumtojë (Mesazhin). Dhe Allahu di gjithçka që ju shfaqni dhe gjithçka që ju fshehni.

100. Thuaj: “Nuk janë njësoj Al-Khabithi (çdo gjë e keqe, e neveritshme për njerëzit) dhe Al-Tajib (çdo gjë e mirë dhe e pëlqyer nga njerëzit), megjithëse bollëku i së keqes mund të të mahnit.” Kështu pra, kini frikë Allahun, o njerëz me mendje të shëndoshë, me qëllim që të mund të jeni të fituar.

101. O ju që keni besuar! Mos pyetni për gjërat që, nëse ju janë dhënë të qarta, mund t’ju sjellin shqetësime. Por në qoftë se pyesni për to në kohën kur vazhdon shpallja e Kur’anit, ato do t’ju bëhen të qarta. Allahu jua ka falur atë; e Allahu është gjithnjë Falës i Madh, tepër Durimtar.

102. Një popull që ishte para jush bëri të tilla pyetje dhe për këtë shkak ata u bënë mosbesimtarë.

103. Nuk i ka themeluar Allahu (besimet pagane në bestytni etj) si Behirah - ose Sa’iba - ose Vasila - ose Hami. Por ata që nuk besojnë, shpifin gënjeshtër kundër Allahut dhe shumica e tyre nuk kanë mend (nuk kuptojnë).

104. Dhe kur u thuhet atyre: “Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek (çka thotë) i Dërguari,” ata thonë: “Neve na mjafton ajo që gjetëm e që ndiqnin baballarët tanë,” megjithëse baballarët e tyre nuk kishin asnjë dije dhe asnjë udhëheqje.

105. O ju që keni besuar! Kujdesuni për veten tuaj. Në qoftë se ndiqni udhëzimin e drejtë, në qoftë se përqafoni të drejtën (Islamin me urdhërat e detyrimet e tij), në qoftë se ndaloheni prej të keqes (mohimit, mosbesimit, besimit në shumë zota e tjer dhe ndalimet tjera të Islamit), atëherë asnjë e keqe nuk do t’ju vijë juve nga ata që janë në rrugë të gabuar e në humbje. Kthimi juaj i të gjithëve është tek Allahu, pastaj Ai do t’ju njoftojë ju me gjithçka që ju keni bërë.

106. O ju që keni besuar! Kur i afrohet vdekja kujtdo prej jush dhe bëni testament, atëherë merrni dëshminë e dy burrave të drejtë nga të afërmit tuaj ose dy të jashtëm, në qoftë se udhëtoni në tokë dhe ju bie fatkeqësisht çasti i vdekjes. I ndalni ata të dy pas kryerjes së faljes, e në qoftë se jeni në dyshim për besnikërinë e dëshmisë së tyre, atëherë le të dëshmojnë të dy në Emër të Allahut (duke thënë): “Ne nuk dëshirojmë nga kjo për asnjë përfitim të kësaj bote edhe sikur trashëguesi të jetë i afërmi i ynë. Ne nuk do të fshehim Dëshminë e Allahut, pasi atëherë vërtet do të ishim prej atyre që bëjnë gjynahe.”

107. Nëse merret vesh se këta të dy nuk kanë qenë të drejtë, atëherë në vend të tyre le të dalin dy të tjerë nga të afërmit që u takon e drejta e trashëgimisë. Le të betohen ata të dy për Allahun duke thënë: “Ne pohojmë se dëshmia jonë është më e vërtetë se dëshmia e atyre të dyve dhe se ne nuk e kemi cënuar aspak të vërtetën, sepse atëherë do të ishim prej keqbërësve.”

108. Ata duhet ta bëjnë atë sa më bindëse, që dëshmia e tyre të jetë sa më e vërtetë (e kështu të pranohet), ose përndryshe ata mund të kenë frikë se mund të pranohen dëshmi tjera pas dëshmisë së tyre. Dhe kini frikë Allahun dhe dëgjoni (dhe bindjuni Atij). Allahu nuk e udhëzon popullin Fasikun (të panënshtruar e të pabindur ndaj Allahut).

109. Ditën kur Allahu do t’i mbledhë të Dërguarit e Tij së bashku dhe u thotë atyre: “Cila ishte përgjigja që morët (nga njerëzit kur u dhatë mësim atyre)?” Ata (Pejgamberët) do të përgjigjen: “Ne nuk dimë asgjë. Vërtet Vetëm Ti je i Gjithëdituri për çdo gjë të Gajbit (të panjohurës, të fshehtës, të padukshmes).”

110. Përkujto kur Allahu do t’i thotë (Ditën e Llogarisë): “O Isa, biri i Merjemes! Kujto Mirësinë Time mbi ty dhe mbi nënën tënde kur të mbështeta ty me Ruhul-Kudusin (Melekun Xhibril) dhe kështu ti u fole njerëzve që në djep dhe në burrëri; dhe kur Unë të mësova ty shkrimin, Hikmetin (Urtësinë), Teruatin dhe Inxhilin; dhe kur ti bëre nga balta një formë zogu me Lejen dhe Vullnetin Tim, pastaj ti i fryve dhe ai u bë zog me Lejen dhe Vullnetin Tim; shërove edhe të verbërit e lindur dhe lebrozët me Lejen dhe Vullnetin Tim; edhe kur ti ngjalle të vdekurin me Lejen dhe Vullnetin Tim; edhe kur Unë i ndalova Beni Israilët prej teje (kur ata vendosën që të të vrasin ty) që prej ardhjes tënde në mesin e tyre me prova të qarta dhe mosbesimtarët nga mesi i tyre thanë: “Kjo nuk është tjetër, vetëm se magji e kulluar.”

111. Dhe kur Unë u futa në zemër nxënësve (dishepujve të Isait) që të më besojnë Mua dhe të Dërguarin Tim, ata thanë: “Ne besojmë dhe dëshmojmë se jemi Muslimanë.”

112. (Kujto) kur nxënësit thanë: “O Isa, biri i Merjemes! A mundet Zoti yt të na zbresë një sofër (të shtruar) nga qielli?” Isai u tha: “Kini frikë Allahun nëse jeni me të vërtetë besimtarë.”

113. Ata thanë: “Ne duam që të hamë prej saj dhe të jemi më të fortë në Besim dhe ta dimë që ti me të vërtetë na ke njohur me të vërtetën, dhe që vetë ne të jemi dëshmuesit e saj.”

114. Isai, biri i Merjemes, tha: “O Allah, Zoti ynë! Na dërgo neve nga qielli një sofër të shtruar që të ketë në të për të parin e për të fundit një bollëk si në gosti feste dhe si argument prej Teje (shenjë bindëse që me të vërtetë kjo sofër e shtruar është prej Allahut). Furnizona ne sepse Ti je më i Miri Furnizues (Dhurues i Rizkut).”

115. Allahu tha: “Do t’ua zbres atë juve, por në qoftë se ndonjë prej jush pas kësaj mohon (e nuk beson), atëherë Unë do ta ndëshkoj atë me vuajtje të tilla sa Unë nuk kam lëshuar mbi ndonjë krijesë tjetër në gjithë Alemin (gjithçka që ekziston nga njerëzit dhe xhindet).”

116. Kujto edhe kur Allahu do të thotë (në Ditën e Ringjalljes): “O Isa, biri i Merjemes! A mos u the ti njerëzve, ‘Më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota përkrah Allahut’?” Ai (Isai) do të thotë: “Lavdi të qoftë Ty! Kurrë nuk më shkonte mua të thosha një gjë të tillë, çfarë unë nuk kisha aspak të drejtë ta zija me gojë. Sikur ta kisha thënë një gjë të tillë, Ti padyshim që do ta dije atë. Ti e di se ç’ka thellë në brendësinë time edhe pse unë nuk di asgjë se ç’ke Ti në Veten Tënde. Padyshim që Ti dhe vetëm Ti je i Gjithëdituri për Gajbin (për gjithçka të panjohur, për të gjitha të fshehtat).

117. Kurrë nuk u kam thënë ndonjë gjë përveç çfarë Ti më urdhërove të them: ‘Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj’ dhe unë isha dëshmitar për ata kur unë jetova dhe u mora me ta, por kur Ti më ngrite mua lart, Ti ishe Gjithëvëzhgues mbi ta dhe Ti je Gjithëdëshmues për çdo gjë.(Ky është qortim i madh dhe një paralajmërim i ashpër për gjithë të krishterët kudo qofshin e të çfarëdo lloji qofshin).

118. Në qoftë se Ti i ndëshkon ata, ata janë robët e Tu, dhe nëse Ti i fal, vërtet që Ti, Vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”

119. Allahu do të thotë: “Kjo është një Ditë në të cilën të vërtetët do të përfitojnë nga e vërteta e tyre: Për ta janë Kopshtet e Begatë të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj - aty do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është ngadhënjimi madhështor i lumturisë (Xhenneti i Lartë i Pasosur).”

120. Allahut i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’ka në to dhe Ai është Mbizotërues përmbi gjithçka, i Zoti për të bërë çdo gjë.

Sure 6: En Aam (Bagëtitë)

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut i Cili krijoi qiejt dhe tokën, solli errësirën dhe dritën, megjithatë ata që nuk besojnë mbajnë të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.

2. Është Ai i Cili ju ka krijuar ju nga balta dhe pastaj Ai ka përcaktuar për ju një kohë të fiksuar (për të vdekur). Dhe me Të është edhe një kohë tjetër e përcaktuar (për ju për t’u ringjallur), megjithatë ju dyshoni (në Ringjallje).

3. Dhe Ai është Allahu (që adhurohet) në qiej dhe në tokë. Ai di çfarë ju fshehni dhe çfarë ju shprehni dhe Ai di çfarë ju fitoni (për këtë botë dhe për botën tjetër).

4. Dhe asnjëherë nuk u ka ardhur atyre një Ajet (shenjë) nga Ajetet (shenjat) e Zotit të tyre, e ata të mos janë larguar prej tij.

5. Vërtetë që ata e mohuan të vërtetën (Kur’anin dhe Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kur ajo u erdhi atyre, por do t’u vijë lajmi për atë (dënimin) me të cilin ata talleshin.

6. A nuk kanë parë ata sa shumë breza popujsh para tyre Ne i kemi shkatërruar, të cilët Ne i kishim vendosuar në tokë e të atillë si ata Ne nuk ju kemi bërë as ju? Dhe Ne derdhëm mbi ta shi të mjaftueshëm nga qielli duke bërë që nën ta të rrjedhin lumenj, megjithatë Ne i shkatërruam ata për gjynahet e tyre dhe krijuam pas tyre breza popujsh të tjerë.

7. Edhe sikur të të kishim zbritur ty (O Muhammed) Libër të shkruar në letër, kështu që ata të mund ta preknin atë me dorën e tyre, mosbesuesit prapëseprapë do të kishin thënë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse magji e qartë!”

8. Pastaj thanë: “Përse nuk i është dërguar atij një melek?” Sikur Ne të kishim dërguar një melek, atëherë çështja do të ishte vendosur menjëherë dhe nuk do t’u lejohej aspak kohë pritje.

9. Edhe sikur ta kishim caktuar atë (Pejgamberin) prej melekëve, sigurisht që do ta kishim bërë atë një njeri dhe padyshim që Ne do t’u kishim shkaktuar atyre pështjellim për një çështje (për Mesazhin e Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të cilën ata tashmë vetë e kanë mveshur me mosmarrëveshje e kundërshtime.

10. Dhe vërtet shumë të Dërguar janë përqeshur para teje (O Muhammed), por tallësit e tyre u mbuluan vetë pikërisht nga ajo gjë me të cilën ata talleshin.

11. Thuaj (O Muhammed): “Udhëtoni në tokë dhe shihni se cili ishte fundi i atyre që mohuan të vërtetën.”

12. Thuaj: “Kujt i përket gjithë ç’është në qiej dhe në tokë?” Thuaj: “Allahut. Ai shkroi për Veten e Tij Mëshirën. Sigurisht që Ai do t’ju mbledhë të gjithë ju së bashku në Ditën e Ringjalljes, për të cilën nuk ka pikë dyshimi. Ata që shkatërrojnë veten e tyre, nuk do të besojnë (Allahun Një e të Vetëm).

13. Dhe të Tij janë gjithçka që pushon (ekziston) natën dhe ditën dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”

14. Thuaj: “A mos vallë do të zgjedh për Vali (mbrojtës e të adhuruar) tjetërkënd pos Allahut, Krijuesin e qiejve dhe të tokës? Dhe Ai është i Cili ushqen e që Vetë nuk ushqehet.” Thuaj: “Vërtet unë jam urdhëruar të jam i pari i atyre që ia nënshtrojnë veten e tyre Allahut si muslimanë.” Dhe mos u bëj ti (O Muhammed) prej Mushrikinëve (mohuesve të Njësisë së Allahut, që i vënë shok Allahut). (Tefsir Al-Kurtubi).

15. Thuaj: “Kam frikë mundimet e Ditës së Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim.”

16. Kush i shmanget atë Ditë (një dënimi të tillë), sigurisht që (Allahu) ka qenë i Mëshirshëm ndaj tij dhe kjo do të ishte një fitore e lumturisë së qartë.

17. Dhe nëse Allahu ju prek me ndonjë të keqe, askush nuk mund ta largojë atë pos Atij dhe nëse Ai ju prek ju me ndonjë të mirë, atëherë Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

18. Dhe Ai është i Papërballueshmi, më i Larti përmbi robët e Tij dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohuri për çdo gjë.

19. Thuaj: “Kush është më i Madhi në Dëshmi?” Thuaj: “Allahu është (më i Madhi) Dëshmues mes meje dhe mes jush; ky Kur’an më është zbritur mua, që unë me anë të tij t’ju këshilloj ju dhe ata që ai (Kur’ani) do të arrijë. A mundeni vërtet që të mbani barrën e dëshmisë se përveç Allahut ka edhe (zota, perëndi) të adhuruar të tjerë?” Thuaju: “Unë nuk e bëj dot një dëshmi të tillë!” Thuaj: “Por në të vërtetë Ai (Allahu) është i Vetmi Zot, i Adhuruari i Vetëm dhe vërtet që unë jam i pafajshëm për ato që ju i bashkoni Atij në adhurim.”

20. Atyre (jehudive dhe të krishterëve) të cilëve u kemi dhënë Librat e Parë (Teuratin dhe Inxhilin) e dallojnë dhe e njohin atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si të Dërguar të Allahut) siç njohin fëmijët e tyre. (Por) ata që e shkatërrojnë veten e tyre, nuk do të besojnë. (Tefsir At-Tabari).

21. Dhe kush bën padrejtësi më të madhe se ai i cili trillon gënjeshtër ndaj Allahut, apo mohon Ajetet e Tij (provat, shenjat, treguesit)? Vërtet që Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit, të padrejtët) kurrë nuk do të jenë të fituar.

22. Dhe Ditën kur Ne i tubojmë të gjithë ata së bashku, Ne do t’u themi atyre që Na bashkonin të tjerë në adhurim: “Ku i keni shokët të cilët ju gjithnjë i mbajtët (si të adhuruarit tuaj)?”

23. Në këtë kohë nuk do t’u lihet asnjë dredhi (për t’u shfajësuar ose si kundërdëshmi), por vetëm që të thonë: “Betohemi për Allahun (Zotin tonë, se nuk kemi qenë prej atyre që adhuronim të tjerë përveç (e përkrah) Allahut.”)

24. Shiko si gënjejnë kundër vetes së tyre! Por gënjeshtra e shpikur do të zhduket prej tyre.

25. Dhe prej atyre ka disa që duket sikur të dëgjojnë, por Ne kemi vënë mbulesë në zemrat e tyre, kështu që ata nuk kuptojnë dhe janë të shurdhuar. Edhe sikur ta shihnin çdo Ajet (shenjë, argument), ata nuk do të besonin as nga kjo, aq sa kur vijnë tek ti për të polemizuar e për të kundërshtuar, këta mosbesimtarë thonë: “Këto s’janë veçse përralla të të parëve tanë.”

26. Ata ndalojnë edhe të tjerët prej tij dhe vetë i rrinë larg atij dhe duke vepruar kështu, ata nuk shkatërrojnë veçse vetveten, dhe (prapëseprapë) nuk e ndjejnë.

27. Vetëm sikur t’i shihje kur janë të ndalur pranë Zjarrit! (Atje) do të thonë: “Sikur të dërgoheshim përsëri (në dynja)! Atëherë nuk do t’i mohonim më Ajetet (provat, shenjat, treguesit, shpalljet) e Zotit tonë dhe do të ishim prej besimtarëve!”

28. Por tashmë është bërë e qartë për ta çfarë ata kishin fshehur më parë. Edhe sikur të ktheheshin përsëri (në dynja), padyshim që do t’u ktheheshin atyre gjërave prej të cilave ata qenë ndaluar njëherë. Dhe me të vërtetë që ata janë gënjeshtarë.

29. Dhe thonin: “Nuk ka më jetë tjetër përveç kësaj që jemi në këtë botë dhe se kurrë nuk do të ringjallemi më.”

30. Vetëm sikur t’i shihje kur të sillen se si rrinë para Zotit të tyre! Ai do t’u thotë: “A nuk është kjo (Ringjallja) e vërtetë?” Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë!” Pastaj Ai do t’u thotë: “Kështu pra, shijoni dënimin, sepse kurrë nuk besuat.”

31. Vërtet që janë të humbur ata të cilët e mohuan takimin me Allahun, derisa papritur, atyre u vjen Ora (shenjat e vdekjes) dhe thonë: “Mjerë ne që nuk ia vumë mendjen kësaj pune,” ndërsa do të mbajnë mbi shpinë barrën e tyre; dhe vërtet e keqe është barra që ata do të mbajnë!

32. Dhe jeta e kësaj bote nuk është asgjë tjetër veçse lojë dhe dëfrim, por më e mira është Shtëpia në Botën e Pastajme (në Xhennet) për El-Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam). A nuk kuptoni pra?

33. Vërtet Ne e dimë pikëllimin që të shkaktojnë ty fjalët e tyre: nuk je ti ai të cilin ata mohojnë, por janë Ajetet e Allahut (Kur’ani) që Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit) mohojnë.

34. Vërtet që shumë të Dërguar qenë mohuar para teje (O Muhammed), por me ngulm ata e duruan mohimin, bile edhe u lënduan, derisa ata i arriti Ndihma Jonë. Dhe askush nuk mund të ndryshojë Fjalët (Vendimet) e Allahut. Sigurisht që ty të kanë arritur lajmet për të Dërguarit e tjerë.

35. Në qoftë se neveria e tyre është e rëndë për ty (dhe nuk duron dot të jesh i qetë nga mundimi i tyre), atëherë në qoftë se je në gjendje, gjeje një tunel në tokë apo një shkallë për në qiell që t’ju sillje atyre një shenjë (dhe ti nuk e bën dot atë, kështu pra, ji i duruar). Dhe po të kishte dashur Allahu, Ai do të mund t’i kishte mbledhur të gjithë bashkë në udhëzim të vërtetë, kështu që mos u bë prej Xhahilunëve (që lëkunden nga padija dhe padurimi).

36. Vetëm ata që dëgjojnë (Mesazhin e Pejgamberit Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të pranojnë (e do të përfitojnë), por sa për të vdekurit (mosbesimtarët), Allahu do t’i ngre ata dhe tek Ai do të kthehen (për të marrë shpërblimin e tyre).

37. Dhe ata thanë: “Përse nuk i dërgohet një shenjë atij prej Zotit të tij?” Thuaj: “Allahu është padyshim i Zoti të dërgojë shenjë, por shumica e tyre nuk e dinë.”

38. Nuk ka asnjë krijesë në tokë, asnjë shpend që fluturon me krahët e tij, që të mos jenë në bashkësi sikurse ju. Ne nuk kemi lënë pas dore asgjë në Libër, pastaj te Zoti i tyre ata të gjithë do të mblidhen.

39. Ata që mohojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet), janë shurdhmemecë të mbetur në errësirë. Allahu humb atë që Ai do dhe Ai drejton në Rrugë të Drejtë atë që Ai do.

40. Thuaju (O Muhammed): “Më thoni, sikur të binte mbi ju Dënimi i Allahut apo t’ju vijë Ora (së cilës i trembeni), a do t’i thërrisnit tjetërkujt përveç Allahut? (Përgjigjuni) nëse jeni të drejtë!”

41. Patjetër, ju vetëm Atij do t’i thërrisnit dhe në qoftë se Ai do, Ai mund t’jua largojë atë fatkeqësi për të cilën ju i thërrisni Atij dhe atë kohë ju harroni çfarëdo shoku që i keni bashkuar Atij në adhurim.

42. Vërtet që Ne çuam (të Dërguar) në shumë popuj para teje (O Muhammed) dhe Ne i kapluam ata me varfëri të madhe (e humbje pasurie) dhe me humbje të shëndetit e fatkeqësi që të mund të besonin me përulje.

43. Kur u binin atyre vuajtje nga Ne, pse atëherë ata nuk besuan me nënshtrim? Por zemrat e tyre u forcuan dhe shejtani ua bëri atyre t’u duken të drejta veprat që punonin.

44. Kështu, kur ata harruan (këshillin, ndëshkimin) atë me çka u këshilluan, Ne i morëm ata në ndëshkim dhe ç’të shohësh! Ata u zhytën në shkatërrim, në dështim e pikëllim.

45. Kështu pra popullit keqbërës iu pre edhe rrënja e fundit. Dhe të gjitha lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut, Zotit të Aleminit (të njerëzve, të xhindeve, të gjithçkaje që ekziston).

46. Thuaju (mosbesimtarëve): “Më thoni mua, sikur t’jua merrte Allahu dëgjimin, shikimin dhe t’jua vuloste zemrat, kush është tjetër zot veç Allahut që mund t’jua rikthejë ato?” Shihni me sa shumë mënyra jua shpjegojmë Ne Ajetet (provat, treguesit, shpalljet Tona), megjithatë ata përsëri largohen (nga e drejta dhe e vërteta).

47. Thuaju: “Më thoni, në qoftë se ndëshkimi i Allahut ju vjen papritur ose haptas, a do të shkatërrohej tjetërkush përveç Dhalimunëve (mosbesimtarëve e keqbërësve)?”

48. Dhe Ne nuk i kemi sjellë të Dërguarit për tjetër, por vetëm si përgëzues dhe këshillues. Kështu pra, për këdo që beson dhe punon drejtësi e mirësi, nuk do të ketë as frikë as pikëllim

49. Për ata që nuk i pranojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet), mbi ta do të bjerë dënimi për shkak të mosbesimit.

50. Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk ju them se unë kam Thesaret e Allahut, as edhe që e di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën); nuk ju them as edhe se unë jam melek. Unë vetëm ndjek çfarë më shpallet mua me frymëzim hyjnor.” Thuaju: “A janë njësoj si i verbëri dhe ai që sheh? Atëherë a nuk do të kuptoni pra?”

51. Ti tërhiqu vërejtjen me këtë (Kur’an) atyre që kanë frikë se do të mblidhen para Zotit të tyre, kur nuk do të ketë as mbrojtës, as ndërmjetësues për ta përveç Atij (Allahut), me qëllim që ata ta kanë frikë Allahun dhe të plotësojnë detyrat ndaj Tij (duke u përmbajtur nga ndalesat e duke kryer detyrimet e urdhëruara nga Ai).

52. Dhe mos i kthe prapa ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje duke kërkuar Fytyrën e Tij (të Allahut). Ti nuk je aspak përgjegjës për ta në asgjë dhe ata nuk janë përgjegjës për ty në asgjë, që kështu ti t’i largosh e të bëhesh në këtë mënyrë prej të padrejtëve.

53. Kështu Ne i kemi provuar disa prej tyre me disa të tjerë, që të mund të thonë: “A këta (besimtarë të varfër) janë që Allahu i ndihmon dhe u sjell mirësi?” A mos vallë nuk i di më mirë Allahu ata që janë falënderues?

54. Kur ata të cilët besojnë në Ajetet Tona (shenjat, provat, shpalljet) vijnë tek ti, thuaju: “Selamun alejkum” - (paqja qoftë mbi ju); Allahu ka caktuar Mëshirën për Veten e Tij kështu që, nëse ndonjë prej jush gabon nga padija e pastaj pendohet duke punuar drejtësi e mirësi (me nënshtrim ndaj Allahut), atëherë vërtet pra që Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

55. Dhe kështu Ne i shpjegojmë Ajetet Tona (Shpalljet, Vargjet) me imtësi, me qëllim që të dalë në pah rruga e Muxhrimunëve (fajtorëve, keqbërësve, mosbesimtarëve).

56. Thuaj: “Unë jam i ndaluar të adhuroj ata të cilëve u luteni ju përveç Allahut.” Thuaj: “Unë nuk do të ndjek dëshirat tuaja boshe. Sikur ta bëja këtë, do të isha i humbur dhe nuk do të isha më prej të udhëzuarve drejt.”

57. Thuaj: “Unë jam me provë të qartë nga Zoti im (Besimi i Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), por ju mohoni. Nuk është në dorën time ai (dënimi) të cilin ju po e kërkoni me padurim (duke e përbuzur e duke e mohuar atë). Vendimi është vetëm për Allahun, Ai shpall të vërtetën dhe Ai është Gjykuesi më i Mirë.”

58. Thuaju: “Sikur ta kisha unë në dorë atë që ju po e kërkoni me padurim, çështja do të ishte vendosur menjëherë mes meje dhe mes jush, por Allahu i njeh më mirë Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit).”

59. Dhe vetëm me Të janë çelësat e Gajbit (gjithçka e fshehtë dhe e panjohur), askush nuk i di përveç Atij. Ai di gjithë ç’ka në tokë e në det; nuk ka asnjë gjeth që bie dhe Ai të mos ketë Dijeni për të; nuk ka asnjë grimcë në errësirën e tokës, asgjë të njomë ose të thatë, që të mos jetë shkruar në Shkrim të Qartë.

60. Është Ai që merr shpirtrat tuaj natën (kur jeni në gjumë) dhe që ka dije të plotë për gjithçka që keni bërë gjatë ditës, pastaj Ai ju zgjon përsëri (që kështu të vazhdoni) sa të plotësohet një kohë e përcaktuar (për jetën tuaj). Pastaj më në fund kthimi juaj është tek Ai. Atëherë Ai do t’ju bëjë të njohur juve për çdo gjë që keni bërë.

61. Ai është i Papërballueshmi, më i Larti (Gjithëvëzhgues) mbi robët e Tij edhe që dërgon roje (melekë që ruajnë dhe shkruajnë të gjitha punët e bëra) përmbi ju, derisa kur ndonjërit prej jush i afrohet vdekja, të Dërguarit Tanë (melekët e vdekjes) ia marrin shpirtin atij. Dhe ata kurrë nuk janë të pakujdesshëm ndaj detyrës së tyre.

62. Pastaj ata kthehen tek Allahu, Maula (Zoti i tyre i Vërtetë). Sigurisht që i Tij është Gjykimi dhe Ai është më i Shpejti në llogari.

63. Thuaju: “Kush ju shpëton juve nga errësira e tokës dhe e detit, kur ju (nga frika) i drejtoheni Atij me përulje dhe në fshehtësi (në veten tuaj) thoni: ‘Sikur të na shpëtonte Ai (Allahu) nga ky rrezik, ne do të ishim me të vërtetë falënderues.’”

64. Thuaj: “Allahu ju shpëton juve prej saj dhe prej gjithë fatkeqësive të tjera, megjithatë ju prapë adhuroni të tjerë në vend të Allahut.”

65. Thuaj: “Ai ka Fuqi të dërgojë ndëshkim mbi ju nga lart ose nën këmbët tuaja, ose t’ju mbulojë me ngatërresa në luftë grupesh (partish dhe t’ju bëjë që të shijoni urrejtje e dhunë nga njëri-tjetri.” Vini re me sa mënyra Ne ua bëjmë të qarta Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet) që ata të mund të kuptojnë.

66. Por populli yt (O Muhammed) e ka mohuar atë (Kur’anin) edhe pse ai është e vërteta. Thuaju: “Unë nuk jam përgjegjës për punët tuaja.”

67. Për çdo Mesazh ka një të vërtetë të përcaktuar dhe shpejt do ta merrni vesh këtë.

68. Dhe kur ti i sheh ata të cilët zihen në biseda boshe për Vargjet Tona të Kur’anit duke i përqeshur ato, rri larg prej tyre deri sa të kalojnë në një çështje tjetër. Ndërsa, po të të bëjë shejtani të harrosh, atëherë pasi të kujtohesh, mos rri më në shoqërinë e njerëzve Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).

69. Ata që janë të bindur e të nënshtruar ndaj Allahut dhe që i shmangen të keqes, nuk janë përgjegjës për ta (mosbesimtarët) në asnjë rast, por (detyra e tyre është) t’ua përkujtojnë atyre që të mund ta lënë (e të mos tallen me Kur’anin). (Kushti i këtij Ajeti është shfuqizuar më pas me zbritjen e 4:140).

70. Dhe lëri ata të cilët e marrin fenë e tyre lojë e dëfrim dhe që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote. Por përkujtoju atyre me anë të Kur’anit, që të mos bjerë kush në shkatërrim nga vet veprat e tij, kur të mos gjejë për veten e tij as ndihmës e as ndërmjetësues përveç Allahut dhe kur të mos i pranohet asgjë, edhe sikur të dhurojë gjithçka. Të tillë janë ata të cilët i janë dorëzuar shkatërrimit për shkak të asaj që ata vetë e kanë fituar. Si pije për ta do të jetë uji i vluar dhe një dënim i dhimbshëm, sepse ata gjithnjë mohuan e nuk besuan.

71. Thuaj: “A të lusim të tjerë përveç Allahut (zotat e paqenë) që nuk mund të na bëjnë neve as mirësi e as nuk mund të na dëmtojnë dhe të kthehemi mbrapa pasi Allahu na ka udhëzuar ne (në fenë e vërtetë)? - si puna e atij të cilin e kanë tërhequr shejtanët në rrugën e gabuar, që endet në botë si i hutuar, duke e thirrur shokët për tek e drejta: ‘Eja te ne...,’” Thuaj: “Vërtet që vetëm Drejtimi i Allahut është i vetmi drejtim dhe ne jemi urdhëruar t’ia nënshtrojmë veten Zotit të të gjitha botëve (si muslimanë);

72. Edhe të kryejmë faljet në mënyrë të përkryer, edhe të jemi të bindur ndaj Allahut e ta kemi frikë Atë, dhe është Ai tek i Cili ju do të grumbulloheni.”

73. Dhe është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën me vërtetësi (me rregull e ligje të përkryera) dhe Ditën (e Kijametit) Ai do të thotë: “Bëhu!” - dhe ai (Kijameti) do të jetë (i bërë). Fjala e Tij është e Vërteta dhe i Tij do të jetë Mbisundimi Ditën kur do t’i fryhet Surit (trumpetës). I Gjithëdituri i Gajbit (të fshehtës) dhe të shfaqurës dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohuri (për çdo gjë).

74. Dhe kujtoju kur Ibrahimi i tha babait të tij, Azerit: “A i merr idhujt për zota? Vërtet që unë po të shoh ty dhe popullin tënd në gabim që duket qartë.”

75. Kështu Ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, që ai të ishte prej atyre që kanë Besim të vendosur.

76. Kur e mbuloi nata me errësirën e saj, ai pa një yll. Ai tha: “Ky është Zoti im.” Por kur ylli perëndoi, ai tha: “Unë nuk i dua ata që perëndojnë.”

77. Kur pa hënën të ngrihej lartë, tha: “Kjo është Zoti im.” Por kur ajo perëndoi, ai tha: “Në qoftë se nuk më drejton Zoti im, unë do të jem me të vërtetë prej njerëzve të humbur.”

78. Kur pa të lind dielli e të ngrihej lart, tha: “Ky është Zoti im. Ky është më i madh.” Por kur ai perëndoi, tha: “O populli im! Unë jam vërtet i pafajshëm dhe i lirë prej atyre që ju i adhuroni përkrah apo në vend të Allahut.

79. Vërtet që unë i jam kthyer Atij si Hanif (me vërtetësi dhe i vendosur në Fenë e Tij të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), Atij i Cili ka krijuar qiejt e tokën dhe unë nuk jam prej Mushrikëve (që adhurojnë të tjerë përveç a përkrah Allahut).”

80. Populli i tij e kundërshtoi. Ai tha: “A më kundërshtoni mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar mua dhe unë nuk i kam aspak frikë ata që ju ia bashkoni Allahut në adhurim. (Asgjë nuk mund të më ndodhë mua), përveç se kur Zoti im dëshiron ndonjë gjë. Zoti im përfshin me Dijen e Tij çdo gjë. A nuk do të përkujtoni, pra?

81. E si t’u frikësohem atyre që ju i bashkoni në adhurim me Allahun (edhe pse ata nuk sjellin as dobi, as dëm), ndërsa ju nuk keni frikë aspak se i keni bashkuar Allahut në adhurim gjëra për të cilat Ai nuk ju ka zbritur juve asnjë mbështetje për t’u shfajësuar. Kësisoj pra, cila nga dy partitë ka më shumë të drejtë për të qenë në siguri? Vetëm sikur ta dinit.”

82. Janë mu ata që besojnë (në Njësinë e Allahut dhe nuk adhurojnë tjetër përveç Atij) dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me Dhulm (me të gabuarën), për të cilët ka siguri të plotë. Mu këta janë të udhëzuarit.

83. Dhe kjo ishte Prova Jonë që Ne ia dhamë Ibrahimit ndaj popullit të tij. Ne ngrisim lartë atë që Ne duam. Vërtet që Zoti yt është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur.

84. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, duke e udhëzuar secilin dhe para tij (Ibrahimit), Ne udhëzuam Nuhin dhe nga pasardhësit e tij Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musanë dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).

85. Edhe Zekerija, edhe Jahja, edhe Isai, edhe Ilijasi; secili prej tyre ishte prej të drejtëve.

86. Edhe Ismaili, Eljasa, Junusi dhe Luti: secilin prej tyre Ne e ngritëm lart përmbi Alemin (gjithë botën e njerëzve dhe të xhindeve).

87. Po kështu disa prej baballarëve të tyre dhe disa prej pasardhësve dhe vëllezërve të tyre, Ne i zgjodhëm dhe Ne i drejtuam në Rrugë të Drejtë.

88. Ky është Udhëzimi i Allahut me të cilin Ai udhëheq këdo që Ai dëshiron nga robët e Tij. Por sikur ata të kishin bashkuar të tjerë në adhurimin e Allahut, gjithçka që ata kanë punuar do të kishte qenë pa asnjë vlerë për ta.

89. Ata janë të cilëve Ne u dhamë Librin, Hukmin (kuptimin dhe zbatimin e ligjeve të Fesë) dhe Pejgamberinë. Por nëse këta (idhujtarët mekas) e mohojnë këtë, atëherë sigurisht që Ne ia kemi besuar atë (të besuarit në të) një populli që nuk janë mohues të tyre (shokëve të Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

90. Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre. Thuaj (O Muhammed): “Asnjë shpërblim nuk kërkoj nga ju për këtë (Mesazh). Ai është vetëm një libër kujtues për gjithë Alemin (për të gjithë njerëzit dhe xhindet).

91. Ata (jehuditë, të krishterët, idhujtarët etj) nuk e vlerësuan Allahun ashtu siç i takon Atij kur thanë: “Asgjë nuk i ka dërguar Allahu ndokujt (me shpallje hyjnore).” Thuaju (O Muhammed): “Kush atëherë e zbriti Librin që solli Musai, si dritë dhe udhërrëfyes për njerëz, të cilin ju (jehudi) e keni të ndarë në letra të veçanta duke paraqitur pak dhe duke fshehur shumë prej tyre? Ndërsa juve (besimtarëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) Ne ju mësuam (me anë të Kur’anit) atë të cilën as ju dhe as baballarët tuaj nuk e dinin.” Thuaj: “Allahu (e zbriti atë),” pastaj lëri të luajnë në bisedat e cikërrimat e tyre të kota. (Tefsir Al-Kurtubi).

92. Dhe ky (Kur’ani) është një Libër i bekuar të cilin Ne e kemi zbritur duke vërtetuar (Shpalljet Hyjnore) të cilat erdhën para tij, për të këshilluar Nënën e Qyteteve (Mekën) dhe të gjithë (botën) rreth saj. Dhe ata që besojnë në Jetën e Pastajme, besojnë në Kur’an dhe janë të vendosur në kryerjen e rregullt të faljeve.

93. Dhe kush është më i padrejtë se ai i cili shpif gënjeshtër ndaj Allahut ose thotë: “Unë kam marrë shpallje hyjnore,” ndërsa nuk është frymëzuar në ndonjë gjë, apo i cili thotë: “Do të shpall edhe unë njësoj siç ka shpallur edhe Allahu.” Dhe sikur t’i shihje Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit) kur janë duke dhënë shpirt, ndërsa melekët i shtrijnë duart e tyre duke u thënë: “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Këtë ditë ju do të shpërbleheni me mundimin poshtërues për shkak të asaj që thatë kundër Allahut, duke shpifur krejt tjetër nga e vërteta. Dhe ju gjithnjë mohuat Ajetet e Tij (provat, treguesit, shpalljet) me përbuzje e kryeneçësi!”

94. Dhe në të vërtetë ju erdhët te Ne të vetëm (pa pasuri, pa shokë e gjë tjetër), ashtu siç ju krijuam Ne për herë të parë. Ju latë pas gjithçka që Ne ju kishim dhuruar. Ne nuk po i shohim me ju ndërmjetësit tuaj të cilët ju i pohonit si shokë përkrah Allahut. Tash të gjitha lidhjet tuaja me ta janë prerë dhe gjithçka që ju e quanit tuajën gjithnjë, tash është shuar prej jush (dhe ju ka braktisur).

95. Vërtet që Allahu është Ai i Cili bëri që të çahet dhe të rritet fara e grurit dhe e frutave. Ai nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe është Ai i Cili nxjerr të vdekurën nga e gjalla. I tillë është Allahu. Si atëherë ju u mashtruat dhe u larguat nga e vërteta?

96. Dhe Ai është i Cili çan errësirën dhe sjell agimin. Ai e ka përcaktuar natën për pushim, kurse diellin dhe hënën për llogari. Ky është përcaktimi i të Gjithëfuqishmit, i të Gjithëditurit.

97. Është Ai që ka vendosur yjet për ju, që të mund të gjeni rrugën tuaj me ndihmën e tyre nëpër terr në tokë dhe në det. Ne vërtet që i kemi shpjeguar me imtësi Ajetet Tona (shenjat, treguesit, shpalljet) për njerëzit që dinë.

98. Është Ai i Cili ju ka krijuar ju prej një njeriu të vetëm (Ademit); dhe ju ka dhënë vend banimi (qëndrimi në mitër te nënat tuaja ose jetën në tokë) dhe një vend ruajtje (në kërbishte te baballarët tuaj ose në tokë në varret tuaj). Vërtet që Ne e kemi shpjeguar me imtësi Shpalljen Tonë (Kur’anin) për njerëzit që kuptojnë.

99. Është Ai i Cili dërgon shiun nga retë dhe po Ne, me të rrisim bimësi të të gjitha llojeve; prej tij Ne nxjerrim gjelbërim të gjallë prej të cilit Ne nxjerrim pastaj kallinjtë e ngjeshur të grurit. Po kështu, nga palmat e hurmave dhe nga lëkura dalin sythet me kokrra që varen poshtë e afër jush, edhe vreshtat, ullishtet dhe kopshtet me shegë - të gjitha bimë (të një bote) megjithatë të ndryshme (në lloje dhe në shije). Shihni frutat e tyre kur fillojnë t’i mbajnë e më pas të piqen. Vërtet që në këto gjëra ka shenja për njerëzit që besojnë.

100. Megjithatë ata bashkojnë në adhurim xhindet si shokë me Allahun, megjithëse Ai i ka krijuar ata (xhindet); po kështu ata i mveshin në mënyrë të paqenë dhe pa asnjë dije bij dhe bija Atij. I Madhëruar qoftë Ai! Dhe i Lartësuar mbi të gjithë ç’i mveshin Atij qoftë Ai!

101. Ai është Filluesi i qiejve dhe i tokës. Si mund të ketë Ai fëmijë kur Ai nuk pati bashkëshorte? Ai krijoi gjithçka dhe Ai është i Gjithëdituri përmbi çdo gjë.

102. I tillë është Allahu, Zoti yt! La i lahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar të merituar përveç Atij). Krijuesi i çdo sendi. Kështu pra, adhuroni Atë të Vetëm dhe Ai është Vekil (Kujdestar, Rregullues i të gjitha punëve) përmbi çdo gjë.

103. Asnjë ide, asnjë parashikim nuk mund ta kapë Atë (se si është etj) por Kapja e Tij është mbi çdo shikim. Ai është përmbi çdo parashikim. Dhe Ai është më i Mprehti, më i Buti, në Dijeni të plotë për çdo gjë.

104. Vërtet që ju kanë ardhur argumente nga Zoti juaj, kështu, kushdo që sheh, ai do t’i bëjë mirë vetes së tij dhe kushdo që e verbon veten, ai do ta bëjë këtë në dëm të vetes së tij, ndërsa unë (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk jam vëzhgues mbi ju.

105. Kësisoj pra, Ne i shpjegojmë në mënyra nga më të ndryshmet Vargjet aq sa mosbesimtarët mundet që të thonë: “Ju keni studiuar (Librat e Parë dhe e keni nxjerrë edhe këtë Kur’an prej tyre),” por edhe që Ne ta bëjmë çështjen të qartë për njerëzit që kanë dije.

106. Ndiq atë që të është shpallur e frymëzuar ty (O Muhammed) nga Zoti yt. La ilahe il-la Huve (Askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij, Allahut) dhe largohu, lëri mënjanë Mushrikët (idhujtarët, që nuk pranojnë Njësinë e Allahut).

107. Po të kishte dashur Allahu, ata nuk do të kishin zgjedhur të tjerë për adhurim përveç Allahut. Dhe Ne nuk të kemi bërë ty vëzhgues përmbi ta, as nuk të kemi vënë ty Vekil (mbikqyrës, rregullues) i punëve të tyre.

108. Dhe mos i fyej ata (idhujt) që mosbesimtarët i adhurojnë përveç Allahut, që të mos e fyejnë Allahun pa të drejtë e pa asnjë dije. Kështu Ne kemi bërë t’i duken të përkryera gjithsekujt punët e veta, pastaj te Zoti i tyre është kthimi i atyre dhe Ai pastaj do t’i njoftojë për gjithçka që ata kanë punuar.

109. Dhe ata bëjnë betimet më të forta në emër të Allahut, se sikur t’u vinte atyre ndonjë shenjë, ata padyshim që do të besonin në të. Thuaju: “Shenjat janë vetëm me Allahun dhe çfarë do t’ju bënte juve (muslimanë) të merrnit vesh se edhe sikur ajo (shenja) t’u vinte, ata nuk do të besojnë?”

110. Dhe Ne do t’i largojmë zemrat dhe sytë e tyre larg (Udhës së Drejtë), pasi ata nuk pranuan të besojnë në të herën e parë dhe (Ne) do t’i lëmë ata të enden verbërisht në cënimet e tyre (të Ligjeve të Allahut).

Pjesa 8

111. Edhe sikur Ne të kishim zbritur melekë tek ata, edhe sikur t’u kishin folur të vdekurit, edhe sikur Ne të kishim grumbulluar gjithçka mu përpara syve të tyre, ata nuk do të kishin besuar po të mos donte Allahu, por shumë prej tyre sillen të paditur (se Besimi është dhuratë nga Allahu).

112. Dhe kësisoj Ne kemi caktuar për çdo Pejgamber armiq - shejtanët nga njerëzit dhe xhindet duke frymëzuar njëri-tjetrin me fjalë të stolisura për mashtrim. Po të kishte dashur Zoti yt, ata nuk do ta kishin bërë atë, kështu që lëri ata në të tyren me trillimet e tyre. (Tefsir Al-Kurtubi).

113. (Kjo me qëllim) që zemrat e atyre të cilët nuk besojnë në Botën e Përtejme, të mud të tërhiqen te një mashtrim i tillë dhe që të mund të mbeten të kënaqur me të e më tej të mund të bëjnë çfarë po vazhdojnë (të veprojnë të gjitha llojet e gjynaheve e të të këqijave).

114. (Thuaj, O Muhammed): “A të kërkoj gjykues tjetër përveç Allahut, ndërkohë që është Ai i Cili ju ka zbritur Librin (Kur’anin), të shtjelluar në imtësi?” Ata, të cilëve Ne u dhamë Librat e Parë, e dinë se ai është shpallur nga Zoti yt me të vërtetën, kështu që ti mos ji prej atyre që dyshojnë.

115. Dhe Fjala e Zotit tënd është plotësuar me vërtetësi dhe drejtësi. Askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Tij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

116. Dhe në qoftë se ti i bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, ata do të të gabojnë tepër larg Udhës së Allahut. Ata nuk ndjekin asgjë, por vetëm hamendjet e tyre dhe nuk bëjnë gjë tjetër përveç se gënjejnë.

117. Vërtet që është Zoti yt Ai i Cili di më mirë kush është larguar nga Udha e Tij dhe po Ai i njeh më mirë ata më të drejtuarit (në Udhën e Tij).

118. Hani pra, nga ai mish mbi të cilin është përmendur Emri i Allahut (kur është therur kafsha), nëse jeni besimtarë në Ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet).

119. Dhe pse të mos hani nga ai (mish) mbi të cilin është përmendur Emri i Allahut, në një kohë kur Ai ua ka shpjeguar juve me imtësi se çfarë ju ndalohet përveçse në rastet e shtrëngesës së detyruar (kur nuk keni tjetër gjë)? Dhe vërtet shumë (njerëz) e shtyjnë në gabim popullin me dëshirat e tyre me dije e pa dije. Padyshim që Zoti yt i di më mirë ata që i kalojnë kufijtë.

120. (O Njerëz!) Rujuni nga të gjitha gjynahet, të hapura e të fshehta qofshin. Vërtet ata që bëjnë gjynahe do të marrin shpërblim të plotë për atë çfarë ata kanë vepruar.

121. Mos hani (o besimtarë) nga ai (mish) mbi të cilin nuk është përmendur Emri i Allahut (kur është therrur kafsha), sepse sigurisht që është Fisk (gjynah dhe mosbindje ndaj Allahut). Dhe vërtet që shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre nga mesi i njerëzve që t’ju kundërshtojnë juve, dhe po t’u bindeni atyre (duke i bërë gjërat e paligjshme - të ligjshme), atëherë padyshim që do të ishi Mushrikë (mosbesimtarë, që besojnë në shumë zota).

122. A mos vallë është njësoj si ai i cili ishte i vdekur (pa besim nga padija dhe mosbesimi) dhe që Ne i dhamë atij jetë (me dije dhe Besim) duke i vënë atij një dritë (Besimin) me anë të së cilës ai të ecë mes njerëzve, me atë i cili është në errësirë (mosbesim, besim në shumë zota dhe hipokrizi) nga e cila kurrë nuk mund të dalë? Kështu mosbesimtarëve u duken të kënaqshme e të drejta punët që ata gjithnjë i kanë bërë.

123. Kështu Ne kemi caktuar kudo (në çdo vend) njerëzit më të këqinj të tij të thurin pabesi mes njerëzve. Por ata nuk i thurin pabesi tjetërkujt përveçse vetes së tyre, e nuk e ndjejnë.

124. Dhe kur u vjen një shenjë (prej Allahut), ata thonë: “Ne nuk do të besojmë (dërgesën e Muhammedit), derisa të mos marrim edhe ne diçka të ngjashëm me atë që iu dha të Dërguarve të Allahut.” Allahu e di më mirë se ku e kujt t’ia japë Mesazhin e Tij. Poshtërim dhe turpërim prej Allahut dhe ndëshkim i ashpër do t’i mbulojë të poshtrit për çfarë ata thurnin me pabesi.

125. Dhe atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, Ai ia hap atij gjoksin për Islam, kurse atij që Ai dëshiron ta humbasë, ia mbyll dhe ia shtrëngon gjoksin sikur të jetë duke u ngjitur në qiell. Në këtë mënyrë Allahu lëshon Zemërimin e Tij mbi ata që nuk besojnë.

126. Dhe kjo është Rruga e Zotit tënd (Kur’ani dhe Islami) që të udhëheq drejtë. Ne e kemi shpjeguar me imtësi Shpalljen Tonë për një popull që i kushton vëmendje.

127. Për ta do të jetë Shtëpia e Paqes (Xhenneti) me Zotin e tyre dhe Ai do të jetë Valiu (Ndihmësi dhe Mbrojtësi) i tyre për ato vepra që ata i punuan.

128. Dhe Ditën kur Ai do t’i mbledhë ata të gjithë bashkë (dhe u thotë): “O ju krijesa të xhindeve! Shumë prej njerëzve ju ua gabuat rrugën,” ndërsa miqtë e shokët e tyre nga njerëzit do të thonë: “Zoti ynë! Ne përfituam prej njëri-tjetrit, por tash arritëm afatin tonë të cilin Ti e kishe përcaktuar për ne.” Ai do t’u thotë: “Zjarri do të jetë vendbanimi juaj për të banuar aty përgjithmonë dhe nuk është ndryshe, veçse si të dojë Allahu. Sigurisht që Zoti yt është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur.”

129. Dhe kështu Ne i bëjmë Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit) Eulija (ndihmës e mbështetës) të njëri-tjetrit (në krimet dhe poshtërsitë e tyre) për shkak të asaj që ata vetë fituan.

130. O bashkësi e xhindeve dhe e njerëzve! “A nuk ju erdhën nga mesi juaj të Dërguar duke ju shpallur Vargjet e Mia dhe duke ju paralajmëruar për takimin tuaj në këtë Ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë përkundër vetes sonë.” Ishte pikërisht jeta e kësaj bote që i mashtroi ata dhe vetë ata do të dëshmojnë kundër vetvetes, se me të vërtetë kanë qenë mosbesimtarë.

131. Këtë (dërgim të Pejgamberëve) ngase Zoti yt nuk do të ndëshkonte qytete për veprat e tyre të gabuara (duke adhuruar të tjerë përkrah apo në vend të Allahut), ndërkohë që populli i atyre vendeve të ishte i paditur dhe i panjoftuar.

132. Për të gjithë do të ketë shkallë sipas punëve që kanë vepruar. Dhe Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë ata veprojnë.

133. Dhe Zoti yt është më i Pasuri (i lirë nga çdo nevojë), Zotërues i Mëshirës. Nëse Ai dëshiron, Ai mund t’ju shkatërrojë dhe në vendin tuaj të sjellë kë të dojë Ai si pasardhës tuaj, po ashtu siç ju krijoi ju nga soji e pasardhësit e popujve të tjerë.

134. Pa asnjë dyshim ajo që ju është premtuar, sigurisht që do të vijë, e ju nuk mund t’i shpëtoni dot (Ndëshkimit të Allahut).

135. Thuaj (O Muhammed): “O populli im! Ju punoni në drejtimin tuaj, ndërsa edhe unë sigurisht që po punoj (gjithashtu në timen) dhe ju do ta merrni vesh se për cilin prej nesh do të jetë fundi (i gëzueshëm) në Shtëpinë (e Fundit). Padyshim që Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit) nuk do të jenë të fituar.”

136. Dhe ata caktojnë për Allahun pjesë nga bujqësia dhe blegtoria të cilat Ai i ka krijuar dhe thonë: “kjo është për Allahun,” sipas mendjes së tyre “dhe kjo është për ‘shokët’ tanë (të ashtuquajturit ‘shokë’ të Allahut).” Por pjesa e ‘shokëve’ të tyre nuk arrin tek Allahu, ndërsa pjesa e Allahut arrin te ‘shokët’ e tyre! E poshtër është mënyra si ata gjykojnë!

137. Dhe kështu për shumë Mushrikë (mosbesimtarë, politeistë) “shokët” e tyre (të ashtuquajturit “shokë” të Allahut) ua kanë bërë t’u duket krejt e ndershme dhe e drejtë vrasja e fëmijëve të tyre, që do t’i çojë ata në shkatërrimin e vetë atyre dhe të shkaktojë pështjellime në fenë e tyre. Dhe sikur të kishte dashur Allahu, ata nuk do të bënin punë të tilla, kështu që lëri ata në të tyren bashkë me atë që ata trillojnë.

138. Dhe sipas shijeve të tyre, ata thonë se këto bagëti e ato drithëra janë të ndaluara dhe askush nuk duhet t’i hajë, përveç atyre që i lejojmë ne. Thonë edhe se ka disa kafshë që ndalohen të përdoren për ngarkesë apo për punë tjetër, si edhe bagëti mbi të cilat nuk përmendet Emri i Allahut (kur theren), duke shpifur kundër Atij (Allahut). Ai do t’i shpërblejë ata për çfarë ata shpifën.

139. Madje edhe thonë: “Çfarë ka në bark kjo e ajo bagëti është vetëm për meshkujt tanë dhe u ndalohet grave e vajzave tona, por në qoftë se lind e ngordhur, atëherë të gjithë ne kemi pjesë në të. Allahu do t’i ndëshkojë për mveshjen (e urdhrave të tillë të rremë Allahut). Vërtet Allahu është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur. (Tefsir At-Tabari).

140. Vërtet që të humbur janë ata që kanë vrarë fëmijët e tyre nga marrëzia dhe padija dhe kanë ndaluar ato gjëra me të cilat i ka furnizuar Allahu, duke shpifur kështu gënjeshtra ndaj Allahut. Vërtet që ata kanë gabuar e humbur tepër larg dhe nuk qenë të udhëzuar.

141. Dhe Ai është i Cili sjell prodhime nga kopshtet e rrethuar dhe të parrethuar (të kultivuar dhe të pakultivuar) dhe në palmat e hurmave dhe prodhime të tjera të llojllojshme me forma e shije të larmishme; ullinj dhe shegë që ngjasojnë (si bimë), por të largët (në shije). Hani nga frutat e tyre kur t’i nxjerrin, por paguani atë që ju takon prej tyre (Zekatin sipas Urdhrit të Allahut në masë të ndryshme) ditën e të vjelave, por mos jini dorëshpuar. Vërtet Allahu nuk i do shpërdoruesit.

142. Dhe nga bagëtitë disa janë për ngarkesë, kurse disa janë të vogla (jo për këtë punë). Përdorni për ushqim nga çfarë ju ka furnizuar Allahu dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit. Sigurisht që ai për ju është një armik i hapur.

143. (Ai krijoi) tetë çifte: dy nga dhentë (dash dhe dele) dhe dy nga dhitë (cjap dhe dhi). Thuaj: “A mos ia ka ndaluar Ai dy meshkujt apo dy femrat (e të imtave) apo të vegjëlit e tyre që i mbështjellin në barqet e tyre? Ma bëni të ditur nëse jeni të vërtetë.”

144. Edhe nga devetë dy (çift: mashkull dhe femër) dhe nga gjedhët dy (çift: ka dhe lopë). Thuaj: “A mos ka ndaluar Ai meshkujt apo femrat e tyre apo të vegjëlit që fshehin femrat në barqet e tyre? Apo mos ishi ju të pranishëm kur Allahu ju urdhëroi një gjë të tillë?” Atëherë kush bën padrejtësi më të rëndë, se sa ai i cili shpif gënjeshtër ndaj Allahut dhe që ua humb rrugën njerëzve të paditur? Sigurisht që Allahu nuk e drejton (në të mbarën) popullin Dhalimun (mosbesimtar, keqbërës).

145. Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua ndonjë gjë të ndaluar për ngrënie për atë njeri që dëshiron të hajë prej atyre, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur (në therjen e tyre) ose mishit të derrit, pasi ky i fundit është vërtet i ndyrë, ose mishin e papërkushtuar (Allahut) i cili është bërë kurban për të tjerë në vend të Allahut (për idhuj, shenjtorë etj, ose mbi të cilin nuk është përmendur Emri i Allahut në çastin e therjes). Por kushdo që është i shtrënguar nga nevoja, por pa pasur qëllim mosbindjen (ndaj Urdhërit të Allahut) dhe pa i kaluar kufijtë, sigurisht që për të Zoti yt është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

146. Dhe për ata që janë jehudi, Ne ndaluam çdo kafshë me thundër të pandarë dhe dhjamin e kaut e të deles përveç atij në mishin e kurrizit, në të përbrendshmet ose i lidhur me kockat. Kështu Ne i shpërblyem ata për kundërshtimet e mosnënshtrimin (ndaj Allahut, duke mos iu bindur e duke i vrarë Pejgamberët, duke ngrënë kamatë etj). Dhe sigurisht që Ne jemi të Vërtetë e të Drejtë.

147. Nëse ata (jehuditë) të përgënjeshtrojnë ty (O Muhammed), ti thuaju: “Zoti juaj është Zotëruesi i Mëshirës së pafund, por kurrë Zemërimi i Tij nuk do të hiqet nga populli Muxhrimun (kriminel, keqbërës, që punon kundër Ligjeve të Allahut).”

148. Ata që kanë zgjedhur shokë (në adhurim) përkrah me Allahun do të thonë: “Po të kishte dashur Allahu, ne nuk do të kishim zgjedhur shokë (në adhurim) përkrah me të, as edhe baballarët tanë, dhe se nuk do të kishim ndaluar ndonjë gjë (kundër Dëshirës së Tij).” Në të njëjtën mënyrë përgënjeshtruan ata që ishin para tyre, derisa ata shijuan Zemërimin Tonë. Thuaj: “A mos keni ju ndonjë dijeni (provë mbrojtëse) që mund ta sillni para nesh? Vërtet që ju nuk ndiqni gjë tjetër, por vetëm hamendje dhe nuk bëni gjë tjetër, përveç se gënjeni.”

149. Thuaj (O Muhammed): “Me Allahun është prova e përkryer dhe më bindëse. Po të kishte dashur Ai, vërtet që Ai do t’ju kishte udhëzuar ju të gjithëve.”

150. Thuaj: “Paraqitni dëshmitarët tuaj që të vërtetojnë se Allahu e ka ndaluar këtë (që ju e ndaloni vetë). Dhe në qoftë se ata dëshmojnë, atëherë ti (O Muhammed) mos dëshmo me ta dhe nuk duhet t’u shkosh pas dëshirave boshe të atyre që i përgënjeshtruan Ajetet Tona dhe të atyre që nuk besojnë në Jetën e Përtejme dhe që mbajnë të tjerë si të barabartë (në adhurimin e tyre) me Zotin e tyre.”

151. Thuaj: “Ejani, unë do t’ju shpall çfarë ju ka ndaluar Zoti juaj: Mos të bashkoni kënd në adhurim me Të dhe të jeni të mirë dhe të përkushtuar ndaj prindërve; dhe mos i vrisni fëmijët tuaj nga varfëria - Ne ju furnizojmë ju dhe ata; dhe mos iu afroni gjynaheve të turpshme (marrëdhënieve të paligjshme të tradhtisë bashkëshortore ose jashtë martetsës etj) të hapura e të fshehura dhe mos vrisni atë njeri që ua ka ndaluar Allahu, përveç për një çështje të drejtë (sipas ligjit Islam). Këtë jua ka urdhëruar Ai me qëllim që të kuptoni.

152. Dhe mos iu afrohuni pasurisë së jetimëve, përveç në rast se doni ta përmirësoni atë, deri sa ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe matni e peshoni saktësisht dhe me drejtësi. Ne nuk ngarkojmë ndokënd përveçse aq sa ka mundësi ai. Po kështu, kurdoherë që të flisni (për të dhënë fjalën, për dëshmi, për gjykim etj), thoni të vërtetën, edhe në qoftë se çështja mund t’i takojë një të afërmi tuaj dhe përmbushni Besën e Allahut. Këtë Ai jua urdhëron që të mund të përkujtoni.

153. Dhe vërtet, kjo është Rruga Ime e Drejtë, kështu që ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera pasi ato do t’ju ndajnë e t’ju largojnë nga Udha e Tij. Këtë jua ka urdhëruar Ai që të mund të bëheni Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam).”

154. Pastaj Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin) për të plotësuar (Mirësinë Tonë) mbi ata që punonin drejtësi, duke ua shtjelluar çdo gjë me imtësi dhe si udhëzim e mëshirë, që ata të mund të besonin në takimin me Zotin e tyre.

155. Edhe ky (Kur’ani) është Libër i Bekuar të cilin Ne e kemi zbritur, kështu që ndiqeni atë dhe kini frikë Allahun, me qëllim që të mëshiroheni (të shpëtoni nga dënimi i Xhehenemit).

156. E që të mos thoni ju (arabë paganë): “Libri iu dërgua vetëm dy grupeve para nesh (jehudive dhe të krishterëve) dhe sa për ne vërtet që nuk kemi ditur gjë çfarë kanë studiuar ata.”

157. Apo që të mos thoni ju: “Vetëm sikur të na kishte zbritur edhe neve një Libër, ne vërtet që do të ishim drejtuar më mirë se ata (jehuditë dhe të krishterët).” Kështu pra, tash ju ka ardhur provë e qartë (Kur’ani) nga Zoti juaj si dhe udhëzim e mëshirë. Atëherë, kush gabon më rëndë se sa ai që mohon Ajetet e Allahut dhe kthen shpinën prej tyre? Ne do t’i shpërblejmë ata që u largohen Ajeteve Tona me ndëshkim të rëndë, për shkak të mospranimit (të tyre). (Tefsir Al-Kurtubi).

158. A mos vallë atëherë presin ndonjë gjë tjetër, që t’u vijnë melekët, që t’u vijë Zoti yt apo t’u vijnë disa nga Shenjat e Zotit tënd (paralajmërimet për Orën e Fundit, si për shembull lindja e diellit nga perëndimi etj)! Ditën kur disa Shenja të Zotit tënd vërtet do të vijnë, për atë që beson atëherë, nuk do të ketë asnjë dobi, në qoftë se nuk besoi më parë dhe nuk fitoi mirësi me anë të besimit. Thuaj: “Prisni! (se) edhe ne po presim.”

159. Vërtet ata që e ndajnë fenë e tyre dhe shpërndahen në sekte e grupe (të çfarëdo lloji qofshin), ti (O Muhammed) nuk ke aspak të bësh me ta. Puna e tyre është vetëm me Allahun i Cili paskësaj do t’u tregojë atyre çfarë ata vepronin.

160. Kushdo që sjell një vepër të mirë (në Besimin e Pastër Islam) do të ketë në llogari të tij dhjetëfishin e saj, ndërsa ai që sjell një vepër të keqe ai do të ketë shpërblim vetëm për atë që ka bërë. Dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

161. Thuaj: “Vërtet, Zoti im më ka udhëzuar mua në Rrugë të Drejtë, Fe të Drejtë, Fenë e Ibrahimit - Hanifan (Besimin e Vërtetë e të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) dhe ai nuk ishte prej Mushrikinëve (prej atyre që adhurojnë të tjerë përveç e përkrah me Allahun).”

162. Thuaj: “Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e Aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithçkaje që ekziston).

163. Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si Musliman.”

164. Thuaj: “A mos duhet të kërkoj zot tjetër përveç Allahut, ndërkohë që Ai është Zoti i gjithçkaje? Secili fiton gjynahe vetëm përkundër vetvetes dhe askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit. Pastaj te Zoti juaj është kthimi juaj dhe Ai do t’ju tregojë juve (gjithçka) në të cilat ju ndryshuat.”

165. Dhe Ai është i Cili ju ka bërë ju të vini brez pas brezi duke zëvendësuar njëri-tjetrin në tokë. Dhe Ai ju ka ngritur ju në shkallë, disa mbi disa të tjerë që të mund t’ju provojë në ato që Ai ju ka dhuruar. Sigurisht që Zoti yt është më i Shpejti në shpagim dhe vërtet që Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Sure 7: Al A’raf (Lartësitë)

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim, Sad.

2. (Ky është) Libri (Kur’ani) i zbritur mbi ty (O Muhammed), që të lajmërosh me të dhe si përkujtim mbi besimtarët, kështu që mos të të ngushtohet gjoksi prej tij (e mos të të brengoset zemra).

3. (Thuaju o Muhammed): “Ndiqni çfarë ju është zbritur juve nga Zoti juaj (Kur’anin, Pejgamberin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe rrugën e tij) dhe mos shkoni pas asnjë Eulijai (ndihmues a mbrojtës që ju urdhëron të adhuroni të tjerë përveç a përkrah Allahut) tjetër pos Atij (Allahut). Sa pak që përkujtoni!

4. Dhe mjaft vendbanime Ne i shkatërruam (për krimet e tyre). Ndëshkimi Ynë u erdhi atyre (papritur e pakujtuar) natën, apo kur flinin në pushimin pas drekës.

5. Asnjë thirrje tjetër nuk nxorën kur u erdhi Ndëshkimi Ynë, përveç se thirrjes: “Vërtet që ne ishim Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).”

6. Më pas, sigurisht që Ne do të thërrasim në llogari ata të cilëve iu dërgua Libri dhe padyshim që edhe të Dërguarit do të pyeten.

7. Më tej, sigurisht që Ne do t’ju shtellojmë gjithë ndodhinë me Dijeni të Plotë dhe është e vërtetë që Ne nuk kemi munguar (për asnjë çast e në asnjë vend).

8. Dhe peshorja e asaj Dite (Ditës së Llogarisë) do të jetë e vërteta. Sa për ata, pesha e të cilëve do të rëndojë nga veprat e mira, ata do të jenë të fituarit (duke hyrë në Kopshtet e Xhennetit).

9. Dhe sa për ata, pesha e të cilëve do të jetë e lehtë, mu këta janë që do të humbin veten e tyre (duke hyrë në Xhehenem), sepse ata mohuan dhe nuk pranuan Ajetet Tona.

10. Dhe sigurisht, Ne ju dhamë juve (o njerëz) nderim dhe vlerësim në tokë dhe ju caktuam atje edhe furnizime (për jetesën tuaj). Sa pak është ajo që ju falënderoni!

11. Dhe sigurisht, Ne ju krijuam ju dhe pastaj ju dhamë formë (formën e zgjedhur të qenies njerëzore), pastaj Ne u thamë melekëve: “Bini në sexhde Ademit” dhe ata ranë me fytyrë përtokë para tij, përveç Iblisit (Shejtanit) që nuk pranoi të jetë prej atyre që bien në sexhde.

12. (Allahu) tha: “Çfarë të ndaloi ty (O Iblis) që të mos biesh në sexhde kur Unë të urdhërova?” (Iblisi) iu përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai (Ademi). Ti më krijove mua nga zjarri, kurse atë Ti e krijove nga balta.”

13. (Allahu i) tha: “(O Iblis) Zbrit që këtej (nga Xhenneti), nuk shkon ky vend për ty që je mendjemadh e përbuzës. Dil jashtë, sepse ti je i poshtëruar dhe i turpëruar.”

14. (Iblisi) tha: “Më jep kohë deri Ditën kur ata do të ngrihen përsëri (të ngjallen krijesat Ditën e Ringjalljes).”

15. (Allahu) tha: “Ti je prej atyre që u është dhënë afat.”

16. (Iblisi) tha: “Për shkak se më flake mua, vërtet që unë do të jem në pritë kundër tyre (njerëzve) në Rrugën Tënde të Drejtë.

17. Pastaj do t’u afrohem atyre përballë dhe pas shpine, nga e djathta dhe nga e majta dhe Ti do të shohësh shumicën e tyre të mos jenë falënderuesit e Tu (nuk do të jenë të bindur ndaj Teje).”

18. (Allahu i) tha: “Dil jashtë prej tij (Xhennetit) i përbuzur dhe i përjashtuar. Kushdo prej atyre që të shkon pas ty, atëherë sigurisht që Unë do ta mbush Xhehenemin me të gjithë ju bashkë.”

19. “O Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në Xhennet dhe hani atje ç’të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do të jeni që të dy prej Dhalimunëve (të padrejtëve e keqbërësve).”

20. Pastaj atyre iu afrua shejtani dhe u pëshpëriti të dyve që t’ua zbulonte pjesët e turpshme që i kishin të mbuluara. Ai u tha: “Zoti juaj nuk jua ndaloi juve këtë pemë, por vetëm që të mos bëheni melekë ose të pavdekshëm.”

21. Dhe ai (shejtani) iu betua atyre të dyve në Allahun: “Vërtet që unë jam një dashamirës i çiltër ndaj ju të dyve.”

22. Kështu që ai i humbi ata me mashtrim. Më pas, kur ata shijuan frutat e pemës, turpi (pjesët e fshehura) iu zbulua dhe filluan të mbledhin e të thurin me gjethe prej Kopshtit për të mbuluar vetveten. Dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua ndalova atë pemë dhe a nuk ju thashë që shejtani është armik i hapur për ju?”

23. Ata thanë: “Zoti ynë! Ne gabuam e i bëmë keq dhe e humbëm veten tonë. Dhe nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri atëherë do të jemi prej të humburve.”

24. (Allahu u) tha: “Zbritni ju (Ademi, Havaja dhe shejtani) në armiqësi mes njëri-tjetrit. Në tokë do të jetë jetesa juaj e përkohshme.”

25. Ai u tha: “Atje do të jetoni dhe atje do të vdisni dhe prej saj përsëri do të nxirreni (në ringjallje).”

26. O Bij të Ademit! Ne ju kemi dhuruar veshje për të mbuluar veten dhe si stoli, por petku i drejtësisë dhe i përkushtimit, ai është më i miri. Këto janë nga Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Allahut, që ata të mund të përkujtojnë.

27. O Bij të Ademit! Mos lejoni t’ju mashtrojë shejtani, siç i nxori prindërit tuaj të parë (Ademin dhe Havanë) nga Xhenneti duke bërë t’u hiqet petku mbulues dhe t’u shfaqen pjesët e turpshme. Vërtet që ai dhe Kabilja e tij (fisi e farefisi, ndjekësit e ndihmësit e tij nga njerëzit e xhindet) ju shohin ju, ndërsa ju nuk i shihni dot ata. Vërtet Ne i bëmë shejtanët Eulija (miq, ndihmës e shokë) për ata që nuk besojnë.

28. Dhe kur kryejnë Fahisha (vepra të ulëta e të shëmtuara si sjellja rreth Kabës të zhveshur, lloje të ndryshme marrëdhëniesh të paligjshme me gra etj) thonë: “Ne kështu i gjetëm të veprojnë edhe baballarët tanë e (për më tepër) Allahu na ka urdhëruar për të.” Thuaju (O Muhammed): “Jo, kurrë Allahu nuk urdhëron turpin. A mos thoni për Allahun gjëra që aspak nuk i dini?”

29. Thuaj: “Zoti im më ka urdhëruar drejtësi dhe se duhet t’i drejtoheni vetëm Atij (të adhuroni vetëm Allahun duke u kthyer nga Kibla, Kaba në Mekë gjatë faljeve) në çdo xhami që jeni duke u falur, duke iu lutur vetëm Atij, duke e shprehur Fenë tuaj zemërhapur dhe me përkushtim ndaj Tij, duke mos i bashkuar Atij ndokënd në adhurim dhe me qëllimin që ju vërtet punoni vetëm për frikë e për Hir të Allahut (dhe mos iu drejtoni zotave tuaj të rremë). Ashtu sikurse ju solli (në jetë) në fillim Ai, po kështu do të silleni përsëri në jetë.

30. Një grup Ai e drejtoi dhe një grup meritoi të jetë me të gabuarën, (sepse) në të vërtetë ata zgjodhën shejtanët për mbrojtës e ndihmës në vend të Allahut, duke menduar në këtë mënyrë se janë të udhëzuar drejt.

31. O Bijtë e Ademit! Vishni stolitë tuaja (petkun më të mirë e të pastër) kur faleni dhe duke bërë Tavaf (duke u sjellë) rreth Kabës. Hani e pini, por mos shpërdoroni me marrëzi e pa masë. Sigurisht që Allahu nuk i do shpërdoruesit (e ata që e tejkalojnë masën).

32. Thuaj: “Kush e ka ndaluar veshjen e bukur me rrobat e dhuruara prej Allahut, të cilat Ai i ka krijuar për robët e Tij, si dhe Tajibatet (ushqimet e pastra e të ligjshme për ju nga Allahu) si mirësi për ju?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besojnë dhe veçanërisht (vetëm për besimtarët) në Ditën e Kijametit.” Kështu Ne i bëjmë të njohura Ajetet (ligjet e Islamit) me hollësi për popullin që ka mend (e kupton).

33. Thuaj: “(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë El-Fahisha (gjynahet e mëdha, çdo lloj afrimi me gratë jashtë martesës etj) që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe përfolja për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni asnjë dijeni.”

34. Dhe për çdo popullsi ka një exhel (një kohë të përcaktuar) dhe kur vjen ky çast, ata as nuk mund ta vonojnë atë dhe as nuk mund ta përshpejtojnë atë, qoftë edhe për një orë (çast).

35. O Bijtë e Ademit! Në qoftë se ju vijnë juve të Dërguar nga mesi juaj duke ju shpallur Vargjet e Mia, atëherë kushdo që bëhet i përkushtuar (u bindet atyre) dhe i drejtë, për ta nuk do të ketë as frikë e as nuk do të pikëllohen.

36. Por ata që mohojnë Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet) duke u sjellë ndaj tyre me vrazhdësi dhe arrogancë, këta janë banorët e Zjarrit; ata do të banojnë aty përherë.

37. Kush është më i padrejtë se ai i cili shpif gënjeshtër ndaj Allahut ose i hedh tej Ajetet e Tij? Për të këtillët pjesa e përcaktuar e tyre (gjithë gjërat e bukura të kësaj bote dhe koha e qëndrimit të tyre në të) do t’u shkojë atyre nga Libri (i Vendimeve Tona) derisa, kur të Dërguarit Tanë (Melekët e vdekjes që marrin shpirtrat) u shkojnë atyre për t’u marrë shpirtin duke u thënë: “Ku janë ata të cilët ju i adhuronit dhe u luteshit në vend të Allahut?” Ata do të përgjigjen: “Ata janë shuar e na kanë braktisur.” Dhe ata vetë do të dëshmojnë përkundër vetes së tyre, se vërtet ishin mosbesimtarë.

38. (Allahu) do tu thotë: “Hyni edhe ju në shoqërinë e popujve që kaluan para jush, të njerëzve dhe të xhindeve, në Zjarr.” Sa herë që hyn një popull, ai mallkon popullin vëlla paraardhës, derisa ata të gjithë së bashku të grumbullohen në Zjarr. I fundit i tyre do të thotë për popullin e parë: “Zoti ynë! Këta na humbën ne. Jepu pra atyre dy herë dënimin tonë në Zjarr.” (Allahu) do t’u thotë: “Për secilin prej jush ka dyfish (dënim), por ju nuk e dini.”

39. (Populli) i parë do t’i thotë të fundit: “Ju nuk keni qenë më të mirë se ne, kështu që shijoni dhe ju ndëshkimin për çfarë ju punuat (e fituat me duart tuaja).”

40. Vërtet, për ata që përgënjeshtrojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet) duke u sjellur ndaj tyre me vrazhdësi e fyerje, nuk do të hapen portat e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhennet derisa të hyjë deveja në vrimë të gjilpërës. Kësisoj i shpërblejmë Ne Muxhrimunët (kriminelët, mosbesimtarët).

41. Për ta shtrat do të jetë zjarri i Xhehenemit dhe për mbulesë palë-palë të tjera të tij. Dhe kësisoj i shpërblejmë Ne Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit).

42. Për ata që besuan (në Njësinë e Allahut, Islamin) dhe punuan drejtësi - dhe Ne nuk ngarkojmë kënd vetëm për sa ai ka mundësi, të këtillët janë banorët e Kopshteve të Begatë. Aty do të jenë pambarim.

43. Dhe Ne do t’ua pastrojmë nga zemrat e tyre çdo gjurmë urrejtje ose keqdashje (nëse kanë pasur sadopak për njëri-tjetrin) në jetën e kësaj bote; lumenj vërshojnë ndër ta, ndërsa ata thonë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili na udhëzoi neve për këtë vend. Kurrë nuk do të kishim gjetur ne drejtimin, po të mos na kishte udhëhequr Allahu. Vërtet që të Dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën.” Që andej do t’u bëhet thirrja: “Ky është Xhenneti të cilin ju e keni trashëguar për çfarë keni punuar.”

44. Dhe banorët e Xhennetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit: “Ne vërtet po i gjejmë të vërteta çfarë na premtoi Zoti ynë. Po ju, a po i gjeni të vërteta çfarë ju premtoi Zoti juaj?” Ata do të përgjigjen: “Po!” Më pas një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut është mbi Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit).

45. Ata që i penguan njerëzit nga Rruga e Allahut dhe që mundoheshin ta shtrembëronin atë, edhe këta nuk besonin në Jetën Përtejme.”

46. Dhe ndërmjet tyre (dy grupeve) do të jetë një barrierë dhe mbi Al-A’raf (mur me bedena) do të ketë prej tyre (veprat e të cilëve do të jenë në barazpeshë) të cilët do të mund të dallojnë gjithçka (nga njerëzit e Xhennetit e të Xhehenemit) nga shenjat e tyre dhe që do t’u thërrasin banorëve të Xhennetit: “Paqja qoftë mbi ju”; në këtë kohë ata nuk do të kenë hyrë akoma në Xhennet, por do të kenë shumë shpresë e siguri për t’u pranuar atje.

47. Ndërsa kur t’u kthehen sytë nga banorët e Zjarrit, do të thonë: “Zoti ynë! Mos na vër ne me njerëzit Dhalimunë (mosbesimtarë e keqbërës).”

48. Dhe njerëzit që qëndrojnë mbi El-A’raf (mbi bedena) do t’u thërrasin njerëzve të cilët ata do të mund t’i dallojnë nga shenjat e tyre dhe u thonë: “Çfarë përfitimi patën për ju numrat e mëdhenj (pasuria) dhe kryeneçësia kundër Besimit?

49. A nuk janë ata për të cilët u betuat se Allahu kurrë nuk do t’i mëshirojë me Përkujtimin e Tij?” (kur ja! Iu tha atyre): “Hyni në Xhennet, as frikë nuk do të ketë për ju dhe as nuk do të pikëlloheni.”

50. Dhe banorët e Zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Kopshteve të Begatë: “Na hidhni pak ujë ose ndonjë gjë tjetër me të cilat ju ka furnizuar Allahu.” Ata (të Xhennetit) do t’ua kthejnë: “Të dyja këto gjëra (uji dhe çdo gjë tjetër) Allahu i ka ndaluar për mosbesimtarët,

51. Të cilët e morën fenë e tyre për dëfrim e për lojë dhe i mashtroi jeta e dynjas (kësaj bote) ata.” Kështu që këtë Ditë Ne do t’i harrojmë ata siç e harruan ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan vazhdimisht Ajetet Tona (treguesit, shpalljet).

52. Vërtet që Ne u kemi sjellë atyre një Libër (Kur’anin) të cilin Ne e kemi shpjeguar në hollësi me dituri, - udhëzues dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.

53. A mos presin tjetër, vetëm se përmbushjen e fundit të Çështjes? Atë Ditë Çështja është përmbushur njëherë e mirë; ata që nuk e morën parasysh atë (Besimin) që më parë, do të thonë: “Vërtet që të Dërguarit e Zotit tonë paskan ardhur me të vërtetën. Tash a ka ndonjë ndërmjetësues për ne, që të mund të ndërhyjnë në emrin tonë? Apo a mund të dërgohemi përsëri (në dynja) që të mund të bëjmë punë të mira ndryshe nga (poshtërsitë) që punuam?” Vërtet që ata kanë humbur veten e tyre dhe ato gjëra që ata i shpifnin e i shpiknin (duke adhuruar të tjerë përkrah apo në vend të Allahut), kanë ikur prej tyre.

54. Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në Gjashtë Ditë dhe pastaj Ai Isteva (u ngrit lart e qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai sjell natën si mbulesë të ditës dhe secila duke synuar tjetrën pandërprerë; dhe Ai krijoi edhe diellin, edhe hënën, edhe yjet të nënshtruar ndaj Urdhërit të Tij. Padyshim që i Tij është Krijimi dhe Komandimi. I Shenjtëruar dhe i Lartësuar qoftë Allahu, Zoti i Aleminit (i gjithë botëve, i gjithçkaje që ekziston, i njerëzve dhe i xhindeve).

55. Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe në vetveten tuaj. Vërtet Ai nuk i do ata që i kalojnë kufinjtë.

56. Dhe mos punoni djallëzi në tokë, pasi ajo është vënë në rregull dhe drejtohuni Atij me frikë dhe me shpresë. Sigurisht që Përkujtimi i Allahut është kurdoherë pranë mirëpunuesve.

57. Dhe është Ai i Cili dërgon erërat si lajmëtar dhe përgëzues të shkojnë para Përkujtimit të Tij (para shiut). Derisa ato të kenë sjellë re të ngarkuara rëndë, Ne e drejtojmë atë drejt tokës së vdekur dhe pas kësaj Ne bëjmë të derdhet uji atje. Më pas, Ne prodhojmë prej andej çdo lloj fruti. Po në këtë mënyrë Ne do t’i ngremë të vdekurit, me qëllim që ju të mund të përkujtoni apo të vini mendjen.

58. Bimësia e një toke të mirë shpërthen lehtë me Lejen dhe Vullnetin e Zotit të saj, ndërsa ajo që është e keqe, vështirë të sjellë fare pak. Kështu i sqarojmë Ne Ajetet (provat, shpalljet) për atë popull që falënderon.

59. Vërtet Ne e dërguam Nuhin te populli i tij dhe u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk keni Ilah (të adhuruar, perëndi) tjetër veç Atij. La ilahe il-Allah (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Allahut). Vërtet që i frikësohem për ju ndëshkimit të një Dite të Madhe!”

60. Udhëheqësit e popullit të tij i thanë: “Në të vërtetë, ne të shohim ty në gabim të qartë.”

61. (Nuhu ‘alejhis–selam u) tha: “O populli im! S’ka asnjë gabim tek unë, por unë jam i Dërguar nga Zotit i Aleminit (Zoti i Gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve)!

62. Ju përçoj juve Mesazhet e Zotit tim dhe ju jap këshillë të hapur e të drejtë dhe unë di nga Allahu çfarë ju nuk dini.

63. A habiteni se ju ka ardhur një lajmëtar nga ana e Zotit tuaj me anë të njeriu nga vetë ju, me qëllim që ai të mund t’ju këshillojë ju e që ju të keni frikë Allahun dhe që të mund të përfitoni nga Mëshira e Tij?”

64. Por ata e përgënjeshtruan atë, kështu që Ne e shpëtuam atë dhe pasuesit e tij bashkë me të në barkë dhe Ne i mbytëm (me vërshim uji) ata të cilët i mohuan Ajetet Tona (treguesit, provat, shpalljet). Vërtet ata ishin popull i verbëruar.

65. Edhe popullit Aad, Ne i dërguam vëllain e tyre, Hudin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk keni të adhuruar e perëndi tjetër përveç vetëm Atë. (La ilahe il-Allah: nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut). A nuk do ta keni frikë (Allahun)?”

66. Prijësit e atyre që nuk besuan nga kombi i tij thanë: “Në të vërtetë ne të shohim ty në marrëzi dhe të mendojmë e na dukesh prej gënjeshtarëve.”

67. (Hudi ‘alejhis–selam) tha: “O populli im! Nuk ka marrëzi tek unë, por unë jam i Dërguar nga Zoti i Aleminit (i Gjithësisë dhe i gjithçkaje që ka në të, i njerëzve dhe i xhindeve).

68. Unë ju sjell juve Mesazhet e Zotit tim dhe unë jam këshillues i besuar dhe mirëdashës për ju.

69. A çuditeni se ju ka ardhur një Lajmërues prej Zotit tuaj nëpërmjet një njeriu nga vetë ju, me qëllim që ai t’ju këshillojë? Dhe mbani në mendje se Ai ju bëri ju pasardhës pas popullit të Nuhit duke ju rritur mjaft në shtat. Kështu kuptoni mirësitë e derdhura mbi ju prej Allahut, që të mund të jeni të fituar.”

70. Ata thanë: “Ti ke ardhur te ne me qëllim që ne duhet të adhurojmë Allahun Një e të Vetëm dhe të braktisim ata që gjithnjë i kanë adhuruar të parët tanë. Kështu pra, na sill ti atë me të cilën ti na ke frikësuar ne, në qoftë se me të vërtetë ti je i drejtë.”

71. (Hudi ‘alejhis–selam u) tha: “Dënimi dhe Zemërimi nga Zoti juaj tashmë kanë rënë mbi ju. A më kundërshtoni mua për emra të cilët ju i keni emëruar - ju dhe baballarët tuaj pa asnjë të drejtë dhe pa asnjë fakt nga Allahu? Prisni atëherë se edhe unë po pres bashkë me ju.”

72. Dhe Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të nga një Përkujtim i Yni dhe Ne i shkulëm nga rrënjët ata të cilët përgënjeshtruan Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet), dhe ata nuk ishin besimtarë.

73. Dhe te Themudi, Ne dërguam vëllain e tyre Salihun. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk keni Ilah (të adhuruar) tjetër veçse Allahun (La ilahe il-Allah - askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Allahut). Me të vërtetë ju ka ardhur një shenjë e qartë (mrekullia e daljes së një deveje të madhe nga shkëmbi) nga Zoti juaj. Kjo deve e Allahut është një shenjë për ju, kështu që lejoni atë të kullosë në tokën e Allahut dhe mos e prekni e mos e dëmtoni atë, se përndryshe, patjetër që do t’ju zë ndëshkim i dhimbshëm.

74. Dhe kujtoni kur Ai ju bëri ju trashëgues pas popullit të Aadit duke ju dhuruar vendbanime në tokë, ndërsa ju ngritët për veten tuaj ndërtesa madhështore në fusha e gdhendët shtëpi në male. Kësisoj pra, përkujtoni mirësitë e dhuruara mbi ju nga Allahu dhe mos u sillni në tokë duke bërë djallëzi.”

75. Prijësit e atyre që u treguan kryeneçë u thanë atyre që ata i quajtën të dobët - të cilët në të vërtetë besuan: “A e dini se Salihu është i Dërguar i Allahut?” Ata u përgjigjën: “Sigurisht që ne besojmë në atë (Mesazh) me të cilin ai është dërguar.”

76. Kryelartët përsëri thanë: “Sigurisht që ne e mohojmë atë që ju e besoni.”

77. Në këtë mënyrë ata e vranë deven dhe e mohuan në mënyrë të pacipë Urdhërin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih! Na i nxirr në shesh kërcënimet e tua nëse me të vërtetë ti je prej të Dërguarve të Allahut.”

78. Kështu ata i kapi dhe i varrosi pa u kujtuar tërmeti siç qenë shtrirë në shtëpitë e tyre.

79. Pastaj ai (Salihu ‘alejhis–selam) i la duke thënë: “O populli im! Sigurisht që unë jua përçova Mesazhin e Zotit dhe ju dhashë juve këshillë të vyer, por ju nuk i deshët këshilluesit.”

80. (Kujto) edhe Lutin, kur ai iu drejtua popullit të tij: “A po bëni gjynahin më të madh, të tillë që askush para jush nuk e ka vepruar kurrë në gjithë Alemin (ndër njerëz e xhinde).

81. A vërtet ju kryeni epshet tuaja tek burrat në vend të grave? Jo, por ju jeni një popull që po i kalon të gjithë kufijtë.”

82. Dhe përgjigjja e popullit të tij ishte: “Nxirrni ata jashtë nga vendi juaj, ata në të vërtetë kërkojnë të jenë të pastër!”

83. Më tej, Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, pos gruas së tij; ajo ishte me ata që mbetën pas (duke rënë në ndëshkim).

84. Dhe Ne derdhëm mbi ta shi gurësh. Shih pra, cili është fundi i Muxhrimunëve (kriminelëve, mosbesimtarëve, mëkatarëve).

85. Edhe Medjenit (Ne i dërguam) vëllain e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Nuk keni Ilah (të adhuruar) tjetër veçse Allahun (La ilahe il-Allah - askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç vetëm Allahut). Me të vërtetë ju ka ardhur një shenjë e qartë nga Zoti juaj, kështu që matni saktë e peshoni drejt dhe mos u bëni padrejtësi njerëzve në gjërat (mallin) e tyre dhe mos punoni djallëzi në tokë, pasi ajo është vënë në rregull. Kjo do të jetë më e mira për ju, nëse jeni besimtarë.

86. Dhe mos u ngulni rrugëve duke frikësuar e penguar nga Udha e Allahut ata që e besojnë Atë dhe duke u munduar që ta shtrembëroni (Rrugën e Tij). Kujtoni edhe kur ju ishit fare pak, ndërsa Ai ju shumëfishoi ju. Shihni se cili ishte fundi i Mufsidunëve (i atyre që punojnë djallëzi, i mashtruesve, i të prishurve).

87. Dhe në qoftë se ka ndonjë grup prej jush që beson në atë (Mesazhin) me të cilin unë jam dërguar dhe partia tjetër që nuk beson, atëherë jini të duruar derisa Allahu të gjykojë mes nesh dhe Ai është më i Miri Gjykues.”

Pjesa 9

88. Kryetarët kryelartë nga populli i tij i thanë: “Me të vërtetë që do t’ju nxjerrim jashtë qytetit tonë o Shuajb dhe ata që kanë besuar me ty, ose përndryshe ju të gjithë do të ktheheni në fenë tonë.” Ai tha: “Edhe sikur ne ta urrejmë atë!

89. Ne do të kishim shpifur ndaj Allahut, po të ktheheshim te feja juaj, pasi që Allahu na ka shpëtuar ne prej saj. Dhe nuk na shkon ne të kthehemi tek ajo, vetëm në qoftë se do Allahu, Zoti ynë. Zoti ynë përfshin çdo gjë në Gjithëdijen e Tij. Vetëm tek Allahu ne jemi mbështetur. Zoti ynë! Gjyko mes nesh dhe popullit tonë me vërtetësi e me të drejtën dhe Ti je më i Miri i gjykuesve.”

90. Kryetarët e asaj pjese të popullit i cili mohoi, u thanë njerëzve të tyre: “Në qoftë se ju i shkoni pas Shuajbit, jeni të sigurtë se vërtet atëherë ju do të jeni të humburit!”

91. Kështu ata (popullin e pa dëgjueshëm) i kapi dhe i varrosi pa kujtuar tërmeti siç qenë shtrirë në shtëpitë e tyre.

92. Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin u katandisën si të mos kishin banuar kurrë në shtëpitë e tyre. Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, mu ata ishin të humburit.

93. Pastaj Shuajbi i la duke thënë: “O populli im! Sigurisht që unë jua përçova Mesazhin e Zotit tim dhe ju dhashë juve këshillë të vyer. Atëherë pra, si mund të më vijë keq për shkatërrimin e popullit mosbesimtar!”

94. Sa herë që kemi dërguar Pejgamberë në qytete (dhe që ta kenë mohuar atë), Ne e mbërthyem popullin e tyre me vuajtje nga varfëria e skamja dhe humbje të shëndetit dhe fatkeqësi, me qëllim që ata të mund ta përulin e ta nënshtronin veten (me pendim ndaj Allahut).

95. Pastaj Ne ua shndërruam të keqen me të mirë, derisa ata u shtuan dhe u pasuruan shumëfish dhe thanë: “Të parët tanë provuan skamjen dhe begatinë.” Kështu Ne i mbërthyem ata fort e pakujtuar, ndërsa ata as nuk e ndjenë.

96. Ndërsa po të kishin besuar popujt e këtyre vendeve dhe të ishin bërë të përkushtuar (ndaj Allahut duke e pasur frikë Atë), padyshim që Ne do të kishim hapur për ta mirësitë nga qielli dhe nga toka, por në të vërtetë ata i mohuan (të Dërguarit Tanë dhe të Vërtetën), kështu që Ne i morëm ata (me ndëshkim) për atë çfarë ata vetë fituan (politeizmin, krimet etj).

97. Atëherë a mos u ndjenë të sigurt popujt e këtyre vendeve ndaj ardhjes së Ndëshkimit Tonë natën e kur ishin fjetur?

98. A mos u ndjenë të sigurt popujt e këtyre vendeve ndaj ardhjes së Ndëshkimit Tonë paradite ndërsa lëviznin (e shëtitnin të shkujdesur)?

99. A mos e ndjenë veten të sigurt kundër Planit të Allahut? Askush nuk është i sigurt ndaj Planit të Allahut, përveç popullit të humbur (të dënuar me shkatërrim).

100. A nuk është e qartë për ata të cilët trashëgojnë tokën brez pas brezi nga pronarët e parë të saj, se po të kishim dashur Ne, atëherë Ne do t’i kishim ndëshkuar ata për gjynahet e tyre dhe se Ne ua vulosim zemrat që ata të mos marrin vesh?

101. Këto ishin vendbanimet, me ndodhitë e të cilave Ne po të njohim ty (O Muhammed). Dhe me të vërtetë atyre u shkuan të Dërguar me dëshmi të qarta, por ata nuk ishin të atillë që të besonin atë që më parë e kishin mohuar. Kështu pra ua vulos Allahu zemrat mosbesimtarëve (që të mos kuptojnë asnjë lloj udhëzimi të fesë së vërtetë).

102. Shumicën e tyre i gjetëm jo të vendosur në besën e tyre, por akoma më shumë Ne i gjetëm me të vërtetë Fasikunë (kryeneçë, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

103. Më tej (pas tyre) Ne dërguam Musain me Ajetet Tona (shpalljet, provat) te Faraoni dhe ndihmësit e tij, por ata padrejtësisht i hodhën poshtë ato. Shih atëherë se si ishte fundi i Mufsidunëve (i atyre që punojnë djallëzi e korrupsion).

104. Kështu Musai i tha: “O Faraon! Vërtet unë jam i Dërguar nga Zoti i Aleminit (i gjithësisë).

105. Mua më shkon që të mos them gjë tjetër për Allahun, veçse të vërtetën. Padyshim që unë kam ardhur tek ti nga Zoti yt me shjenjë të qartë, kështu që lëri Bijtë e Israilit të largohen bashkë me mua.”

106. (Faraoni) tha: “Në qoftë se ke ardhur me shenjë të qartë, nxirre në shesh atë, nëse vërtet je prej atyre që flasin drejt.”

107. Atëherë Musai hodhi shkopin e tij dhe ç’të shihje! Gjarpër i vërtetë!

108. Nxori dhe dorën e tij. E ç’të shihje! Ishte e bardhë (e ndriçuar) në sy të të gjithëve.

109. Paria e lartë e popullit të Faraonit thanë: “Me të vërtetë ky qenka një magjistar i përkryer.”

110. Ai do t’ju nxjerrë nga toka juaj. Atëherë çfarë këshille jepni?”

111. Ata thanë: “Shtyjani afatin atij dhe vëllait të tij (e t’i mbajmë në ankth për një kohë) dhe dërgoni lajmëtarë në gjithë qytetet për të mbledhur -

112. Të sjellin para teje gjithë magjistarët më të ditur.”

113. Dhe kështu erdhën magjistarët te Faraoni, (dhe) thanë: “Padyshim që për ne do të ketë një shpërblim të mirë nëse dalim të fituar.”

114. (Faraoni) u tha: “Po. Dhe për më tepër, ju do të jeni pas kësaj më të afërmit tek unë.”

115. Ata (magjistarët) thanë: “O Musa! Ose hedh ti i pari ose të hedhim ne më parë?”

116. Ai (Musai u) tha: “Hidhni ju të parët.” Kështu kur ata hodhën (magjinë e tyre), ata i magjepsën sytë e njerëzve duke u futur tmerrin atyre. Dhe vërtet ata paraqitën një magji marramendëse.

117. Dhe Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe ti shkopin tënd,” kur ç’të shohësh! Ai i gëlltiti menjëherë gjithë magjitë mashtruese që ata trilluan (para njerëzve).

118. Kështu u dëshmua e vërteta në shesh dhe gjithçka që ata punuan u asgjësua plotësisht.

119. Në këtë mënyrë ata (magjistarët) u thyen atje dhe u kthyen të turpëruar.

120. Dhe magjistarët ranë në sexhde.

121. Ata thanë: “Ne besojmë në Zotin e Aleminit (të gjithësisë, të njerëzve dhe të xhindeve),

122. Zotin e Musait dhe të Harunit.”

123. Faraoni u tha: “Ju i keni besuar atij (Musait si i Dërguar i Allahut) para se t’ju jap unë leje. Vërtet ky është një komplot të cilin ju e keni kurdisur në qytet që të nxirrni banorët e tij prej andej, por do ta shihni.

124. Vërtet do t’jua pres duart e këmbët tërthorazi dhe më pas do t’ju kryqëzoj të gjithëve me radhë.”

125. Ata i thanë: “Me të vërtetë që ne po kthehemi te Zoti ynë.

126. Ndërsa ti shpërthen mbi ne me hakmarrje vetëm për atë se ne besuam në Ajetet e Zotit tonë kur këto mbërritën tek ne! Zoti ynë! Na dhuro durim dhe na bëj që të vdesim muslimanë.”

127. Të parët e popullit të Faraonit thanë: “A do ta lesh Musain dhe popullin e tij që të përhapë të keqen në tokë dhe të të braktisë ty dhe zotat e tu?” Ai (Faraoni) tha: “Do t’ua vrasim bijtë dhe do t’ua lëmë gjallë gratë dhe sigurisht që ne kemi fuqi të papërballueshme përmbi ta.”

128. Popullit të vet Musai i tha: “Kërkoni mbështetje tek Allahu dhe të jeni të duruar. Vërtet që toka është e Allahut. Ai ia trashëgon atë kujtdo që Ai dëshiron nga robët e Tij dhe fundi (i shkëlqyer) është për Muttekinët (të përkushtuarit ndaj Allahut në Besimin e Pastër Islam).”

129. Ata i thanë: “Ne (Bijtë e Israilit) kemi hequr shumë para se të vije ti, e edhe tani pasi që ke ardhur ti në mesin tonë.” Ai (Musai) u tha: “Mbase kjo është se Zoti juaj do të shkatërrojë armikun tuaj duke ju bërë ju trashëgues në tokë e t’ju shohë si do të veproni?”

130. Dhe me të vëretë Ne e shkatërruam popullin e Faraonit me vite thatësire dhe me zi drithërash e frutash, me qëllim që ata të mund të përkujtonin (të merrnin paralajmërimin dhe t’i thërrisnin mendjes).

131. Por kurdo që u vinte e mira, thoshin: “Kjo është në sajen tonë.” Ndërsa po t’i goditnin fatkeqësitë, këto ia mvishnin shenjave ogurzeza të lidhura me Musain dhe me ata që ishin me të. Kini mendjen! Me të vërtetë që shenjat ogurzeza janë vetëm tek Allahu (si të dojë Ai), por shumica prej tyre nuk e dinë.

132. Ata i thanë Musait: “Çfarëdo Ajetesh (prova, shenja) që ti të na sjellësh neve, që të punosh mbi ne magjinë tënde, ne nuk do të të besojmë ty.”

133. Kështu Ne dërguam mbi ta: përmbytjen, karkalecat, bretkocat dhe gjakun si vazhdimësi të shenjave të qarta, por prapëseprapë ata mbetën mospërfillës dhe të mbytur në mendjemadhësi dhe ishin nga ata njerëz të cilët janë Muxhrimunë (kriminelë, politeistë, mëkatarë).

134. Ndërsa kur u ra ndëshkimi në kokë, thanë: “O Musa! Lutju Zotit tënd për ne për Premtimin e Tij që të ka dhënë ty. Në qoftë se ti e largon ndëshkimin prej nesh, me të vërtetë që ne do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë edhe Beni Israilët të vijnë me ty.”

135. Por kur Ne e larguam ndëshkimin prej tyre për një afat të përcaktuar të cilin ata duhej ta mbërrinin, kur ç’të shohësh! Ata e thyen besën e dhënë!

136. Kështu që Ne u hakmorrëm mbi ta. Ne i fundosëm ata në det, sepse ata i mohuan Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet) dhe ishin mospërfillës ndaj tyre.

137. Dhe Ne e bëmë atë popull që quhej i dobët, të trashëgojë tokat në lindje ashtu edhe në perëndim të cilën Ne e kemi bekuar. Dhe Fjala e Nderit e Zotit tënd u plotësua për Bijtë e Israilit për durimin e tyre; dhe Ne i shkatërruam krejtësisht gjithë veprat e mëdha dhe ndërtimet madhështore që ngritën Faraoni dhe populli i tij.

138. Dhe Ne i sollëm të sigurt Bijtë e Israilit përmes detit derisa arritën te një popull i dhënë në adhurimin e idhujve. Ata thanë: “O Musa! Na bëj dhe ne një zot siç kanë edhe këta zotat e tyre.” Ai u tha: “Vërtet që ju jeni një komb që nuk dini.”

139. (Dhe shtoi): “Padyshim që këta njerëz do të shkatërrohen për çfarë po veprojnë (adhurimin e idhujve) dhe e gjitha kjo që po veprojnë është krejt boshe dhe e kotë.”

140. Ai (Musai) tha: “A të kërkoj për ju Ilah (të adhuruar) tjetër përveç Allahut, ndërkohë që Ai ju ka zgjedhur ju përmbi gjithë Alemin (njerëzit dhe xhindet e kohës)?”

141. Përkujtoni (edhe) kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit i cili po ju sprovonte ju me dënimin më të rëndë duke ju vrarë bijt tuaj e duke ju lënë gjallë gratë. Dhe këtu kishte një provë të madhe nga Zoti juaj.

142. Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë netë duke i shtuar edhe dhjetë të tjera dhe ai e plotësoi kohën e përcaktuar nga Zoti i tij prej dyzet netësh. Dhe Musai i tha vëllait të tij, Harunit: “Zëre vendin tim te populli im, vepro në Rrugën e Drejtë dhe mos ndiq rrugën e Mufsidunëve (keqbërësve, të atyre që bëjnë shkatërrime e krime).”

143. Dhe kur erdhi Musai në kohën dhe vendin e përcaktuar prej Nesh dhe atij i foli Zoti i tij, e ai tha: “Zoti im! M’u shfaq që të shoh Ty hapur.” Allahu tha: “Ti nuk më sheh dot Mua, por shiko malin, nëse ai do të mundet të qëndrojë në vendin e tij, atëherë ti do të Më shohësh Mua.” Kështu kur (Zoti ‘Azze ue Xhel.) u drejtua kah mali, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë hi e pluhur, ndërsa Musai ra pa ndjenja. Pastaj kur erdhi përsëri në vete, tha: “Lavdi të qoftë Ty! Të kthehem Ty me pendim dhe unë jam i pari i besimtarëve.”

144. (Allahu i) Tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi gjithë njerëzit me Mesazhet e Mia dhe me të Folurit Tim (me ty). Kështu pra, mbaje fort atë që të kam dhënë dhe ji prej falënderuesve.”

145. Dhe Ne shkruam për të në Pllaka mësimet për çdo gjë dhe shpjegimet për gjithçka (dhe i thamë): “Mbahu fort pas tyre dhe urdhëro popullin tënd të zbatojë e të kapë më të mirën prej tyre. Shpejt do të të tregoj vendbanimin e Fasikunëve (të pabindurve, të panënshtruarve ndaj Allahut).”

146. Unë do të largoj nga Ajetet e Mia (Vargjet e Kur’anit) ata të cilët do të sillen me kryelartësi e me kundërshti në tokë, por edhe sikur ata t’i shohin të gjitha Ajetet (provat, treguesit, shpalljet), ata prapë nuk do t’i besojnë. Edhe sikur ta shohin rrugën e drejtësisë (besimin vetëm në Allahun, përkushtimin, veprat e mira), ata përsëri nuk do ta bëjnë për vete këtë si Udhë (të tyren), por nëse ata shohin rrugën e gabuar (politeizmin, krimet, veprat e ulëta), kjo është udha që do ta përqafojnë, ngaqë ata i kanë hedhur tej Ajetet Tona (Fjalët, Shpalljet) dhe ishin krejt të pavëmendshëm për të nxjerrë mësime prej tyre.

147. Ata që i mohojnë Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet) dhe Takimin në Botën e Pastajme, veprat e tyre janë të kota. A mos vallë presin të shpërblehen me ndonjë gjë tjetër, përveç me atë çfarë kanë punuar vetë ata?

148. Ndërsa në mungesë të tij, populli i Musait bëri nga stolitë një trup viçi (për ta adhuruar atë). Kishte një zë (sikur pallte). A nuk e shihnin ata se ai as nuk u fliste atyre dhe as nuk i drejtonte në Udhë? Ata e morën atë për ta adhuruar dhe vërtet ata qenë Dhalimunë (keqbërës).

149. Dhe kur atyre u erdhi keq dhe panë se kishin gabuar rëndë, ata (u penduan e) thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal ne, vërtet që do të jemi prej të humburve.”

150. Dhe kur Musai u kthye te populli i tij i inatosur dhe i helmuar, tha: “O sa gjë e poshtër është puna që keni bërë në mungesën time (duke adhuruar viçin). A u nxituat dhe shpejt shkuat aq larg sa të gjykoni për Zotin tuaj (duke e lënë adhurimin e Tij)?” Pastaj i hodhi Pllakat dhe e kapi për flokë të kokës vëllain e tij dhe e tërhoqi pas vetes. Haruni i tha: “O biri i nënës sime! Vërtet që populli më quajti mua të dobët dhe gati më vranë, kështu që mos i bëj armiqtë e mi të qeshin me mua dhe mos më quaj mua se jam me popullin Dhalimun (keqbërës).”

151. Musai tha: “O Zoti im! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na shtjerë në Mëshirën Tënde, sepse Ti je më Mëshirëploti i mëshiruesve.”

152. Padyshim se ata të cilët morën viçin për ta adhuruar, ka për t’i përfshirë Zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi do t’i mbulojë në jetën e kësaj bote. Kështu i shpërblejmë Ne ata që shpifin e trillojnë.

153. Për ata që bënë vepra të ulëta dhe më pas u penduan dhe besuan, vërtet që pas gjithë kësaj Zoti yt është padyshim gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

154. Dhe kur iu qetësua zemërimi Musait, ai i mori Pllakat (që pat hedhur), dhe në shkrimet e tyre kishte udhëzime dhe mëshirë për ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre.

155. Kur Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë njerëz, më të mirët për vendin dhe kohën Tonë të përcaktuar për takimin, dhe kur ata u kapën nga një tërmet i rreptë, ai tha: “Zoti im, po të kishte qenë Vullneti Yt, Ti do të mund t’i kishe shkatërruar ata dhe mua që më parë. A do të na shkatërrosh Ti neve për veprat e të marrëve nga mesi ynë? Është vetëm Sprova Jote me anë të së cilës Ti humb kë të duash dhe mban në rrugën e udhëzuar kë Ti do. Ti je Mbrojtësi ynë, kështu që na fal ne dhe ki Mëshirë mbi ne, sepse Ti je më i Miri i falësve.

156. Dhe na urdhëro ne për mirësi në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Vërtet që ne të jemi kthyer Ty.” Ai (Allahu) tha: “(Sa për) Ndëshkimin Tim, Unë godas me të kë dua Unë, ndërsa Mëshira Ime përfshin gjithçka. Këtë (Mëshirë) Unë do ta përcaktoj për ata që janë Muttekunë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam) dhe që japin Zekatin dhe për ata që besojnë në Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet).

157. Ata të cilët ndjekin të Dërguarin, Pejgamberin që s’di as të shkruajë e as të lexojë (Muammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të cilin e gjejnë të shkruar në Teurat (Deut., XVIII 15) që e kanë në duart e tyre dhe në Inxhil (Xhon, XIV 16) - ai i udhëzon ata për El-Ma’ruf (Besimin e Pastër Islam në një Zot dhe gjithë rregullat e detyrimet e tjera të tij); i ndalon ata nga Al-Munker (mosbesimi, politeizmi i çdo lloji dhe gjithë ndalimet e tjera të Islamit); ai u lejon atyre si të ligjshme At-Tajjibat (gjithçka të mirë dhe të ligjshme për besimin, punët, njerëzit, ushqimet, sendet) dhe ua ndalon si të paligjshme Al-Khabaith (gjithçka të keqe dhe të palejueshme për besimin, punët, njerëzit, ushqimet); ai i çliron ata nga barrët e rënda (të Marrëveshjes së Allahut me Bijtë e Irailit) dhe nga prangat që qenë mbi ta. Ata që e besojnë atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që ndjekin Dritën (Kur’anin) e zbritur me të, mu këta janë më të fituarit.”

158. Thuaj (O Muhammed): “O njerëz! Vërtet që unë jam sjellë tek ju të gjithë si i Dërguar i Allahut - (Allahut) të Cilit i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës. La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhët të adhurohet përveç Atij). Është Ai që jep jetë dhe sjell vdekjen. Kështu pra, besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Pejgamberin që nuk di shkrim as këndim, i cili beson në Allahun dhe në Fjalët e Tij (Kur’anin, Teuratin, Inxhilin) dhe ndiqeni pra atë që të mund të jeni të udhëzuar.”

159. Dhe nga kombi i Musait ka një bashkësi të vogël e cila udhëheq me të vërtetën dhe vendos drejtësinë me anë të saj.

160. Dhe Ne i ndamë ata në dymbëdhjetë degë si kombe të dalluara mes tyre. Ne e drejtuam Musain me frymëzim (Hyjnor), kur populli i tij i kërkoi ujë, duke i thënë: “Qëllo gurin me shkopin tënd!” dhe që andej gurgulloi uji nga dymbëdhjetë burime: secili fis e dinte vendin e tij për ujë. Ne u bëmë hije atyre me re dhe u çuam atyre Al-Manna (rrëshirë e ëmbël si mjaltë) dhe Es-Selva (shkurtëza) duke u thënë: “Hani nga gjërat e lejuara e të mira me të cilat Ne ju kemi furnizuar.” Dhe ata nuk na bënë aspak keq Neve, por vetëm i bënë dëm vetvetes së tyre.

161. (Kujto) edhe kur atyre iu tha: “Banoni në këtë qytet (Jeruzalem) dhe hani aty çfarë të dëshironi, dhe thoni, ‘(O Allah) na i fal gjynahet tona’ dhe hyni te porta duke bërë sexhde (të nënshtruar e të bindur): Ne do t’jua falim juve punët e këqia që keni bërë; Ne do të shtojmë (shpërblimin) për mirëpunuesit.”

162. Por ata nga mesi i tyre të cilët vepruan të keqen, e ndryshuan fjalën e thënë atyre, kështu që Ne derguam mbi ta dënimin nga qielli si përgjigje për veprat e tyre që bënë si Dhalimunë (keqbërës e që kalojnë kufijtë e Allahut).

163. Pyeti ata (O Muhammed) edhe për qytetin në breg të detit, kur ata e tejkaluan cakun në çështjen e Sabathit (të së shtunës, kur e kishin të ndaluar peshkimin): kur të shtunën peshku u vinte hapur e plot dhe nuk u vinte në ditët tjera kur nuk kishin Sabath. Kështu Ne i sprovuam ata ngase gjithnjë ngrinin krye e nuk nënshtroheshin.

164. Dhe kur një grup prej tyre tha: “Përse i predikoni një populli të cilin Allahu shpejt do ta shkatërrojë apo ndëshkojë me dënim të ashpër?” (Predikuesit) thanë: “Që të jemi të liruar nga detyra dhe faji para Zotit tuaj dhe mbase mund t’i frikësohen Allahut.”

165. Kështu kur ata harruan paralajmërimet e bëra ndaj tyre, Ne i shpëtuam ata të cilët ndaluan të keqen, por Ne i kapëm ata që bënë të keqen me dënim të rreptë, sepse ata gjithnjë ngritën krye (e nuk iu bindën Allahut).

166. Në kohën kur ata i kaluan tej caqet nga të cilët ishin ndaluar, Ne u thamë atyre: “Bëhuni majmunë të përbuzur e të flakur.” (është një lajmërim i ashpër për njerëzimin që ata duhet t’i binden e t’i nënshtrohen Allahut).

167. (Kujto) edhe kur Zoti yt shpalli se Ai vazhdimisht do të çonte kundër tyre (jehudive) deri në Ditën e Kijametit ata të cilët do t’i sprovonin e do t’i goditnin me dënime poshtëruese. Vërtet që Zoti yt është i Shpejtë në Hakmarrje (ndaj të pabindurve dhe të djallëzuarve), por sigurisht që Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë (ndaj të bindurve, të nënshtruarve ndaj Tij dhe të cilët kërkojnë Falje vetëm prej Allahut dhe i kthehen Atij me pendim).

168. Kështu Ne i kemi copëtuar ata (jehuditë) grupe-grupe kudo nëpër botë, disa prej të cilëve të drejtë e disa larg prej saj. Ne i provuam ata edhe me të mirën edhe me të keqen, me qëllim që ata të mund të ktheheshin (në bindje ndaj Allahut).

169. Kështu pas tyre vijoi një brez (i poshtër), të cilët trashëguan Librin, por që zgjodhën për vete të mirat e kësaj bote mashtruese duke thënë (si shfajësim), “Çdo gjë do të na falet neve.” Edhe nëse përsëri do t’u dilnin përpara kotësi mashtruese të kësaj jete, ata përsëri do të kapeshin pas tyre (e do të bënin përsëri po ato vepra të ulëta e të liga). A nuk ishte besa e Librit që u muar prej tyre, se nuk do të thoshin asgjë tjetër veçse të vërtetën për Allahun? Ndërkohë ata kanë studiuar çfarë ka në të (Librin e tyre). Por Banesa e Botës së Pastajme është më e mirë për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). A nuk do të kuptoni pra?

170. Ndërsa për ata të cilët kapen fort pas Librit (duke vepruar sipas tij) dhe kryejnë me përpikmëri faljet e rregullta të përcaktuara, Ne kurrë nuk do ta kursejmë shpërblimin për ata që ndjekin drejtësinë.

171. (Përkujto) edhe kohën kur Ne ngritëm përmbi ta malin sikur të ishte tendë për hije dhe atyre iu duk se do të binte mbi kokat e tyre. (Ne u thamë): “Mbahuni fort pas asaj që Ne ju kemi dhënë (Teuratin) dhe mbani në mendje çfarë thuhet në të (e veproni sipas urdhëresave të tij), që të mund t’i frikësoheni Allahut dhe t’i nënshtroheni Atij.”

172. (Përkujtoni) edhe kohën kur Zoti yt bëri të lindë nga bijtë e Ademit, nga kërbishtja e tyre farën e tyre (ose nga kërbishtja e Ademit sollëm pasardhësit e tij) dhe i bëmë ata të dëshmojnë për veten e tyre (duke u thënë): “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, padyshim që edhe ne dëshmojmë!” (Kjo) që të mos thoni në Ditën e Ringjalljes: “Në të vërtetë ne nuk e kemi ditur këtë.”

173. Apo të mos thoni: “Vetëm baballarët tanë kohë më parë morën të tjerë si të barabartë në adhurim përkrah me Allahun dhe ne jemi thjesht pasardhësit e tyre. A do të na shkatërrosh atëherë ne për shkak të veprave të njerëzve që punuan Al-Batil (politeizëm, krime e mëkate duke adhuruar të tjerë përkrah e përveç Allahut)?” (Tefsir At-Tabari).

174. Në këtë mënyrë i shtjellojmë Ne Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) në imtësi, më qëllim që ata të mund të kthehen (tek e vërteta dhe të na drejtohen Neve).

175. Tregoju atyre (O Muhammed) ndodhinë e atij të cilit Ne i dhamë Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet), por ai i flaku ato tej, kështu që atë e ndoqi shejtani duke u bërë kështu i humbur.

176. Dhe po të kishim dashur Ne, padyshim që Ne do ta kishim ngritur që andej ku ra, por ai u kap pas kësaj bote dhe ndoqi dëshirat boshe të nepsit. Kështu shembulli i tij i ngjan atij të qenit: nëse e përzë, ai var gjuhën, por edhe nëse nuk e ngacmon, ai përsëri e nxjerr gjuhën jashtë. I tillë është edhe shembulli i popullit që mohon Ajetet Tona (provët, treguesit, shpalljet). Njohtoi pra ata me ndodhitë (e popujve të mëparshëm), mbase mund ta vrasin mendjen.

177. E keqja është mishërimi i popullit që mohon Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet) dhe që gjithnjë i bënë keq vetvetes së tyre.

178. Këdo që Allahu e drejton, ai vërtet është drejtuar dhe këdo Ai e humb, vërtet që këta janë të humburit.

179. Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhindet dhe njerëzit për Xhehenem. Ata kanë në vete zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë në vete sy me të cilët nuk shohin, ata kanë në vete veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëti. Jo, akoma më keq. Ata! Ata janë krejt të pamend e të hutuar.

180. Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta dhe largojuni shoqërisë së atyre të cilët i përgënjeshtrojnë Emrat e Tij. Ata shpejt do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.

181. Dhe prej atyre që Ne kemi krijuar, ka edhe njerëz që i udhëheqin (të tjerët) me të vërtetën dhe vendosin me anë të saj drejtësinë.

182. Ata që nuk pranojnë Ajetet Tona (treguesit, shpalljet), Ne pak nga pak do t’i mbërthejmë me dënim e nga rrugë që as nuk do ta kuptojnë.

183. Dhe Unë do t’u jap kohë. Padyshim që Plani Im është i fuqishëm.

184. A nuk mendojnë? Nuk ka aspak marrëzi te shoku i tyre (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ai nuk është veçse një këshillues i qartë.

185. A nuk shohin në sundimin e qiejve dhe të tokës dhe në çdo gjë që ka krijuar Allahu dhe se mbase fundi i jetës së tyre është fare afër? Në çfarë Fjale (Mesazhi) pas këtij, do të besojnë pra?

186. Dhe cilindo që Allahu e lë në humbje, askush nuk do të mund ta udhëzojë atë; dhe Ai i lë ata të enden të verbëruar në marrëzitë e tyre.

187. Të pyesin ty (O Muhammed) për Orën (Çastin e Fundit të kësaj bote dhe fillimin e Jetës së Pasosur): “Kur është përcaktuar koha e tij?” Thuaju: “Dija për të është Vetëm tek Zoti im. Askush nuk ta shpall kohën e tij përveç Atij. Vërtet e rëndë është barra e tij ndër qiejt dhe në tokë. Nuk do të vijë mbi ju, veçse në një çast krejt të papritur.” Të pyesin ty sikur të ishe i mirënjohur e me shumë dije rreth saj. Thuaj: “Dija e saj është vetëm tek Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

188. Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk kam asnjë fuqi përfitimi ose dëmtimi për veten time, por vetëm si të dojë Allahu. Po të kisha dijen e Gajbit (të së fshehtës), atëherë do të kisha shumëfishuar e shtuar për veten time një bollëk begatie dhe asnjë e keqe nuk do të më prekte. Unë jam vetëm një këshillues dhe përgëzues për popullin që beson.”

189. Është Ai (Allahu) i Cili ju ka krijuar prej një veteje (Ademit) dhe prej saj Ai krijoi palën e saj (Havanë), me qëllim që ai të shijonte kënaqësinë e jetës me të. Por nga pasardhësit e Ademit, kur dikush bën marrëdhënie me të (me bashkëshorten e tij), ajo mbetet me barrë dhe e ndjen atë të lehtë dhe pa e kuptuar. Pastaj kur ajo rëndohet, ata të dy i drejtohen Allahut, Zotit të tyre duke iu lutur: “Në qoftë se Ti na dhuron neve një fëmijë Salih (të mirë në të gjitha drejtimet), vërtet që ne do të jemi prej falënderuesve.”

190. Por kur Ai u dhuroi atyre një fëmijë Salih (të mirë në të gjitha drejtimet), ata i përshkruan shokë Atij (Allahut) në atë që Ai ua dhuroi atyre (këtyre mosbesimtarëve).(Dhuratën ia mveshën edhe të tjerëve, në lidhje me shkaqe e rrethana të tjera e jo si dhuratë vetëm prej Allahut). Por Allahu është i Lartë, i Madhëruar mbi çdo gjë që ia mveshin Atij si shokë. (Tefsir At-Tabari).

191. A i mveshin e i përshkruajnë ata shokë Allahut ato (gjëra, idhuj, zota) që nuk kanë krijuar kurrgjë, por përkundrazi vetë janë të krijuar?

192. Asnjë ndihmë nuk munden ato t’u japin atyre dhe as vetveten e tyre nuk e ndihmojnë dot aspak.

193. Edhe nëse i thirrisni në udhëzim, ata nuk ju ndjekin dhe nuk jua vënë veshin. Njësoj është për ju, si t’u bëni thirrje a të heshtni.

194. Sigurisht se ata që ju i lutni në vend të Allahut, ata vetë janë robër si dhe ju. Thirruni pra atyre dhe le t’u përgjigjen nëse jeni të drejtë.

195. A mos kanë ata këmbë që të ecin? Apo mos kanë duar që të mbajnë? Apo mos kanë sy që të shohin? Apo mos kanë veshë që të dëgjojnë? Thuaju (O Muhammed): “Thirrni (të ashtuquajturit) shokë (të Allahut) dhe thurrni plane kundër meje dhe mos më lini aspak kohë!

196. Vërtet Valiu (Mbrojtësi, Mbajtësi, Ushqyesi) im është Allahu, i Cili ka shpallur Librin (Kur’anin) dhe Ai i mbron dhe i ndihmon të drejtët.

197. Ndërsa ata të cilëve ju u drejtoheni në vend të Atij (Allahut), nuk ju ndihmojnë dot as ju dhe as veten e tyre.”

198. Dhe nëse ti i thërret ata në udhëzim, ata nuk dëgjojnë dhe i sheh që t’i lëshojnë sytë, por (në të vërtetë) ata nuk shohin.

199. Trego mëshirë dhe urdhëro mirësinë dhe largohu prej të paditurve.

200. Edhe nëse të vjen ndonjë pëshpëritje e ligë prej shejtanit, atëherë kërko mbrojtje e mbështetje tek Allahu. Vërtet Ai është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

201. Në të vërtetë ata që janë Al-Muttakun (të përkushtuar), kur u vjen ndonjë mendim i lig prej shejtanit, ata kërkojnë (Allahun) dhe vërtet që pas kësaj ata shohin (drejt).

202. Por sa për vëllezërit e tyre (shejtanët), ata (shejtanët) i zhysin gjithnjë e më thellë në të gabuarën dhe as që ndalen në këtë rrugë.

203. Dhe në qoftë se ti nuk u sjell atyre ndonjë mrekulli sipas mendimit e dëshirave të tyre, ata thonë: “Përse nuk na e ke sjellë atë?” Thuaju: “Unë vetëm ndjek çfarë më shpallet nga Zoti im. Ky Kur’an është vetëm dëshmi nga Zoti juaj dhe udhëheqje e mëshirë për popullin që beson.”

204. Dhe kur të lexohet Kur’ani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni, që të mund të fitoni mëshirë e të mëshiroheni.

205. Dhe kujtoni Zotin tuaj me fjalë dhe në vetvete, me përulje dhe me frikë e jo me zë të lartë në mëngjes e mbrëmje dhe mos u bëni të shkujdesur.

206. Vërtet ata që janë me Zotin tënd (melekët) kurrë nuk janë kryelartë për ta adhuruar Atë dhe ata madhërojnë Lavdinë e Tij dhe Atij ata i bien në sexhde.

Sure 8: El Enfal (Plaçka e luftës)

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Të pyesin ty (O Muhammed) për plaçkën e luftës, thuaju: “Plaçka e luftës është për Allahun dhe të Dërguarin.” Kijeni frikë pra Allahun dhe shkoni mirë me njëri-tjetrin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), në qoftë se jeni besimtarë.

2. E besimtarë janë vetëm ata të cilët, kur përmendet Allahu, ndjejnë frikë në zemrat e tyre dhe kur u lexohen Vargjet e Tij (Kur’ani), ato ua shtojnë edhe më Besimin; dhe ata i mbështeten vetëm Zotit të tyre;

3. Të cilët kryejnë me përpikmëri faljet e rregullta të përcaktuara (Ekimu - Salat) dhe që shpenzojnë nga ato gjëra me të cilat Ne i kemi furnizuar.

4. Të tillët janë besimtarët e vërtetë. Për këta do të ketë nderim të lartë me Zotin e tyre dhe Falje e Begati të nderuar (Kopshtet e Begatë të Xhennetit).

5. Siç të bëri Zoti yt ty (O Muhammed) të lësh shtëpinë tënde për të vërtetën; vërtet një pjesë prej besimtarëve nuk e pëlqeu këtë;

6. Duke u kundërshtuar me ty për të vërtetën, pasi ajo sigurisht ishte bërë krejt e qartë, sikur ata po çoheshin drejt vdekjes dhe ata po e shihnin atë.

7. (Përkujtoni) kur Allahu ju premtoi juve (muslimanëve) njërën nga dy grupet (e palës së armikut: ose ushtrinë ose karvanin) duhet të ishte i juaji, ju dëshiruat atë të paarmatosurin (karvanin) të ishte i juaji, por Allahu donte të përligjte të vërtetën sipas Fjalës së Tij dhe t’u priste rrënjët mosbesimtarëve (bëhet fjalë për Luftën e Bedrit).

8. Me qëllim që Ai të bënte që të ngadhënjente e vërteta dhe të asgjësonte të pavërtetën, edhe pse këtë e urrenin dhe ishte e hidhur për Muxhrimunët (mosbesimtarët, mëkatarët, kriminelët).

9. (Përkujtoni) kur ju kërkuat ndihmë te Zotit tuaj dhe Ai u përgjigj (duke ju thënë): “Do t’ju ndihmoj me njëmijë melekë radhë-radhë.”

10. Allahu nuk e bëri këtë për tjetër, vetëm si përgëzim e sihariq dhe që nga kjo zemrat tuaja të ishin të qeta. Dhe kurrë nuk ka fitore përveçse prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

11. (Përkujtoni) kur Ai ju mbuloi juve me një gjumë të ëmbël si siguri prej Tij dhe bëri të bjerë ujë (shi) mbi ju nga qielli që t’ju pastronte me të dhe të largonte prej jush Rixhs-in (pëshpëritjet dashakeqe të shejtanit) dhe t’ju forconte zemrat dhe që me të t’u mbështeteshin fort këmbët (e të qëndronit).

12. (Përkujto) kur Zoti yt i frymëzoi melekët: “Vërtet Unë jam me ju, mbani pra dhe jepuni forcë besimtarëve. Unë do t’ju fus tmerrin në zemër mosbesimtarëve, kështu që goditni në qafa dhe ua hiqni krejt gishtat (ua pritni duart e këmbët).”

13. Kjo për shkak se ata nuk përfillën dhe nuk iu bindën Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kushdo që nuk përfill dhe nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë me të vërtetë Allahu është i Ashpër në ndëshkim.

14. Ky është dënimi, pra shijoni atë dhe nuk ka aspak dyshim se për mosbesimtarët është dënimi i Zjarrit.

15. O ju që keni besuar! Kur të keni përballë në fushë të betejës një popull mohues, kurrë mos u ktheni shpinën atyre.

16. Dhe kushdo që u kthen shpinën atyre në një ditë të tillë - në qoftë se nuk është çështje dredhie mashtruese në luftë ose për t’u bashkuar me trupat e veta, atëherë me të vërtetë që ai ka tërhequr mbi vete zemërimin nga Allahu dhe vendbanimi i tij është Xhehenemi. Dhe vërtet i keq është fundi i tillë.

17. Nuk i vratë ju ata, por i vrau Allahu. Dhe nuk e hodhe ti (pluhurin në sytë e armikut, o Muhammed) kur e lëshove nga grushtet e tua, por e hodhi Allahu, që Ai të mund të provonte besimtarët me një sprovë të butë prej Tij. Me të vërtetë Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

18. Kjo është e vërteta dhe vërtet Allahu dobëson përbetimet mashtruese të mosbesimtarëve.

19. (O mosbesimtarë!) Në qoftë se kërkoni të gjykoni, tash gjykimi ka ardhur mbi ju dhe në qoftë se ndaloheni (nga të vepruarit keq), kjo do të jetë më mirë për ju, ndërsa po të ktheheni përsëri (në goditje), po kështu do të kthehemi edhe Ne dhe forcat tuaja do të jenë pa kurrfarë vlere për ju, sado të shumta të jenë ato; dhe sigurisht që Allahu do të jetë me besimtarët.

20. O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos i ktheni shpinën atij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kur i dëgjoni zërin.

21. Dhe mos u bëni si ata të cilët thanë, “Ne dëgjuam”, por në të vërtetë nuk dëgjojnë.

22. Vërtet që nga qeniet e gjalla më të këqijat tek Allahu janë ata të shurdhërit (që nuk dëgjojnë të vërtetën) dhe memecët (që nuk e thonë të vërtetën), ata që nuk kuptojnë (mosbesimtarët).

23. Po të dinte Allahu ndonjë të mirë tek ata, padyshim që Ai do t’i kishte bërë ata të dëgjojnë, por edhe sikur Ai t’i kishte bërë ata të dëgjonin, ata prapë vetëm se do të ishin larguar e do të ktheheshin përsëri tek e gabuara.

24. O ju që keni besuar! Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju thërret ju drejt asaj që do t’ju japë juve jetë dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Dhe vërtet tek Ai ju të gjithë do të mblidheni.

25. Dhe kini frikë Fitnen (sprovën, çrregullimin, sjelljen e fatkeqësive e mundimeve) e cila nuk dëmton vetëm ata që bëjnë keq (por ndikon mbi të gjithë, të mirë e të këqinj) dhe dijeni se Allahu është i Ashpër në ndëshkim.

26. Kujtoni edhe kohën kur ishit fare pak dhe cilësoheshi si të dobët në tokë dhe kishit frikë se njerëzit mund t’ju rripnin e t’ju gllabëronin, por Ai gjeti për ju vend të sigurt dhe ju forcoi me Ndihmën e Tij dhe ju furnizoi me të mira që të mund të falënderoni.

27. O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, as mos e tradhtoni me dashje amanetin (mos shpërdoroni atë që ju është besuar dhe gjithë detyrimet që ju ka caktuar Allahu).

28. Dhe dijeni se pasuritë dhe fëmijët tuaj janë veçse provë për ju dhe se vërtet me Allahun është shpërblimi i madh.

29. O ju që keni besuar! Në qoftë se i nënshtroheni Allahut dhe e keni frikë Atë, atëherë Ai do t’ju garantojë juve një Furkan (parim për të gjykuar mes së drejtës dhe të gabuarës ose Makhaxh - që ju hap rrugë për të dalë nga çdo vështirësi), t’ju fshijë të gjitha gjynahet dhe t’ju falë ju. Dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i Mirësive të Mëdha.

30. (Kujto) edhe kur mosbesimtarët thurën komplot kundër teje (O Muhammed) për të të mbajtur ty në pranga, për të të vrarë ose për të të përzënë nga shtëpia jote (Meka); ata po kurdisnin plan, por edhe Allahu po thurte plan dhe (padyshim që) Allahu është më i Miri i planifikuesve.

31. Dhe kur atyre u lexohen Ajetet Tona, thonë: “Ne e kemi dëgjuar këtë (Kur’an). Po të duam, edhe ne mund të themi njësoj. Ky nuk është gjë tjetër, veçse përralla të të parëve.”

32. (Kujto) edhe kur thanë: “O Allah! Në qoftë se ky (Kur’an) është padyshim e vërteta e shpallur prej Teje, atëherë derdh mbi ne breshër gurësh nga qielli ose lësho mbi ne dënim të dhimbshëm.”

33. Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, kur ti (Muhammed) je mes tyre, as nuk do t’i ndëshkonte ndërkohë që kërkojnë Faljen (e Allahut).

34. E përse nuk duhet t’i ndëshkojë ata Allahu ndërkohë që ata i ndalojnë njerëzit nga El-Mesxhid El-Haram (Xhamia e Shenjtë, Kaba në Mekë) dhe ata nuk janë kujdestarët e saj? Askush nuk mund të jetë roje e saj përveç Muttekinëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam), por shumica e tyre nuk e dinë.

35. Falja e tyre në Shtëpinë (Kabë) nuk ishte tjetër veçse fërshëllimë dhe duartrokitje. Kështu pra, shijoni dënimin, sepse gjithnjë nuk besuat.

36. Vërtet ata që mohojnë, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar njerëzit nga Rruga e Allahut dhe kështu do të vazhdojnë ta shpenzojnë, por në fund do të jetë dhimbje për ta dhe ata që nuk besuan, në Xhehenem do të grumbullohen.

37. Me qëllim që Allahu të dallojë të poshtrit nga të mirët dhe që t’i vërë të poshtrit palë-palë, t’i bëjë ata pirg e t’i flakë të gjithë në Xhehenem. Mu këta janë ata të humburit.

38. Thuaju atyre që nuk besuan, në qoftë se ndalohen (nga rruga e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara e tyre, por nëse i kthehen atij (mosbesimit), atëherë shembujt (e të ndëshkuarve) para tyre tashmë kanë paraprirë (si këshillim për ta).

39. Dhe luftoji ata derisa të mos ketë më Fitneh (mosbesim, politeizëm) dhe feja e adhurimi të jetë plotësisht vetëm për Allahun. Por nëse ata ndalohen (nga adhurimi i të tjerëve në vend të Allahut), atëherë padyshim që Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ata bëjnë.

40. Dhe në qoftë se ata nuk pranojnë, atëherë dije se Allahu është Meula (Zot, Mbrojtësi, Mbështetësi) për ty. Sa Meula i Shkëlqyer dhe sa Ndihmues i Shkëlqyer!

Pjesa 10

41. Dijeni edhe se çdo gjë nga plaçka e luftës që ju mund të fitoni, një e pesta e saj është përcaktuar për Allahun dhe për të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe të afërmit e tij si dhe për jetimët, për të varfrit që lypin dhe për udhëtarin, në qoftë se ju vërtet keni besuar në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi zbritur robit Tonë (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në Ditën e së Vërtetës, Ditën kur u takuan dy forcat (flitet për luftën e Bedrit); dhe Allahu është i Zoti për të bërë gjithçka.

42. (Pëkujtoni edhe) kohën kur ju (ushtria muslimane) ishit afër luginës, ndërsa ata në anën tjetër, ndërsa karvani në fund të saj, më poshtë se ju. Edhe sikur të kishi vendosur që më parë për një takim mes jush, padyshim që do të kishit dështuar në takim, por (ju u takuat) që Allahu të mund ta përmbushte një çështje të përcaktuar që më parë. Në këtë mënyrë ata që do të thyheshin (për shkak të mospranimit të Besimit), të mund të shkatërroheshin pas një prove të qartë dhe ata që do të jetonin (besimtarët), të mund të jetonin pas një prove të qartë. Dhe në të vërtetë Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

43. (Kujto edhe) kohën kur Allahu t’i shfaqi ata ty në ëndërr si fare pak. Në qoftë se Ai do t’ua kishte shfaqur ata si të shumtë, padyshim që do të ishit ftohur dhe padyshim që do të kundërshtoheshit për të vendosur. Por Allahu ju shpëtoi ju. Vërtet Ai është i Gjithëditur për gjithçka që është në gjokse.

44. (Përkujto) edhe kohën kur ju patët përballë (ushtrinë e mohuesve në Ditën e Luftës së Bedrit), Ai ju paraqiti juve ushtrinë e tyre si të vogël në sytë tuaj dhe ju si të paktë në sytë e tyre, me qëllim që Ai të përmbushte një çështje të urdhëruar që më parë. Dhe tek Allahu kthehen të gjitha punët (për vendim).

45. O ju që keni besuar! Kur të takoheni me forcat (armike), qëndroni fort përballë tyre dhe kujtoni fort Emrin e Allahut (me gojë e me zemër) që të jeni me të vërtetë të fituar.

46. Bindjuni edhe Allahut edhe të Dërguarit të Tij, mos u kundërshtoni (me njëri-tjetrin) që të mos humbni kurajon dhe të mos ju lënë fuqitë dhe jini të duruar e të qetë. Vërtet që Allahu është me të duruarit.

47. Dhe mos u bëni si ata që dalin nga shtëpitë e tyre me mburrje dhe për t’u dukur në sytë e njerëzve dhe që i pengojnë njerëzit nga Udha e Allahut. Dhe Allahu është Muhit (që rrethon e përfshin plotësisht) për gjithçka që ata veprojnë.

48. (Kujto) edhe kur shejtani ua bëri t’u duken veprat e tyre (të poshtra) si të drejta si dhe duke u thënë atyre: “Askush nga njerëzimi nuk mund t’ju thyejë juve këtë ditë (në Luftën e Bedrit) dhe vërtet që unë jam pranë jush (me çdo lloj ndihme).” Por kur dy forcat u dukën përballë njëra-tjetrës, ai (shejtani) ia mbathi dhe u tha: “Me të vërtetë unë shoh atë që ju nuk e shihni! Vërtetë që e kam frikë Allahun, pasi Allahu është i Ashpër në ndëshkim.”

49. Kur hipokritët dhe ata me sëmundje (të mosbesimit) në zemra, thanë: “Këta njerëz (muslimanët) i ka mashtruar feja e tyre.” Por kushdo që mbështetet vetëm tek Allahu, atëherë padyshim që Allahu është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

50. Dhe sikur t’i shihje kur melekët u marrin shpirtin atyre që nuk besojnë (në çastin e vdekjes), si i godasin në fytyrë dhe trup (kurriz), (duke u thënë): “Shijoni dënimin e Zjarrit që flakëron.

51. Gjithë kjo nga ajo që kanë sjellë duart tuaja përpara jush. Dhe me të vërtetë që Allahu nuk është i padrejtë ndaj robëve të Vet.”

52. Njësoj si populli i Faraonit dhe i të tjerëve para tyre: Ata i mohuan Ajetet e Allahut, kështu që Allahu i ndëshkoi ata për krimet (mëkatet) e tyre. Vërtet që Allahu është i Gjithëfuqishëm, i Ashpër në ndëshkim.

53. Kjo ngaçë Allahu kurrë nuk do ta ndryshojë një mirësi të cilën Ai e ka dhuruar te një popull derisa ata të ndryshojnë çfarë ka në vetveten e tyre dhe sigurisht që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

54. Njësoj si populli i Faraonit dhe i të tjerëve para tyre: Ata i përgënjeshtruan Ajetet e Zotit të tyre, kështu që Ne i shkatërruam ata për krimet (mëkatet) e tyre dhe Ne e fundosëm popullin e Faraonit, sepse ata të gjithë ishin Dhalimunë (politeistë, mohues, keqbërës).

55. Vërtet që nga të gjallët më të urryerit tek Allahu janë ata që mohojnë, kështu që ata nuk do të besojnë.

56. Këta janë ata me të cilët ju lidhët marrëveshje, por ata çdo herë e thejnë besën e tyre dhe nuk e kanë frikë aspak Allahun.

57. Kështu që, nëse ju i vini poshtë ata në luftë, i ndëshkoni me ashpërsi me qëllim që të tmerrohen e të shpërndahen ata pas tyre dhe që të marrin mësim.

58. Në qoftë se ti (O Muhammed) ke frikë nga tradhtia e çfarëdo populli, ktheju prapa (marrëveshjen) atyre që të jeni të barabartë (që të mos ketë më marrëveshje mes teje dhe atyre). Vërtet që Allahu nuk i do tradhëtarët.

59. Dhe mos i lër ata që nuk besojnë të mendojnë se mund t’ia hedhin (pa u ndëshkuar). Në të vërtetë ata kurrë nuk do të munden të shpëtojnë vetveten (nga Ndëshkimi i Allahut).

60. Dhe bëni gati kundër tyre gjithë fuqitë që keni, bashkë me kalorinë (dhe me mjetet e sotme më të përkryera për luftë) për ta frikësuar armikun e Allahut dhe tuajin si dhe të tjerët përveç këtyre, të cilët ju mund të mos i njihni, por që Allahu i njeh mjaft mirë. Dhe çfarëdo që të shpenzoni në Çështjen e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe asnjë padrejtësi nuk do t’i bëhet askujt prej jush.

61. Por nëse ata anojnë kah paqja, anoni edhe ju nga ajo dhe mbështetuni plotësisht tek Allahu. Vërtet Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

62. Dhe nëse ata duan të të mashtrojnë ty, atëherë sigurisht që më se i Mjaftueshëm për ty është Allahu; është Ai i Cili të ka mbështetur ty me Ndihmën e Tij (të pakursyer) dhe me besimtarët.

63. Dhe Ai i ka bashkuar zemrat e besimtarëve. Sikur ti të kishe shpenzuar gjithë ç’ka në tokë, nuk do të kishe lidhur aq fort zemrat e tyre, por është Allahu që i bëri bashkë ato. Nuk ka dyshim se Ai është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

64. O Pejgamber! Allahu është më se i Mjaftueshëm për ty dhe për besimtarët që të ndjekin ty.

65. O Pejgamber! Nxiti besimtarët të luftojnë. Në qoftë se ka njëzet të vendosur nga mesi i juaj, ata do të mundin dyqind dhe nëse ka njëqind të vendosur, ata do të mposhtin njëmijë nga mosbesimtarët, sepse këta (mosbesimtarët) janë popull që nuk merr vesh.

66. Tash Allahu e ka lehtësuar detyrën tuaj, pasi Ai e di se ka dobësi në mesin tuaj. Kësisoj, nëse nga mesi juaj janë njëqind të palëkundur, ata do të thyenin dyqind dhe po të kishte prej jush një mijë, ata do të sfidonin dy mijë me Lejen dhe Vullnetin e Allahut. Dhe Allahu është me të duruarit.

67. Nuk i shkon një Pejgamberi që ai të ketë robë lufte (por liroji ata me shpërblim), ndërkohë që ai preu aq shumë (nga armiqtë e tij) në tokë. Ju lakmoni të mirën e kësaj bote (paratë, shpërblimin për lirimin e robëve), por Allahu dëshiron për ju Jetën e Fundit dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

68. Po të mos kishte qenë një urdhër i paraprirë nga Allahu, do t’ju kishte zënë një dënim i ashpër për atë (shpërblim) që morët.

69. Kështu që kënaquni me çfarë morët si plaçkë lufte, të ligjshme dhe të mirë dhe kijeni frikë Allahun. Vërtet Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

70. O Pejgamber! Thuaju robëve që i keni në duart tuaja: “Po të dijë Allahu ndonjë të mirë (besim të drejtë e të sinqertë) në zemrat tuaja, Ai do t’ju japë juve diçka më të mirë se ajo që ju është marrë dhe Ai do t’ju falë ju. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

71. Por në qoftë se ata mundohen të të tradhëtojnë ty, ata vërtet që e kanë tradhëtuar Allahun. Kështu që Ai tashmë të dha forcë mbi ta. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

72. Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe migruan dhe që u përpoçën fort dhe që luftuan me pasurinë e me jetën e tyre në Çështjen e Allahut, si edhe ata që u dhanë atyre strehim e ndihmë - të gjithë këta janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit. Sa për ata që besuan, por nuk u shpërngulën (tek ti o Muhammed), ti nuk u detyrohesh atyre për t’i mbrojtur, deri sa edhe ata të migrojnë, por në qoftë se kërkojnë ndihmën tënde në fe, është detyrë e jotja t’i ndihmosh ata, përveç kundër atij populli me të cilët ti ke marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ju bëni.

73. Edhe ata që mohojnë janë ndihmës e mbrojtës të njëri-tjetrit. Edhe ju (muslimanë kudo që të jeni) në qoftë se nuk bëni kështu (nuk jeni ndihmës e mbrojtës të njëri-tjetrit, të bashkuar në një, me një Khalif - prijës musliman për mbarë botën Islame për ta bërë fitimtare Fenë e Allahut), (atëherë) në tokë do të kishte Fitneh (trazira, luftë, mosbesim, politeizëm, sprovime, ligësi, djallëzi) dhe Fesad (shkatërrim, korrupsion i madh, shfaqje dhe përhapje politeizmi).

74. Ndërsa ata që besuan dhe migruan dhe luftuan fort në Çështjen e Allahut (Xhihad), si edhe ata të cilët u dhanë atyre strehim e ndihmë - këta janë me të vërtetë besimtarët e merituar, për ta do të ketë Falje të madhe dhe Rizkun Kerim (Begati të Lartë, Kopshtet e Begatë të Xhennetit).

75. Edhe ata që besuan më pas dhe migruan dhe që luftuan fort bashku me ju (në Çështjen e Allahut), edhe ata janë me ju. Por farefisi i gjakut është më i afërt me njëri-tjetrin dhe ka përparësi (në trashëgim) në Urdhërin e përcaktuar nga Allahu. Vërtet Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë.

Sure 9: Teube (Pendimi)

1. Lirim nga të gjitha detyrimet (ju shpallet) nga Allahu dhe i Dërguari i Tij mbi ata Mushrikë (politeistë, paganë, mosbesimtarë të Njësisë së Allahut) me të cilët ju bëtë marrëveshje të ndërsjellë.

2. Udhëtoni pra të lirë (o mushrikë) për katër muaj, si të doni e nga të doni në tokë, por dijeni mirë se nuk mund t’i shpëtoni (ndëshkimit të) Allahut dhe është e vërtetë se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit.

3. Dhe një shpallje e hapur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për mbarë njerëzimin në ditën më të madhe (dita e dhjetë e Dhil-Hixhes - muajit të dymbëdhjetë të kalendarit Islam), se Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të lirë nga çdo detyrim ndaj mushrikëve. Kësisoj, në qoftë se ju (mushrikë) pendoheni, kjo është më e mirë për ju, por në qoftë se ktheni shpinën, atëherë kijeni të qartë se nuk mund t’i shpëtoni (ndëshkimit të) Allahut. Dhe përgëzoi ata që mohuan për ndëshkimin e dhimbshëm.

4. Përveç atyre mushrikëve (idhujtarëve) me të cilët keni marrëveshje, e të cilët nuk të kanë zhgënjyer më pas në asgjë dhe që nuk kanë ndihmuar askend kundër jush, kështu që përmbushni marrëveshjen e paqes me ta deri në afatin e caktuar. Vërtet që Allahu i do Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam).

5. Kur të kenë kaluar Muajt e Shenjtë (i pari, i shtati, i njëmbëdhjeti dhe i dymbëdhjeti i kalendarit Islam), atëherë i vritni mushrikinët kudo që t’i gjeni, i zini ata, i rrethoni dhe jini të përgatitur për çdo lloj të papriture. Por në qoftë se ata pendohen dhe kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore, japin Zekatin, atëherë ua lini rrugën të lirë. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

6. Dhe në qoftë se ndonjë prej mushrikëve (idhujtarëve) kërkon mbrojtjen tënde, atëherë siguroi atij strehim, me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut (Kur’anin), dhe pastaj përcilleni në vend të sigurt, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.

7. Si mund të ketë marrëveshje tek Allahu dhe i Dërguari i Tij për mushrikët, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë Mesxhidi Haramit (Xhamisë së Shenjtë, Kabës në Mekë)? Për sa kohë që ata të jenë besnikë ndaj jush, edhe ju u qëndroni besnikë atyre. Vërtet Allahu i do Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam).

8. Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush lidhjet që patët me ta, as të farefisit dhe as të marrëveshjes së arritur mes jush? Me gojën e tyre ata ju bëjnë lajka, por zemrat e tyre janë kundërsh jush dhe shumica e tyre janë Fasikunë (të panënshtruar e të pabindur ndaj Allahut).

9. Ata i shkëmbyen Ajetet e Allahut për një vlerë fare të vogël dhe penguan shumë (njerëz) nga Rruga e Tij. Vërtet e poshtër është puna që ata gjithnjë bënë.

10. Në drejtim të besimtarit, ata nuk i respektojnë lidhjet, as të farefisit e as të marrëveshjes! Dhe janë ata që tejkalojnë të gjitha caqet.

11. Por në qoftë se ata pendohen, kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore dhe japin Zekatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Kësisoj Ne i shtjellojmë Ajetet në imtësi për njerëzit që kuptojnë.

12. Por në qoftë se ata i thyejnë betimet pas besës së dhënë dhe e sulmojnë fenë tuaj me tallje e shpifje, atëherë i luftoni të parët e mosbesimtarëve, pasi padyshim, betimet ata nuk i kanë hiç për gjë, që të mund të ndalen (nga veprat e tyre të liga).

13. A nuk do t’i luftoni ata njerëz të cilët kanë shkelur betimet e tyre dhe u munduan ta përzënë të Dërguarin, ndërkohë që ishin ata që ju sulmuan të parët? A i keni frikë ata? Allahu ka më shumë të drejtë që ju duhet t’i frikësoheni vetëm Atij, në qoftë se jeni besimtarë.

14. I luftoni ata, ndërsa Allahu do t’i ndëshkojë ata me duart tuaja dhe t’i poshtërojë, t’ju japë juve fitore mbi ta dhe të shërojë gjokset e popullit besimtar.

15. Dhe të largojë inatin e zemrave të tyre (të besimtarëve). Allahu ia pranon pendimin atij që do Ai dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

16. A mos menduat se do të mbeteni anash (pa u provuar), dhe pa u sqaruar tek Allahu ata që u përpjekën fort, që luftuan dhe që nuk zgjedhën Velixhah (ndihmues, këshillues, miq, udhëzues nga paganët e mosbesimtarët e t’ju japin atyre të fshehtat) tjetërkënd përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve? Dhe Allahu është në Dijeni të Plotë për gjithçka që ju veproni.

17. Nuk është për Mushrikët (politeistët, mohuesit, mosbesuesit e Njësisë së Allahut) të përkujdesen për Xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në Zjarr.

18. Xhamitë e Allahut do të mirëmbahen vetëm nga ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore, që japin Zekatin dhe që kanë frikë vetëm Allahun. Mu këta janë ata në udhëzim të vërtetë.

19. A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe mirëmbajtjen e Xhamisë së Shenjtë njësoj me vlerën e atyre që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që përpiqen fort e luftojnë në Çështjen e Allahut? Ata nuk janë të barabartë tek Allahu. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalim (politeist e keqbërës).

20. Ata që besuan, që migruan, që u përpoqën dhe që luftuan për Çështjen e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre, janë në shkallë tepër të lartë para Allahut. Ata janë të fituarit.

21. Zoti i tyre i përgëzon ata me Mëshirë prej Tij dhe se Ai është i kënaqur (me ta) si dhe sihariqin e Kopshteve të Begatë për ta, ku ka kënaqësi të pasosura.

22. Ata do të banojnë atje përherë. Vërtet që me Allahun është shpërblim i madh.

23. O ju që keni besuar! Mos i merrni për Eulija (mbrojtës e ndihmues) baballarët tuaj dhe vëllezërit tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin mbi Besimin. Dhe kushdo prej jush që vepron kështu, atëherë ai është prej Dhalimunëve (keqbërësve, të gabuarve).

24. Thuaju (O Muhammed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).”

25. Vërtet që Allahu tashmë ju ka dhënë juve fitore në shumë beteja dhe në Ditën e (luftës së) Hunejnit, kur ju u gëzuat me numrin e madh të radhëve tuaja, por ai nuk ju solli kurrfarë dobie dhe toka e paanë siç është, u ngushtua për ju, pastaj ju kthyet shpinën dhe ia mbathët.

26. Pastaj Allahu zbriti qetësinë dhe sigurinë tek i Dërguari (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe mbi besimtarët, dërgoi edhe forca (melekë) që ju nuk i patë dhe i ndëshkoi mosbesimtarët. I tillë është shpërblimi i mosbesimtarëve.

27. Pastaj Allahu do të pranojë pendimin e atij që Ai do. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

28. O ju që keni besuar! Vërtetë që Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) janë nexhesunë (të ndyrë), andaj pas këtij viti, mos i lejoni t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë (Kabës në Mekë). Edhe po të keni frikë urinë, Allahu do t’ju pasurojë ju nga Begatitë e Tij, nëse Ai do. Sigurisht Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

29. Luftoni kundër atyre të cilët nuk besojnë Allahun, as Ditën e Fundit, që nuk heqin dorë nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, kundër atyre nga popujt e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) që nuk pranojnë fenë e së vërtetës (Islamin), derisa ata ta paguajnë Xhizjen (taksë e mbledhur nga popullsia jomuslimane e cila është nën pushtetin dhe mbrojtjen e shtetit musliman) me vullnet dhe përulje dhe ta ndjejnë veten të nënshtruar.

30. Dhe jehuditë thonë: “Uzejri është biri i Allahut,” dhe të krishterët thonë: “Mesihu është biri i Allahut.” Kjo është thënie prej gojës së tyre dhe veprojnë njësoj si mosbesimtarët e kohëve të mëparshme. Mallkimi i Allahut qoftë mbi ta! Si janë mbajtur me gënjeshtra larg së vërtetës!

31. Ata (jehuditë dhe të krishterët) morën rabinët dhe murgjit e tyre si perëndi të tyre në vend të Allahut (duke iu bindur atyre në gjërat që i bënë ata vetë të ligjshme ose të paligjshme sipas dëshirave të tyre pa u urdhëruar nga Allahu dhe në kundërshtim me Ligjet e Allahut), (morën për Zot të tyre) edhe Mesihun, birin e Merjemes, ndërkohë që ata (jehuditë dhe të krishterët) qenë urdhëruar (në Teurat dhe Inxhil) të mos adhurojnë kënd tjetër por vetëm Një Ilah (një të adhuruar të vetëm - Allahun), La ilahe il-la Huve (Askush nuk meriton, nuk ka të drejtë e nuk duhet të adhurohet përveç Atij) Lavdi e Madhështi i qoftë Atij. (I Lartë është Ai) nga të pasurit shokë ato që ata ia mveshin Atij!

32. Ata (mosbesimtarët, jehuditë dhe të krishterët) duan ta shuajnë Dritën e Allahut (me të cilën është dërguar Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem (Islamin) me gojën e tyre, por Allahu nuk do ta lejojë këtë, përkundrazi Drita e Tij do të përsoset, edhe pse Kafirët (mohuesit) e urrejnë (këtë).)

33. Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin) për ta nxjerrë atë përmbi të gjitha fetë, edhe pse Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) e urrejnë (këtë).

34. O ju që keni bësuar! Vërtet një shumicë e parisë fetare të jehudive dhe të krishterëve, e glabërojnë pasurinë e njerëzve me mashtrime dhe i pengojnë ata nga Rruga e Allahut (nga Islami). Dhe atyre që grumbullojnë pasuri në ar e argjend (para, pasuri për të cilën nuk paguajnë Zekat) dhe nuk e shpenzojnë në Rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhimbshëm.

35. Atë Ditë kur ai (Kanz: para, ar, argjend që nuk i është dhënë Zekati) do të nxehet fort në Zjarrin e Xhehenemit dhe me të do të damkoset balli i tyre, krahët e tyre dhe shpina e tyre (duke u thënë): “Ky është thesari të cilin ju e grumbulluat (dhe e varrosët) për veten tuaj. Tani shijoni (thesaret) që grumbulluat.”

36. Vërtet që numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj në vit, ashtu siç u urdhërua nga Allahu Ditën kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; nga këta, katër janë të Shenjtë. Kjo është feja e drejtë dhe mos i bëni padrejtësi vetes suaj në ta dhe luftoni kundër Mushrikëve të bashkuar siç ju luftojnë edhe ata juve të bashkuar, por dijeni se Allahu është me Muttekunët (të përkushtuarit ndaj Allahut në Besimin e Pastër Islam).

37. Shtyerja e afatit (të Muajit të Shenjtë) është vërtet një shtim në mosbesim. Me këtë mosbesimtarët janë të humbur, sepse e bëjnë të ligjshëm një vit dhe e ndalojnë një vit tjetër me qëllim që të rregullojnë numrin e muajve të ndaluar nga Allahu dhe të bëjnë të ndaluarit të ligjshëm. Ligësia e veprave të tyre u është shtirur sikur të jenë të drejta. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin mosbesimtar.

38. O ju që keni besuar! Çështë me ju, pasi kur ju kërkohet të marshoni në Çështjen Allahut (Xhihad), ju nuk shkuleni nga vendi? A mos vallë jeni më të kënaqur me jetën e kësaj bote se sa me Jetën e Pastajme? Por vërtet e vogël është kënaqësia e jetës së kësaj bote e krahasuar me Jetën e Pastajme.

39. Nëse ju nuk marshoni përpara, Ai do t’ju ndëshkojë ju me një dënim të dhimbshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, dhe ju nuk mund t’i sillni aspak dëm Atij. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

40. Në qoftë se ju nuk e ndihmoni atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), (është njëlloj) pasi është Allahu që vërtet e ndihmoi atë, kur e dëbuan mohuesit vet të dytin dhe kur ata (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe Ebu Bekri radijAllahu ‘anhu.) të dy ishin në shpellë dhe ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha shokut të tij (Ebu Bekrit radijAllahu ‘anhu.): “Mos u mërzit. Sigurisht që Allahu është me ne.” Pastaj Allahu dërgoi Sekinah (paqën dhe qetësinë) e Tij mbi të dhe i dha forcë atij (me melekë) të cilët ju nuk i patë, dhe e bëri fjalën e mosbesimtarëve më të poshtëruarën, ndërsa ishte Fjala e Allahut që është më e lartësuara dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

41. Ecni përpara qoftë kur e keni të lehtë (jeni të shëndoshë, në moshë, të pasur, të armatosur) ose të rëndë (të sëmurë, të moshuar, të varfër, pa mjete) dhe përpiquni fort me pasurinë tuaj dhe me jeten tuaj në Çështjen e Allahut. Kjo është më e mira për ju, veç sikur ta dinit.

42. Sikur të ishte një fitim i afërt dhe udhëtim i lehtë, ata (hipokritët) do të vinin pas teje, por për ta ishte largësi e vështirë. Ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim pasur mundësi, do të dilnim me ju.” Ata shkatërrojnë veten e tyre dhe Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.

43. Allahu të faltë (O Muhammed)! Përse u dhe leje atyre (të ngelin pa dalur në Xhihad), përderisa ata e treguan të vërtetën, u panë mjaft qartë prej teje dhe ti i njohe gënjeshtarët?

44. Ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, nuk duhet të të kërkonin leje për t’u çliruar nga detyrimi për të luftuar me pasurinë dhe jeten e tyre. Dhe Allahu është i Gjithëdituri për ata që janë Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam).

45. Janë vetëm ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe ata, zemrat e të cilëve janë në dyshim, që të kërkojnë leje (që të çlirohen nga detyrimi i Xhihadit). Kështu ata lëkunden në dyshimet e tyre.

46. Sikur të kishin ndër mend që të dilnin për Xhihad, padyshim që do të kishin bërë ndonjë përgatitje për të, por Allahu nuk dëshironte nisjen e tyre, kështu që Ai i bëri të mbeten pas duke u thënë (atyre): “Rrini me ata që rrinë (fëmijët, gratë e pleqtë).”

47. Po të kishin dalë ata me ju, ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresë dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t’ju turbullojnë; dhe ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. Allahu është i Gjithëditur për Dhalimunët (politeistët, keqbërësit).

48. Vërtët që edhe më parë ata menduan përçarjen tuaj dhe jua prishën punët tuaja, derisa erdhi e vërteta (fitorja) dhe u duk qartë Vendimi i Allahut edhe pse ata e urrenin atë.

49. Prej tyre është edhe ai që thotë: “Më lejo mua (të lirohem nga detyrimi i Xhihadit) dhe mos më gjyko.” Padyshim që ata kanë rënë në gjykim dhe vërtet Xhehenemi po i rrethon mosbesimtarët.

50. Po të të bjerë ty ndonjë e mirë (në luftë), kjo i pikëllon ata, por nëse të zë ndonjë fatkeqësi, ata thonë: “Ne i morëm masat tona që më parë,” dhe kthejnë shpinën duke qenë të gëzuar.

51. Thuaj: “Kurrë nuk do të na ndodhë gjë neve, përveçse çfarë Allahu ka përcaktuar për ne. Ai është Meula (Zot, Ndihmës e Mbrojtës) për ne.” Dhe tek Allahu le të mbështeten plotësisht besimtarët.

52. Thuaj: “A mos prisni për ne (gjë tjetër) përveç njërës prej dy më të mirave (rënien shehid ose fitoren)? Ndërsa ne për ju presim ose që Allahu t’ju mundojë me dënim prej Tij, ose nga duart tona. Prisni pra, se edhe ne po presim bashkë me ju.”

53. Thuaj: “Shpenzuat ju (për Çështjen e Allahut) me dëshirë a pa dëshirë, ajo nuk do t’ju pranohet juve. Vërtet që ju gjithnjë jeni njerëz Fasikun (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).”

54. Asgjë tjetër nuk pengon që t’u pranohet ndihmesa e tyre, përveç asaj se ata nuk besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se nuk erdhën në falje (të Namazit) veçse me përtesë, edhe për atë se ndihmesën e tyre e japin krejt pa dëshirë.

55. Prandaj, mos të mahnitë pasuria e tyre dhe as fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t’i ndëshkojë ata me këto gjëra në jetën e kësaj bote dhe që t’ju dalë shpirti duke qenë mosbesimtarë.

56. Ata betohen në Allahun se vërtet janë me ju, por ata nuk janë prej jush (prej atyre që besojnë), por ata janë njerëz (hipokritë) që kanë frikë.

57. Po të gjenin ndonjë vend tjetër strehimi ose shpellë apo ndonjë vend të fshehtë, ata menjëherë do të shkonin aty me nxitim.

58. Dhe prej tyre ka disa që të fajësojnë ty në çështjen e (ndarjes së) sadakasë (bamirësisë). Në qoftë se ata marrin hise prej saj, janë të kënaqur, por nëse nuk u jepet gjë prej saj, kur ç’të shohësh! Janë bërë si të tërbuar!

59. Vetëm sikur të ishin kënaqur me atë që u dha Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe të thoshin: “Allahu është më se i Mjaftueshëm për ne! Allahu do të na dhurojë neve nga Begatitë e Tij dhe i Dërguari i Tij nga sadakatë (lëmosha)! Tek Allahu i kthejmë shpresat tona duke iu lutur Atij!”

60. Sadakatë (lëmosha, këtu me kuptimin Zekat) janë vetëm për Fukaratë (të varfër që nuk kërkojnë) dhe për Mesakinët (të vobegtit që lypin), për ata që janë punësuar për vjeljen e të ardhurave; dhe për të tërhequr zemrat e atyre që janë të prirur drejt Islamit, për të liruar robërit, për ata që janë në borxhe, për Çështjen e Allahut (Muxhahidinëve që luftojnë në Rrugë të Allahut), për rrugëtarin (e mbetur mes katër rrugëve ose endacakun): një detyrim i ngarkuar nga Allahu. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

61. Dhe mes tyre ka edhe prej atyre që e fyejnë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe thonë: “Ai është gjithë (sy e) veshë (për të marrë vesh çdo gjë).” Thuaju: “Ai dëgjon çfarë është më e mirë për ju. Ai beson në Allahun; ai ka besim tek besimtarët dhe është mëshirë për ata nga mesi juaj të cilët besojnë.” Por ata që fyejnë të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të kenë dënim të dhimbshëm.

62. Ata betohen për Allahun para jush (muslimanëve) me qëllim që t’ju kënaqin juve, por më e drejtë është që ata ta bëjnë të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij (me adhurim e vepra të sinqerta) nëse vërtet janë besimtarë.

63. A nuk e dinë ata se kushdo që i kundërvihet dhe i shpall armiqësi Allahut (‘Azze ue Xhel.) dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), padyshim që për të do të jetë Zjarri i Xhehenemit për të jetuar. Ky është poshtërimi më i madh.

64. Hipokritët frikësohen se mos shpallet ndonjë Sure (kaptinë Kur’ani) për ta. Thuaju: “Vazhdoni të talleni! Por padyshim, Allahu do të ndriçojë gjithçka që ju keni frikë.”

65. Në qoftë se i pyet ata (përse tallen), atëherë shprehen hapur: “Ne vetëm po flasim kot dhe për shaka.” Thuaju: “A me Allahun (‘Azze ue Xhel.), me Ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet) dhe me të Dërguarin e Tij po talleni?”

66. Mos kërkoni fare ndjesë; ju (hipokritë) keni mohuar pasi patët besuar e nëse Ne falim disa prej jush, Ne do të ndëshkojmë të tjerë nga mesi juaj, sepse ishin Muxhrimunë (mosbesues, politeistë, kriminelë).

67. Hipokritët dhe hipokritet janë prej njëri-tjetrit; ata u urdhërojnë njerëzve El-Munker (të keqen, mohim e politeizëm, gjithçka që ka ndaluar Islami) dhe i ndalojnë ata nga El-Ma’ruf (e drejta, besimi Islam dhe urdhërat e tij), pastaj i kyçin duart (duke mos dhënë Sadaka, Zekat e duke mos shpenzuar në Çështjen e Allahut). Ata e kanë harruar Allahun, kështu që edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë që hipokritët janë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

68. Hipokritëve dhe hipokriteve e edhe mosbesimtarëve, Allahu u ka premtuar Zjarrin e Xhehenemit; aty do të banojnë. Ai do t’ju mjaftojë. Allahu i ka mallkuar ata dhe për ta ka dënim të pandërprerë.

69. Si puna e atyre që ishin para jush, të cilët ishin më të fuqishëm se ju, kishin më shumë pasuri e fëmijë. Ata e shijuan pjesën e tyre (për një kohë); shijoni pra edhe ju pjesën tuaj (për një kohë) siç e shijuan ata para jush pjesën e tyre (për një kohë). Edhe ju u dhatë e u kënaqët në lojra e dëfrime njësoj siç u dhanë e u kënaqën edhe ata në lojra e dëfrime. Kështu janë ata, veprat e të cilëve janë të kota në këtë botë dhe në Botën e Përtejme. Të tillët janë ata të humburit.

70. A nuk ka arritur tek ata lajmi i atyre (popujve) para tyre? - Popullit të Nuhut, Aadit dhe Themudit, i popullit të Ibrahimit, banorëve të Medjenit dhe qytetet e përmbysur (vendbanimet që i thirri në fe Luti): këtyre u erdhën të Dërguarit e tyre me argumente të qarta. Kështu pra, nuk është Allahu i Cili u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetit padrejtësi.

71. Besimtarët dhe besimtaret janë Eulija (ndihmues, mbrojtës e miq) për njëri-tjetrin, ata u mishërojnë (njerëzve) El-Ma’ruf (Islamin dhe gjithë përmbajtjen e tij) dhe i ndalojnë (njerëzit) nga El-Munker (mosbesimi, dhe gjithçka tjetër që Islami ndalon), ata i kryejnë rregullisht e në mënyrë të përkryer faljet e përcaktuara ditore, japin Zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata mbi të cilët Allahu do të derdhë Mëshirën e Tij. Vërtet Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

72. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Kopshte të Begatë të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta ngaherë dhe në villat mahnitëse në Kopshtet e Xhennetit të Adnit. Por lumturia më e madhe është Kënaqësia e Allahut. Ky është ai ngadhënjimi më i madh.

73. O Pejgamber! Lufto fort kundër mosbesimtarëve dhe hipokritëve dhe ji i ashpër kundër tyre. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi - dhe vërtet më i keqi është ky fund.

74. Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë gjë (të keqe), por në të vërtetë ata thanë fjalën e mosbesimit, ata mohuan pasi pranuan Islamin, ata vendosën atë (përbetim që të vrisnin Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që nuk qenë në gjendje ta vinin në jetë dhe ata nuk mund të gjenin shkak tjetër për të vepruar kështu përveç asaj që Allahu dhe i Dërguari i Tij i pasuruan ata nga Begatitë e Tij. Në qoftë se ata më pas pendohen, kjo do të jetë më mirë për ta, por nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë ata me dënim të dhimbshëm në jetën e kësaj bote dhe në Jetën e Pastajme. Dhe askush nuk është për ta Vali (mbrojtës, mbështetës) ose ndihmues në tokë.

75. Dhe prej atyre (hipokritëve) janë disa që bënë marrëveshje me Allahun (duke thënë): “Nëse Ai na dhuron neve Begatinë e Tij, me të vërtetë që ne do të jepnim Sadaka (lëmoshën e detyruar dhe lëmoshë vullnetare e bamirëse në Çështjen e Allahut) dhe padyshim që do të ishim prej të drejtëve.”

76. Pastaj kur Ai u dha atyre nga Begatitë e Tij, ata u bënë koprracë (si të ishin duarthatë dhe nuk pranuan të jepnin asnjë lloj Sadakaje) dhe kthyen shpinën pa dëshirë (për të dhënë gjë).

77. Kështu që Ai i ndëshkoi ata duke u futur hipokrizinë në zemër deri në Ditën në të cilën ata do të takojnë Atë, sepse ata e thyen atë (marrëveshjen me Allahun) të cilën vetë ia kishin premtuar Atij dhe për atë se ata gjithnjë thurnin gënjeshtra.

78. A nuk e dinë ata se Allahu i di mendimet më të fshehta të tyre dhe Nexhvin e tyre (këshillimet e fshehta), dhe se Allahu është i Gjithëdituri i Gajbeve (i gjithë të padukshmeve dhe i të panjohurave)?

79. Ata të cilët marrin nëpër gojë dhe tallen me besimtarë të atillë që japin Sadaka me vullnetin e tyre dhe (me) ata të cilët nuk munden që të gjejnë për të dhënë Sadaka përveçse çfarë kanë në dorë, Allahu do t’ua përplasë vetë atyre përqeshjen dhe për ta do të ketë dënim të dhimbshëm.

80. Edhe nëse ti kërkon falje për ta (hipokritët) ose nuk kërkon falje për ta; bile edhe sikur të kërkosh shtatëdhjetë herë faljen e tyre, (prapë) Allahu nuk do t’i falë ata, sepse ata nuk kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

81. Ata (hipokritët) që ndenjën larg (pa shkuar në luftë) duke u kënaqur me qëndrimin e tyre pas të Dërguarit të Allahut, ata urryen të luftonin me pasurinë dhe jetën e tyre për Çështjen e Allahut dhe thanë: “Mos marshoni në vapë.” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është akoma më i fortë në nxehtësi (se vapa e diellit).” Veç sikur të mund ta kuptonin!

82. Kështu që lëri të qeshin pak dhe do të qajnë shumë (në Botën Tjetër) si shpërblim për çfarë fituan (duke bërë mëkate, gjynahe).

83. Në qoftë se Allahu të kthen ty prap te ndonjë grup i tyre (hipokritëve) dhe ata të kërkojnë leje për të dalë (me ty në luftë), thuaju: “Kurrë më ju nuk do të dilni me mua dhe kurrë nuk do të luftoni armikun me mua. Ju pranuat të rrini të fjetur në rastin e parë, tash rrini pra, me ata që mbetën prapa.”

84. Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (Xhenazen) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij. Me të vërtetë që ata nuk besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vdiqën duke qenë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

85. Dhe le të mos të t’i marrin mendtë pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t’i ndëshkojë ata me këto gjëra në dynja dhe t’u ndahet shpirti që këtej duke qenë mosbesimtarë.

86. Dhe kur shpallet ndonjë Sure (pjesë Kur’ani) që i udhëzon ata të besojnë Allahun dhe të përpiqen e të luftojnë përherë me të Dërguarin e Tij, të pasurit prej tyre kërkojnë lejen tënde që t’i lirosh ata (nga detyrimi i Xhihadit) dhe thonë: “Na lër pas. Ne duam të jemi me ata që rrinë (në shtëpitë e tyre).”

87. Ata janë të kënaqur të jenë me ato (gratë) që rrinë në shtëpi. Zemrat e tyre janë të vulosura (nga çdo e mirë dhe udhëzim i drejtë), kështu që ata nuk kuptojnë (se çfarë po humbasin).

88. Por i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata që besuan me të e që u përpoqën fort dhe luftuan me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre (në Çështjen e Allahut), të tillët janë ata për të cilët janë të mirat dhe mu këta janë ngadhënjyesit.

89. Allahu u ka përgatitur atyre Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.

90. Ndërsa ata nga beduinët që u shfajësuan dhe erdhën (tek ti, o Pejgamber) për të kërkuar leje për t’i përjashtuar nga beteja si dhe ata që gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan në shtëpi (pa kërkuar leje): ata që mohuan nga mesi i tyre do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.

91. Nuk përbën faj aspak për ata që janë të dobët, ose të sëmurë, ose që nuk gjejnë asnjë burim për të shpenzuar (në Xhihad), në qoftë se ata janë të përkushtuar dhe të vërtetë (në detyrat) ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nuk ka vend për ankesë ndaj Muhsininëve (mirëpunuesve në Rrugë të Allahut). Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

92. As edhe për ata të cilët të erdhën ty për t’u dhënë kafshë për udhëtim dhe kur ti u the: “Nuk mund t’ju gjej kafshë ose mjete udhëtimi,” ata u kthyen prapë, ndërsa sytë e tyre u mbushën me lot keqardhje që ata nuk mund të gjenin asgjë për të dhënë (për Xhihad).

93. (Por) ka vend (për pakënaqësi) vetëm ndaj atyre të cilët janë të pasur e prapëseprapë kërkojnë leje (për t’u liruar nga Xhihadi). Ata janë të kënaqur të jenë me ato (gratë) që rrinë në shtëpi dhe Allahu ua vulosi zemrat e tyre nga çdo e mirë dhe udhëzim i drejtë, kështu që ata nuk kuptojnë (se çfarë po humbasin).

Pjesa 11

94. Ata (hipokritët) do t’ju paraqesin juve (muslimanëve) shfajësimet e tyre kur të ktheheni tek ata. Thuaju: “Mos paraqitni asnjë shfajësim, ne nuk do t’ju besojmë. Allahu tashmë na e ka bërë të njohur lajmin për ju. Allahu dhe i Dërguari i Tij do të vëzhgojnë veprat tuaja, pastaj në fund do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i Gajbit (të panjohurës) dhe i të njohurës dhe Ai do t’jua bëjë të njohur gjithçka që ju vazhdimisht vepruat.” (Tefsir At-Tabari).

95. Ata do të betohen para jush (muslimanëve) për Allahun, kur të ktheheni tek ata, (si shkak) që të mund të largoheni prej tyre. Kështu pra, largohuni prej tyre. Vërtet që ata janë Rixhsun (jo të pastër), dhe vendbanimi i tyre është Xhehenemi,- shpërblim për atë që ata vetë e fituan.

96. Ata (hipokritët) ju betohen juve me qëllim që të jeni të kënaqur me ta, por nëse jeni të kënaqur me ta, vërtet që Allahu nuk është aspak i kënaqur me njerëzit Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

97. Beduinët janë më të këqijtë në mosbesim dhe hipokrizi dhe për më tepër në padije në lidhje me kufijtë (e Urdhërave dhe Ligjeve të Allahut) të cilët Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij. Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

98. Ka edhe prej atyre beduinëve që e shohin atë që shpenzojnë (për Çështjen e Allahut) si gjobë dhe presin me padurim fatkeqësi për ju. Mbi ta rënshin fatkeqësitë dhe ligësitë! Dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

99. Ka edhe prej atyre beduinëve që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe e shohin atë (pasuri) që e japin për Çështjen e Allahut si afrim tek Allahu dhe si shkak për të tërhequr lutjet e të Dërguarit. Padyshim që këto janë afrim për ta. Allahu do t’i fusë në Mëshirën e Tij. Me të vërtetë që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

100. Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medinë) dhe Ansarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata) si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në Besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.

101. Edhe rreth jush ka beduinë që janë hipokritë, e edhe nga banorët e Medinës (ka disa të tillë). Ata e shtojnë dhe janë të vendosur në hipokrizi. Ti (Muhammed) nuk i njeh ata, (por) Ne i njohim ata. Ne do t’i ndëshkojmë ata dy herë dhe pas kësaj do të sillen përsëri në dënimi të madh.

102. Ka edhe të tjerë që i kanë njohur e pranuar gabimet e tyre, ata e kanë përzier një punë të mirë me një tjetër të ligë. Mbase Allahu do t’u kthehet atyre me falje. Me të vërtetë që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

103. Merr Sadaka (e Zekat) nga pasuria e tyre me qëllim që t’i pastrosh dhe t’i bësh të dëlirë me anë të saj, lut edhe Allahun për ta. Vërtet që lutjet tuaja janë burim sigurie për ta. Dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

104. A nuk e dinë ata se Allahu pranon pendimin nga robët e Tij dhe i merr Sadakatë (i pranon lëmoshat e dhëna për Hir të Tij) dhe se Vetëm Allahu është Ai i Cili fal dhe pranon pendimin, Mëshirëplotë?

105. Dhe thuaju: “Punoni! Allahu do t’i shohë punët tuaja, edhe i Dërguari i Tij, edhe besimtarët. Dhe ju do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së hapurës, kur Ai do t’ju njohë ju me punët që keni bërë.”

106. Ndërsa të tjerët rrinë në pritje të Vendimit të Allahut, nëse Ai do t’i ndëshkojë ata apo do t’i falë. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

107. Sa për ata që ngritën xhami duke sjellë prishje dhe mosbesim, për të përçarë besimtarët dhe si pararojë për ata që luftuan kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kohë më parë, ata vërtet që do të betohen se qëllimi i tyre ishte veçse për mirë, por Allahu dëshmon se ata janë padyshim gënjeshtarë.

108. Kurrë mos rri në të. Padyshim se xhamia, themelet e së cilës u vunë që nga dita e parë në përkushtim është më e vlefshme që ju të rrini në të (për falje). Në të ka burra që parapëlqejnë ta mbajnë veten të pastër e të dëlirë dhe Allahu i do ata që e mbajnë veten të pastër e të dëlirë.

109. A është atëherë më i mirë ai i cili vuri themelin e ndërtesës së tij tek përkushtimi ndaj Allahut dhe të Kënaqësisë së Tij të Vyer, apo ai i cili vuri themelin e ndërtesës së tij të paqëndrueshëm buzë greminës, saqë u thërrmua bashkë me të në Zjarrin e Xhehenemit? Dha Allahu nuk i udhëzon njerëzit Dhalimunë (politeistë, keqbërës).

110. Ndërtesa që ngritën ata, nuk do të pushojë kurrë së qeni shkak i hipokrizisë dhe i dyshimit në zemrat e tyre, derisa zemrat e tyre të copëtohen (të vdesin). Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

111. Me të vërtetë Allahu ka blerë nga besimtarët jetën e tyre dhe pasurinë e tyre me Çmimin se i tyre do të jetë Xhenneti. Ata luftojnë për Çështjen e Allahut, kështu që ata vrasin (mosbesimtarë) dhe vriten. Është një premtim i vërtetë të cilin Ai ia detyroi Vetes në Teurat, Inxhil dhe në Kur’an. E kush është më i vërtetë në besën e tij se sa Allahu? Atëherë gëzohuni në marrëveshjen që keni përfunduar. Ky është ngadhënjimi madhështor.

112. (Besimtarët të cilëve Allahu u ka blerë jetën janë) ata që i kthehen Allahut me pendim (duke u larguar nga politeizmi, mosbesimi, hipokrizia etj), ata që e lusin Atë, ata që e lavdërojnë Atë, ata që agjërojnë, ata që përkulen (në falje), që bien në sexhde (me fytyrë përtokë në falje), ata që urdhërojnë El-Ma’ruf (Islamin dhe detyrimet e tij), ata që ndalojnë nga El-Munker (mosbesimi, dhe gjithçka që ka ndaluar Islami), ata që ndjekin kufijtë e përcaktuar nga Allahu (kryejnë urdhërimet e Allahut dhe largohen prej ndalimeve të Tij). Pra, përgëzoi besimtarët!

113. Nuk shkon për Pejgamberin dhe për ata që besojnë, të kërkojnë Faljen e Allahut për Mushrikinët (politeistët, idhujtarët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) edhe sikur ata të jenë më të afërmit, pasi u është bërë e qartë atyre se ata janë banorët e Zjarrit (sepse ata kanë vdekur duke qenë mosbesimtarë).

114. Edhe lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij ishte vetëm për shkak të premtimit që ai ia bëri atij (babait), por kur iu qartësua mirë atij se ai (babai i tij) ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Vërtet Ibrahimi ishte El-Evveh (që i lutej Allahut me nënshtrim, e madhëronte Atë shumë) dhe shumë i duruar. (Tefsir Al-Kurtubi).

115. Allahu kurrë nuk do ta humbë atë popull pasi që ta ketë udhëzuar atë, derisa Ai t’u bëjë të qartë atyre se nga cilat gjëra ata duhet të largohen. Vërtet Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.

116. Me të vërtetë është Allahu! I Tij është mbisundimi i qiejve dhe i tokës. Ai jep jetë dhe sjell vdekje dhe përveç Allahut ju nuk keni as ndonjë Vali (ruajtës e mbrojtës), as ndonjë ndihmues.

117. Allahu ia fali Pejgamberit, Muhaxhirinëve (muslimanëve të shpërngulur nga Meka) dhe Ansarëve (muslimanëve strehues në Medinë) të cilët e morën mbrapa atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në çastet e vështira (në kohën e ekspeditës së Tebukut), pas asaj që zemrat e një pjese të tyre pothuaj ishin shmangur (nga Rruga e Drejtë), por Ai e pranoi pendimin e tyre. Padyshim që Ai është gjithë Mirësi ndaj tyre, Mëshirëplotë.

118. (Ai fali) edhe tre të lënë pas (të cilët nuk u bashkuan në ekspeditën e Tebukut), përderisa edhe toka me gjerësinë e saj u ngushtua për ta siç u ngushtua edhe vet vetja e tyre dhe e kuptuan se nuk ka ikje prej Allahut, se nuk ka mbështetje veçse tek Ai. Pastaj Ai e pranoi pendimin e tyre, që ata të mund t’i ktheheshin Atij me pendim. Dhe vërtet Allahu është Ai i Cili pranon pendimin e robëve të Vet, Mëshirëplotë.

119. O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë e në vepra).

120. Nuk i shkonte popullit të Medinës, e as beduinëve fqinjë me të, që të mbeteshin prapa të Dërguarit të Allahut (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem në luftë për Çështjen e Allahut) dhe të parapëlqenin jetën e tyre para jetës së tij. Kjo ngaqë ata nuk vuajnë nga etja, nga lodhja apo nga uria në Çështjen e Allahut, as nuk ndërmarrin ndonjë hap për të shtuar dhimbjet e plagët e armikut, por veçse (gjithçka) u shkruhet atyre nga kjo (në mirësi e nderim të tyre) vepër drejtësie. Vërtet Allahu nuk e kursen shpërblimin për mirëpunuesit (në Rrugën e Allahut).

121. As nuk shpenzojnë gjë (për Çështjen e Allahut) - shumë ose pak - as nuk kalojnë luginë, pa iu shkruar në të mirë të tyre veprat të cilat ata i kryen, në formën më të përsosur.

122. Dhe nuk është (e përshtatshme) për besimtarët të dalin për luftë (Xhihad) të gjithë bashkë. Nga çdo grup i tyre, vetëm një pjesë duhet të marshojë, me qëllim që ata të cilët rrinë pas, të njihen me fenë (Islame) dhe që të mund t’i këshillojnë njerëzit e tyre kur të kthehen tek ata, dhe që të mund të jenë të vetëdijshëm (për të keqen).

123. O ju që keni besuar! Luftoni mobesimtarët që i keni afër jush dhe le të shijojnë ata ashpërsinë tuaj (dhe le të gjejnë tek ju ashpërsi). Dhe dijeni se Allahu është padyshim me Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

124. Dhe sa herë zbret ndonjë Sure (pjesë Kur’ani), disa prej tyre (hipokritëve) thonë: “Cilit prej jush iu shtua besimi?” Sa për ata që besojnë, ajo e ka shtuar besimin e tyre dhe ndjejnë kënaqësi.

125. Por sa për ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (me dyshim, mosbesim e hipokrizi), ajo do të shtojë dyshim e mosbesim në mosbesimin e tyre, mohim e dyshim (gjithnjë e më të thellë) dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë.

126. A nuk e shohin ata se janë provuar një herë apo dy herë çdo vit (në forma të ndryshme fatkeqësish, sëmundje, uri etj)? Prapë ata nuk kthehen në pendim dhe nuk marrin mësim.

127. Dhe sa herë që zbret ndonjë Sure (pjesë Kur’ani), ata shikojnë njëri-tjetrin (e thonë mes veti): “A po ju sheh ndokush?” Pastaj ata largohen. Allahu ua ka larguar zemrat e tyre (nga drita), sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë.

128. Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë). Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim e vështirësi. Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është i merakosur dhe i dëshiruar për ju (që të jeni të udhëzuar drejt dhe t’i pendoheni Allahut, me qëllim që të mund të fitoni Xhennetin e të shpëtoni prej Zjarrit të Xhehenemit) dhe për besimtarët ai është që ndjen shumë, mëshirues.

129. Por nëse ata kthejnë shpinën, atëherë thuaju (O Muhammed): “Allahu është më se i Mjaftueshëm për mua. La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij). Tek ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zot i Arshit Madhështor.”